Identifikohu



Regjistrohu

Veshka shkijesh apo PSYOPS?

Nga Xha Xhai
Peizazhe të fjalës

Zhurma shurdhuese rreth disa rrëfimeve të Carla del Ponte-s në librin e vet të fundit “La Caccia”, për kinse trafikimin e organeve të të burgosurve serbë nga UÇK-ja, nuk lejon që të kuptohet mirë se për çfarë është fjala pikërisht; meqë si edhe herë të tjera, një takëm pseudo-patriotësh duan ta shfrytëzojnë edhe këtë rast për të treguar se sa të gatshëm janë për t’u kacafytur me mullinjtë e erës, në favor të çështjes shqiptare. Ndërkohë, memi i mbjellë nga Del Ponte tashmë ka depërtuar në kaosin primordial të informacionit, dhe publiku e ka pranuar si të vërtetë diçka që as gënjeshtër nuk e quan dot; ose një amebë narrative që po shtohet e shumohet falë edhe inercisë perceptive të ligjërimtarëve publikë shqiptarë, shpesh robër skemash interpretative naive, pothuajse aritmetike.

Sipas këtij memi, që nuk është doemos i njëjtë me çka ka rrëfyer Del Ponte në librin e vet, në kohën e trazirave në Kosovë gjatë viteve 1999-2000, UÇK-ja paska transferuar në Shqipëri të burgosur serbë të Kosovës, të cilët janë trajtuar në një klinikë rudimentare në një shtëpi fshati diku në Mat, pastaj u janë marrë organet, që janë trafikuar pastaj me avion drejt një klinike në Turqi, nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Sa të ngjarë ka që të ketë ndodhur diçka e tillë?

Dihet se trafiku kriminal i organeve për transplantim është një business mjaft fitimprurës, sidomos për organizatat kriminale që luajnë rolin e ndërmjetësve midis donatorëve dhe pacientëve që kanë nevojë për organet. Sipas një raporti të WHO të para disa vitesh, sekserët ose ndërmjetësit kërkojnë diçka midis 100,000 dhe 200,000 dollarë amerikanë për transplantim, në një kohë që çmimi i një organi të dhuruar, zakonisht veshkë, luhatet nga 5000 në 1000 dollarë amerikanë.

Përsëri sipas këtij raporti, në vitin 2003 është zbuluar nga policia, në Afrikën e Jugut, një klinikë ilegale ku brazilianë të vobegtë ofronin organet përkundrejt parave të pacientëve izraelitë të kamur. The Christian Science Monitor pat shkruar një reportazh për këtë çështje, i cili e përshkruan mirë dinamikën e transaksioneve në fjalë.

Megjithatë, në raste si këto dhuruesit gjithnjë kanë vepruar me dëshirën e tyre, të joshur nga pagesa relativisht e mirë që u ofrohet për organet.

Përkundrazi, vjedhja e organeve, ose heqja me forcë e tyre nga trupi i viktimave që nuk kanë dhënë pëlqimin për kësi operacionesh, nuk është vërtetuar kurrë dhe konsiderohet si legjendë urbane, edhe pse ka shërbyer tashmë si temë e së paku dy filmave të mirënjohur. Ka të dhëna se Kina është përzier në trafikimin e organeve të të dënuarve me vdekje që janë me shumicë në atë vend, edhe pse autoritetet atje pretendojnë se të dënuarit i kanë dhuruar organet me vullnetin e tyre.

Në një kontekst të tillë, sikur të zbulohej se në Shqipëri ka pasur një klinikë për vjedhjen e organeve, kjo do të përbënte rastin e parë në botë të verifikimit të një krimi të kësaj natyre.

Skenari i insinuar nga “informatorët” e Del Pontes është problematik edhe ngaqë si rregull në praktikën e transplantimeve të paligjshme, heqja e organeve nga dhuruesit bëhet në të njëjtën klinikë ku edhe kryhet transplantimi, pse mendohet që krimi i organizuar nuk i ka (ende) mundësitë që t’i bashkërendojë veprimtaritë e çiftimit të organeve si spitalet dhe klinikat e mëdha shtetërore ose private, sidomos në rrafshin global.

Prandaj, edhe sikur të ketë ndodhur diçka e tillë me persona të nxjerrë nga Kosova, është më afërmendsh që këta persona të jenë transportuar ende të praprekur drejt klinikës ku do t’u përdoreshin organet; dhe që, sipas informatorëve të Del Pontes, ekzistonte diku afër Stambollit dhe përdorej nga pacientë të pasur nga vendet e Gjirit Persik.

Në një artikull të para pak ditësh, NZZ shpjegonte se hetimin për këtë farë krimi e kishin nisur një grup gazetarësh perëndimorë të mirënjohur për gazetën, të cilët nuk kishin arritur dot të provonin gjë dhe kishin refuzuar pastaj të shkruanin për diçka që nuk mund ta mbështetnin me fakte:

Die von Del Ponte erhobene Anschuldigung basiert mit grosser Wahrscheinlichkeit auf den Recherchen eines Teams erfahrener westlicher Journalisten,die dieser Zeitung bekannt sind. Laut diesen unbewiesenen Angaben wurde in der Ortschaft Burell im Norden Albaniens eine unbekannte Anzahl Gefangener der UCK festgehalten. Es soll sich bei ihnen um Serben, Kosovo-Albaner und Roma gehandelt haben. Diese Informationen sollen von einem Angehörigen der Rebellen stammen, der die Gefangenen transportiert haben soll. Zwischen dem Sommer 1999 und dem Sommer 2000 sind, immer laut diesen unbewiesenen Informationen, offenbar über 100 Gefangenen Organe entnommen worden. Es handelte sich nach dieser Darstellung um ein regelrechtes «Ausschlachten» der Gefangenen. Die entnommenen Organe sollen anschliessend auf den Flughafen Rinas bei Tirana transportiert worden sein. Dieser liegt in knapp drei Stunden Entfernung von Burell. Weiter seien die Organe nach Istanbul transportiert worden und in einer unmittelbar beim dortigen Flughafen gelegenen Privatklinik den dort vorbereiteten Empfängern implantiert worden. Bei ihnen soll es sich mehrheitlich um wohlhabende Patienten aus Golfländern gehandelt haben.

Die recherchierenden Journalisten sollen in Burell das Haus ausfindig gemacht haben, in dem diese Operationen angeblich stattgefunden haben. Ebenso wollen sie wissen, dass die sterblichen Überreste der «ausgeschlachteten» Patienten im örtlichen Friedhof beigesetzt worden seien. Weiter kamen die Journalisten bei ihren Recherchen nicht. Sie sollen in der Folge ihre Informationen an das Haager Uno-Tribunal weitergeleitet haben mit der Bitte um Zusammenarbeit. Ihr Interesse war es, dass die in dem Friedhof vermuteten Leichen im Auftrag des Haager Tribunals identifiziert worden wären. Ohne diese Verifikation war das Journalisten-Team nicht bereit gewesen, die sehr ernsthafte, aber nur bruchstückhaft bekannte Anschuldigung öffentlich zu machen.

Edhe Del Ponte, në librin e vet, e pranon se hetimet e kryera me inciativën e saj nuk dhanë ndonjë rezultat, pavarësisht nga disa shishe ilaçesh dhe garza mjekësore që u gjetën në oborr të shtëpisë në Burrel.

Artikulli i NZZ saktëson edhe që, mes këtyre personave të zhdukur e që, pas gjase, ishin përdorur për t’u vjelë organet, kishte serbë, romë dhe shqiptarë prej Kosove, çka bie ndesh me pretendimet e propagandës serbe se paska qenë fjala për një operacion të natyrës politike ose raciale. Përshtypja ime është se, të paktën në trajtat që u hetua prej gazetarëve që përmend Del Ponte, operacioni duket më tepër si i ndërmarrë prej Mafias ndërkombëtare, e cila mund të ketë përfituar nga kaosi në Shqipërinë e asaj kohe, për të ngritur një bazë ndërmjetësimi diku në afërsi të Rinasit.

Nga ana tjetër, shifrat prej 100-200 mijë dollarë për veshkë e ndoshta edhe më të larta për organe më jetike tingëllojnë jashtëzakonisht joshëse për mafiozët pavarësisht nga feja, kombësia dhe raca; dhe me financime kësisoj gjithçka është e mundshme, madje edhe në Burrel.

Sidoqoftë, e për mendimin tim, këtu ngatërrohen së paku tri gjëra të ndryshme: (1) zhdukja e personave në një zonë lufte dhe spastrimi etnik; (2) përzierja, në trafikun e organeve, e krimit ndërkombëtar të organizuar; (3) operacione gjysmë legale të kryera në territorin shqiptar nga ana e UÇK-së ose e amerikanëve (p.sh. spitale për mjekimin e të plagosurve, ose qendra për marrjen në pyetje të “terroristëve”).

I ka ditur Del Ponte këto gjëra? Natyrisht që i ka ditur, aq më tepër që insinuimi për një klinikë për vjelje organesh nga robërit e luftës në territorin shqiptar përbën një unicum, ose shtegun drejt një dosjeje krimi që, sikur të ishte provuar, do t’i kish dhënë Del Pontes famë ndërplanetare.

Po nëse i ka ditur, atëherë ç’kuptim ka përmendja e këtyre gjërave në një libër të vonuar, dhe botimi i këtij libri menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova?

Unë s’i përgjigjem dot kësaj pyetjeje, por jam shumë i tunduar ta konsideroj gjestin e Del Ponte-s si pjesë të një PSYOPS-i që ka për qëllim të manipulojë opinionin publik në Ballkan dhe gjetiu në botë, në lidhje me fenomenin Kosovë. Për këtë më bën të dyshoj jo vetëm afëria me një legjendë urbane tepër aktuale dhe me impakt emotiv të drejtpërdrejtë, por edhe fakti që kjo histori e rrëfyer nga Del Ponte përzien të vërteta me të pavërteta, në mënyrë të tillë që të vërtetat mund të dalin në shesh tërthorazi gjatë kohës që përgjënjeshtrohen të pavërtetat. Kjo don të thotë edhe që një operacion i tillë manipulues nuk ka aq të bëjë me kosovarët e me serbët drejtpërdrejt, sesa me lojëtarë të tjerë madhorë të pokerit ballkanik…

Pse PSYOPS pikërisht?

Së pari, natyra jashtëzakonisht folklorike e rrëfenjës për grabitje organesh në kohë lufte, së cilës tashmë i është vërtetuar pjellshmëria dhe forca mbijetuese në terren. Sa më tepër shndërrohet rrëfenja në psikozë, ose në një copëz jetime informacioni që u futet njerëzve në pavetëdije pa u përpunuar ende nga vetëdija, aq më tepër funksionon grabitja e organeve si kryemetaforë për gjymtimin fizik të njerëzve të pafajshëm, të kapur nga një konflikt i pamëshirshëm; duke ofruar njëkohësisht, sado absurde të duket kjo, një arsye disi të pranueshme ose sado pak qetësuese për vdekjen ose zhdukjen e atyre mijëra viktimave, shqiptare dhe serbe, të luftës në Kosovë. Mendja njerëzore do të bëjë të pamundurën, për t’ia gjetur një arsye vdekjes; meqë vdekja e rastësishme, pa arsye, është tepër tronditëse dhe fyese për t’u pranuar.

Së dyti, vetë paraqitja e rrëfenjës në mënyrë të tillë, që vërtetimi i fakteve të bëhet sa më i pamundur, për shkak të distancës në kohë, mungesës ose frikësimit të dëshmitarëve, dhe shtresëzimit të burimeve; meqë vetëm fakte të varura pezull midis përgënjeshtrimit dhe verifikimit mund të ushqejnë më së miri legjendat urbane, të tilla si historitë për UFO-t, ose helmimet masive të popullsisë, ose fantazmat, ose satanizmin, ose grabitjen e fëmijëve, ose krimet me sfond seksual. Nëse është kështu, PSYOPS-i i zhvatjes së organeve do të ketë nisur që me vizitën e Del Pontes te shtëpia e verdhë në Shqipëri.

Pala shqiptare duhet të tregojë kujdes të veçantë në reagimet e veta, për të mos u bërë vegël e verbër e këtij PSYOPS-i, por për t’u përpjekur që t’ia shfrytëzojë momentum-in në favorin e vet. Për fat të keq, kjo kërkon një lloj urtësie që deri më sot duket të na ketë munguar; dhe dëmin më të madh po e shkaktojnë rrahësit e gjokseve patriotike, ose shprehësit profesionistë të indinjatës; ose të gjitha ato barishte të këqia që po përfitojnë nga e drejta e fituar rishtaz, për të vegjetuar lirisht në kopshtet e fjalës publike.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente »

  1. Qafir Arnaut thotë:

    21 Prill 2008 @ 3:07 pm

    Psy-Ops per hesap te ‘te medhenjve’ nga Del Ponte? Bah, duke e njohur paksa mentalitetin e shkalluar zviceran, Del Ponte thjesht nxjerr ne pah perbuzjen qe ka per ballkanasit ne pergjithesi. Mos kujtoni se Serbet dalin te palagur ne kete liber

  2. Perparim Hysi thotë:

    21 Prill 2008 @ 3:20 pm

    Te marresh te vertete”transplatin e organeve ne Mat”(qoft edhe ne Tirane?!),do te thote qe ke rrjedhur nga trute dhe aq.Eshte aq paradoksale nje pandehme e tille,sa do shkruar ne librin e cudirave te medha.Carla de Ponte nga nje prokurore aktive per te denuar shkaketaret e genocidit ndaj kosovareve apo ballkanasve te tjere, e ka humbur ekulibrin duke zbrazur kete marrezi te madhe.Qendrimi i qeverise zvicerane duke ia vendosur kufirin tek thana,flet ne dem te kesaj zonje qe,po t’me degjonin mua,t’i a hiqnin edhe portofolin eambasandores,e kishte hak.Bilez,une mezi pres qe kjo te ndodhe.

  3. Xha Xhai thotë:

    21 Prill 2008 @ 3:38 pm

    Qafir, unë vetëm mendoj se Del Ponte nuk është aq naive sa të mos e përfytyronte reagimin që do të sillte ky pasazh në rrëfimet e saj. Nëse e ka futur në libër, e ka bërë me një qëllim të caktuar, që s’ka të bëjë me dëshirën për të vendosur drejtësi, meqë drejtësinë mund ta kishte vendosur kur ishte në krye të punëve si gjykatëse. Nga ana tjetër, nuk kam absolutisht arsye të mendoj që Del Ponte ka pasur ndonjë krizë shpirtërore të shkaktuar nga ndjenja e fajit ndaj serbëve, sikurse e kanë komentuar disa; ose është gdhirë befas anti-shqiptare, sikurse e kanë komentuar disa të tjerë, që sinqerisht më lodhën me naivitetin e tyre. Me metodën e përjashtimit, nuk mund veçse të arrij në përfundimin që pasazhi i Del Ponte-s është pjesë e një operacioni psikologjik të shkallës shumë të gjerë, që ka për qëllim të ndihmojë për të ribalancuar raportin e forcave midis tre faktorëve që janë sot të pranishëm në Ballkan: SHBA, Europa e Bashkuar dhe Rusia. Megjithatë, siç e ke thënë edhe ti në komentin që ke lënë te “Peizazhet”, serbët e shfrytëzuan shumë mirë këtë, për të zhvendosur vëmendjen nga krimet e tyre të panumërta e të pashembullta e të pakrahasueshme me ato që mund të kenë bërë shqiptarët. Çështja është nëse do të mund ta shfrytëzojnë dot edhe shqiptarët në favor të tyre, në vend që të ngrihen e të bëjnë qepaze Del Ponten nëpër forume (reale e virtuale)?

  4. Tironsi Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Prill 2008 @ 4:33 pm

    Them se ka te drejte Qafiri. Po te shofesh Carla’s List duket ashiqare mendimi qe ka per ballkanasit (me te drejte) dhe moscarja e kokes per reagimin qe do sjellin ato qe ajo thote. Ajo s’e pati per gje me thon qe departamenti i shtetit po mbronte Karaxhicin dhe as nuk iu drish qerpiku kur pas ca kohesh tha “e kisha gabim”. I vetmi rast kur Del Ponte eshte tregu e kujdesshme ka qene rasti i Kroacise, kur dha miratimin qe ajo te merrte statusin e kandiadtit edhe pse nuk kishin dorezu Gotovinen. (ia premtoi kryeministri qe do ia dorezonin dhe ne fakt keshtu ndodhi)
    Ne po bejme zhurme kot me duket mua.

  5. palaco-njeri thotë:

    21 Prill 2008 @ 6:04 pm

    E ka lexuar njeri kete liber/a e ka hedhur si dyshim Del Ponte kete apo e ka shprehur si bindje te forte te saj,apo thjesh e ka permendur si nje fakt te kryer,a thua te pranueshem gjithashtu,sikur te ishte nje krim i denuar tashme nga nje gjyq?

    Qe Del Ponte ka nje arsye ta permend ,as nuk diskutohet kjo,por nuk besoj se ka nje impak persa i perket ekuilibrit te fuqive ne Ballkan.Kjo me duket me teper anti-Shqipetare,ne aspektin propagandues gjithmone,jo se i ben ndonje dem te madh Kosoves,besoj se eshte hedhur si kavo per propaganden Serbe,qe perqendrohet jashtezakonisht shume te manipuloje opinionin publik nderkombetar,gje qe ne Shqipetaret nuk dime ta bejme,dhe jemi shume te paafte te propagandojme,ne diplomaci Serbia gjithmone na e ka futur.Perjashto disa raste te vecanta gjate periudhes te diktatures.

  6. Qafir Arnaut thotë:

    21 Prill 2008 @ 7:26 pm

    C’arsye paska del Pont-ja te jete anti-shqiptare? Nqs eshte anti-Shqiptare atehere sa here me anti-serbe duhet te jete ajo njeri te cilin ata e kane bo me fol me vete? Ndoshta kjo eshte edhe shpjegimi me i thjeshte per ‘thagmen’ e Burrelit ne “La Caccia”. Ajo thjesht eshte bo me fol me vete

    .Kjo me duket me teper anti-Shqipetare

  7. Pjer Thomas thotë:

    21 Prill 2008 @ 8:31 pm

    Une librin se kam lexuar , e po ta kisha lexuar do te orientohesha me mire, por me kaq sa po ndigjojme them se duhet te jete nje lajthitje e saj.
    Xhai Xhai e thot mire ne komentin e tij;”….serbët e shfrytëzuan shumë mirë këtë, për të zhvendosur vëmendjen nga krimet e tyre të panumërta e të pashembullta e të pakrahasueshme me ato që mund të kenë bërë shqiptarët. Çështja është nëse do të mund ta shfrytëzojnë dot edhe shqiptarët në favor të tyre, në vend që të ngrihen e të bëjnë qepaze Del Ponten nëpër forume (reale e virtuale)? “

  8. Darien thotë:

    21 Prill 2008 @ 10:42 pm

    Del Ponte, shpresoj qe libri eshte shitur dhe ke bere pare te mira, meqenese u mundove kaq shume per te bere kete fiction story.

    Jo vetem ato akuza teknikisht jane te pamundura por edhe nga legale do te ishte e pamundur per keta “mafioza” te shisnin ato organe ne treg, duke pasur parasysh procedurat legale qe spitalet e Perendimit u nenshtrohen per c’do transplant.

    Se dyti, pse nuk i nxorre keto akuza me perpara, dhe te zhvillohej nje hetim i plote, por u kujtove tani qe do te shesesh librin.

    Keto jane pordhe te ftohta qe vetem eksiton ekstremistat serbe e ruse.

  9. TaniBorizani thotë:

    22 Prill 2008 @ 11:33 am

    Që të ushtrosh profesionin në nje post si ai që pati Del Ponte dhe për të përballu çmendurinë njerëzore, normalisht duhet ta kesh një dërrasë mangut përndryshe je KO që ne ditën e parë. Del Ponte kishte bindjen e patundur që do të çonte misionin e saj deri në fund, gjë që nuk e arriti plotësisht. Në këndvështrimin profesional sigurisht ndjenja frustracioni ngelen kur gjërat nuk përfundojne ashtu siç ishin parashikuar. Une e shikoj më tepër librin e saj si një mjet për të shfryrë dufin dhe për të larë hesapet publikisht me gjithë palët. Saktësia e informacioneve që serviren eshtë e dorës së dytë pasi po të kishin qënë boshti kryesor i librit, ai libër nuk duhej të ish botuar hiç pasi është kundër çdo lloj etike profesionale për njerëz të atillë kalibri.
    Echo dhe pasojat që sjellin “fakte” si ky i klinikës dihet sesi marrin zjarr në çmendurine e Ballkanit. Ndoshta ky ishte “litari jasht varri” që Del Ponte la për ballkanasit. Dënimi i saj personal, shumë jo-profesional.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.