Login



Register

Turiste

akvll-naja

E enjte

Maria Magdalenës i ka dalë një biletë tepër për “Jul Çezarin” e Operës së Lozanës dhe, meqë koha është e mirë, them “pse jo”, megjithëse as e kam idenë se çfarë muzike ka bërë Hendeli dhe kush këndon dhe si këndon. Në njëorëshin që kam në dispozicion, lahem, thahem, lyhem, parfumosem, paketohem me fustan, me geta e me perla, bëj një fotografi që t’ia çoj sime mëje, që gati pëson paralizë faciale kur më sheh me fundin dhe bluzën e preferuar që i vesh sporadikisht prej pesë vjetësh, dhe nisem të marr trenin për në Lozanë. Takoj Maria Magdalenën në stacion, shkëmbejmë të rejat e fundit në tren dhe ndërkaq duket liqeni që na i qep gojët respektive…

Hyjmë në Metropol, zgjasim biletat, zbresim shkallët dhe shpërndahemi, sepse vendet kanë qëlluar të jenë në polet e kundërta të sallës. Punë studentësh, varfanjakë në koncept. Gjej karrigen time, hedh një sy rreth e përqark, identifikoj një dorë çiftesh të moshura dhe rahatohem duke shpresuar që karrikja bosh ngat meje do të mbushet si me magji nga një djalë i gjatë, i hollë, me pak kurriz të dalë dhe beqar. Por s’di se si, karrikja anash meje mbushet me një femër të gjatë, të hollë, me pak kurriz të dalë dhe, nga pamja e ngërçosur, modeli i qëmotshëm i xhinseve, prerja cjapërishte e flokëve dhe aroma e dyshimtë që shpërndan, me siguri beqare e stazhionuar padyshim jo krejtësisht me vendimin e vet. Me siguri do kisha bërë më mirë të ëndërroja për ndonjë gjyshe që mban erë arrë të njomë, si ajo që ishte ulur te cepi ku mu desh të kaloja, por tani është shumë vonë për të ëndërruar dhe salla shumë cit me njerëz për të vepruar.

Errësohet salla dhe ndizen dritat e skenës. Dekori është bardh e zi. Egjiptianët bustzhveshur, me të bardha, romakët këmbëzhveshur, me të zeza. Një prozhektor lëshon një dritë si të ëndërrt që përçon ca çupa të holla të mbuluara nga koka te këmbët me dantellë të ndritshme që duken si xhinde qumështore. Një burrë i madh me nofulla të gjëra mbuluar nga një mjekër ndonjëjavëshe, flokë të qethura shkurt e parzmore të zezë që i mbulon gjoksin, zë vënd nja-dy hapa para të tjerëve. Do jetë Çezari, them, dhe ngreh veshët me kureshtje. Dhe Çezari ma shuan kureshtjen me një kontralto të ëmbël e të butë që, siç mësoj më pas, është nga më të vlerësuarat në botë.

Skena pasardhëse më huton dhe hutimi më zgjon hulumtimin. Fjalët në munitor janë të Sekstusit, por zëri më duket femëror, ndërkohë që e jëma nuk po këndon. Hap broshurën dhe Sekstusi mishërohet nga një kontralto, dhe ky shumë i njohur, por kjo nuk e mbyt mallin tim për një zë tenori a ndonjë bas të thellë.

Unë përpëlitem në karriken time, ca nga shqetësimi ofalktiv, ca nga parehatia që më krijojnë zërat që s’më përputhen me pritshmërinë time, veç atij të Kleopatrës, që megjithatë më shqetëson sepse më i fortë, më i ashpër e më i lartë se ai i Çezarit gjatë duetit.

Pjesa e parë merr fund dhe bashkë me të dhe një pjesë e sikletit tim, të paktën përkohësisht. Vërtitem nëpër koridor duke diskutuar me Maria Magdalenën dhe shokët e saj, njëri prej të cilëve është tepër i ekzaltuar nga kontraltot…

Kthehem në sallë, dhe zë një cep duke shpresuar se ndokush ka vendosur të ikë në pushim dhe është liruar ndonjë karrike. Shoh që në rradhën e parë, tre karrike ngelen bosh ngjitur me një burrë në të dyzetat që është rehatuar në cep, ku më përpara, më kish tërhequr vëmendjen një teto me flokët kutullaç. Afrohem dhe, për mirësjellje, e pyes duke i treguar karriken ngjitur dhe tjetrën më tutje:

- Më falni, e lirë…?

- Më vjen keq por janë të zëna.

- Të treja? i them.

- Po, më thotë.

E zhgënjyer paksa, bëj të kthehem te vendi im aromëkeq tre-katër rreshta më tutje, kur shoh që dy vënde kanë ngelur bosh një rresht më lart. Kësaj rradhe duket që hunda ime ka fat. Fiken dritat e sallës, ndizet skena. Rreshti i parë ngelet me tre vendet bosh…

E shtunë

Riçardi i III-të i Shekspirit vihet në skenë nga një trupë amatore e qytet-fshatit tim poetik. Shkoj dhe unë, pa pritshmëri tjetër veç asaj të ndonjë befasie të bukur nga ndonjë talent i fshehur poshtë ndonjë emri të panjohur. Zë vend në radhë të parë dhe pres me kureshtje të shoh se si do të jetë Riçardi i III-të, paranojak, vrasës dhe i etur për pushtet.

Skena ka një perde të kuqe që rri varur në dy anët, por trupa ka vendosur të mos e përdorë e të na lërë të shohim ndonjë pregatitje të aktorëve; pak makjazh, ndonjë paruke që ndërrohet, ndoshta për të thënë që ky është teatër, në rast se ndokush do të mendonte krejt rastësisht se ajo çka luhet aty është e vërtetë.

Pasi janë vënë paruket, hedhur ca pudër, fshirë skena, ndezur televizori, ulur personazhet nëpër karriket me emrat përkatës, pa të cilët zor se do merrej vesh kush ishe i pari dhe i dyti, hyn në skenë dhe Riçardi i III-të. Një djalë i imët në të tridhjetat, me sy blu të ngulur në hiç, me gungën dhe çalimin e simuluar dhe me një buzëqeshje pothuaj të ngrirë, monologon duke treguar si do të bëhet mbret, kush ia zë rrugën dhe si mendon t’ia dalë.

Filloj të mësohem me Riçardin e III-të, duke pritur të habitem nga ndonjë mbretëreshë, që më habit në fakt ca çaste më vonë tek ndez një cigare, kur hyn në skenë një vajzë e gjatë e kockëgjërë, me konstrukt të fortë e të të drejtë, me nofulla të dukshme, me mollëza të ngritura, sy blu të shndritshëm, vetulla të trasha, ballë të lartë, hundë të hollë që i bën hije një goje të fisme me buzë të plota e dhëmbë të bardhë, e me flokë të çelëta, që duhet të shkojnë deri te supet, kapur bisht pas qafe. Veshur me xhinse, çizme kauboj dhe një golf të zi, ndalon para Riçardit, që sapo ka mbaruar monologun e tij. Ky heq xhiboksin prej lëkure me një stemë të stërmadhe me ujk mbi shpinë dhe thikën që mban në brez, dhe ia dorëzon vajzës, e cila që prej atij momenti luan Riçardin e III-të. Habitem sërish, por për mirë, sepse vajza përfundimisht duket të jetë më në fazë me djallëzinë dhe paranojën e Riçardit të III-të. Pasi ka vrarë e prerë ç’ka përpara, duke monologuar e dialoguar bindshëm, ia dorëzon xhiboksin dhe thikën një burri të gjatë, që bëhet një Riçard i III-të thuajse parodik deri në fund të shfaqjes.

Duartrokitje!!!

E premte

Në sallën e volejbollit bën plasje dhe Xhorxhiu, student i freskët konviktor, ka harruar prapë të lajë gjunjëzat, që më helmatisin trurin prej disa javësh. Kemi hapur dritaret dhe topi shkon si gjithmonë aty ku s’duhet. Pas ca “oh, merde!”, njëra nga të cilat imja, shoh që Helena ka zbritur poshtë dhe gjetur topin, i cili pas ca kalimesh në dy fushat, del sërish nga dritarja. E njëjta skenë, por kësaj radhë është Dezireja që shkon poshtë për të marrë topin. Hedh sytë nëpër sallë: Mikaeli është shtrirë sa gjatë gjërë në parket. Rozheja, i mban këmbët dhe e pyet duke qeshur mos do të bëjë ushtrime për barkun, Danieli sodit nga dritarja dhe ngjitur me mua është Naseri, të cilit i them: po s’kini turp, gjithë këta djem dhe lini gocat të zbresin e ngjisin tre kate për të marrë topin? Eeee, e keni kërkuar vetë, më thotë. S’kam kohë të vazhdoj me ndonjë diskutim mbi atë që kam kërkuar dhe kërkoj, sepse topi ka rihyrë në lojë…

Fundi i ndeshjes. Unë me Lizën zgjidhim rrjetën dhe e palosim. Naseri dhe Dezireja japin e marrin me shtyllën. Kur dëgjoj:

- Lëre se e ngre unë.
- Jo, jo! Jam gocë me muskuj unë!

Kthehem dhe shoh Dezirenë që ka vënë shtyllën në krah. Kthehem nga Naseri, që më buzëqesh dhe thotë:

- Të thashë, e kërkoni vetë…

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

19 Komente

  1. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 May 2008 @ 7:10 pm

    hej, Peshku, rrofsh!

    po të duash një version me më pak gabime ortografike, sapo e korigjova në blog.

  2. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 May 2008 @ 8:23 pm

    Lër gabimet Aklli, po na trego diçka më tepër për ktë liqenin e mrekullueshëm… (liqeni që na i qep gojët respektive ;) )

  3. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 May 2008 @ 8:33 pm

    Nuk u kalokan ditet edhe aq keq ne ato ane e Ftohta.Muzike e Hendel,sport,nje Naser e nje Maria Magdalene(pastaj holle holle nuk jane edhe aq larg).Mungon nje Marko….Po ta frenkuentosh keshtu teatrot e Lozanes hall pa dale s’ka.Iholle ,i gjate ,me pak kurriz te dale e rigorozisht beqar.E shumta i veje ose i divorciuar.

  4. Perparim Hysi thotë:

    1 May 2008 @ 9:08 pm

    Je e famshme per te bere portrete.Sado”turiste”,i sjell si te gjalle e te plota portretet e personazheve.:eshte pune syri!Ke nje sy vezhgues.

  5. Peshku Fluturues thotë:

    1 May 2008 @ 11:40 pm

    Aklli me kenaqe. Rrofsh!

  6. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 May 2008 @ 6:14 pm

    Ed,
    Liqenin varet nga e sheh. Po aty ku të qepet goja, është tek del treni nga njëfarë tuneli dhe të shfaqet liqeni për herë të parë. Hekurudha shtrihet në qafë të një kodre, mbjellë me shtëpi të rralla dhe hardhi të shpeshta. Dhe ndonjëherë nga fundi i pasdites, kur dielli s’ka perënduar akoma liqeni është i qetë, në një blu në gri të qelqtë, me ndonjë anije me vela nëpër të dhe një kodër të butë përtej. Ehh… Kaq, se 1 Maji ishte dje.:)

    Zana,
    Marko ka mi, si s’ka. Histori tjetër ajo e Markos, por dhe e gjatë dhe hiç e lumtur ama…:)

    Përparim, PF, më vjen mirë që më lexoni akoma dhe kënaqeni. Falemnderit!

    Përshëndetje, o peshq!

  7. ados thotë:

    3 May 2008 @ 8:40 am

    Nicht schlecht …

  8. friend thotë:

    3 May 2008 @ 9:19 am

    Brahms:
    Hihihihihi, “megjithëse as e kam idenë se çfarë muzike ka bërë Hendeli”, ka shku ne opera me u duk cool kjo. :D :P
    P.S. Sot po e ngjoj per here te pare qe paska dhe nje Hendel operxhi :)

  9. akvllnaja thotë:

    3 May 2008 @ 9:42 am

    Georg Friedrich Haendel:
    Shih Braho, operat e mia janë të stilit barok, shek XVII, që do të thotë përveç të tjerave që pothuaj çdo arje përsëritet nga 20 herë e kusur në tonalitete të ndryshme. Jo po që ta dish para se të vish të më shohësh. Po ti s’ke faj, se je i ri për të njohur operat e mia… (në fakt opera që kanë dëgjuar shqiptarët në “Të mërkurën klasike” është e shek XIX, prandaj ësht habit dhe akvll-naja, po s’ka guxim me e thën.)

  10. friend thotë:

    3 May 2008 @ 10:10 am

    Brahms:
    Hendelo, njohurite e mia per muziken klasike fillojne me Tupac Shakur nga fundi i shekullit te 20 dhe mbarojne me 50 Cents ne fillim te shekullit 21 :D Po ti o lal shyqyr qe ke egzistu se te pakten i pune t’mir e ke bo, ke frymzu akullnajen me shkrujt :D

  11. akvllnaja thotë:

    3 May 2008 @ 10:20 am

    Georg Friedrich Haendel:
    Braho, ç’janë këta që s’i njoh unë mo bir? Duhet të filloj të shkoj prapë në opera… Nejse, shih, akvll-najën s’e frymëzova unë, biles m’ngeli qejfi që s’kishte thënë asnjë llaf për muzikën time, po ishte marrë me ata meshkujt që këndonin si femra.

  12. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    3 May 2008 @ 1:19 pm

    O Ll., o Admin, po pse s’na lë të bëjmë pak teatër? Me aq kohë sa ke harxhu, do kishe marrë versionin e korrigjum dhe do e kishe ngjitë në vend të atij më lart që është i krimbur me gabime dhe shtrembërime.
    Ju falemnerës shum.:)

  13. Idris thotë:

    3 May 2008 @ 3:01 pm

    Me thone te drejten po nuk qene sipas variantit te “sejcili te mendoje si te doje” une kam kuptuar nje perpjekje per te kuptuar METAMORFOZEN e shndrimit te femres …..nga Female ne Male… :) :) :) …dhe nga kjo them se konkluzioni i triptikut :
    …….”Të thashë, e kërkoni vetë”…ndoshta eshte me INTRIGUSI…
    A e thashe mire ZYSHE ?????
    Nuk e di se pse shume veta te thane se kjo “u pelqeu shume” :D :D :D Po te ishin femra ma do mendja nuk e mbanin dot gjith ate TRA :P :P :P
    Megjithate pena jote eshte e nje lloi s’di si te them……si “gjethe e thate”
    quhej nje goditje spektakolare ne futboll e pa aritshme pervecse nga BRAZILIANET..qe ne 99% te rasteve perfundon ne G O L !!!!!

  14. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    3 May 2008 @ 3:20 pm

    Akvll,

    E vendosa de, e vendosa se me vdiqe :)

  15. friends thotë:

    3 May 2008 @ 3:26 pm

    Kusha na nderro emrat pa leje e shpente zoti ne ndonje opera me burra qe kendojne si gra :D :P

  16. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    3 May 2008 @ 3:42 pm

    Friends,

    Ishalla eshte i rrethuar me shoqeri qe te ndaje dhimbjen :p

  17. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    3 May 2008 @ 5:21 pm

    C’jane keto konspiracira qe behen kendej? Rrofte Stochkolmi se Shqiperia ta mbylli gojen si liqeni i akllit mor dear friend! :D
    O turiste! Ke premisa te shkelqyera ta mbushesh blogun dhe peshkun me opera e rrjeta volejbolli ti sapo te kthehesh nga memedhembja. Te Moulin Rouge-i yne te gjithe meshkujt kendojne si femra dhe anasjelltas. Me kete rast te gjithe jetojne te gjate dhe te lumtur, turistja, miqte dhe administratoret qe pervec te tjerash, kerkojne te sigurojne edhe qe shoqeria spektatore te jete e afte te ndaje dhimbjen : P
    Mos shkrifsh hic o akull! :)

  18. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    3 May 2008 @ 11:18 pm

    Idris,

    Së pari, të falemnderit për gjithë fjalët e mira.

    Së dyti e më shumë, kjo s’ishte fare sipas variantit “mendoni ça të doni”, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që secili mund ta lexojë sipas qejfit të vet edhe të përqëndrohet ku ti dojë shpirti. Ti më paske lexuar mirë, po mua ai transformim i femrës në femër burrneshë më shoqërohet me transformimin e mashkullit në mashkull të feminizuar, të gjitha këto sigurisht në raport me modelin ku jam rritur. Këtë punën e relativitetit ia nxjerr vetes herë pas here medemek për tu bërë njeri i hapur, por gjithësesi ky modeli shoqëror që aspiron uniseksin më sëkëlldis shumë… jam gati t’u futem studimeve të filozofisë që të zhbiriloj këtë sikletin tim filozofik, se në praktikë nuk më shqetëson shumë fakti që duhet dhe të gatuaj dhe të ndërroj portollambën dhe të paguaj faturat në fund të muajit, por nuk më la indiferente fakti që ai tipi tullac dhe i vetmuar nuk pati asnjë shtytje prej xhentellmeni për të mos thënë jo, kur e pyeta a ishin të lira vendet që ishin në të vërtetë të lira. Më shqetësoi dhe ai mashkulli i ekzaltuar me kontraltot e atyre të tjerëve, që dhe ato më shqetësuan. Më shqetësojnë dhe ata shokët e volejbollit që s’u dyndën poshtë të marrin topin. Femrat e këtushme nuk duket të shqetësohen dhe aq, ama e kundërta duket t’ua bëjë qejfin shumë, kur ndodh ndonjëherë më të rrallë. Dhe këtu sikleti i hapjes fillon dhe avullon…

    Ll.,
    rrofsh e shkofsh në Moulin Rouge!:D

    t_red,
    mos më thuj që kemi hy dhe n’Evropë dhe unë vazhdoj të mos e di!…
    dhe mos u bë koprrace, ndaje dhimbjen me shokët.:)

  19. kapiten kapiteni im thotë:

    14 May 2008 @ 12:49 am

    “dhe mos u bë koprrace, ndaje dhimbjen me shokët.:)”

    Akull me vdiqe fare oj loke.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.