Thereska: “Jemi të gatshëm për operacionet në Shqipëri”

Dje, në mbledhjen e qeverisë, u ofruan 22 milionë lekë për kurimin në Turqi të 15 pacientëve. Mjekët shprehen se me një kosto shumë herë më të ulët, do të mund të transplantojnë veshkat e shqiptarëve

 

Transplanti i parë në “Balkan Center”

 

Korrieri

TIRANË - Qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 22 milionë lekësh për kryerjen e transplantimit të veshkave në Turqi për 15 pacientë, ndërkohë që mjekët shqiptarë shprehen të gatshëm për kryerjen brenda vendit të këtyre ndërhyrjeve kirurgjikale, madje me një kosto më të ulët. “Katër ditë më parë u krye transplantimi i dytë në Bari të Italisë, ku asistuan mjekë shqiptarë dhe italianë. Pas kryerjes së këtij operacioni, profesorët italianë i vlerësuan pozitivisht mjekët shqiptarë dhe aprovuan se ata janë tashmë të gatshëm për kryerjen e këtyre transplanteve”, tha për “Korrierin” shefi i pavijonit të Nefrologjisë, Nestor Thereska. Ai sqaroi se, duke filluar nga mesi i shtatorit të këtij viti, transplantimi i veshkave do të mund të kryhet në Shqipëri. “Transplantet do të kryhen në sallën e urologjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza, e cila po rikonstrukturohet për këtë qëllim”, u shpreh Thereska. Në fjalën e tij, ai e konsideroi të gabuar transplantin e veshkave jashtë shtetit, duke e parë këtë si veprim joserioz nga ana e qeverisë. Gjatë prononcimit të tij, Thereska shtoi se momenti në të cilin transplanti i veshkave do të kryhet në Shqipëri, do të jetë edhe momenti më i suksesshëm në historinë e mjekësisë së këtij vendi. Për sa u përket 15 pacientëve që do të dërgohen në Turqi për transplantim, ata janë përzgjedhur nga shërbimi i Nefrologjisë pranë QSUT-së, si më të përshtatshmit për transplant. Për secilin prej tyre ekziston në mënyrë të detyrueshme dhuruesi i organit, i cili është një familjar. Kjo është një praktikë në vazhdim që nga viti 2006, kur u trajtuan 13 pacientë, për të vazhduar më pas në 2007-ën, kur u trajtuan 11 të tjerë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve të trajtuara mbetet shumë më i vogël në raport me nevojat, edhe pse strukturat shëndetësore publike të ngritura në Tiranë, Elbasan, Gjirokastër dhe Shkodër ofrojnë trajtimin me hemodializë për pacientët.

 

Për herë të parë në Shqipëri, transplanti i veshkës u krye në datën 18 nëntor 2007 në spitalin turk në Tiranë “Balkan Alliance Medical Centre”. I transplantuari ishte 22-vjeçari nga qyteti i Vlorës, Mezan Selimaj, për operacionin e të cilit asistuan një staf kirurgësh turq, vjenezë, amerikanë, shqiptarë etj. Ky operacion u mbështet nga spitali turk, qeveria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë. Me përgatitjen tashmë të plotë të mjekëve shqiptarë dhe me krijimin e kushteve teknologjike, në shtatorin e këtij viti pritet që këto lloj transplantesh të kryhen edhe në Shqipëri nga kirurgë shqiptarë. Mjeku Nestor Thereska u shpreh i sigurt për aftësinë e kirurgëve shqiptarë në kryerjen e transplantit të veshkave. 

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com