Login



Register

Të mos jetosh në ishull

Të mos jetosh në ishull

Nga Redi Shehu

Gazeta Start

Sfida e të jetuarit në një ishull larg jetës së përditshme kolektive të shoqërisë njerëzore ka magjepsur shumë autorë të ndryshëm romanesh dhe regjizorë filmash. Që nga personazhe si Robinson Kruzo, Tom Hanks dhe së fundi seriali televiziv “Lost” lajtmotivin e të jetuarit në ishull e kane paraqitur tepër tërheqës.

Por për habinë e të gjithëve, nën qiellin gri të politikës shqiptare, fare pa pritur dhe në një krizë identiteti politik, lindi një romancier me papion i cili në mesin e globalizimit të jetesës, në zemër të integrimeve jo vetëm të shteteve por edhe të kulturave, përzgjedh që pa u lodhur fare për qindra faqe të flasë për jetën në një ishull. Por ndryshimi i jetës në ishull të fabulave të autorëve botërorë me atë të jetës në ishullin e Arben Kiço Blushit, është tek pejsazhi.

Në qoftë se në rastin e parë pejsazhi apo vendngjarja ishin ishuj piktoresk tropikal me pasojë mahnitjen, në ishullin shqiptar të Blushit pejsazhi është zëvendësuar me një lokalitet malor shqiptar i keqvendosur në raport me historinë.

Fakti që ideja e jetës në ishull ka qenë tërheqëse për secilin lidhet me atë se pikërisht në ishull njeriu zbulon shumë nga vetvehtja, limitet dhe anën e tjetër të tij të fshehur nga një format sjelljeje që shoqëria kolektive ta imponon.

Por kur jeta në një ishull në thelb është një ishull botëkuptimor në raport me realitetin dhe aq më keq më historinë dhe faktet e saj, e sidomos kur ky ishull shndërrohet në atë të ashtuquajturën vepër letrare, atëhere përmasa e padrejtësisë është shqetësuese.

I promovuar nga media dhe personalitete të ndryshme, ky roman ose siç Blushi e quan “borxhi ndaj vetes” u komentua me bujë të madhe. Mirëpo borxhin që Blushi ia kishte vetes e ktheu në një borxh të madh që ai tashmë i ka shqiptarëve dhe veçanërisht shqiptarëve muslimanë, për t’u shpjeguar se përse në kohën kur kombi ynë po shijon frutet e pavarësisë së Kosovës si një kahje pozitiviste historike për ta, në kohën kur integrimi i shqiptarëve në Nato dhe më gjërë, mbi të gjitha interpretohet si siguri dhe stabilitet, përse plumbi i ndryshkur i Blushit tenton të plagosë atë tolerancë fetare e cila është prodhuese e stabilitetit dhe sigurisë ?

Nuk dua të ndalem tek libri por më shumë tek fenomeni që prodhoi librin.

Nuk ka dyshim që edhe një lexues amator i historisë përjashto dashakeqët dhe ata të rriturit në ishuj kulturorë e fetarë, e kupton se shtrembërimi i fakteve historike shkon paralel me mllefin derisa kthehet në një koktej kundërmues mesjetar, racist dhe anti musliman. I përshkuar nga një ndjenjë përbuzëse për muslimanët, me një gjuhë inkuizicioniste vënë në gojën e personazheve të tij, me një përsëritje pikë për pikë të tezave tashmë të vyshkura, të rrëzuara dhe të pavërteta, me mosrespekt për identitetin dhe përzgjedhjen e pjesës më të madhe të popullit ku ai jo vetëm jeton por edhe përfaqëson, romani mundohet të bejë fiction në kurriz të së vërtetës.

Autori , të paktën ai i shkruar në libër, ka qenë ish-sektretar politik i njërës nga dy partitë më të mëdha të vendtit, asaj socialiste, është deputet i Kuvendit, ish-kryetar i grupit parlamentar socialist dhe ish-ministër i qeverisjes socialiste, pra ka qenë dhe është përfaqësues i zgjedhur nga populli që ai e quan aziatik dhe të pabesë, përkatësinë fetare dhe profetin e të cilëve ai e nëpërkëmb, tall dhe përçmon me gojën e personazheve që ai vetë vendos në libër.

I mbetur ndoshta në ishull nga politika dhe pa një të ardhme të profilizuar qartë, botëkuptimi i tij ishullor shpaloset pa hezitim në formën e një borxhi të cilin ai nuk mundi ta lante kur ishte në pozita drejtuese.

Konceptet e ishujve të pastër dhe të dlirët, piktoresk dhe plot dritë në mesin e një deti të trazuar, të pisët dhe të errët shqiptar, janë koncepte që nuk hasen për herë të parë në këtë roman.

Blushi u ka borxh shqiptarëve t’u tregojë se përse si libri i tij dhe lëvizja Bollano në Himarë, bëhen në një sintoni të plotë. Të dy B-të ekzaltojnë ishujt e pastër etniko-fetarë (Voskopoja, Himara) në mesin e shqiptarëve zullumqarë duke i paraprirë ekspansionit greko-ortodoks tashmë jo me mjete politike por me mjete të përbuzjes, fallsifikimit dhe përçarjes fetare.

Në mesin e promovuesve të librit pamë edhe Sabri Godon, por ai duhet të na sqarojë se për cilën figurë të Ali Pashë Tepelenës është, për atë të librit të tij apo për atë të Blushit.

Duke qenë se rastësia mbetet jetime në hartimin e veprave të tilla, mund të kërkojmë se për çfarë arsye një vepër e tillë botohet dhe çfarë dobie i sjell Shqipërisë dhe shqiptarëve ajo ?

Pas dështimit për nxitjen e trazirave nga botimi i karikaturave të Profetit Muhamed nga një revistë shqiptare në formën e një mapoje të stoqeve antivlerë, botimi i një karikature tjetër kësaj radhe jo me vija por me shkronja, mund të lindë shpresën e shkaktimit të pakënaqësive dhe rrezistencës.

Risjellja e tezave të vjetra tashmë pa baza historike dhe pa etikë, na lë të kuptojmë se ngërçi ynë do të vazhdojë përsëri.Mentaliteti i superioritetit të një race mbi tjetrën, të superioritetit etnik dhe fetar të pakicës ndaj shumicës apo të një blloku demografik ndaj një tjetri, kur shtrihet dhe është prezent në sferat më të larta të politikës, atëherë kthehet në një fakt shqetësues për të gjithë.

Ndoshta ne jemi vendi i vetëm ku pakicat sidomos ato minoritare me një arrogancë të pa shëmbëllt kërcënojnë, përbuzin, përflasin, tallin një maxhorancë të tërë duke përfituar nga një ndjenjë tolerance burimore e këtij populli.Me zilinë e miut ndaj elefantit, shpesh nuk kujdesen për mjetet apo metodat për të arritur qëlimin e tyre.

Megjithatë dija rëndon mbi vetëdijen. Ne jemi një popull që përsa i përket marrëdhenieve ndëretnike dhe fetare jemi shumë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm. Ne mbi të gjitha mund t’u mësojmë se si të mos jetojnë në ishull, ti mësojmë për dobitë e jetës kolektive dhe të shkëmbimit ndërkultror, të reciprocitetit të ndërsjelltë.

Të mos jetosh në ishull është privilegj, sepse je jashtë një burgu sado piktoresk që ai të duket. Të mos jetosh në ishull është një mundësi e atyre të cilët kanë botë, janë të pajisur me zemra që pranojnë tjetrin dhe botëkuptimin e tij. Të mos jetosh në ishull kërkon vetëdijësim dhe vetëvlerësim. Të mos jetosh në ishull do të thotë se je i aftë të ndërtosh marrëdhënie, të transmetosh vlera, të tolerosh dhe të bindësh. Të mos jetosh në ishull do të thotë se nuk pajtohesh me kufizimin që jeta në të të jep.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    30 April 2008 @ 9:52 pm

    Citati i dites. Perndryshe teoria konspirative alla “pse u botua libri tamam atehere kur ju tek Vasilis Bollanos te pjerdhe?” eshte idiote.

    Ndoshta ne jemi vendi i vetëm ku pakicat sidomos ato minoritare me një arrogancë të pa shëmbëllt kërcënojnë, përbuzin, përflasin, tallin një maxhorancë të tërë duke përfituar nga një ndjenjë tolerance burimore e këtij populli

  2. InfraRed thotë:

    1 May 2008 @ 3:00 am

    Pas dështimit për nxitjen e trazirave nga botimi i karikaturave të Profetit Muhamed nga një revistë shqiptare në formën e një mapoje të stoqeve antivlerë, botimi i një karikature tjetër kësaj radhe jo me vija por me shkronja, mund të lindë shpresën e shkaktimit të pakënaqësive dhe rrezistencës.

    Vertet, shyqyr qe s’u botuan karikaturat dhe shpetoi ambasada daneze ne Tirane nga djegia prej Shehut dhe otomaneve te tjere. Ejvallah, allahu eshte i madh.

  3. besetar arnaut thotë:

    1 May 2008 @ 11:38 am

    Arti pezhishkë i Blushit

    Pas reagimeve të para që erdhën nga ana e muslimanëve dhe jomyslimanëve për romanin “Të jetosh në ishull”, Blushi politikan përgjigjet nga jashtë ishullit të tij si ai “budallai që hodhi gurin në ujë dhe të mençurit nuk e nxjerrin dot”, por kësaj here duke e fshehur dorën e tij ishullare dhe duke shfaqur atë diplomatike. Alibia që ai ngre se librin e tij duhet ta lexojmë artistikisht nuk është vetëm se një rrjetë merimange apo siç i thonë në dialektin e Korçës një pezhishkë, me të cilën ai do të mbulojë qoshet e errëta të ishullit të tij islamofob. Blushi sikur na thotë se qëllimi i tij kur ai shkroi librin qe: Arti për art!
    Shijoni pra artin dhe figuracionin brilant të këtij libri!
    Blushi e di fort mirë se këto dokrra i ha pak kush, disa naivë mediash apo edhe ndonjë pjesë e popullit të thjeshtë. Sidoqoftë edhe sikur t’ia lejonim vetes këtë sforco, shija artistike nuk do të zgjaste gjatë dhe në fund në kujtesë do të mbetej mesazhi i keq që ai përçon për Islamin dhe muslimanët në këtë libër.
    Cili është arti që Blushi kërkon të shijojmë ne nga ky libër? Mjeshtëria e tij artistike për të fyer, tallur dhe përçudnuar Profetin e Islamit? Paralelizmat e tij perverse, në mes Sali Benishit dhe Profetit? Krahasimet e tij të tërthorta mes Islamit dhe kafshëve? Apo mesazhet e tij të koduara, që sajon me lodrat dhe fëmijët e Ibrahimit? Apo mos vallë e ka fjalën për mjeshtërinë e përshkrimit sesi Sara gatuante patëllxhanë, patate dhe peshk…?
    Për çfarë krijimi artistik flet Blushi, kur në romanin e tij ai trajton personazhe historik të cilët i deformon sipas shijeve të tij “artistike”?!
    Pikërisht ky islamofob i thekur, që ka treguar publikisht dhe jo artistikisht, se vjell vrer ndaj shumë gjërave që kanë emrin Islam, nuk mund të ngrejë tymnaja të tilla pas të cilave përvëlon zjarri i urrejtjes ndërfetare.
    Që Blushi gënjen kur deklaron gjëra të tilla këtë e kupton edhe bufi dhe jo më vetë ai, që është tepër i ndërgjegjshëm se nëpërmjet romanit të tij ai u përçon njerëzve mesazhet e tij për Islamin dhe muslimanët, e thënë ndryshe fatalizmin e kthimit të shqiptarëve në Islam, siç citonte Arian Cani nënshkrimin e Blushit në librin që ai i dhuroi.
    Kush e njeh historinë e Profetit të Islamit e kupton menjëherë të ashtuquajturin art që shpalos Blushi në romanin e tij.
    Shyqyr Zotit, njerëzit kanë kujtesë dhe nuk i harrojnë fyerjet e Blushit ndaj Islamit në parlamentin shqiptar dhe as prononcimet e tij poshtë e përpjetë nëpër librari apo autografe librash. Por, mesa duket i biri i skenaristit të filmit “Beni ecën vetë”, besuaka realisht se personazhi i tij kryesor tuhaf e pa identitet, Ibrahimi, u gjendka me shumicë në radhët e muslimanëve shqiptar!
    Jo fort i nderuar Ben, me të vërtetë që yt atë film e paska bërë për ty!

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.