Të gjitha licencat në turizëm do të rishikohen brenda dy muajve
Nga Fitim Zekthi
Gazeta TemA
Brenda muajit korrik do të përfundojë rishikimi i të gjitha licencave dhe lejeve për biznes të fushën e turizmit. Të dhënë nga Ministria e Ekonomisë bënë me dije dje se, deri në muajin korrik, grupi i punës, i ngritur për rishikimin e lejeve dhe licencave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, do të përfundojë punën për rishikimin e licencave në Ministrinë e Turizmit si dhe në Ministrinë e Punës. Sipas këtyre të dhënave, puna është në vijim të verifikimit që po bën ky grup pune në të gjithë sektorët dhe ministritë, ku veprojnë lejet dhe licencat për fusha të ndryshme me përfitim ekonomik. Të gjitha rishikimet për lejet dhe licencat lidhen me fenomenin e pengesave të ndryshme administrative që vihen re në sektorët e ndryshëm ekonomikë. Pra, siç shihet, qëllimi i kësaj pune është lehtësimi i veprimatrisë së biznesit që vepron në këtë fushë, të gjithë reformës për përmirësimin e klimës dhe për gjetjen e mundësive lehtësuese për biznesin. Para pak kohësh, Ministria e Ekonomisë bëri me dije se, ajo ka rishikuar mbi dyzet licenca në fushën e minierave dhe në fushën e përpunimit. Rishikimi ka të bëjë kryesisht me heqjen e të gjitha klauzolave që rëndojnë biznesin si për nga koha, ashtu edhe për nga kostoja financiare. Reforma në biznes ka nisur që para një viti dhe është shtrirë në disa plane, që nga lehtësimi i procedurave deri tek ulja e taksave. Siç dihet, janë ulur një sërë taksash përfshirë tatimin mbi fitim, taksën e punës apo siç quhet kontributi i sigurimeve. Po ashtu, edhe tatimi i biznesit të vogël është përgjysmuar. Fitimi i riinvestuar nuk tatohet më. Nëpër dogana, çdo biznes importues nuk e paguan tatimin mbi vlerën e shtuar për makineritë dhe pajisjet për linja prodhimi në momentin kur kalon doganën, por në çastin kur ai e ka vënë në punë makinerinë apo linjën e prodhimit. Gjithsesi, rishikimi i licencave është një nga detajet më të rëndësishme të reformës, pasi për një gjë të tillë, një biznes ka nevojë të sigurojë pa mbarim dokumente dhe për këtë i duhet kohë dhe para. Aktualisht, një leje për biznes merret në dhjetë ditë, ndërkohë që dikur duheshin dyzet ditë. Brenda këtij viti, të gjitha bizneset do të kenë mundësinë të regjistrohen në një sportel të vetëm brenda një dite, në kuadër të një projekti të finacuar nga qeveria amerikane prej shtatëmbëdhjetë milionë dollarësh.


Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.