Si u vranë inxhinierët e shkëlqyer pas letrës anonime të një roje
Tregon inxhinieri Vangjush Kokonozi: Çfarë di unë rreth atyre ngjarjeve. Ende e pashpjegueshme barbaria e Enver Hoxhës ndaj këtij sektori.
AURORA DAMINI
Metropol
Vitit 1975/ Grupi armiqësor i naftës
FIER - Inxhinier i vjetër, që ka mbaruar studimet e larta për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në universitetin e Bukureshtit, i cili punoi për më shumë se 50 vjet në sektorin e naftës, që nga inxhinier i thjeshtë deri në postet më të larta drejtuese të sektorit të naftës, rrëfen gjithë atë dramë të ndodhur në vitin 1975. Pas mbarimit të studimeve me nota të larta, Vangjushi emërohet në Patos, më pas në Kuçovë në laboratorin qendror, në Institutin e Naftës në Fier, më vonë nëndrejtor i Institutit të Naftës, pastaj, kur Instituti i Naftës erdhi në Fier e Piro Gusho ishte sekretar i parë i rrethit të Fierit, e çuan në këtë qytet si sekretar i sektorit të naftës. Ishte viti 1972, koha e “grupeve armiqësore” në sektorin e naftës. Më pas ai do të shikonte me sytë e tij dramën e ndodhur në vitin 1975, ku fill pas kësaj do t’i vinte edhe atij radha. Për fat, ai vetëm sa dërgohet në sektorin e largët të Qafës së Kashit, nëpër puset e largëta të Hekalit e Romsit. U përjashtua nga partia dhe u cilësua anëtar i “grupit armiqësor të naftës”. Por jo i cilësuar për krime aq të rënda. Si sekretar i përgjithshëm i naftës në rrethin, nga ku dilnin armiqtë e pushtetit, Vangjushi edhe sot pranon se ai do të merrte plumbin, por e shpëtoi Haki Toska, me të cilin ai kishte një miqësi të hershme familjare. Inxhinieri i gjysmëshekullit të sektorit të vështirë të naftës thotë se e gjithë kjo rrëmujë politike mban ende edhe sot e kësaj dite një mister për barbarizmin që tregoi Partia e Punës për inxhinierët e talentuar dhe punëtorët në këtë sektor të vështirë, për denigrimin që u bëri ajo bijve të saj më të mirë, deri në eliminimin fizik të tyre.
Parë nga këndvështrimi juaj, pse gjithë ajo egërsi për atë plejadë inxhinierësh dhe specialistësh të lartë dhe të mirarsimuar në universitetet e huaja?
Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet dhe kemi kaluar sisteme të ndryshme politike, ende pyes veten time: “Pse gjithë ajo egërsi e Partisë së Punës për njerëzit e saj?” Them kështu pasi më shumë se 80% e punonjësve në sektorin e naftës ishte tërësisht e majtë, me teserë dhe bindje, pasi punonjësit e këtij sektori jetik për kohën kalonin në sitën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ushtria, inxhinierët e naftës, agronomët dhe mësuesit kanë qenë ushtarët e PP-së dhe provën e kishin kaluar në biografinë e dokumentacionit për shkollën e lartë. Mbase jam i gabuar, por unë kam nxjerrë një përfundim: përveç natyrës së egër që kishte qeveria dhe aparatçikët e kohës, ishte një periudhë mediokre, kur fati, qoftë edhe i një specialisti të talentuar, mbetej në dorën e një aparati që luante rolin e shtrigave të Salemit. Atje ku kishte kundërshti mendimesh dhe oponencash, atje ku nuk realizohej plani i prodhimit, duhej të kishte patjetër sabotatorë. Kishte njerëz që influenconin tepër në KQ vetëm nga letrat anonime që bënin, ku përshkruanin “sabotimet” në fushën e naftës ose të gazit. I afti dhe punëtori nuk kishte vlerë. Jo rastësisht drama e 1975-s lindi në qytetin e naftës, në atë të Patosit, i cili në atë kohë ishte qyteti i intelektualëve. Mirëpo ajo ishte një shportë karavidhesh. Në atë kohë në sektorin e naftës ishin dy rryma të kundërta, të cilat u përplasën në pikëpamje teknike dhe që çuditërisht mori edhe ngjyrimin e përplasjes politike. KQ i PPSH-së eliminoi njërin krah dhe pas 3 vjetësh eliminoi edhe krahun kundërshtar, atë të Kadri Ramës, që ishte kundërshtar i grupit “armiqësor” të naftës më 1975-n, i kryesuar nga Lipe Nashi. Ky ishte edhe paradoksi. Në atë kohë të turbullt nuk kuptohej kurrë se cili ishte njeri i mirë dhe cili i keq, shkaktari i shumë tragjedive. Sepse që kishte njerëz të këqij dhe në atë kohë nuk diskutohej. Në ambientin punëtor ishte shumë më ndryshe. Kur dikush përfaqësues i Komitetit Qendror i PPSH-së sillte mes tyre “për edukim” ndonjë inxhinier të dënuar, ata ditët e para e shihnin me egërsi, por kur të njihnin mirë në frontin e punës, atëherë linin kokën për filan inxhinier dhe i bënin kushedi sa herë pyetje vetes: “Pse partia e ka dënuar këtë shpirt njeriu? Edhe unë atëherë pas 1975 shkova në Qafën e Kashit mes gjirit të klasës punëtore si një inxhinier i dënuar. Pasi jo të gjithë u burgosën, u internuan apo edhe më keq u pushkatuan.” Kishte dhe shumë të tjerë që patën më shumë fat, si puna ime. Mua nga sekretar i ekonomisë në KQ të rrethit Fier, më dërguan si inxhinier i thjeshtë në Kash, rreth 3 km larg Ballshit, pasi më mbajtën më shumë se 2 javë rresht në hetuesi. Nuk pranova fajësinë time. Nuk e kuptoj as vetë si shpëtova. Çudirat ishin shumë të mëdha. Kashi 20 vjet rresht ishte “lule”, pas tmerrit dhe shokut traumatik që pësova unë dhe të tjerët. Pas çdo mëngjesi pyesje veten: “A do të më thërrasin sërish në hetuesi dhe të pranoj një faj që se kam bërë?” “Sabotim”, “armik i Partisë dhe popullit”, “tradhtar” ishin fjalët që lëshoheshin pa dorashka në atë kohë nga aparatçikët e KQ-së
Cilat ishin këto çudira?
Çudira kishte shumë. E para, kishte filluar analiza e parë, u bë mbledhja e Byrosë Politike. Unë rastësisht, kur mbaroi mbledhja e Byrosë Politike, isha në Tiranë në Komitetin Qendror. Ishte një instruktor shumë i mirë dhe i ndershëm. Dhe unë po prisja përfundimin e mbledhjes. Kur mbaroi mbledhja, që zgjati me orë të tëra, për veprimtarinë në sektorin e naftës, instruktori erdhi dhe më puthi e më tha: “Mbaroi kjo punë, shpëtuam të gjithë.” Deri atëherë ishin bërë 3-4 aktive, në Patos, Fier, e Tiranë. Sipas instruktorit, Enver Hoxha i kishte thënë në mbledhje Koço Theodhosit: “Për këto që kanë ndodhur, ata që punojnë në KP të rrethit, minimalisht duhet të përjashtohen nga partia, por të mos i krijojmë partisë një traumë të re, pasi boll na krijuan këta të ushtrisë. (Bëhej fjalë për grupin armiqësor të ushtrisë.) Prandaj unë them ta mbyllim këtë punë me një vërejtje të rëndë gjithë juve përgjegjësve të sektorit të naftës. Ti Koço shlyeja Partisë këtej e tutje me punën tënde.” Kështu menduam se u mbyll mbledhja e Byrosë, pas shumë analizave që ishin bërë deri atëherë. Ishte dhjetori i vitit 1974. Ndërkohë në Institutin e Naftës në Patos ishin bërë disa mbledhje të përgjithshme dhe përfundimet e këtyre mbledhjeve kishin vajtur në Komitetin Qendror të PPSH-së. Madje, Avdyl Këllezi kishte bërë një raport shumë negativ, ku shkruante se gjendja në naftë ishte shumë e vështirë, bëhej punë armiqësore, në Institut punonin vetëm armiq, ndaj duhej bërë një analizë e përgjithshme. Por fatmirësisht edhe mbledhja e Byrosë Politike u mbyll mirë. Por këtu nis çudia. Një mediokër, një i çmendur nga Patosi, me origjinë himariote, teknik i mesëm, që nuk bënte asgjë veç shkruante letra në KQ, i shkruan një letër Enver Hoxhës. Ai ishte dezhurn, dispeçer dhe si profesion dispeçerët mbajnë shënim. Ngaqë nuk kishte punë ai, rrinte pranë sobës dhe i shkruante letra Komitetit Qendror. Nga 10 letra dërgonte në javë dhe i bënte në 3 kopje. Një KQ, një Ministrisë së Brendshme dhe një kryeministrit. Ai shkruante në letër se në naftë në Patos kishte një çorganizim të organizuar dhe mbaj mend atëherë se u kap pas një elementi që në atë periudhë të pavolitshme i shërbeu atij. Lipe Nashi, drejtor i përgjithshme i naftës, që ishte një njeri i zoti, tepër korrekt dhe punëtor, vendosi në relacionin që i dërgonte KQ të PPSH-së për realizimin e planit 200 000 tonë, që në të vërtetë nuk mund të realizohej, edhe nëse të gjitha puset ishin prodhimtarë. Kjo për puset e naftës në Sarandë. Saranda doli keq, sepse puset jepnin vetëm gaz dhe jo naftë, dhe kjo u cilësua sabotim shumë i madh. E vërteta ishte që kjo i shërbeu ngatërrestarit të letrës dhe nuk e kuptoj ende pse Enveri e cilësoi sabotim shumë të madh. Enveri rihapi “dosjen” e sektorit të naftës. I pamoralshmi i letrës, bënte garë me një kolegun e tij në Vlorë kush do t’i dërgonte me shumë letra KQ të PPSH-së. Ta mallkoj atë njeri tashmë, nuk ia vlen, por ai mori më qafë dhjetëra e dhjetëra njerëz të shkëlqyer. Enveri mblodhi sërish Byronë Politike dhe e cilësoi si një veprim armiqësor tepër të sofistikuar, prej nga ku do të merreshin masa në mbledhjen e qeverisë. Mbledhja e përgjithshme me përfaqësues të qeverisë u bë më 6 shkurt 1975. Unë isha vetëm, Piro Gushoja kishte shkuar në Pukë për një problem familjar. Instruktori i KQ të PPSH-së më porositi që t’u thosha inxhinierëve përgjegjës që të merrnin përsipër gabimin, por me masë që të mos cilësohej si faj apo sabotim. Unë vajta dhe i porosita, edhe Lipen, edhe Beqir Alinë dhe Myzafer Trebeshinën. Në pritje të kësaj mbledhjeje, ku kish ardhur Mehmet Shehu, mua më informonte sekretari i Mehmetit, Kiço Kasapi, ish-nëndrejtor i përgjithshëm i naftës në Kuçovë, burrë shumë i mirë, sekretar i përgjithshme i Kryeministrisë. Deri nga dreka mbledhja shkoi mirë, me kritika të ashpra, por gjithsesi mirë. Nga ora 12:00 mbledhja u ndërpre dhe Mehmet Shehu shkoi te Enver Hoxha. Kur rifilloi mbledhja, më marrin në telefon dhe më thonë se mbledhja është kthyer në gjyq. Shkova me një frymë. Mehmeti i tha shprehimisht Lipe Nashit: “Dëgjo këtu Lipe, kur ke shkuar në Kinë, ke bërë një udhëtim me tren nëpërmjet Moskës, jo drejtpërdrejt. Në tren je takuar me një shok të shkollës së partisë që ishte ne nivelet e KQ të BS-së. Nuk them se çfarë keni thënë me njëri-tjetrin, por ky detaj tregon diçka, se ti ke të bësh me agjenturën ruse.” Beqir Alisë i tha: “Për ty Beqir nuk kam ndonjë fakt konkret, por e vërteta është që ti ke pasur grua ruse, djemtë i ke në Moskë dhe gruaja juaj ruse është agjente e KGB-së, ajo mban ende mbiemrin tënd edhe pas divorcit. Unë nuk kam kompetencë t’ju shkarkoj, por ju pezulloj nga detyra.” Myzaferit i tha diçka që tani tingëllon qesharake: “Për ty Myzafer nuk kam ç’të them, ti me fekalet merresh, nuk merresh me punët e naftës.” (Myzaferi ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Fierit). Unë jam befasuar kur kam dëgjuar këto fjalë. Nga Fieri (mbledhja bëhej në Patos). I dërgoj një radiogram Pirro Gushos dhe i them të vinte urgjent në Fier. Ai ishte nisur nga Puka me gjithë Mihal Bishën (drejtor i Drejtorisë së Kuadrit në KQ). Ai e nuhati që situata ishte shumë e rëndë, ndërsa Mihali na këshilloi që të qetësoheshim dhe ta merrnim qetësisht. Duhej të lidhesha unë me KQ të PPSH-së dhe konkretisht Haki Toskën (sekretar i KQ-së, që mbulonte ekonominë, nga i cili varesha unë), ndërsa Pirro Gusho të lidhje me Hysni Kapon. Pirroja e provoi tel. e shtëpisë, por Hysni Kapo e ngriti tel. dhe ia mbylli menjëherë. Vjen Pirroja tek unë i verdhë dyllë, nga ku kuptova saktësisht se gjendja ishte shumë e rëndë. Pastaj pas vendimit që mori Mehmet Shehu për pezullimin e tyre nga puna, u zhvillua aktivi në Patos. Ne u përgatitëm për këtë aktiv. U dyndën instruktorët e KQ të PPSH-së. Në krye ishte Nimet Cani. Ai më kërkoi mua një listë të “atyre që do të jepnin llogari”. Të them të drejtën, nuk e vlerësova, ose nuk e konceptoja dot se do të vinte puna në arrestim, por si gjithnjë në mbledhje të stërzgjatura, me kritika të ashpra dhe me vendime për vërejtje të rëndë. I porosita ata të tre, Lipen, Myzaferin dhe Beqirin, që të mendoheshin dhe të sillnin emrat e inxhinierët përgjegjës për mos realizim të planit të naftës. Të nesërmen më thonë nga KQ i PPSH-së se ata listën e kishin gati dhe kjo listë do të paraqitej në aktiv. Shikoj unë listën: në krye Lipja dhe 50-60 veta, të gjithë inxhinierë. Pyes njërin prej instruktorëve të KQ-së: “Me kë biseduat që bëtë gati këtë listë?” Më tha:”Ashtu janë punët, kemi biseduar dhe me sigurimin e naftës në Fier.” Atë çast e kuptova se ata çdo gjë e kishin përgatitur “lart” dhe mendimi ynë as që merrej parasysh. Kishte vënë dorë sigurimsat. Erdhi 3-4 ditë para aktivit Adil Çarçani. E vura në dijeni për listën dhe ia tregova. Më tha shprehimisht kështu: “Ore, keni shkalluar ju të gjithë?! Pse, ore, gjithë naftën do të fusim në burg ne?!” Ngriva. Atëherë e mora vesh: ajo fjala që më gënjyen duke më thënë se “do të jepnin llogari”, ishte ekuivalente me burgun. Mbaj mend se më tha shprehimisht kështu: “Pirroja nuk është mirë me shëndet dhe ti do të merresh me organizmin e këtij aktivi. Është shumë i rëndësishëm. Atje do të ketë arrestime. Arrestime do të ketë edhe në sallë. Por ne kemi eksperiencë nga ai aktivi i Durrësit dhe atje u binte të fikët njerëzve në sallë. Thirrjet e forta: tradhtarë, sabotatorë, ndikonin negativisht në shëndetin e atyre që akuzoheshin. Kështu, - më tha Adili, - do të sjellësh dhe mjekë, përveç kësaj do të incizohen. Adil Çarçani dhe Haki Toska ishin ngarkuar nga Byroja Politike që të organizonin aktivin e naftës në Patos. U morën masat, u përgatit salla. Filloi aktivi dhe absolutisht asnjë nga ne të bazës, nuk e dinte se do të shpallej publikisht “grupi armiqësor”, apo ç’kishte ndodhur në KQ të PPSH-së. Menduam se do të lexohej letra e shokut Enver për problemet ne naftë dhe pastaj do të kalohej në diskutime ku do të jepej llogari nga përgjegjësit sipas listës. Unë u befasova kur dëgjova fjalët e Enver Hoxhës që citohej nga Adili: “Është grup armiqësor i drejtuar nga Lipe Nashi.” Ata që do të jepnin llogari ishin ulur jo bashkë, por një këtu e një atje në sallë, ku gjithsecili prej tyre ishte i ulur me 2 komunistë “të ndershëm”, të pacenuar, d.m.th. Nuk mungonin edhe oficerët e Sigurimit. Pas kësaj filluan të japin llogari inxhinierët e listës. Në përgjithësi pranonin se kishin bërë gabime gjatë punës. Lipja jo se bëri ndonjë gabim, por ai thoshte se të gjitha çka thuheshin në letrën e Enverit ishin të vërteta (për pjesën e mosrealizimit të planit), por nuk pranonte që gjërat ishin bërë fshehurazi, nën rrogoz. “Kemi vënë në dijeni Ministrinë, - tha Lipja, - dhe kemi vënë në dijeni edhe Partinë.” Erdhi radha e Protoko Muratit, i cili ishte shef i sektorit në Institutin e Naftës. Por organizata e Partisë së Institutit nuk e përjashtoi nga Partia, por i bëri një relacion KQ të PPSH-së, ku thuhej se ata e veçonin Protokon nga të tjerët. Protokoja ishte njeri i komunikueshëm, ndërsa kishte dhe një lloj arrogance. Milto Gjikopulli në fjalën e tij tha një fjalë që e rëndoi veçanërisht atë. “Nëse është bërë punë armiqësore dhe Partia e vërteton këtë gjë, atëherë ju nuk keni punë me të tjerët t’i merrni më qafë, se atë punë e kam bërë punë, pasi përgjegjësia është imja. Të tjerët kanë zbatuar ato që u kam thënë unë.” Miltoja ishte shef i projektimit të puseve të shpimit. Kjo frazë e fundosi atë, se këtë deklaratë e bëri edhe në gjyq, ku unë merrja pjesë si dëshmitar. Protokoja kishte një avantazh për të shpëtuar dhe këtë e kishte Haki Toska. Hakiu i tha në aktiv: “Dëgjo Protoko, ne e dimë që ti nuk je shok me ta, ti je njeriu ynë, por këtu ke rastin që ti ta vërtetosh këtë duke i stigmatizuar shokët.” Mbaj mend që Protokoja tha në aktiv: “Pse ti marr më qafë njerëzit? Si kam punuar unë, ashtu kanë punuar dhe të tjerët. Unë nuk kam ndryshim nga ata.” - “Paç veten në qafë, unë të dola borxhit”, - i tha Hakiu. Ndërkohë unë isha në sallë dhe nuk i pashë, por mësova se jashtë kishte ardhur urdhri dhe forcat për t’i arrestuar të gjithë inxhinierët. Kishte ardhur djali i Hysni Kapos. Në sallë erdhi një biletë. Bileta iu dha Paskal Sinanit, që drejtonte seancën e aktivit. Ai, pasi lexoi këtë biletë, na u drejtua të gjithëve ne në sallë: “Kam një propozim: pse ti mbajmë këtu brenda të gjithë këta armiq dhe të diskutojmë më tej për problemet e naftës në prezencë të tyre? Unë them ti nxjerrim jashtë.” Haki Toska pranoi. U ngritën të gjithë ata që dëgjuan emrat jashtë. Koço Plaku (njëri prej inxhinierëve të pushkatuar), të cilin unë e kisha fqinj, vuante atëherë nga një hernie diskale. Ishte i kërrusur dhe ashtu i sëmurë e kishin detyruar të vinte në aktiv, koka i takonte te gjunjët. Kështu e mbaj mend portretin e tij. Sa dolën (më saktë i përzunë për t’i arrestuar), të gjithë, drejtuesi i aktivit, shërbëtori i tyre Paskal Sinani, nuk vazhdoi më mbledhjen, siç na tha, por propozoi 10 min. pushim. Dola i dërrmuar me pak vonesë. Një shok imi, që pësoi edhe ai më pas fatin e keq vjen me një frymë dhe më tha: “Vangjush, i morën ata, i futën brenda!” Sapo dilte njëri, sigurimsat e fusnin në makinë. Po kështu edhe të tjerët nëpër makinat “Gaz-59” të Sigurimit. Kështu mbaroi seanca e parë. Në pushim drejtuesi i aktivit tha se ata që do të diskutojnë të japin emrat. Unë isha në mëdyshje. Kisha dhe vëllanë, drejtor në Gorisht dhe që të gjithë e trajtonin si shokun e ngushtë të Lipe Nashit. Shkrova edhe unë emrin, pasi e dija që do të më thërrisnin që të jepja llogari, se isha sekretar i ekonomisë në KP të Fierit. Një dashamirës që ishte sekretar imi, por që në aktiv ishte mbajtës protokolli, kishte parë në listë emrin tim dhe vjen e më kap në seancën e pushimit. Në atë kohë po debatoja ashpër me një rektor të Universitetit, që dikur ishte në pozicionin tim në Fier. Ai kërkonte të më faturonte mua një pjesë të fajit për zbulimin e grupit armiqësor të naftës. Vjen ky sekretari dhe më thotë shprehimisht: “Po ti gomar, veten tënde ke shkruar?! Do të të hanë të gjallë, po diskutove. Do ta shikosh çdo të ndodhë!” Isha në mëdyshje. Ç’të bëja?! “Ik, - më këshilloi miku im. - Gjej një shkak.” Dhe vërtet kështu kam shpëtuar, se me atë egërsi që mori drejtim mbledhja, unë do ta haja edhe më keq. Thirrjet “në litar, të pushkatohet” ishin terma të zakonshme, por që bëheshin realitet. Po të kishe pak pozitë drejtor, nëndrejtor, shef ose si unë, cilësoheshe menjëherë armik, pasi e kishe ti fajin për grupin armiqësor. Haki Toska më nisi në Komitetin e Partisë në Fier që t’u merrja teserat e partisë gjithë të arrestuarve, sepse ishte puna ime. (Në fakt, vetëm 2 prej tyre nuk i kishin dorëzuar, se të tjerëve ua kishin marrë teserat me kohë). Isha në ankth, por më vonë mësova se pati arrestime të tjera, si Jani Konomi, Dhimitër Stefa etj. Duhej shpartalluar i gjithë grupi armiqësor. Madje, ai që e ndiqte çështjen nga hetuesia e përgjithshme ishte një gjeneral, “Hasnedari” e kishte mbiemrin. Ai më kishte piketuar edhe mua, por fati më shpëtoi. Hakiu më hoqi nga lista që ishte çuar në hetuesi. Ka qenë edhe një fakt tjetër, pasi unë kisha dërguar më parë një letër, ku në njëfarë mënyre e kisha parapërgatitur Hakiun për disa probleme në sektorin e naftës, pra Hakiu nuk ishte fare pa dijeni. Por më pas do të pasoja edhe unë. Sigurisht, shumë më lehtë se kolegët e mi, me një “edukim në gjirin e klasës punëtore”, duke më syrgjynosur në puset më të largëta të zonës.
Si mendoni pas kaq e kaq vjetësh, ka qenë vetëm mosrealizimi i planit shkaku?
Jo, kanë qenë edhe ligësitë brenda nesh, kryesisht edhe brenda intelektualëve. Sebepi ishte plani. Por vijmë te plani. Çfarë ishte plani? Është një fat që nafta shkëlqeu pas viteve ’67-68, nafta filloi të ngjitet me shpejtësi. Mirëpo ngjitja me shpejtësi solli edhe atë euforinë e madhe dhe një pjesë e kuadrove, sidomos ata në Komisionin e Planit të Shtetit, dhanë një shifër plani të tmerrshëm. Na vunë ne që duhej të realizonim 4 milionë tonë naftë në vit. Ne arritëm deri në 2.4 milionë tonë naftë në vit. Bëhet fjalë për vitin 1973-1974. Një plan edhe ky i paparë, që flet për punë të mirë tonën. Në fakt, nuk morëm falënderime, por u cilësua si punë e zezë, armiqësore. Plani 4 milionë tonë ishte krejt i parealizueshëm. Madje, në Vlorë, Sarandë Urë-Vajgurore dolëm shumë keq. Vetëm puseve të Gorishtit u kërkuan një shifër plani krejt qesharake.
Këto shifra nuk i jepnin specialistët?
Këtu qëndronte edhe e keqja mes konfliktit të specialistëve lart të KQ të PPSH-së dhe atyre të bazës. Ka qenë një luftë e hapur. Ata lart thoshin se “ne kemi harta, kemi studime dhe plani mund të realizohet”. Në të vërtetë, specialistët e bazës nuk i pranonin dot këto shifra qesharake. Vetë unë, në vend që të gjeja cilat ishin mundësitë reale tonat, merresha si të gjeja argumente teknikë që të rrëzoja poshtë shifrat e dhëna me orientim nga lart. Dhe me këtë merresha gjithë vitin. Në të vërtetë, u krijua një eufori, ku të gjithë ne jemi fajtorë për këtë, sepse e vërteta është që nafta mori ritme të papara dhe ishte fat që vendburimet filluan të zbuloheshin njëri pas tjetrit, por do të vinte një fund. Toka nuk kishte vetëm naftë. Aq ishte. Dhe në Amerikë dalin çdo vit rreth 50000 puse shterpë, ndërsa ne për disa puse shterpë na u quajt sabotim. Ky është karakteri i punës sonë.
Çfarë dini rreth fatit të mëtejshëm të Milto Gjikopullit dhe Koço Plakut?
Miltoja bëri një gabim për veten e tij. Po kështu edhe Koço Plaku. Sipas të dhënave të disa dëshmitarëve, shokë të tij të burgut, kur mësoi se vëllai i tij kishte vdekur në hetuesi kishte thënë se në moment që mësoi për vdekjen e vëllait, kishte vendosur të sabotonte. Sigurisht këto ishin përçartje. Edhe të donte të sabotonte nuk kishte çfarë të sabotonte. Çfarë kishte në dorë? Ndërsa me veshët e mi dëgjova në gjyq që Miltoja tha të njëjtën gjë që tha edhe në aktiv, pra qëndroi burrërisht në fjalën e tij që ishte e vërteta: “Nëse partia e konsideron se puset, projektimi dhe kërkimet janë sabotuar, atëherë sabotimin e kam bërë unë.” Të dy kishin një defekt të madh, sepse e kanë pohuar me gojën e tyre fjalën sabotim, pavarësisht se kjo nuk ishte e vërtetë.
Gjyqi është bërë në Tiranë?
Po, brenda në burg në Tiranë. Gjyqi i dënoi me vdekje, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor ua fali duke i dënuar me 25 vjet burg, me përjashtim të Koço Plakut dhe Milto Gjikopullit, pra gjyqi i naftës hëngri 4 koka: dy shokët tanë, Milton dhe Koçon dhe ministrin Avdyl Këllezin zv.kryeministër dhe Koço Theodhosin ministri ynë.
Po rreth pushkatimit të inxhinierëve Milto dhe Koços, çfarë mësuat?
Një i dënuar, pasi doli nga burgu na ka thënë tepër me emocion për një foto makabre, ku duken qartë pamje nga ekzekutimi i Koços dhe Miltos. Ata janë ekzekutuar në Malin me Gropa në Tiranë dhe në 2 lisa afër njëri-tjetrit, me duart e lidhura prapa dhe në ballë currili i gjakut, pasi i kanë qëlluar nga afër me pistoletë në ballë. Hetuesi që urdhëroi ekzekutimin dhe që ishte atje, duhej edhe të fotografonte që të vërtetonte provën e vdekjes së tyre. Fotoja i tregon të rënë më gjunjë të dy, me duar të lidhura pas lisit dhe me currilin e gjakut që u lante fytyrën. Ky ka qenë fundi makabër i tyre.
Në çfarë date është bërë ekzekutimi i tyre?
Ka qenë maji i vitit 1976. Kjo sepse ndenjën gati 1 vit në hetuesi pas aktivit dhe gjyqi është bërë 1976. Dy muaj pas gjyqit janë ekzekutuar. Më pas do të dilnin grupe të tjera armiqësore, çuditërisht oponentët e grupit të parë, pra kundërshtarët e tyre do të kishin të njëjtin fat, më pas edhe grupi tjetër, ku grupet armiqësore do të jepnin shpirt vetëm pas vitit 1981 me grupin e fundit, atë të Petraq Xhaçkës. Ishin kohë të çmendura!…

6 October 2008 @ 12:31 pm
Vangjush, ja mos u merzit se per pak minuta do t’ia mesyjne ata qe do te te bejne per nje lek : armik i klases, borgjez, sabotator, e tutti quanti.
Dhe ne fund do te kete thirrjet e zakonshme qe çajne bllokaden ne dimer-vere, dite-nate, veri-jug : Poshte Sali Berisha !
6 October 2008 @ 12:32 pm
XYZ, pesimist fare ee?
6 October 2008 @ 12:37 pm
Po Gjyze
(shaka, heee ?), pesimist i madh. Nga natyra. Dhe nga Schopenhauer, plakushi pesos.
C’kam lexuar keto dite ketu, s’ma merrte mendja ndonjehere. Per bese, te kete ende njerez te rinj qe mbajne fjalime tribunash me terma si : armiqte e klases, sabotatoret e Frontit popullor, e revizionistet, kjo ka qene habia ime me e madhe ne keto faqe.
Prandaj dhe bera lidhjen qe Vangjushi eshte nje prototip sabotatori. Dhe e meriton te demaskohet deri me nje. Ja dhe pese minuta, po zgjidhet juria e gjyqit, dhe salla hapet pernjehere. Zini vendet, prokurori do te marre fjalen…
6 October 2008 @ 1:12 pm
Nese nuk keni ndonje koment per tematiken e shkrimit por doni te vazhdoni diskutime te nisura gjetke mos e vendosni ketu. Do fshihen pasi jane pa lidhje me temen. Flm.
6 October 2008 @ 1:22 pm
Me kaq ka thene plot.
6 October 2008 @ 2:06 pm
Jam fierak dhe gjithe kete”intenerar te zi” e njoh mire.Edhe me mire se kjo gazetarja fierake(edhe z.Damini enjoh mire dhe kam respekt per te).Te gjithe martiret e ketij procesi te zi,shpikur nga mendje vanitoze,i kam njohur.Qe nga Lipe Nashi e deri poshte.Vangjush Kokonozi ka qene aso kohe sekretar ne komitetin e partise se rrethit dhe,hiq ndonje pasaktesie ne ato emertimet qe ben,(here pas here;ndoshta i kane shpetuar dhe gazetares!)eshte shume i sakte.Me vjen cudi qe nuk eve emerin e atij edepsezit qe merrej me letra.Se,saj ketyre letrave,ky shpifes arriti deri deputet ne Kuvendin Popullor.Fieri ,i gjithe,e di.Z.Vangjush i kalon anes dhe anes.Ende s’i paska dale frika.Paskal Sinani qe qe disa shkalle me lart se ky,deputeti,lakohet.Dhe ate,te ligun e zi,e le anonim.Eshte koha qe duhet te cirren keto maska qe kane marre me qafe aq e aq njerez te pafajshem.Nga ana tjeter,kam nje verejtje per administratoret:te zesh e te komnentosh nje artikull kaq dramatik me nota sarkastike sic ndodh me ndonje komentues,une them qe ti ke humbur ate tipar te nje qenieje humane.Administratoret mos behen sehirxhinj,po t’i fshijne se,ne qe i kemi njohur ata qe kaluan ne ate Ferr made in Haznedar,e dime mire se cfare pesuan ata,te mjere:ingjiniereit ,shkrimtarit per femije dhe piktorit,Enriko Veizi,i shkulen dhembet ne hetuesi dhe-njohur nga afer-qe nje engjell dhe nje enciklopedi diturie.Petraq Xhacka u tret si qiri nga torurat dhe mund te vazhdoja me te gjithe nje e nga nje.Po lista,mjerisht,eshte aq e gjate sa duhen faqe te tera.Emeruesi i perbashket i gjithe kesaj tragjedie,ka vetem nje emer:te gjithe qene te pafajshem dhe u martirizuan nga mendje perverse sic qe ajo e Eneverit dhe Co…Fatkeqesia me e madhe eshte se kasta e dikurshme po ze dhe ben parade force duke na mbajtur lexion ende.KJo lloj parade duhet percmuar jo vetem me nota sarkastike,por me ngjyrime edhe me te zeza se vet regjimi qe u permbys.
6 October 2008 @ 2:44 pm
Regjimi qe ju imponua popullit tone ishte nje regjim i deshtuar, nje regjim qe vinte karrocen para kalit, dhe pa rendiment pune.
Gjer ne vitin 1974 Shqiperia ka jetuar, ne mungese te prodhimit te brendshme te pamundur, me te lypura ose e thene me gjuhen e partise, fale ndihmes internacjonaliste te BS ne fillim dhe Kines me pas.
Nga viti 1974 Hoxha e kuptoi se ndihmes kineze po i vinte fundi dhe nuku mbetej asnje vella i madh internacjonalist qe te na mbante me buke.
Atehere filloi te shpresonte tek mrekullite. Mrekullia ne vetvete nuk ka asgje te keqe vetem se nuk vlen si baze planifikimi.
Me 20 $/fuçi plani prej 4 milione tonesh i jepte Shqiperise rreth 400-500 milione $ ne vit dmth mund tja hidhnim problemeve…te shkaktuara nga “tradhetia kineze”.
Duke vene si gjithmnje pasojen para shkakut, tipike e udheheqesve idjote te te gjithe historise, Hoxha me shoke menduan qe po te realizohet ky plan ( i barabarte me te fituarit e nje llotarie) ja hedhim bathes edhe kesaj here pa punuar…
Mrekullia nuku ndodhi, llotaria nuku na duall dhe na ngeleshin dy pyetje per te bere:
1- kush na e beri kete hatà?
2- çfare kemi bere te gabuar?
Per 50 vjet me rradhe keta horra injorante kane bere vetem pyetjen e pare dhe gjaku lume.
Hoxha ishte mjeshter i vrasjes se kafshezave qe kishte ne kafazin e tij: 1- kritike e rrepte dhe “parimore”;
2- mos te shtyhemi me gjate dhe tu japim nje verejtje te rende dhe tua shperblejne partise me pune ( viktima fillonte te jetonte me shprese);
3- u treguam zemergjere me yve por na duallte armiq. Pa ngrihu ti dhe na thuaj…ready, aim, fire.
Burracak dhe injorant.
Po ti linte njerezit te punonin bahçene dhe te hapnin dyqane te vogla Hoxha do te mbreteronte pa nevojen e kasaphanes.
Do te ishim nje vend si Maroku e Tunizia, as te pasur e as te varfer por qe kallandrisej ne vaj te vet.
Edhe pushteti i horrit dhe idjotit nuk do te prekej. Se puna ketu ishte e gjitha.
A e degjuat Nexhmijen ne interviste: ne shkembyem shenja me perendimin por kushtet qe na vune ishin te papranueshme (1960). Atehere ngeli vetem Kina si e vetmja alternative per te shpetuar pushtetin e nje njeriu qe jetoi e vdiq si qen: i semure me te gjitha te zezat, paranojak, pa gjume naten, i mbyllur gjithe jeten ne 2 km katror duke vrare cilin i dilte perpara.
6 October 2008 @ 2:51 pm
Iris : sigurisht qe ligesia ka bere kerdine ne ate kohe. Siç ben dhe sot. Por ndersa sot ligesia eshte natyrale, dmth jam i lig sepse jam i lig, asokohe nje pjese e mire e te ligjve kane qene te fabrikuar. Dmth, jam i lig sepse keshtu ma do partia.
Gjon, plotesisht dakort.
Gjithashtu dhe me z. Perparim. Nese kam perdorur ketu pak ironi, kjo ka qene per shpotitjen e te gjithe atyre qe gjate ketyre diteve nxoren dhembet e mprehte te “kuçedres”.
6 October 2008 @ 2:54 pm
Keshtu eshte kur mediokri ngjitet lart dhe i dituri/specialisti duhet te punoje per te, dhe mbi te gjitha te duroje dhe akuzat e mediokerve.
6 October 2008 @ 3:05 pm
Shqiperia dallohet per nje numur te jashtezakonshem te denuarish.
Por numuri i “letrave nga populli” ishte me qindra e mjra here me i madh se sa numuri i te denuareve.
Letrat perdoreshin kur kishte nje plan masakrash perndryshe mbaheshin menjane per momentin e duhur. Kurre nje leter nuk ka marre ne qafe njeri.
Kur duhej te merresh ne qafe dikush letrat edhe po te mos ekzistonin krijoheshin…
6 October 2008 @ 3:05 pm
Nuk eshte mire ti shohim gjerat me kaq emocion mbas 20 vjetesh. Te pakten une nuk i shoh keshtu, packa se respektoj dhimbjen dhe emocionet e disave ketu. Por dua te them se nxora disa mesime te vlefshme nga ky artikull.
Nga gjithe ajo zallamahi makabre une kuptova se ai sistem ka funksionuar, porse persekutimet jane bere ne baze te intigrave. Vini re cthote M. Shehu: “nuk eshte kompetenca ime!”. Dmth. nuk kaperceheshin kaq kollaj kompetencat. Edhe autori shpjegon se vete ZELLI i disa kuadrove e solli ate sistem intigrash te degjeneronte ne persekutim dhe ne vrasjet e masakrat qe pasuan. Une qe nuk e njoh ate kohe nga afer, por nga ky artikull mesoj sesi kane funksionuar institucionet.
Tjeter mesim nga ky artikull per ne te rinjte eshte edhe “shpagimi”. Autori shprehet se ai sistem intrigash, ingranazh i cmendur masakrues, hengri edhe vete autoret e ketyre intigrave. Pra vete sistemi i shpelau keta njerez intigrant.
Mesimi i trete qe nxorra nga ky artikull shume i mire ishte edhe ideja qe ne sistem ka pasur njerez te mire, qe kane ndihmuar njeri-tjetrin. Atje ku ka veshtiresi dallohet edhe miku i mire. Sot mund te bertasim per miqesi, dhe koha nuk na jep mundesi ta provojme ate.
6 October 2008 @ 3:16 pm
Nga faktet qe ndoshta Kokonozit i kane shpetuar te thote…..
.
-Spiro Gusho ishte agjent i rekrutuar nga KGB dhe prane tij duhej nje njeri i “ditur” qe ta mbante nen kontroll veprimtarine dhe per te raportuar mbi “armiqt e popullit” ne nafte”. Z.Spiro pasi u deklarua i tille vrau veten .
Nuk po zgjatem me tej se germoret jane gati me kososre .
Me vjen keq edhe per ndrusit e “Pllakes” qe mbushnin sallat ne ate kohe me shprehjet “Sabotatoret ne litar”
Do te ishte me shume vlere qe z.Kokonozi te pasqyronte situaten e te
vetmit “trust” shqiptar qe duke shkelur KUSHTETUTEN kishte te drejte te paraqitej jashte si firme private per te lidhur kontrata me ndermjetesi KINEZE ose te “shokeve e miqve” te PARTISE .Kjo i jepte te drejte Drejtorit te depozitonte VALUTE ne banka private….
Pas prishjes me KINEN Ministrit perkates qe e kishte vllain e kunatit,Ju kerkuan PARATE .
Ne se prurja eshte per te ndricuar nje FAKT ajo duhet te plotesohet pa XYZ qe s’ka kuptuar e s’kupton asnjehere se c’do me thene D.P u mbeshtet mbi aleancen e kl puntore me FSHATARSINE punonjese qe nxjerr te tilla prodhime skarco ne inteligjence SOT.Eshte ky produkt qe mbushte sallat ne ate kohe q
6 October 2008 @ 3:28 pm
Pa dashje u shkeput……
qe me injorancen e tij i jepte frymezim extremitetit ne ndeshkim duke i ngritur dhe kenge me vone per drejtesine e vendimit.
Po kjo injorance sot “loton” nje grup qe me te vertete kane punuar si sabotatore(shprehje e kohes) por ne se e kishin drejt ose jo ….Ndoshta ky eshte thelbi i Problemit .
Per kete KOKONOZI duhet te mbaje qendrim te hapur ndaj ngjarjes!
6 October 2008 @ 3:35 pm
nje percim i sakte i atmosferes nen totalitarizem. frika imponohej. faji gjendej me patjeter dhe behej ndjenje kolektive. fillonin pikepyetjet mbi veten. tmerr i implantuar qellimshem. prurje me shume shume vlere! keshtu po, Blend!
se c’ka qene ai regjim, nuk eshte nevoja me pyt ende nexhmije hoxhen, apo jo.
6 October 2008 @ 4:06 pm
Pap,
e para jazek te qofte qe bere hasha origjinen !
Je bere fierak !
E dyta, po te isha une ne vend te ketij intervistuesit po dhe te kesaj palo gazetarje, te gjitha faktet dhe ngjarjet do i hudhja ne nje liber. Do i beja skenar filmi a ku di une cer. Por do lexoja shume shume me perpara se te merrja guximin te flisja per te me degjuar te tjeret.
Po zor se mund te me beje mua te besoj nje interviste e ketij lloji :
Ka pas nje Komisioni i Planit te Shtetit qe varej nga qeveriu i asaj kohe, qe organizonte dhe ishte pergjegjes per gjithe numrat. Planifikim i cdo gjeje dhe keto perrallat me Komitet Qendror le ti beje per kalamaqet e kopshit.
Kjo ne fakt nuk ndryshon thelbin e ashpersise paranojake te rregjimit. Po meqe behet fjala per “sabotim ne ekonomi”, nuk do ishte keq qe ca gjera te thuheshin me sakte.
6 October 2008 @ 4:18 pm
Mbase per ca gjera ke te drejte Koth,por shoku ne fjale i di gjerat mire se ka qene ne thelb te procesit .Sa do qe i njehe personat nuk jepe as emrin e personit.Kur thone amerikanet ” per zogjte “(for the birds) .Mbase ai ndihet fajtore gjithashtu tani e mbase kerkone te falur.por cfare nuk me pelqene ne artikull esht e qe kishte shenuar emrine vete e ja fshihu Haki Toska.Per mua
(I don’t thing so!).Nuk medoje se genjen por e zbukuron fajin ndaje vete vetes. Hakiut i ziente koka per vete po ta bente kete mendoje une.Nuk dua te beje roline gjyqtarit por gherat te thuen ashtu si jane.
6 October 2008 @ 4:27 pm
Enveri, ne keto masakrat e tij periodike ne te gjithe sektoret, ndiqte mesimet e Stalinit. Bej terror, s’ka shume rendesi ndaj kujt, dhe nga tmerri i terrorit, sundimi behej me i lehte, e kryesisht me i sigurte.
Sic thuhet ne shkrim, por dhe sic e kemi jetuar vete, kupola e Pardhise e kishte fare te qarte se keta nuk ishin armiq. Por, duhej bere adeti i vampirit qe donte gjak.
Keta specialiste ishin heronj qe mbajten vendin me nafte. Por si vleresim moren plumbin e denime. Pse nuk u nxorr ndonjehere me shume nafte se sa nxirrnin ata, dmth armiqte?
Ketu pjesen e vet e ka sistemi, mbas te cilit fshihet Nexhi e Co. sot. Por me shume se regjimi, ishte natyra prej vampiri e Enver Hoxhes. Ky e filloi zanatin qe gjate luftes duke eleminuar rivalet. Me tej arriti kulmin kur vrau burrin e motres, ne konakun e te cilit zdapej duke ngrene e duke pire. Nese ishte tradhetar, pse i hante buken? E me tej, cdo disa vjet “zbulonte” armiq. Ai ishte i bindur, si dhe te gjithe tiranet e tjere te historise, se mjeti me i mire per te mbajtur kolltukun ishte terrori. Si rrjedhoje, dhe u be mjeshtri i terrorit, e librat e historise e kane vene ne shoqerine qe meriton.
6 October 2008 @ 4:51 pm
Me te treguar e ke kete?
Organizimi i aparatit KQ ishte i tille qe reflektonte, dmth kontrollonte qeverine
e cdo gje tjeter. Sektori ekonomik i K.Q. drejtohej nga Haki Toska, e Komisioni i Planit bente cicin para tij. Si rrjedhoje, shkoi Kellezi ne plumb e jo Toska.
6 October 2008 @ 5:28 pm
Po e kemi fjalen per tjeter gje. Ai citimi atje , mbasi ta kesh lexuar kete intervisten, lidhet me nje pasaktesi. Se planifikiki i ekonomise ishte me numra dhe me leke. Ishe si nje bicim buxheti per qeverise.
6 October 2008 @ 6:36 pm
per ke enver e keni fjalen,burrin e nexhit qe dhe per pak na e bene te shenjte apo,per ndonje tjeter?!
Blend, flm qe e solle sepse,ky popull ka nevoj te shkundet,te pakten te mos harroj lotet e nenave fatkeqe qe humben bijte per arsye absurde,mjer kush harron te kaluaren dhe tallet me te!
6 October 2008 @ 7:28 pm
xyz,ha, ha, ha ne fakt edhe mua ma vrau pak veshin(syrin)ajo shprehje;e tmerrshme ta mendosh sa t’veshtire e kemi te shkeputemi nga menyra e vjeter e te menduarit,te gjithe nga pak,pa dashje.s’kemi ç’bejme ,eshte identiteti yne “gli anni fanno i cristiani”
6 October 2008 @ 8:23 pm
Po edhe ai seksioni ekonomik i Pallatit te Endrrave (KQ) ato numrat e leket kontrollonte dhe i vinte vulen. Dhe pa kete vule, letrat e Kom. te Planit ishin letra bakalli.
6 October 2008 @ 8:26 pm
Aha, tani e mora vesh se si gjykon ti mik.
Te me ndjesh qe te mora pak sekonda ne leximin e komentit tim.
7 October 2008 @ 5:12 am
Nuk po kuptohet se per cfare eshte kjo prurje ????
Ne se duhet tu jepet urata per prehje te qete te vrareve , eshte tjeter gje.U prefshin te qete!
Llapaqenizmi ka qene eshte dhe do te jete per shume kohe deri sa te jete populli veshderr qe do linde idiote dhe do e haje sapunin per djathe.
Le te shpiegoje Kokonozi KUSH ishte i REKRUTUAR nga KGB dhe ne driten edhe te fakteve te reja le te jape mendimin e plote.
Rumpallaxhijve do tu shkonte per shtat te presin sa te hapen DOSJET se do dalin te dhena po themi per cdo X,Y e Z.(Jo per kete tonin se nuk i eshte dash as dreqit :P. Boll te bente vjersha epike per Partine)
Ne se eshte prurje per te vertetuar ashpersine e denimeve eshte tjeter gje pasi te shpjegoje Kokonozi :
-Cfare eshte (ishte) sabotimi dhe per sa ,e perseris ,per sa denohej ?
-A eshte (ishte) sabotim apo jo ? Cfare ka deklaruar ne Hetuesi VETE dhe ne KQ.?
-Kush ja futi njeri tjetrit ne Hetuesi ?
Paralel me keto kemi kohe dhe per vjersheruesit popullor maj maleve qe i kenduan EPOSIT te PARTISE qe sot jane jane bere tellallet e hipokrizise Mixhiste.
Kush eshte i kohes nuk ka nevoje te genjehet nga dyfytyresite dhe kurverite mendore te sotme. Kokonozit i qofte jete e gjate dhe “shyqyr ” qe ka shpetuar .
“”"”"”"”"”Këto shifra nuk i jepnin specialistët ?”"”"”"
BRAVO Gazetar CILESOR!!!!!!
Kokonozi ne kete rast nuk duhet te “dredhoje” sepse mbi keto te dhena u ngriten akuzat qe “shoket” i vleresuan ndaj “shokeve” si sabotime.
Dhe KY eshte problemi i KOHES.
A do te vazhdohet me hipokrizi,mashtrime e genjeshtra te mashtrohet BREZI i RI apo do ti thuhen te vertetat e gabimet ashtu si i kane pranuar vete autoret.
SOT eshte bere problem ,se pjellat e atij mentaliteti jane te paret qe “preken e leshojne lot” .Dhe atyre qe se kane jetuar ate kohe (qe nuk do ta jetojne dhe nuk ja urojme) e them me bindje , sikur ben vaki ne situata me te LEHTA , te jesh ne dore te ah-ohe-rve te sotshem ….dhe disa shembuj jane sindozot te kenushem tek PESHKU yne i nerum……O nene o nene c’do digjonit ne nje salle me fshataresi punonjese!Qofshin dhe inxhiniere te diplomuar….apo letrare.
Kete mos ta HARROJNE dhe mos ti afrojne Fshataret ne asnje lloj mardheniejeje shteterore pa kaluar 5 breza !
11 October 2008 @ 2:53 am
Shifeni ketu sa shkonte nje pus ne ate kohe.
11 October 2008 @ 3:19 am
Sinqerisht s’e kuptoj idris pse duhet t’a qelbesh cdo teme me plehrat qe nxjerr nga goja. Jo per gje po cdokush qe e lexon per 2-3 dite peshkun e merr vesh cfare ke qene edhe qe, po te t’ja sjelle rasti ne dore (larg qofte), prape do i fusesh ne burg a t’ua heqesh koken armiqve te kllases.
Po mire o paranojak, ja te themi qe kta te naftes paska qene agjenta te KGB-se, sipas teje, Enverit dhe Kadri Hazbiut. Po ata dhjetrat mijra te tjere qe u kalben burgjeve e ata mijra qe u ekzekutuan, apo mijra familje qe u shkaterruan ne internime, 1/3 e vendit paskan qene agjente te KGB-se?
Po ik o xhaxho e nderroi pelenat Nexhmijes. Ose dridheni na nje cigare pe duanit te Remes e kujtoni me nostalgji kohet e arta tuajat.
11 October 2008 @ 4:18 am
Bisturi ! ose ….(lexo fundin e pkjeses se pare) !
Zakonisht te perdorim per operacione …nuk e kuptoj perse duhet te perdoresh per rruajtje.
Megjithate nderhyrja Juaj ka dicka qe edhe mund te vleresohet . Ju pyesni me te drejte perse duhet…(deri kaq ) shtesat e tjera perfaqesojne halete e burgjeve…Une nuk e deshiroj kete menyre komunikimi por me qe ju nga llogjika jeni te prire nga e njejta “prerje” matematikore per nga argumenti me detyroni nga njehere qe brenda nje NICK-u te perfshij te njejtin person.
-Mendova se Ju ne se jeni i ri keni nevoje te mos edukoheni me hipokriozi MIXHISTE por te faktuara REALISHT me ngjarje te verteta . Dhe ai qe ka prure keto “kujtime” fsheh shume gjera qe nje mendje e thjeshte mund ti verifikoje shume kollaj . Kjo qe arsyeja e nerhyrjes per te shpetuar JU (gjithmone ne se je moshe e re) nga mendimi Spekulativ i ish KOMUNISTEVE qe jane me te zij se ANTIKOMUNISTET . Thjesht Jane kurva te kohes dhe MASHTRUES . Ne se te vlejti po e le me kaq…pa marre parasysh fjalet e tjera qe me japin te kuptoj se je nje “komunist me prirje antikomunisti” ose Gellboqe!
-Ne se je i vjeter dhe i “persekutuar” qe do te paraqitesh , ben mire qe kete dialog ta shoqerosh me fakte duke anatemuar Komandantet e Komisaret e Burgut qe te kane perdorur per pune “sqarues” me masat per “VIJEN E DREJTE TE pARTISE ” .Fundja dhe ato qe ke deponuar ne hetuesi…..
Me mua ke gabuar ADRESE !
11 October 2008 @ 6:20 am
O Kapter Idrizi!!!
S’ke faj ti, ka faj Amerikaqe te jep letrat! Ahhhh i ziu ti, i kujton me mall ato tollonat. Aty e ke mendjen, me ndejt ne rradhe per te blere 1 kile mish e te degjosh, c’thote njeri e tjetri per Partine e regjimin.
Aman mor, une ta paguaj bileten per ne Koren e Veriut apo ne Kube vetem me thuaj kur je gati per tu nis.
11 October 2008 @ 7:50 am
Po c’ti thuash Idrisit?!
Nganjehere me duket sikur shkruan vete Ramizi apo Simon Stefani
Une kuptoj qe mund t’i jete “shpelare truri”, por te pakten te na bej nje nder te heshte per te mbrojtur dicka qe s’ka Perendi ta mbroje.
Une po te them nje fakt tjeter Idris (pas atij qe te thashe paradokohe per shokun tim te klases qe e internuan familjarisht, sepse kishte lidje familjare me Liri Gegen, dhe sapo ishte “zbuluar” grupi i Poliagjentit).
Djalin e Milto Gjikopullit e kam njohur qe kur ishte ne shkolle te mesme. Ai jetonte me te emen ne nje fshat te Fierit (te internuar). Fshati quhet Hoxhare (qe me vone Partia ia ndryshoi ne Darezeze). E ema (nje grua e nderuar) kishte qene mesuese para se i shoqi te shpallej sabotator. Ne Hoxhare punonte ne bujqesi. Djali bente shkollen e mesme ne Fier. Ishte nxenes i shkelqyer. Cdo mengjes kur vinte ne shkolle (bente cdo dite 15km vajtje-ardhje) sidomos ne dimer, para se te hynte ne klase, pastronte kepucet nga balta. Nje dite kishte harruar furcen ne shtepi, dhe nje nga mesuesit e beri “per nje lek” sepse i kishte kepucet me balte. Madje i kujtoi se i biri i kujt ishte. Ky mesues ishte as me pak e as me shume, por vete sekretari i organizates se partise se shkolles.
Djali mbaroi te mesmen e mbeti pa Universitet. Sot eshte mjek, pasi studioi pas 1990 (kur idhujt e Idrisit te pakten zyrtarisht “keputen qafen”)
Idris, me degjo nje keshille si nje njeri qe te do te miren: Hiq dore nga teoria Enveriane: Uji nga Burimi del i kulluar, por qelbet rruges!
jane njerezit qe zgjedhin e bejne Sistemin dhe jo anasjelltas. Ata qe perpiqen vertet per Kombin dhe popullin, e kuptojne kur e kane mire apo gabim. Zgjatja ne kohe e “berjes se gabimeve” dhe ca me pak pranimi i tyre, perben as me shume e as me pak: FAJ.
Por s’du te zgjatem me tej. Te pakten HESHT ne raste te tilla. Te lutem!