Shtohen akuzat, Sefgjini kërcënon prokurorin e çështjes
Gazeta Tema
09/05/2008
Shtohen akuzat, Sefgjini kërcënon prokurorin e çështjes
Nga Bledar Lumani
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, përveç zhdukjes së Remzi Hoxhës, do të procedohet edhe për rrëmbimin e Avdyl Loshajt, akuzë e cila iu komunikua gjatë ditës së djeshme, teksa i është komunikuar masa e sigurisë. Pas komunikimit të akuzës së re, Sefgjini ka reaguar me tone të ashpra ndaj prokurorit Xhevat Hana, duke iu drejtuar atij me një gjuhë kërcënuese. Ndërkohë, pavarësisht se Sefgjini ka kërkuar nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë, gjyqtari Fran Prendi ka lënë në fuqi masën e “Arrestit në shtëpi”
Seanca
Arben Sefgjini është paraqitur në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda rreth orës 11:50 të ditës së djeshme, me një makinë tip “Benz”, me targa TR 2700 N. Duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve, Sefgjini i është drejtuar drejt sallës së gjyqit, ku edhe i është bërë e ditur masa e marrë ndaj tij, ajo e “Arrestit në shtëpi”. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve bëri të ditur se është njoftuar më datën 5 maj për këtë masë të marrë nga gjykata, ndërkohë që e ka cilësuar si të padrejtë atë, duke kërkuar edhe ndryshimin e kësaj mase. Pas këtij momenti, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, ka parashtruar edhe një akuzë të re për Sefgjinin, atë të rrëmbimit të Avdyl Loshajt. Reagimi i Sefgjinit ka qenë i menjëhershëm, duke deklaruar se “ky është një manipulim që bën prokurori. Nuk është e vërtetë që ka akuzë të re apo është zbuluar nga ky prokuror”. Ndërkohë, ai ka kërkuar nga prokurori që të lexojë vendimin e vitit 2004, vendim i cili e ka shpallur të pafajshëm atë për rrëmbimin e Avdyl Loshajt. “Ta lexojë zoti Hana nga fillimi në fund vendimin, se po na flet sipas qejfit të vet”, - tha me tone të ashpra Sefgjini. Ndërkohë, në përgjigje të kërkesës së Sefgjinit, prokurori Hana është shprehur se në hetimet e mëparshme të kryera nga prokuroria, është hetuar vetëm për rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe Zizo Kristopulis, ndërkohë që Avdyl Loshaj, megjithëse ishte rrëmbyer bashkë me dy të parët, është thirrur vetëm në cilësinë e dëshmitarit. Me rihapjen e çështjes së zhdukjes së shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, Hana u shpreh se prokuroria nisi hetimet edhe për rrëmbimin e Loshajt, duke qenë se ai është rrëmbyer bashkë me Hoxhën dhe Kristopulis më 21 tetor të vitit 1995. Pas këtij sqarimi, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka kërkuar sërish nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë, pasi, sipas tij, ai nuk do të largohet për asnjë moment nga Shqipëria dhe se nuk paraqet rrezikshmëri për shoqërinë. Kërkesa e Sefgjinit është hedhur poshtë nga gjyqtari Fran Prendi, i cili ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Masa e Koldashit
Përveç masës së sigurisë për Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar edhe masa e sigurisë ndaj të pandehurit tjetër për zhdukjen e Remzi Hoxhës, Avni Koldashi. Ky i fundit është paraqitur në gjykatë pak minuta pas dhënies së masës për Sefgjinin, masë e cila është dhënë veçmas për dy të akuzuarit kryesorë të shqiptaro-maqedonasit Hoxha. Gjatë fjalës së tij në gjykatë, Koldashi u shpreh se “Akuza ndaj meje ka prapavijë politike dhe është e pabazë”. Sipas Koldashit, ai është gjykuar njëherë për këtë akuzë dhe është shpallur i pafajshëm, ndërsa ka deklaruar se nuk dëshiron të përfaqësohet nga ndonjë avokat. Ndërkaq, masa e sigurisë “Arrest shtëpie” është cilësuar e pabazë nga Koldashi, duke kërkuar ndryshimin e saj. Sipas tij, ai është i hapur për çdo hetim dhe, nëse do të kishte dashur të largohej jashtë vendit, mund ta kishte bërë këtë gjë, pasi i është ofruar edhe azil politik. Por këtë nuk e ka bërë, pasi ndihet i pafajshëm për akuzën që rëndon ndaj tij. Ndërkohë, pas argumenteve të tij, ashtu edhe si për Sefgjinin, gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërkohë, të pandehurit të tretë të kësaj çështjeje, Budjon Meçe, masa e sigurisë i është vlerësuar në spital, ku edhe po kurohet, ndërsa i pandehuri tjetër, Ilir Kumbaro është shpallur person në kërkim.
Akuzat
“Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, dhe tre ish-drejtuesit e Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe, kanë rrëmbyer e më pas torturuar biznesmenin Remzi Hoxha”. Në këtë konkluzion kanë arritur prokurorët e Krimeve të Rënda, pas hetimeve disamujore mbi dosjen që nuk është zbardhur ende që prej më shumë se 11 vjetësh. Megjithëse eshtrat e ish-biznesmenit Hoxha nuk janë gjetur ende, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur në përfundimin se ai është rrëmbyer nga ish-drejtuesit e SHIK, ndërsa vdekja e tij ka ardhur pas torturave të rënda. “Prokuroria për Krime të Rënda, pasi zhvilloi hetimet e nevojshme për procedimin penal me nr. 449 të zhdukjes së shtetasit Remzi Hoxha, dërgon për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pandehurit: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ, Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në drejtorinë e SHIK; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të drejtorisë së SHIK dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në drejtorinë e SHIK”, - thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Katër të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Rrëmbimit të personit “dhe “Torturës me pasoja të rënda”. “Të katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha”, - thuhet në dosjen që prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
“I pakorruptueshmi Sefgjini e ktheu prokurorin nga akuzues në të akuzuar”
Zyra e shtypit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka reaguar ditën e djeshme ndaj akuzave që rëndojnë ndaj kreut të saj. Sipas kësaj zyre, “Prokurori i çështjes nga akuzues u kthye në një të akuzuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i pakorruptueshmi Arben Sefgjini”.
“Gjatë seancës së sotme gjyqësore në ngarkim të Sefgjinit, iu dha fjala edhe prokurorit, i cili pati paturpësinë të pohojë edhe njëherë gënjeshtrat e radhës, duke justifikuar këtë nxitje ndaj të pakorruptueshmit, Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve”, - vijon deklarata e zyrës së shtypit në DPT. Sipas deklarimit të kësaj zyre, të gjitha pretendimet si prova të reja të dala gjatë hetimit të ndërmarrë nga prokurori Hana për këtë çështje, janë një gënjeshtër patologjike e tij.
“Pretendimi se në dosjen e kësaj çështjeje ka fakte të reja, si deklarimi i Avdyl Loshaj është i pavërtetë”, - mbyllet njoftimi i zyrës së shtypit në Drejtorinë e Përgjithshme .


Shkruaj një koment (login)