Shqipni tavolinash

Artan Lame (Shqip)

PLANI U PRISH

Në botë ngjasin edhe çudira, ngjet që çuditë të jenë edhe mirësi, por vetëm në Shqipëri ngjet që mirësia të rrjedhë nga shkatërrimi. Një e tillë më ngjau këto ditë.

Vite më parë, kur punoja në bashki, bëra një luftë të madhe të shpëtoja kinemanë “17 Nëntori” nga shkatërrimi. Nuk ia dola dot. Si të gjitha luftërat kundër kapitalit të pakontrolluar, edhe ajo qe e dënuar me dështim. Megjithatë, një fitore të vogël e arrita. U ra dakord që pallati që do ndërtohej aty të kishte në fasadë fytyrën e vjetër të kinemasë, me atë galerinë me harqe që nuk ka tiranas që nuk e kujton. Vitet kaluan, pallati u ndërtua, por e keqja ma mori hakën. Galeria vërtet sefte u ndërtua, por pastaj hapësirat e saj u zunë me mur dhe u kthyen në dyqane.

I dëshpëruar ulem të shkruaj për këtë gjë dhe, për të qenë i saktë dërgoj dikë të bëjë ca fotografi atje. E dini atë barsoletën e të marrëve që donin të arratiseshin nga spitali dhe pasi bënë një muaj stërvitje për të kapërcyer murin e lartë, ditën e fundit hoqën dorë nga arratia, pasi muri ishte rrëzuar? Kështu më ngjau edhe mua. Ai djali që dërgova te pallati i kinemasë për fotografitë kthehet e më thotë: Plani u prish, muri është rrëzuar. Bashkia kish ndërhyrë të prisheshin ndarjet me mur dhe galeria e vjetër e kinemasë po zinte të dukej sërish.

O ju që po lexoni. Kur të kaloni asaj ane, nën qemeret e rindërtuar të kinemasë, kujtoni kohët e shkuara kur shkonit në kinema me shokë e miq a me të dashurat, por sillni ndër mënt edhe këto radhë dhe thoni: Ah po, për këtë kollonadën e kishte Tan Lame atë shkrimin te “Shqip”-i.

FLOKET E BARDHA

Më një ditë morëm dy lajme. I pari, një ish i dënuar i diktaturës komuniste u kap me drogë në Itali. I dyti, e veja e diktatorit dha dy orë intervistë. Çdo shqiptar ndën të tridhjetat, që i merr lajmet e ahershme nga televizorët e sotmë, më nj‘anë do mendojë se armiqtë e kohës së diktaturës vazhdojnë të bëjnë të liga edhe sot dhe m‘anë tjatër do mbetej gojë hapur nga tregimet e fisme të një plake 80 e kusur vjeç, që nuk ngjet gjëkund me një njeri të lig. Të bukur pasqyrë po u lëmë brezave që vijnë për kohën që shkoi.

Ngjalleni po mundët Hitlerin dhe vëreni të flasë. Do gjëndëshit përpara një plaku të moçëm e të pafuqishëm, me duar lëkurëholla prej intelektuali e flokë të bardha dhe që me zë të shuar do zinte t‘u fliste për Gjermaninë dhe përpjekjet e tij për mirësinë e begatinë e vendit të vet. Pa do na zinte të qarët nga marazi që lejuam rusët ta vrisnin këtë farë burri të urtë e paqëtar. Ky është kurthi më i lig që i ngre mosha historisë.

Një nga studionjëset më të mira të diktaturave moderne, Woodcock, shkruan: “Ajo që më habiti ishte se si ende në vitin 2003, familja e Hoxhës shfaqej nëpër kafenetë publike dhe ishte objekt interesi nëpër gazeta”. Amani mos i thoni studionjëses të vijë tani në Tiranë, se do i lozë tepeleku i kokës, kur ta shohë jo vetëm kafeneve, por bash midis bashit të ekranit, kur u tregon shqiptarëve të rinj se si vrasja mund të kthehet nga krim në gabim, thjesht duke ja lënë fajin sistemit.

Mos nxitoni të më thoni se kjo është shenjë tolerance dhe qytetërimi, se të dyja këto, edhe toleranca edhe qytetëria, janë bimë që përgjatë gjithë historisë mezi kanë mbirë në këto anët tona. Mos më thoni as se është dashuri për të njojtur historinë, se edhe këtë s‘e kemi dashur asnjëherë dhe ja kemi zhdukur shënjat sa herë kemi mundur.

Që të merremi vesh në një gjë, pas mëndjes sime, faji në këtë mes nuk është i së Vesë që po flet, por i atyre që i hapin vënd të flasë dhe ca më shumë akoma i politikës shqiptare që, në 20 vjet, nuk qe në gjëndje t‘i jepte formë legjislacionit që do të rregullonte trajtimin publik të së shkuarës.

Ka edhe një tjetër pamje, që e bën edhe më të rëndë shfaqjen e fantazmave komuniste dhe bën të shfaqet edhe më i hapur xhahil‘llëku i kësaj shoqërie pa rregulla. Ajo fliste dhe ne i bëjmë vënd të flasë, ndërsa janë mes nesh mijëra familje që kanë ende plagët hapur, që nuk gjejnë varret e të afërmve, që u është shkatërruar jeta, që u është zhdukur çdo ëndërr. Të gjitha shoqëritë evropiane që kanë ditur të respektojnë dhimbjen njerëzore, në qendër të ndalimit publik të kujtimit të diktaturave kanë vënë pikërisht këtë fakt. Ne edhe kësaj gjëje i vumë shqelmin. E dini se sa dënime me vdekje janë dhënë në Italinë fashiste 40 milionëshe në periudhën 1936-1943, kohë në të cilën ekzistonte ky dënim? Rreth 45 dënime, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 40. Po në Shqipërinë mikroskopike 2 a 3 milionëshe, a e dini sa janë ekzekutuar? Mbi 5 mijë! Edhe një shifër tjetër. E dini sa dënime me vdekje kanë dhënë gjyqet e Italisë pushtuese në Shqipëri në 4 vjetët e pushtimit 1939-1943? Nja 25. Ndërsa ne shqiptarët i vramë njëri-tjetrit mbi 5000. Dhe pastaj rrinim gojë hapur para ekranit, të dëgjonim se nuk i kishte vrarë diktatura po sistemi.

Ka edhe një arsye tjetër, pse nuk duhet lënë të flasë e shkuara në këtë mënyrë. Pikërisht për atë që ne sot, të rritur në tjatër kohë e me tjatër kulturë, të mos detyrohemi t‘i gërmushemi e të shajmë një plakë, se kështu, le që na ka munduar kur kish fuqi, por po na bën të dukemi edhe harbutë që merremi me një plakë!

Kushdo që shkroi rreth kësaj pune këto ditë, u përpoq të gjente kundërthëniet në fjalët e të Vesë. Mua që merrem me histori, të gjitha këto m‘u duknë thjesht gënjeshtra a fiksime të një plake, ndaj më la pa mënt vetëm një e vërtetë, që tha ajo në fund fare, fare në fund: “Ajo kohë ishte bukur, shumë bukur”. Posi jo. Nga pozicioni i saj vërtet kështu ish. Bota është plot me diktatorë e faraonë që kanë rrojtur në kohët e shkuara. Por pa mendoni një faraon, jo të kohëve të njerëzve të egjër të lashtësisë, por që rrojti deri në fund të shekullit XX, si do t‘i dukësh jeta e tija. Meqë e nisa me të ringjallur, po e bitis me të ringjallur. Ngrini nga varri ndonjë faraon nga ata të Egjiptit apo ndonjë perandor nga ata të Kinës së mesjetës dhe pyeteni si i është dukur jeta e tij. Bukur, shumë e bukur, do t‘u përgjigjet me të psherëtirë. Dhe pas kësaj lërini të kthehen në qetësi në varret e tyre, se ata të paktën na lanë pas piramidat dhe murin kinez, ndërsa ky i yni na la pas trashëgim vetëm Salinë.

NGECJA

Të enjten qe Saliu te Fevziu. U përpoqën katër burra bashkë ta lidhnin në llaf Salinë, po s‘ia dolën. Këta pyesnin atë, ndërsa ai nuk u përgjigjej atyre, por kujt donte ai dhe çfarë donte ai, pa u bërë shumë merak për vërtetësinë e asaj që thosh. Vetëm në një pikë m‘u duk se i ngeci zëri dhe foli mëk-mëk. Aty ku e pyetën për punë të legalizimeve dhe të kthimit të pronave.

Socialistët bënë ca hesape (jo shumë të sakta ndofta, po sidoqoftë bënë një farë hesapi) dhe deklaruan një shifër të përafërt të vlerës së pronave. U ngrenë në krahun tjetër ish-pronarët, bënë një tjatër llogari dhe nxorën një shifër dhjetë herë më të lartë. Kaq deshi Berisha. Doli dhe premtoi se do t‘i jepte paratë deri më një. Ku do t‘i gjesh, i thanë? Ajo është puna ime, u përgjigj hazër‘xhevap. Njerëzia e besuan dhe Berisha u kthye atje ku ishte nisur, te skema e “opingës së Sheros”.

Për të zgjidhur punën e pronave, njëra udhë është të mos premtosh asgjë. Të dalësh e të thuash që nuk do japim asgjë, ndaj ngrohuni në diell. Kjo qe metoda që ndoqi Komandanti për gjysmë shekulli dhe, vërtet që atij nuk i doli keq, po na la litarin jashtë, e po gjejmë belanë ne sot. Udha e dytë, është të vejë si të vejë, kështu si po shkon. Premto të gjitha e mos bëj asgjë. Ca të paktë po marrin të gjitha, e gjithë të tjerët po marrin “opingën e Sheros”. Këtë metodë ndoqi këta tri vjet qeveria e sotme dhe me thënë të drejtën i eci deri tani, paçka se edhe ky litarin e sherreve e la jashtë.

Ajo që e bëri Saliun t‘i ngecte fjala, është se ardhka një ditë që sado të ketë gënjyer njeriu, do i duhet të japë llogari dhe, me ç‘duket, kjo ditë po i vjen edhe Saliut.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

12 Komente

  1. Nexhi thotë:

    7 October 2008 @ 8:51 am

    Kur nuk ben thirrje neper shkrime Lame te llojit : “Cojuni dhe bjeruni”, dhe shkruan qete me pelqen !

  2. nejse thotë:

    7 October 2008 @ 10:01 am

    Vertet, shume i eikulibruar.

  3. Koth thotë:

    7 October 2008 @ 11:50 am

    Lame,

    Dhe pastaj rrinim gojë hapur para ekranit, të dëgjonim se nuk i kishte vrarë diktatura po sistemi.

    Mund te jesh ne nje devijim, nese nuk thua sistem diktatorial.

    Ja ta filloj me nenin nr 1 te Kushtetutes se vitit 1976.

    Republika Popullore Socialiste e Shqiperise eshte shtet i diktatures se proletariatit , qe shpreh dhe mbron interesat e popullit.

    Ketu jemi ke thelbi dhe mendoj se kjo e vlen me e diskutu. E kam fjalen qe qe te mos thjeshtezohet problemi dhe te shkohet vetem te Hoxha.

    Se une besoj qe ti je fshehur pak ne mendim dhe me shume me duket si pergjigje e nje thirrje qe u be dje nga shefi i mazhorances per kryetarin tend.

    Tani le ta shikojme keshtu : ti e di fare mire qe Hoxha eshte “kufome” dhe politikisht nuk sjell asnje rrezik. Nga sa konstatova nga shkrimet apo komentet qe kam lexuar keto dite , njerezit u ndane ne tre grupe, dy shume minore por jshte mase agresive dhe nje grup tjeter i madh, disa here me i madh se dy te tjeret te marre se bashku.

    Njeri grup perceptoi qe Hoxha po rrezikon demokracine sepse po sulmon simbolet e saj ( ? ) Berishen dhe Kadarene
    Njeri grup perceptoi qe Berisha eshte eshte po aq pergjegjes per shkaterimine Shqiperise sa dhe Hoxha.

    Dhe grupi me i madh ishte qe pa e pa intervisten dhe mendoi me koken e vet. Tek ky grup besoj se asnje nuk do jete ndikuar nga cer tha Hoxha, por e degjoi.

    Tani vijme te perfitimet qe nxorri cdo grup :
    I pari , ne krye te te cilit u vu vete Berisha, duket beson ne rrezikun qe i kanosen simboleve te Demokracise. Vetem se ai nuk do qe te jete i vetem si simbol, ndaj shkoi ne Gjirokaster ( nje dite mbas intervistes ) dhe beri kete deklarate : Ky qytet i ka dhënë kombit dhe botës dy personalitete gjeniale. Njërin në letra; Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve. duke mbrojtur Kadarene. Ma do mendja qe ky nuk e ka dashur kete mbrojtje nga politika. Vecse Berisha eshte me i qut se Kadare dhe nuk e la rastin t`i ike nga duart.
    Grup minor ky , por qe shpertheu me shkrime deri ne histeri dhe qe morri me vete dhe sharlatane .

    Grupi i dyte ishte grupi i personave qe gjeten te vetmen gje te vlefshme faktin qe Hoxha beri fajtore dhe bashkepunetore te rregjimit emra qe jane rivale politike dhe qe donin me se zben nje ngjashmeri midis Hoxhes e Berishes. Ketu u perzie politika qe si ne te shumten e rasteve katranos.
    Edhe ky grup minor.

    Ndersa grupi i trete qe eshte dhe me i madhi dhe me perfaqsuesi , di te lexoje, te reflektoje, te krahasoje, te analizoje, te mos jete indiferent, te besoje, te mallkoje me vete, te pyese veten dhe te mendoje qe te veproje qe kjo menxyre diktatoriale te mos ndodhe me .

    Une besoj se grupi i trete nuk do ta lejoje me qe te riperseritet me cilindo emer qe te shfaqet.

  4. Koth thotë:

    7 October 2008 @ 12:03 pm

    Uf,

    paskam harru ate grupin tjeter qe as ju rruhet fare cer flitet e shkruhet ! ;)

  5. lumidrin thotë:

    7 October 2008 @ 1:00 pm

    Ky duhet te jete stili, i opozites, gazetareve, intelektualve?? Shqiptare.
    Per kete kemi nevoje, qetesi e kuptim.
    Pa dyshim s’do jen te gjithe dakort,por shumica e aprovojne, e kuptojne, d,m,th e jetojne.

  6. spiritus thotë:

    7 October 2008 @ 1:31 pm

    Ky duhet te jete stili opozites.? Po i pozites?? Bombardim 24 ore me reklama per arritjet spektakolare? Britma presioni ne parlament? Dhune verbale, opium mediatik, debelizim i shqiptareve?? Rolet jane nderruar: populli eshte lakuriq dhe “mbreti” thote: Ma gezofshi kostumin e bollekut dhe mireqenies me dy shifra!!

  7. bisturia thotë:

    7 October 2008 @ 2:28 pm

    Ndersa grupi i trete qe eshte dhe me i madhi dhe me perfaqsuesi , di te lexoje, te reflektoje, te krahasoje, te analizoje, te mos jete indiferent, te besoje, te mallkoje me vete, te pyese veten dhe te mendoje qe te veproje qe kjo menxyre diktatoriale te mos ndodhe me .

    Dhe pas gjithe ketyre leximeve, analizave, reflektimeve e krahasimeve, cfare nxjerr si perfundim ky grupi me i madh?

  8. J. thotë:

    7 October 2008 @ 3:31 pm

    Ky qytet i ka dhënë kombit dhe botës dy personalitete gjeniale. Njërin në letra; Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve

    Po këta nga peshku i marrin fjalimet e dhoktorit?

    Grup minor ky , por qe shpertheu me shkrime deri ne histeri dhe qe morri me vete dhe sharlatane .

    lol Koth. Ça analize…
    Koth, seriozisht, vendi dhe koha nuk janë që të mund grupi i tretë të vendosë për gjë. Ky reagimi i përdhunë nga një faktor pjesë e historisë së largët, si Nexhi tregon qorrsokakun ku ndodhemi.

    Normalisht ajo temë nuk duhet të përmbante aq shumë postime…

  9. njera thotë:

    7 October 2008 @ 4:08 pm

    Nuk jam dakord ne disa pika, por shkrimi eshte i pranueshem: te ben ta kuptosh mire pikepamjen e tjetrit dhe ta pranosh ate.
    Te flisnin shtruar,qarte e me kuptim edhe politikanet tane, padyshim qe do na behej koka me pak çorbe.

  10. njera thotë:

    7 October 2008 @ 4:12 pm

    Dhe pas kësaj lërini të kthehen në qetësi në varret e tyre, se ata të paktën na lanë pas piramidat dhe murin kinez, ndërsa ky i yni na la pas trashëgim vetëm Salinë.

    Saline dhe sa e sa te tjere si Saliu qe infektojne shoqerine dhe rinine sot. :(

  11. Qafir Arnaut thotë:

    7 October 2008 @ 5:31 pm

    Duhet studiuar kjo puna e Gjirokastres qytet jo muze por MEDUZE. Qender bizantinizmi, qender osmanizmi, qe pjell hoxhe qe behen komuniste. Per bese rrezik qytete te tilla vertet jane KERTHIZA e botes ku gjithcka humb karakterin: lart eshte poshte, poshte eshte lart.

    shkoi ne Gjirokaster ( nje dite mbas intervistes ) dhe beri kete deklarate : Ky qytet i ka dhënë kombit dhe botës dy personalitete gjeniale. Njërin në letra; Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve.

  12. Pjer Thomas thotë:

    8 October 2008 @ 4:58 pm

    Kur ishim femije dhe te rinj, kalonim gjith ato here andej nga kinema “17 Nendori”.

Komentet jane mbyllur ne te gjitha temat e arkivit.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com