Shqipëria ndalon klonimin e njeriut
ERALD KAPRI
Standard
A duhet lejuar klonimi i qenies njerëzore? Po shkencëtarët a duhen lejuar që të zhvillojnë më tej metodën për ta përdorur këtë për qëllime të mira për njerëzimin? Në fakt dashje pa dashje, Shqipëria është përfshirë në këtë vorbull debati botërore tepër esencial. Qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligji për mbrojtjen e shpikjeve industriale, por në disa nene të tij ndalohet klonimi i njeriut, kafshëve apo organeve njerëzore. Politikani dhe shkencëtari i biologjisë, Ethem Ruka, i pari që pa delen e klonuar Dolli në Britani, flet për “standard” në lidhje me këtë çështje.
Gjenetika arriti kulmin kur njeriu arriti të zbulojë pavdekësinë, mitin e përjetshëm. Kjo shpikje vendosi njerëzimin në një dimension të ri të ekzistencës së tij, pasi u vu në dyshim identiteti. Klonimi u interpretua nga religjioni si një sfidë që iu bë krijuesit. Fetë në botë janë bërë njësh në këtë çështje, duke e cilësuar klonimin si një përpjekje e teknologjisë që njeriu t’i rrëmbejë Zotit sekretin e krijimit, në mënyrë që njeriu të arrijë amshueshmërinë pa e shijuar vdekjen. Ndërkaq, feja na mëson se ka amshueshmëri, por deri tek ajo mund të arrihet vetëm duke e shijuar vdekjen. Nga ana tjetër, një kompani amerikane që ka lidhje me një sekt fetar pretendon të ketë arritur klonimin e parë njerëzor, duke bërë që në SHBA politikanë dhe shkencëtarë të bëjnë thirrje për ndalimin e këtij procesi. Në këtë pikë lind pyetja se çfarë qëndrimi duhet të mbajë Shqipëria. A duhet ndaluar kategorikisht klonimi i njeriut? Apo shkencëtarët duhet të lejohen të punojnë për të arritur shërbime mjekësore në shërbim të njerëzimit? Pavarësisht këtyre dilemave, në Kuvend ka mbërritur nga qeveria një nismë e veçantë ligjore e cila ndalon mundësinë e klonimit të qenieve njerëzore, kafshëve apo edhe organeve. Profesori i njohur i biologjisë dhe politikani Ethen Ruka shprehet për “standard” se Shqipëria me këtë nisëm ligjore ka respektuar disa konventa ndërkombëtare të cilat ndalojnë në mënyrë kategorike klonimin e njeriut. “Ka konventa ndërkombëtare që e ndalojnë klonimin, po ashtu edhe ligje në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat ndalojnë klonimin e njeriut”, - shprehet Ruka. Shkencëtari shqiptar shprehet më tej së tashmë debati botëror është përqendruar në idenë se klonimi duhet të ndalohet ose kjo metodë shkencore të përdoret për qëllime njerëzore. “Duke marrë disa qeliza nga trupi i njeriu, ato mund të përdoren për shërimin e shumë sëmundjeve”, - thotë Ruka. Edhe pse në pozicionin e një shkencëtari, i cili në egon e tij ka zhvillimin e shkencës, Ruka pozicionohet me moralin dhe etikën e shoqërisë duke i thënë jo klonimit të njeriut. Por si njeri dhe politikan, ai thotë se kjo metodë mund të bëjë mrekullira për shërimin e njerëzve. Sipas Ethen Rukës, ky projektligj duhet të saktësojë edhe disa elemente të tjera, siç ka të bëjë me fekondimin artificial. “Fekondimi artificial, ose invento, tashmë ka filluar edhe në Shqipëri dhe për këtë duhet të përcaktohet një rregullore e qartë si në Evropë, e cila nuk lejon përdorimin e fetuseve”, - thotë Ruka. Gjithsesi, Ruka është në pritje te debateve për të dëgjuar arsyet e kësaj nismë. Megjithatë, ai shprehet se një nisëm e tillë do të ndalojë klinika të huaja të cilat nuk gjejnë dot hapësirë ligjore në perëndim dhe zgjedhin vendet e varfra për të ngritur klinika me qëllim studimin e klonimit në praktikë. “Kjo nismë besoj do të ndalojë këto lloj klinikash pasi në Shqipëri nuk ka realisht kapacitete njerëzore, por edhe financiare për të hapur klinika të këtij niveli”, - thotë Ethen Ruka. Ai thotë më tej se do të jetë kurioz në lidhje me pritjen që do t’i bëjë shoqëria shqiptare këtij vendimi, por edhe diskutimet e parlamentarëve në komisionet përkatëse në Kuvend.
Projektligji
Projektligji i qeverisë, i cili titullohet “Për pronësinë industriale”, është tepër i gjerë, i përbërë prej gati 200 nenesh, nga të cilat disa prej tyre i përkasin çështjes së klonimit. Në këtë kuptim, klonimi ndalohet rreptësisht në Shqipëri për qëllime industriale. Projektligji parashikon që patentat nuk jepen për rastet kur shpikjet, përdorimi tregtar i të cilave, bie në kundërshtim me rendin publik, moralitetin ose shëndetin publik dhe jetën e njerëzve. Mbi këtë bazë, vlerësohen veçanërisht të papatentueshme, si proceset e klonimit të qenies njerëzore, proceset për modifikimin e vijës embrionale të identitetit gjenetik të qenieve njerëzore, përdorimi i embrionit njerëzor për qëllime industriale a tregtare; proceset për modifikimin e identitetit gjenetik të kafshëve, të cilat ka të ngjarë t’u shkaktojnë atyre vuajtje pa ndonjë përfitim thelbësor mjekësor te njeriu ose kafsha. Metodat për trajtimin e trupit të njeriut ose të kafshës me anën e kirurgjisë a të terapisë, si dhe metodat diagnostikuese, të praktikuara në trupin e njeriut ose të kafshës, ndalohen nga projektligji. Kjo dispozitë nuk zbatohet ndaj produkteve, veçanërisht ndaj substancave apo përbërësve, që përdoren në secilën prej këtyre metodave, apo substancat, që përftohen nëpërmjet transformimeve të brendshme nukleare, për qëllime ushtarake.
Debati
Vendi ynë pritet të preket nga një debat tepër delikat, por në botë ai ka qenë tepër esencial dhe i ndjekur me vëmendje të veçantë nga media. Shkencëtarja që drejton veprimtarinë e kompanisë Clonaid, Dr. Brigitte Boisselier, u shpreh pak vite më parë se në klinikën e saj pritej klonimi i vajze me emrin Eva një ditë pas Krishtlindjeve dhe kjo do të ishte një “sukses shkencor”. Kjo deklaratë mjaftoi për të shkaktuar një debat tepër të gjerë në SHBA ku u përfshi edhe Presidenti Xhorxh Bush. Menjëherë Presidenti amerikan Xhorxh Bush i bëri thirrje Kongresit të nxjerrë jashtë ligjit klonimin njerëzor. Debati udhëtoi edhe në Evropën konservatore ku Presidenti francez Zhak Shirak tha se ky zhvillim përbënte “një krim dhe ishte në kundërshtim me dinjitetin njerëzor”.
Klonimi
Për herë të parë klonimi u realizua në pranverën e vitit 1997 nga disa shkencëtarë anglez dhe kjo ishte delja Dolli. Lajmet në gazeta të ndryshme anembanë botës konfirmonin faktin duke shokuar njerëzimin. Ethem Ruka tregon emocionet e tij kur e pa për herë të parë delen Dolli në vitin 1998. Po çfarë është klonimi? Përkufizimi i tij është “një proces me anë të të cilit prodhohet një organizëm identik nga ana gjenetike”. Shumë kafshë janë klonuar, si dele, dhi, lopë, derr, por shumica e këtyre kafshëve të klonuara kanë mangësi. Një kompani e quajtur “Clonaid” pretendon se ka prodhuar tashmë tre fëmijë të klonuar, por ky fakt nuk është vërtetuar akoma nga teste gjenetike të pavarura. Sipas zbulimeve të reja, klonimi njerëzor mund të jetë i pamundur. Studiuesit e Universitetit të Pitsburgut thonë se të gjitha përpjekjet e kohëve të fundit për të klonuar majmunë nuk kanë dalë me sukses, sepse qelizat e klonuara të primatëve nuk ndahen njëlloj si ato të kafshëve të tjera, si lopët, derrat ose delet. Njerëzit, ashtu si edhe majmunët janë primatë. Studiuesit thonë se zbulimi i tyre ngjall edhe më shumë dyshime mbi pretendimet e një sekti fetar se ka kryer eksperimente të suksesshme të klonimit njerëzor. Profesor Ethem Ruka shprehet se klonimi i njeriut është i munduar për shkak edhe të zhvillimit të teknologjisë. Kërkuesit kanë arritur të krijojnë embrionin-klon duke përdorur qelizat somatike të dy burrave dhe vezët e tri grave. Kanë krijuar kështu 21 embrione, pesë prej të cilëve kanë mbijetuar dhe janë rritur deri në stadin ku embrioni ka rreth 40-72 qeliza. Në këtë stad zhvillimi, janë formuar qelizat e padiferencuara, të cilat kanë të njëjtin kod gjenetik të dhuruesit. Këto qeliza pluripotente, mund të përdoren më vonë për qëllime terapeutike si rindërtimi i organeve për transplante të cilat nuk do të refuzoheshin nga trupi i pacientit etj. Pikërisht në këtë pikë qëndron rëndësia e kësaj arritjeje. Duke krijuar lehtësisht embrione-klone do të jetë më e lehtë të fitohen qeliza pluripotente me material gjenetik të njëjtë me atë të pacientit. Asgjë nuk mund ta pengojë teknologjinë, e cila ka klonuar shumë kafshë, që të nxjerrë nga pasqyra imazhin e njeriut.


23 Korrik 2008 @ 5:14 pm
Te me falni, por gazetari ka thene ketu budallaleqet me te medhaja qe mund te mendohen. Nuk di nga t’ja filloje ie ziu njeri ta komentoje kete lajm.
Pjesa Debati eshte e paarritshme.
Une po pres vazhdimin, kur te pershkruhen emocionet e Ethem Rukes, se kishin harruar t’i shkruanin ne kete artikull.
23 Korrik 2008 @ 5:32 pm
Sikur i thone “in vitro” me duket, apo “invento” eshte versioni shqip? Si puna e “prevaloje” psh?
23 Korrik 2008 @ 5:37 pm
vetem mos na ikin dritat kur do klonojne komandantin se kushedi ca do dale pastaj
23 Korrik 2008 @ 6:01 pm
vlora hahahahaha. po uji? Mua komenti i pare qe me erdhi, por nuk e shkruajta se mu duk vetja shume cinike sihte: sa mire qe po e ndalojne, se u be deti kos: ishin shtuar ca si shume.
In vitro - Wasu
23 Korrik 2008 @ 7:46 pm
Jo keq shqiperia Po ben hapa te ndjeshme drejt BE. Shpjet do ta kemi ne gjirin tone. Ky ligj e afron shume afer familjes Evropiane . Ne fakt ky eshte nga paktat masa qe kane mbetur per tu antarsuar. Me nivelin e parlamentit, qeverise dhe korupsionit, mund te them me bindje se shqiperia ka bere shume hapa perpara. Mjafton te shikoni debatin konstruktiv te bere ne parlament kete jave per buxhetin dhe te nxirni konkluzione
23 Korrik 2008 @ 7:52 pm
m’paskan klonue n’Amerik
24 Korrik 2008 @ 9:37 pm
Si i tha ai Cukut, ti do me vdesesh mua. Dhe keta gazetaret tane me lajme koti sensacionale dhe te pabazuara do me vdesin mua.
O Krapi, m’fal Kapri, po bej ndopak kerkim para se te shkruar a derbardhe, qofte dhe 10 minuta ne internet, se kollaj eshte. Gjenetika arriti kulmin me projekte si Human Genome Project dhe projekte te ngjashme qe jane duke dekoduar ADN-ne e njeriut dhe jane teper premtuese ne kurimin e nje sere semundjesh, jo me klonimin e deles dhe te minjve sic thua ti.
Nese teknologjia e klonimit dhe gjera te ngjashme kane patur ndikime pozitive per njerzit, nuk jane ne keto iderat fantastiko-gazetareske, po ne mundesite e kurimit te shume semundeve serioze me stem cells.
Dhe shyqyr qe klonimi i njerzve nuk eshte as i mundur as i lejueshem tani per tani, se do ngeleshim gjithe jeten me Berisha dhe Nano dhe Rama pastaj.