Shqiperia, ja drejtesi ja diktature

Andrea Stefani
Gazeta Shqip
06.09.2008

Ashtu si në fillim të viteve ‘90, Shqipëria ndodhet sot përsëri në një udhëkryq historik. Dhe përsëri dilema politike është: demokraci liberale apo diktaturë, sundim apo liri? Njëra rrugë me përqendrimin e pushteteve në një dorë nuk mund të mos shpjerë në diktaturë, larg Evropës, larg NATO-s, në skllavëri. Rruga tjetër, ajo e ndarjes së pushteteve, nuk mund të mos shpjerë në demokraci liberale, në Evropë, në NATO në liri. Më në fund, këmbanat e rrezikut po bien edhe në “inglisht”. Pak ditë më parë qe edhe ambasadori britanik në Tiranë që nënvizoi, gjatë një interviste, se cenimi i institucioneve të pavarura të shpie drejt diktaturës. Nga do t‘ia mbajë Shqipëria? Eshtë një dilemë që do të marrë përgjigje shumë shpejt. Sepse sot po debatohet për reformën në drejtësi dhe raporti i pushtetit të drejtësisë me pushtetin politik, është një formë thelbësore e dilemës mes demokracisë dhe diktaturës: A do të bëhet në Shqipëri drejtësia e pavarur apo do të mbetet skllave e politikës? Ky është sot mejdani i betejës së mbrapme mes lirisë dhe diktaturës.

***

Kush i ka të gjitha pushtetet nuk mund të qeverisë, por e ka të pamundur të mos sundojë. Qeverisja është tipar i demokracisë liberale, sundimi i diktaturave dhe autoritarizmave. Qeverisja presupozon ndarjen e pushteteve, sundimi bashkimin e tyre. Shumë politikanë po flasin sot për “reformën në drejtësi”, por sa sinqerisht e kanë? Sepse që të mbështesësh me zemër drejtësinë, duhet të mos kesh depozituar në jetë interesa të ndëshkueshme nga drejtësia. Dhe interesat, pasi depozitohen, vështirë se reformohen. Nuk është njeriu që reformon interesat, por interesat që reformojnë njeriun. Për të mirë apo për të keq. Interesat vetëm mbrohen. Madje, me tërbim. Prandaj jo pak politikanë shfaqen sot si kundërshtarë të fshehtë të një reforme të vërtetë të drejtësisë. Sepse vijnë nga pushtete të korruptuara, ose janë përfaqësues pushtetesh të korruptuara. Interesa të vjetra dhe të reja korruptive i shtyjnë të sabotojnë një reformë në drejtësi, që i kërcënon me ndëshkimin e korrupsionit të të gjitha qeverisjeve të derisotme. Për shkak të rinovimit të ngadalshëm, një pjesë e konsiderueshme e asaj, që quhet klasë politike, shfaqet në konflikt interesi me një reformë reale në drejtësi ndërkohë që vullnetet politike janë një faktor i rëndësishëm për reformën. Kemi hyrë në një qark vicioz dhe ai nuk mund të çahet pa hyrë në lojë forca të tjera. Cilat mund të jenë ato?

Juristët, të cilët në fakt, po luajnë një rol më aktiv se kurrë për të kundërshtuar projektet dhe projektligje të shumicës që shihet qartë, se synojnë një “reformë” që e mban drejtësinë të kontrolluar nga politika dhe pushteti, një “reformë” që e mban prokurorinë nën kontrollin, presionin dhe mëshirën e një politike të korruptuar. Ata politikanë dhe parti politike që aspirojnë vërtet çlirimin e drejtësisë nga thonjtë e politikës, duhet të mbështesin prokurorët dhe gjyqtarët si dhe shoqatat e tyre në përballje me tendencat autoritariste të qeverisë, dikasterit të drejtësisë dhe titullarit të saj Alibeaj.

“Ndërkombëtarët” janë një tjetër faktor që po shfaqet më aktiv duke këmbëngulur për opsionin e një drejtësie të pavarur. Të gjithë përfaqësuesit e Perëndimit po deklarohen për drejtësinë e pavarur, gjithnjë e më shumë ambasadorë dhe, akoma më teknikisht, edhe misioni “Euralius” në një formë apo në një tjetër, kanë shfaqur rezerva ndaj projekteve të qeverisë. Një opozitë e vërtetë duhet t‘i mbështesë ata, nëse është opozitë e vërtetë e një pushteti që synon të mbajë të kapur drejtësinë.

***

Shihet qartë se një rol të rëndësishëm për të dalë nga rrethi vicioz i skllavërimit të drejtësisë nga politika dhe i politikës nga korrupsioni, ka vetë politika. Diç më pak se dy dekada pasi u përmbys komunizmi, liria është e detyruar të ndeshet përsëri me diktaturën që po ringjallet, pikërisht për faktin se politikanë si Berisha dhe Nano, që morën në dorë drejtimin e proceseve politike 18 vjet më parë, nuk lejuan që të krijohet një pushtet i pavarur i drejtësisë. Sistemi komunist u përmbys, por nuk u përmbysën raportet e pushtetit politik me pushtetin e drejtësisë, raportet e partisë në pushtet me shtetin. Dhe mund të ketë ndodhur të ketë liri pa demokraci, por jo liri pa drejtësi. Me përmbysjen e komunizmit Shqipëria arriti një gjysmëdemokraci (pluralizëm dhe zgjedhje larg së qenurit të rregullta), por ende jo lirinë që buron nga ndarja e pushteteve. Sepse Partia Demokratike, që erdhi në pushtet, vazhdoi të drejtojë me grusht të hekurt të gjithë vendimmarrjet e gjyqësorit që kishin rëndësi politike. Pjesën tjetër e plotësoi korrupsioni në rritje. PD dhe lideri i saj i përjetshëm, Sali Berisha, vazhduan të përdorin prokurorinë për të goditur kundërshtarët politikë deri edhe liderin e opozitës në atë kohë, Fatos Nano.

Kapja e pushtetit të drejtësisë (prokurorisë dhe gjykatave në të gjitha nivelet) ishte edhe shkaku thelbësor i degradimit të qeverisjes që nuk mund të mos precipitonte në kolapsin e shtetit në vitin 1997. Sipas konkluzioneve edhe të FMN ishte pushteti absolut i ish-presidentit Berisha që pengoi drejtësinë të ndërhynte në kohë për të hetuar dhe bllokuar piramidat. Madje, Berisha shkoi edhe më larg. Deklaroi publikisht se paratë e futura në piramida ishin të pastra, duke iu kundërvënë edhe dyshimeve të antimafies italiane, një deklaratë që i nxiti shqiptarët të hidhnin në piramida miliona të, tjera që nuk do t‘i merrnin më. Sikur drejtësia të kish qenë e pavarur, e lirë nga interesat korruptive të pushtetit dhe politikës, e lirë nga Berisha, Shqipëria do ta kish shmangur krizën e thellë dhe kolapsin e shtetit. Viti ‘97 tregoi se ku të shpie “drejtësia” e skllavëruar nga politika. Ky kancer nuk u kurua as me ardhjen në pushtet të socialistëve. E mbetur skllave në thonjtë e politikës, drejtësia nuk u lejua të ndëshkojë korrupsionin e PD, si dhe krimet e vitit të mbrapshtë ‘97. Për të bllokuar drejtësinë PD dhe strategu i saj Berisha, intensifikuan protesta të dhunshme, duke shantazhuar me destabilizimin e vendit. Drejtësia nuk u lejua të ndëshkojë as aktet e rënda politike si grushti i shtetit i shtatorit ‘98. Dhe këtu kanë përgjegjësi edhe “ndërkombëtarët” që të shantazhuar po ashtu me destabilitet nga Berisha, ndërhynë që për atë krim të rëndë kundër shtetit të mos hetohet as Berisha dhe as ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij. Ndaj, kur sot kritikojnë Topallin se i jep direktiva prokurorisë për hetimin e Gërdecit, “ndërkombëtarët nuk bëjnë gjë tjetër veçse korrigjojnë një gabim të tyre të vjetër. Dhe aty ku pas krimit nuk vjen ndëshkimi, drejtësia nis e jep shpirt dhe krimi pjell krim. Mungesa e drejtësisë dhe veprimit të ligjit çoi në korrupsion edhe pushtetin e socialistëve. Eshtë po i njëjti shkak që ka çuar në korrupsion edhe më të thellë deri edhe mafioz, pushtetin e dytë të “demokratëve” të Sali Berishës. Ky i fundit ka sy e faqe dhe del e flet si një kaudilio për idealin e tij personal të antikorrupsionit, duke pasur si sfond kupolën e llahtarshme të shpërthimit në Gërdec që është sinteza tragjike më elokuente e trafiqeve, korrupsionit të një kupole mafioze në qeverisje. Sikur të kishim pasur drejtësi të pavarur nuk do të kishim pasur Gërdec. Pas Gërdecit dje u zbuluan në median shqiptare edhe lidhjet e kësaj kupole të pushtetit me “trafikantin rajonal” Damir Fazlliç, këshilltar konfindencial i Kryeministrit dhe i sapo arrestuar në Bosnje. Gazetari Mero Baze, deri dje një nga mbrojtësit më të zellshëm të Berishës, por sot një nga denoncuesit më të ashpër të tij, ka publikuar në “Tema” detaje të hollësishme të bashkëbizneseve të trafikantit Fazlliç me njerëz të familjes Berisha dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij si ministri Basha. Duken si biznese që bien erë pastrimi parash. Dhe Fazlliç rezulton të jetë ndjekur penalisht në Bosnjë dhe Kroaci, pikërisht për pastrim parash, ndërkohë që këshilltari i Xhinxhiç, Kryeministrit serb të vrarë nga klani i Zemunit, ka pohuar se Fazlliç përdorej që “të mbarojë punët më të ndyta korruptive nga Shqipëria deri në Bosnje”. Dhe ky trafikant ka qenë edhe këshilltar i Kryeministrit që përbetohet natë e ditë ekraneve për idealin e antikorrupsionit. A do ta hetojë prokuroria këtë skandal të radhës? Nëse jo, si mund të shpëtojë Shqipëria nga diktatura e kësaj kupole korruptive me ramifikim ndërkombëtar pa krijimin e një drejtësie dhe prokurorie të pavarur?

***

Cili do të jetë roli i opozitës politike në këtë moment historik? Do të bashkohet fuqishëm me gjyqtarët dhe ndërkombëtarët për t‘i imponuar pushtetit të korruptuar të Berishës një pushtet drejtësie të pavarur, apo e shantazhuar nga Berisha për shkak të korrupsionit të vjetër që trashëgon nga 8 vjet qeverisje, do të arrijë një pakt me Berishën në kurriz të pavarësisë së drejtësisë pra, edhe të lirisë? Nëse ndodh kjo e fundit, do të qe një konsensus i një korrupsioni rozë me korrupsionin blu kundër lirisë së drejtësisë. Nëse jo, do të thotë që e gjithë opozita politike të mobilizojë të gjithë qytetarët dhe në aleancë me juristët, prokurorët, gjyqtarët dhe ndërkombëtarët ti imponojnë pushtetit të korruptuar të Berishës një reformë në drejtësi që do ti japë liri jo vetëm drejtësisë por edhe Shqipërisë. Ashtu si në vitin 1991 sot është në lojë liria. Atëherë shqiptarët arritën të çlirohen nga komunizmi. Po çlirimi është vetëm një akt që nuk zgjat shumë pa u krijuar sistemi që mundëson dhe jetëgjatëson lirinë. Dhe themel i një sistemi të tillë është, drejtësia e pavarur. Shqiptarët e kanë në dorë ti japin edhe një herë shans lirisë, demokracisë dhe aspiratës për integrim në Europë. Thirrja liri-demokraci(!) duhet të ringjallet edhe më e fuqishme në parullën liri-drejtësi! Ka ardhur ora të provohet se cilat nga partitë e opozitës janë të vendosura për një drejtësi të pavarur, si kusht bazë për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Sepse kjo është detyra e opozitës së vërtetë politike përballë një pushteti autoritarist dhe klase politikanësh thellësisht të korruptuar që ndërsa flasin për reformën në drejtësi, farkëtojnë me projektligje pranga të reja për drejtësinë. Sot, si 18 vjet më parë aspirata e shqiptarëve për liri përballet me një tjetër diktaturë, diktaturën e mafies dhe korrupsionit.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. edrus thotë:

    6 October 2008 @ 8:54 pm

    Kush i ka të gjitha pushtetet nuk mund të qeverisë, por e ka të pamundur të mos sundojë.

  2. toko thotë:

    6 October 2008 @ 8:59 pm

    Qeverisja është tipar i demokracisë liberale, sundimi i diktaturave dhe autoritarizmave.

  3. toko thotë:

    6 October 2008 @ 9:01 pm

    Sepse që të mbështesësh me zemër drejtësinë, duhet të mos kesh depozituar në jetë interesa të ndëshkueshme nga drejtësia. …..
    …Juristët, të cilët në fakt, po luajnë një rol më aktiv se kurrë për të kundërshtuar projektet dhe projektligje të shumicës që shihet qartë, se synojnë një “reformë” që e mban drejtësinë të kontrolluar nga politika dhe pushteti, një “reformë” që e mban prokurorinë nën kontrollin, presionin dhe mëshirën e një politike të korruptuar.

  4. censura thotë:

    6 October 2008 @ 9:06 pm

    drejtesia tek ne eshte per fat te keq,shume e korruptuar.Ky eshte perceptimi i “kafeneve’, dhe rezultati i sondazheve.Cdo maxhorance me nje fije serioziteti do te bente perjekje per te nderhyre, dhe do perpiqej qe te realozonte kete ne konsensus me opoziten.
    Muhabeti keshtu shtrohet, jo me llafe ne tym.Dhe debati behet per menyrat si duhet nderhyre.Po te thuash stop per cdo nderhyrje, dmth te jesh jashte realitetit.

  5. lumidrin thotë:

    6 October 2008 @ 9:31 pm

    Thirrje opozites per te mbrojtur lirin?Gramozi,Fatosi,Skenderi,Iliri,Nexhmija,Ramizi,Fehmiu,e Namiku.
    UUUUUUUUUUuu.
    Kulmi i injorances, hipokrizis e shkerdhatacis.

  6. toko thotë:

    6 October 2008 @ 9:44 pm

    Une personlisht nuk jam kundra cdo lloj nderhyrjeje. Une jam kundra nderhyrjeve me demokraci liberale. Pasi me demokraci e drejtesi liberale qe kemi ne nuk besoj se ka vend ne bote. Ti vret ai te fal, ti hedh ne ere nje fshat te re ai te le te lire. Ti vjedh energjine elektrike ai te perkrah “gjynah i shkreti” Ti mbjell hashahs ai thote “studion djemte ne perendim”.
    Stefani ka te drejte kur thote se ndryshimet nuk mund te vijne nga te koruptuarit pasi ata …kane depozituar në jetë interesa të ndëshkueshme nga drejtësia…. por ama kush do ta bej kete Juristet? Ata qe jane vegla te interesave te ndeshkushme nga drejtesia? Apo alenca e opozites qe vete ka nje qere me depozita te tilla te jashteligjeshme.
    Kam nje fakt interesant personal per keta juristet. ne nje gjyq qe kisha avukati/juristi me thote me jep $2000 ti a jap gjukatesit dhe cdo gje mer fund. Keta mendoni se do te bejne reformen. Duke mos diskutuar per PS, PSD apo LSI pasi dihen si jane, po keta Mjaftistet e G99shit me idene se duhet pak korupasion se keshtu ecen perpara ekonomia do ta bejne ndryshimin.
    JO JO JO dhe JO. Duhet demokraci ligjore, qe do te thote se ligji duhet te jete i eger per shkelesit dhe duhet zbatuar me po ate egersi. Ligji duhet te jete mbi cdo tjeter interes, mbi interesat ekonomike, mbi interesat kombetare, mbi intersat njerezore, mbi interesat politike, mbi intersat personale.
    Se nje ligj i tille dhe zbatimi i tij eshte nje ligj edhe ekonomik edhe kombetar edhe njerezor edhe politik dhe personal.
    Nje ligj i tille i forte dhe zbatimi i tij eshte ekonomik, se nuk do te lejoj vjedhjen, korupsionin dhe shperdorimin. Kush eshte sot faktori kryesor qe jemi ne kete gjendje ekonomike? Valle eshte mungesa e demokracise liberale? Ka me liberale se ne qe nuk paguajme taksat, dritat, genjejme ne sigurimin e punojsve, vjedhim hapur tenderat me parate borxh nga BB dhe FMN, Japim leje ndertmi ne baze te % te cmimit te ndertimit, sa kemi betonuar cdo cep te shqiperise pa asnje vlere ekonomike?
    Eshte kombetar se nje ekonomi e forte eshte dhe ben nje komb te forte. ka me liberal sa ne qe lejojm Lazaratis te tmerojne fshataret minoritare sa ato te kerkojne te shkeputen nga shqiperia. Ka me liberale se ne sa nga varferia te lejojme popullaten te shese kombin e tij per nje pasaporte apo leje kalimi ne kufi? Ka me liberale se ne qe nuk bejme dot nje regjistrim te popullsise se kemi frike se njerezit nga varferia do te deklarohen cdo gje vec shqiptar.Ka me liberale se meqense jemi te varfer ekonomikish nuk ndertojme dot nje anetene telveizeve ne jug per fshatrat qe te shikojne edhe ato kanalet shqiptare jo vetem greke? Ka me liberale se ne qe nga korupsioni nuk kemi force te ngreme zerin per ceshtjet kombetare se kemi frike se kundershatert e ceshtjes sone kombetare do te na perzene nga karigja sepse jemi te korupatuar.
    Eshte njerezor. Nese nuk do te vidhet energjia elektrike do te kete drite per te tere. nese nuk paguhet mjeku shteteror do te kete shendetesi per te tere. Nese nuk do te kete korupsion do te kete rruge, ndertesa e ajer te paster per te tere. Nese nuk do te kete korupsion do te kete buke edhe per te varferin, qe sot ndihma i vidhet ne magazinat apo shkurtohen nga nendore pagesat per tu futur ne shqiperi.
    Eshte politike. Partia qe e zbaton kete ligj me ndryshimet qe do te krijohen ne jeten e popullit do te bej ti jape voten kesaj partie ne zgjedhjet e ardheshme.
    Eshte personal. Cdo e mire e Shqiperise duhet eshte e mira tona.
    Imagjinatat per demokraci liberale ajen te atyre kopjaceve “moderne” qe emrat i kane Argita, Leonardo, Fiona apo Amamaroldo por sillne si Hasanet e Pjerinet e shekullit te kaluar. Jane tangerlligje per tu dukur “moderne”. Sot kemi nevoje per vepra jo per tangerligje me shishe tekilla

  7. whisper the real thotë:

    6 October 2008 @ 10:05 pm

    Ashtu si në fillim të viteve ‘90, Shqipëria ndodhet sot përsëri në një udhëkryq historik. Dhe përsëri dilema politike është: demokraci liberale apo diktaturë, sundim apo liri?

    Eh more Andrea…me duket dhe jeton mes makthesh.
    Duhet te jesh ose i shkare nga trute kohet e fundit ose shume i lig qe te shkruash kete hyrje HALUCINANTE artikulli, qe me deduksione personale te tuat perpiqet te manipuloje e te sugjestionoje ne menyre shume qesharake ate pjese te opinionit publik qqe eshte akoma viktime analistesh e opinionistesh qe ndryshe nga koleget e tyre neper bote NUK U KA DALE ASNJE ANALIZE APO PARASHIKIM…lol
    Shqiperia antaresohet ne Nato, kukuvajka stefani predikon dilemen e tij te diktatures, Shqiperia po pergezohet aq shume nga institucionet nderkombetare qe monitorojne zhvillimet demokratike ne Shqiperi kurse kukuvajka stefan vazhdon me dilemen e tij te diktatures, Shqiperia shenon ulje te ndjeshme te shkalles se korrupsionit dhe kukuvajka stefan perseri fyellit ne vrimen e dilemes diktatoriale…
    Ku jeton more Stefan? Je ufo? Nuk i ke syte ne balle, meqe ben analistin dhe opinionistin? Po e di ti more stefan se kur koleget e tu ne bote ulen per te bere nje analize kane perpara vetem dokumentacion dhe fakte dokumentare dhe jo pallavra dhe dilema alla fshatce?
    ne cfare udhekryqi historik ndodhet Shqiperia more zoteri? Udhekryq historik ishte 90-ta sepse u ndrrua sistemi, u shporr nje sistem i ligjeruar diktatorial dhe u vendos sistemi pluralist i demokracise. U shduk ekonomia e centralizuar dhe u vu ekonomia e tregut, u hoq neni famekeq “55″ dhe u njoh Karta e Lirive dhe te Drejtave Themelore te Njeriut.
    Kujt ia shet keto procka “udhekryqesh historike”,more analist?
    Ku e sheh diktasturen more zoteri apo se ti dhe majmunet e tjere non stop 24 ore ne dite shpifni, shani, dezinformoni, mashtroni, genjeni, fyeni, ofendoni qe nga presidenti dhe kryeministri e deri te qeveritari i fundit i “diktatures” Berisha! Si nuk u vjen turp qe halucinacionet tuaja personale na i shisni si analiza te cilat do na hapin syte ne te verberve????
    Kjo qeverisje ka treguesit me te larte ekonomike ne 18 vjetet e fundit te konfirmuar nga te gjitha institucionet nderkombetare dhe stefanaqi si nje kasander qesharake na thoka qe qenkemi ne dileme…sa mire qe na e the se nuk e dinim…ne fakt une e dyshoja…sepse horoskopi kishte disa jave qe me dilte gabim…lol
    Sharlatan!

  8. Taqi thotë:

    6 October 2008 @ 10:30 pm

    Andrea Stefani ku ikur per … LESH

  9. Zana thotë:

    6 October 2008 @ 10:49 pm

    Shumica e komentuesve sjellin ketu nenvizime te shkrimit.Cilido mendim i juaji ka gjasa te ishte me i mençur se ato qe thote Shtjefni.Kjo idea e udhekryqit te perjetshem te Shqiperise eshte budallallek.Shqiperia ka hyre nje here e pergjithmone ne rrugen e demokracise.Mos beni terror kot ,dy paresh.

  10. whisper the real thotë:

    6 October 2008 @ 10:52 pm

    Pas Gërdecit dje u zbuluan në median shqiptare edhe lidhjet e kësaj kupole të pushtetit me “trafikantin rajonal” Damir Fazlliç, këshilltar konfindencial i Kryeministrit dhe i sapo arrestuar në Bosnje.

    lol

    Fazllic sot pergenjeshtroi lajmet e rreme te perhapura nga Top Channel dhe Shqip per gjoja arestimin e tij, pikerisht ne nje interviste qe i dha ne Londer korrespondentit te Top Channel ne Londer, Veliaj.
    Pra Fazllic per fatin e keq te mediave shqiptare gezon lirine e plote ne tere dimensionet e saj, si nje biznesmen dhe qytetar i lire i botes.

    ps. me siguri do kete nderhyre Berisha per lirimin e tij nga burgu….lol

  11. artian thotë:

    6 October 2008 @ 10:54 pm

    Nuk qeka i arrestum e? po te shtunen pra keshtu tha shtypi?
    Ubo lomsh ky muabet ..

  12. lupi thotë:

    7 October 2008 @ 6:59 am

    visperima…ke harruar te thuac rrofte Sali Birisha ne fund te jermit tend.

  13. kallash thotë:

    7 October 2008 @ 10:20 am

    Eshte shume vone qe Shqiperia te kthehet prape ne diktature (ka diktature qe ndikon per keq, por ka edhe diktature qe ne momente dhe periudha te caktuare ndikon per mire. E une per kete diktaturen e fundit e kam llafin.). Ne femer e çvirgjeruar nuk mund te kthehet prape e virgjer. Po ashtu, Shqiperia qe u shkerdhye para e mbrapa ne vitet 90 -te nuk mundet as te mendoje per nje pushtet te centralizuar, dhe jo me ta krijoje ate. Ah po ajo ka tendenca te forta per te shkuar drejt nje pushteti te mafiatizuar, ku ligjin e ben i forti dhe paraja. Sistemi i drejtesise eshte pothuajse teresisht i koruptuar. Njerezit qe punojne ne to (gjyqtare, prokurore, ndihmes gjyqtare, notere, avokate, permbarues gjyqesor etj.), ashtu si doganieret, tatimoret, policet etj., kundrejt ryshfeteve anashkalojne drejtesine duke favorizuar kriminelet, batakçinjt, hajdutet, tutoret e prostitutave, tregetaret e droges etj.etj. Prandaj drejtesia ka nevoje jo vetem per reforme por edhe per lende te pare. E me lende te pare une kuptoj burimet njerezore. Sado qe te reformohet sistemi i drejtesise ai nuk mund te funksionoje siç duhet me keta njerez qe ne masen 95% kane marre ryshfete apo kane favorizuar ata qe duheshin ndeshkuar. Prandaj ky eshte nje proçes shume i veshtire dhe qe kerkon nje impenjim te madh nga politika, pra nga ligjevenesit. Por kur keta jane lesh e li per vehte nuk ka se si te reformojne sistemin e drejtesise. Duket sikur jemi ne nje rreth vicioz pa dalje. Eh ashtu jemi, ndaj duhet te stimulohet me çdo kusht dalja e nje force te re politike, me njerez te panjohur per afere te pista, duhet te shtohen fondet per drejtesine ne menyre qe te mund te punesohen gjykates e prokurore te huaj (ashtu siç behet me blerjen e futbollisteve) derisa ne te pastrojme kete kase njerezish te felliqur dhe te koruptuar, por edhe te destinuar per te qene te tille.

  14. spiritus thotë:

    7 October 2008 @ 3:32 pm

    E c na e bete kete NATO-n si dikur Enveri Kampin Socialist.Dhe ne emer te nje aleance me Vellain e Madh Sovjetik, Enveri ndertonte kultin e tij, ndertoi sistemin e drejtesise sipas midese se tij dhe …45 vjet gjithcka nen kontrollin e tij.Analogjia nuk eshte e njejte, por gjithsesi, te mos shikosh se sistemi drejtesise eshte nen kontrollin e korrupsionit dhe pushtetareve te radhes , kjo do te thote ose je i verber ose nuk do te shikosh.

  15. ina thotë:

    1 November 2008 @ 4:33 pm

    Fazllic eshte nje tjeter hallke e pazgjidhur e korrpsionit shqiptar , qe per fat te keq bie mbi kurrizin tone. ne vendin tone nuk ka DREJTESI pasi ajo eshte ne duar te gabuara , ashtu si dhe pushteti.

Komentet jane mbyllur ne te gjitha temat e arkivit.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com