Shqipëria, 75% e territorit me Brucelozë
Shekulli
23-02-2007
Elgantina Bardhi
Sëmundja e brucelozës po ecën me ritme të shpejta, jo vetëm duke shënuar përhapje të madhe tek bagëtitë, por tashmë duke rrezikuar seriozisht shëndetin e njerëzve. Madje specialistët pohojnë, se kafshë me brucelozë janë evidentuar në rreth 75 për qind të territorit të vendit. Sipas menaxheres së bazës së të dhënave në projektin e realizuar nga BE-ja, “Monitorimi i Shëndetit të Kafshëve”, Brisilda Sotira, vatra të nxehta të brucelozës tashmë kanë kaluar nga Jugu në Veri. Madje, ajo theksoi se të gjendur përballë këtij problemi, të gjitha kafshët, që mendohet të jenë rreth 1 milionë e 700 mijë të tilla, do të pajisen me certifikatë, në mënyrë që lëvizja e tyre të jetë sa më e kontrolluar. Ndërsa specialistët e Shëndetit Publik, pohojnë se çdo vit po preken nga bruceloza mbi 1 mijë persona.Zona e prekura
Nga Jugu në Veri. Sipas specialistes, Brisilda Sotira, projekti i tyre fillimisht u përqendrua në 10 rrethe të Jugut, pasi ato ishin më problematiket por, për fat të keq, bruceloza nuk ka kursyer edhe zona të tjera. Kështu Korça, Saranda dhe Gjirokastra, sipas saj, kanë qenë më të infektuarat, pasi sëmundja është shfaqur fuqishëm në njerëz dhe në kafshë. Ndërsa specialisti veteriner, Kujtim Mersini theksoi se zonat e nxehta të brucelozës, kanë filluar të shfaqen tashmë fuqishëm edhe në Veri. “Në fillim, vatra ishte e nxehtë në Gjirokastër, por pas një periudhe kohe u ngjit në Korçë dhe Kolonjë. Ndërsa tani ka filluar të ngjitet në Librazhd, Elbasani Dibër, Kukës, madje edhe në Tropojë janë evidentuar raste”,- thotë ai, duke shtuar se vetëm zona Veri-Perëndimore e vendit nuk është prekur ende nga bruceloza. Por, ajo çka është më dramatike për specialistët, është fakti se bruceloza tashëm njihet jo vetëm në kafshë, por edhe në njerëz.
Shkaqet
Lëvizja e pakontrolluar nga njeri vend në tjetrin, mosvaksinimi dhe mbi të gjitha neglizhenca e pronarëve të bagëtive, kanë sjellë këtë situatë shumë problematike. Kështu, specialistët pohojnë se mos vaksinimi masiv i kafshëve është një ndër shkaqet kryesore që ka stimuluar këtë situatë, që vetë epidemiologët e quajnë alarmante. Sipas specialistes Brisilda Sotira, njerëzit nuk janë korrektë ndaj vaksinimit. Ndërsa gjurmimi i kafshëve ose brucelizimi, që është një test alergjik që bëhet për sëmundjen e brucelozës, rritësit e bagëtive nuk e bëjnë me korrektesë. Situatë shumë problematike, sipas saj, është edhe lëvizja e pakontrolluar e kafshëve nga një zonë në tjetrën, qofshin këto lëvizje brenda vendit, por edhe jashtë vendit. “Kohët e fundit kanë filluar lëvizjet tregtare të kafshëve me Greqinë apo me Maqedoninë dhe kjo ka sjellë vatra të reja të infeksionit të brucelozës. Kështu, në zonën e Dibrës apo Bulqizës, nuk kemi pasur probleme më parë me brucelozën, por tregtimi me Maqedoninë ka sjellë vatra të reja të brucelozës”,- shpjegon ajo. Por lista e shkaktarëve të brucelozës nuk mbaron këtu, pasi konsumimi i qumështit, mishit, gjalpit dhe djathit, kanë infektuar njerëzit, duke u bërë pre e sëmundjes së brucelozës. “Fatkeqësisht, njerëzit nuk e dinë rrezikun e konsumimit të këtyre produkteve, madje ka nga ata që e konsumojnë qumështin të pazier apo djathin e pastazhionuar dhe një gjë e tillë ndikon shumë në marrjen e infeksionit”,- thotë specialistja Sotira, duke shtuar se asnjëherë qumështi nuk duhet konsumuar i pazier, apo djathi i pastazhionuar, minimumi 3 muaj në kripë.
Sotira: Do të certifikojmë të gjitha bagëtitë
Pas alarmit për përhapjen e sëmundjes, e vetmja zgjidhje nga specialistët është marrja e masave për reduktimin e dëmit. Specialistja Sotira, thekson se me anë të projektit “Mbrojtja e Shëndetit të Kafshëve” do të synohet pajisja e çdo bagëtie me certifikatë, në mënyrë që lëvizja e tyre të jetë e kontrolluar dhe të evitohet infektimi me brucelozë. “Kështu, kafshët do të kenë targat e veta dhe pronari i kafshëve do të ketë patentën e krerëve të kafshëve” me të cilat do të lëvizë nga njëri vend në tjetrin”,- thotë Sotira, duke shtuar se me anë të këtij procesi po mundohen të arrijnë edhe standardet evropiane, pasi nëse do të eksportohet mishi i kafshëve dhe nënproduktet e tij, vendet e tjera nuk e pranojnë nëse nuk është e regjistruar bagëtia. Ndërkohë, ajo shpjegon se në momentin që zbulohen raste në kafshë me brucelozë, duhet të bëhet eliminimi në kohë i kafshëve që rezultojnë pozitive ndaj infeksionit të brucelozës. Por, ajo që është më e rëndësishme, sipas saj, është ndërgjegjësimi i fermerëve dhe në veçanti i personave që merren direkt me manipulimin e kafshëve. Ndërsa lidhur me higjienën e përpunimit të qumështit dhe të nënprodukteve të tij, siç janë qumështi, djathi, gjalpi duhet të tregohet kujdes maksimal, pasi konsumimi i tyre shpesh ka sjellë stimulimin e infeksionit të brucelozës te njerëzit. “Duhet të theksoj se duhet të merren patjetër këto masa, në mënyrë që të evitohet kjo rrezikshmëri, pasi kemi të bëjmë me një situatë shumë problematike”,- thotë Sotiri.
Pasojat dhe shenjat e brucelozës
Pasoja të parikuperueshme, madje të rrezikshme për jetën e njerëzve. Ky është konkluzioni i specialistëve të Shëndetit Publik, sipas të cilëve, bruceloza shkakton shumë sëmundje, duke filluar nga sëmundjet kardiovaskulare që dëmtojnë rëndë shëndetin, deri te sëmundjet e ndryshme të kockave. “Është sëmundje që shkakton humbjen e aftësisë për punën dhe një fakt i tillë, duhet të theksoj se ka kosto shumë të lartë dhe të pariparueshme”,- theksojnë specialistët. Sipas saj, bruceloza, duke pasur parasysh pasojat shumë të rënda që shkakton, nuk duhet të neglizhohet për asnjë arsye. Kështu, sapo të vihen re shenjat e para të infeksionit, njerëzit duhet të drejtohen te mjeku specialist. Shenjat e para të sëmundjes janë temperaturë 38,5 gradë dhe më pas jep djersitje. Gjithashtu, te të infektuarit vihet re një dobësi, duke shkaktuar këputje trupore. “Të gjithë njerëzit, nëse vërejnë që kafshët e tyre dështojnë në këtë muaj, duhet të kuptojnë që ato kanë infeksionin e brucelozës dhe për një gjë të tillë duhet të marrin masa të menjëhershme”,- pohojnë specialistët e ISHP-së.
Bruceloza, më të rrezikuarit
Ndryshe nga më parë, bruceloza ka filluar të kërcënojë edhe moshat e vogla, 1 deri në 4 vjeç. Sipas epidemiologëve të ISHP-së, grupmoshat më të prekura rezultojnë nga 15-44 vjeç, pasi kjo grupmoshë është më shumë në kontakt me kafshët. “Ajo çka është më shqetësuese, është fakti se bruceloza ka prekur edhe moshat e vogla nga 1-4 vjeç dhe një fakt i tillë është vërtet alarmant”,- thonë specialistët, duke sqaruar se në këto raste, shkaktarë kryesor janë produktet që konsumojnë. Më të predispozuar për t’u prekur nga bruceloza, sipas tyre, janë personat që merren me manipulimin e kafshëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Pra, është sëmundje me karakter okupacional, që do të thotë persona që merren me kafshët, siç janë blegtorët, veterinerët dhe kasapët”,- theksojnë specialistët.

26 February 2007 @ 6:47 pm
Nuk e di nese duhet qe te alarmohem(!!) apo ta marr nje cike si ‘lehte’ kete shkrim.
)
Ne nje vend ku s’dihet as se sa dhe kush ka te drejten e votimit,me duhet te besoj se jane bere studime per kafshet??
Nderkohe me ben dhe te qesh kundermasa e eksperteve per te parandaluar semundjen:venia e targave(qe po te bej nje krahasim banal me boten e trasportit,do te rezultonte qe paisja me targa e automjeteve do te parandalonte incidentet ose avarite mekanike te mjeteve
Me duket me teper si pergatitje terreni nga ana e ndonje perfaqesuesi te ‘ekonomise se tregut’,per te bere nje futje masive mishi te ’sigurte’ nga jashte(dhe shpresoj me gjithe zemer qe te gabohem).
26 February 2007 @ 7:08 pm
hmmm
Te jete valle ashtu si thua te ky paragrafi i fundit? Boh!?
Ka ndodhur me pare…
27 February 2007 @ 9:33 am
ju keshilloj ta merrni me seriozisht kete problem sic eshte bruceloza.jam mjek dhe e di shume mire se cpasoja shendetesore sjell kjo semundje kur transmetohet tek njeriu.ehste nje semundje qe prek te gjitha sistemet e organizmit,dhe ne varesi te kohes qe diagnostikohet(qe mund te jete edhe shume vone) con ne veshtiresi te trajtimit te saj me suxses.
bruceloza eshte nje semundje e veshtire per tu diagnostikuar,kjo ben qe te vonohet dhe dhenia e nje mjekimi te protokolluar.
problemi qendron ne nje mungese te inspektoriatit shteteror mbi te gjitha institucionet qe shperndajne ushqime nga poduktet shtazore.