Shqipe me dy koka (IV)
- Vijon -
Unë si e kisha…!?
Mbaj mënd që u thame të tjerëve që ne do t’i binim nga një rrugë tjetër, dhe pasi i hodhëm dorën në qafë njëri-tjetrit u larguam pa ndonjë drejtim të përcaktuar. Të them të drejtën as e mbaj mënd se nga kemi shkuar. Më kujtohet vetëm që ecnim rrugëve të zbrazëta nga njerëzit dhe cdo lloj qarkullimi. Anash ngriheshin të zinj pallatet me drita të shuara dhe hëna që ndriconte në fund të rrugës, dukej si drita e një dentisti që kërkonte brenda gojës me dhëmbë të prishur. Ja thashë këtë Silvës dhe ajo bënte si e frikesuar dhe që t’I jepnim zemër njëri-tjetrit ndalonim, ngjesheshim pas ndonjë muri, putheshim e fërkoheshim sa të mundnim e pastaj sërish vazhdonim ecjen.
Nuk më kujtohet të kemi thënë asnjë fjalë. As “të dua!” as “më do?” a dicka të tillë. Më shumë se me një dashuri kjo që po ndodhte brënda nesh ngjante me një sëmundje, kur nën efektin e etheve nuk doje të të bezdsisë njeri as me fjalë e as me gjeste. Gjate kesaj frike dhe etheve, duhet te kemi marre vendimin për të shkuar diku. Dhe për fat unë e dija edhe ku ishte një shtëpi “bosh”.
Duhet të ketë qëne ora rreth tre e natës kur trokita në xhamin e dritares së dhomes së gjumit ku flinte Vaso. M’u desh të trokitja katër herë duke futur dorën mes hekurave të dritares së katit të parë dhe vazove të mullagave, që më në fund të shihja fytyrën e pergjumur me flokë të shpupurisur të Vasos që nga brënda xhamit, teksa përpiqej të shikonte me sytë e mbyllur nga gjumi se kush po i trokiste në dritare. Pas pak mesa duket më njohu, se filloi të hapte dritaren. Silva rrinte aty afër ngjeshur pranë murit anash dritares, që të mos dukej. U dëgjua zhurma e dorezës që kërciti tek lirohej në rrotullim, pastaj kuisja e lehtë e penxheres dhe zëri i Vasos që ishte si i ngjirur nga gjumi.
- Ado, ti je më?
- Po.
- Cfarë ka bërë vaki mor vëlla? Sa është ora?
- Leje orën, kam një hall që dua të më ndihmosh.
- Cfare halli ke?
- Jam me “njonën” - i thashë. Më duhet një cels shtëpie për sonte deri në mëngjes. Ma jep një cikë celësin e shtëpise së Petraqit.
Petraqi ishte vëllai i madh i Vasos. Ishte i martuar dhe sapo kishte marrë një apartament të ri aty pranë, tek një pallat i ndërtuar me punë vullnetare. Unë me Vason kishim vajtur disa të djela rrjesht e disa ditë jave që të punonim atje për t’i futur orë pune vullnetare Petros. Ndaj e dija që isha me të drejtën e Zotit. Dhe ai kishte ikur në plazh me kabinë megjithë gruan dhe kalamajtë, ndërsa celësin e kishte lënë tek shtëpia e prindërve që t’i ujisnin lulet. Por Vaso mesa dukej akoma nuk po kuptonte.
- Sa the që është ora?
- Nuk e di Vaso. Mbase dy a tre. Nuk kam orë. Por nesër në ora 7 të mëngjesit e ke celësin në shtëpi.
- Po ti me cil je?
Ndjeva që po më hypnin nervat nga padurimi.
- Varja tani – i thashë. Do m’i japësh celësat apo jo.
- Në këtë orë vec po pate kap ndonjë nga ato fshesaxhijet mor burrë – vazhdoi ai. Njeri tjetër s’ka nëpër rrugë. Ore se mos fut ndonjë jevgë ke shtëpia e Petraqit.
- Jo jo, mos ki merak. Isha në një mbrëmje me Martinin, Benin e ca të tjere dhe jam me një nga gocat e mbrëmjes. Alamet goce - thashë. Dhe ktheva kokën nga Silva e shkela syrin.
- Dhe nga mbremja, ti vjen drejt e te unë e më kërkon cels shtëpie në tre të natës?!
- Ore Vaso – ndjeva gjakun që po më hypte në kokë. A do ma japësh atë mut celësi apo jo. Se na u bone si polic. Po s’deshe të ma japesh thuaj jo, edhe të iki.
Vaso fërkoi edhe njëherë sytë e përgjumur sikur po përpiqej të fitonte kohë që të mendohej. Mesa dukej vetëm trupi i ishte zgjuar, ndërsa trurin e kishte akoma në gjumë.
- E mirë - tha më në fund. Prit të shkoj në guzhinë e ta gjej ku e ka vënë plaka.
I ktheu kurrizin dritares pa folur dhe u zhduk në errësirën e dhomës. E dija që do ma jepte. Vaso ishte “rob zoti”. Unë i zgjata dorën Silvës. Ajo ma kapi me të sajën dhe ma shtrëngoi. Ndenjëm ashtu pa lëvizur e pa folur deri sa Vaso u shfaq përsëri si Shën Pjetri me celësin “Elzet” të parajses në dorë.
- Nesër në ora shtatë e dua këtu, se mbase i teket plakës të shkojë e të ujisi lulet në mëngjes. Mos bëni gjë te krevati i madh se nusja Petraqit e merr vesh me bythë. Edhe mos leni shenja. Edhe kujdes kur të dilni mos ju shofin komshinjtë.
- Mos u bë merak – i thashë. Në të tilla raste ta shpërblefsha.
Vaso u zgjat të më jepte celësin, dhe ndërkohë zgjati dhe kokën që të shihte me kë isha, por hekurat e dritares nuk e lejonin të shikonte anash saj. Unë i rrëmbeva celësin nga dora.
- Natën e mirë.
Ai tundi njëherë kokën pa folur dhe mbylli dritaren. Isha i sigurtë që po rrinte mbrapa penxheres që të na shihte kur të iknim. Po unë kisha celësin e apartamentit në dore dhe Silvën për qafe. Dhe s’më plaste më për njeri atë natë.
Apartamenti i Petros vinte atë erën e papërcaktuar të apartamenteve të reja; dicka mes llacit të suvatimit, dërrasës së njomë dhe erës së kalamajve të vegjël. Gjithshka ishte në vendin e vet dhe në rregull, por me një rregullsi hoteli. Dyert prej kompesate ishin lyer me bojë vaji që imitonte fibrat e drurit që të dukeshin si dru. Nga dera rastësisht e hapur e banjos dukej lavatricja 20 mijëshe, banjo alla-frënga dhe dushi me vajgur. Hej, Petros jo vetëm që i zinte dora, por dhe i “ngjiste” dora në ndërmarrje dhe shtëpinë e kishte rregulluar për qejf. Unë po qëndroja i palëvizur në mes të korridorit të vogël katror dhe po ndaja mendjen c’të bëja tani, ndërkohë që Silva po hiqte nga këmba këpucet. E përkulur ashtu në gjunjë me flokët e grunjtë e të drejtë që i binin deri në dysheme, e tek përpiqej me gishtat e hajthëm të zgjidhte një nyje në këpuce, dukej si një qënie krejt atipike për një apartament tipik shqiptar. Mu sikur të mbërtheje një flutur të gjallë me pineskë në faqet e albumit me fotografi bardhë e zi të familjes.
“Në djall të veje”- thashë me vehte. “Nuk jam duke bërë seks me të tek divani si gamile me gungë i guzhinës. Hapa derën e dhomës së gjumit në te majte, dhe u përkula mbi Silvën që tani po luftonte me lidhësen tjetër. I futa një krah poshtë gjunjëve dhe tjetrin poshtë shpatullave dhe pasi e ngrita në ajër, ndërsa ajo tundte këmbët në shenjë proteste që nuk e lashë të hiqte këpucët, e hodha mbi krevatin e madh dopio dhe kërceva edhe vetë mbi të.
Tani, ajo nuk ishte vajza e parë me të cilen bëja seks, e aq më pak e fundit. Në roller-coasterin e dashurive të mia ajo nuk qëndron as në majë, as në fund as në mes. Është thjesht anash. Pa lidhje. Anash.
Përfytyroni për një cast sikur spikerja e Festivalit në Radiotelevizion në mes të festivalit të 19 në RTV të dilte e të thoshte: “Tani rradhën e ka grupi Rolling Stones me këngën “Sympathy for a devil”. Teksti Mick Jagger. Muzika Mick Jagger. Këndon vetë autori. Dhe Stonsat dalin, përshendesin me kokë publikun, këndojne këngën, përshëndesin përsëri me kokë dhe dalin nga skena.Tashti cfarë reagimi do bëje ti që rrije i ulur në një karrige në mes te sallës?! E sheh që nuk e di?!
Zakonisht femrat që kisha njohur më parë luanin gjithnjë në “mbrojtje” herët e para në shtrat, ndërsa me Silvën gjithcka ishtë komplet ndryshe. Seksi me të nuk ishte si një ndeshje “e shitur” futbolli, ku pamvarësisht nga loja e kundërshtarit dihet që do të lërë në fund që ta bësh golin. Ai ngjante më shumë me skermën, ku cdo levizje që ti bëje pritej me te njëjtën mjeshtëri nga ana tjetër. Mes britmave te vogla te kenaqësive e dhëmbjes, kafshimeve e puthjeve, tërheqjeve e sulmeve ajo natë ishte një fushë beteje ku askush s’donte të tërhiqej pa e parë tjetrin që të dorëzohej. Në kuptimin e mirë të fjalës dua të them. Bile në atë më të mirin. Deri sa të dyve na mundi gjumi…
Kur hapa sytë dukej që sapo kishte gdhirë mëngjesi i së dielës. Një mëngjes si prej kristali, ku bashkë me rrezet e para të diellit të mëngjesit, nga dritarja e hapur përgjysem e dhomës hynin edhe ciatjet e parreshtura të harabelave nga plepat përkarshi. Bashkë me to, si të ishin brenda në dhomë dëgjoheshin dhe zhurmat e shisheve të qelqit që përplaseshin pas njëra-tjetrës brenda rrjetave prej corapesh të thurura dhe zërat e grave të pallatit që zbrisnin nëpër shkallë në qetësinë e mëngjesit për në rradhën e qumështit. Unë rrija i shtrirë mbi carcafët e bardhë në krevatin bashkëshortor të Petros e thithja ngadalë cigaren. Tymi që dilte nga hundët turrej me vrap drejt gjinjve të zbuluar të Silves që flinte ende e pashqetësuar, prekte ato thithkat e saj në ngjyrë të mbyllur portokalli mbi gjinjtë që dukeshin si të ishin prej porcelani të bardhë, e më pas ngrihej ngadalë lart drejt tavanit me ca shpërdredhime të ngadalshme e plot epsh,që kuptohej menjëherë se cfarë donin të thonin. Ndërsa e gjithë filozofia e ime tek rrija e shihja atë trup të hajthëm femre, që flinte e pashqetësuar atë mëngjes vere ngjitur me këmbet e mia për t’u ngrohur nga freskia e mëngjesit, mund të permblidhej pak a shumë në një fjali të vetme:”Këtë muhabet s’ka qen që e merr vesh!”.
Si per ta bindur më shumë veten që ajo ishte vërtet atje, një person real i ngërthyer pas meje, u përkula ngadalë dhe e putha në shpatull. Ajo nuk lëvizi. Mesa duket ishte akoma në gjumë. U ngrita me ngadalë nga krevati dhe vajta në kuzhinë. Fillova të hap dollapet një nga një për të gjetur ku ishte kafja, por nuk po e gjeja askund. Befas mu kujtua mulliri i kafes. E hapa dhe era e kafes së bluar më goditi mu si thikë e ëmbel drejt e në tru. Po kruaja me lugë fundin për ta hedhur në xhezve, kur dëgjova zerin e Silvës pas meje:
- Ma bëj edhe mua një po deshe sa të bëhem gati.
Ktheva kokën dhe pashë Silvën që pothuajse e veshur po më buzëqeshte nga dera e dhomës. I admiroj njerëzit që mund të qeshin në mëngjes, vecanërisht përpara kafes. Unë jam si kaktus, përsa kohë nuk kam mbaruar edhe cigaren e dytë pas saj.
- Patjetër – i thashë. Si e do?
- Si të duash – ishte përgjigja, dhe pasi u fut në banjë mbylli derën dhe u dëgjua zhurma e rubinetit që po rridhte ujë.
Kafeja sapo merrte valeëkur ajo doli nga banja e larë dhe e freskët sikur të kishte kaluar natën në kamp pushimi, ndërsa mua akoma më bënte koka miza nga pagjumesia dhe alkoli. Mbusha dy filxhane, u hodha sheqer dhe u ulëm të dy në divan dhe pasi pimë gllënjkën e parë mbështetëm filxhanët mbi tavolinë. Aty e kuptova se sa impenjuese dhe zyrtare është pirja e kafese. Jo lëvizje të mëdha e të papritura që të derdhesh filxhanin, asnjë punë tjetër që mund të zgjasë më shumë se 10 sekonda midis dy gllënjkave se ftohet kafeja, dhe cdo emocion i shfaqur ndërmjet zhvlerësohet komplet pas gllënjkës tjetër. Edhe biseda jonë ishte si ajo e atyre që bashkëjetojnë prej 20 vjetësh.
- Sa është ora – pyeti ajo
- Gjashtë e dhjetë.
- Do bëja mirë të ikja . Duhet të shkoj tek shtëpia e Almes para se të marrin ato të shtëpise time në telefon.
Heshtje…
- Sa larg është stacioni i unazës.
- Sa del nga pallati, kthen majtas, te kryqezimi i parë po të kthesh kokën djathtas e sheh stacionin para dyqanit të fruta perimeve.
Heshtje… Gjerbje e fundit të kafesë.
- Them se duhet të iki.
- Si ta kesh.
- Do të vi të të përcjell?
- Them se do ishte më mirë të ikja vetëm.
- Si ta kesh.
U ngritem të dy dhe dolëm në korridor. Unë rrotullova celësin në bravë dhe nxora kokën për të parë jashtë, mos kishte njeri nëpër shkallë. Xhan-xhin. E mbajta derën një gisht të hapur mos dëgjoja hapa, ndërkohë që ajo u afrua për të dalë. Unë hapa derën. Ajo ndaloi për një cast para se të dilte dhe më dha një të puthur të thjeshtë në buzë dhe një shikim. Unë e shikova në sy gjithashtu.
- Ciao
- Ciao…
Ajo zbriti shkallët dhe tek kthesa e katit ma bëri edhe njëhere me dorë. Unë gjithashtu. Pastaj mbylla derën. Ndeza një cigare tjetër dhe kërceva me gjithë rroba mbi krevat. Krevati mbante ende erën e saj. Përfytyrova nusen e Petros që kur të kthehej nga plazhi do të hapte derën e dhomës, do nuhaste rretherrotull e me një zë të trashë do të thoshte:”Këtu vjen era mish njeriuuuu…”
Fika cigaren në taketuke, hapa të gjithe dritaret dhe dyert dhe fillova te rregulloj dhomen.
Derën e apartamentit kur i rashë ziles ma hapi mamaja. Po përpiqesha të kisha një fytyrë sa më të freskët e të shplodhur, por sytë më përvelonin dhe e dija se sa e vështirë ishte t’ia hidhja. Megjithatë u përpoqa.
- Hë mor bir – pyeti ajo me një zë qe e njihja mirë që e bëntë vetem kur nxehej. Ku ishe gjithë natën?
- Te Miri o mam! Të thashë qe kishte ditëlindjen mbrëmë.
- Pse ore, sa herë e ka pjellë e ëma Mirin, 15 herë?
- Jo mi mam – thashe se s’po e kapja llogjikën.
- Po kshu del pra, se një javë po një javë jo Miri ka ditëlindjen. Pastaj ditëlindja mbaron e kthehesh në shtëpi. Se ju nuk i bëtë edhe ditëlindjen edhe xhenazen me një ditë Mirit që të rrije gjithë natën!
Mua po me zinte gazi po nuk po doja ta jepja veten, se e pashë qe po nxehej gjithmonë e më shumë, dhe se dija si do përfundonte. Nga dera e kuzhines pashë motrën që ma bënte me shenjë duke kapur buzët mes gishtave që do të thoshte “qepe dhe ik”.
- E di që e kam qelbur – i thashë. Ngaqë pimë pak atje, nuk desha që të dilja natën se do na binte në kokë, ndaj edhe unë edhe Marti fjetëm atje. Desha t’iu merrja në telefon që t’iu thoja, por ishte vonë dhe nuk desha t’iu zgjoja.
- Kë nuk deshe të zgjoje. Yt atë u ngrit dy herë natën e donte të niste Mondin të vinte të të gjente, por nuk e lashë unë. Kur të vijë nga puna ku ka vajtur sot në mëngjes, do ti japësh edhe atij ca shpjegime se me mua nuk merr vesh ti.
- Jo mi mam – i thashë. Ti e di që unë me ty i kam telat. Leje tani. Tjetër herë do të lajmëroj më përpara po të shkoj të flej tek ndonjë shok.
Ajo tundi kokën me qortim e mosbesim, por nuk e zgjati. Shkoi u fut në guzhinë, prej nga po ndjehej era e petullave që po përcelloheshin ne vaj, por që mua nuk më thoshin asgjë sot përpara gjumit qeë më flihej. Vajta nga dhoma ku flija bashke me Mondin. U plasa mbi krevat dhe gati po më zinte gjumi kur dëgjova derën që kërciti tek u hap. Thashë se ishte kthyer im atë, por u qetësova disi kur pashë fytyrën e Mondit që po mbyllte derën pas vetes.
- Ku ishe gjithë natën mor loqe?
- Ishim me një mbrëmje tek Martini – i thashë. Cfarë u bë këtu?
- Plaku filloi të bërtiste nga 12 e gjysma dhe më tha të nisesha e të të gjeja ku ishe, por unë i thashë që nuk doja të dilja si trap. Për më tepër, i thashë që i njihja ato cunat dhe ishin të gjithë cuna të mirë.
- Rrofsh- iu pergjigja. Tashti cfarë nderi do prej meje.
Ai vuri buzen ne gaz
- Atë e shohim – tha. Nuk ta bëra për nder, por se nuk doja t’i shqetësoja. Cfarë ishte kjo mbrëmje qe vazhdoi deri në mëngjes.
- Jo Mondi - thashë. Mbrëmja mbaroi nga ora 1 e natës po unë “ngjita” me njërën dhe shkuam tek shtëpia e vëllait të Vasos dhe aty e kaluam gjithë natën.
E pashë që sikur nuk po më besonte, por mua aq më bënte.
- Mondo! Dua të të bëj një pyetje. A është trapllik ti propozosh një femre mbasi ke bërë seks me të?
Pashë që sytë e Mondit po zgurdulloheshin gjithnjë e më shumë.
- Mos më thuaj që keni filluar të bëni mbrëmje me kurva ndërmarrjesh!
- Jo mor Mond, jo. Po ashtu erdhi puna, se ishim edhe pak pishëm. Ishin alamet gocash dhe mua më ka ngelur në mëndje kjo që po të them, por i di vetëm emrin dhe se pyeta as për ndonjë telefon.
- Po ajo ta di numrin?
- Jo – por mund ta gjejë po të pyesi ndonjë nga shoqet.
- Ju a bëtë seks mbrëmë.
- Po.
- Epo atëhëre leje atë të të marrë në telefon. Ti ja ke lënë kunjin brënda.
Desha ti shpjegoja që nuk funksiononte keshtu, e që kunjin brënda më duket se e kisha unë, por Mondi kishte të tjera standarte. Plus që po vdisja për gjumë.
- Rrofsh Mondi – thashë. Ke të drejtë. Unë po shtrihem pak se vdiqa. Ti po deshe mos e lejë plakëm ta kapi telefonin dhe po qe ndonjë zë goce që më kërkon më zgjo.
S’mu përgjigj. E pashë që shkoi të kërkonte cigare në xhepat e pantallonave brënda në dollap dhe doli jashtë. Ndërsa unë ja mbështolla gjumit.
Në fakt ishte më shumë një përpjekje e dëshpëruar për të fjetur që prishej nga cdo rënie telefoni në guzhinë, se sa një gjumë i vërtetë. Ishte një përzierje e ëmbël e realitetit me gjumin, ëndrrën, inatin që askush s’po më telefononte, hakmarrjen, kujtimet, “kunjin” që kisha lenë e më kishin lënë e që nuk u ndërpre cuditërisht as pasi u ngrita e hëngra bukë e më pas u shtriva përsëri, duke rënë cuditërisht pas disa minutash në të njëjtën gjendje, si të isha duke ndjekur vazhdimin e një filmi të gjatë kinez me luftë, nga ato që dukeshin sikur s’mbaronin kurrë.
Kur u afrova pasdite andej nga ora 7 tek bordura afër urës, ato ishin ulur të gjithë aty si dallëndyshet në tel. Asgjë e jashtëzakonshme. E parafundit midis Benit dhe Martinit ishte ulur Alma. Jo e zakonshme. Vajzat nuk para kishin qejf të uleshin tek bordura. Ndërsa po afrohesha, pashë fytyrat e tyre që filluan të hapen nga e zgërdhira. E zakonshme. Vetëm fytyra e Almës kishte dicka midis buzëqeshjes, habisë, kuriozitetit dhe një dashurie prej motre.
U afrova dhe më.
- M’roma!
- M’roma…Mroma…!
U ula në fund të rreshtit pas Benit.
- C’kemi – pyeta ashtu në pergjithësi.
- Mire. Po ti ?
Pyetja ishte shumë në vecanti dhe katër palë sy u ngulën tek unë me të njëjtën buzëqeshje në pritje të historise. Nuk ktheva përgjigje po i pashë skic. Nuk më pëlqente të dërdellisja në sy të Almës. Akoma nuk e dija se cfarë miqësie kishte ajo me Silvën.
- Mirë – thashë. Mrekulli. Ka ndonjëri ndonjë me filtër?
Martini më zgjati një paqetë”Porti”. Buzëqeshja e pandryshuar. Hej Zot!
- Lëre – i thashë. Nuk i pi dot ato “Portit”. Po shkoj tek xhamlliku të blej nje DS dhe u ngrita.
Pas meje u ngrit dhe Beni.
- Po vi dhe unë tha ta blej një DS. Pas tij natyrshem u ngrit dhe Alma. Mu duk sikur do më arrestonin. S’kishim bërë akoma pesë hapa kur Alma nuk e mbajti dot me:
- Më thuaj një cikë ku keni qënë mbrëmë me Silvën – pyeti ndërsa një buzeqeshje e madhe kurioziteti i hapej mbi fytyrë.
- Ku kemi qënë?… – iu përgjigja unë pyetjes me pyetje.
- Hë mo, lëri ato – vazhdoi Alma. Silva erdhi sot në mëngjes nga ora shtatë tek shtëpia ime dhe më tha se gjithë natën kishit qënë bashkë. Pastaj fjeti nja një orë në dhomën time dhe nga ora tetë e mori në telefon i vëllai që erdhi pastaj ta merrte me bicikletë. Kaq. Nuk më tha asgjë, por mu lut që të mos e bëja muhabet me njeri.
- Po cunat tek bordura nga e dinë?
- Ato dinë aq sa panë – foli Beni. Dhe aq sa e marrin me mënd pasi u ndatë nga të tjerët. Po asnjë se di nëse ishte “falas” apo “djegas”.
- Djegas – thashë unë.
- Ik se tallesh!? Ku shkuat, me ndonje park.
- Jo. Te shtepia e Petros, vëllait te Vasos.
- Ik ere pirdhu!
Unë s’fola. Alma ndiqte dialogun me sy të zgurdulluar dhe akoma s’po e merrte vesh nëse ishte shaka apo e vërtetë.
- Ju fjetet bashkë në një shtëpi mbrëmë – pyeti ajo përsëri, si të mos kishte dëgjuar gjë më parë.
- Po – i përserita. Tek shtëpia e një shoku.
- Bosh?
- Bosh.
- Ik se tallesh!
Une s’po e mbaja dot me gazin dhe fillova të bëj një të qeshur në heshtje me gulce. Pas meje dhe ato vunë buzën në gaz e pastaj filluan të qeshin. Ndërkohë kishim arritur tek kinkaleria. Blemë të dy paqetat dhe ndezëm nga një cigare pa folur.
- Tani më thoni si ështe puna – thashë – se nuk po e marr vesh. Po më duket sikur kam bërë një gabim të madh – vazhdova me buzën në gaz.
- Jo more, cfarë gabimi – u hodh Alma. Por thjesht unë e njoh Silven prej vitesh dhe kurrë nuk e kisha parë në një gjendje të tille e që të sillej ashtu me njeri. Ti e kishe takuar ndonjëherë më përpara?
- Jo – i thashë. Hera e parë.
Alma ngriti supet
- Ti e di që ajo është pothuajse e fejuar me një cun të Juridikut? Gimi e ka emrin. Ai e pret dhe e percjell thuajse cdo ditë dhe edhe shtëpia e saj e di këtë muhabet.
Unë zgurdullova sytë.
- Jo – thashë. - Nuk ra muhabeti, por njëkohesisht ndjeva që cigarja m’u be helm e hidhur në gjuhe. Por nuk e dhashe veten.
- E cfarë pastaj?
- Asgjë, thjesht ta thashe që ta dije – tha Alma.
Ndjeva gjakun që po më kërcente në kokë.
- E kujt po i plas trapi – e ngrita unë zërin. E cfarë doni të thoni me këtë? Apo, mos po prisni që të shkoj ti kërkoj të falur ndonjë njeriu për atë që u bë mbrëmë. Kujt doni t’i kërkoj të falur, këtij Gimit apo Silvës? S’po e marr vesh ku po doni të dilni.
Ndjeva gishtat e Almës që më kapen krahun.
- Adi, mos ma merr për keq – tha ajo. Ti bëj cfarë të kesh qejf. Thjesht nuk e besoj dot që Silva ka fjetur me ty mbrëmë tek shteëia e një shoku. Më duket surreale.
- Alma une kam pasur edhe dashnore të tjera para Silvës. Edhe më të mira se Silva. Edhe me ato kam bërë seks në shtëpitë e shokëve, ndaj nuk më duket ndonjë cudi e madhe.
- As nuk e diskutoj – vuri buzën në gaz Alma. E di mirë bile. Thjesht ngaqë Silvën e kam shoqe dhe ajo erdhi atje me mua …
Nuk e lashë ta mbaronte fjalën se më dukej sikur po më zinte makina.
- Alma, rri e qetë. Nuk jam keq për femra. As i kam rënë në qafë Silvës më përpara e as kam ndërmend ti bie në qafë më pas. Për mua zëre sikur s’ka ndodhur asgjë dhe e lemë me kaq. Mund t’ia thuash këtë Silvës nga ana ime po mendove që ka ndonjë problem. Tani lëreni këtë muhabet…
Alma donte të thoshte dicka. Por Beni ja preu.
- Leje tani Alma. U mor vesh muhabeti. Hajde shkojmë kapim ndonjë gotë konjak tek Muzeu Arkeologjik. Do ju qeras unë.
- Mire – thashë. Ky është muhabet burrash.
S’kishim bërë akoma tre hapa, kur Beni mu kthye.
- Po hë, na e thuaj njëherë si e bëre!
- Cfarë?
- Hë mër, se na lujte menc? Si u bë muhabeti po të pyes.
Aty e kuptova që nuk do të mund ti shmangesha dot tregimit të asaj ngjarjeje, dhe se vetem duke ia treguar dikujt ajo histori do të mund të bëhej e vërtetë. Isha i sigurt gjithashtu që duke e treguar atë në sy të Almës, ishte njësoj si ta tregoja në sy të Silvës, por tani aq më bënte. Fillova ta tregoj cdo gjë me një imtësi që kurrë nuk e kisha përdorur më parë. Pa harruar asnjë detaj. Beni mezi e mbante gazin gjatë gjithë historisë. Alma herë bënte sikur nuk dëgjonte, herë vinte buzën në gaz e herë thoshte atë shprehjen e saj të preferuar:”Ik se tallesh!” Ndërsa unë po e ndjeja se skela që kisha ngritur një natë më parë po cmontohej copë- copë deri sa u shemb poshtë me rrapëllimë, mes te qeshurave dhe një talljeje nga brenda. Një tallje që nuk kuptohej nëse i drejtohej Almës, Silvës, mua vetë, dikujt tjetër apo të gjithë të tjerëve të marrë sëbashku. Por kjo qe prej atij momenti s’kishte më asnjë lloj rëndësie
- 3 –
Kur u ktheva më pas nën cadrën e plazhit, Silvën nuk e pashë më aty.
Spiro Ilo
Peshku Fluturues
-Vijon-


18 July 2008 @ 12:11 pm
“Përfytyrova nusen e Petros që kur të kthehej nga plazhi do të hapte derën e dhomës, do nuhaste rretherrotull e me një zë të trashë do të thoshte:”Këtu vjen era mish njeriuuuu…””
18 July 2008 @ 12:37 pm
18 July 2008 @ 12:39 pm
Shkrimi po vjen ne disheze,
Na hudh ca me teper PF, se kaq eshte shume pak, e spo durojme dot ka ngadale.
Une po pres te shof ngritje ne nivelin e pjeses se pare te pakten, por hic akoma !
18 July 2008 @ 12:45 pm
Ngelem duke mbajtur frymen…duam vazhdimin!

18 July 2008 @ 1:10 pm
Shume bukur!Kur po me del”mjekrra”mua nga ato qe lexoj(se me vjen ndermend rinia ime?!),kuptohet qe te rinjte mezi presin vazhdimin.Jepi,mos e vono!
18 July 2008 @ 1:19 pm
“”"”"”Shkrimi po vjen ne disheze,”"”"”….per te mos thene po merr rrokopujen,nese vazhdon pa ide si ky vazhdimi i “kote” i nje situate te rendomte por i pershkruar me fjale jashte kornizave….
po presim…..
18 July 2008 @ 1:35 pm
…pak a shume brezi i asaj kohe - qe rrinin ke bordura perballe dajtit ose ke ura kane historira te tilla te ngjashme….por jo te gjthe mund ti tregojne si ky Peshku F….
….por besoj asnji nga ata cuna skishte per ta ngrejt ate femnen po ta dite qe ishte e fejume….vetem po te ishte konviktore ….
18 July 2008 @ 1:47 pm
18 July 2008 @ 1:50 pm
Silva,
cte ze syri te ben dora 
Shkrimin e dores e paske te bukur !
18 July 2008 @ 2:01 pm
E ardi, a do mo?
PS Nuk di a e ke lexu nji haiku nga PF me Pere Buzederrin qe shpjegon golat e Brazilit.
Keto dy penelata, mjaftojne me pershkru oret e pafund te nje gjenerate….
PF, mire qe erdhi para fundjaves kjo, se mbase nuk do e kisha pa dot right away.
Natyrisht do komentoj prape. Kjo ishte ekskluzive per ardin!
18 July 2008 @ 2:42 pm
PF, dua te kujtoj (remind) nje dukuri:
kam pershtypjen qe ashtu sic ka “konsumim te pushtetit”, ka “edhe konsumim teme”. Per blogje masive si Peshku, novelat apo tregimet e gjata nuk jane gjinia me e pershtatshme.
E keni pas perdor me shoqnin tuj fjalen “surreale”? Te pys me sinqeritet absolut.
18 July 2008 @ 3:09 pm
Emigrant, Pere Buzderri???? E kam pas njoft nga afer, boooo ca personazhi. Nga bohet tashi!!!???
18 July 2008 @ 3:14 pm
Me pelqeu edhe pjesa e sotme. eshte tregim i gjate por i ndare ne pjese sic eshte paraqitur deri tani nuk eshte keq.Pastaj edhe perrallat e andersenit qe po i lexoj vajzes sime kane mbi 10 faqe. Emigrant ka kohe qe po mungon nje shkrim i yt ketu tek peshku.
Pershendetje te gjitheve. shkruani gjithnje e na mbani shpirtin gjalle.
18 July 2008 @ 3:17 pm
Dikush duhet te kishte shkruar qe ne pjesen e trete : - Mos e vazhdo me se e prish.
18 July 2008 @ 3:28 pm
jashte teme, @Jeta: blogu im eshte ishull i arqipelagut (ne jemi krahina autonome te Federates se Peshkut
) Nuk dum pavaresi, as absolute, as te kushtezuar… Adminet e kane lejen 100% te marrin cfare te duan dhe kur te duan, cilendo pjese dhe ta sjellin nga provinca ime “atje”, ne metropol “ketu”. Nga kjo jam vetem super i nderum!
PF me sa di, nuk ka blog te vetin, ku mund ti nxirrte pjeset e veta pa problem. Te Peshku adminat mund te zgjidhnin pjeset qe ata i shikonin te arsyeshme - per mua te gjitha pjeset e Shqipes me dy koka i bejne nder peshkut, te kuptohemi, por po e them ne parim, sic edhe ka ndodhur me shkrime te tjera.
18 July 2008 @ 3:41 pm
Hmmm Silva dhe pas shume vitesh akoma ishte “alamet femre”.
Si te gjithe mezi pres pjesen tjeter, me pushimet ne jug te atdheut, Ardi mysafir ne vendlindje dhe Silva akoma “bombe” ….PF, na mesove keq, duam shkrime çdo parafundjave…:)
18 July 2008 @ 3:49 pm
Kujtime nga adoleshenca nje here e nje kohe,sot eshte ndryshe,ske nevoje per shtepi bosh,ka gjire,cepa,motel,hotel…
Nuk po kuptoj lidhjen e titullit,akoma”Shqipe me dy koka” per ke lloje shqipe e ka llafin autori?
18 July 2008 @ 4:09 pm
…jo Em nuk e kam lexu…por mesa shikoj edhe ti qonke dora e bordures….kean qene cuna me seder nuk e bonim ate gabim qe PF e boni pa dashje , po edhe pishamn nuk boheshim po te ndodhte…@@@@
…kur munguam nje dite ne mesim (me prof Skender Skenderin) nje nga shoket i tha per nja dy nga ne qe kane qene semur….jo mer - tha prof…se mos ja ngjisin semundjen atyne femnave atje ke bordura@@@@….kohe te arta…..
18 July 2008 @ 4:27 pm
Ardi, ja ku i ke: (autor: Spiro Ilo)
Hai – Ku
1.
Pas gjashte diteve te lodheshme
Ne te cilat krijoi boten
Zoti ra te flere
Duke nxjerre djallin nga shtrati
Diten e shtate.
2.
Ulur tek bordura
pime cigare dhe diskutojme
te njejtat gjera te vjetra
shkence politike filozofi
Por befas kalon ti
dhe fjala “gjitar”
merr nje kuptim krejt tjeter
3.
Ne dyqanin e ushqimeve
Lumja, shitesja e re
i ka hapur oreksin gjithe lagjes.
4.
Ora vazhdon te punoje
Megjithese ti ke ikur
Dhe koha ka mbetur.
5.
Kaloi mesnata
Pere Buzederri vazhdon te na shpjegoje
golat e Brazilit
e cigare s’ka me asnjeri
6.
Nen driten e henes
Buze Liqenit Artificial
Shtrihen Dashurite e Verteta
Te Vertetat Fare…
18 July 2008 @ 4:39 pm
ardo, ne ate kohe te gjithe ata qe kishin arritur deri tek shkolla e mesme ishin kontigjent guri. Nganjehere zbrisnin edhe cubat e lagjeve kur kishin nevoje per ndonje pale shapka apo per te bere raprezalje mes skorpionsave.
18 July 2008 @ 4:47 pm
Guri ishte piedestali i vertete, ku statujat klasike ushtarako-legjinonare-zboriste (lexo “ne”) vinin cinizmin si mburojen me te sigurte kunder fatalitetit dhe ironine si alibi per mllefin konstant.
Ato dy piedestalet e tjera (Josifi dhe Vladimiri) ishin ne fakt thjesht me prish synin e keq.
18 July 2008 @ 4:48 pm
…bukur, …cdo rrjesht ka kuptim per ata qe i kane kalu ato kohra…
….nice/sad…
…..
Buze Liqenit Artificial
Shtrihen Dashurite e Verteta
Te Vertetat Fare……nuk e besoj kete@@@
….une vet Em kam shku i cik me tutje - ke rezervuari…ishte pak pjerret…po ja vlete…..nuk kishte shume peme…..
…
18 July 2008 @ 4:55 pm
ard, pema ime ishte ende atje (ne 2006-en them). Vajta e pashe. Pastaj piva edhe nje kafe me nje njeriun tim qe kishte “Mercedes” ne nje nga ato lokalet qe solli developmenti.
Kafja ishte e mire.
Pashe ca autobuza/furgone (Salud, Feride!) me nxenes qe kaluan. Jane te shkolles private, sqaroi ai tjetri. Nuk di pse prisja qe nga autobuzi te dilnin tingujt e kenges “Giovanezza, giovanezza, primavera di bellezza”.
18 July 2008 @ 4:59 pm
PF, e bere qe e bere vere gjithe shkrimin tani
18 July 2008 @ 5:20 pm
@PF
Thjesht, bukur, realist! Presim vazhdimin.
18 July 2008 @ 5:42 pm
18 July 2008 @ 5:55 pm
Si spec djegs kjo pjesa:)
:). Pse kam nje pershtypje te vogel qe pjesen e III dhe te IV i ke shkruar shume kohe me perpara …? 
Shpresoj te nxjerresh sa me shpejt pjesen e V.
18 July 2008 @ 6:25 pm
Emo
Sapo ma solli Posta librin tend. Bukur bro. Tani s’kam kohe te te shkruaj me gjate po do t’i them me vone pershtypjet e mia
Thnx
18 July 2008 @ 6:49 pm
- Ku ishe gjithë natën mor loqe?
Me origjinal se kaq! :-))
18 July 2008 @ 6:53 pm
… nuk ka ku te shkoje, xhenius!
18 July 2008 @ 7:02 pm
Se pari do ta pergezoja PF per kete tregim.”Te shkruash me veten e pare eshte gjeja me e veshtire -ka konkluduar Kadare ne romanin Kronoke ne gur.Ne fillom te duket e lehte por pastaj me hidherim shikon se ajo qe ke shkruajtur jane shenime rreth vetes tende qe nuk i hyjne kurrekujt ne pune”.Dhe PF kete test e ka kaluar me sukses.Se dyti derisa kete po e pelqejne dhe te rinj qe nuk bejne pjese ne brezin e riniise te viteve 1980-1990,kjo do te thote qe edhe ky test eshte kaluar me sukses.Urime PF!
ardi thotë:
….por besoj asnji nga ata cuna skishte per ta ngrejt ate femnen po ta dite qe ishte e fejume….vetem po te ishte konviktore ….
Se pari Silva nuk ka qene e fejuar zyrtarisht,po ta lexosh me kujdes,por shikonte nje cun qe edhe familja e dinte.Raste te tilla kane ndodhur dhe PF nuk po trillon.
18 July 2008 @ 7:05 pm
xhenius thotë:
- Ku ishe gjithë natën mor loqe?
Me origjinal se kaq! :-))
Mendoj se eshte fjala me pavend sepse ka edhe gra dhe vajza qe e lexojne tregimin.PF mund te gjente nje fjale tjeter te ngjashme,por kjo nuk ja heq bukurine tregimit.
18 July 2008 @ 7:12 pm
Kushedi sa gezohet Silva (sido qe ta kete emrin e vertete) kur lexon tani aventurat e saj tek Peshku. Pale i shoqi i saj, nqs eshte e martuar, dhe sidomos nqs eshte i njejti person qe ishte pothuajse i fejuari i saj ate nate.
18 July 2008 @ 7:17 pm
Mirel,
Mos u merzit se ne i kemi dagjuar keto shprehjet “alive”. Nuk po na prishet puna se i gjejme ne tregim. Bile mua sa here me ze malli shkoj njehere nga kisha shqiptare dhe mbasi degjoj per nja 10 minuta furnizohem me fjalor cilesor te mjaftueshem per nje muaj.
18 July 2008 @ 7:22 pm
Silva, me duket shkoke dhe ti ne te njejten kishe me Eren moj lo…zonjare.
18 July 2008 @ 7:43 pm
Mirel! edhe nje tjeter:
nder gallatat qe beheshin ne orar te punes nje shok mbasi kishte ndjekur nje nate me par’ dramen “Toka jone” tha:
-a e degjuat mbrem si tha te teatri?” oj loqe,t’kan vra cucen,loqe”
ai e tha,çer faji kam une?!
18 July 2008 @ 8:17 pm
Cfare nuk beson?
18 July 2008 @ 8:17 pm
Dashuria e PF and Silves eshte dashuri me shikim te pare dhe si e tille do te ishte pasionante.Cka ketu per tu cuditur?
18 July 2008 @ 8:25 pm
Emigrant, dhe mua me erdhi kte jave libri yt. Kam nisur ta pertyp ngadale qe te mos mbaroje shpejt se e kam si kamomilin e dites:)… PF e ke rradhen ti tani, te mirpresim….mbremje te kendshme te gjitheve…po vazhdoj me ‘Memedhembjen’…:)
18 July 2008 @ 9:40 pm
Mbas gjimnazit dikur ne Tirane,duhet te punoje nje vit,para se te aplikoje per shkolle te larte.
Ne pune ishte nje plake,qe ruante tre dele kur ato kullosnin.,aty afer fabrikes se tullave Vore.Ishte shaka -xhie,dhe tregonte nga keto tregime neve te rinjeve,qe i hapnim syte ja!
-Kur isham e re -tregonte plaka-isha si kumbull,kush nuk me donte,e bukur e hijshme te me pije ne kup.Mu vardis kryeplaku,hidhe e prite me fjale dhe me shenja e me futi ne hangar te lopeve.Une u skuqa u bera flake nga turpi e nga deshira.,me ziente e me leviste perbrenda.,por ja as edhe nje fjale kundra nuk thosha.Beja c`me thoshte jarani,krye plaku.
-Mrike -me tha-te du shume,bej c`fare te bej edhe une.
-mire i thashe,duke tundur koken dhe duke i ngulur syte, jaranit tim kryeplakut.
Filloi te hiqte kemishen,edhe une ate bera,filoi me shallavaret,edhe une me citianet ..me nje fjale te dy sic na kishte bere nena. lakuriq!
-Ky ketu eshte sulltani, me tregoi mavria per ate, e kuptoni ju.,na tha plaka.-e ajo atje, eshte Stambolli-e kuptoni ju na thoshte plaka.
Stambolli more e djem kur pa sulltanin filloi e te nxehej e te merte zjarr i gjithi,Sulltani si sulltani i xhindosyr sa i ishte skuqur koka e gjithe!
-Tani-me tha jarani im-sullutani do te hyje ne stamboll!Mire i thash le te huje sa me shpejt Stambolli mezi e pret!
-ah more djem-psheretiu plaka dhe vazhdoi-kur ka hyr sulltani ne stamboll, -veshet me fishkellyen piiiiiiiiuuuuuuu-piiiiuuuu.
18 July 2008 @ 10:59 pm
Te dashur lexues dhe lexuese
Ky tregim pamvaresisht se eshte ne veten e pare, eshte tregim artistik dhe jo Ditari i Ana Frankut. Asnje “Silve” nuk do ndahet nga burri pas ketij tregimi. Cdo ngjashmeri me persona reale eshte krejt e rastit, por njekohesisht do te me pelqente qe sa me shume vete te identifikoheshin me personazhet e ketij tregimi, pasi kjo do te tregonte qe eshte realist.
Faleminderit te gjitheve!
19 July 2008 @ 10:56 am
Bukur, tani le te shohim pershtypjet ne jug dhe vazhdimin e asaj aventure te lene pergjysem. Kam pershtypjen se PF , do t’iu kete ngritur gjaku me keq se athere, aq me teper qe ndodhet ne nje nga pjeset e bukura te bregdetit shqiptar. Ishujt Bahamas, kam pershtypjen se do ta humbin vleren e tyre para aventurave ne Rivieren shqiptare
20 July 2008 @ 1:07 am
I lexova te kater pjeset me shume interes….Bukur shume…Ka vertet nje lloj perhumbjeje alla remark o Heminguej…Mezi po pres vazhdimin…