Shpëtoni ushtaren Ina Rama!
Mirela Kumbaro
Panorama
Nuk e njoh Ina Ramën. Dëgjova për të ditën kur u zgjodh Prokurore e Përgjithshme e vendit tim. Isha shumë skeptike. Nuk e fsheh. Pse, ju jo? Kishte gjithçka duhej për ta paragjykuar. Erdhi në krye të organit të akuzës pas një sage shumë të gjatë të paraardhësit të saj, ku kriza e mosbesimit dhe farsa, krimi i pazbulur dhe manipulimi politik, show parlamentar dhe patetizmi partizan ishin mpleksur kaq keq sa që s’kishte telenovelë që t’ia kalonte. Nëse ajo pati guximin për ta pranuar atë rol duke i dhënë kështu fund serialit të Prokurorisë, kjo u përkthye si mendjelehtësi në rastin më të mirë dhe si kompromis i shëmtuar politik dhe institucional në rastin më të keq. Shto këtu që ajo ishte e re në moshë, e panjohur për publikun tashmë të stërvitur me personazhet e politikës televizive, bionde, e pashme dhe me një emër aspak tradicional.
Megjithatë më erdhi shumë mirë kur dëgjova disa zëra të etur për ndryshim, për ajër të ri, për fytyra të emancipuara, për mendje të hapura e të padhunuara nga diktatura, që bënë thirrje për të mos paragjykuar njeriun që po pranonte ndoshta një nga rolet më të vështira në skenën e një demokracie në ndërtim. Nuk e njihja Ina Ramën. Por u përpoqa ta gremis mosbesimin që na karakterizon si popull dhe që më së shumti na i mban gjallë klasa jonë politike që vetë e votojmë. U kapa pas shpresës se një figurë femërore në një vend të egër do të sjellë ndryshim, se një grua e re në atë post, pa hije e paranoja, është veçse një hap pozitiv, dhe fundja, pa ta shohim një herë, i thashë vetes, sa do ia dalë ta gjuajë topin në këtë fushë historikisht mashkullore dhe që ka pjellë veç konflikte.
Në fillim, - ju kujtohet? - të gjithë prisnim me padurim ta shihnim nëpër ekrane a gazeta të na thoshte ndonjë gjë, që të kuptonim se cila ishte kjo juriste e re aq e përfolur dhe e panjohur. Të tjerët ç’nuk thanë… Ndërsa ajo nuk tha asgjë. Mori detyrën e re me një buzëqeshje të përmbajtur që aparatet fotografikë ia vidhnin sa herë i duhej të nxirrte kokën nga zyrat e Prokurorisë dhe heshti duke na kujtuar se donte t’ia linte fjalën ligjit. Në vend të saj foli Kryeministri. Ajo është Silvia Konti, tha ai.
Fjala jote në vesh të Perëndisë, thashë. Po a kishte parë vallë Perëndia filmin me Komisar Katanin? E ç’rëndësi kishte. Ajo që kishte rëndësi ishte që kryeministri e kishte parë filmin, që e pëlqente Silvia Kontin dhe që ishte plotësisht i motivuar të na bindte se nëse deri në atë kohë “dosjet e krimit” nuk ishin zbardhur, se nëse korrupsioni nuk po e lëshonte vendin, se atij si kryetar i ekzekutivit i duhej të ndërhynte dhe në sistemin e drejtësisë, kjo ndodhte se organi i akuzës kishte qenë i kapur dhe se tani ky institucion do të luante rolin që i cakton e drejta dhe do të zinte vendin që i jep Kushtetuta në një shoqëri demokratike. Dhe se ne të tjerët kishim ende arsye të besonim se nuk bëmë keq kur nuk u larguam nga Shqipëria as në 97’ e as më vonë.
Nuk e njihja Ina Ramën. Por ajo filloi të bëhej e njohur me heshtjen e saj, duke dashur ndoshta të na edukojë me një format të ri të profilit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke na kujtuar se detyra e Prokurorit nuk është të flasë orë e çast në publik për çdo shashkë politike që i hidhet miletit për t’i marrë mendjen, por t’ia lerë foltoren ligjit edhe kur bie bomba. Dhe çfarë bombe se! Shpërthim si ai i Gërdecit që na bëri të kuptojmë se jetojmë mbi mina… Vdekje si ajo e të ndjerit Trebicka që na kujton se sa të pasigurt jemi… Dosje si ajo e rrugës Durrës-Kukës që na fut dyshimin se ku shkojnë paratë tona… Personazh si ai i Fazlliçit që po na trazon keq stomakët… Kanë qenë këto disa nga titujt që kanë sjellë në qendër të vëmendjes, jo Ina Ramën, unë atë nuk e njoh, por Prokurorinë. Dhe nëse ajo e arriti këtë, unë them se ajo duhet të jetë një ushtare e vërtetë e ligjit dhe e institucionit që ka marrë përsipër.
Nga ana tjetër mendoj se është një krenari për shoqërinë shqiptare, që me gjithë historinë e shkurtër të modernitetit të saj, me gjithë dhunën e vazhdueshme mbi femrat e veta, me gjithë erërat e egra mashkullore të skenës së saj politike, dhe aspak për hir të kuotave gjinore që hipokrizisht po i shtohen legjislacionit në prag të vitit zgjedhor, arrin të nxjerrë në poste të rëndësishme drejtuese figura femërore ambicioze, paçka se shprehen me “plumb ballit” apo në emër të ligjit.
Nuk e njoh Ina Ramën. Di që Ina Rama është sot organi i akuzës, di që ajo është pikërisht numri i telefonit të cilit duhet t’i bjerë qytetari kur ndjehet viktimë, është zyra që duhet të luftojë krimin, korrupsionin, dhunën, abuzimin. Por ka kohë që institucioni që ajo drejton është bërë shënjestër sulmesh që vijnë çuditërisht jo nga fronti klasik i krimit, por andej prej ku ajo u pagëzua si Silvia Konti.
Tromaksen njerëzit kur shohin se si njohës shumë të mirë të ligjit, qëmtojnë brenda tij për të gjetur kurthet e vogla që kanë për qëllim të zënë brenda pikërisht atë që ka për detyrë parësore të ndalë e të çojë para drejtësisë ujqërit e krimit. Mileti çoroditet kur sheh se si, politikisht dhe mediatikisht, luhet para syve të tij realitydrama e drejtësisë shqiptare. Çdokush do të dridhej nga ideja se një ditë mund t’ia sjellë fati të ketë nevojë për të trokitur në dyert e drejtësisë e të shtetit e nuk di nëse do e presë komisari-bodyguard i biznesmenit aq të përfolur, por mik i kryeministrit apo Kushtetuta që thotë se “ligji është i njëjtë për të gjithë”… Nuk ka më zi se sa kur njerëzit humbin çdo besim te shteti… të gjithë e dimë se ç’domethënë kjo…
Njerëzit po shpresojnë që nervi i respektimit të pavarësisë së institucionit të Ina Ramës të mos ketë vdekur përfundimisht në këtë vend, që Ina Rama të mos e humbasë buzëqeshjen e përmbajtur të ushtarit që i ka dalë për zot llogores së vet. Unë nuk e njoh Ina Ramën. Por unë e mbështes fort atë. Sepse nuk dua të pendohem që vendosa t’i rris fëmijët e mi në këtë vend.

14 October 2008 @ 9:42 am
Histori e vjeter sa bota znj.Kumbaro(dikur kemi qene kolege) Dhe i urti popull kete filozofi te hajdutit qe bertet kapeni hajdutin, e ka pasqyruar me elegance ne fabulen e Ujkut qe akuzonte Qengjin se i kishte turbulluar ujin!!
Silvia Konti para proves se madhe: 1.Dosja e rruges patriotike 2. Gerdeci.3.Ceshtja Fazllic. Jo me kot nje televizion ritransmnton serialin “La piovra”.
14 October 2008 @ 9:56 am
Nje vit ne mes te xhungles e piovres: Ina Rama eshte nje vajze zonje.
14 October 2008 @ 10:11 am
Sale kellira nuk le njeri pa i ngjitur nofke.
Dhe i mungoi menjehere ne respekt dhe tentoi neperkembjen e pare te Ines qekur e quajti dicka, pavaresisht nese e quajti Silvia Konti apo tjeter gje.
Mua me vjen shume keq qe kjo nofke vazhdon ti permendet kryeprokurores ende sot e kesaj dite, pavaresisht se si ka ecur ajo ne punen e saj.
Saliu ka tendencen te zhvleresoje cdo figure qe afron dhe vesh me sadopak pushtet. Ka zhvleresu te gjithe Kopistet, zedhenesit, keshilltaret e vet, dhe ministrat. Sh pak jane ata qe i kane qendru ne krah dhe nuk e kane bere faqen e zeze. Ina eshte nder ato qe rri akoma ne kembe.
Ina duket qartazi qe ka nje perkrahje nga ai buzevici antipatik, amabasadori amerikan ne Tirane.
Por tjeter gje sdi, une si pipll i thjeshte skam marre vesh akoma rolin, pozicionin, dhe pushtetin real te kesaj zonje ne Prokurori dhe me gjere.
Shume veta thone qe ja tani ngelet per tu pare se cdo beje Ina dhe prokuroria. Por ne fakt u be nje cike si shume kohe qe po e nigjojme ket teori.
Se di se di ! Do rrojme e do shofim !
14 October 2008 @ 1:05 pm
hehe keshtu osht bo
14 October 2008 @ 1:25 pm
Nji shkrim nen dylbite e nji Qytetareje..,aq simpatik si vet paraqitja e saj ,par (ne Deja-Vu) ku pricipi dhe sensi i te qenit i vetedijshem , per pergjegjsine qe merr , eshte nji detyrim qytetar !!!
14 October 2008 @ 1:33 pm
tromaksen
sa kohe kisha pa e hasur kete fjale… ne jug, pleqte e perdorin ende… ndersa te rinjte emigrante e kane te sapo-importuar nga greku…
mire do ishte qe ne keto shkrimet neper gazeta te perdoreshin fjale me te perpunuara… nuk po flas per pasurimin e shqipes me fjale te reja se e ka marre ferra uraten ate pune…
14 October 2008 @ 1:38 pm
Pavarësisht se autorja e shkrimit mundohet të bëjë një analizë të profilit të shefes së akuzës së Shqipërisë unë mendoj se Ina Rama ka bërë pak ose aspak prej kohës që është caktuar krye-prokurore.
Më thoni se cilat nga skandalet e përmendura më sipër (abuzimet me fondet e rrugës Durrës-Morinë, Gërdecin apo Fazllicat e ku ta di unë sa e sa të tjera më pak të njohura) u ka dhënë zgjidhje krye-prokurorja jonë???!!!
14 October 2008 @ 1:42 pm
bukur….vèrtet bukur,flm pèr mendimin e thjeshtè e qytetar qè pèrcjell shkrimi!!
14 October 2008 @ 1:50 pm
Jugu prerdor “trendalisen” ndersa rralle shume rralle perdoret “tromaksen”,
ne se behet fjale per “tronditen” “turullosen” “hardallosen”.
Psh semundja Mixhiste ka pamjen me te kuptueshme te semundjes se
Hardallosjes.
14 October 2008 @ 1:52 pm
eh…
14 October 2008 @ 2:04 pm
fjala “tromaksen”…pèrdoret shumè nè vlorè,p.sh. “mè tromakse fèmijèt”…nè kuptimin i trembe i trondite….kurse “trendalisen” hera e parè qè e dègjoj!!
14 October 2008 @ 2:10 pm
14 October 2008 @ 2:18 pm
“tromaksem”/ “i tromaksur”, nga gjyshet e zones kolonje-leskovik e kam te degjuar une.
c’te them per inen? mami thote qe “kjo e mendjen si i rrine floket, kur flet”.
14 October 2008 @ 2:20 pm
nejse ???
14 October 2008 @ 2:28 pm
nejse, flok, thjesht me terhoqi fjala “tromaksje”, kujtime.
ina te me fale.
14 October 2008 @ 2:29 pm
Ky titull eshte keqndjelles.
Shpetoni ushtaren Ramen.
Ramet e tjere vdesin sipas tij.?
14 October 2008 @ 2:31 pm
Jugu ka hapsire te konsiderueshme dhe nje larmi te jashtezakoneshme fjalesh per te njejtin kuptim .
Ndoshta i rralle ne bote per kete veti kur ne 100m katror ose dendesi per fryme te popullsise , mund te gjesh te njejtin kuptim per fjalen “TUFA” ne dhjetra krahasime, si “kope” “grigje” “bagetia” etj…..
Keshtu qe jam me Blete per kete percaktim , dhe me qe eshte rasti per ngjashmeri ne se shkon, Mixhizmit do ti shtoja edhe dicka si “i hazdisur”.
znj Ina po tenton te ruaje profilin e PROK.te PERGJ ne ngjashmeri me paraardhesit e saj ose e konturuar brenda Ligjit….
por ajo duhet ta kete te QARTE se ne nje shoqeri te “semure: nga marrezia e madheshtise ,ku delirantet bejne “LIGJIN” s’ka gjasa te kete suxesin qe kerkojme ne nga Drejtesia .
14 October 2008 @ 2:48 pm
Keta do me vdesin mua, se qeshuri, me keto metaforat dhe krahasimet figurative. Akrobaatet e cirkut do ti kishin zili anal-istet tane per “kapercime” te tilla ne arsyetime.
Tashme ne zhargonin e perditshem politik te shtypit tone do futet dhe komisar Katani si term dhe do ti bashkangjitet termave te tjera si infrastruktura e problemve dhe demokratizimi i demokracise.
14 October 2008 @ 5:30 pm
O Nexhi, të drejtë ke vallahi… po diskretitimi i figurave afër Salës, i përgjigjet asaj essesë mbi “rolin e budallenjve në shoqëri”.
Sala ka aftësinë e tmerrshme të mbajë budallenj afër e rrotull, edhe të budallëzojë ata që ka afër tij. Kët strategji ka lujt për të qenë mnjishi i Pëdhësë.
Kjo goca mirë e ka shkrujt po i ka rëndu penës aty ku përmend nja katër a pasë herë “një femër në botë mashkullore”. Ok mi gocë e pëlqejmë Inën, edhe ngaqë është femër e pëlqejmë. Po avash se të qenit femër nuk është argument.
Edhe Xhozi femër duket, po është tartakut i gjallë, nuk po flas për Makbulen…
14 October 2008 @ 5:37 pm
Ky titulli sec me kujtoi tani: “Salvate il soldato Ryan!” te Spilberg… sikur s’i mjaftonte Ines Silvia dhe Katani!
14 October 2008 @ 10:30 pm
Ushtarja Ina Rama, ushtari Sali Berisha, ushtari i mire Shvejg, te gjithe keta ne sherbim te popullit jane. Rrofte ushtria popullore shqipetare. Rrofte populli ushtar! Ore cfare po them? Harova fare, ne tani qe u pranuam ne NATO nuk kemi me ushtri dhe ushtar si dikur, bile nuk kemi ushtri fare. E cna duhet? Qe ti vjedhim armet e ti perdorim kunder njeri tjetrit? Apo qe ti demontojme e ti shesim privatisht?
14 October 2008 @ 10:40 pm
trauma=tromaksem, perdoret shume te pakten ne Vlore psh, te rente damllaje se me tromakse
Per temen, une jam “tromakse-free”, asgje s’me ben me pershtypje. Kur thote Taqi te nje teme tjeter si me “hajgare” qe te bejme konkurs per kush gjen skandalin e javes, vallai duhet te jete i tipit termet i shkalles 6.5 e larte, se ndryshe s’ma ben syri tert.
15 October 2008 @ 12:59 am
Me u tromaks perdoret dhe ne tirane, dhe nuk eshte ndonje fjale e rralle e shqipes. Me u trand, me u trondit, me u trullos, me u trall jane sinonime, Te tjerat jane lokalizma, kryesisht me origjine keqshqiptimin
15 October 2008 @ 1:27 am
Vertete une jam i turperuar se si shqiptaret e shtetit eme ende nuk kan arritur te piqen dhe te mesojne te kene shtet,kjo ndoshta sepse me mire u rrinte kerrbaqi mbi koke.Lereni Ina Ramen te beje punen e saj,than e çnuk than taborret partiake eshte vleresim koti sepse po nuk arritet te kuptoni sensin e te qenit transparent ne mendim per vleresim real,nuk do te arrini te kuptoni dot as esencen e te qenit qytetar i nje shteti.Une jam Kosovar dhe çdo vit jam ne Shqiperi per pushime por,se di me habisni ,aq pak jeni kombetar sikur nganjehere me dukeni pa identitet,asnjehere nuk jeni ne gjendje te dalloni te miren nga e keqja,ende nuk jeni te gatshem te luftoni smundjen qe po e vuani.Ju sikur nuk deshironi te keni shtet,flisni vetem per emigracion dhe nuk keni tendencen te jepni kontributin tuaj per te permiresuar gjerat ne vend,deshironi ti keni te servuara,gje qe nuk arrihet.Andaj nuk eshte e mire vetem kritika,e them ashtu e pabaze si juaja ngase,per te kritikuar duhet te jesh ne apo mbi nivelin intelektual te te kritikuarit,duhet te jesh transparent ne mendim dhe vleresim,e jo te ndikohesh dhe te flasesh i ndikuar,sepse e humbe kuptimin e vet idese konstruktive.