Shëndetësia shqiptare larg qytetarit dhe mjekut
Gazeta Panorama
Petrit Vasili
Ka një pjesë të qeverisjes që do apo nuk do cilado qeveri në pushtet është nën monitorimin e vazhdueshëm të vëmendshëm dhe kritik te qytetarit e që lidhet me shëndetësinë dhe mënyrën se si ecën ajo si dhe çfarë ajo i ofron qytetarit votues.
I ndodhur nën trysninë e një problemi të dhimbshëm dhe që ka të bëjë me shëndetin, qytetari shqiptar si nje nga pikat më të forta te kontratës që ai bën me partitë në kohën e fushatave zgjedhore është pikërisht shëndetësia. Pas bujurdisë së premtimeve të pafunda të pamasa dhe të paproporcione të 3 korrikut, ishte e pashmangshme që të vinte shumë shpejt dita e diskutimit për çfarë u premtua dhe çfarë u bë.
Ristrukturimi i denatyruar i Ministrisë së Shëndetësisë
Nën flamurin e reformave që prireshin nga lufta ndaj konfliktit të interesave dhe lufta ndaj korrupsionit, i gjithë ristrukturimi i Ministrisë së Shëndetësisë realizoi thjesht dhe vetëm një zëvendësim njerëzish krijim të strukturave pa asnjë kuptim të veçante në të ashtuquajturën reformë që kërkohej gjoja qe të kryhej dhe qe nuk pati asnjëherë as formë dhe asnjë prioritet të spikatur e të pritur.
Duke çbërë gjithçka të ngritur për me vite me radhë, ku kishte natyrshëm edhe kontribute të vetë PD për periudhën 1992-‘97 vala pasrevolucionare e pas 3 korrikut nuk kurseu asgjë. Ndonëse strukturimi i gjetur ishte shtrirë në kohë dhe ishte asistuar nga një konsulencë e huaj e gjatë dhe sistematike ku OBSH, USAID qeveri të ndryshme si ajo italiane, gjermane, suedeze etj. kanë qenë shumë aktiv dhe të pakursyer në një ndihmë sa të rëndësishme aq edhe të domosdoshme për një sistem shëndetësor me shumë probleme, kjo nuk i pengoi aspak drejtuesit e rinj në “your demolition work”. Për ironi të fatit, edhe drejtues aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë aktuale kane qenë pjesë e këtyre projekteve të mëdha kanë lëvduar arritjet e realizuara, ndërkohë që po vetë po i shkelin me këmbë sikur s`ka ndodhur asgjë. Këtu sigurisht kemi të bëjmë me një element të krizës morale të këtyre profesionistëve, që me sjelljen e tyre militante sigurisht që e kanë vënë thellësisht në diskutim objektivitetin e tyre profesional dhe besueshmërinë e fjalës së tyre, që sot sigurisht vlen shumë më pak, ose thuajse aspak.
Krijimi i drejtorive, duke pasur ndërmend njerëzit dhe jo problematikën e ka shndërruar këtë ministri në një grumbullim personash pa asnjë identitet administrativ, pa asnjë vokacion menaxherial dhe që nuk kanë asnjë lidhje me reformat apo implementimin e tyre. Lufta ndaj konfliktit të interesave që kushtëzoi ndryshimet vetëm ripozicionoi konfliktin e interesave, duke i dhënë një kuptim të ri tërësisht negativ, si dhe duke stimuluar një klientelizëm të ri tepër të centralizuar si kurrë më parë.
I gjithë ristrukturimi u shoqërua nga një pafundësi deklaratash që nuk kishin asgjë të përbashkët me reformën e sistemit përveçse rikthyen klimën e pasigurisë dhe militantizmit në administratë. Gjë që ishte mëse e qartë nga prania publike e drejtorëve te kësaj ministrie në fushatën e fundit elektorale ku ata zëvëndësuan rezultatet per reformat e pakryera me militantizmin e tyre politik militantizëm për të cilin ata kishin zëvëndësuar ata që ishin më parë në këto detyra.
Mungese e plote e konsensusit të gjerë. Megjithëse kishte nevojë ulëritëse për konsensuse të gjerë që mundësojnë reformat qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë në mënyrë tërësisht obskurantiste kurrë nuk kërkoi konsensusin e gjerë të specialistëve dhe të politikës për reformat e saja. Ajo asnjëherë nuk kërkoi publikisht këtë konsensus dhe bëri gjithashtu klasifikimin politik të specialistëve në kuq e blu, duke i humbur thelbin reformave dhe duke mos tentuar kurrë që të promovonte një diskutim të gjerë dhe të depolitizuar për reformat. Shenjë e zëvendësimit të konsensusit me debatin shterpë ishte refuzimi dhe stigmatizimi i të gjithë dokumenteve programore që ajo trashëgoi dhe për reformat në shëndetësi, duke harruar se ato ishin hartuar edhe me konsulencë ndërkombëtare, duke demonstruar një model tërësisht komunist dhe klasor sjelljeve me pasoja të pallogaritshme. Megjithëse edhe drejtuesit e ministrisë kishin qenë në shumë raste ne vitet e qenies së tyre në opozitë pjesë e tavolinave të mëdha të reformave të ministrive të majta sapo u ulen në karriget e drejtimit u sollën si bolsheviket me Car Nikollen.
Shëndetësi e izoluar nga publiku i gjerë
Sistemi shëndetësor ka qenë në dy vjetët e fundit më i izoluar se kurrë nga komunikimi i tij me opinionin publik, duke i ngjarë më shumë një strukture të izoluar dhe që komunikonte me publikun vetëm për ndonjë dhurim gjaku të ndonjë pushtetari apo ndonjë promovim te ditës botërore të ndonjë sëmundjeje të caktuar. Pa asnjë strategji të komunikimit me publikun, shëndetësia është shndërruar në memecen e madhe të qeverisë. Kumtimi me gojën e Berishës të ideve për reforma ka formësuar idenë se shëndetësia nuk qeveriset më dhe se ajo komunikon vetëm kur do kryeministri dhe nuk ka për detyrë të komunkoiuje më në public përgjëgjsitë e saja te drejtpërdrejta për sistemin.
Duke zëvendësuar komunikimin e gjerë publik dhe mediatik me taktikën meskine të suflerëvë te lodhur, të konsumuar, të refuzuar nga publiku i gjerë reminishentë të një shëndetësie që vlen vetëm për interesat e tyre të ngushta personale, shëndetësia u shndërrua aktualisht thjesht dhe vetëm në një mbytëse të çdo zëri oponent, duke demonstruar një profil komunikimi mediatik sa anakronik, aq edhe të mbyllur.
Këtij izolimi të komunikimit me publikun e gjerë nuk i shpëtoi dot as në momentet më të vështira të cilat u verifikuan gjatë emergjencave të mëdha publike, si gripi i shpendëve dhe tash së fundi me gripin shumë të përhapur apo me problemet e shumta të rimbursimit të barnave dhe sajesave për riadministrimin e shërbimit parësor, shërbim të cilit iu zhduk edhe drejtoria që e përfaqësonte në Ministrinë e Shëndetësisë drejtoria e ngritur nga vetë PD në vitet 1992-‘97.
E mbyllur pa asnjë zë tjetër, veç atij të ministrit, shëndetësia i ngjan një kështjelle që është rrethuar nga të gjithë dhe që nuk komunikon as me qytetarët dhe as me mjekët dhe infermierët. Brenda kësaj kështjelle lëvizin fantazma, të cilët kanë frikë nga ndonjë gabim politik i rëndë dhe me pasoja që mund tu ndodhin po që se flasin dhe diskutojnë. Këtë boshllëk humnerë është e pamundur që ta mbushin ata pak suflerë me memorje të shkurtër, të cilët duke u perfeksionuar në zanatin e tyre të servilit për interesa të vogla shkruajnë ëndrra për reforma shëndetësore inekzistente dhe që ngjajnë për nga stili dhe fryma me ato që po vetë kanë shkruar para viteve ‘90 në “Zërin e Popullit”.
Qytetari nuk është më qendra e sistemit
Duke folur vazhdimisht për pacientin dhe jo për qytetarin, ky sistem shëndetësor që mbretëron në Shqipëri ka humbur thelbin parandalues të tij, si dhe thelbin e orientimit të tij drejt një shërbimi parësor me kualitet dhe efikas. Inkurajimi i kësaj problematike që synon të merret vetëm me pacientin dhe jo me qytetarin tregon qartë një profil pa vizion dhe të orientuar nga interesa të tjera dhe jo ato parimore. Politikat e mëdha parandaluese orientojnë veprimin e tyre nga qytetari, i cili nuk mund dhe nuk mund të jetë vetëm i sëmurë, por synojnë të parandalojnë problematikat që lidhen me shfaqjen e mundshme të sëmundjeve.
Model menaxhimi i vjetër
Megjithëse para 3 korrikut u fol dhe u premtua për një model të ri, sigurisht që modeli aktualisht i ndjekur është fatkeqësisht po i njëjti që u stigmatizua thellësisht nga vetë PD. Ky non sens e bën tërësisht të pabesueshme thelbin e asaj që u pretendua dhe premtua lidhur me menaxhimin e sistemit dhe thellon krizën e besimit ndaj kësaj shëndetësie që na propozohet sot. Buxhetet historike dhe ndarja e tyre sipas klientelizmit partiak janë dominantet e modelit, duke mos sjelle asgjë të re në mendimin menaxherial.
Ky model menaxherial i ngurtë dhe pa ide nuk ka bërë asgjë tjetër, vetëm sa ka thelluar mosbesimin edhe të donatorëve të huaj dhe praktikisht shëndetësia aktuale nuk po bën gjë tjetër, vetëm sa përpiqet shpeshherë edhe pa sukses të vërë në lëvizje projektet e gjetura trashëgim nga ministria e mëparshme e majtë dhe ku asnjë projekt i ri nuk është vënë në lëvizje.
Zëvendësimet e shumta të pambarimshme dhe pa kriter sigurisht kane bërë mosbesuese administratën e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë përpara donatorëve të huaj, duke demonstruar në jo pak raste qëndrime politike alla bolshevike, që nuk kanë kursyer edhe specialistë me një staturë profesionale të shkëlqyer.
Mjekët nuk janë partnerë realë
Duke pasur një koncept të vjetëruar për marrëdhëniet me personelin shëndetësor dhe veçanërisht me mjekët, sistemi aktual e ka spostuar mjekun në periferi, duke e shndërruar thjesht në një plotësues të sistemit dhe jo në zemrën implementuese të tij, duke e lënë në këtë mënyrë jashtë mendimdhënies për reformat. Duke e konsideruar si një qenie që “duhet ruajtur se merr para” mjekut i është hequr thelbi i misionit të tij si një kontribuues i rëndësishëm për reformat dhe kësaj dare presioni nuk i kanë shpëtuar as mjekët e QSUT, duke sajuar konfliktin më të ulët të verifikuar me ta dhe duke krijuar një përplasje të paprecedent, gjoja nën flamurin e luftës ndaj konfliktit te interesave.
Vënia pro dhe kundër e mjekëve dhe stimulimi i interesave meskine dhe hakmarrjeve të disa mjekeve të tjerë në QSUT, si dhe mbajtja e qëndrimeve jashtë çdo etike ndaj disa personaliteteve te mjekësisë shqiptare ishin prova te kompromentimit të thellë dhe meskin të raportit me mjekët dhe jo të ndërtimit të domosdoshëm të një raporti të ri dhe me një dimension të ri me ta në të mirë të reformimit dhe strukturimit të sistemit.
Kontroll sanitar i shpërfytyruar
Pasi u destrukturua, duke filluar që nga Ministria e Shëndetësisë, mund të thuhet pa e tepruar se kontrolli sanitar dhe ai epidemiologjik po përjetojnë momentin më të pashembulllt të depersonalizmit dhe janë në pragasgjësimin e tyre real. Një krizë të tillë ky sistem nuk e vuajti në këtë formë, as në momentet më të vështira të tranzicionit të vitit 1992 dhe është paradoksale të mendosh se kjo ndodh sot. Por mungesa e vizionit dhe personaliteti profesional dhe menaxherial thellësisht i cunguar i drejtuesve ka bërë që këto dy shërbime kombëtare që janë edhe thelbi i imponimit nëpërmjet ligjit të shëndetësisë për këto çështje të mëdha të jetë në prag të shpërbërjes totale, duke e shoqëruar këtë edhe me amendimet e turpshme ligjore që i janë bërë edhe ligjit për Inspektoratin Sanitar Shtetëror.
Duke humbur këtë dimension, mund të thuhet pa hezitim se sistemi shëndetësor shqiptar në këtë moment të përballjes së madhe me abuzivizmin dhe rreziqet e mëdha sanitaro-epidemiologjike figuron i privuar realisht dhe de facto nga instrumentet e imponimit ligjor të ndërtuar me aq mundim dhe të pasuruara kohë pas kohe me mjaft arritje të reja ligjore, dhe pse jo edhe me burime të reja njerëzore.
Kriza e barnave
Megjithëse para 3 korrikut shumë nga njerëzit e maxhorancës aktuale u çorrën gjatë dhe shumë për dramën e mungesës së barnave në spitalet shqiptare, si dhe premtuan me zhurmë të madhe shumë gjëra për zgjidhjen e këtij problemi edhe me zërin e kryeministrit, por edhe të ministrit, sigurisht të gjithë e kuptuan më së fundi se ata nuk e kishin seriozisht këtë problem të madh.
Publiku i gjerë shqiptar, por edhe shumë profesionistë kishin sugjeruar mjaft zgjidhje lidhur me një sistem të ri të menaxhimit të integruar të barnave në spitale. Por me arrogancë drejtuesit e shëndetësisë folën për modele të tjera imagjinare, por asnjëherë për zgjidhje konkrete dhe aktualisht përjetimet e përditshme lidhur me këtë problem janë dramatike, duke filluar që nga QSUT dhe ndryshimi i madh nuk ndodhi, bile çuditërisht avokatet e djeshëm të pas 3 korrikut kujtohen sot të shajne dhe denoncojnë këto mungesa për të cilat kanë përgjegjësi po vetë dhe ku nga buxheti i shtetit shpenzohen akoma më shumë para se më parë.
Këto problematika kritike që po përjeton dhimbshëm sistemi shëndetësor shqiptar, të cilave u duhet shtuar edhe kriza e investimeve dhe stanjacioni i plotë i sistemit të sigurimeve shëndetësore, janë kambana të vërteta të alarmit të një sistemi shëndetësor në krizë të thellë, ku fillimi i daljes nga kriza nuk mund të presë më. Nuk mund te qëndrojë në këmbë më një sistem larg qytetarit dhe shumë larg mjekut e që e bën ndërmarrjen e reformave viktimë të empirizmit militant të të paditurve. Në funksion të kësaj kthese të madhe të mirëpritur nga të gjithë, të jemi në të njëjtën llogore dhe me përulësi do të vihemi në dispozicion me gjithë sa dimë në mbështetje të ndryshimit të madh të shëndetësisë tonë.


29 Mars 2007 @ 7:24 pm
….mjeku shqiptar te pakten te merr leke po ben me te miren te sheroj (I think)…
…keta bjondat ketu po i shkove njehere per vizite, jo qe sduan me ja dit shume te te sherojne, por te japin me shume ilace qe te te mbajne lidhur, ….
….pale te shkosh tek ndonje spital “free” - bejne experimente ….
…
2 Korrik 2007 @ 3:58 pm
te keqen doktorave shqiptar ketej nga ne ke vdek derisa te vi rradha ndodh ndonjeher qe radha te vjen edhe pas nje muaji kur te kan ik dhimbjet fare