Sa bukur të rrezikosh!
Në ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në Nato, ajo që nuk u tha kurrë.
Monika Shoshori Stafa
Gazeta Shqip
Katër dekada për të kujtuar e për të harruar. Prej Varshavës e vetëm dy ditë më parë në Bukuresht. Prej denoncimit të aleancës politike-ushtarake sovjetike deri tek ftesa për t’u anëtarësuar në aleancën politike-ushtarake veri-atlantike. Veri-atlantike quhet për traditë, sepse në të vërtetë është shumë më tepër se e tillë. Prej atij çasti kur shqiptarët u urdhëruan të rrojnë me vigjilencë, të kenë armën nën jastëk dhe të shohin armiq gjithandej, ngado që të hedhin sytë. Ndarja ndodhi. Traktati u prish. Miqësia u kthye në urrejtje. Midis shtetesh shpesh një gjë e tillë ndodh. Ka ndodhur dikur madje edhe midis “armiqve të përjetshëm”, që, sipas shprehjes së Fishtës, “n’mni t’njani-tjetrit kishin le”, midis shqiptarëve e serbëve. Ka pasur kohë urrejtjeje “shtatqind vjet me i djegë kullat”, ka pasur edhe stinë dashurie dhe rrëmbime devojkash në oborret e krajlive.
“Dashuri dhe ndarje” (Divorce Albanian Style) . Kështu e ka quajtur filmin e vet dokumentar regjisorja e mirënjohur bullgare Adela Pejeva, autore e shumë dokumentarëve, midis të cilëve edhe e filmit “E kujt është kjo këngë”. “Gjatë asaj kohe tek unë erdhi një burrë, i cili më tregoi historikun e familjes së tij. Ishte martuar me një të huaj dhe ishte ndarë. Në fillim mendova se bëhej fjalë për një rast të veçantë, por ditën tjetër ai erdhi përsëri tek unë bashkë me pesë burra të tjerë me fat të ngjashëm. Pikërisht atë çast më lindi ideja për një film të tillë”, është shprehur regjisorja. Në Shqipëri ajo gjeti vetëm në këtë vend dhjetëra raste të “dashurive dhe ndarjeve” për shkak të armiqësimit të shteteve dhe të prishjes së traktateve. Tetë histori familjesh dhe dashurish të rrënuara nën peshën e perdes së çeliktë të ndarjes së botës në kampe dhe të akullnajës që mbuloi kontinentin për shkak të “luftës së ftohtë”, prej të cilave vetëm tri u përzgjodhën për t’iu paraqitur shikuesit, përcollën jo vetëm tek shikuesit, por edhe tek juritë, aq shumë tronditje, sa përfundimisht këtij filmi, “Dashuri dhe ndarje”, t’i jepej çmimi ndërkombëtar “The Golden Chest Grand Prix” - “Arka e artë - Çmimi i madh”.
Ishte ende “kohë miqësie” kur studentët shqiptarë në Moskë e nëpër kryeqytetet e vendeve të Lindjes u këshilluan fillimisht që të gjenin shkase për t’iu larguar të dashurave të tyre të huaja. Të ishin të kujdesshëm. Të mos afroheshin shumë. Interesat e atdheut e kërkonin një gjë të tillë. Duhej të flijohej diçka. Në Shqipëri kishte vajza të bukura. Detyra para ndjenjës. Mikroborgjezët dorëzohen para sentimenteve. Revolucionarët jo.
Pastaj do të vinte koha e udhëzimeve dhe direktivave “të brendshme”. Të gjitha shenjat ishin se së afërmi do të fillonte “dimri i madh”. Në romanin “Muzgu i perëndive të stepës”, I. Kadare, duke evokuar ngjarje të kohës së studimeve universitare në “Gorkij”, nuk gjen dot asnjë zgjidhje për t’ia mbrojtur fytyrën një djaloshi të dashuruar që duhet të ndahet me urdhër nga e dashura e vet moskovite, përveç “strukjes” brenda baladës së moçme të vëllait që ringjallet për të mbajtur fjalën, domethënë për të qenë besnik në dashuri. Ashtu ishte urdhëri. Duhej të ndaheshin dhe njëherësh arsyeja të mos tregohej. Jo, s’mund të përmendej arsyeja shtetërore, “pour la raison d’etais”. Të dashurat ruse, polake, rumune, bullgare, cilatdo qofshin, duhej të liheshin pa e marrë vesh pse. Sepse armiqësia ndërshtetërore ende nuk ishte shpallur. Sepse gazetat ende botonin shkrime me tituj të bujshëm për miqësinë e pathyeshme dhe shekullore shqiptaro-sovjetike dhe për unitetin e çeliktë brenda kampit.
Nuk do të vononte koha e urdhërave, e direktivave dhe e kërcënimeve. Ti je komunist apo revizionist? Je atdhetar apo i shitur? Je me ne apo me Moskën? Je me komandantin apo me Hrushovin? Zgjidh e vendos, por mendoju mirë. Nëse do të mbash gruan me shtetësi të huaj duhet ta pyesësh veten: pse do të qendrojë ajo këtu, përveçse për veprimtari agjenturore? Natyrisht, të flitej për dashuri dhe për fuqi shpirtërore njerëzore, për atë fuqi shpirtërore që nxiti dashurinë e Paridit për Helenën, ishte e papërfytyrueshme. Ishte kohë revolucioni, të tilla “vogëlima” askujt nuk mund t’i dukeshin serioze.
Adela Pejeva thotë se kishte dhe një fazë tjetër, më të vrazhdë, më brutale dhe më çnjerëzore, në vitet që do të vinin, kur perdja e armiqësisë do të bëhej e vërtetë dhe do të merrte pamjen e gjendjes së përhershme të alarmit, bunkerit, fortifikimit, uniformës ushtarake, portretit të Brezhnjevit në tabelën e qitjes, urdhërit të situatës luftarake për të përballuar një koalicion armiqsh, që sulmonin vendin në mënyrë të koordinuar, nga Lindja e nga Perëndimi. Sipas realizuesve të dokumentarit, në vitet 1950, pas shkurorëzimit të Stalinit, diktatori shqiptar shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Atëherë pushteti shpalli se të gjitha gratë e huaja ishin spiune të mundshme ose spiune të vërteta. Shqiptarët që kishin studiuar jashtë dhe nuk kishin pranuar t’i ndanin gratë e huaja u arrestuan dhe u dënuan me dhjetëra vite burg. Në film është paraqitur edhe gjykimi i palës tjetër, i prokurorëve që kanë trajtuar dosjet e tyre, i njerëzve të sigurimit të fshehtë të Shqipërisë, që e kishin për detyrë të hetonin se ç’ndodhte deri në familjen shqiptare. Të gjitha këta shprehen para kameras. Secili në mënyrën e vet flet për fatin që ka përjetuar. “E përbashkëta e personazheve të mia është se ata nuk janë njerëz të djallëzuar, gjë që është e pabesueshme pas asaj që kanë përjetuar ata gjatë rrjedhës së viteve. Me siguri koha dhe vitet e kaluara në burg i kanë detyruar t’i shohin gjërat në mënyrë më filozofike. Këta janë njerëz që mund të falin, ndryshe nga të tjerët, nga përfaqësuesit e sigurimit të shtetit dhe prokurorët”, shprehet regjisorja Adela Pejeva.
Në të vërtetë “Dashuri dhe ndarje” nuk është film, është vetë jeta që kanë jetuar shumë shqiptarë prej viteve 1960 e këndej. Disa i lanë vullnetarisht dhe pa ndonjë vramendje apo brerje ndërgjegjeje shoqet e tyre të jetës, nën tmerrin se brenda shtëpisë mund të kishin një agjente. Disa pritën derisa i thirrën në organizatën e Frontit dhe u thanë se duhej të zgjidhnin o triskën, o agjenten. Disa i paditën si bashkëpunëtorë të “agjenteve”, zonjave të tyre. Askush nuk u mor ndonjë herë me shkakun e vërtetë të asaj që ndodhi. Imagjinoni, një hetim gjyqësor për të vendosur ndarjen e një çifti për shkak se gruaja ishte e huaj (në fakt, nuk del që gratë sovjetike apo të tjera gra prej vendeve ish-komuniste të kenë mbajtur në vendet e tyre burra shqiptarë). Shoku filan, pse e kërkoni ndarjen? Nuk pajtohemi në karaktere (si të të them, shoku prokuror, gruaja ime është e huaj, është sovjetike, dhe ne jemi armiq tanimë). Domethënë mospajtim karakteresh. Po, kjo është ! Atëherë ndarja juaj pranohet. Qytetarja, bashkëshortja juaj, është e lirë të kthehet në vendin e vet. Vendimi u mor. Ka ankime?! Jo. Çështja u mbyll.
Shumë e thjeshtë në jashtësi. Shumë e thellë në brendësi. Perdja ra dhe, ndryshe nga ç’pritej, nuk i la njerëzit atje ku i gjeti fati, familja, dashuria. Jo, duhej të këmbeheshin edhe njerëzit, secili të vetët. Të paktë, shumë të paktë qenë ata që nuk i prishën familjet e tyre. Pas viteve 1990 u mësua se shumë zonja të vërteta ruse, pas kthimit në vendlindje, ruajtën kujtimin e dashurisë së parë, ruajtën mbiemrin e shokut të jetës që patën zgjedhur, ua dhanë këtë mbiemër (Rexhepova, Rahmanova, Damianova) dhe fëmijëve të tyre, ndërsa portretet e njeriut të jetës nga vendi i largët Shqipëri u kthyen në ikona mbi ballin e dhomës së ndjenjes në apartamentet e Moskës e të Petersburgut. Ato rrojtën përjetësisht me njeriun e idealit. Ato shkonin në konferenca ndërkombëtare vetëm që të shiheshin edhe një herë sy më sy me njerëzit që i kishin dashur deri në kushtim tërësor. Tërësisht naive besonin se ishte faji i shteteve të tyre që i kishin ndarë me të dashurit e zemrës.
Po burrat shqiptarë çfarë bënë? Pranuan ndarjen, se ashtu e kërkonte interesi i shtetit. Besonin se ekzistonte një interes i tillë, vërtet ? Apo ndoshta s’deshën t’ia dinin kurrë se midis detyrës dhe fuqisë së ndjenjës përjetësisht kishte pasur mospajtim, dhe fundja, kjo do të thoshte se mjaftonte të kishe pak guxim për të rrezikuar ? Për të rrezikuar e për të thënë jo. Sepse në jetë, ia vlen të rrezikosh. Përndryshe ajo e humbet tërësisht kuptimin e vet. Të rrezikosh sepse ndarja me to nuk ishte vetëm çështje e përthyerjes së një strehe që e kishin ngritur jo me pak mund, por përbaltje e ndjenjës së tyre.
Kishin marrë gra, apo ishin martuar me të dashura burrat shqiptarë që aq lehtë ia lanë gjithë fajin armiqësisë shtetërore dhe perdes së traktateve? Hëm, zor se mund të besohej mundësia e dytë. E di pse ? Sepse në jetë është bukur për të rrezikuar. Por që të rrezikosh duhet të kesh një udhëheqje të brendshme shtytëse. Ndoshta djemtë shqiptarë që studiuan në universitetet e Lindjes i prishën lehtësisht familjet e tyre jo se nuk e dinin se sa e rëndësishme dhe sa sublime është të rrezikosh në jetë, por sepse thjesht po përjetonin një ndarje, jo humbjen e një dashurie. Ishin të njëjtët që, kur të dashurat e tyre, me njëmijë mundime bridhnin nga Bukureshti në Prishtinë dhe nga Prishtina në Mynih, nga Mynihu në Paris e nga Parisi në Napoli, vetëm për një shikim, kur e ndjenin se ky shikim ishte gati të kryqëzohej me sytë e tyre. Kryeulur mbi pjatë mbikëqyrnin insiktivisht pecetën ose thjesht përplasnin qepallat drejt zbukurimores së tavanit. Pikërisht kjo është çka nuk gjendet e nuk mund të gjendej në filmin “Dashuri e ndarje”. Sepse Pejeva supozon se nuk u ndanë thjesht familje, por u ndanë njerëz të dashuruar. Kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Sa bukur të rrezikosh qoftë dhe modestisht si prof. E. Çabej, i cili, gjatë një mbledhjeje shkencore në Bukuresht, guxoi t’i puthte dorën studiueses ruse A. Desnickaja, kryetares së jurisë së doktoratës së tij të dytë, njeriut që i kishte dashur shumë të mira brenda zemrës së tij fisnike. Po ç’mund të thuash për ata burra shqiptarë që kurreshtja i riktheu në vendet e Lindjes të shihnin “fatin e parë” dhe pastaj, pa asnjë traumë, pa asnjë zhgënjim, pa asnjë tronditje shpirtërore, u kthyen në vend dhe thanë vrazhdë: “Ajo ishte martuar, por kishte marrë një budalla”. Heu, bre burrë sa pak dashuri paske marrë nga ajo ruse e bukur ! Dhe ajo po të të dëgjonte tani me siguri do të thoshte se ti s’ishe gjë tjetër vecse njëri nga ata. Po, ashtu duhet të të thoshte sepse në të vërtete ti kështu e meriton. Sepse ti nuk rrezikove, nuk rrezikove asnjëherë, nuk rrezikove as tani, para gruas tënde shqiptare kur s’kishe më arsye shtetërore, të pohoje se ato lloj grash kishin ditur të lënë gjurmë në jetën tënde. Sa e ndërlikuar po më dilka kjo histori ! Perdja, armiqësia, traktatet e prishura, familjet e ndara, kujtimi i pashlyeshëm i burrave shqiptarë në mendjet e grave ruse, strukja mbi pjatën me supë, fshehja nga rreziku, rënia e ndalimit, rikthimi, rinjohja, dhe pastaj “ajo ishte martuar me një budalla”.
Burrat shqiptarë nuk rrezikuan. Të dashurat e tyre ruse dhe prej vendesh të tjera të Lindjes e shenjtëruan kujtimin e tyre. Në ditën e artë ata nuk kishin më të ndezur asnjë ndjenjë. Ata ndanë gra, jo shoqe jete që i kishin dashur. Filmi “Dashuri dhe ndarje” i Adela Pejevës u shfaq “me dyer të mbyllura” në Irlandë, në një konferencë trajnimi për kolegë të rinj kineastë para pak kohësh, thotë regjisorja. “Aty mbeta e befasuar për reagimin e tyre, sepse ata nuk dinë asgjë për sistemin shoqëror në Lindje dhe për botën tone”- përfundon ajo.
Kanë të drejtë kineastët e rinj nordikë. Filmi vërtet quhet “Dashuri dhe ndarje”, por në fakt aty nuk ka rrezikim, sepse mungon ajo për të cilën është bukur të rrezikosh në jetë, Dashuria. Ajo nuk ishte aty. Atje kish vetëm “Familje dhe ndarje”, e cila nuk mund të jetë e njëjta gjë, përkundrazi.

7 April 2008 @ 3:53 pm
Une e kam pare kete film para rreth nje muaji kur u shfaq ne Boston. Ishin tre histori shume te dhimbshme burgu dhe ndarjeje familjesh per pune politike. Ku pas prishjes me ruset grate e huaja u akuzuan per spiunazh dhe u denuan burre e grua…Ne origjinal titullohet “Divorce Albanian Style” qe per mendimin tim eshte pak misnomer se ishte me teper “Divorce Stalinist Style, jo aq “shqiptar” si fenomen sesa fenomen i sistemit te diktatures…
7 April 2008 @ 4:02 pm
Sa bukur te rrezikosh!
Në ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në Nato, ajo që nuk u tha kurrë.
“Dashuri dhe ndarje”
(Divorce Albanian Style)
Fishta, Kadareja, Adela Pejeva, burrat shqiptare, kineastet nordike, kinemaja me dyer te mbyllura ne Irlande….dhe pak ping-pong ne peshk keto 30 minutat e fundit….e bene pak te cuditshem kete prurjen (si shkrim).
Po si u la pa permendur sakrifica e dashurise ne Bukuresht?! Ca gjera nuk thuhen kurre.
Vijon…..
7 April 2008 @ 5:03 pm
Vetem nje grimce e vogel dhe e dhimbshme e ferrit…
Faleminderit qe na e sollet!
7 April 2008 @ 5:14 pm
kjo tem o veç per mu o çuna e goca.
nuk o tem as per peshqit e as per youtubsat
t’pakten mos u ngutni me gjykue
7 April 2008 @ 5:38 pm
Shekspiro po noj pyetje kemi te ndrejte te ta pejesim si psh :
:D Po ti rri vigjilent!
1-Sa vajza shqiptare “rrembyen” vendet lindore spse kishte shume me studime….ose ne menyre artistike :-Sa zemra te huaja mashkullore PLAGOSEM…..pse vetem na i jepnin me shumice “kocet” e tyre.
2-Ka filma tamom me Tarzan po ka dhe filma me TARAZANE qe te 10 gazit!
Kush jane me te bukur……
S’po ngutmi me dhone “gjukim”.
Kur te na lejosh te kapercejme ngutjen do bi nji po Jane bo kater tani dhe aha su shpeton dot
7 April 2008 @ 6:41 pm
Mirembrema Idris!
Pergjigja kam pershtypjen se qendron tek fakti qe shoqeria shqiptare e kohes ishte konservatore, patriarkale dhe maskiliste.
8 April 2008 @ 1:36 am
S’kam si mos i bej homazh mikut tim te mire,Tahir Bejos,ushtarak i shkolluar ne Rusi qe nuk ia beri terr syri.E mbajti gruan e tij ruse duke marre persiper te gjitha pasojat: e zhveshen dhe e perjashtuan nga partia,por nuk u dha.Perfundoi si punetor ne makazinen e druve ne Lac dhe,vetem kur u hapen rruget,emigroi ne Rusi me gjithe te shoqen dhe cupen etij,Svjetllanen(ajo kish lindur ne Rusi!).Tahir Bejo vdiq ne Moske,por ekish lene me goje qe te varrosej ne Shqiperi.Amaneti tij u plotesua,por nuk kam si mos e ve ne dukje burrerine etij,ne ate kohe aq perverse qe te conte ne ferr.
8 April 2008 @ 6:22 am
Artikulli fillon me një titull që sugjeron një sekret ushtarak, vazhdon me një prezantim filmi kinematografik dhe mbaron me një lloj histerie femërore ushqyer nga një zhgënjim i plotë prej burrave shqiptarë, i autores.
8 April 2008 @ 6:28 am
Pa lidhje, me një fjalë. Pjesa e fundit duket më shumë si hartim i vitit të parë në gjimnaz; të le një shije patetizmi.
8 April 2008 @ 8:42 am
Me mendjeshkurter si ky komenti me siper e sheh qarte pse Shqiperia ka ngel prapa botes
8 April 2008 @ 9:34 am
Ravintsara,
te kam borxh dy minuta kohe dhe nje mal me falenderime.
8 April 2008 @ 10:19 am
Vertet histori te tilla ka aq shume sa ka edhe dhimbje ,ne kombinatin tekstil ne Tirane ka pasur relativisht shume familje Ruso-shqiptare ose Bullgaro -Shqiptare…. ishin te gjithe inxhinier intelektuale, qe fillimisht kishin rroga te larta dhe jetonin shume mire kishin favore dhe kushte te mira ne krahasim me popullin ..c`eshte e verteta..por sa filloi “ndarja ideologjike” e Partive Komuniste…filloi kalvari i vujtjeve te tyre varferia filloi ti kapte te gjithe ..pa perjashtim ..
8 April 2008 @ 11:23 am
Sky, unë prandaj u largova nga Shqipëria para se të mbushja moshën për të votuar se nuk desha të ndikoja në prapambetjen e saj me dritëshkurtësinë time, por siç duket nuk mjaftoka…
10 April 2008 @ 3:24 pm
Para se ta them ftoj Admin.ta vleresojne “Pa fshirje” sepse tregon REALITETIN e ketyre Mardhenieve…..
:(
:(
Shakespeare!!!!!Behu gati!!!
NGJARJE e VERTETE!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Tre shoke SHQIPTARE djem mosheqe ndiqnin studimet ne Moske…flinin ne nje dhome . Si do zot njeri me i bukur se tjetri , shtat te larte e trup selvi….
Dhe …”Belldum sevda” njera nga valltaret me te kendeshme te Balshoj Teater…..Keshtu pra shtyu e ngjeshu per disa muaj erdhi dhe LEJA e ati qe kish “perveluar” zemren e Valltares . A i u nis ne Memedhembje por pa e lajmeruar. Kur pas nja dy ditesh me lajmerojne se me kerkon poshte “filanja”…Biseduam dhe ruajta “sekretin”…
“Nuk e di c’ka ndodhur? S’na kane thene gje”
Dhe keshtu dite pas dite ,pas nonje jave qe ajo takohej here me njerin e here me tjetrin , na ftoi ” per darke”. Shkuam u kenaqem dhe ne oren qe do largoheshim tha se “ishte vone dhe nuk kishim ku shkonim” !
U pame ne sy dhe vendosem te rrinte njeri prej nesh..Ok ashtu beme!
Te nesermen pasdite i rrefej shokut pas pyetjes “si dole”?
Nuk e di! Po kam nje mendje se na ka lene Perendia CHYRYKE!
Tere kohes thoshte ah…( per shokun tone)
Qeshem dhe me te vertete pas asaj dite nuk u duk me!!!!!!!!