Rezoluta, Evropa i hap rrugë pavarësisë së Kosovës

Asambleja Parlamentare korrigjon gabimin e një viti më parë, duke sprapsur aleatët e Beogradit.

Nga Strasburgu,

Ervin BAKU
Me 96 vota pro, 48 kundër dhe 24 abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka adoptuar rezolutën e Lordit britanik Rasëll Xhonston mbi zhvillimet për sa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës. Një vit më vonë nga rezoluta e mëparshme, Xhonston triumfon mbi serbët dhe përkrahësit e tyre, me një përpjekje titanike dhe të vendosur. Në raportin e tij të shkëlqyer dhe tejet të ekuilibruar, Xhonston ka theksuar me forcë se zgjidhja e statusit të Kosovës është një element thelbësor për sigurimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Evropë. Pika kyçe dhe e nxehtë, të cilën eurodeputetët pansllavë u përpoqën me çdo mënyrë që ta hiqnin nga rezoluta, është pikërisht pika 9 e rezolutës. Ajo thotë tekstualisht kështu: “Duke qenë se Kosova është dhe duhet të mbetet një prioritet politik për Evropën dhe duke pasur parasysh sfidat që kjo sjell për politikën e jashtme dhe sigurinë e përbashkët (PESC) të Bashkimit Evropian, Asambleja fton vendet e saj anëtare, që janë gjithashtu anëtarë të Bashkimit Evropian, të vënë gjithçka në zbatim për të adaptuar një pozicion unik mbi çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, po kështu të marrin një qëndrim unik ndaj një deklarate eventuale unilaterale të pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës”. Pra, kjo i hap rrugë pavarësisë së Kosovës, edhe në rastin e një deklarate unilaterale.

Paradite

Seanca e djeshme për Kosovën ka qenë shumë emocionuese. Ka qenë me dy raunde, paradite dhe pasdite. Paradite, pas paraqitjes së raportit, erdhën deklarimet e pesë përfaqësuesve të grupeve politike të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Përfaqësuesi i grupit më të madh (grup ku bën pjesë dhe Aleksandër Biberaj dhe Lajla Pernaska), atij të Partive Popullore Evropiane, që ka 187 anëtarë ka rënë dakord në parim me raportin, por duke tërhequr vërejtjen se jo të gjithë e shohin Kosovën si rast “sui generis”, por ka dhe të atillë që e shohin zgjidhjen e çështjes së Kosovës të njëjtë me raste të tjera. Megjithëse ky grup ishte shumë pozitiv, çka solli dhe rezultatin final. Kjo dhe falë lobingut të shkëlqyer të bërë nga kryetari i delegacionit tonë në KE, Aleksandër Biberaj. Grupi i dytë parlamentar, ai socialist, me 183 anëtarë nuk është paraqitur absolutisht fare i qartë, duke lënë më shumë të kuptohet se mund të ketë ende mundësi për zhvillimin e bisedimeve brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Grupi tjetër parlamentar, ku bën pjesë dhe vet Lordi Rasëll Xhonston, pikërisht ai i Liberal-Demokratëve me 98 anëtarë, ka përkrahur tërësisht raportin. Në emër të grupit parlamentar të Demokratëve Evropianë, EDG me 92 anëtarë, ka folur kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dumës ruse, Konstandin Kozaçev, i cili jo vetëm që ka hedhur poshtë vlerësimin e Lordit britanik se janë shterur të gjitha mundësitë për dialog, por ka akuzuar dhe disa vende evropiane që sipas tij “ende pa filluar negociata i kanë dërguar sinjal Prishtinës se pavarësia do të njihet”. Në këtë mënyrë, sipas Kozaçevit, janë shkatërruar negociatat ende pa filluar.

U ndje në sallë një përplasje e qartë mes Kozaçevit dhe Xhonstonit. Kjo sepse një pjesë të rëndësishme të rezolutës e zë oponenca ndaj qëndrimit të Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës. Sipas Lordit Rasëll Xhonston, duke mbrojtur qëndrimin serb, rusët synojnë të minojnë unitetin dhe kredibilitetin e Bashkimit Evropian, të bllokojnë zgjerimin e influencës së NATO-s në rajon dhe të vështirësojnë influencën politike dhe ushtarake të SHBA-ve në Ballkan. Në këtë mënyrë, Xhonston akuzon hapur Rusinë se po përpiqet prej kohësh ta përdorë për interesat e saj këtë çështje në radhë të parë evropiane.

Edhe grupi parlamentar i së majtës evropiane, UEL me 37 anëtarë është shprehur kundër kësaj rezolute dhe kundër çdo lloj forme të pavarësisë për Kosovën.

Pasdite

Pasditja vazhdoi me diskutimet e parlamentarëve të tjerë. Derisa erdhi votimi. Është e vërtetë që serbët, me lobingun e tyre, arritën të hiqnin pikën 6 dhe 7 të rezolutës ku u bëhet thirrje Kombeve të Bashkuara që t‘i tejkalojnë dallimet dhe ta imponojnë vendimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse sipas këtyre dy pikave të rezolutës, janë shterur të gjitha mundësitë për arritjen e një kompromisi. Por nga burime të brendshme në Komisionin Politik të KE-së, mësova se kjo ka qenë një zgjidhje taktike dhe ekuilibruese. Sepse thelbi i rezolutës është fare i qartë. Po kështu, rezoluta fton të gjitha palët, pra kosovarë dhe serbë, të vazhdojnë veprimet e tyre në mënyrë të përgjegjshme, duke mbajtur angazhimet e tyre për ruajtjen e paqes dhe dialogut në çdo rrethanë dhe të abstenojnë nga çdo nxitje për dhunë. Së fundi, rezoluta penalizon Serbinë kur vë si kushtin kryesor të afrimit të saj me BE-në bashkëpunimin e saj real me TPI-në.

Një vit më parë

Një vit më parë, pikërisht në kohën kur i dërguari i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari, përgatitej të përfundonte dosjen e bisedimeve shqiptaro-serbe me variantin e pavarësisë së kushtëzuar, Këshilli i Evropës u detyrua nga votat e eurodeputetëve pansllavë të bënte një hap prapa. Pas orëve të tëra debatesh dhe pas miratimit të rezolutës mbi statusin e Kosovës, serbët dhe përkrahësit e tyre ia arritën të heqin pikën numër 4 nga rezoluta e Lordit Rasëll Xhonston, që deklaronte pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës.

Shqip

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. ados thotë:

    23 January 2008 @ 1:19 pm

    shpalleni, se ne lodhet …

  2. GENTI-7 thotë:

    23 January 2008 @ 3:24 pm

    ados:
    Duro dhe pak… Ata tek lodhja jone i kane shpresat.

  3. Qafir Arnaut thotë:

    23 January 2008 @ 4:09 pm

    Vete fakti qe ‘vazhdimi i perjetshem’ i negociatave u fut ne formulimin e rezolutes tregon qe tragjikomedia vazhdon

  4. Qafir Arnaut thotë:

    23 January 2008 @ 4:28 pm

    Kac Lymi (dhe delegacioni parlamentar i Shypnis) ishte ne Strasbourg dhe nuk ka asnje rezultat per viziten e tij. Krahasojeni me rezultatin e delegacioni t’shkijeve

    Although pleased with the significant changes made, the Serbian delegation still refused to vote in favor of the resolution. Head of the delegation Miloš Aligrudić (Democratic Party of Serbia) said that changing Article 6, stating that the CoE believed that talks had been exhausted and that it was time for an imposed solution, had been a success.

    Fellow delegation member Dragoljub Mićunović from the Democratic Party was also pleased: “A very important amendment has been adopted which avoids defining status, and leaves responsibility in the hands of the Security Council, but which has also shown something else – a very big difference of opinion as far as the Kosovo problem is concerned. Many delegates have changed their earlier view, and are now against unilateral recognition.”

  5. Zana thotë:

    23 January 2008 @ 4:38 pm

    Ku ishit ?Hiç gjekundi…çfare bete ?Hiç asgje…………..

  6. Pjer Thomas thotë:

    23 January 2008 @ 8:56 pm

    Me vjen keq qe deputetet euromajtiste paskan votuar kundra dhe ne mbeshtetje te pansllavizmit. Kjo mund te ndikoje dhe ne zgjedhjet ne Shqiperi me 2009.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com