Regjistrimi i biznesit, në një sportel të vetëm
Fabiola Çela
Gazeta Panorama
Regjistrimi i bizneseve tashmë do të bëhet në një sportel të vetëm.
Projektligji i ri për regjistrimin e bizneseve përcakton krijimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, e cila nga ana e saj do të ofrojë edhe zgjidhjen e “One Stop Shop”, për regjistrimin e biznesit. Projekti për krijimin e zyrës “One Stop Shop”, parashikon regjistrimin e biznesit dhe licencimin e tij, brenda 1 dite të vetme. Kjo qendër do të mbajë regjistrin tregtar, si bazën e vetme elektronike uniforme e të dhënave për bizneset. Projektligji i ri është diskutuar dje në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit.
Projektligji
Sipërmarrësit nuk do të sorollaten në shumë zyra për të kryer regjistrimin e biznesit të tyre. Vendimi i parë i qeverisë ishte reduktimi i kohës së regjistrimit të një biznesi nga 27 ditë në 8 ditë. Ndërsa, më krijimin e zyrës së “One Stop Shop”, regjistrimi i bizneseve do të kryhet brenda një ditë të vetme. Heqja e pengesave administrative dhe përmirësimi i klimës së biznesit janë ndër kushtet kryesore të vendosura qeverisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas FMN-së, përmirësimi i klimës së biznesit do të shoqërohet me ulje të informalitetit, i cili është ende në nivele shqetësuese. Projektligji i ri parashikon që QKR-ë të shërbejë si një ‘sportel’ i vetëm, për të gjitha llojet e subjekteve të biznesit në mbarë Shqipërinë, për të zbatuar të gjitha proceset që lidhen me regjistrimin e biznesit, duke përfshirë regjistrimin tatimor në nivel kombëtar e bashkiak, regjistrimin për sigurimin shoqëror e shëndetësor, regjistrimin pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Institutit Kombëtar të Statistikave. “QKR do të inkurajojë përdorimin e procedurave elektronike të regjistrimit përmes internetit, ndërkohë që dokumentet joelektronike do të hidhen në bazën e të dhënave të QKR, për të lehtësuar kështu vetë procesin si dhe për të mundësuar marrjen e informacionit nga publiku”, u shpreh Ruli. Ligji i ri i propozuar për QKR e shndërron procesin e regjistrimit të biznesit nga një proces me shumë faza që kërkonte vendimmarrje ligjore nga gjykata, në një proces administrativ me një ndalesë. Procedurat e regjistrimit të QKR-së, do ta thjeshtojnë dhe reduktojnë dukshëm koston e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, duke reduktuar në një ditë të vetme periudhën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri dhe për të bërë ndryshime në informacionin për kompaninë e regjistruar. Licencat që kërkohen për aktivitetet specifike, do të merren në vijim dhe nuk do të jenë më kusht që duhet përmbushur para regjistrimit të biznesit dhe regjistrimit tatimor. Të gjitha këto do të përmirësojnë dhe thjeshtojnë procedurat për regjistrimin e bizneseve dhe të sipërmarrësve të rinj.


22 Mars 2007 @ 4:18 pm
“QKR do të inkurajojë përdorimin e procedurave elektronike të regjistrimit përmes internetit, ndërkohë që dokumentet joelektronike do të hidhen në bazën e të dhënave të QKR, për të lehtësuar kështu vetë procesin si dhe për të mundësuar marrjen e informacionit nga publiku”, u shpreh Ruli.”
—
bravo Ruli.!