Reforma e Penelopës
Kur Penelopa thurte dhe shprishte copën e vet, nuk e dinte se shumë më vonë do të dilte një mënyrë më e organizuar thurje-shthurjeje e quajtur reforma zgjedhore shqiptare, që do ta perfeksiononte metodën e saj dhe do ta shtrinte në kohë dhe hapësirë atë.
E krijuar që në fillimet e demokracisë shqiptare për të realizuar procesin e tranzicionit të sistemit zgjedhor nga ai njëpartiak në atë pluripartiak, e konceptuar si zgjidhje përfundimtare e problemit të përfaqësimit politik të zgjedhësve tanë, me baba Parlamentin dhe nënë OSBE-në, ky institucion reformues hyri në historinë moderne të politikës shqiptare si Penelopa e palodhur që thurte e shthurte të njëjtën copë.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, në një vend të vogël dhe «jetim», ku luksi i të qënurit në një pozitë strategjike gjeografike, shndërrohet në një makth të pafund, ku influenca dhe interesa të ndryshme kryqëzohen duke çoroditur ardhmërinë politike dhe ekonomike të një mbetjeje pazaresh politike të shekullit të kaluar, të quajtur Shqipëri.
Nën të ashtuquajturin «qëllim i mirë», reforma zgjedhore në Shqipëri thurej para një procesi zgjedhor dhe shthurej në mbarim të tij për të rinisur me një thurje-shthurje tjetër të procesit zgjedhor të rradhës. Në fakt nëse do të kishte një pikë në të cilën të gjitha krahët e politikës sonë do të gëzonin konsensus të plotë, është dëshira për thurje të mbrapshta reformash zgjedhore të cilat do t’i shërbenin qëndrimit në pushtet të forcave politike në mënyrë që të realizonin qëllimet e veta politiko-ekonomike.
Është shumë e vështirë për dikë që të japë një definicion se çfarë reaksioni kimik ndodhte në trurin e politikanëve shqiptarë kur aprovohej fenomeni i Dushkut të madh e të vogël. Po ajo që është akoma më e vështirë për t’u përcaktuar është ajo se çfarë procesi ndodhte në mendjet e këshilltarëve të huaj të OSBE-së, të cilët jo pak por në dy zgjedhje radhazi bekuan fenomenin e Dushkut.
Mendoj se mentaliteti i « zgjidhjes së pranuar për momentin » që ka karakterizuar faktorin politik ndërkombëtar në marrëdhëniet e veta me Shqipërinë, sidomos pas viti 1997, ka bërë që ky moment të marrë përmasa përjetësie duke zgjatur tranzicionin politik dhe për rrjedhojë edhe atë ekonomik, duke kontribuar në zhytjen e vendit tonë më thellë në kënetën e informalitetit. Një informalitet që si metastaza kancerogjene ka pushtuar pothuaj të gjithë trupin e sëmurë të shtetit shqiptar.
Në fakt procesi thurje-shthurje i reformës zgjedhore shqiptare, është vetëm një pjesë e metodës ala Penelopë që është ndjekur gjatë gjithë tranzicionit tonë në pothuaj të gjithë thurjen politiko-ekonomike « made in Albania ». Thurjet institucionale administrative të qeverive të mëparshme, zhbëheshin nga qeveritë pasardhëse, strategjitë infrastrukturore thureshin dhe shthureshin në varësi të klimës qeverisëse, partnerë dhe kontraktorë të huaj lavdëroheshin dhe anatemoheshin, afroheshin e largoheshin, herë duke thurur një strategji investuese ekonomike dhe herë duke e shthurur atë. Madje metodologjia e Penelopës shtrihej deri në mënyrën e bërjes së artit e kulturës, turizmit e telekomunikacionit. Kjo formë thurje-shthurje stresuese dhe shumë pak produktive në politikë dhe për rrjedhojë edhe në ekonomi, që pati pasoja depresionuese në elektorat duke shkaktuar shterrime të vazhdueshme të pjesmarrjes së zgjedhësve në votime, kishte nevojë për një nyje e cila do të bllokonte çdo shthurje të mëtejshme.
E reklamuar si zgjidhja e problemeve, konsensualiteti në politikën shqiptare, filloi së pari me zgjidhjen e të ashtuquajturit president konsensual, pesë vite më parë. Paçka se përtej asaj që mund të quhej një zgjidhje për momentin në atë kohë, më vonë edhe konsensualiteti presidencial nuk rezultoi i tillë dhe thurje-shthurja u shtri deri në zyrën e presidentit , i cili duke dalë nga roli i moderatoti politik, krenohej me ligjet e kthyera (shthurura) sikur ky të ishte qëllim në vetvehte. Fatkeqësisht kjo tregoi se edhe pas kaq vitesh, përsëri i vetmi bashkim i qënësishëm, i vërtetë, i shpeshtë dhe i « sinqertë » në Shqipëri, mbetej bashkimi i ujrave të zeza dhe atyre të bardha, të cilat të çliruara nga çdo lloj kompleksi, vazhdonin vite me radhë të ishin shembulli më i qartë i asaj që mund të quhet pasojë e efektit peneleopë në infrastrukturë n shqiptare.
Polarizimi ekstrem i politikës sonë gjatë periudhës postkomuniste, shpesh të jepte përshtypjen e një zgjatjeje të luftës së mëparshme të klasave, por tani në një formë më të kamufluar, që e përkthyer më mirë do t’i ngjante një lufte të ftohtë civile, ku diferencimet e botëkuptimeve politike dhe krahinore, bëheshin lajtmotivi i efektit penelopë, të thurje-shthurjeve politike e strategjike.
Aspirata për integrim e politikës shqiptare si dhe hapat e saj konkrete në proceset integruese, nuk ndikuan ndjeshëm në eleminimin e efektit penelopë, pasi si gjithmonë, në kulmet e shprishjeve të mëdha politike, ishte gjithmonë « gjilpëra » huaj ajo që mundohej të arnonte copën e vjetër të politikës së re shqiptare.
Lajmi për krijimin e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, sot në 2007-tën, për elektoratin shqiptar tingëllon si lajmi më i zakonshëm dhe më i rëndomtë, në të njëjtën kohë edhe si lajmi më i pa shpresë për rregullime përfundimtare në këtë proces.
Ajo çka na mbetet të gjithëve të shpresojmë, është që shthurja kësaj rradhe të jetë sa më e vogël dhe sa më e vonë.
Redi Shehu
Gazeta Start

13 December 2007 @ 12:08 am
Une besoj se Pelhura e Penelopes eshte perqasja e duhur. Kaq vjet qe Shqiperia nuk zgjidh dot kete problem te jep te kuptosh qe nuk ka pasur asnjehere vullnet nga lidershipi. Une kam pershtypjen se kjo statutkuo e zvargies se reformes shkaktohet nga i gjithe lidershipi per te kontrolluar bazen e tyre.
13 December 2007 @ 12:09 pm
Ka nje ndryshim thelbesor midis pelhures se Penelopes dhe pelhures se pseudopolitikaneve shqiptare.
Ky ndryshim qendron tek qellimi politikes se pelhures:
Gruaja e Uliksit u perpoq te ruante integritetin e familjes se saj, ndersa Nano-Berisha vazhdojne perpjekjet per destabilizimin e plote te kombit shqiptar duke i kthyer shqiptarin e thjeshte ne nje qenie edhe me te mjeruar se sa ajo e sklleverve antike, bile edhe me uluritese sesa gjendja e njerzve prehistorike.
Te pakten ky eshte pretendimi im per pamjen e krijuar nga nje vizion i xhveshur nga xhamat e iluzionizmit fatal qe ka perfshire shumicen derrmuese te shqiptareve.
13 December 2007 @ 8:45 pm
Lexoj ketu…lexoj diku tjeter….dhe vetem te njetat gjera lexoj..mendime*
Nje rrugezgjidhje dikush????!
dhe ju lutem mos permendi votat* apo revolucione*
nje rrugezgjidhje??
Nje mendim dhashe…( ose pyetje)
13 December 2007 @ 9:51 pm
Paska dale dhe nje gazete tjeter ne Shqiperi, me emrin ; Start. Athere le ta urojme ; start te mbare.