Pse humbi Veltroni në Itali
Servet Pëllumbi
Panorama
Më 13-14 prill në Itali u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të parakohshme. Siç është bërë e ditur, Berluskoni, përfaqësuesi tipik i së djathtës italiane fitoi shumicën absolute në të dyja dhomat e Parlamentit, ndërsa “i riu” Veltroni, dy herë kryetar i Bashkisë së Romës dhe kryetari i Partisë Demokratike, që i zuri vendin Partisë së qendrës së majtë të drejtuar nga D’Alema, pësoi një humbje …të paparashikuar nga analistët. Për këtë mund të ketë shumë faktorë, që nga rënia ekonomike dhe deri te dështimi i qeverisë Prodi. Por unë, në këtë analizë të shkurtër do të doja të veçoja njërin prej tyre, që është më tepër i natyrës konceptuale dhe ideore: drojën e të majtëve për të qenë të tillë dhe në unitet midis tyre.
Veltroni, me t’u zgjedhur në krye të Partisë Demokratike, nisi ta prezantojë veten si “njeriu i ndryshimit”, që paska pasur ëndërr krijimin e një partie të madhe demokratike pa parashtesën “e majtë” dhe më afër “rrugës së tretë” të Blerit, pse jo dhe e ngjashme me Partinë Demokratike amerikane, me specifikë shekullore, që u drejtohet të gjithëve. Me një hap të tillë, Veltroni i dha fund aleancës me 12 parti të vogla të majta, edhe pse kjo çoi në rënien, tre vjet para afatit, të qeverisë Prodi dhe në zgjedhjet e parakohshme të 13-14 prillit 2008. Duke deklaruar një shkëputje tjetër më të thellë nga traditat e së majtës italiane, Veltroni u bëri thirrje përfaqësuesve të brezit të vjetër si dhe deputetëve në disa legjislatura, që të “hapin krahun” për të rinjtë, sepse ai si kryetar i PD-së, këtej e tutje do të udhëheqë “të djathtën e së majtës”, pa e quajtur veten si profesionist të politikës.
Me ndryshime të tilla, Partia e Veltronit nuk e sheh veten as në radhët e Internacionales Socialiste, nëse kjo e fundit nuk do të ndërronte emrin, duke hequr cilësimin “socialiste” dhe nuk do të zgjeronte spektrin e saj me kahje nga e djathta. Se sa realiste, të dobishme dhe të kohës janë shkëputje të tilla drastike nga traditat e të majtës socialdemokrate evropiane, apo dhe nga përvoja jo e pakët e qendrës së majtë italiane, këtë më mirë se çdo gjë tjetër e treguan rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme e vendore që u zhvilluan më 13-14 prill 2008. Është cilësuar si humbja më e madhe e së majtës italiane pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj dhe mund të thuhet se qendra e majtë italiane e pagoi shtrenjtë lojën “djathtiste” të Veltronit…
Në sfondin e qëndrimit më të fundit, që mbajti elektorati i majtë në Itali, nuk është e vështirë të kuptohet, së pari, se parti të tipit “përtej të majtës dhe të djathtës”, apo “me të djathta brenda të majtës”, për të cilat bën fjalë Veltroni, mund të ekzistojnë vetëm në kushte laboratorike dhe, së dyti, se kur të krijohen kushtet që një parti të njësohet “me të gjithë qytetarët e një vendi” atëherë partitë pushojnë së ekzistuari për t’ua lëshuar vendin “iniciativave qytetare”, apo “kuvendeve të popullit”, për të cilët shkruante Sh. Furje. Frymëzimin për këtë “novacion” Veltroni - thotë se e paska marrë nga T.Bler dhe Partia Demokrate amerikane.
Në thelb, ai ishte plotësisht i motivuar në kërkesën e vet për përsosjen e sistemit politiko-shoqëror dhe reformimin e të majtës italiane. Italia është i vetmi ndër shtatë vendet më të industrializuara të botës, me një pluralizëm kaotik e të pareformuar. Në parlamentin e fundit në Itali bënin pjesë 38 parti, ndërsa në zgjedhjet e 13-14 prillit 2008 morën pjesë 158 parti. Ende nuk po miratohet një ligj i ri zgjedhor që do të ndryshonte sistemin që sjell mungesën e stabilitetit në qeverisjen e vendit. Por a duhet të shoqërohet që sot ndryshimi i kërkuar i sistemit politik pluralist me fshirje të dallimeve dhe me kalime përtej të majtës dhe të djathtës në vendet me demokraci të zhvilluar, ndër të cilët bën pjesë edhe Italia?. Kjo është sot një nga dilemat e pluralizmit politik për të cilën Veltroni kujtoi se e gjeti një zgjidhje, duke kritikuar të kaluarën e partisë së vet dhe duke zëvendësuar ngjyrën rozë me atë të gjelbër. Në këtë rrafsh, vërtet, shumë ndryshime kanë për të ndodhur në të ardhmen me pozicionet “e majtë - e djathtë” që përdoren sot si kriter ndarjeje dhe dallimi midis partive politike. E, megjithatë, sot për sot, një dallim i tillë as në vendet me demokraci të zhvilluar, nuk mund të shpallet i tejkaluar për t’u vënë pastaj në kërkim të partive “jo politike” që qëndrojnë midis të majtës e të djathtës dhe që u drejtohen njëlloj të gjithë qytetarëve.
Është e kuptueshme që në një shoqëri demokratike, partitë nuk kanë natyrë klasore, që do të thotë se nuk mbështeten dhe nuk mbrojnë interesat e ndonjë klase apo shtrese të vetme, prandaj dhe artikulojnë interesa më të gjera sociale, deri dhe interesa themelore kombëtare, që në thelb, nuk janë as të majta, as të djathta. Veçse, partitë në asnjë rrethanë nuk mund të jenë “pa adresat sociale” dhe që mund të identifikohen me gjithë shoqërinë, sepse kështu do të kalohej në një lloj “monizmi modern”. Partitë nga vetë emri gjithnjë nënkuptojnë pjesën, ndërsa në pluralizëm edhe larminë e dallimeve sociale, kontradiktave, ideve, mentaliteteve dhe alternativave për shprehjen dhe realizimin e interesave, qofshin këto specifike për kategori e grupe të ndryshme sociale, që përbëjnë hapësirat sociale mbi të cilat ngihen e funksionojnë partitë, apo dhe të përgjithshme e të përbashkëta, që përbëjnë hapësirën e bashkëpunimit midis tyre.
Edhe vetë demokracia, që gjithashtu nuk është qëllim, por mjet zhvillimi, është gjithnjë specifike dhe me nuancat e veta nacionale, që kërkon modernizim të pandërprerë në interesin e të gjithëve. Në një proces të tillë zhvillimi ndodhin ndryshime strukturore në ekonomi dhe në përbërjen sociale të shoqërisë, pra dhe në pozicionimin e partive politike. Tregues domethënës për këtë është rritja e klasës së mesme, që në vetvete nuk është thjesht e vetëm çështje e nivelit të të ardhurave, por dhe e mënyrës së jetesës, e rritjes së mundësive për realizimin e disa ideve e qëllimeve për qytetarët dhe aktivizimin e tyre për efektivitetin e demokracisë dhe mbrojtjen e saj. Në vendet e zhvilluara evropiane, klasa e mesme ka arritur shifra të larta, që shkojnë nga 50-70 për qind dhe ky përbën faktorin kryesor të zhvendosjes së partive drejt qendrës dhe të zbutjes së dallimeve programore midis tyre.
Një rrethanë e tillë, mendoj, se duhet mbajtur parasysh kur bëhet fjalë për reformimin e sistemit partiak, apo kur duam të përcaktojmë nëse janë kapërcyer ose jo dallimet midis partive sipas kriterit tradicional, të majta - të djathta në terrenin real, në pozicionet politike, në sistemin e vlerave apo në mentalitetin e anëtarëve dhe të elektoratit të tyre. Pa një shqyrtim të tillë, rendja përpara, pa parë nëse të ndjek ose jo anëtarësia dhe elektorati, siç ndodhi me Veltronin në Itali, rezulton të jetë i dëmshëm. Aq më tepër kur kjo shoqërohet edhe me zbehje të vlerave të njohura “tradicionale” të programeve socialdemokrate, të cilave iu është përmbajtur një parti e majtë në vite.
Për këtë, mendoj, se përvoja e zhvillimit e partive socialdemokrate dhe socialiste evropiane e viteve të fundit, përmban mësime me vlerë që kurrsesi nuk duhen injoruar. Më konkretisht. Fundi i “Luftës së Ftohtë” dhe përmbysja e sistemit totalitar, u shoqërua me ndryshime reformuese edhe në gjirin e socialdemokracisë evropiane. Në “Deklaratën e Parimeve” (1989) të Internacionales Socialiste, u vu re një rishqyrtim i bazave të socialdemokracisë, duke synuar një përshtatje me ndryshimet e ndodhura apo të pritshme, si dhe një afrim drejt disa parimeve të liberalizmit. Pas kësaj, parti anëtare të Internacionales, njëra pas tjetrës, filluan të heqin referencat marksiste nga programet e tyre duke modifikuar edhe idenë e socializmit demokratik, por pa hequr dorë prej saj. Pati dhe përpjekje për të adoptuar koncepte dhe kurse politike specifike për vende apo grupe vendesh të veçanta. Më pas kjo mori trajtën e “rrugës së tretë” e T.Blerit, apo të “Socialdemokracisë së re” duke sintetizuar, së pari, orientimin konstant ndaj vlerave sociale dhe, së dyti, pranimin e tregut global që kërkonte një lloj afrimi me konceptet liberale për rolin e tregut të lirë.
Gjithsesi, me sa duket, u kalua më djathtas, duke e quajtur si “demode” idenë e “socializmit demokratik”, prandaj kur filloi t’u bjerë mbështetja në elektoratin e tyre nisi një proces tjetër reformimi, jo për t’u kthyer prapa, por për të parë përpara, duke e zbuluar rishtas idenë socialiste në procesin e globalizimit që është në zhvillim e sipër. Në këtë rrafsh, aktualisht po ndodh në disa nga partitë e mëdha socialdemokrate një rivlerësim i idesë socialiste në trajtën e një “socializmi të ri” që po reformon programet e partive socialiste dhe socialdemokrate evropiane - pa injoruar larminë e këndvështrimeve dhe pa u vënë në kërkim të një modeli për të gjitha vendet e për të gjitha kohët. Ndryshe nga Veltroni, që e paska zbuluar me vonesë “rrugën e tretë” të Blerit, që edhe gjatë fushatës zgjedhore kërkoi heqjen e çdo reference tek ideja socialiste, bile edhe nga vetë emri i Internacionales, parti të tjera socialdemokrate moderne nuk e shohin te thirrjet: “Larg së majtës dhe idesë socialiste”, por në zhvillimin e tyre të mëtejshëm…
Kështu, socialdemokratët suedezë, me konceptin e tyre të “demokracisë integruese”, freskojnë mbrojtjen e traditave socialdemokrate; socialdemokratët gjermanë me “të mesmen e re” e vënë theksin tek efikasiteti i barazisë së mundësive që arrihen përmes një vizioni të ri të arsimimit të njerëzve; laburistët anglezë, me kërkesën e bazës së partisë dhe të elektoratit po e zbutin “djathtizmin” e T.Blerit me ardhjen jo përmes zgjedhjeve në krye të qeverisë laburiste, të G. Braunit. Ajo që i bashkon sot forcat e majta, nuk është diçka fluide që qëndron diku larg së majtës dhe idesë socialiste, por lëvizja e përbashkët drejt një shoqërie të lirë, të drejtë e solidare që, në thelbin e vet, synon zgjidhjen e problemit të njeriut, realizimin e tij në një botë që ndryshon me shpejtësi. Për këtë arsye vihet re një lëvizje për të pasuruar më tej konceptet bazë të një programi më të gjerë, që ka në themelet e veta konceptet e barazisë, drejtësisë, solidaritetit, investimit për njeriun, për liritë dhe të drejtat e tij. Duket sikur ka një kthim te testamenti i Vili Brandit, i cili në vitet e fundit të jetës së tij porosiste: “Do të rezultojë një gabim historik sikur ideali i socializmit demokratik, i lidhur me lirinë, drejtësinë dhe solidaritetin, që qëndrojnë në themel të socialdemokracisë, të vështrohej si i tejkaluar”.
Kjo në substancë është ideja e kahershme e socializmit demokratik, e përshtatur me kushtet e sotme. Prej këtej rrjedh se si prirje kryesore e së ardhmes, ku duhet të konvergojnë të majtë dhe të djathtë në kuptimin e sotëm të këtyre koncepteve, me sa duket ka për të qenë investimi për njeriun, për arsimimin dhe edukimin e tij, që përbën kushtin themelor për lëvizjen drejt shoqërisë informacioniste, e kuptuar si një botëvështrim i ri, si synim dhe mundësi e njerëzve për një jetë të denjë, harmonike dhe të sigurt. Kuptohet, deri tek një e ardhme e tillë do të ecet gradualisht, pra deri atëherë po gradualisht do të dalin nga skena edhe partitë që nuk ecin dot me kohën.
Por nuk besoj se ato mund të zëvendësohen nga “tipi i ri” i partisë, që po afishohet në perëndim me emrin ekstravagant “Livesty”. Partitë “Livesty” paraqiten kryesisht si “parti biznesi” dhe kanë fytyrën e pronarit të një firme që lot edhe rolin e “kryetarit-menaxher”. Politika “jo politike” e barazuar me biznesin, sipas atyre që e mbrojnë këtë ide, kërkuaka “parti biznesi”, kryetarë jo politikanë, modernë në veshje, në sjellje, me shije në zgjedhjen e parfumit dhe me aftësi si lojtarë në bursë. Duhet thënë se një konceptim i tillë i partive nuk po gjen shumë mbështetës as në vendet me demokraci të zhvilluar, ku kufiri midis koncepteve “e majtë - e djathtë” vazhdon të jetë në programe, por në jetë po kapërcehet me adoptimin e politikave të përbashkëta dhe të kompromiseve të mëdha. E, megjithatë partitë vazhdojnë të ruajnë profilet e mëparshme pa preferuar t’u lëshojnë vendin partive “Livesty”.
Ndërsa tek ne, edhe pse dallimet “e majtë - e djathtë” janë ende të thella, ndodh që “moda” e partive “Livesty” të gjejë terren si një alternativë e nxjerrjes së partive nga kriza, që në thelb, është krizë e liderëve partiakë. Nuk është e rastit që për këtë çështje kam debatuar publikisht me ish-kryetarin e PS-së dhe kam kundërshtuar praktikën e përzgjedhjes së një numri në rritje të kandidatëve për deputetë nga radhët e biznesmenëve, që nuk i lidhte asgjë me PS-në, por që bëhej kryesisht duke parë aspektet financiare, apo dhe më keq, mundësitë e blerjes së votave prej tyre. Tashmë jemi bindur, edhe me fakte konkrete, për situatat e pakëndshme që i janë krijuar partisë nga disa “livestistë”. Mendoj se është rasti për të nxjerrë mësime edhe nga humbja e të majtëve në Itali, për të mos thelluar më tej praktika të ndëshkueshme nga elektorati.


17 Prill 2008 @ 5:37 pm
Nuk e di se ku e shikonte të fituar Veltronin Ky??
Dhe ajo që arriti Veltroni ishte e pamenduar që do të mund të arrinte…
Nëse ka ndonjë të humbur, ajo ishte e majta italjane (Bertinoti & Co) që “paguan” për disa zgjidhje jo aq popullore gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në qeveri (Indulti dhe pengesat, bashkë me Jeshilët, për ndërtimin e veprave të mëdha.
Ato vota që humbi e Majta, për të njëjtat arsye i fitoi Lega… gjë që e bëri të fitonte aq bindshëm Berluskonin.
17 Prill 2008 @ 7:50 pm
gia visto
17 Prill 2008 @ 8:33 pm
e kujt i bahet vone pse humbi humbi veltroni.Ndonje argoment me interesant?
17 Prill 2008 @ 11:33 pm
Edi,
Serveti nuk e ka bere gjithe kete shkrim per Veltronin
18 Prill 2008 @ 1:06 am
E vertete llukan po nuk te behet te vazhdosh te lexosh kur ky ia fut kodra pas bregut qe ne rreshtin e pare.