Login



Register

Prostitucioni i vjetër i politikës së re

Petro Koci
Gazeta Panorama

Parti pa kritere për shtet pa kritere. Në PS bëhesh deri kryetar edhe pa qenë socialist.Deformimi i statutit të partisë çon në deformimin e statutit të Republikës, domethënë të Kushtetutës. 115 deputetë të politikës së re vulosën në nenin 87, pika 2: “Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”. Korrupsioni organizativ në familjen politike çon në korrupsion në menaxhimin e shtetit. Akoma nuk e di kush, ku dhe si u bë marrëveshja Rama-Berisha.
Prostitucioni politik në parti çon në prostitucion me shtetin. Deputetët e PS-së votuan ndryshimet “Berisha” në Kushtetutë për një vend pune në parlamentin e ardhshëm.
Si u katandisën “burrat” parimorë të PS-së në erashka të kryetarit? Nuk mendoj se u ndodhëm para një dukurie jo të pritshme. Zhvillimet pikante në PS kanë folur për fenomenin qysh herët. Prostitucioni politik në PS ka përfshirë prej kohësh figura të larta zyrtare të partisë.
Në vitin ‘96, ish-sekretari i Përgjithshëm u arratis në Greqi, sepse u mor vesh për një arrestim të mundshëm të tij. Kryetari dhe qindra militantë socialistë ishin të njerkës, ndoshta dhe e meritonin qelinë.
Në vitin 2001, ish-sekretari i Përgjithshëm bëri sikur u vu në krah të Malajt në konkurrimin për kryeministër dhe votat që kish nën influencën e vet ia hodhi të gjitha Ilir Metës, pa patur kurajon t’i deklaronte Malajt preferencën e tij të vërtetë. Domethënë tjetër mendonte, tjetër i tha Malajt, tjetër bëri në votim.
Në 2003, i njëjti zyrtar i lartë i PS-së humbi zgjedhjet lokale në Sarandë, ku ishte deputet dhe nuk mbajti asnjë lloj përgjegjësie. Përkundrazi e arratisi kandidaturën e vet drejt Tepelenës.
Në 2005, PS-ja i humbi zgjedhjet, por numri 2 i partisë nuk e dha dorëheqjen.
Në kongresin zgjedhor socialist brenda atij viti dha dorëheqjen vetëm se u rrëzua platforma “Rama”.
Në shkurt 2007 i humbi zgjedhjet në Tepelenë dhe mbajti përgjegjësi, duke u zgjedhur në mars kryetar i Asamblesë Kombëtare!
Ndërkohë rolin më komprometues Ruçi e ka luajtur për zgjedhjet parlamentare të 2005-ës.
Kur kryetari i PSSH i kërkoi një rishikim të qëndrimeve të partisë në fushatë, sepse informacionet e marra në vazhdim flisnin për një numër më të madh votash në favor të LSI, përgjigjja ishte: “Kryetar, nuk je marrë ti me fushatat, fushatat i kam bërë unë. Ma lër mua fushatën dhe LSI-në. Do të bëj ty edhe kësaj radhe kryeministër e pastaj do shikoj punën time”.
Në fakt, puna ishte si të rrëzohej Fatos Nano për ta zëvendësuar me Edi Ramën.
Por në PS ka disa “burra” të tillë që s’u mor vesh kurrë me çfarë dhe për çfarë kanë qenë kur debati përfshinte gjithë partinë. Si mund të bëhet politikë e re me burra të tillë?
Megjithatë me lejohet ta përmend një emër, që më në fund u bë burrë. Ky është kryetari socialist i Bashkisë Fier, që hoqi nga puna kryetarin e lëvizjes ndryshe në PS-në e Fierit. Më mirë që doli hapur. Nuk shtyhet tërë jeta me politikën “as mish, as peshk”. Megjithatë, prostitucionin politik dega Fier e drejton një deputet, i cili në 2002 deklaronte në gazetë: “Unë nuk e ndryshoj kurrë qëndrimin tim. Mbetem besnik i Fatos Nanos, ndërsa tani ai betohet ‘Për kokën e Ramës’”. Deklaratë të tillë s’pata dëgjuar ndonjëherë.
Ndërkohë Rama kurrsesi nuk mund të ketë besim tek ata që shitën Nanon për karriget e tyre. Edhe ai e di që këta janë erashka të tij.
Ama politika e re mbetet: tjetër mendoj, tjetër them, tjetër bëj!
Por pse duhet që politika të jetë patjetër prostitutë?

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. ThoughtPolice Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 10:16 pm

    Te lumte pena more Petro, po kujt i thua? A ka dicka me qesharake se sa te besh politike te re me Gramoz Rucin?

  2. toko thotë:

    5 July 2008 @ 5:22 pm

    Prostututa e vjeter i thote prostitutes se re
    “E re, e re vertet, por prostitute si une je dhe ti. Vec mosha na ndan.
    “Dhe vitet ikin tutje
    ikin nje nga nje
    Dhe vashat behen plaka
    rinia nuk vjen me”

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.