Login



Register

Prostitucion imunitar

Skënder Minxhozi
Panorama
15/05/2008

Në Gërdec, dy muaj më parë, shpërthyen mbi 600 tonë tritol, 26 njerëz humbën jetën dhe rreth 300 të tjerë u plagosën. Mijëra shtëpi u rrafshuan nga vala e shpërthimit, e cila tronditi gjithë Shqipërinë e Mesme, shkatërroi mjaft biznese dhe traumatizoi një popullatë të tërë, që ende banon nëpër çadra ose në qendra emergjence. Megjithatë, në Parlamentin shqiptar nuk janë ende të bindur se përgjegjësitë zyrtare dhe institucionale për atë që ndodhi, janë të qarta dhe se implikojnë drejtues të lartë të shtetit. Dosja voluminoze e dërguar nga Prokuroria, lidhur me motivimin e kërkesës së bërë prej saj, për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, është trajtuar në mënyrë tejet banale e të papërgjegjshme nga Komisioni i Rregullores i Kuvendit. Ajo që u pa në përfundim të mbledhjes në fjalë, ishte një akt i pastër banditizmi politik dhe indiference vrastare të atyre që janë ulur në ato poltrona për të ruajtur jetën dhe sigurinë e njerëzve dhe jo paprekshmërinë e njëri-tjetrit.

Ajo që ndodhi pardje, veçse konfirmon edhe një herë se kjo klasë politike vuan në mënyrë transversale, gjithëpërfshirëse, sëmundjen e shëmtuar të hipokrizisë, një shenjë dalluese e racës së politikanëve, por gjithsesi jo në nivele të tilla transformizmi dhe kamaleonizmi. Paralelisht me debatin (a është vërtet i tillë?) patetik për heqjen e imuniteteve, shohim sesi burra dhe gra rreshtohen para kamerave në derën e Parlamentit, për të mbrojtur tezën se 800 faqe akuza të Prokurorisë së Përgjithshme nuk janë të mjaftueshme për të hequr një imunitet, që de facto ka rënë prej kohësh. Nëse vëmë re atë që dëgjojmë dhe shohim, do të konstatojmë pa vështirësi se të gjithë sot, majtas, djathtas, lart, poshtë dhe anash, bërtasin në kor për heqjen e imunitetit. Këtë e kërkon maxhoranca, e kërkon opozita, e këshillojnë edhe ndërkombëtarët madje. Dhe çfarë ndodh në realitet? Në të parën dosje të radhës, me të cilën përplasen konkretisht, politikanët bëjnë fiks të kundërtën, duke u spërdredhur në mënyrë të shëmtuar për të evituar gjënë më normale - hetimin e lirë e të pavarur të drejtësisë mbi një zyrtar.

Nga ana tjetër, heqja e imuniteteve, ky angazhim tashmë i vjetër i legjislaturës aktuale të Kuvendit, u duk se u harrua në 21 prill, kur u bënë ndryshimet kushtetuese. Një tjetër fakt që tregon indirekt sesa pa seriozitet shihet dhe trajtohet kjo temë nga forcat politike dhe vetë institucionet. “Arnimi” kaq i shpeshtë e pa axhendë i ligjit themelor, nuk mund të mos godasë imazhin dhe peshën që vetë Kushtetuta ka në jetën shqiptare.

Për t’u rikthyer tek ajo që ndodhi në Kuvend me dosjen e Prokurorisë për imunitetin e zotit Mediu, është evidente se ndodhemi përballë një mashtrimi publik të të zgjedhurve ndaj zgjedhësve. Kjo nuk është diçka e re dhe e padëgjuar, por kur një komision parlamentar ngulmon në kërkimin e provave të mëtejshme dhe më të “plota” për 700 tonë tritol që kanë shpërthyer në mes të ditës dhe në mes të Shqipërisë, kjo tingëllon diçka më shumë se qesharake apo naive. Ajo që ndodhi dhe ndodh me ngjarjen e Gërdecit, i tejkalon të gjitha akordet e marrëveshjet e hapura apo të mbyllura mes palëve, të gjitha momentet e paqes në funksion të reformave apo të arsyeve të tjera të dukshme e të padukshme. Investimi i hapur i politikës në favor të mbajtjes pezull të një krimi publik, është sa flagrant, aq edhe absurd e i pashpjegueshëm. Ende sot vazhdojmë të kemi tre persona me statusin e të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit dhe tetë të tjerë të arrestuar me statusin e vjedhësit të 21 gëzhojave nëpër arat dhe avllitë e shtëpive të shkatërruara rreth vendit të shpërthimit. Tre të arrestuarit kanë lidhje direkte me atë që ndodhi më 15 mars në repartin e Gërdecit, kurse tetë gjynahqarët ordinerë nga fshatrat e zonës akuzohen se kanë dashur të shesin ato pak kile tunxh të predhave në tregun e zi, për të nxjerrë bukën e gojës. Ka një thënie të Mark Tuenit që i shkon shumë kësaj situate në kufijtë e humoristikes dhe që thotë: “Vidh një bukë e të fusin në burg, vidh një hekurudhë dhe të bëjnë senator!”.

Famtir Mediu ka të drejtë të vetëmbrohet nga lumi i akuzave dhe i baltës që i hidhen aty-këtu nëpër media dhe ambientin politik. Ai ka të drejtën legjitime të gjejë një raport të drejtë në zhurmnajën popullore dymujore, që e konsideron si fajtorin numër një të Gërdecit. Duket paradoksale, por heqja e imunitetit është e vetmja mënyrë që ai ta bëjë këtë, sepse duke u vënë formalisht përballë akuzave, të cilat sot kanë formën e llafeve vesh më vesh, ai do të ketë mundësinë të tregojë me fakte se nuk është fajtor, apo minimalisht se nuk është i vetmi fajtor në këtë histori tragjike që hodhi në erë Shqipërinë e Mesme. “Ndihma” që ai mori nga kolegët e tij deputetë është e destinuar ta mbajë gjallë morinë e fakteve dhe historive të supozuara, që e shohin ish-ministrin e Mbrojtjes, si kokën e skandalit të Gërdecit. Mediut i intereson më të parit, që të shkëputet nga banka e të akuzuarit total, e kokës së turkut, apo e njeriut që goditet nga të gjitha anët dhe me të gjitha “sendet rrethanore”. Dhe kjo mund të ndodhë
vetëm kur përgjegjësitë të fillojnë të dallohen qartë dhe kur debati mbi Gërdecin të dalë nga suaza e thashethemeve, për t’u futur në atë të ballafaqimit të fakteve.

Për pasojë, ai turp kolektiv që u konsumua pardje në Kuvend, është një padrejtësi jo vetëm ndaj angazhimeve që politika ka marrë për zbardhjen e ngjarjes, jo vetëm një tallje me atë fatkeqësi biblike që u ra mbi krye banorëve të Gërdecit, jo vetëm një tallje e egër me parimin e ndarjes së pushteteve dhe dhënien e lirisë së duhur drejtësisë që të hetojë, por në fund të fundit edhe ndaj identifikimit të të gjithë atij grupi zyrtarësh e personash të tjerë pranë tyre, që sot fshihen pas emrit “komod” të Fatmir Mediut.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Koth thotë:

    16 May 2008 @ 9:38 am

    O Minxhoz,

    evitoje ka i cike daljen ne media dhe Tv se kan fillu robt mos me te marr seriozisht. ( e qe mos ngatarohen peshqit behet fjale per dje me date 15 Maj )

    Sepse ne TV del ne krahun e panelisteve qe e ndryshuan kushtetuten per nje ore dhe i bene i mut te madh siper , ne shkrim del ne krahun e kunder.

    “Arnimi” kaq i shpeshtë e pa axhendë i ligjit themelor, nuk mund të mos godasë imazhin dhe peshën që vetë Kushtetuta ka në jetën shqiptare.

    Ja keshtu shkruan ti dhe une nuk kam asnje mundesi te te besoj. Asnje per be. Nuk eshte se te kam marre seriozisht dhe here te tjera, po desha me than qe ti or daj nuk di cer kerkon.

    Nejse se shume u zgjata, nje tjeter analist ka thene qe sa me shume me shani aq mire me behet se me rritet tarifa e pageses nga gazeta.

    Hallall plak-o !

  2. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 May 2008 @ 9:48 am

    Hipokrizia eshte cilesi e politikaneve qe jane hipokrite.Nuk eshte cilesi profesionale e nuk e ka politika monopolin e hipokrizise.
    Koth;pse kaq i konsumuar qenka ky Minxhozi??

  3. Koth thotë:

    16 May 2008 @ 9:55 am

    Po shif Zane !

    Mua me ka lene pershtypje se ky person ndikohet nga biseda ne tavolinen e fundit ku ka pire kafe.

    Keto zhvillimet e fundit i kane bere lesh e li keta “anal-istet”.

    Nuk e dallojne fare se nga kush ane duhet te mbajne krahun. Fare. Siklet i madh.
    Iu ndryshon opinioni me nje sms. :)

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.