Pro-mortem 10 dhe Tirana
Edmond Panariti
Panorama
Në se një mëngjes do të provonim t’i hidhnim një sy Tiranës, nga lartësitë e njërit prej lokaleve të shumtë rrëzë malit të Dajtit, do të dallonim se si një vello e dendur smogu krijohet fillimisht në qendër të qytetit dhe më pas në mënyrë gati metastatike shtrihet drejt periferisë, deri sa afër mesditës arrin të mbulojë plotësisht vendbanimin e thuajse 1 milion banorëve. Për të gjithë tiranasit, kjo nuk është gjë tjetër veçse një ndër ditët e zakonshme të ritualit të pluhurosjes dhe të gazifikimit të përsëritur, pasojat e të cilit janë tashmë të stampuara te bronkitet spastike, astma dhe alergjitë, kollitjet e thata e të njoma, që në mënyrë të shpeshtë i dëgjon në autobus, lokale, shkolla dhe kopshte.
Ky skenar i trishtë është shenja alarmante e një përkeqësimi galopant të shëndetit të banorëve të metropolit, e vërtetuar kjo edhe nga treguesit epidemiologjike të popullatës së kryeqytetit.
Grimca pluhuri të imët me madhësi mikroskopike prej 10 të milionat e metrit dhe të njohura teknikisht me inicialet PM10, nisin endjen e tyre të programuar në ajrin e kryeqytetit. Shtëllungat e tyre lëvizin nëpër korridoret ajrore, duke fiksuar dhe trupëzuar brenda vetes të gjithë koktejin e gazrave toksike të përbërë nga benzenët, furanet, monoksidi i karbonit, dioksidi i squfurit, oksidet e azotit, dioksinat, të cilat shkarkohen me bollëk si nga automjetet në qarkullim, gjeneratorët buzë trotuareve, ashtu edhe nga djegia e mbeturinave të kazanëve si dhe prej një morie dhe larmie tymuesish vertikalë dhe horizontalë, dëshmitarë të zhvillimit tonë kaotik.
Ngaqë nuk ekzistojnë pengesa natyrore për këto grimca, ato depërtojnë në rrugët tona të frymëmarrjes deri në palcë të mushkërive, duke gërvishtur e gjakosur paretet e tyre dhe njëkohësisht duke i përlyer ato me të gjithë helmet që bartin. Ato janë dyfish agresive, sepse edhe plagosin, edhe helmojnë, duke çelur njëkohësisht portat për hyrjen e baktereve dhe viruseve në trupat tonë.
Sipas të gjitha gjasave, grimcat PM10 përbëjnë sot kërcënimin masiv më serioz shëndetësor të banorëve të Tiranës.
Ajri i Tiranës është më i ndoturi i Evropës. Sipas të dhënave mesatare të matjeve vjetore të kryera në pesë pika të kryeqytetit për vitin 2006, rezulton se ndotja nga PM10 është rreth 2.5 herë më e lartë se standardi kombëtar dhe 4 herë më e lartë se standardi evropian. Madje, në pika të veçanta të kryeqytetit, niveli i kësaj ndotjeje arrin deri në 10 herë më shumë se sa norma evropiane.
Nisur nga inicialet PM, një kolegu im pneumolog i ka emërtuar jo pa të drejtë grimcat mikroskopike të pluhurit, si grimca pro-mortem, ose pro-vdekje.
Të drejtë atij i japin studimet më të fundit në fushën e shëndetit. Këto studime kanë përcaktuar se për çdo 10ug/m3 rritje të PM10 mbi normë, kemi një rritje prej 3.4% të vdekshmërisë së popullatës. Por këto raste fatale përfshijnë jo vetëm vdekjet nga sëmundjet e mushkërive, por edhe ato nga zemra, sepse sipas të njëjtave studime vërtetohet se për çdo 10ug/m3 rritje të përqendrimit të pluhurit PM10, kemi gjithashtu një rritje prej 1.4% të vdekshmërisë ditore nga zemra.
Atëherë nisur nga këta tregues le të marrim për një çast lapsin dhe le të bëjmë llogaritë për të vlerësuar shkallën e dëmtimit të shëndetit të banorëve të Tiranës. Për fat të keq do të shohim se shkalla e këtij dëmi shëndetësor sillet në shifra të tmerrshme dhe të pabesueshme të një rritjeje prej 28% të vdekshmërisë nga sëmundjet e mushkërive dhe rreth 11% për vdekjet nga zemra për të gjithë ne, që banojmë në metropol.
Por kjo nuk është e tëra, sepse studimet dëshmojnë se rritja e përqendrimeve të PM10 na shkakton edhe një varg problemesh të tjera shëndetësore. Kështu për çdo 10ug/m3 rritje të PM10 në ajrin që thithim, pësojmë një rritje prej rreth 1% të numrit të banorëve që shtrohen në spitale. Po për të njëjtën shkallë rritjeje të përqendrimit të pluhurit pritet të pësojmë një rritje prej 9.5% të ditëve me aktivitet fizik të kufizuar për banorët, nga përkeqësimi i frymëmarrjes. Po kështu për fëmijët tanë pritet një rritje prej 4.1% e ditëve të mungesave të tyre në shkollë dhe rreth 1.2% rritje të rasteve të kollës.
Këta tregues të aplikuar për nivelin mesatar të ndotjes me PM10 në Tiranë për vitin 2006, do të na shpalosnin një kuadër tepër të zymtë të problemeve tona shëndetësore. Në spektrin e problemeve shëndetësore spikat për shembull një rritje prej 8% e rasteve të shtrimit në spital të banorëve të Tiranës krahasuar me normën. Gjithashtu te banorët e kryeqytetit do të vërenim një rritje prej 9.6% të shfaqjes së kollës dhe të kollitjes, ndërsa te fëmijët tanë një rritje mbi 32% të ditëve të mungesave në shkollë, pa nënvlerësuar këtu edhe rreth 36% më shumë kufizim të aktivitetit fizik, si rrjedhojë e problemeve me frymëmarrjen.
I gjithë ky skenar dëmesh nuk është pasojë e ndonjë epidemie, apo katastrofe natyrore, por mund të cilësohet si një lloj harakiri kolektiv që kemi vendosur të kryejmë në emër të një zhvillimi kaotik, të paskrupull e të pangopur për të cilin paguajmë çdo vit çmimin e vdekjeve, të gjymtimeve dhe të sëmundshmërisë në rritje.
Përkundrazi, ndryshe nga çfarë duket, të gjithë faktorët shkaktarë të kësaj gjendjeje mund dhe duhet të kontrollohen.
Si fillim është e nevojshme të rritet transparenca e komunikimit me qytetarin mbi nivelet e ndotjes në vendbanime. Për këtë nuk duhet të priten vetëm raportimet e qendrave monitoruese, por në pikat më të nxehta të ndotjes së kryeqytetit duhet të instalohen stacione automatike të mbikëqyrjes së ndotjes, të cilët të njoftojnë me anë të ekraneve qytetarët mbi nivelet e ndotjes, duke i cilësuar ato si pas rastit të pranueshme, kritike ose të rrezikshme për shëndetin.
Në fakt, ky është shembulli që na vjen nga shumë metropole botërore, tek të cilat në këtë mënyrë arrihet që të rritet jo vetëm shkalla e ndërgjegjësimit të publikut mbi rreziqet e mundshme të ndotjes, por edhe të nxitet reagimi dhe presioni i tij mbi institucionet për zbutjen ose mënjanimin e pasojave.
Së dyti, Tirana ka nevojë urgjente të ulë presionin e trafikut në qendër si një ndër gjeneruesit kryesorë të ndotjes dhe kjo duhet të arrihet me çdo kusht, qoftë edhe duke imponuar lëvizje të programuara dhe të diferencuar të mjeteve sipas kategorive, numrit të targave etj.
Në fakt, pavarësisht se cilësohet si një masë restriktive, mjaft kryeqytete evropiane nuk kanë hezituar ta zbatojnë energjekisht atë. Për Tiranën, përfundimi i punimeve në unazën e vogël do t’i jepte më shumë rrjedhshmëri trafikut, por mbi të gjitha do të ulte ndotjen e krijuar nga kantieret e ndërtimit në këtë segment.
Por do të ishte ndërtimi i unazës së madhe të kryeqytetit ajo ndërhyrje kirurgjikale, e cila do të krijonte bypass-in final për të shfryrë dyndjen dhe ngjeshjen kaotike të qendrës.
Shtrirja dhe intensifikimi i transportit publik, instalimi i sistemeve të kontrollit dhe të autokontrollit te bizneset e ndërtimit për minimizimin e ndotjes si dhe ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm me bazë riciklimi për mbetjet urbane, do të përmbyllnin kuadrin e një politike të re aktive dhe dinamike në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ngaqë kjo politikë është integruar në fizionominë e re të së majtës shqiptare duke përbërë tashmë një tipar të qëndrueshëm të saj, ajo ka krijuar xhelozi dhe po anatemohet nga kundërshtarët politikë. Por dhënia e një përmase të gjelbër, politikave tona të zhvillimit do t’i shndërronte këto në konstruktive dhe të qëndrueshme dhe mbi të gjitha do të mundësonte ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë-shoqërorë dhe natyrorë të vendit. Në thelb kjo do të ishte edhe pjesë e rëndësishme e Shqipërisë së standardeve, për të cilën kemi gati dy dekada që përpiqemi ta krijojmë.


24 Tetor 2007 @ 6:28 pm
ose qe therrmijat jane shtu shume, te sillin si shi zaresh t vogla ne mushkni, ta hajne daken, shi pluni i modh fare. khu khu khu, bebja to bukos, blei sa te dush qumesht ne kos. kto gjona si shkru tina as parlamenti si kupto dot, ne me perkthy bile. duhen ne foto, pokush ti boje, te gjithe rrrrrine tu fotografu mucmollat ke kopshi komshiut, ne perendimet e largeta. na grine fotot me njujork ne notre dame de bari, per prrenjsin askujt si bi n men.
24 Tetor 2007 @ 7:18 pm
Kadrio,ka ik Tirona lale ka ik,e ka myt pluni dhe katnaria,zdo men qi kshu ka per t`qen edhe ma keq,let ti bojn ene bypass,pras ka per t`qen.Zdo men,s`ka bur none me e rregullu at pun,
e ke nigju at kongen:
lule t`bukra ka tirona.,?
nuk osht mo ashtu,por keshtu,:
lule t`bukra ka pas tirona,..
e mer vesh se c`fare bohet ! ka pas, lale. ka pas,
s`ka mooo, as lule as tiron,
hiku ajo,mos e pyt mo, o dhi krejt,
as nji tirons nuk ka,!
kane hik cunat,kan hik,..o kadrio !e ka mor Sala m`dor,ka per t`ardh koha me ec me kundragaz,neper rruge..
24 Tetor 2007 @ 7:25 pm
autori… heren tjeter kur te jesh ne lokal buze dajtit ne mengjes beji dhe nje foto Tiranes dhe shoqerohe artikullin me fotografi…ndoshta do kete me efekt
24 Tetor 2007 @ 8:18 pm
Problemi eshte mese shqetesues. Habitem se si nuk reagojne njerzit, doktoret, intelektualet ndaj ketij pislliku dhe pluhuri ndotes, qe shton te semuret nga mushkria. ç’i kushton qeverise dhe bashkive , te gjobisin ata qe ndotin trotuaret dhe rrugen, si kamionet me lende inerte, firmat ndertimore, individet qe bejne punime e deri tek ata qe hedhin letra e pislliqe pertoke. ç’i pengon qeverine dhe bashkine te marrin masat te pastrojne rruget ne menyre radikale, atje ku s’ka me punime .
24 Tetor 2007 @ 11:00 pm
Një fotografi që bëra unë këtë verë:
http://commons.wikimedia.org/wiki/Image:ALB_20070716_img_1282.jpg
Të vjen për të qarë kur shikon atë pluhur/smog, atë tym (plehra në djegie?), dhe ato ndërtime
24 Tetor 2007 @ 11:08 pm
Me te vertete qe duhet te vihet nje dore e mire ne ate qytet.Curfew ne qender ne qender te qytetit,do te bente mire..apo heqje te patentes per te gjitha makinat qe kane kalur nje 10 vjecar..
24 Tetor 2007 @ 11:37 pm
Disi jashtë teme, adminët le të vendosin nëse ja vlen një artikull më vete, por për fotografitë të tjera të Tiranës (në fakt nga e tërë bota) të vendosura në hartë ndiqni lidhjen e mëposhtme (dhe prisni disa sekonda sa të dalin pullat blu).
http://maps.google.com/maps?hl=en&q=http://tools.wikimedia.de/~para/GeoCommons/GeoCommons-simple.kml&ie=UTF8&ll=41.331322,19.847574&spn=0.046404,0.090637&t=k&z=14&om=1
Mund të shihen dhe nga Google Earth duke ngarkuar http://tools.wikimedia.de/~para/GeoCommons/GeoCommons.kml, për më shumë lexoni http://tools.wikimedia.de/~para/GeoCommons/