Përse po braktiset Shqipëria?
Adri Nurellari (Gazeta Shqip)
Nisma e përfolur shpesh por së fundmi e promovuar bindshëm prej G99, për të pajisur emigrantët me mundësinë për të votuar, çon në qendër të vëmendjes një çështje shumë delikate e problematike që ka hedhur rrënjë prej kohësh në Shqipëri por që shumicën e kohës është e eklipsuar nga rutina politike. Braktisja e Shqipërisë nga qytetarët e saj. Qeveritë e ndryshme që kanë ardhur e ikur nga ndërtesa përbri bulevardit Dëshmorët e Kombit e kanë parë emigracionin masiv të shqiptarëve si një leverdi të vazhdueshme dhe jo si një fatkeqësi apo manifestim të drejtpërdrejtë të dështimit të tyre. Emigracioni ilegal nuk është luftuar asnjëherë seriozisht në Shqipëri përveçse në situatën kur imigracioni u vendos në krye të rendit të ditës së debateve të brendshme politike të vendeve anëtare të BE-së të cilat më pas bënë që BE-ja ta ushtronte presion tek vendet dërguese për të blinduar kufijtë e tyre. Nga një anë remitancat e vazhdueshme të emigrantëve kanë qenë për vite me radhë mbështetja kryesore e ekonomisë duke mbuluar në një farë mënyre dështimin ekonomik dhe paaftësinë e qeverive shqiptare për të shfrytëzuar optimalisht burimet materiale dhe njerëzore brenda vendit e duke bërë njerëzit si të vetmin eksport domethënës të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër emigrantët mund të hamendësohen si individë me aspirata, pretendime, iniciativë e këmbëngulje duke patur parasysh se çfarë telashesh heqin për të udhëtuar (në më të shumtën e rasteve ilegalisht) gjetur punë e jetuar në vendet pritëse. Emigracioni si proces ka shërbyer si një valvul sigurese që ka shfryrë jashtë Shqipërisë një segment aktiv të shoqërisë shqiptare që nëse do të ngelej në atdhe do të kishte rritur shumë numrin e papunësisë e do të kishte shërbyer si një detonator social pakënaqësie e revoltimi.
Asnjë qeveri nuk e ka parë çështjen e emigracionit shqiptar me alarmizëm edhe pse pas Salvadorit ne kemi përmasat më të larta të emigracionit në botë për frymë. Faktin që vendlindja nuk është më e ngrohtë dhe e ëmbël për shqiptarët duhet të nxiste një ndjesi paniku e përgjegjësie shume vite më parë. Përflitet se rreth 700 000 shqiptarë aplikojnë për lotarinë amerikane e 300 000 për kartat greke, ndërkohë që nuk mund të numërohen shqiptarët e tjerë që do të donin të arratiseshin nga vendlindja e që shohin tek futja në BE, vetëm një trampolinë për t’u larguar nga vendi pa patur nevojën e vizës. Madje ajo që është më e turpshmja është se shteti shqiptar jo vetëm që është i dorëzuar ndaj kësaj situate, por është edhe “palë në krim” në një far mënyre. Rasti tipik e qesharak i kësaj përlyerje është aplikimi për lotarinë amerikane për kartën e gjelbër (Greencard). Posta shqiptare e paguar nga taksapaguesit shqiptar, në periudhën e aplikimeve ofron një sportel enkas dhe shërbimin e ndihmës në mbushjen sa më të përshtatshme dhe të personalizuar të formularëve përkatës, në këmbim të pagesës. Madje edhe kur vijnë përgjigjet pozitive të aplikantëve të përzgjedhur, Posta Shqiptare sërish ofron një shërbim të posaçëm shpërndarje dhe njoftimi duke vendosur në ambientet e saja shpalljet e emrave të fituesve e madje duke ua përcjellë këto informacione edhe shtypit të përditshëm.
Këtu nuk është thjesht çështje ekonomike e sociale, problemi është që një numër në rritje e shtetasve shqiptarë nuk mendojnë se do të bëhet Shqipëria, nuk shohin me optimizëm të ardhmen e tyre në vendlindje dhe ç’është më e keqja, nuk ndihen rehat me identitetin shqiptar. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për emigrantët shqiptarë në Greqi që ndryshojnë emër e fe për t’iu përshtatur sa më mirë ksenofobisë së këtij vendi, as për faktin që një pjesë dërrmuese e emigrantëve tanë po e shohin emigracionin si një zgjidhje permanente e jo më të përkohshme, por për faktin që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë nuk iu mësojnë fëmijëve shqip. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende me fëmijët e emigrantëve shqiptarë të ish Jugosllavisë, por ndodh gjithnjë e më masivisht me fëmijët e emigrantëve të Republikës së Shqipërisë.
Kjo arratisje nga identiteti kombëtar nuk ka të bëjë thjesht me diasporën por edhe me banorët autoktonë të trojeve etnike shqiptare. Viktimat e para të asimilimit kanë qenë shqiptarët ortodoks të ish Jugosllavisë të cilët brenda pak dekadash pas konferencës së Londrës janë shndërruar në sllavë të zellshëm, e sot vështirë se gjen ndonjë të vetëm në qytete si Manastiri apo Ohri ku dikur gëlonin. Aq pak frymëzuese është Tirana dhe Shqipëria sa edhe çamët ortodoksë që i shpëtuan shkëmbimit të popullsisë me Turqinë të vitit 1923 dhe masakrave të Zervës, nuk denjojnë ta quajnë veten shqiptarë edhe pse ende flasin rrjedhshëm shqip. E njëjta gjë mund të thuhet për arvanitasit e Atikës, Peloponezit dhe ishujve të Egjeut të cilët aq shumë i përçmojnë shqiptarët sa nuk duan kurrsesi të kenë lidhje me Shqipërinë e sotshme. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me arbëreshët e Italisë për të cilët të kesh të bësh me shqiptarët nuk është më aq e hijshme tani që pas rënies së murit të Berlinit edhe Shqipërisë i doli nami i keq. Identiteti kombëtar shqiptar nuk është joshës as për shumë kinse qytetarë të vjetër të qyteteve të vjetra si Tetova a Prizreni ku këta parapëlqejnë ta quajnë veten turq duke folur në fakt osmanishten zyrtare që ushtronin dikur kur ishin hyzmeqarë të Portës së Lartë. Po kështu himarjotët e banorët nga zona përreth edhe pse këndojnë këngë polifonike preferojnë të flasin greqishten që përdorej nga detarët e Mesdheut si gjuhë komunikimi në kohën e Perandorisë Osmane.
Edhe po ta hedhësh vështrimi diku tjetër në hartën e trojeve të banuara nga shqiptarët sheh të njëjtin problem. Të zhgënjyer nga elita politike shqiptare vendase dhe aspak të tërhequr nga imazhi i Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më tepër po jepen pas identitetit fetar duke dorëzuar identitetin kombëtar. Një proces ky i ndodhur më herët me shqiptarët e Sanxhakut dhe që është duke u përfunduar në këto momente edhe në Plavë e Guci. Tanimë shqiptarët në këtë zonë ku ka luftuar Ali Pashë Gucia janë minoritet, pasi shumica e ish shqiptarëve, janë shndërruar në muslimanac apo boshnjak e madje edhe stërnipat e Jakup Ferrit flasin sot serbisht. E njëjta prirje mund të vihet re edhe në brigjet e Bunës ku katolikët e Shtojit gjithnjë e më dendur marrin e japin me malazezët e kanë filluar t’i quajnë fëmijët Jovan dhe Pavël në vend që t’i quajnë Gjon e Pal.
Për të kuptuar këtë papërgjegjshmëri për imazhin e Shqipërisë mjafton të shikohet sesi përfaqësohet republika jonë nga politikanët tanë të të dyja palëve. Politikanët opozitarë shqiptarë shkojnë jashtë e vjellin vrer për kundërshtarin e vetë politikë, sterrosin realitetin shqiptar jashtë vendit duke dashur të lënë që të kuptohet prej partnerëve të huaj, se këta janë pika e kthesës e për rrjedhojë meritojnë mbështetje ndërkombëtare. Shpesh këtë taktikë të përbaltjes së Shqipërisë e përdorin edhe qeveritarët e papërgjegjshëm shqiptarë të cilët duke mos patur arritje domethënëse për të cilat të mburren portretizojnë një realitet të zymtë shqiptar për të thënë se duke parë sa e ulët pikënisja ku e morën ata pushtetin ajo që ata kanë bërë deri tani është shumë. Ose hiperbolizojnë tërë tërsëllim kriminalitetin apo korrupsionin vetëm e vetëm për të treguar që mosrealizimet e tyre kanë të bëjnë me rrethanat e këqija kushtëzuese ku dergjet e ngrata Shqipëri e jo me paaftësinë apo mungesën e vullnetit të qeverisë.
Për këtë arsye debati i nisur për votat emigrantëve, nuk duhet të kufizohet vetëm tek një simptomë, por të kapi problemin, pse janë duke e braktisur shqiptarët Shqipërinë. Pse ka kaq imazh të keq Shqipëria dhe a mund të ndryshohet imazhi i vendit tonë e të kthehet besimi për një të ardhme të lumtur në vendin tonë? Pse nuk ndihen rehat shqiptarët me emrin shqiptar? Tek tuk shikohet ndonjë rreze shprese si për shembull ndonjë deklaratë e guximshme nga ekzekutivi për të drejtat e shqiptarëve, ndërtimi i rrugës Durrës Morinë apo difuzioni kulturor shqiptar i çmuar që realizohet nëpërmjet platformës Digitalb. Megjithatë kjo është shumë më pak nga ç’pritet prej Tiranës e cila duhej të shërbente si lokomotivë zhvillimi, pikë graviteti, parzmore sigurie e simbol krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që banojnë. Nëse kjo arrati nga Shqipëria nuk bëhet një çështje që të shqetësojë të gjitha palët politike e nëse nuk krijohet një frymë bashkëpunimi ndërpartiak lidhur me përmirësimi e imazhit të Shqipërisë dhe forcimit të identitetit kombëtar situata ka për tu përshkallëzuar keq. Do kemi gjithnjë e më shumë qytetarë jo besnik të Shqipërisë, gjithnjë e më pak interes e përkujdesje për fatet e vendit, gjithmonë e më shumë shqipfolës, gjithnjë e më pak shqiptarë . Fjala shqiptar do të rrezikoj të shndërrohet në një koncept gjeografik ose term filologjik.

9 July 2008 @ 3:56 pm
Mire gjithe keto nota pesimiste, se mbase nuk i themi kaq bukur por te gjithe i dallojme, po ndonje zgjidhje ne kete pune a ka, se per tu ankuar dime te gjithe
9 July 2008 @ 4:18 pm
artikull i goditur.
Hera e pare qe lexoj nje njeri qe vjen te thelbi i ceshtiesh.
Emigracioni i nxitur nga politikanet, madie ne fillim me dashuri se hiqnin pergjigjesi qytetare nga shpina….eshte teper i rezikshem per nje komb i vogel si ne.Retha 1 te 1.5 milon shqiptar kane emigruar pas 90tes ne nje komb qe kishte brenda kufive diku mbi 3 milion…KATASTROFE…si do ndertosh ekonomine, ringjallesh buqesine, mbrosh atdheun kur nuk ke FUQI NJEREZORE ?!
Artikullshkrusi e ka kapur mire, vendet konkurojne, nqs shqiperia eshte shembull i keq shume do duan ti largohen asaj e identitetit te saj….e kunderta ndodh kur kombet japin shembull pozitive…shume duan ti bashkangjiten atyre…..KJO ESHTE TRAGJIKE PO DUHET KUPTUAR QARTE….SE KY ESHTE REALITETI.
PRA QEVERISA E SUKSESI I SAJ…PERGJEGJESI TEPER E MADHE…SE KE NE DORE NJE KOMB TE TERE….e seshte per te tallur ne nje banalizim te demokracise qe le ta mari ky apo ai te provojme kete apo ate..pa pike pergjegjesie ne drejtimin e vendit….QEVERISIA ESHTE PERGJEGJESI E MADHE…AJO MUND TE SHKATEROJ APO NGREJ NJE KOMB.
9 July 2008 @ 7:54 pm
E c’lidhje kane votat e diaspores me gjithe kete simpoze qe na beri ky?
Ata qe s’duan t’ia dine per shqipen, e qe nuk ia mesojne femijeve te tyre kete gjuhe qe nuk na e jep asjne qeveri; pse duhet te interesohen se i hengri mortja apo jo politikanet tane?
Te banosh ne Amerike, te behesh edhe amerikan, e te mendosh per voten qe do i japesh Saliut? Ke luajtur gje mendsh?
Une per vete, sa jam kendej; e them hapur, - nuk dua t’ia di fare per votimet aty; as nuk me merr malli fare per votime.
Po te ishim aq te interesuar/optimiste per te ndryshuar situaten ne Shqiperi, nuk prisnim te na jepej e drejta e votes ne mergim, po nuk iknim fare nga Shqiperia. Dhe jo te gjithe kemi ikur per injorim/mosinteresim; por ndoshta per zhgenjim, sepse e pame qe ndryshimi ishte i pamundur. Por qe te hedhim vota qe kendej qe shqiptaret te vazhdojne te vuajne andej, kjo eshte tallje …. !
9 July 2008 @ 7:57 pm
PS: me votat e imigranteve, te ben shantazh greku gjithe diten. Ata qe nderruan emra e surrat greqirave, shume kollaj mund te detyrohen nga greqerit qe te votojne per ke do bitha e grekut. E te te vijne 600 000 vota peshqesh nga Greqia per ke do greku… Zer koken me duar, hapi gropen vetes dhe hidhu!
9 July 2008 @ 8:11 pm
Shqiptaret nuk i binden shqiptareve,si sot ashtu edhe ne te kaluaren!Shqiptaret bashkohen vetem ne lufte!
9 July 2008 @ 8:30 pm
..Une per vete, sa jam kendej; e them hapur, - nuk dua t’ia di fare per votimet aty; as nuk me merr malli fare per votime…
)
——–
he he s’do ti po duan ata. Duan voten tende dhe shikoje kush e do Ata qe kane shprese so ti do tju a japesh. Ata qe e dine se nuk e marin kete vote jo vetem s’ta kerkojne por dhe ta mohojne. Te tjerat jane dengla. Ju hap barku Spiropalisteve dhe Ypit per ju. Jo or jo Ata kane shprese se ti do te votosh per ta. Dhe tek keta futen EDHE ata qe thote Zotrules.
Pse s’ndjehet PD ne kete pike? Sepse e di qe ju nuk ju a jepni voten atyre. Atehere shpresa u mbetet PS, LSI, G99 dhe BDNJ e Omonia ( keta dy te fundit nuk kane shume problem se i sjellin me autobuza emigrantet. Po te behet qar e kane se kursejne ca para per autobuzat. Apo tani qe u rit dhe cmimi i naftes
E gjitha ne sensin politk nuk ka azgje te keqe. Cdo politikan lufton te mare votat qe beson se do ti jepen, dhe menjanoj ato qe e di qe nuk i jepen. Problemi eshte se pas votes cfare force ke ti si votues ti kerkosh llogari e tu thuash. “Ta dhashe voten tani bej ato qe me premtove”
Ke force tja kerkosh kete Metes, Rames apo Erjonit? E ke kete force?
Ja perse braktiset shqiperia
9 July 2008 @ 8:44 pm
E megjithatë…e parë si detyrim ndaj nesh, edhe ne ndaj atyre, pra si marrëdhënie e ndërsjelltë politikanë votuesish, vota do të na ndihmonte të përfshiheshim më shumë dhe më realisht në sipërmarrjet politike.
Me një fjalë, me votën do na jepej gjithashtu e drejta për të folur rreth zhvillimeve në atdhe. Se tani na thonë çkeni që flisni, ju keni ikur!!!
Pavarësisht se për kë do votonim, do bëhej e mundur ajo nyja lidhëse gjithëkombëtare e diasporës. Qëllimi bashkues i gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
…nuk e shikoj të realizueshme. Koha dhe veprat kanë treguar se “ata” nuk e çajnë shumë trapin për mirëqënie, lidhje të të gjithë shqiptarëve, inspirim të tyre etj. Ata duan vetëm kolltukun e vet. Sa më legena të jenë politikanët, aq më shumë njerëz do ikin. E do bëjnë mirë të ikin madje (se veç budallenjtë qëndrojnë në një vend ku nuk të respektojnë).
Fatkeqësi shumë e madhe!! Të të trajtojnë më mirë jashtë shtëpisë të tjerët sesa njeriu tënd!
9 July 2008 @ 8:52 pm
Zotrules, greku te ben shantazh tani qe emigrantet nuk votojne ne vendet ku punojne, se vertet ti çon me autobuz ne Shqiperi per çfar te doje dhe si ti doje. Nese emigratet votojne ne vendet ku punojne (ne Greqi, etj) do te votojne ne konsullate (me kontrroll nga shoqatat aty dhe pjestare te partive opozitare), do votojne dhe ne ndonje klase (qytet kryesor) dhe ky votim s’do te kete te beje fare me presionet greke apo shtet tjeter , ku emigrantet ndodhen.
Artikulli ishte (dua te them shkelqyer por se them dot me ato fakte minuse per kombin tone) me domethenie.
9 July 2008 @ 9:02 pm
unè sdi tè jap pèrgjigje por po sjell eksperiencèn time..kam 13 vjet nè itali,e kam parè skena nga mè tè ndryshme kètu,duke filluar nga shqiptarè vèlla e motèr qè ulur vetèm nè tavolinèn e 1 klubi flisnin me njèri tjetrin italisht(ju betohem se tè dy ishin tè rritur e kishin mbaruar shkollèn e mesme nè shqipèri)dhe nuk kishin aspak nevojè tè pratikonin italishten, por ju vinte zor!!ashtu si kam parè shqiptarè qè pèr 1 fjalè goje e thènè nga dikush me pèrbuzje pèr vendin e tyre janè therur me kèdo qoftè qè e ka thènè!!unè se di pse por pèr veten time nuk e di akoma se kujt vendi i pèrkasim ne emigrantèt qè jetojmè nè itali..italisè?????èshtè absurde ta mendosh…sa do mirè tè integrohesh e sa do mirè tè flasèsh gjuhèn e sa do para tè kesh do tè dalè gjithmon dikush tè tè kujtoj se je i huaj!!shqipèrisè???unè se di tè tjerèt por unè sa herè kthehem nè shqipèri…ndihem mè i huaj se nè itali!!tè paktèn kètu kam shoqèrinè time njoh njerzit e mènyrèn e tyre tè menduarit,kurse nè shqipèri pèrveç se ndonjè tè afèrmi nuk mbaj mend mirè as rrugèt e qytetit tim!!dhe pèr gjithè kètè rrèmujè mund tia hedh fajin vetèm shtetit tim…qè nuk mè ofroi 1 rrugè tjetèr,biles sa herè ka mundèsi mè krijon shpesh vetèm probleme!!
9 July 2008 @ 9:07 pm
Artikulli eshte aq sa i dhimbshem aq dhe i vertet.Na i kan hedh ne hale identitetin keta legena qe po na drejtojne.Na kan ber te na vije me te vertet turp te themi me ze te lart jam shqipetare.Kjo akoma me e theksura ne greqi,e shikoj te njerzit e mi te aferm,qe femijet e tyre mezi flasin ose nuk flasin fare shqip.Jam zen me ta kur edhen ne Shqiperi.Po mire ore u thash se ne greqi u vjen turp apo keni frik po ketu ca dreqi keni qe u flisni greqishte femijeve.Une e bej lanet mbes e nip nese ata nuk din shqip.me mire si kam gje fare se sa te degjoj te me flasin greqishte ne shtepi.
10 July 2008 @ 12:36 am
Ca ka ky tash e pickoi anza a?Aq po revoltohet sa egzagjeron…Mos ngatrro ne ket muhabet Prizren e Tetov…dhe sa per Shtojin me 4 familje nga M-ZI mas te hajne shum maraku… KURSE te thush:”Të zhgënjyer nga elita politike shqiptare vendase dhe aspak të tërhequr nga imazhi i Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më tepër po jepen pas identitetit fetar duke dorëzuar identitetin kombëtar”
TURP O TURP I ZI.Nese ka nacionalizem shqiptar gjindet ne KS e Maqedoni dhe kyt se tham vec un po e thojn analiste te vertet.PO ata jane te zhgenjym nga politika si un e ti po identiteti fetar i cili asht ne nji far mase me at kombtar apo pjes e tij po te ne shqipet asht i NENSHTRUM atij kombetar:gjuhs e zakoneve.Arsyja qi ata jan ma praktikant,disa…asht thjesht theksim i “vecorive te kunderta me anmikun-shkja-ortodoks.PO ATA ma shum se kurr ndjehen shqiptar e shohin nga “MEMEDHEU”.Po e fus ne thojza se kshu a realiteti.Nacjonalizmi ase ai pak qe ne paskena pa pas a varros nga “idealet” e KOMUNIZMIT tone STALINIST.CA mjell korr….
10 July 2008 @ 1:56 am
Nuk eshte problemi se njerzit nuk i dine plaget e tyre, nuk eshte problemi se te gjithe ankohemi per politiken antikombetare te krereve partiake te Shqiperise. Te gjitha, te gjitha ne i dime, te gjithe kemi vuajtur. Te gjithe e dime se punonjesit e ministrive u fryne si shushunja me leket e fukarenjve dike u nxjerre viza shengen etj tek ambasadat e huaja ne Tirane. Eshte e sigurte qe nuk kam degjuar dhe lexuar te gjitha gjerat per Shqiperine.
Ama per te mos ja ngrene hakun ketij Adri Nurellarit, kam mendimin se nuk egziston ndonje artikull kaq i shkurter qe te ngertheje te gjithe serine e problemeve tona kombetare. Edhe paraqitja e tyre eshte logjike dhe ne baze te njohjes qe kam edhe vete shoh se vetem njerezit me guximin e moralit qytetar dhe intelektual mund ti shprehin kaq bukur interesat e te gjithe grupimeve shoqerore te nje kombi. Artikulli te jep pershtypjen e nje pamfleti te fuqishem qe mendoj se nuk duhet te mbuloje pluhuri dhe gërvimat e maqines fantazmë fashiste qe sot i sherben me devotshmeri kujtdo te huaji, me shume se ç’sherbyen paraardhesit e tyre para dhe gjate Luftes se Pare Boterore monarko-fashisteve greke, fashisteve te Evropes Qendrore dhe shovinisteve serbo-kroato-sllovene.
Nderime dhe respekt zotit Ardi Nurellari qe ka bere nje pamflet kaq te goditur ne dobi te Kombit Shqiptar.