Login



Register

Përse nuk vdes arti Shqiptar

Ndoshta ngaqë është kohë pushimesh dhe pothuaj se nuk ngelet shumë kohë për të ndenjur përpara kompiuterit për të shkruajtur ose komentuar, ndoshta ngaqë dhe temat e ‘jashtëzakonshme’, ato që arrijnë të ndezin debatin, janë shumë të rralla… ndoshta sepse u bë bajate që pothuajse vazhdimisht të flitet rreth të njëjtave probleme, pa parë ndryshime dhe në pamundësi për ti parë (ndryshimet) qoftë dhe në letër, të atyre të cilëve i drejtohen kritikat, fakti është, që blogosfera shqiptare, ka shkuar me pushime.

Shumë prej nesh, ndër ta edhe unë, hyjmë nëpër blogje, shikojmë, komentojmë dhe diskutojmë/debatojmë me një farë ‘ku rafsha mos u vrafsha’, dhe kjo jo për mungesë respekti ndaj autorëve të shkrimeve ose temave për të cilët ata kanë trajtuar, por qoftë për të ç’dramatizuar një çikë hidhësinë e shkrimeve, qoftë për të trajtuar me më thjeshtësi ato që shumë autorë përpiqen që t’i ndërlikojnë për të treguar se ‘dinë’ të shkruajnë.

Kjo s’do të thotë që në arenën e blogosferës mungojnë blogjet serioze ose blogerat që gjithçka e marrin ‘lehtësisht’. Përveç “peshku pa ujë” , që tashmë ka marrë formë, dhe me të drejtë mund ta quaj si burim informacioni dhe si vënd diskutimi të lirë që, ka hyrë në rangun e mediave serioze shqiptare, mund të përmënd “Peisazhe të fjalës”, ku autori, përveç përdorimit të një shqipeje të pastërt dhe korrekte deri në mallëngjim (në këto kohë që të shikojnë sytë çdo shtrembërim të mundshëm dhe mëndjelehtësi në përdorimin e saj), arrin me një vështrim të pastërt kritik që të diskutojë dhe të sjellë për diskutim tema nga më të ndryshmet rreth jetës, artit dhe politikës shqiptare.

Përse e bëra gjithë këtë hyrje (dhe ndoshta u zgjata më shumë se ç’duhej)?

Sepse, para disa kohësh, xha Xhai kështu shkruante në një nga temat e tij:”Edhe pse shkrimtarët dhe artistët kanë qenë ndër më të shtypurit e të ndrydhurit e intelektualëve dhe ndër promotorët e liberalizmit në jetën sociale dhe politike, vitet 1990 treguan se çlirimi nga vargonjtë e frikës dhe të persekutimit nuk i shërbeu krijimtarisë; dhe se arti shqiptar me të shpejtë mori rrugët e komercializmit, provincializmit, dhe soditjes së kërthizës. Edhe më i rëndë akoma është konstatimi se ky art i gjymtuar tashmë po e humb edhe publikun e vet, meqë njerëzit çmësohen të përjetojnë eksperiencat e artit dhe tërhiqen drejt veprimtarish e zbavitjesh të tjera”.

S’kam se si të mos jem dakord me të, por duke mos qënë në lartësinë e kritikëve dhe analistëve, pa marrë parasysh shkaqet e ’stanjacionit’ të artit shqiptar bashkëkohës, arrij që të gjej perla të krijuesve të rinj, të cilët përveçse një ‘të lumtë’ ose ‘bravo’ nga lexuesit e tyre të rregullt, nuk kanë kënaqësinë që ti prezantohen një publiku më të gjërë.

Një punë mjaft të mirë të promovimit të ‘penave’ të reja dhe të vjetra në këtë drejtim e bën natyrisht “peshkupaujë” në seksionin e tij të letërsisë, ku shpesh shikojmë/shijojmë shkrime me të vërtetë cilësorë (por dhe shkrime të pakorigjuara gramatikisht… dhe kjo është një vërejtje që ju bëj autorëve për ta mbajtur të pastërt peshkun në drejtim të përdorimit sa më drejt të gjuhës shqipe).

E kotë që të përmënd suksesin e shkrimeve që kanë atje Emigranti, Akullnaja, Përparimi etj etj, ashtu siç më vjen keq për mungesën e disa të tjerëve (dhe natyrisht nuk është detyrë e autorëve të peshkut që të ‘gërmojë’ dhe të gjejë autorët e rinj).

Duke patur parasysh citimin që merrja nga xhaXhai si dhe ç’thoja pak më sipër për tek peshku, desha që të flisja për një autor që lexuesit e blogut tim e njohin shumë mirë: StrangeMan.

Një parantezë, më parë se të flas rreth shkrimeve të tij: Për mua, nga kjo anë e kompiuterit, të gjithë blogerat janë njëlloj, të gjithë mund të quhen Tani, Tea,Çimi, Besa, Blendi,Alba, Përparim, Klodi, Laura, Liza o Grizhda, dhe nuk i gjykoj në bazë të raportit tim personal me ta, por kur diskutoj rreth shkrimeve të tyre, diskutoj rreth shkrimeve dhe e them atë që mendoj, qoftë dhe duke krjuar ‘armiqësi’ (dhe ka ndodhur më tepër se një herë :( )me autorët, dhe kjo pa prekur raportin personal ndërmjet meje dhe tyre.

Ashtu siç nuk jam takuar personalisht me emrat e mësipërm, po ashtu nuk jam takuar dhe njohur as me StrangeMan-in, që për mua, ashtu si dhe të tjerët, mund të jetë filozof, staticien, student ose shkrimtar, mund të jetë dhe fshatari më i humbur i ndonjë majëmali ku ‘pula ha gurë’, por, ashtu siç më bën për vehte me edukatën dhe mirësjelljen, me pjekurinë dhe maturinë me të cilën komenton dhe diskuton, shumë, shumë më tepër, më mahnit me poezinë e tij.

Përveç se idetë e tija i hedh me aq shije dhe që përçohen nga vargjet e tij natyrshëm, s’ke nevojë që të jesh kritik letrar ose i ‘zanatit’ që të vësh re dhe një shumllojshmëri stilesh në të shkruajtur.Nuk është ‘partizan’ i një stili të veçantë, arrin të eksperimentojë dhe të shprehet me vargje dhe struktura të ndryshme dhe njëkohësisht të mbetet rregullisht, i qartë në mendim, i freskët në fjalë, i thellë në ndjenja dhe arrin që të mos ‘mbyllet’ brënda mureve të dashurisë (ndoshta si shumë poetë të moshës së tij), por të trajtojë me të njëjtën finesë, shije dhe forcë, probleme dhe tematika të ndryshme.

Ndoshta mund të shikoni ‘partizanllik’ nga ana ime në këtë shkrim, por do t’ju ftoja që të shikonit shkrimet e tij, dhe jam i sigurtë që shumë prej jush do të më jepni të drejtë.

Për më tepër rreth poezisë së StrangeMan mund të shikoni këtu, por unë po citoj disa nga të fundit që ka sjellë në blogun e tij:
…por faleminderit për muzikën
Dy thinja
Asonancë ngjitëse pa kuptim (ndoshta)
që nuk munda
Alkolike
Në një ditë si kjo

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

22 Komente

  1. Erion Selmani Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 August 2007 @ 10:53 am

    Edrus, artikulli eshte i mire.
    Ti je nje nga kenaqesite e veçanta te blogosferes, e ndoshta i vetmi qe komenton pa doreza.
    Kam vene re se ti thua ate qe mendon siç bere me kete shkrim.

    Kam pershtypjen (qofsha i gabuar) se blogosfera eshte ndare ne grupe ose klane. Ti ben perjashtim, sepse gjendesh ne çdo blog qe une vizitoj dhe nuk i perket asnje grupi.

    Komplimentet e tepruara.
    Shoh qe ne disa raste nuk ka rendesi cilesia e shkrimit, por kryesorja eshte kush e shkruan. Ka autore qe marrin komplimente pa mase ( edhe kur nuk i meritojne)dhe u rritet mendja. Me sa po shoh keta autore ne vend qe te permiresohen ngelen ne vend numèro.
    Pra, ka raste kur me shume kritike mund te ndihmojme dike, sepse komplimentet nuk te japin buke.

    Une jam nje nga ata qe bejne shume pak komente, dhe them ate qe mendoj.
    Siç ta kam thene me e-mail ” parapelqej te humbas simpatine e vizitoreve” por shkruaj ate qe mendoj.

  2. akull-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 August 2007 @ 12:20 pm

    Mire, mire, mbaje SM me hater! Ta shohesh ne darke, kur te vish ne blog! :P
    Seriozisht tani, s’e di a ka vdekur arti shqiptar apo jo, por poezite e StrangeMan ua rekomandoj dhe atyre qe s’e duan poezine, sepse ka pasur raste kur keta te fundit kane treguar shenja permiresimi pas leximit te SM.

  3. N.Ago thotë:

    19 August 2007 @ 12:44 pm

    Bukur !

  4. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 August 2007 @ 1:23 pm

    Aklli, ti e njeh ndoshta më mirë se unë, por edhe pse është djalë, kurrë nuk ju është përgjigjur keq kritikave (dhe ta dish se ç’kam hequr me ca të tjerë :P )

    Shakatë mënjanë, (se e di që s’ma merr për keq), por po ti kthehemi poezive të SM; për mua kanë magjinë e thjeshtësisë së poezisë së Dritëroit dhe thellësinë e filozofisë së Kadaresë.

    Diku tjetër duke qeshur, thoja se po të shkruheshin në ndonjë gazetë me emrin e ndonjë famozi, patjetër që kritikët do të hidheshin ‘në sulm’ për të thurur elogje :)

  5. adriatik thotë:

    19 August 2007 @ 1:51 pm

    Nje artikull qe te qeteson, qe te fton te pish nje kafe nentqindshe.
    Faleminderit, edrus!

  6. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 August 2007 @ 2:09 pm

    NAgo dhe Adriatik faleminderit, siç falenderoj dhe autorët e peshkut që e kanë vlerësuar këtë post të blogut tim, për ta sjellë këtu tek peshkupaujë.

  7. Perparim Hysi thotë:

    19 August 2007 @ 2:09 pm

    I kudondodhuri Edrus!Te pershendes jo vetem per artikullin,por dhe se me ke njohur me nje Poet qe,pse me pelqen,kete fjale te pergjithshme po e shkruaj me germe te madhe me shenje konsiderate.I lexova poezite e tij dhe,sa here te kem nge,do dale te pi nje kafe me te!Kuptohet,ne distance!
    Une,si ty(nismetarit per pune te bukura),po ashtu dhe atij Poetit aq te bukur,ju uroj vec te mira dhe me prodhimtari te larmishme.Akullit i them se “xhelozia” eshte “isharet”dashurie.

  8. Salvator thotë:

    19 August 2007 @ 6:27 pm

    Përveçse një reklame të shkruajtur bukur e pastër mbi Peshkupaujë dhe disa blogje të tjera,nuk shoh ndonjë të re interesante, me gjithë respektin që kam për autorin. Por, kjo është një ide e tija përsonale dhe si e tillë mund të qëndrojë, por përvetsimi është pak i rrezikshëm. Problemi është që të gjithë shkruajmë për njëri-tjetrin, pra për njerëz që kërkojnë diçka alternative, të ndryshme në botën virtuale shqiptare. Disa shkruajnë shqip, të tjerët anglisht edhe pse përgjigjen shqip; të gjitha këto ide janë të ofruara me sinqeritet dhe nuk kanë qëllim tjetër se kuvendimin reciprok. Flitet për artin. Xh, thotë që arti bashkëkohor qenkërka i gjymtuar? Por kjo tezë nuk është aq mirë e shtjelluar, aq më tepër që Xh, nuk është ndonjë specialist i kësaj fushe.
    Në qoftë se bëhet një falenderim për dikë që trajton tema interesante, që ia kalojnë nganjëherë punës që mund të bëjë një blog, mund dhe duhet të ishte përmendur dhe blogu i Kolektivizës. Nuk dua të bëj aspak reklamë për këtë blog serioz, që edhe pse mbledh “materiale të gatshme”, mban një linjë të qartë mbi ecurinë e artit bashkëkohor dhe lëvizjeve artistike (nëse ato do të egzistonin…) në Shqipëri.
    Por,me çfarë shihet, ballkanasit mbajnë me hatër më shumë se sa duhet, dhe anojnë lehtësisht nga dikush që i josh apo është i përzemërt. Ideja për tu përgjigjur kësaj teme të botuar virtulaisht këtu më erdhi në fakt nga titulli që ka një forcë të madhe në atë që përmban, por kur e lexon duket pak sipërfaqsor dhe nuk e meriton titullin.
    Faleminderit.

  9. Idris thotë:

    19 August 2007 @ 6:30 pm

    Eshte e vertete Ed ! Xhelozi e atyre qe sot pretendojne te jene Papet e Kritikes Letrare (kush jane) pra Botuesve te Shtypit ,ndoshta ky kend shikimi i Juaji dhe i shume prej Nesh,per krijimtarine letrare nuk u nevoitet.
    Vete ndertimi i strukturave te informimit publik (Redaksive) te gazetave kryesore ,nuk e kane te pasqyruar kete.
    Dhe them se ne se ne nje MIN . Ars.KULT.qe kemi do te shihej me seriozitetin e duhur nje veprimtarie tille ndoshta edhe gjendja shpirtetrore e Shqipove te mi e te tu do te kishte shtuar “kolesterolin” pozitiv(te mire).
    Aq me keq Dhe PENAT tona te medha si Agolli e Kadare jane mjegulluar e shfaqen per ….dengla politike.
    Qofte edhe sikur disa te lene nga koha e te shfaqur vone si K.T.etj do te duhej te “kaperdinin “ato vogelsite e inatet personale qe koha do i fshije gradualisht dhe mund te kontribuonin per kete ceshtje.
    Ashtu si per mua eshte pak e pakuptueshme qe nje nga ZERAT me te fuqishem e me dashamires te perparimit si M.Zeqo,te qendroje pasiv.
    Per te mos thene pastaj peremra terij qe po shfaqen me autoritet e te ditur ne analiza te tilla qe kane sec thone e kane ku ti drejtojne syte e publikut.
    Nje teme mjaft e bukur si kjo qe kini prure Ju qofte njetrokitje per zgjim ne veshet e doren e atyre qe duhet.

  10. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 August 2007 @ 6:57 pm

    Salvator, e vetmja e re që sillja në këtë shkrim, është në rrjeshtat e fundit; por siç duket s’ke patur mundësi që ti hidhje një sy atyre vargjeve.

    Dhe pikërisht, qe kjo ‘egzistencë’ e SM dhe ndoshta mijëra të tjerësh të panjohur, që më bëri ti përgjigjesha atij shqetësimi të xha xhait në shkrimin e tij për ‘vdekjen’ e artit në Shqipëri.

    Pastaj reklamë kujt?
    Ke parë ndonjëherë xha xhain ose autorët e peshkut që të shkruajnë në blogun tim që mendon se po e bëj për ti ’shpërblyer’ për mundimin??
    Natyrisht që jam i bindur se ato që shkruaja rreth tyre, dhe që ti i merr si reklamë, janë komplet të vërteta dhe për ty (meqë e di që je frekuentues i atyre blogjeve) dhe sinqerisht, të ftoj që ti hedhësh një sy atyre linqeve që ishin shtuar në fund të artikullit, për të dhënë një mendim rreth poezisë, sepse ke dhe kredencialet e duhur dhe të nevojshëm për të dhënë një opinion më të kualifikuar se i imi dhe i shumë të tjerëve përsa i përket poezise dhe artit.

  11. Pjer Thomas thotë:

    19 August 2007 @ 8:48 pm

    Blogun e Edrusit e kam ndjekur nganjehere, sidomos kur jepte ato te dhenat e Lorit-Kafe, klanet aty, te dhena interesante. Sa per poezite qe thote e besoj, sepse e di qe Edrusi ka nje sens kritik ndaj gjerave, pra i shqyrton seriozisht. Une do ti jepja atij ketu dhe disa poezi te vellait , te shkruara ne kohen e socializmit (fjalen diktature nuk e permend me, siç e permendja dikur ne ate kohe dhe kete kohe, per shkak se kam pare dhe me keq se ata qe ne i luftuam gabimisht), poezi qe mua dhe te tjerve , na jepnin nje sadisfaksion te madh ne ate kohe. Libri quhet ” Pa titull” dhe numri i internetit (mbrapa librit) eshte; ISBN 99927-57-91-4 Une nuk jam specialist kompiutri, prandaj dhe nuk e kam provuar ndonjehere a del apo s’del libri duke i rene ketij numri, por do ti lutesha Edrusit dhe redaksise se Peshkut , qe nese e krejne librin apo poezite nepermjet ketij numri ne internet, te nxjerrin ne faqen e tyre ndonje poezi.

  12. blete Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 August 2007 @ 9:00 pm

    edrus, topi bam e ti po tutje…
    ndoshta ky opinioni yt do te ndihmoje njerezit te shprehin me lirshem ate qe mendojne. duke u shprehur, rritet interesi per artin e kritiken, dhe ndoshta zhbehet me shume demi i ketyre viteve.
    gjithashtu do t’u lutesha komentuesve qe t’u qepen bregoreve krijimore pa meshire e te krasisin te tera gabimet gramatikore, drejtshkrimore e stilistike te autoreve e ta bejne artin pjellor e cilesor si fushat.
    per strangeman suksese te metejshme e maja me te larta. ne me shat ne dore presim.

  13. alb thotë:

    19 August 2007 @ 9:02 pm

    Salvator thotë:

    Xh, thotë që arti bashkëkohor qenkërka i gjymtuar?
    ________

    Nuk e ka thene mire Salvator. Arti bashkekohor eshte vetem nje karkase ose skelet, i paafte per te mbajtur brendi. Nuk i ngjan me as ndonje konteineri, qofte edhe bosh, te cilin mund ta mbushje me ndonje send… Eshte thjesht i pa-potrencial… i pa-afte… thjesht dekor… pa thelb… thjesht deshmi mjerimi.

    Hej… une jam tradicionalist, e kam thene edhe here te tjera… keshtu qe mos me beni rrezil.

  14. alb thotë:

    19 August 2007 @ 10:23 pm

    Gjithesesi bie dakord me postimin e Salvator te ores 6:27.

    Rrespekte EdRus.

  15. Laura Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 August 2007 @ 6:53 am

    faleminderit Edrus, se me kishin shpetuar poezite e StrangeMan :(

    Tani kerkoj ndjese qe s’me jepet mundesia per komente , por per t’ju vizituar ju vizitoj :) dhe ju lexoj me shume kenaqesi.

    Sa per webin tim, nuk eshte tek blogjet (domethene komentet i kam te bllokuara) pasi nuk kam kohe t’i respektoj sic duhet miqte edhe sic thote populli po s’dite ta shtrosh tryezen sic i ka hije shqiptarit, me mire lere fare .

    I bashkohem, urimit me siper qe te gjithe shkrimtaret e rinj (une bashke me to) ta perfaqesojne ‘Shqipen’ me nder..
    TUNG

  16. Laura Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 August 2007 @ 6:55 am

    meqe po nisem sot per nje muaj ne Shqiperi, po ju pershendes me nje poezi (qe ka nje mesazh brenda per ju), qe do e veje Blendi me vone (po t’i pelqeje)…

    Mire ju gjetsha!

  17. ardi thotë:

    21 August 2007 @ 2:39 pm

    …nuk e kuptova tamam chynte arti shqiptar !!!!….kur flet vetem per “shkrime” vjersha….
    ….personalisht e kam thene qe smarr vesh shume nga letersia, por nga “shija” marr vesh pak,….
    …edhe kur ja fus kot shpesh e bej sikur jam kritik letersie, …asnjeri spranon ate, bile une para se te “kritikoje” i fus nje “fjalet mbrpsht” se e di qe me kan shajt….
    …konkretisht qe nga emri - strange man - sma mbush mendjen djali, por edhe nga ato qe kam lexuar prej tij, asgje te vecante skam pare….
    por ne pergjithesi shtyen…

  18. VM thotë:

    21 August 2007 @ 2:51 pm

    …po si me …zamke te ngjt… ky llaf more ardi, si me zamke…
    http://img153.imageshack.us/img153/9035/screenshot7gc9.png

  19. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 August 2007 @ 3:51 pm

    Ardi, në një blog tjetër bëhej fjalë për gjëndjen e mjeruar të artit shqiptar pas rrëzimit të sistemit, të mungesës së shtysave dhe vlerave që frymëzojnë artistët në këtë periudhë….. edhe unë ashtu si ti nuk marr shumë vesh nga letërsia, dhe ndoshta dhe unë ja kam futur kot si ti ndonjëherë, por (dhe ky është një shkrim që qe shkruar tek blogu im), unë për të thënë që ‘filiza’ të rinj ka sa të duash që shkruajnë dhe bëjnë gjëra me shije…. mund të përmëndja fotografët shqiptarë… artista e kaluar artistëve (shiko në flickr), mund të shkruaja për mendimin kritik dhe vlerësimin e artit që bëhet mjaft bindshëm tek blogu i salvatorit, por meqë ata që vijnë vizitojnë blogun tim, njohin SM, ishte më lehtë për mua që të ndihesha optimist për të ardhmen e artit në Shqipëri.
    Dhe ashtu siç flisja për SM, ndokush tjetër do të fliste për ndonjë piktor (siç kanë ardhur artikuj këtu) ose për ndonjë regjist apo kompozitor që na duken premtues por që fatkeqsisht janë larg reflektorëve të cilët për momentin i drejtohen YLLIT të artit shqiptar, Bleona Qerreti o Shabat Sinani.
    Gjithsesi je i lirë që të jesh fan i Bleonës, por kjo s’do të thotë se ne të tjerëve të mos na pëlqejë poezia e djemve të rinj (dhe ta garantoj që s’ka asgjë ’strange’ ndërmjet meje dhe tij :P

  20. alb thotë:

    22 August 2007 @ 11:43 pm

    edrus thotë:
    21 Gusht 2007 @ 3:51 pm
    Ardi, në një blog tjetër bëhej fjalë për gjëndjen e mjeruar të artit shqiptar pas rrëzimit të sistemit, të mungesës së shtysave dhe vlerave që frymëzojnë artistët në këtë periudhë
    ______

    Dhe kishte te drejte Ed Rus… argumentimet tek ai blog ishin shume te qarta. Arti shqiptar eshte mjeruar… do ca kohe te marri veten.

    Ej… po Ponin… keni harruar Ponin… ajo po qe eshte arthiste, deshmi e artiti shqiptar.

  21. sting thotë:

    23 August 2007 @ 5:21 pm

    “Perse nuk vdes arti shqiptar?”

    Me duket se ska lindur akoma, e jo me te vdesi!

  22. eT thotë:

    11 September 2007 @ 8:58 am

    “Kadare, po aq i madh sa Kafka”

    Kritika britanike vlerëson “Vajzën e Agamemnonit” të përkthyer së fundmi në anglisht

    Shkrimtari Ismail Kadare vijon të befasojë kritikën ndërkombëtare me stilin e tij të veçantë në krijimtarinë letrare. Pas fitimit të çmimit “Man Booker International Prize” tre vjet më parë në Skoci, Kadare po bëhet gjithnjë e më i kërkuar, sidomos nga lexuesi britanik. Vepra e fundit e botuar në anglisht, përkthyer nga David Bellos, “Vajza e Agamemnonit”, ka tërhequr vëmendjen e kritikëve britanikë të artit të të shkruarit.

    Njëra prej tyre, Alice Fordham, që në fillim komenton se si regjimet komuniste me çdo kusht kërkonin të krijonin kontroll absolut mbi popullin. E sipas saj, më mirë se cilido tjetër, Ismail Kadare e sjell atë në mënyrën më origjinale të mundshme, siç shkruan te prestigjiozja “Time”.

    Më tej, kritikja britanike ndalet në mjeshtërinë e Kadaresë për t‘i dhënë librit ngjashmëri me mitin e lashtësisë greke, Efigjeninë, e cila u sakrifikua nga babai i saj para se grekët të rrethonin Trojën. Kjo situatë ndërthuret me komunizmin në Shqipëri, ku vajza e një politikani të kohës kërkon në mënyrë vullnetare të sakrifikohet.

    Për kritikën britanike, stili i së shkruarit të ngjarjes nga Kadare është për t‘u admiruar, pasi ai në mënyrë koncize arrin në përfundimin se regjimet totalitare dënojnë me vdekje dashurinë dhe çdo ndjenjë tjetër, duke ia bërë popullatës jetën sa më të vështirë.

    Vajza e politikanit, një ndër personazhet kryesore në librin “Vajza e Agamemnonit”, duhet të sakrifikohet, kështu që politikani (njësoj si rasti i Stalinit që nuk negocioi kur i biri ishte i burgosur lufte) do japë mesazhin se ai pret nga të gjithë të bëjnë po të njëjtin veprim. Më tej Kadare trajton mendimin e lirë të të shprehurit, që regjimi i atëhershëm e ndalonte.

    Alice Fordham vëren se proza e Kadaresë është e ngjashme me atë të Kafkës.

    “Me koncepte të tilla, ku dashuria vritet, apo mendimi i lirë dhunohet barbarisht, diktatorët në të gjithë botën krijonin një klimë konstante frike. Kadare përdor një variete metodash të ndryshme për të sjellë sa më shkoqitur për lexuesin se si një regjim mund të kontrollojë shpirtin e një populli. Dhe këtë Kadare e bën më mirë se cilido shkrimtar që ka jetuar në kohën e komunizmit”, nënvizon ajo.

    Fundin e komentit, kritikja letrare Alice Fordham ia kushton të sqaruarit se ky libër është shkruar në kohën kur Kadare jetonte në Shqipërinë e errësirës së mendimit të lirë. Ajo i kujton lexuesit se gjeniu shqiptar ishte i privuar në lirinë e së shprehurit. Kritikja sjell një fakt interesant për lexuesin britanik, se ky libër ishte dërguar fshehurazi në Paris fletë pas flete. “Botimi i tij sjell fuqishëm anën jo humane të diktaturës”, përfundon ajo.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.