Përpara drejt së kaluarës

Slavenka DRAKULIC*
slavenka-drakulic.jpg“Jo!” më tha ajo me një zë shumë të vendosur. “Unë s’kam për ta përdorur kurrë atë lloj letre!” Qëndrova për një çast përpara raftit të dyqanit, duke mbajtur në dorë një pako të lirë letrash tualeti në dorë. “O Zot” përpak sa s’ulurita, “më vjen të ta jap një shpullë surratit. Ku kujton se jeton? Unë u rrita pa pasur asnjë nga këto gjëra lluksi që ti ke sot, që nga shkuma e banjos e deodoranti deri tek parfumet dhe xhelet dhe prapë nuk jam më e keqe se ty.” Një zonjë e vjetër që qëndronte krah nesh pa në drejtimin tim dhe pohoi me kokë duke bërë një buzëqeshje të lehtë, si të donte të thoshte se ajo i kishte parë këto zënka edhe më parë.

Krejt papritmas, ndërsa fjalët që sapo i kisha thënë mu kthyen në mëndje, e kuptova që ato nuk ishin të miat. Unë i kisha dëgjuar ato diku më parë, në fjalimet e politikanëve, në shkollë, në librat e mësimit. I njëjti lloj argumentimi, e njëjta llogjike që e ideologjizonte të kaluarën: ne s’kishim gjë atëhere, e megjithatë ishim të lumtur. Kjo ishte një gënjeshtër dhe unë po bëhesha pjesë e saj. I hodha edhe një sy pakos me letra të ashpra ngjyrë kafe, palosur sipër njëra-tjetrës, dhe pastaj i vura prapë mbrapsh në banak duke psherëtitur.

Kjo ishte një nga shumë tentativet e dështuara për të edukuar time bijë dhe për ta bërë atë që të kuptojë – sado e marrë që të duket – se ne nuk ishim aq të pasur sa të blinim rrotulla letre tualeti, por vetëm pakot e Golub, të cilat ishin sa një e treta e çmimit të rrotullave. Por nuk bënte fajde t’i sqaroje asaj se ajo të paktën ishte me fat që e kishte një lloj letre të cilën ajo në fund të fundit mund ta blinte, dhe se për shembull njerëzit në Poloni apo në Bashkimin Sovjetik nuk e kishin as edhe atë shans. Ajo nuk e quante këtë si një argument që të mbushte mëndjen. Gjithshka që ajo kujtonte në jetën e saj ishin rrotullat e letrës së tualetit dhe nuk ka asnjë justifikim që t’i mbushi mendjen se pas shtatëmbëdhjetë vjetësh, ajo duhet të heqë dorë nga dicka që quhet fare normale. ” Nëse nuk kemi shumë lekë, atëhere më mirë preferoj të ha më pak, por unë nuk kam ndërmend t’i dorëzohem këtij lloj fukarallëku”. Duke më ardhur turp nga vetja mora më së fundi atë pakon me rrotulla të buta ngjyrë rozë, sepse kjo nuk ishte më punë lekësh. Vajza ime kishte të drejtë; ky ishte parimi i mos heqjes dorë, i mostërheqjes përpara kërkesave elementare që përbëjnë jetën e civilizuar të njeriut. Unë vendosa që të mbroja mundësine e zgjedhjes së lirë deri tek rrotulla e fundit e letrës së tualetit, në vend që t’a lejoja komunizmin që të na shkatërronte atë pak intimitet që na kishte mbetur mes ne të dyjave. Por zonja e vjetër bleu letrën e lirë dhe doli nga dyqani.

Kjo ndodhte në 1985. Që përpara 1989-ës njerëzit e dinin që komunizmi do të dështonte; vecse ato mendonin se një dreq e dinte se edhe sa e sa kohë do të vazhdonte kështu. Në fakt një nga treguesit ishte letra e tualetit. Kur unë pashë Golub-in të shfaqej përsëri në dyqane disa vjet më parë, mendova;”eh, ja ku u kthyem prap, përpara drejt së shkuarës.” Përgjatë njëzet vjetëve të stuhive e luftës për ndryshime ideologjike, si dhe për pak më shumë higjenë në jetët tona, letra Golub flinte paqësisht diku në magazinat dhe fundet e rafteve të dyqaneve, e fshehur prej shikimeve tona, duke na dhënë përshtypjen e progresit të vërtetë. Vetëm ca pleq të vjetër pensionistë vazhdonin ta blinin, por edhe ato duhet ta kërkonin në mënyrë të veçantë, a thua se dyqanet moderne ku ti mund të blije ananase apo kivi që vinin nga importi, e kishin për turp ta vinin atë krahas rrotullave plot ngjyra, që ishin tashmë krenaria e industrisë komuniste të letrës. Por ndërsa komunizmi po lëvizte mbrapsh, ja ku Golub-i u shfaq sërish mbi banakët e dyqaneve.

Unë isha e pavendosur dhe zakonisht bëja kompromise. Kur merrja rrogën e muajit bleja rrotulla. Pastaj, përgjatë muajit, blija rrotulla për time bijë, dhe pakot me letra për vete. Në fund të fundit unë isha mësuar dhe Golub ishte më i lirë. Por ishte një gjë të cilës unë nuk mund t’i shpëtoja sa herë që blija atë lloj letre: kujtimeve. Më dilte para sysh vetja ime kur isha fëmijë, e ulur në banjon e ftohtë, me muret të lyera me bojë vaji të gjelbër. Mbaja ne dorë dy copa letre të ashpër të marra nga guzhina që vinin era salcë dhe fasule (prapë fasule!) dhe shikoja majat e këpuceve të mia Borovo prej llastiku të zi që bënin kuik-kuik kur i fërkoja me njëra tjetrën, ndërkohë që komshiu i apartamentit të përbashkët shtetëror bërtiste që prapa derës: “Hajde, dil shpejt! Mos rri duke lexuar në nevojtore!”. Ishte fukaralleku dhe mungesat që më vinin ndërmend në një kohë që fukarallëku nuk dukej aq i tmerrshëm, vetëm sepse që të gjithë ishim njësoj të varfër – dhe kjo konsiderohej si gjë e drejtë. Por ishte e tmerrshme për një arësye tjetër, sepse ne nuk e dinim që diçka tjetër më e mirë ekzistonte në këtë botë. Dhe kur e zbuluam këtë, dhe filluam të kërkonim letër tualeti më të mirë për vehten tonë, atëhere komunizmin duket se e mori lumi.

Mbase kujtimet e mia lidhen me kohën kur shkoja në shkollë. Vetëm pasi fillova të shkoja në shkollë në mesin e viteve 50-të fillova të ve re që njerëzit mbanin fletë gazetash nëpër nevojtore. Atë kohë mamaja filloi të më dërgonte dyqaneve për të bërë pazarin, dhe unë mësova atë që çdo fëmijë duhet të mësonte kur jetonte nën komunizëm: që ti nuk mund të gjesh cdo gjë që të duhet në çdo kohë në dyqane, dhe në shumicen e rasteve, dyqanet ishin drangull fare. Për vajzat kjo lloj diturie ishte edhe më e rendësishme, përsa kohë që e ardhmja e familjes së tyre varej nga aftësia e tyre për të gjetur gjërat që duheshin për të jetuar, pavarësisht nga mungesat. Në Jugosllavinë e pasluftës, letra e tualetit nuk ishte gjëja më e rëndësishme dhe nuk prodhohej rregullisht (nëse merrnin mundimin ta prodhonin) e për më tepër ta shpërndanin. Letra e tualetit futej në një listë jashtëzakonisht të gjatë të gjërave që quheshin gjëra lluksi, ashtu si peliçet, parfumet, unazat e floririt, kapelet e grave, dorashkat apo çorapet e holla, çokollatat, karamelet, pluhuri larës dhe ndoca herë edhe lodrat e kalamajve, mishi apo qumështi – varej nga situata. Rregulli i përgjithshëm ishte se çdo gjë, në kohë të ndryshme mund të shpallej si objekt luksi.

Sërish problemi nuk qëndronte tek ngritja e një fabrike që të prodhonte letër ( ekzistonin disa të tilla) por tek ajo që prodhimi i letrës së tualetit të konsiderohej si i nevojshëm. Ish-partizanët revolucionarë në qeveri nuk e çanin shumë kokën për këtë. Udhëheqësit e gjenin atë për vete tek të ashtuquajturat “dyqane diplomatike” ku vetëm anëtarët e lartë të partisë kishin të drejtë të blinin ekstra racione qumështi e cokollate ose konjak Francez nga ai i miri fare. Por kush ishin këta udhëheqës të rinj? Ca fashatarë, ashtu sic ishte edhe 80% e Jugosllavisë së para-luftës, për të thënë të vërtetën. Dhe këta nuk e vrisnin shumë mëndjen – në fund të fundit të gjitha llojet e letrave njësoj ishin. Ata përdornin gazetat; një fletë gazette e ndarë më katërsh ( e të themi të vërtetën, ato gazeta që ishin thjesht ca buletinë partie nuk është se meritonin ndonjë fat tjetër më të mirë). Sot kjo mund të lëvdohet, e mbase edhe mund të merrt si shëmbull i një ndërgjegjeje ekologjike, por në atë kohë ajo s’ishte gjë tjetër vecse një mungesë totale e cdo lloj ndërgjegjeje. Në apartamentet e qytetarëve nuk kishte rrotullame letrash tualeti, por vetëm nje gozhdë të madhe gjithnjë të ndryshkur, ku nguleshin copat e gazetave të grisura më katërsh. Të zbriturit nga malet i nxorrën me shqelma jashtë apartamenteve të tyre lluksoze “borgjezët”dhe i përvetesuan apartamentet e tyre, por pa pervetësuar zakonet e tyre “borgjeze”

Në shtëpinë time, gazetat Borba, Komunist dhe Vjesnik nuk priteshin, por liheshin në kuti, që kush donte mund t’i lexonte. Sigurisht gazetat edhe mund të përdoreshin në rast nevoje, por mua më kujtohet që babai dhe mamaja vidhnin letër shkrimi nga zyrat ku punonin – të shkruara me makinë shkrimi nga njëra anë – kështuqë ne përdornim atë letër të hollë e të bardhë si lëkurë qepe. Sipërfaqen e kishte të fortë, mezi kalonte poshtë dhe duhej ta tërhiqja dy herë zinxhirin e banjos që ta merrte poshtë, por padyshim ishte më e mirë dhe më e lëmuar se gazeta. Pak pasi kisha mbaruar klasën e parë a të dytën, u shfaq Golubi – fletë të ashpra bojë kafe, të palosura dhe të presuara mbi njëra-tjetrën në pako të vogla, kështuqë kur tërhiqje njërën, tjetra dilte gati për t’u tërhequr pas saj. Nuk ishte ndonjë ndryshim kushedi se çfarë me gazetën, por unë nuk e desha atë për një arësye krejt tjeter: emrin. Mbante emrin e një zogu (pëllumb) dhe megjithëse në shkollë na kishin mësuar që letra prodhohet nga pemët, unë kisha dyshimet e mia. Kisha dëgjuar për sapun që bëhej nga njerëzit e djegur në kampin e përqëndrimit të Aushvicit – histori me abazhure të bëra me lëkurë njeriu, fëmijë të pjekur në sobat e guzhinës dhe kështu me rradhë. Këto histori ishin pjesë e zakonshme jetës së atëhershme dhe ne pasi i kishim dëgjuar ato kaq herë nga të vjetrit fillonim e ia tregonim edhe njëri-tjetrit. Mbi të gjitha, shumë dëshmitarë ishin akoma gjallë dhe asokohe ne nuk kishim televizor që të na e hiqte mendjen para se te flinim – e as libra me figura. Në mëndjen time fëminore, një tmerr barazohej me tjetrin dhe nëse njëri ishte i mundur pse tjetri të ishte i pamundur? Mbase Golub-in e bënin nga pëllumbat e vrarë, ose nga pendët ose kockat e tyre. Kur e përdorja atë më krijohej një ndjenjë e çuditëshme ndaj dhe përpiqesha ta evitoja; por ishte e vetmja letër tualeti që kishim, dhe unë duhet ta përdorja atë pavarësisht paragjykimeve të mia.

Për llojin e ri të letrës u desh të krijohej një lloj i ri mbajtësje, kështu që shumë shpejt u shfaq kutia prej druri me një të çarë në mes, prej nga mund t’i tërhiqje një nga një fijet e letrës. Kutia shërbente fare mirë edhe për një qëllim tjetër: atë të mbajtëses së cigares. Në banjot e shkollës, shpesh mund të shihja gjurmët e cigareve të ndezura të harruara aty nga duhanpirësit, të cilët kishte më shumë mundësi që aty në banjo, të rrinin për të lexuar libra që nuk përmbidheshin tek literatura rekomanduese e shkollave. Por problemi ishte që këto kuti ishin gjithmonë bosh dhe ne na duhej të përdornim fletët e fletoreve. Kur mendoj tani rreth kësaj gjëje, them se ishin vetë nxënësit që e vidhnin letrën nga banjot e shkolles. Kjo nëse atje vërtet vihej ndonjëherë letër. Dhe kjo është mjaft llogjike, pasi nëse kjo konsiderohej lluks – e në të vërtetë ishte – ja vlente që ta vidhnin. Por Vera, një shoqja ime që ulej pranë meje në bankë, nuk mund të griste fletë nga fletorja. Babai ia kishte ndaluar ta bënte atë gjë, duke i vënë numura të gjitha faqeve. Ai kishte frikë se mos e bija e gënjente po të merrte ndonjë notë të keqe dhe e griste faqen që ai mos ta merrte vesh. Vera duhej të më lutej mua për një fletë fletorje, në një intimitet që dukej më shumë si përulje. Por komunizmi e kishte edukuar vetë mungesën e kësaj lloj privacie – në apartamentet e përbashkët shtetërore; në moralin e tij ku gjithkush ishte shok i çdokujt; në Partinë Komuniste ku cdo anëtar vigjëlonte mbi jetën “korrekte” të të tjerëve – sepse vetëm aty ku nuk ka jetë private ka një kontroll të plotë e gjithanshëm.

Në mesin e viteve 60-të shumë gjëra ndryshuan: një ekonomi më pak e çentralizuar, më shumë liberalizëm e një standart më i lartë jetese. Kjo gjë – siç e mësuam 15 vjet më vonë pas vdekjes së Titos – nuk ndodhi për shkak të rritjes së produktivitetit, po për shkak të kredive të huaja që ai mori e që dikur do të duhej t’i kthente. Përparimi në komunizëm dukej qartë nga cilësia gjithnjë e më e mirë e letrës së tualetit. Përvec të pashmangëshmit Golub, filloi dhe prodhimi i letrave të tualetit në rrotulla. E tamam këtu ishte vendi ku mund të shikoje krijimin e shtresave shoqërore ne socializëm. Shteti komunist ndërkohë po e shtynte konceptin e shoqërisë pa klasa për gjithmonë e më vonë në të ardhmen – kaq larg bile, sa askush nuk mund ta perceptonte apo ti besonte më me të vërtetë. Dhe kështu, ndërsa të gjithë ne pretendonim se besonim në ideologjinë zyrtare, në jetën e përditëshme klasat ekzistonin realisht: maxhoranca e të varfërve (njerëzit e Golub-it); ato që ishin disi më mirë nga gjendja ( ato qe kishin arritur të siguronin apartamente dy dhoma e guzhinë, me televizorë, lavatriçe, frigorifer e mbase edhe makinë e që përdornin letër tualeti në rrotulla) dhe funsionarët e partisë shtet që përbënin një klasë më vehte. Ishte e vështirë të mund t’i shikoje shtëpitë e tyre, sepse ato ishin të mbrojtura nga mure të lartë, roje, qen dhe nga ndjenja e përgjithëshme e frikës.

Mua m’u paraqit njëherë një rast i tillë kur isha në shkollën fillore, dhe një shok i imi u sëmur. Ai ishte një djale i lezetshem dhe i qetë, por nuk ishte shumë popullor në shkollë sepse atë e sillnin në shkollë cdo mëngjes me një limo të zezë, duke nënvizuar kështu ndryshimin e tij prej ne të tjerëve. Mësuesi më dërgoi mua tek shtëpia e tij për t’i dhënë detyrat . Atje unë zbulova një lloj letre tualeti që se kisha parë kurrë më parë; e hollë e butë, me dy shtresa dhe me një ngjyrë blu të lehtë që përkonte me ngjyrën e mureve. Nga pas deres ishte një sprucator, dhe kur ti terhiqje një fill që varej prej tij, e tërë banjoja mbushej me një arome të mirë pishe mali. “Vijnë nga Austria” u përgjegj djali kur unë e pyeta atë se ku i gjenin ato gjëra. Ajo letër as që mund të krahasohej me rrotullat që ne blinim, sepse megjithëse rrotullat ishin një hap gjigand përpara krahasuar me Golub, prapëseprapë letra ishte vetëm pak më e mirë se ajo e pakove, gjë që ne na jepte të kuptonim se sistemit aq i bënte për të plotësuar disa nevoja bazë të njeriut. Aq më keq për sistemin.

Vetëm nga fundi i viteve 70-të, rrotullat e tualetit filluan të bëhen diçka normale, sëbashku me larjen e rregullt të duarve, larjen e dhëmbëve dhe atë të bërjes së dushit rregullisht – jo dush me deodorant. Me fjalë të tjera, zakonet tona higjenike, me ngadalë por në mënyrë gjithnjë e më të sigurtë, filluan të ndryshonin për mirë, dhe tjetri nuk vdiste menjeherë nga era e sqetullave sapo hypte në një autobus të mbushur plot – por mund të mbijetonte për ndoca minuta. Kjo ndodhte kur Golubi u zhduk më së fundi nga raftet, sëbashku me kutitë e vjetra të drurit. Kutite u zëvendësuan nga mbajtëse letrash tualeti metalike apo plastike, të dizenjuara qe të shkonin me ngjyrën e pllakave, wc-se apo vaskes. Kjo ishte koha e standarteve të larta të jetesës dhe si rrjedhojë edhe të shpresave për “socializëm me fytyrë njerëzore”. Banjot e vjetra u rinovuan, tubat e ndryshkur metalikë u zëvendësuan me tuba plastike. Një famile e re e klasës së mesme komuniste - dhe cdo familje donte të futej në këtë kategori – duhet te kishte një banjo të dekoruar, me çdo ornament të banjos në të njëjtën ngjyrë, që nga lavamani deri tek wc-ja , përfshi edhe peshqirët – tamam si ajo që kishin parë tek revista gjermane e importuar Schonen Wohnen e interior design. Por edhe kjo nuk mbyllej me kaq. Atëhere ishte e mundur të blije mbase edhe dhjetë lloje të ndryshme shamposh apo sapuni banjoje, kripërash, qumësht për trupin pas banjos … kuptohet nga ato që kishin aq lekë për t’i blerë. Komunizmi po arrinte fazën e tij lluksoze. Sigurisht, dikush mund të argumentonte këtu se letra e jashtme ishte më e butë (bile kishte edhe lule të stampuara mbi të) dhe që sapunët e tyre mbanin erë edhe më të mirë. Por ej!, ne kishim bere goxha rrugë që të arrinim deri këtu moj zemër. Dhe prova e fundit ishte që letra jonë e tualetit kishte filluar të eksportohej edhe jashtë vendit.

Megjithatë diçka kishte mbetur e pandryshuar: banjot publike. Çfarëdo lloj mbajtëse që të kishin ato, në to nuk do të gjeje kurrë leter. Ishte pikërisht atje, në shkolla dhe restorante, në kafene dhe theatro, në trena dhe në stacionet e autobuzëve që njeriu mund të gjykonte ndershmërisht se sa larg kishte arritur përparimi ynë.

Por gjërat e mira dhe kohët e lluksit nuk zgjatën për shumë kohë. Në mesin e viteve 80-të ia mbërritën racionimet, duke shënuar kështu sëmundjen vdekjeprurëse të komunizmit. Mungonte sheqeri, vaji, korenti, kafja, pasta e dhëmbëve, ilaci rrobave, pa përmendur këtu frutat si portokallet, bananet apo limonat. Letra e tualetit? Nuk ishte zhdukur, por rrotullat ishin kaq të shtrenjta saqë dalëngadalë ato i lëshuan vendin prapë Golub – it, dhe njerëzit filluan të ndjeheshin ashtu si edhe në vitet 50-të, që ishin me fat që kishin edhe ato që kishin – se ka edhe më keq. Kthimi mbrapsh tek Golub-i dukej edhe më i vështirë kur e mendoje që ky nuk ishte më progres por përkeqësim. Shyqyr Zotit që secili e kishte nga një pasaportë dhe Austria e Italia ishin vetëm ca orë larg me makinë. Ishte shumë qesharake të shihje kufirin në atë kohë. Dinari ishte kaq i dobët sa njerëzit nuk mund të shpenzonin para në veshje apo paisje shtëpie. Në përpjekje për të ruajtur një standart minimal jetese, makinat mbusheshin me pako të rrasura mbi njëra tjetrën rrotullash tualeti, kafé dhe ilaç rrobash. Njerëzit ishin të lodhur nga varfëria. Fukarallëku është i pisët, i shëmtuar dhe qelbet erë. Komunizmi është i varfër – prandaj… Qeveria mund të gënjente brezat e vjetër, ato që kishin lindur përpara ose menjëherë pas luftës. Por ishte brezi i ri ai që u bë armik. Ata thjesht nuk donin ta pranonin përkeqësimin e standartit të jetës në emër të një ideologjie në të cilën ata nuk besonin, dhe simboli i të cilës ishte letra Golub. Kjo shpjegon arësyen sepse komunistët humbën në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në maj 1990. I gjithë brezi i ri kishte votuar kundër Golubit, racionimeve, standarteve të dyfishta dhe premtimeve të gënjeshtërta… Në të gjithë Europën Lindore nuk u votua aq shumë për Demokratët, Kristianët apo Liberalët – apo çfarëdolloj emri partitë fituese kishin – por kundër komunizmit.

Por të jetosh në demokraci nuk do të thotë që ti të kesh falas rrotulla letre tualeti, daç të ashpër e daç të butë, të paktën në këtë pjesë të botës ku unë jetoj. Po si t’ia shpjegoj unë këtë vajzes time? Unë i tregova asaj për vizitën që bëra në Poloninë demokratike, ku shoqja ime Ana kishte letër tualeti vetëm se për vite të tëra e kishte mbushur bodrumin me pako letrash që arrinin deri në tavan. “Nuk e duroja dot mendimin që të fshihesha prap me gazetë, dhe e kisha fiksim që të blija sa më shumë kur dilnin në treg, që t’i kisha edhe kur dyqanet do të zbrazeshin – më tha Ana. Unë i tregova asaj për viziten time në klubin e Kinostudios - që ishte nje vend ku mblidhej elita e Sofies. Ishte mbas nëntorit të vitit 1989 dhe në banjo nuk kishte letër. Unë e lashë rrotullën e fundit që kisha marrë me vehte për udhëtimin tim në Bullgari për Katarinën, pasi ajo m’u lut. Në banjon e saj unë pashë të njëjtat fletë të daktilografuara që i kisha përdorur dikur – gjë që ma shton frikën se fëmijëria edhe në demokracinë e re Europiano- Lindore do të ngjajë, të paktën për ca kohë, pak a shumë si ajo e imja…

* Slavenca Drakulic eshte nje gazetare e respektuar dhe komentatore Kulturore ne Kroaci. Ky shkrim eshte nxjerr nga libri I saj “Si ia hodhem komunizmit, duke bere edhe shaka.”qw I dha asaj nje njohje nderkombetare. Ajo eshte quajtur Simone De Beauvoir e Europes Lindore, dhe pas leximit te ketij tregimi do ta kuptoni perse. (Gjithmone nese e dini kush eshte Simone De Beauvoir. J )

E perkehteu per Peshkun, Peshku Fluturues

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

24 Komente

  1. flokenaja thotë:

    10 October 2008 @ 8:45 am

    Dhe kur e zbuluam këtë, dhe filluam të kërkonim letër tualeti më të mirë për vehten tonë, atëhere komunizmin duket se e mori lumi.

    Shume interesante; gjetja dhe stili i autores,( me qe ra fjala perkthim i lemuar, komplimente).Autoren nuk e kam hasur me pare.Kur pash mbiemrin nuk mendova se flitej per letersi :)
    Sa te ngjashme realitetet e vendeve te lindjes, m’u duk sikur fliste per Shqiperine.

  2. Blendi Salaj thotë:

    10 October 2008 @ 9:37 am

    Klas! Ilustrim i kohes me letrat e tualetit…Golub apo te daktilografuara qofshin.

    Ne komunizem mungon lira…dhe letra e tualetit, ne kapitalizem te mbyt korrupsioni…kaosi lind si mungese e dores se forte…dhe (ndoshta) shoqeria si nje lavjeres, lekundet (cdo 40 vjet?) mes te dyjave…si ai qeni i semure qe shkon tek uji por nuk pi dot dhe nis te dridhet.

  3. zarathustra thotë:

    10 October 2008 @ 10:06 am

    Shume te ngjashme realitetet e vendeve te lindjes, vetem se ne fshat ne kohen e komunizmit ishin me me fat, pasi ne vend te gazetave perdornin gjethet e buta dhe te mendafshta te pemeve si psh ato te fikut..

  4. Perparim Hysi thotë:

    10 October 2008 @ 12:05 pm

    … dhe vetem te fikut jo,zarathustra!Po.Nje gje eshte e vertete dhe na shkon per shtat:ky shkrim eshte si nje kostum qe na rri pas trupit,te gjitheve,neve,lindoreve.

  5. flokenaja thotë:

    10 October 2008 @ 12:16 pm

    nuk e di pse kam kete perceptim( ndoshta te gabuar) qe lindoret shkruajne me bukur se perendimoret…
    mbase varferia e tejskajshme ka qene nje stimul i kosniderueshem per te pasuruar shpirtin… them se letersia ka qene nje lloj anti-trupi per te mos “vdekur”…

  6. akvll thotë:

    10 October 2008 @ 12:25 pm

    Retroportazh interesant.
    Historia me Anën më pëlqeu shumë, megjithëse një fjali.

  7. emigrant thotë:

    10 October 2008 @ 12:40 pm

    PF, ti e ke degjuar besoj shprehjen e ketejshme: “Don’t be cheap in toilet paper”. Filozofi e madhe ajo. Nga ana tjeter, “Life is cheap, toilet paper is expensive”. Produkt shume intrigues. Mungesa e te cilit ne treg, se bashku me artikujt higjenike per femra, duhet te ishte logo Nr.1 e socializmit te aplikuar si tek ne. Ose ose, them qe ca napa djathi (alias garza infermierie) dhe nje paramande do ishin po aq te fuqishme sa partizani fitimtar i odhise paskalit ne Mauthausen.

    Flamnderit, bro!!!

  8. spiritus thotë:

    10 October 2008 @ 1:20 pm

    Shume i bukur.Kendveshtrimi origjinal per te pasqyruar permes letres higjenike absurdin, degradimin dhe renien e mitit mbi lumturine njeriut ne komunizem.Nje miku im thote se banjot famijare dhe publike jane treguesi i mireqenies se nje kombi.Duke lexuar kete reportazh bindem se ka te drejte. C na ktheu mbrapa ne kujtime te trishtuara kjo zonje.
    Nje mendim interesant: ky ishte parimi i mos heqjes dorë, i mostërheqjes përpara kërkesave elementare që përbëjnë jetën e civilizuar të njeriut. Unë vendosa që të mbroja mundësine e zgjedhjes së lirë deri tek rrotulla e fundit e letrës së tualetit, në vend që t’a lejoja komunizmin që të na shkatërronte atë pak intimitet që na kishte mbetur mes ne të dyjave.
    Ja pse shqiptaret pasi fituan lirine, shpejtuan te modernizonin banjot.
    Edhe permes vezhgimitt e gjendjes se banjove publike( ku pihej cigarja endaluar, ku konsumohej dashuria e ndaluar ne shkolla, ku shkruheshin parrullat/mesazhet e ndaluara) autorja pasqyron me realizem dhe sarkazem degradimin e komunizmit.

  9. Peshku Fluturues thotë:

    10 October 2008 @ 1:43 pm

    Sa per banjot publike, kujtimi me i tmerrshem i femijerise per mua ka qene nje banjo publike tek plazhi “Hekurudha” ne Durres. Shkonim qe nderroheshim kur vinim e iknim (se nevojat e tjera i plotesonim ne det) dhe me kujtohet tek ecnim zbathur mes pellgjeve te verdha te urines me ishujve te bardhe te klori ne dysheme. Akrobacirat qe benim qe breket te mos preknin dyshemene apo shputen e qelbur te kembes ishin te pabesueshme, se po te binin breket ne dysheme nuk kishte me zot qe t’u hiqte eren. Kur mbaronim “nderrimin” dhe dilnim jashte, akoma vazhdonte tena digjte gryka, hundet dhe syte ti kishim te kuq per nja dhjete minuta.
    - Po letra e tualetit?
    - Ha, ha, ha…….

  10. sol-nox thotë:

    10 October 2008 @ 1:54 pm

    shkrim shume interesant dhe perkthim shume i mire. por duke lexuar (per arsye pune) gazeta prej vendeve ish-komuniste ne keto dy vjetet e fundit, kam vene re qe keto lloj shkrimesh (qe merren me detajimin ekonomik nga kendveshtrimi i komoditetit, po shnderrohen ne nje lloj klisheje.

  11. fh thotë:

    10 October 2008 @ 2:19 pm

    Beat this! Se çkanë ca autore një lloj qartesie mendimi e shprehje qe marrin per dore si femije e ta tregojne “realitetin ombjektiv”. E mrekullueshme pjesa, ndoshta fale edhe nje perkthimi “te padukshem”.

  12. lumidrin thotë:

    10 October 2008 @ 2:57 pm

    Mesazhi i shkrimtares eshte;
    ME FSHI B….N ME KOMUNIZMIN.
    Letra te jete e mire, se ndryshe te “VRET.”

  13. Rob-terneti thotë:

    10 October 2008 @ 3:15 pm

    Shyqyr Zotit që secili e kishte nga një pasaportë dhe Austria e Italia ishin vetëm ca orë larg me makinë.

    Krahasoje kte. Jo atehere, po sot.

  14. Pjer Thomas thotë:

    10 October 2008 @ 4:07 pm

    :-) tregim i lezetçem. Po ne qe s’kishim letra higjenike, qe e fshihnim bythen me gazete. Mbaj men, qe faqen 4 te Zerit te Popullit nuk e grisja per tu pastruar, por vetem per ta lexuar. Preferoja gjithmone faqen 1-2, per fshirje bythe :-)

  15. Nexhi thotë:

    10 October 2008 @ 4:10 pm

    Ka akoma qe e fshijne me gazete !
    Dhe jo ne fshat, por dhe ne mes te Tiranes, dhe me demek intelektuale. :P
    Nuk i heqim dot kollaj zakonet neve jo !

  16. patrioti thotë:

    10 October 2008 @ 4:14 pm

    Une qofsha i gabuar, por me Berishen po shkojme drejt Golubi-t

  17. Aiglon thotë:

    10 October 2008 @ 4:14 pm

    I jashtezakonshem, vertete… bravo perkthyesit.

  18. ancesori thotë:

    10 October 2008 @ 6:49 pm

    Shkrim i bukur dhe i terheqes por edhe ndoshta edhe pak stereotipik dhe i fryre. Ne vitet 50 as amerika nuk kishte ndonje standart kushedi se cfare. Ne lindje jugosllavia kishte standart relativisht te larte. Ndersa sa per shqiperine di qe keto banjat allafrenga jane futur vone ndersa fshati kam degjuar perdorte gjethe fiku po nuk e di sa e vertete eshte.

  19. Coklenoku thotë:

    10 October 2008 @ 9:15 pm

    Meqe flitet per komunizem, kapitalizem dhe leter higjenike, ndigjoni kete figure letrare te sajuar nga te dhena-shifra konkrete:

    Sikur i gjithe populli kapitalist-komunist kinez te perdorte leter higjenike, atehere i bie qe nje qenie kozmike te fshije menderen me pyjet e planetit.

  20. eli thotë:

    10 October 2008 @ 11:02 pm

    kjo ca gjera i paska pas te pakten dhe pse pak!ne shqiperi edhe po te kishe 2 leke ose nuk kishte ose ne dyqane te thonin nuk ka me,mbaroi..mua nuk me kujtohet a egzistonte letra tek ne para viteve 90. me kujtohet buka qe i vinte era myk dhe ajo 200gr per person.mos flasim pastaj per cokollata..qe po te gjenim letrat ishim shume te lumtura pasi mund ti degjonim eren .me kujtohet qe camcakizin e benim me kallezat e grurit pastaj zbuluam qe mund te mbllaciteshim me ngjitesen e kutive te shkrepeseve..eh ..leri pastaj banjot,duhet te beje balerinen qe te ecje ne te dhe ishe me fat po te gjeje nje vend.!por ne sidoqofte kendonim xhaxhi enveri ne ballkon te gjithe yllkat i shikon…jemi yllka shembullore….. o ancesori fshati i perdorte gjethet e fikut dhe te gjitha gjethet qe i vinin per mbar, gjithashtu dhe qyteti kur shkonte ne fshat!!!!!!

  21. Izabel thotë:

    10 October 2008 @ 11:47 pm

    Teper i sinqerte, i shkruar thjeshte, kuptueshem.
    Matesi i vertete i nivelit te nje shoqerie duket se jane nevojat bazike te njerezve.

  22. Dori thotë:

    11 October 2008 @ 12:33 am

    patriot, e ke gabim, Berisha përdor gazetën, specifikisht atë të NYT.

  23. adriatik thotë:

    11 October 2008 @ 1:37 am

    Ate punen e fshirjes se prapanices me gazeta, me duket se po ja fusni kot se populli yne i nderuar e ka lare sumen kurdohere.

    Ndryshe ka qene puna e nje turisti i cili kishte degjuar se ne Elbasan dhe Kavaje meshkujt ishin te perparuar qy ne at kohe per ceshtjet e sumes (e kishin lene prapa Evropen). Kur udhetonet me taksi, para se te vinte ne Elbasan, iu lut taksistit ta mbante makinen se do kryente nevojat. Taksisti e mbajti dhe ky, me qe nuk i kishte qelluar rrutullamja higjenike me vete, detyrohet ta fshinte me barishte. Sa e fshiu, shkoi me vrap te shoferi dhe ii tha qe ta kthente makinen per Tirane sepse suma po i digjte pa vajtur ne Elbasan e jo me te futej brenda ne qytet. Miku e kishte fshire me hislla.

    Nje problem kombetar eshte edhe suma e Berishes sepse eshte sume kryeministri dhe Udbashet i kane kenduar lule Sofon dhe ja kane bere per lemeri. Pavarsisht se Berishen nuk e dua si kryeminister dhe si spiun te Beogradit, por nga ana tjeter ndihem shume i brengosur se u ulet hunda skupidhicave dhe rrumpjeleve te tij ksenobythlepirsa.

    Persa i perket artikullit eshte me te vertet artikull dhjakonar dhe me shume arabeska qe e bejne mjaft dogndises.

  24. adriatik thotë:

    11 October 2008 @ 1:39 am

    Paskam harruar ” me sapllake” ne fund te frazes se pare

Komentet jane mbyllur ne te gjitha temat e arkivit.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com