Identifikohu



Regjistrohu

Penelopa sui generis

PENELOPA SUI GENERIS (sipas nje Homeri jo te verber)
Tregim

“Yjet në qiell duken të qetë e të pastër thjeshtë sepse janë shumë larg nesh e ne s’dimë asgjë për jetën e tyre private.”

HAJNE (1883)

Lajmi që ai po kthehej e kish gozhduar prej disa orësh, të palëvizshme e thuajse të gurëzuar aty prane tezgjahut. Pranë saj pretendentët nxitonin të përfundonin qilimin e madh stërgjigand të cilin sipas porosisë së tij, shumë vite më parë, ajo duhej ta shtronte sëbashku me qindra rrugica të pëlhurta mbi rrugët dhe shehshet e qytezëz ditën kur ai do të rikthehej.
“Do të zgjasë shumë lufta? “, kish pyetur ajo dikur, shumë vite më parë.
Ai nuk kish folur, por vështrimi i tij e kish përfshirë të tërën mbretëreshën e ishullit. Më pas ai, mbreti dinak, kish pyetur fallxhorin e tij : “ Sa mund të zgjasë lufta? “.
“Rreth njëzet vjet, imzot!”
“E c’mund të bëjë gruaja ime njëzet vjet pa u mërzitur? “, kish pyetur mbreti pa i hequr sytë nga Penelopa e hijshme.
“Si mbretëreshë ajo mund të qeverisë ishullin. Si bashkëshorte mund të të presë, si grua ajo mund të punojë në tezgjah një qilim gjigand që të mbulojë tërë rrugët e qytetit në kthimin tuaj të lavdishëm, imzot ! Yjet thonë që asnjë nga këto tre detyrime nuk do ta mërzisë mbretëreshën tonë.”.
Fallxhori i kish hequr sytë nga qielli. Mbreti ish afruar drejt saj, e kish puthur fort në buzët e ftohta dhe duke e përkëdhelur në barkun disi të fryrë i kish pëshpëritur: “ E dashur, nuk je vetëm! Nëse do të jetë vajzë do të kesh kujt t’ia hapësh zemrën, nëse do të jetë djalë do të kesh një mbrojtës më shumë për ty dhe mbretërinë!”.

* * *

Vitet e para ajo kish ëndërruar shumë për kthimin e tij, ndërsa përkëdhelte djalin e vogël, krijesën e vetme që e lidhte me të.
Më vonë, përkundrazi, kish menduar më shumë për moskthimin e tij. Në fillim ideja e moskthimit e kish torturuar duke ia larguar gjumin netëve vetmitare. Më pas e kish pranuar këtë ide si dicka që mund ta shoqëronte në frikën, shqetësimet dhe brengat e saj, ndaj edhe e kish strehuar në qënjen e saj, diku afër zemrës, aty ku ajo mendonte se strehohej edhe shpirti i trazuar. Nganjëherë gjumi i prishej nga ndonjë ëndërr e tmerrshme dhe në zgjim ndjente arratisjen e idesë së moskthimit nga zemra e vet. Ndjente se si ajo i shqyente kraharorin e plotë dhe niste të zbriste nga shtegu i gjinjve poshtë trupit të gruas për t’u fshehur mes dendësisë së zezë të seksit të saj. Kish masturbuar shpesh në vitet e para të mungesës së tij, por tani masturbimi i ngjante si një kërkim që gishtërinjtë e saj bënin në të carën e ngushtë për të gjetur pikërisht “moskthimin” e tij.
Por moskthimin nuk e kish dëshiruar vetëm ajo. Dhjetëra djem të rinj e të fuqishëm e kishin vështruar sikur ta kishin kuptuar moskthyeshmërinë. Ajo vetë, Penelopa e trazuar, e kish ndjerë që në fillim se pritja do të ishte tepër e vështirë. Më e vështirë se endja e qilimit gjigand, më e vështirë se qeverisja e ishullit të zhurmshëm, ndoshta edhe më e vështirë se lufta e tij atje larg në Trojën e pabesë.
Sa herë që mendonte për luftën e tij trojane, gjente dicka qesharake pikërisht në seriozitetin me të cilin e kishin marrë luftën të gjithë princat dhe mbretërit grekë.
Kishin shkuar për të rikthyer një grua të bukur e tradhëtare, për të lënë shtëpitë e tyre, gratë e tyre, të dashurat, të vetmuara në pritjen e tyre pa emër. Kjo gjë, sipas saj, rrezikonte që pas kthimit të tyre në mbretëritë e veta ndoshta asnjëri s’do ta gjente të shoqen aty. Sepse gratë nuk ishin aq budallaqe sa zotërit e tyre. Ndoshta do të kishte luftëra të tjera për rikthimin apo rimarrjen e grave. Luftra të pafundme.
Qeshte me zë të lartë kur mendonte se mund të rastiste që nipërit mund të përgjakeshin në luftra të stërzgjatura për rikthimin e gjysheve të tyre të pabesa.

* * *

Në vitet e para kish kaluar në orgazma të thella vec me përfytyrimin e tij. Tashmë nga ai kishin mbetur vec sytë dhe mjekra e thinjur me majë. Tashmë këto ishin të pamjaftueshme për një orgazmë. Pas kaq vitesh në pritje të moskthimit të tij, në shtratin e saj kishin fjetur pothuajse të gjithë pinjollët e familjeve të fisme të ishullit, pa llogaritur edhe disa shërbëtore të saja që ajo i kish cvirgjëruar ashtu sic di të virgjërojë një grua që pret një moskthim.
Lajmi që ai po kthehej i kish tronditur të gjithë. Ishte gati vec gjysma e qilimit, pjesën dërmuese të të cilit e kishin thurrur vetë pretendentët me skllavet e tyre.
Kish ditur të tregohej e drejtë me popullsinë në qeverisjen e ishullit, ashtu sic ish treguar e drejtë me vetveten, edhe me djalin e saj njëzetvjecar që përpiqej t’i ngjante secilit prej dashnorëve të së ëmës, vec të jatit të panjohur jo.
Ishulli gëlonte nga qindra gra e vajza që nën shembullin e mbretëreshës së tyre kishin ditur të mos ndjenin se sa e rëndë është pesha e njëzet vjetëve. Një shthurrje kolektive kish molepsur e tronditur gjithshka njerëzore të ishullit. Vec kafshët nuk ishin prekur nga kjo gjë. Jeta e tyre vazhdonte, si edhe më parë, në kopetë e qeverisura mirë nga prijësit e tyre.
Sa për popullin e ishullit, ai tashmë ishte një kope me shumë femra e me pak meshkuj të rinj që si hamshorë hynin e dilnin nga shtrati në shtrat, nga ai i mbretëreshës tek i skllaves më pavlerë të mbretërisë.
Në fillim i kishin shmangur shtatzanitë, por kur moskthimi nisi të qeverisë mendjen e mbretërisë, atëhere kish nisur një garë e shfrenuar e fëmijëbërjes. Fëmijët rriteshin të lumtur nën kujdesin e baballarëve që ndrroheshin aq shpesh. Kurrë më parë ishulli nuk kish përjetuar një harmoni të tillë. Mund t’i thërrisje baba, burrë ,grua, djalë a vajzë kujtdo dhe askush nuk do të të keqkuptonte. Të gjithë ishin dashnorë, baballarë, nëna e motra , vëllezër e bashkëshortë njëkohësisht. Secili kujdesej për cilindo dhe askush nuk e njihte ndjenjën e xhelozisë apo të zilisë.
Të ikurit, edhe vetë mbreti, konsideroheshin tashmë si dicka e largët, e artë, hyjnore, si krenaria e mbretërisë që meritonte të hynte në legjendë, ndoshta në më të madhen e legjendave. Por në legjendë mund të hyje vetëm duke luftuar larg për lavdinë e mbretërisë e duke dhënë jetën si burrat. Dhe legjendën e dëshironin si të ikurit, ashtu edhe të mbeturit.

* * *

Penelopa e kish patur tepër të lehtë qeverisjen e fronit. Askush nga brezi i ri i princave nuk kish patur synime për pushtetin. Ata ishin rritur në tjetër klimë dhe nuk e konceptonin që midis gjërave të dëshirueshme të bënte pjesë edhe pushteti. E c’do t’iu duhej ai? Përderisa kishin në zotërim mbretëreshën dhe tërë femrat e ishullit. Askush s’e vriste më mëndjen për hierarkinë apo fismërinë e familjeve, madje pjesa më e madhe e të rinjve nuk dinte as t’i përdorte armët e luftës. Të gjithë e dinin që mbretëria u përkiste të ikurve dhe askujt s’i shkonte ndërmënd ta vinte në diskutim këtë gjë. Penelopa e kish dashur dhe kuptuar popullin e saj si veten, ndaj edhe kish fituar më shumë popullaritet se të gjithë të ikurit së bashku. Askush nuk e dënonte apo shante Helenën e bukur, por përkundrazi e kishin admiruar dhe i ishin mirënjohëse për rebelimin e saj. Gratë dhe vajzat e ishullit ishin zbukuruar dhe freskuar më shumë se kurrë gjatë këtij moskthimi të madh. Të rrethuara nga përkëdhelitë dhe trupat muskulozë të hamshorëve të rinj ato harronin cdo gjë në zjarret epshore ku vazhdimisht digjeshin copa bese, premtimesh idiote dhe sa e sa kujtime ndërgjegjevrara. Gratë dëshironin të bënin sa më shumë qejf dhe fëmijë, fëmijët të kishin sa më shumë dashnore dhe të dashurat të bëheshin sa më shpejt nëna. Një qarkullim perfekt i dëshirave dhe epsheve nga brezi në brez.
Pothuaj askush nuk iu falej më perëndive. Penelopa kish zaptuar shtretërit dhe qiejt e ishullit. Njerëzia faleshin cdo natë për të dhe ditën ndihmonin në thurrjen e qilimit gjigand. Thurrja e tij ishte shndrruar në një detyrim moral të të gjithë ishullakëve. Të gjithë dëshironin që mbretëresha të dilte faqebardhë në mbajtjen e premtimit të vjetër. Vec kësaj, edhe qyteza do të zbuklurohej më shumë. Një arësye më shumë e qilimthurrjes kolektive ishte edhe fakti se të gjithë ndjeheshin fajtorë në besëthyerjet e tyre ndaj të ikurve. Ndaj secili pas disa orësh tezgjah sikur ndjente një farë lehtësimi për mëkatin e kryer një natë më parë…Pas cdo mëkati vinte një copë qilim dhe anasjelltas.Por mëkati i tyre mund të konsiderohej i tillë vec nga të ikurit. Për të mbeturit ai ishte vetë parajsa që ata ia detyronin moskthimit.

Pranë Penelopës punonte vazhdimisht i biri dhe pretendentët. Quheshin pretendentë sepse pretendonin kush e kush të thurrte sa më shumë pëlhurë, gjë që natën konvertohej në sa më shumë orgazma mbi trupin e mbretëreshës. Ajo i donte të gjithë dhe të gjithë e donin. I bëhej zemra mal kur shihte të birin të qëndronte përkrah saj si mishërim i tolerancës dhe i mirëkuptimit që kish përfshirë tërë ishullin. Atë e dallonte vetëm dicka e vogël nga pretendentët : ishte i vetmi që nuk kish fjetur dhe që s’mund të flinte me mbretëreshën. Kjo gjë e bënte të ndjehej disi inferior dhe ziliar ndaj tyre, por kjo gjë ndodhte shumë rrallë. Në më të shumtën e kohës ai dhe pretendentët i hapnin zemrat njëri- tjetrit duke treguar se sa të ëmbëla dhe seksi ishin nënat, motrat dhe skllavet e tyre e mbi të gjitha edhe ajo, mbretëresha e vëndit dhe nëna e tij Penelopë.
Shpesh i ish lutur së ëmës ta bënte edhe me një vëlla apo motër, por ajo kish buzëqeshur kuptimplotë dhe i ish përgjigjur : “ Atëhere do të pushoja së qenuri ndryshe nga të tjerat, biri
im! “.

* * *

Por tani cdo gjë u kthye përmbys. Të ikurit po ktheheshin. Lajmi kish marrë dhenë. Tashmë qyteti vazhdonte të funksiononte si një tezgjah gjigand ku nuk do endej më qilimi, por një pelhurë tepër e hollë justifikimesh rozë, pëlhurë që do t’i lidhte apo ndante paskëtaj të mbeturit me të ikurit. Me të ikurit që cuditërisht po ktheheshin të lavdishëm, por të padëshiruar.
I takonte Penelopës t’iu ngrinte lart moralin ishullakëve dhe të shmangte coroditjen që kish sjellë lajmi i zi.

Në fillim ajo nuk e kish besuar kthimin. Një arësye e fortë për këtë mosbesim kish qenë fakti se lajmin e kish sjellë i pari një peshkatar impotent, i vetmi që nuk e kish provuar gëzimin dhe lirinë e shfrenuar të njëzet vjetëve në qendrën e tij të rëndesës që te ai nuk funksiononte më.
Por ca korierë nga mbretëritë fqinje e kishin vërtetuar kthimin.
Problemi i vetëm madhor ishin fëmijët që kishin lindur gjatë këtyre njëzetë vjetëve. Pothuajse të gjithë ishin të paligjshëm.
Tërë këto vite Penelopa kish treguar aftësinë e saj prej femre, prej gruaje që kish ditur të ngopte epshin e saj dhe të shtetasve të vet mes një mirëkuptimi kolektiv. Tani kish ardhur ora t’i tregonte popullit të saj që ishte edhe mbretëreshë. Para popullit të saj dhe para atij mjekërthinjurit të lavdishëm që po kthehej fitimtar. Duhej vendosur patjetër dicka para se ajo të ndodhej përballë vështrimit dinak të syve të kaltër të të zotit. Qilimi ishte në të mbaruar falë skllaveve dhe pretendentëve.
Sipas llogaritjeve të fallxhorit të saj, ata do të vinin pas një jave. Në pallatin mbretëror pretendentët me lotë në sy kërkonin shpëtim nga mbretëresha e tyre. Epshet ishin zhdukur si me magji. Askush nuk guxonte më të mendonte moskthimin. Gjendja ishte aq alarmante sa që në ishull u vu gjëndja e jashtëzakonshme. Një urdhër special i Penelopës ndalonte cdo lloj akti seksual. Dy vetë që u kapën duke masturbuar u ekzekutuan në vënd. Po kështu edhe bariu i ishullit dhe lopa e tij. U vendos që të krijohej një ushtri e vockël me “ të tepërtit” e jashtëligjshëm. Duheshin stërvitur shpejt në përdorimin e armëve dhe në përballimin e të kthyerve. Penelopa e dinte se asnjë nga pretendentët e jashtëligjshëm nuk do mbetej gjallë nga përballja me burrat e legjendës. Edhe sikur ata të fitonin,edhe sikur ata të humbnin, ajo do të gëzohej njëlloj. Po kështu edhe i biri që e kish jetën të sigurtë si me baba ashtu edhe pa baba.

Megjithëse cdo cast që kalonte e afronte përballjen me gjëmën, Penelopa vetë ishte cuditërisht e qetë. Ndoshta në këtë drejtim kish ndihmuar edhe një fakt i thjeshtë.Tashmë qëndronte me orë të tëra në dhomën e saj të gjumit, shtrirë mbi shtratin që ai e kish gdhendur vetë mbi trungun e ullirit, si për të pohuar se aty do të mbretëronte vec paqja. Në të vërtetë gjatë këtyre viteve hibridë e të pazokontë ajo kurrë s’kish bërë dashuri mbi atë shtrat. Jo. Pretendentët i kishin shijuar hiret e saj kudo në guva, plazhe, në bordellet ku ajo kish hyrë fshehurazi dhe e maskuar për të provuar zjarrin e pasionit mishtor të skllevërve nubianë,por ato mbi atë shtrat jo. Ai shtrat kish qenë gjithmonë altari ku flinin sa e sa fjalë të ëmbëla, kujtime, premtime, rënkime të shkruara në një gjuhë të shpirtit që e njihte vec ajo dhe ai, sykaltëri dinak, burri i parë i ishullit dhe mashkulli i vetëm i atij shtrati të ullirtë. Sa më shumë qëndronte shtrirë mbi atë altar,aq më shumë e ndjente që në të vërtetë kthimi i tij nuk bënte pjesë në gjërat e padëshirueshme.
Në fund të fundit ajo tërë këtë kohë që ai , i zoti i saj, luftonte në dhe të huaj për të hequr turpin që Helena e bukur i kish falur aq lehtësisht atdheut të saj, i kish provuar vetes atë që cdo grua do të donte ta provonte.Që Brenda cdo gruaje flenë në harmoni të plotë mbretëresha dhe skllavja, e virtytshmja dhe kurva,ku zgjimi i njërës nuk ia prishte ëndërrat tjetrës. Dhe kishin qenë zgjime të mrekullueshëm dhe ëndërra hyjnore…
Tashmë ajo ish e gatëshme të shtrihej në atë shtrat me dinakun legjendar.. I vinte keq për të paligjshmit, por e dinte se nuk kishte zgjidhje tjetër. Ata do të vriteshin të gjithë.
Vërtetë që shumica e atyre që ktheheshin nga Troja e largët ishin të plakur, të lodhur e të raskapitur nga luftërat e pafund, por ata kishin dicka që askush në ishull nuk mund ta kuptonte: mallin për vendin dhe gratë e tyre, si edhe një epsh njëzetëvjecar i përlotur e i pa shpërblyer…Pastaj…a nuk vinin ata nga legjenda?
Shumica e pretendentëve kishin vërtetë forcën dhe dëshirën për të thyer pleqtë plangprishës, por epshet dhe orgjitë i kishin privuar nga dy gjëra të cilat ishin edhe kobi i tyre i parathënë: ata s’e kishin idenë se në botë ekzistojnë edhe dy gjëra të fuqishme,malli dhe pritja. Ata dinin moskthimin, ndërsa legjendarët e cfilitur kthimin.

Penelopa i kuptonte natyrshëm këto gjëra dhe ndjente keqardhje kur përfytyronte se si do të skuqej deti nga gjaku i ri i pretendentëve. Më së fundi qilimi gjigand ishte pothuajse gati. Kish mbetur pa përfunduar vec një pjesë : rrugica e vjetër që të shpinte te limani i ishullit, pikërisht aty ku pas pak ditësh legjendarët do të shkelnin pas njëzetvjetësh dhe ato, gratë e tyre besnike, do t’i mbulonin me puthje, kurrora ullinjsh dhe me një re të purpurtë justifikimesh që ndoshta do t”u hynte në punë për të davaritur nga vështrimet e syve të tyre pyetjen që në këtë kthim të jashtëzakonshëm ata do t’ua bënin me të drejtë: “C’ishte ajo turmë djelmoshash të bukur e aspak trima që kish marrë guximin t’ua ndalonte kthimin pranë brigjeve të shumëdëshiruara të atdheut të tyre?”.

* * *

Dita e kthimit kish ardhur më në fund. Legjendarët e thinjur e me trupat plot blana plagësh më së fundi ishin në shtëpitë e tyre.
Askujt nuk i ra në sy qilimi gjigand. Ndoshta e kishin harruar. Ndoshta edhe ngaqë fallxhori kish vdekur. Dinaku sykaltër,zot i vendit, e kish parë me indiferencë atë masë jeshilen që kish mbuluar tërë qytëzën. Aq i bënte për të. Tani para tij ndodhej Penelopa dhe një djalosh i bukur që aq shumë i ngjante atij.
Kishin shumë gjëra për të thënë. Shumë gjëra për të dëgjuar. Shumë gjëra për të heshtur.
Ai nuk kishte nevojë për shumë gjëra nga ajo tani. Thjeshtë pak heshtje dhe një shplodhje të verbër mbi gjinjtë e saj.
Më pas ,pasi kishin bërë dashuri si dy të porsanjohur tërë epsh e kërshëri për atë përzjerje të llahtarshme gjuhësh , buzësh, trupash e gjymtyrësh , nuk e kishin ndjerë të nevojshme të pyesnin për asgjë. As për t’u përgjigjur.
Mbretëresha kish dashur ta pyeste nëse i kish pëlqyer qilimi gjigand, por sa herë që e kish cuar pyetjen ndër mënd kish ndjerë heshtjen e tij ta pushtonte,ta dërmonte e ta thërmonte të tërën në copëza të vogla, në grimca infantile të paafta për të belbëzuar qoftë edhe një fjalë…
Pas tërë atyre viteve tani ndjehej i lumtur.Mungesa e lumturisë sikur e kish cmësuar me të pranuarit e faktit të thjeshtë që me të vërtetë ai duhet të ishte i lumtur. Ish kthyer në shtëpinë e tij, pranë gruas cuditërisht aq e freskët,pranë djalit që s’e kish njohur kurrë në atdheun e tij.
Kthehej nga legjenda e ndoshta prandaj nuk e ndjente nevojën e lumturisë që mesa dukej ishte krijuar për njerëzit e rëndomtë.
Penelopa si t’ia kish kuptuar mendimet dinakut ish ndjerë fillimisht e lumtur. Më pas lumturia i ish shfaqur si dicka e ngjashme me qilimin gjigand në ngjyrë jeshile që pas kaq vitesh punë të lodhëshme ( angari e shpirtit ) ish shpërblyer me mosvëmëndje. Lumturi e gjelbërt e mospërfillur.
Përsëri kish dashur të fliste dicka. Ta pyeste të zotin e ishullit, t’i tregonte dicka interesante që sytë e tij të hiqnin atë ngricë legjende. Donte që me cdo kusht ai ta pyeste, t’i kërkonte sqarime për atë turmë djaloshësh që kish tentuar t’i ndërpriste kthimin, në mënyrë që ajo të kish mundësi të përdorte justifikimet dhe gënjështrat njëzetvjecare, të njëjta në moshë me qilimin gjigand.
Kur e pa se prijësit asgjë nuk i bënte më përshtypje, madje as i biri, ndjeu një nevojë të tmerrshme për t’i treguar gjithshka. Atij që s’i bënte përshtypje asgjë në mbretërinë e tij le t’ia kthente shkëlqimin e syve, inatin dhe zemërimin e vërteta që do të dilte nga goja e saj…
Ndaj edhe i rrefeu gjithshka. Ish ndjerë e lehtësuar dhe prej tij donte vec një reagim, dicka që le t’i ngjante edhe ndëshkimit, torturës apo vdekjes. Mjaft që të ishte e njeriut dhe prej njeriu. Mjaft që ta bënte atë burrë legjendar edhe një herë njeri, të ndjeshëm e të mëncur, të ashpër dhe mizor. Si dikur, njeri dhe prijës njëkohësisht.
Ai e kish dëgjuar i palëvizur rrëfimin e saj. Pastaj kish ecur ca hapa nëpër rrugicën e gjelbërt ,për të ndaluar mbi një shkëmb buzë detit, me vështrimin e tretur larg, shumë larg,në një horizont që si edhe ai i përkiste legjendës.
Penelopa ish kthyer në dhomën e saj.
Ishte një mbretëreshë e kënaqur dhe një grua e palumtur. Për herë të parë ndjeu që asgjë s’kish rëndësi në këtë botë për sa kohë që ekzistonin heshtja, fjala dhe legjenda.
Kthimi dhe moskthimi, këto dy ide që e kishin torturuar netëve të pafundme iu dukën dy gjëra bajate, ndoshta të keqpërdorura.
Mendja i shkoi te fallxhori i vdekur.
“ C’gjë mund të bëjë gruaja ime pa u mërzitur?”.
“ Cdo gjë ,imzot, përvec pritjes! “.

(Athine, 1994)

(autori: Artan Gj. Hasani)

http://www.whisperthereal.blogspot.com/

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

20 Komente »

  1. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 Shkurt 2008 @ 5:24 pm

    Kthimi dhe moskthimi, këto dy ide që e kishin torturuar netëve të pafundme iu dukën dy gjëra bajate, ndoshta të keqpërdorura.

    jo dhe aq te keqperdorura… sui generis ne Penelopi` ja paskesh lujt fene.

  2. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 Shkurt 2008 @ 5:37 pm

    ose “amon mer jahu, u knoqem tu u knoq” : por asgje ‘e mire’ nuk zgjat perjetesisht.

  3. belle_fleur Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 Shkurt 2008 @ 4:50 am

    Whisper, vertet interesante shkrimi mbi Penelopen dhe pritjen e saj 20-vjecare. I wonder what would the greeks think if they read this? :)

  4. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 Shkurt 2008 @ 5:55 pm

    Whisper, ideja eshte grup fare.

    Tregimi donte me teper lende per te perballuar gjatesine. Sado gjigande qilimat apo seks-orgjia ishullore, keto jane pak per nje fabul hipnotizuese. Kjo gjatesi shkrimi kerkon me teper detaj.

    PS: Sekreti i Kadarese ne keto tema qe i ka pas qare: e detyron lexuesin qe te harroje se ai e ka fjalen ne nje ide universale; e merr per dore neper kalldreme te vjetra interesante; ne fund fare, si pa te keq, i thote qe degjo, se s’ishte llafi aq te ato historite e vjetra me egjyptiane e greke, ka edhe nje cike me teper, etj etj.

    My 2 cents, anyway.

  5. akull-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 11:44 am

    Po si mor na e përdhosën dhe Penelopën? Pah, si u prish ky milet kshu…

    Kam një pyetje unë në fakt: whisper dhe whisper the real janë 1 apo 2?

  6. whisper the real Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 3:27 pm

    akull-naja nuk jane i njejti person…njeri (whisper the real ) merret me krijimtari letrare, kurse tjetri (ky whisperi i blogut te peshqve) merreshka sic duket me plagjiature.
    Mire ai (whisperi i ketij blogut te peshqve) qe edhe pas reagimit tim si autor nuk pati kurajon te pohonte qe nuk eshte ai autor i krijimit qe ka sjellur pothuajse nje vit me pare ketu si krijim te tijin…(madje edhe duke bere komente si autor i atij krijimi…gje qe nuk e nderon aspak ate person)…por bej cudi me administratoret e ketij blogu qe pretendojne profesionalizem te cilet nuk reaguan fare per te korrigjuar plagjiaturen e bere edhe pas denoncimit tim para nja 2 muajsh per plagjiaturen ne fjale..denoncim i bere publikisht ne temen e vjedhur…Diku ne kete blog kam lexuar qe plagjiatura denohet edhe ne kete blog…

    ky link me poshte eshte plagjiatura dhe ne fund ka edhe komentin tim…

    http://www.peshkupauje.com/dite-pa-emer/2007/05/31/#comments

    nejse…ky sqarim ishte thjesht per akull-najen…

  7. whisper the real Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 3:32 pm

    ps…Cfare reagimi mund te prisja une nga adminet? Thjesht te kalonin ate tregim nen nickun tim dhe te fshinin nga ajo teme komentet qe ka bere whisperi (the fake) si autor i saj…Kaq…
    Nuk do me nderonte mua si autor ai reagim, por vete ata dhe blogun qe kane marre persiper te administrojne profesionalisht…

  8. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 3:42 pm

    Whisper,

    Peshku s’ka asnje mundesi te merret se cili prej jush eshte “real”. Anonimati ka te mirat dhe te keqijat e tij.

  9. akull-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:00 pm

    Whisper_the_real, s’i kisha parë ato komentet në anën tjetër, kur të pyeta. Po më bënte përshtypje pse kishe ndërruar llagap…

    Sa për Whisper_the_fake, në vëndin tënd, do e merrja si shaka të keqe uzurpimin e identitetit tënd virtual. Ndoshta mund ta konsiderosh kompliment që dikush shtiret se ka shkruar tregimin tënd, dhe me nickun tënd, që për më tepër qënka dhe i botuar më parë… Ja, do i jetë dukur se e ka shkruar vetë një moment dhe është ndier i madh… apo e madhe… e madhe, më mirë (hormone femërore çlironin komentet nga ana tjetër…dhe ideja…ideja…:)).

    Shëndet!

  10. whisper the real Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:13 pm

    Ll…mesa di une je nje nga adminet e ketij blogu dhe ajo cfare the me siper verteton cfare thashe une me lart ne adrese te stafit tuaj te admineve…Nuk besoj se paragjykova ndokend nga adminet, por thjeshte iu referova faktit…
    Nese pergjigja jote te duket profesionale atehere me vjen shume keq per ty personalisht…Se cili eshte autori i vertete ajo eshte shume e qarte madje per te verbrit solla edhe disa linke nga vendi ky eshte vjedhur ai tregim…por sic duket mungon vullneti i mire te ty si admin…

    akull-naja ashtu sic thua ti eshte, por ne fakt ajo paturpesi kur hajduti i prones intelektuale te dikujt tjeter ben edhe komente se si e kish shkruar ai ate tregim e cfare kish pasur ai parasysh me ate tregim “te tijin” mendoj se nuk me fyen aspak mua, por ata qe morren pjese ne ate teme…
    Por mire ka bere fundja…e paska gjetur tamam vendin ku dikush mund te beje plagjiature i pashqetesuar nga asgje…

  11. Blendi Salaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:23 pm

    Artan, as une nuk e kisha pare komentin tend ne lidhje me sjelljen e tregimit “Dita pa emer” nga dikush tjeter ketu. Nese do te na kishe kontaktar personalisht, me siguri do te kishim bere dicka. Imagjino qindra, ndonjehere mijra komente ne dite, e kemi te pamundur t’i lexojme te gjitha.

    Do kujdesem qe ne fund te tregimit te shtoj emrin tend si autor, njesoj sic paraqitet ne kete tregim. Po, eshte e vertete, ne e marrim plagjiaturen shume seriozisht, dhe kemi tolerance zero ndaj saj.

    Ky rast me duket shume interesant. Per shkak se kushdo qe “whisper” te jete nuk e beri per te vjedhur lavdine, gje qe eshte e pamundur nen anonimitet. Ndoshta ka nisur nga deshira per te sjelle tek peshku nje autor te preferuar, e mandej e ka bere kete duke regjistruar te njejten nofke qe autori, pra ju, perdornit tek forumishqiptar…nje forme komplimentare deri ketu, dhe nuk di te them se cfare ndodhi mandej kur “whisper” komentoi si autori i pjeses se shkruar.

    Me ler te di per rastet e tjera ku eshte perseritur kjo pune. Me duket se lexova qe edhe disa poezi te tuat jane botuar keshtu. Edhe atyre eshte e nevojshme tu shtojme autoresine e sakte.

  12. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:30 pm

    Whisper, ne radhe te pare komplimenta per shkrimin, ne radhe te dyte, mos e merr kaq me yxhym se po ta mendosh edhe zotrote pak me thelle do e kuptosh se qofte adminet qofte lexuesit e thjeshte e komentuesit e peshkut nuk kane kurrfare mundesie te nxjerrin ne drite autoresine e vertete te shkrimit, kur edhe ti qe deklaron se je autori i vertete, mund te jesh po aq i stisur sa ai tjetri te cilin e akuzon.

    Me kupto drejt, s’kam synim te te pergenjeshtroj as ty, as ate, e as ndonje tjeter, thjesht te te ve ne dukje se vertetesimet e autoresise ne blogje jane te pamundura, e per me teper kjo kur secili, perfshi dhe ty, zgjedh emrin (nickun) qe i vjen per shtat.

    Anonimiteti e interneti i kane keto pune, nqs. vertet je autori i pjesesh, ndoshta do kishe bere mire te ishe kujdesur per te drejtat e autoresise para se ta botoje diku ne internet (sugjerim per here tjeter).

  13. whisper the real Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:37 pm

    Faleminderit Blendi! E vleresoj me mirenjohje nderhyrjen tende.

    Wasu…mund te shkruaje edhe duke e shmangur fjalen “zotrote”…kjo per hir te bashkebisedimit…

    kur edhe ti qe deklaron se je autori i vertete, mund te jesh po aq i stisur sa ai tjetri te cilin e akuzon

    Jo…ne rastin tim jo sepse krijimtaria ime eshte e botuar prej vitesh ne internet dhe ne realitet ne disa libra qe mbajne emrin tim…eshte e botuar nen identitetin tim te vertete edhe kur ka qene nen ndonje pseudonim virtualiteti…
    Pra stisjen mund ta kerkosh me shume te anonimi qe futet me nje pseudonim se sa te dikush qe futet me emrin e tij te vertete…Logjika e thjeshte keshtu thote besoj…

  14. akull-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:45 pm

    Blend, lexova diku nëpër peshk një shprehje në lidhje me imazhin që të shtyn të bëhesh si imazhi. Psh thoshte ai i zoti, nëse të thonë që di anglisht, dhe po s’dite do mësosh e kështu me radhë. (Ose varianti shqip, po të thanë 40 ditë rresht budalla, budalla bëhesh. ) Edhe Whisperit fake i thanë që sa bukur ke SHKRUJT etj etj dhe meqë ishin bërë nja 40 komente, iu mbush mëndja që e kishte shkrujt vetë. As simple as that.:)
    p.s. E qepa.

  15. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 4:46 pm

    Si gjithmone keqkuptimet jane te pashmangshme. Po qe ta perseris edhe njehere ate qe thashe me siper, duke qene se ketu zgjedhim te paraqitemi me cfaredolloj emri (duke te perfshire ketu edhe ty), ate te vertete, nje te genjeshtert, apo thjesht nje nickname, eshte e pamundur te dish me ke ke te besh. Kjo ka te mirat e te keqijat e saj. Madje dhe dikush qe paraqitet me emer e mbiemer mund t’i kete keto te stisura. Ndaj une te uroj krijimtari te mbare, e te sugjeroj ate qe shkrova me siper, per te menjanuar irritime te mevonshme nga vjedhja e autoresise.

  16. macia_blu Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 6:01 pm

    whsper the real- artan, me fal nese perseris. Po nuk e di pse vertete , hedhjen e tregimit tend ketu mua me vjen te mos e besoj se eshte me qellim te keq. vjedhje autoresie kurresesi. Nuk e di pse me vjen te besoj (mos ma shaj kete besim -ndoshta naiv) se tregimin tend mund ta kete hedhur ndonje lexues-adhurues yti , madje nuk e di pse me vjen te mendoj se ka qene femer. Mund ta kete bere nga dashuria per tregimin (dashuri e treguar hapur) mund ta kete bere nga dashuria per ty ( dashuri e fshehur ne lojen qe ka bere) ose mund ta kete bere nga perjetimi qe i ka shkaktuar tregimi. NUk ma merr mendja se e ka postuar dikush qe nuk e njeh doren , autoresine dhe botimin tend. Pastaj nese ti thua se e ke tregimin te botuar ne liber, nuk e di pse kembana e alarmes se te kane vjedhur , ne tingellon si alarm qe dikush te do kaq shume , te cmon kaq shume , sa i vjen ta ndjej tregimin tend si te tijin_sajin. A nuk eshte keshtu, ne fakt? ne momentin qe ti e publikon krijimin nuk eshte me yti… secili mund ta quaj prone te tijen , pa shkruar deri tek e keqja -vjedhje. Perderisa ai ka vene nickun tend , dhe nen nickun whisper e ka nisur , te gjithe lexuesve te tjere qe te njohin jashte peshkut , e kane lexuar si tregimin tend. Asnje dem deri ketu. Une per vete ashtu e kam lexuar… nen autoresine tende.
    Te isha ne vendin tend kjo qe ka ndodhur , do te me bente me shume te ndihesha mire se sa -ashtu sije ndjere ti. Sido qe sqarimet e tua, vlejne.
    Une te kam lexuar vetem ne internet, si t’ia bej qe te lexoj edhe ne leter.
    … me pelqen pena jote, dhe te ndjek pothuaj ne cdo botim -forum… duke u permbajtur per te bere c’beri whisper the fake :):):)

  17. whisper the real Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 6:18 pm

    Mace thnx per fjalet e mesiperme…
    Me duket se ka nje keqkuptim ose une nuk jam shprehur qarte me siper…
    Nuk eshte aspak problemi te krijimi i vjedhur e as te xhesti i plagjiatures se dikujt..qofte edhe qellimmire kjo gje…qofte edhe padashje nen shtysa adhurimi…lol…por problemi qe ngrita ne pergjigjen qe i dhashe akull-najes ne pyetjen e saj eshte fakti qe per imaxhin e nje forumi apo blogu ka shume rendesi korrektesia dhe objektiviteti ne pune…Ashtu sic e respektojme ne kete blog duke ndjekur rregullat qe ka…ashtu sic e respektojme kete blog ne kur sjellim ketu krijimet tona letrare (te mira apo te dobeta kjo nuk ka aspak rendesi)…ashtu edhe presim nga adminet e ketij blogu te tregojne te njejtin respekt ndaj krijimtarise qe sillet ne kete blog…Te tregojne profesionalizem…dhe mos venja e ujit ne zjarr kur kemi nje rast plagjiature demton imazhin e vete blogut dhe aspak mua si autor i vjedhur…krijimin tim…apo fundja edhe vete ate personin plagjiat…whisper…Une e di shume mire riskun e virtualitetit…dhe eshte nje risk qe kemi shume vite qe e kemi marre pesiper…dhe ne kete kendveshtrim jam i vetedijshem qe plagjiatura ndodh….por nuk jam i vetedijshem qe plagjiatura te lejohet edhe kur denoncohet si e tille…nuk eshte hera e pare qe me vidhet nje krijim neper virtualitet…kjo u ka ndodhur pothueajse te gjithe krijuesve e ndoshta edhe ty vete …por eshte e para here qe shoh qe stafi administrues i nje blogu/ forumi nuk reagon fare ne raste te tilla per te vene ne vend nje te drejte…Pra nuk eshte aspak…e theksoj aspak…problem shqetesues per mua si autor rasti konkret…por duhet te jete i tille per blogun qe pretendon imazh serioz dhe profesional…Edhe nje here e konsideroj te ezauruar kete problem pas nderhyrjes se Blendit….Me falni qe u be nje big deal dicka teknikisht e vogekl qe mund te menazhohej me nje klik shume kollaj ne kohen e duhur nga ata qe e kane per detyre kete gje…

  18. Vemendje thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 9:00 pm

    S’eshte per t’u habitur qe te perdoresh nga te tjere jo ashtu si do, se mund te jesh edhe vetautor i keqperdorjes, por rendesi ka jo te gjesh keta autore keqperdorues, rendesi ka te jesh me i sigurt per pozicionimin qe i bene vetes.
    Une ndjej fuqi, ndjenje, mendim tek ky shkrimtar, por ne vend te merret me shkrime te reja ku te pasurohet c’do komponent teknik i llojit te tij, po humbet kohen me zgjuarsi te vjeter.

    Me pelqeu qylymi dhe doja te shtjellohej, behej qylymi graviteti i te dy paleve, qoft edhe me te ardhurit per t’a dhunuar ose banuar me dicka qylymdashese, ose me nje cift femrash nga te rinjet, te dashuroheshin ne te, ndersa ne shtratin e mbretereshes ai jo impotenti te mendonte per partner.

    Vlerso veten dhe shkruaj, se kjo na duhet ne peshqeve.

  19. whisper the real Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 9:46 pm

    S’eshte per t’u habitur qe te perdoresh nga te tjere jo ashtu si do, se mund te jesh edhe vetautor i keqperdorjes, por rendesi ka jo te gjesh keta autore keqperdorues, rendesi ka te jesh me i sigurt per pozicionimin qe i bene vetes.

    Vemendje…nuk ka as perdorje e as keqperdorje timen ne kete rast (e aq me pak vetkeqperdorje), por ka keqperdorim te lirise qe u jep virtualiteti njerezve anonime. Kjo eshte evidente.
    Nese nuk e kupton kete gje ndoshta nuk je treguar edhe aq i/e vemendshme me shqetesimin e ngritur e tashme te ezauruar me ndihmen nje antari te pergjegjshem te stafit te peshkut…

  20. Vemendje thotë:

    13 Shkurt 2008 @ 10:41 pm

    Wisper the real,
    ti prap je kembengules i sakt ne pergjigje per keqkuptimin dhe jo per kuptimin.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.