Identifikohu



Regjistrohu

Pas shpërthimit të municionit, shqiptarët pyesin pse rreziku ishte kaq afër

albania650.jpg

Aksidentet ndodhin, por kur një fabrikë merr fshatarë pa përvojë për të çmontuar me duar dhe vare mijëra predha në ditë, është e vështirë ta quash katastrofën vdekjeprurëse që pason thjesht aksident.
Nga Nicholas Kulish, “New York Times”
Ribotuar nga Gazeta Tema
19.04.2008

Shpërthimi i një depoje në Shqipëri muajin e kaluar shkaktoi tri kratere të mëdha, më i madhi rreth 30 metra dhe mori 26 jetë. Dëshmitarët okularë e krahasuan atë me shpërthimin e bombës atomike.

“M’u duk sikur fluturuam”, - tha Razije Telhai, 48, e cila tha se vala e kishte flakur 20 metra.

Tani shqiptarët pyesin se si vendi, i cili këtë muaj u ftua të anëtarësohet në NATO, mund të lejonte veprimtarinë e një qendre të tillë kaq afër autostradës, shumë afër aeroportit të kryeqytetit, i cili u dëmtua nga goditja e valës.

Afër zonës së shpërthimit, të premten, ish-punëtorë nisën një protestë që ata e quajtën të parën e protestave të përditshme për të kërkuar kompensime të mëtejshme për rrogat e humbura, dëmtimet dhe vuajtjen. Deri tani kanë marrë rreth 1300 dollarë secili.

Familjet e viktimave ankohen se qeveria nuk bëri shumë për mbrojtjen e të dashurve të tyre.

“Ne s’kemi përkrahje, këtu nuk ka drejtësi”, - tha Gëzim Cani, 23, i cili pas shpërthimit u kthye nga Italia, ku punon në ndërtim, i trembur për jetën e babait të tij, dhe mësoi se në fabrikë kishte punuar edhe nëna e tij. Ajo nuk i kishte treguar për të mos e shqetësuar. Të dy u vranë.

Në fillimi të tragjedisë, ministri i Mbrojtjes dha dorëheqjen dhe kryeministri, Sali Berisha, është vendosur nën presion të fortë nga grupet e dëmtuara dhe opozita politike.

Kjo ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mes shqiptarëve në lidhje me qeverinë e tyre dhe korrupsionin e rrënjosur në këtë vend të Ballkanit jugor, një problem i dokumentuar prej kohësh, por asnjëherë i ilustruar në mënyrë kaq konkrete dhe të tmerrshme.

Shpërthimi nxori në dritë edhe një problem më të përgjithshëm, megjithëse pak i rënë në sy, frekuencën e shpërthimeve vdekjeprurëse të municioneve konvencionale. Sipas sondazhit të Small Arms Survey, një grupi studimor me qendër në Gjenevë, në botë ka patur më shumë se një duzinë shpërthimesh të depove me municion çdo vit, gjashtë- shtatë viteve të fundit.

Ky grup ka dokumentuar 153 shpërthime në vitet 1995-2007, dhe, në një raport të muajit janar, tha se “ishin të mundshme” shpërthime të tjera të paraportuara. Shpërthimet e njohura vranë të paktën 2575 vetë, megjithëse një shpërthim në Nigeri në vitin 2002 përfshinte gjysmën e viktimave.

Ajo që ndodhi në Shqipëri në mars nuk ishte thjesht një aksident në një depo shtetërore. Punëtorët e punësuar nga kontraktorë privatë çmontonin municion dhe pjesët e tyre, tunxhi dhe baruti, shiteshin, një sipërmarrje e majme në një kohë çmimesh në qiell. Shqipëria, shumë e militarizuar ngjatë sundimit të gjatë të diktatorit Enver Hoxha, është e mbushur me stoqe të mëdha municioni nga Lufta e Ftohtë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, tani përkrahëse e palëkundur e Shqipërisë – e cila ia ka kthyer nderin me dërgimin e trupave në Irak dhe Afganistan – ka ndihmuar në shkatërrimin e arsenalit.

Korrikun e kaluar, me një asistencë amerikane prej më shumë se 50 milionë dollarësh, Shqipëria përfundoi shkatërrimin e 16 tonëve armëve kimike. Departamenti i Shtetit tha se ky ishte vendi i parë që e realizonte këtë nga gjithë vendet e Marrëveshjes së Amëve Kimike, e cila hyri në fuqi në vitin 1997 dhe i detyron vendet firmëtare të shkatërrojnë stoqet e tyre.

Shtetet e Bashkuara harxhuan 2 milionë të tjera për shkatërrimin e armëve të kalibrit të vogël dhe municionet në Shqipëri gjatë vitit 2007.

Por, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha javën e kaluar se edhe pas disa muajve punë këtu në Gërdec, sërish do të mbeten 100 mijë tonë municion, prej të cilave vetëm 10 për qind ishte i nevojshëm për Forcat e Armatosura. Pjesa tjetër është e destinuar për çmontim.

Para ndërtimit të fabrikës së Gërdecit, ekzistonin dy fabrika shtetërore për shkatërrimin e municionit. Por puna e tyre ishte jashtëzakonisht e ngadaltë.

“Ne donim ta shkatërronim sa më shpejt të ishte e mundur këtë stok”, - tha Gazmend Oketa, ish-zëvendëskryeministër dhe tani ministër i Mbrojtjes, në një intervistë në zyrën e tij në formë shpelle, me flamurin e NATO-s në mbi tavolinë. “Puna me këto dy fabrika, me kapacitete të kufizuara, do të na merrte një kohë shumë të gjatë.”

Për të shpejtuar procesin, qeveria shqiptare i dha kontratat një kompanie me qendër në Karolinën e Jugut, “Southern Ammunition Co.”, e cila punonte me një kompani vendase, të njohur si “Albademil”.

Kontrata e parë mes agjencisë shtetërore të eksportit të armëve dhe “Southern Ammunition” ishte për shkatërrimin e municionit të kalibrit të vogël, kryesisht 7.62 mm. Në dhjetor u firmos një kontratë tjetër për municion me kalibër më të madh, përfshi predha 152 mm.

Në një e-mail, presidenti i “Southern Ammunition”, Patrick Henry, pranoi se kompania i kishte firmosur kontratat. Por ai tha se marrëveshja e tij mbaroi në dhjetor dhe se kompania “nuk ishte e përfshirë në shkatërrimin e armëve të kalibrit të madh.”

Ai tha se të dyja kontratat iu kaluan “menjëherë kompanisë “Albademil”. Ai pranoi se disa punonjës të kompanisë ishin marrë në pyetje nga FBI, por tha se “Southern Ammunition” nuk ishte nën hetim, gjë që e konfirmoi edhe ambasada amerikane në Tiranë. Fshatarët që jetonin afër fabrikës thanë se ishin të ndërgjegjshëm për rrezikun dhe kishin frikë nga shpërthimi. Por Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë.

Pavarësisht shqetësimeve të tyre, shumë banorë menduan se puna aty ishte diçka shumë e mirë që s’mund të injorohej.

Hekuran dhe Zelie Kaca, prindër të një djali 4 vjeç dhe një vajze 2, nisën punë në fabrikë, në shkurt. Hekuran Caka tha se gruaja e tij punonte në një grup me katër vete që merrej me hapjen e predhave sovjetike dhe kineze, rreth 900 në ditë, dhe nxjerrjen e barutit. Për këtë paguheshin 26 dollarë në ditë, nëse realizonin normën.

Afër mesditës, në datën 15, një ditë e zakonshme pune deri atë çast, drejtori i fabrikës i tha zotit Kaca se nuk duhet të pushonte për drekë, derisa të mbaronte së ngarkuari thasët me barut në kontenierë.

Ndërsa po çonte ngarkesën e parë, baruti i hapur në tokë mori zjarr, i cili e ndau nga gruaja.

“Zjarr, Zelie, dil jashtë shpejt”, - kujton ai që i thirri së shoqes, para se t’i largohej shpërthimit që ai e dinte se do të pasonte. Zoti Kaca shpresonte se gruaja e tij kishte dalë nga porta kryesore, ku ai nuk shkonte dot nga flakët.

Zjarri lëshoi drejt qiellit një shtëllungë tymi, duke i nxitur fshatarët të kërkonin strehë në pyll dhe bunkerët rrotull. Pa atë paralajmërim, thanë disa prej tyre, numri i viktimave do të kishte qenë shumë i lartë.

Javën e kaluar, duke iu afruar vendit të shpërthimit nga Tirana, dëshmia e parë është korniza e një billbordi të grisur, në majë të një kodre. Shpërthimi theu xhamat e makinave dhe shtëpive disa kilometra rrotull.

Afër vendit të fabrikës ka shtëpi me çatitë të zhveshura nga tjegullat.

Viktima me moshë më të vogël ishte Flavio Deliu, 4 vjeç, një nga 5 anëtarët e familjes Deliu që u vranë. Shtëpia e Deliajve ishte në anën tjetër të rrugës përballë fabrikës dhe tani është veç një mbetje betoni në një arë të mbushur me copa predhash. Viktima më e fundit ishte një vajzë 19-vjeçare që vdiq këtë muaj nga plagët.

Deri tani janë arrestuar tre persona, dy nga “Albademil” dhe tjetri është kreu i agjencisë shtetërore të eksportit të armëve.

Arben Prifti, avokati i “Albademil”, tha me anë të një përkthyesi se “Albademil” nuk ishte e përfshirë në çmontim. “Veprimtaria e “Albademil” kishte të bënte vetëm me skrapin, pasi ishte çmontuar”, - tha ai në një intervistë në zyrën e tij në Tiranë.

Prifti tha se përgjegjëse për gjithçka ishte “Southern Ammunition”, nga trajnimi deri te siguria e zbërthimit të municionit.

Në një e-mail, Henry tha se “ne kemi punuar vetëm me municion me kalibër të vogël qysh nga viti 1974”.

Prokurorja e Shqipërisë, Ina Rama, tha përmes përkthyesit në një intervistë, se grupi i hetuesve të Gërdecit po hetonte edhe akuzat për mundësnë e tregtisë së paligjshme të municionit.

“New York Times” raportoi muajin e kaluar se fishekë të vjetër shqiptarë të të njëjtit tip si ato që çmontoheshin në Gërdec, i ishin shitur ushtrisë afgane dhe policisë, pasi ishin ripaketuar për të fshehur vendin e origjinës.

Një nënkontraktor i përfshirë në përgatitjen e municionit për në Afganistan tha se dyshonte që paratë po shkonin për zyrtarët shqiptarë. Presidenti i kompanisë që blinte municionin, Efraim E. Diveroli, përmendi kryeministrin Berisha dhe djalin e tij në një bisedë të regjistruar. Nuk ka fakte publike se kompania AEY ka patur lidhje me shpërthimin.

Partia Socialiste vazhdon të kërkojë dorëheqjen e zotit Berisha. “Kjo është e nevojshme për t’i hapur rrugën Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë”, - tha Valentina Leskaj, kryetarja e grupit parlamentar socialist.

Partia Socialiste në opozitë vazhdon t’i bëjë thirrje kryeministrit Berisha për të dhënë dorëheqje.

Berisha ka mohuar çdo lloj pjesëmarrjeje në marrëveshjet e armëve apo në fabrikën e Gërdecit. Përmes një zëdhënëseje, kryeministri tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të përballej me votëbesim në parlament, për të cilin edhe opozita thotë që ai do ta fitojë.

Kjo i lë të mbijetuarit të zemëruar. “Askush nuk merr përgjegjësinë e asaj që ndodhi”, - tha zoti Kaca.

Duke mos patur lajme për fatin e së shoqes, pas kërkimit në morg dhe spitale, ai më në fund u kthye në vendin e fabrikës. Dy ditë pas shpërthimit, ai u fut fshehurazi te vendi i fabrikës. Ai gjeti katër trupa te vendi që kishte punuar vetë, asnjëri nuk njihej nga djegia. Javën e kaluar provat e ADN konfirmuan se gruaja e tij kishte vdekur.

“Në fund, ne jemi ata që paguajmë”, - tha zoti Kaca. “Ne jemi ata që vuajmë.”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

12 Komente »

  1. ados thotë:

    20 Prill 2008 @ 10:02 am

    në një intervistë në zyrën e tij në formë shpelle, me flamurin e NATO-s në mbi tavolinë
    ———————————————————————-
    Do te isha kureshtar te shikoja kete zyre..
    ne forme shpelle.. :D

  2. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 10:30 am

    Nuk eshte “ne forme shpelle” eshte e “stermadhe” :) Problem perkthimi. Shkrimi ne anglisht mund te lexohet ketu

  3. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 11:37 am

    Ik re dreq, se edhe unë e imagjinova si Bin Laden-in ministrin e mbrojtjes :) .

  4. Marku thotë:

    20 Prill 2008 @ 12:43 pm

    Ne Shqiperi duhen vendosur si tabela te rrugeve edhe ato me diçituren:
    “RRezik!KUJDES NGA QEVERIA!”.Kjo gje duhet bere se njerezit siç deklaroi edhe Zonja Liri Berisha bejne edhe gabime;ata mund te vene e te futen e te ndertojne shtepia edhe atje ku Saliu po vendos tritolin dhe atomin. Fshataret shqiptare mund te dergojne grate dhe femjet per te çaktivizuar raketat e predhat “berthamore” apo impiantet e ndryshme nukleare qe qeveria parashikon ne te ardhmen per popullin e vet. Pikerisht per kete tabela me diçituren e me siperme “KUJDES NGA QEVERIA” mundesisht te ilustruara edhe me portretet e Saliut dhe te ministrave perkate se nga vjen rreziku do te kishin shume vlere qe njerezit te ruheshin.Te tilla tabela mund te vendosen kudo qe rrezikohen qytetaret dhe kete pune mund ta bejne edhe OJQ-et shqiptare. Gjithashtu ne internet ne bashkepunim me programet satelitore mund te identifikoheshin zonat shqiptare me opsionin”Rrezik!Kujdes nga Qeveria!”
    Pra ne se neper Shqiperi do te jene vendosur keto tabela as bagetite nuk do te guxojne te afrohen e jo me njerezit….

  5. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 3:18 pm

    Ore keta te NYT nuk u lodhen akoma duke u perdorur si leter higjenike? Prape duan te merren me Gerdecin keta kur Qeveria e ka percaktuar si nje “Aksident Teknologjik“? Paskan qene “kokeforte” keta Amerikanet po ca jave ne banje do ti mesojne te kuptojne ca gjera nga Shqiperia.

  6. ThoughtPolice Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 3:43 pm

    Cfare shkaku per shperthimin percakton NYT, se une po e kerkoj mes rreshtave, por nuk po arrij ta lexoj?

  7. Idris thotë:

    20 Prill 2008 @ 4:56 pm

    NYT ,nuk eshte experte per percaktim te shkaqeve te aksidenteve teknologjike ??? ,atmosferike , armiqsore (te jashtem e te brendshem :) :( :(
    Nyt me c’po kuptojme merret me aksidentet qe sjell nje QEVERI ne jeten e nje populli , kur kjo qeveri ndertohet sipas parimit te HAJDUTEVE.
    Kjo qeveri “shume e suksesshme ne luften kunder korupsionit” u vet reklamua aq shume neper bote sa po i ftonte te gjith vendet e ish LINDJES “te merrnin shembull”….mirpo….
    ….”"”"Kjo ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mes shqiptarëve në lidhje me qeverinë e tyre dhe KORRUPSIONIN e rrënjosur në këtë vend të Ballkanit jugor, një problem i dokumentuar prej kohësh, por asnjëherë i ilustruar në mënyrë kaq KONKRETE dhe te TMERRESHME.”"”"”"
    Dhe ketu kuptohet shume qarte shkaku edhe nga ata me arsim 8 vjecar…
    Shkaku i shperthimit eshte mungesa e PERGJEGJESISE TOTALE te kesaj qeverie qe vepron me metoda mashtruse kunder KORRUPSIONIT sipas metodes “Hajduti therret -KAPENI HAJDUTIN”
    Ja ketu e gjen shkakun NYT !

  8. uhhh thotë:

    20 Prill 2008 @ 6:31 pm

    po beni ceshte e mundur te mbani gjalle sherrin qe vjen nga kjo fatkeqsi…u bete si puna e clintonin me punen e jeremiah wright.
    do ishte me mire te nxirrnim mesime nga kjo fatkeqsi sesa te mjelim lopen e sherrit per pushtet.

  9. Idris thotë:

    21 Prill 2008 @ 5:51 am

    E mer Uhh!
    c’me kujton nje “grindje” midis dy shokeve te mij.
    Njani ishte shofer dhe tjetri me universitet po ziheshin kush kishte mesu me shume :
    Ja pat shoferi:-Sa klase ke ti ?
    -16 vjet -ja kthen Universitari
    -Po pra une kom 8, e nje klase note. Po tet klase i kom nga dy vjet nje klase …. :) :) :) plus nji note dal nji me shume. -i tha shoferi :D :D :D
    Ne e dime qe ti dhe Sala keni me shume shkolle …po s’doni me msu dhe s’dini nga te msoni…:( :( :(

  10. RRezik! thotë:

    21 Prill 2008 @ 8:09 am

    RRezik!-KUJDES NGA QEVERIA!, jo keq mendim i mire, por prap nuk na lejon bota, bota, c’thot bota, po ju vete votuat per ate qeveri, ju votoni ne miratojm “bota” qeverin tuaj per aq kohe sa na intereson. RRezik!-KUJDES NGA QEVERIA!, qeveria po te jete vertet qeveri i merr frenat ne dore ben per votuesin ben dhe per vete po keshtu si sqepar pa bisht - RRezik!-KUJDES NGA QEVERIA!

  11. Prov thotë:

    21 Prill 2008 @ 3:05 pm

    Ja nje e dhene pak depresionuese:

    Keto jane rezultatet e sondazhit nga Balkanweb:

    Keni besim se do te vihen para drejtesise autoret e Tragjedise se Gerdecit?

    Po 3378 (38.7%)
    Jo 5352 (61.3%)

  12. toko thotë:

    21 Prill 2008 @ 3:53 pm

    Para ndërtimit të fabrikës së Gërdecit, ekzistonin dy fabrika shtetërore për shkatërrimin e municionit. Por puna e tyre ishte jashtëzakonisht e ngadaltë.

    “Ne donim ta shkatërronim sa më shpejt të ishte e mundur këtë stok”, - tha Gazmend Oketa, ish-zëvendëskryeministër dhe tani ministër i Mbrojtjes, në një intervistë në zyrën e tij në formë shpelle, me flamurin e NATO-s në mbi tavolinë. “Puna me këto dy fabrika, me kapacitete të kufizuara, do të na merrte një kohë shumë të gjatë.”
    ————————-
    Pra ZV/K/Minister ishte ne dijeni te Gerdecit. Cila eshte pergjegjesia e tij per kete ngjarje. Apo valle prandaj u gradua Min/ i Mbrotjes, se ai kishte dijeni per ceshtjen. Ti varesh ujkut melcite ne qafe i thone kesaj
    ———————————————
    ….Afër zonës së shpërthimit, të premten, ish-punëtorë nisën një protestë që ata e quajtën të parën e protestave të përditshme për të kërkuar kompensime të mëtejshme për rrogat e humbura, dëmtimet dhe vuajtjen. Deri tani kanë marrë rreth 1300 dollarë secili….
    —————–
    Po protesta per denimin e fakjtoreve kur do te kete. Apo mbase edhe fajet jane kthyer ne bisnes. Na vrit sa me shume qe te marim sa me shume para. Dhe vetem kur ky premtim nuk mbahet fillojne protestat.
    ——————-
    NY Times asht gazete Kamaniste mer jahu, nuk dorezohen kamanistet or jo Nuk ka kala qi nuk e morin kamanistet. T’roj partia :)

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.