Login



Register

Oriana, udhëtimi i fshehtë

Një kthim në kohë, jo në kohërat e luftës në Vietnam apo në vatrat e nxehta të planetit apo kur tregonte lidhjen politiko-sentimentale me Alessandro Panagulis në portretin epik “Një burrë”, apo në letrën drejtuar fëmijës që nuk u lind kurrë e që përloti gjithë botën.

Përgatiti: Alma Mile

Qarkullon më 30 korrik saga familjare e Oriana Fallacit. Një libër që përfshin 5 breza, i botuar nga i nipi që i ndenji pranë deri në momentin e fundit të jetës

Një kthim në kohë, jo në kohërat e luftës në Vietnam apo në vatrat e nxehta të planetit apo kur tregonte lidhjen politiko-sentimentale me Alessandro Panagulis në portretin epik “Një burrë”, apo në letrën drejtuar fëmijës që nuk u lind kurrë e që përloti gjithë botën. Është kohë e largët, 5 breza më parë, që Oriana Fallaci i ka gërmuar nga thellësia e kujtimeve. Dy vjet pas vdekjes së saj (15 shtator 2006), i nipi, Edoardo Perazzi, boton sagën familjare që Oriana e shkroi gjatë viteve kur u tërhoq nga gazetaria, teksa priste vdekjen. “Një kapele plot me qershi” (“Un cappello pieno di ciliege”), titullohet libri, i cili së shpejti i vjen lexuesit italian në duar dhe që shtypi italian i ka bërë jehonë qysh tani.

Ka një periudhë në jetën e Oriana Fallacit e mbetur në hije me vullnetin e saj. Është viti 1991 kur ajo kthehet në Nju Jork në mbyllje të një prej shërbimeve të saj si e dërguar lufte në konfliktin e Gjirit, që shpërtheu prej pushtimit të Kuvajtit nga Sadam Huseini. Pavarësisht moshës, hipi në një avion amerikan për të ndërmarrë një mision rrëqethës. Diçka tipike për Orianën. Përpara 24 vjetësh në “Niente e così sia” tregonte përvojën gjatë një operacioni kundër vietnamezëve. Kur u kthye në Amerikë, Fallaci zbuloi se vuan nga kanceri. Me një mënyrë që vetëm ajo e zotëronte e bëri të ditur këtë fakt në “Washington Post”: “O zot, ky alien që sulmon jetën time, do të doja ta pështyja në fytyrë, ta mbysja, ta shkatërroja. Por ndiej që kam mbaruar”. Jep një intervistë për sëmundjen dhe karrierën e më pas zhduket. Gjatë viteve ’90 të gjithë pyesnin se ku kishte përfunduar Oriana. Asnjë shkrim në gazetë, asnjë deklaratë. E mbyllur në shtëpinë e saj, duke studiuar, shfletuar dokumente, duke bërë kërkime e duke shkruar. Kishte në mendje të tregonte historinë e familjes së saj, të zbulonte e të nxirrte në dritë ato personazhe që kishin lënë gjurmë në jetën e saj. Dhe më në fund vepra monumentale prej 864 faqesh “Një kapele plot me qershi” që “Rizzoli”, botuesi i të gjitha veprave të saj, hedh në treg më 30 korrik, tamam në kohën e pushimeve.

Një vepër në katër pjesë, që secila mund të quhet një libër më vete pasi lidhet me familjen e një prej 4 gjyshërve të shkrimtares. Një udhëtim historik që nis që nga mesi i ‘700-ës, kur në Evropë ishin përhapur idetë iluministe dhe përgatitej terreni për revolucionin që u përmbush në 1889, viti i vdekjes së Anastasias, stërgjyshes së Orianës, personazhi më avernturesk i librit, një grua e pavarur, rebele, guximtare që përfundon në Amerikë. Ngjarjet zhvillohen kryesisht nëToskanë, Kianti, e Panxano, ai vendqëndrimi në rrugën mes Firences dhe Sienës, që dy shekuj e gjysmë më parë ishte një tokë fshatarësh të varfër, por dinjitozë. Historia nis me Thomas Jefferson, emri i të cilit është i lidhur ngushtësisht me Deklaratën e Pavarësisë Amerikane. Ai i propozon një tregtari fiorentin, Filippo Mazzeit, të ndërtonte një fermë përtej oqeanit, të kultivonte vreshta e ullinj e të merrte me vete edhe një grup fshatarësh. Mes tyre ofrohet edhe Carlo Fallaci, një shpirt i lirë, biond me sy bojëqielli ashtu si Oriana. Por ende nuk ishte koha e Amerikës për Fallacët. Ai nuk u nis për atje.

Janë me dhjetëra personazhet kryesorë të sagës që sjellin ngjarje nga më të çuditshmet, të gërshetuara me figura historike si Napoleoni. E ndër ta edhe zërat e dy prindërve të saj, Edoardo e Toska. Fallaci vë në shërbim të karaktereve dhe situatave stilin e saj pasionant, të pasuruar nga një shije ironike e popullore, pasi në fund të fundit flitet për një copëz nga historia e Italisë, e ngritur nga njerëz të varfër. “Tezja ime ishte gjithnjë e mrekulluar nga tregimet e familjes”, - tregon për “Corriere della sera”, Edoardo Perazzi, trashëgimtari i pasurisë së shkrimtares, nipi që e ka shoqëruar deri në vdekje. “Kur kalonim verën në shtëpinë në Kianti, e kishte fletoren e shënimeve gjithnjë gati për të mbledhur kujtime, jo vetëm nga gjyshërit, por edhe nga xhaxha Bruno, gazetar i “Epoca”-s dhe “Corriere”-s dhe me të afërm të tjerë. Ishte i njëjti ankth edhe për t’i deshifruar. Kujtoj ditarin e gjetur një vietnamezi të vrarë në luftë, që pjesërisht u përfshi në një kapitull të “Asgjë dhe kështu qoftë” (“Niente e coi sia”). Dhe vetëm pas dhjetëra vjetësh u ndërgjegjësuam që ky material do të bëhej një libër i ri”.

Po përse historia mbyllet në vitin 1889? “Fillimisht saga duhej të mbyllej në vitin 1944, me dëbimin e nazistëve nga Firence. Ekzistojnë shumë shënime dhe një kopje e dorëshkrimit të parë. Por më pas iu duk sikur ato ngjarje të jetuara personalisht dhe të treguara nga pak në të gjithë librat e saj, ndërhynin në shpirtin romanesk të librit. Dhe u zhyt në të kaluarën. Materiali i mbledhur nga kërkimet për të ngritur këtë sagë është i shumtë dhe shpresoj që një ditë të mund të ruhet në një fond që të shfrytëzohet nga publiku”, - shton për “Corriere”-n i nipi. Perazzi punoi bashkë me redaksinë “Rizzoli” për të korrektuar pjesën e katërt dhe për të ndërtuar pemën gjenealogjike të familjes që është vendosur në krye të librit. “Kemi ruajtur edhe gjërat jo perfekte nga vepra e pambaruar për të respektuar autoren. Por kjo pjesë, që përmban disa faqe me shkrimin e Orianës, është një tjetër motiv për interesin e admiruesve të saj”,- thotë Perazzi, teksa kujton ditën kur e pyet se ç’duhet të bënte me “bijtë e saj” (kështu i quante ajo librat). “Sigurisht që duhet t’i publikosh. Kontrollo se mos ka budallallëqe dhe publikoji!”, - i kishte thënë ajo.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. hunter thotë:

    25 July 2008 @ 1:08 pm

    Si figure e kam njohur vone Oriana Fallaci. Beri pershtypje artikulli post-11 shtatori “La rabbia e l’orgoglio” botuar nga “Corriere della Sera”. Nje artikull i forte, i rende, i kritikuar nga shume krahe, por shume kurajoz. Me shume se sulmues kunder ekstremizmit islamik, nje akt akuze ndaj te ashtuquajtures “intellighenzia” europiane. E mefshet, pa memorie historike e dobet te perballoje valen ekstremiste qe po perhapej ne Europe prej ekstremisteve te veshur me azil politik. Paradoks, se duke qene personazhe te kerkuar per terrorizem ne vendet e origjines merrnin azil politik nga po ato shtete europiane kunder te cileve vjellnin helm dhe kerkonin shkaterrimin.
    Oriana Fallaci shpirt i lire, laike ne kulm (si Migjeni jone), rebele ndaj pushtetit si cdo fiorentin mire, ndergjegje moderne, gazetare lufte, intervistuese e dhjetra burra shteti para te cileve nuk perkulej kurre (mbaj mend nje interviste te vjeter ku tregonte si e kishte bere qesharak shahun e Persise (sot Iran) i cili pretendonte te fliste me Zotin e kishte vizione).

  2. Ardi thotë:

    25 July 2008 @ 3:28 pm

    Oriana, poscerisht në vitet e fundit te saj, u bë një raciste, etno centrike, islamofobe. Kush ka lexua librat e fundit te saj si ai Arsyeja, e din se per cka po flas.

    Ne librat e saj ka 20 % fakte dhe 80 % është trillime.

    Edhe menyra se si ajo përshkurante imigrantet ne Itali, ku shqiptaret jane nder grupet me te medh, ishte raciste.

  3. J. thotë:

    25 July 2008 @ 3:33 pm

    Kjo ka pat një aventurë me një palikaris greku mo.
    Panaguli, ai që tentoi të vriste diktatorin e Juntës J. Papadopoulos.

    Pastaj e ka bërë vetë Kissinngerin të flasë me vete, kur i mori intervistë.

  4. gjon cima thotë:

    25 July 2008 @ 6:01 pm

    Shkrimi i Fallacit “La rabbia e l’orgoglio” eshte nje nga shkrimet me tallagjare, obskurantiste, nga me te padrejtet, me kunder te dobteve qe kam lexuar ne jeten time.

    Perparimi njerezor eshte bere i mundur, historikisht, ne prezencen simultane te kater faktoreve: te drejtat e njeriut, racionalizmi shkencor, tregu financiar dhe komunikacionet. Vendet islamike nuk disponojne asnje nga keto faktore ne menyre autoktone.

    Ideja qe vendet musulmane qe njohim sot, qe importojne edhe ujin ne shishe, mund te pushtoje pjesen me te perparuar dhe te qyteteruar
    te botes se sotme eshte thjesht qesharake intelektualisht dhe e rrezikshme per populizmin e shemtuar qe permban (shfrytezon momentin jo si shkrimtare por si nje politikane province e dores se fundit).

    Rezultati i librave te fundit te Fallacit eshte qe jeta e femijeve tane qe shkonin ne shkolle ne Itali u be shume, po shume me e veshtire mbas botimit te shkrimit te Fallacit, kete jua garantoj sepse e kam perjetuar vete.

    Une kam qene duke udhetuar nga Singapori per Paris naten qe filloi lufta ne Iraq dhe kisha me vete librin e FAllacit dhe nje liber te Tom Friedman. (Mund te shihet menjehera ndryshimi cilesor midis ketyre dy gazetareve). Ironija me e madhe, mendoja me vete, do te ishte te hanim ndonje rakete mike dhe te me gjejne kockat sebashku me librin e Fallacit.

    E mbyll shenimin me faktin qe intelektualet italiane dhe sidomos ata te botes anglosaksone e kane trajtuar kete pjese te vepres se Fallacit si nje bezdi te vertete. The Economist e ka çvleftesuar ne menyre shume te hapur.

    Veprat e tjera te Fallacit, ku, ne menyre mburravece dhe banale, ve veten shume dukshem ne qender (menyra si flet per veten dhe familjen e saj, qeveria libike qe vihet ne levizje per te vjedhur ne hotel shkrimet e Fallacit), jane vertet te dobeta (shkruar me nje gjuhe te pasur): intervista provokuese dhe gerricese, te nivelit shume te ulet ( nuk shoh asgje intelektuale ne te shkuarit me xhinse ne ambasaden Iraniane- nuk eshte veçse nje provokim i nivelit me te ulet).

  5. J. thotë:

    25 July 2008 @ 8:04 pm

    ( nuk shoh asgje intelektuale ne te shkuarit me xhinse ne ambasaden Iraniane- nuk eshte veçse nje provokim i nivelit me te ulet).

    Mu kujtua një incident në lidhje me ktë më sipër.
    Një gazetare greke, kishte shkuar në një konflikt të vendeve të Lindjes. Kishte vesh fustan kur plasi lufta aty rrotull. Në përpjekje për të shpëtuar, ngre palat e fustanit përmbi kofshë edhe rend drejt ndonjë strehimi. Për habinë e saj, po shikon që e shënjestronin islamikët sepse sipas tyre kishte “provokuar” duke nxjerrë shalët jashtë. Që atë dite është zotuar të mos veshë asnjëherë fustan dhe gjithnjë e sheh me pantallona.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.