Opinion i shfrenuar dhe i trishtë
Nga www.lajmpress.com
Fejzi HAJDARI
Verën e sivjetme me kishte rastisur për disa javë me radhë të qëndroj në Shkodër – Qytetin e kulturës shqiptare. Ishte pikërisht pushimi familjar veror në bregdetin shqiptar – Velipojë, në afërsi të Shkodrës, ai që më solli në këtë anë. Mikpritja shkodranse, edukata familjare e banorëve, lashtësia e qytetit, historia e bujshme, faza pothuajse fillestare e zhvillimit të turizmit e shoqëruar pothuajse me të gjitha nishanet e periudhës së tranzicionit të shteteve ballkanike, si dhe invazioni i pushuesve kosovarë, ishin ato që më lanë mbresë dhe përshtypje të jashtëzakonshme. Impresionet e jashtëzakonshme të mira që kisha marrë me vete në bagazh, ishin vërtetë të mëdha dhe shumë pozitive.
Mirëpo, një fjalë e urtë popullore thotë: Në çdo mal ka nga një derr!. Fatkeqësisht, kjo fjalë e urtë popullore, u vërtetua edhe në Velipojë gjegjësisht Shkodër. Mozaikun e impresioneve të mira në bagazhin tim, nga Qyteti shqiptarë i kulturës, e prishi një vlerësim i çoroditur i një “intelektuali” shkodran, i moshës së mesme.
“Janë anadollakë”!
Ishte ky vlerësimi i trishtë për shqiptarët e Maqedonisë, që doli nga goja e tij. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend, përderisa bëhesha gati të ktheja “goditjen”, respektivisht të përgënjeshtroja dhe korrigjoja mikun e “nxituar” shkodran me mungesë njohurie, ishte dilema mos ndoshta bëhej fjalë ose për ndonjë shqiptarë nga prindër të përzier, (siç ka gjithkund në hapësirat shqiptare), o ndonjë misionarë i dërguar nga shtetet me të cilat kufizohet Shqipëria, të cilët nuk ia duan të mirën këtij shteti.
Mirëpo, u befasova shumë kur mora vesh se hamendjet dhe supozimet e mija, kishin qenë larg realitetit. Përkundrazi, zotëria rridhte nga një familje puro shqiptare qytetare shkodrane, me një taban të mirëfilltë kombëtarë dhe intelektual. Për të qenë ironia edhe më e madhe, ai po drejtonte një asociacion në diasporë me parashenjën “Mbarëshqiptarë”. Këtë e mora vesh, pasi ai kuptoi se isha nga Shkupi.
Madje, ai po krenohej se kishte bërë shumë “vepra me vlera kombëtare”, duke qenë në krye të asociacionit në fjalë. Një e mirë e madhe, në këtë të keqe, ishte se prindërit e zotriut, kishin opinion diametralisht të kundërt - shumë pozitiv për shqiptarët e Maqedonisë.
Ishte një vlerësim që mund të dilte ndoshta nga goja e ndonjë qytetari me më pak njohuri dhe nivel arsimi, por jo edhe nga intelektualë shqiptarë, kudo qofshin ata. Vlerësimet e tipit “anadollak”, më lanë pa koment dhe tekst për një çast, sepse më pastaj kuptova se ka edhe vlerësime tjera shumë tendencioze, që në esencë kanë vetëm se futjen e përçarjeve ndërshqiptare. Është ky pikërisht fjalori i cili sjell vetëm përçarje e ndarje dhe jo të kundërtën - atë pra të integrimit shpirtërorë e fizik të shqiptarëve.
Ndoshta asnjëherë s’do ta kisha besuar se një mendim i këtillë jeton dhe ushqehet ndër shqiptarët, përderisa e gjithë bota, sidomos popujt e qytetëruar dhe civilizuar, po bëjnë përpjekje për të shkrirë kufijtë mes vete. Shikoni rastin e dy Gjermanive, tendenca të ngjashme ka në Moldavi e Rumani, por edhe në shumë shtetet tjera të largëta dhe të afërta, që kanë probleme të kësaj natyre – popuj që jetojnë të ndarë pa vullnetin e tyre politik.
Shyqyr Zotit që vlerësimin e këtillë nuk e ndajnë edhe shkodranët tjerë dinjitoz dhe intelektualë, sepse epizodet e dhemshme historike shqiptare, do të ricikloheshin çdo ditë.
Sidoqoftë, edhe pse fjala urtë popullore thotë se “Derri e dëmton malin”, megjithatë, ai (“derri”), nuk arriti t’i prishë përshtypjet e mia të përgjithshme, jashtëzakonisht pozitive për Shkodrën e shkodranët, kuptohet edhe për të gjithë vëllezërit shqiptarë në Shqipëri.
Koment më i mirë i sjelljeve të këtilla është: Faljau Zot, sepse nuk dinë çfarë bëjnë (flasin)!

21 August 2008 @ 8:48 pm
Ky qenka halldup fare
21 August 2008 @ 11:05 pm
Edhe unë e lexova dhe thashë: reaksion tipik prej katundari, që hiqet si viktimë për të ngjallur pak simpati në të panjohurit.
Të më falin banorët dhe ish-banorët e katundeve, sepse nuk e kam fjalën për ta, kur i quaj shfryrje si kjo e mësipërmja katundare.
Fjalët e atij zotnisë nga Shkodra janë folklor; ose ndoshta ai ka njohur disa shqiptarë të Maqedonisë që janë sjellë përnjimend si anadollakë.
Tregoja ti, zoti vizitor, që e ka gabim, sepse e drejta do të ishte me ty - por tregoja me sjelljen tënde dhe me fisnikërinë tënde, jo duke mjaullitur.
Megjithatë, paskam frikë se vizitori, me paragjykimin e vet të “shqiptarëve me prindër të përzier” që i shpëton pa dashur, e paska merituar epitetin e shkodranit.
Vetëm jo “anadollak”, sepse për banorët e sotëm të Anadollit duhet pasur respekt. “Katundar” do të mjaftonte.