Identifikohu



Regjistrohu

Obsesioni proteksionist rus

KATOVICA
Gazeta Shqiptare
11/05/2008

Dekreti i fundit që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi një ditë para se t’i dorëzonte skeptrin presidentit të ri, Dimitri Medvedev, ishte ai për ligjin e investimeve të huaja, i cili imponon kufizime të forta për investitorët e huaj, që duan të investojnë në ekonominë ruse. Ky ligj proteksionist vendos kufizime në 43 sektorë të ekonomisë ruse, të cilët klasifikohen si sektorë strategjike dhe ku kompanitë e huaja, nëse janë private dhe duan të blejnë mbi 50 për qind të aksioneve në një kompani ruse, janë të detyruar të marrin leje të posaçme nga qeveria ruse, dhe nëse janë kompani të huaja shtetërore, janë të detyruara të kërkojnë leje të posaçme nga qeveria ruse, nëse kërkojnë të blejnë qoftë dhe 25 për qind të aksioneve në një kompani ruse. E parashikuar në fillim të përfshinte katër apo pesë sektorë strategjikë, si mbrojtja apo energjia bërthamore, lista e sektorëve strategjikë, ku praktikisht investitorët e huaj përjashtohen, u rrit në afro 50, duke kapur gjysmën e ekonomisë ruse. Ndër sektorët ku vendoset shenja e ndalim-hyrjes për kapitalin e huaj, janë industria e naftës dhe e gazit, eksplorimi dhe shfrytëzimi i mineraleve, telekomunikacionet, e deri industria e peshkut dhe peshkimi.

Përmbajtja dhe objektivi i ligjit të ri proteksionist rus, shkon shumë më larg se sa detyra e pretenduar e mbrojtjes së disa sektorëve strategjikë apo e interesave të kompanive, ose e prodhimit vendas. Përfshirja në zonën e ndaluar të gjysmës së ekonomisë ruse, të krijon bindjen se ligji reflekton një mentalitet dhe një politikë proteksioniste të kohërave të perënduara sovjetike.

Ligji i ri, duke kufizuar investimet e huaja, shkon kundër logjikës dhe ligjeve të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë. Kompanitë dhe investitorët e huaj do të hyjnë në ato fusha dhe në ata sektorë, ku mendojnë se do të kenë fitime dhe ku janë në gjendje të blejnë aksione të kompanive ruse. Nga ana tjetër, ato do të hyjnë në ato fusha dhe sektorë, ku kompanitë ruse nuk janë në gjendje të ndërmarrin investime të reja, të ndërrojnë teknologjitë apo të përballojnë konkurrencën e tregut. Por në këtë raport tregu, ndërhyn qeveria ruse, e cila ndalon marrjen e një pakete aksionesh mbi 50 për qind nga kompanitë private të huaja, ose 25 për qind të aksioneve nga kompani shtetërore të huaja.

Ligji i ri duket i dalë nga një mentalitet etatist në udhëheqjen ruse, ku shteti po rikthehet në politikën e vjetër të kontrollit në sektorët kryesorë të ekonomisë, në mos në gjithë ekonominë. Shteti po demonstron forcën e tij, jo vetëm duke qenë vendimmarrës i lidhur me paketat e aksioneve në gjysmën e ekonomisë. Shteti po demonstron forcën, duke u përpjekur ai vetë të marrë dhe të drejtojë kompanitë kryesore dhe degët kryesore të ekonomisë. Në Rusi, sidomos në periudhën e drejtimit 8-vjeçar presidencial të Vladimir Putinit, u nis dhe u shpejtua procesi i rikthimit të kompanive shtetërore dhe kështu u krijuan gjigandë shtetërorë si “Gazpromi” apo “Rosnefti”. Gazpromi u fuqizua dhe u shndërrua në kompaninë e tretë më të madhe në botë, pikërisht në sajë të kufizimeve dhe bllokimeve, që qeveria ruse u bëri investimeve dhe kompanive të huaja.

Proteksionizmi po del si element kryesor i centralizmit burokratik shtetëror rus në ekonomi. Strategjia presidenciale ruse e rivendosjes së statusit botëror të Rusisë ka komponentin e vet ekonomik, i cili është pikërisht vendosja e kontrollit dhe drejtimit të sektorëve dhe kompanive më të mëdha nën egidën e qeverisë dhe të shtetit rus. Këtu goditen edhe të drejtat dhe liritë e kapitalit privat rus, i cili nuk lejohet të hyjë në marrëdhënie apo tratativa me kapitalin e huaj, pa praninë e qeverisë.

Që ligji dhe zbatimi i tij kanë ngjyrën dhe përmbajtjen e kohërave të perënduara sovjetike, e provojnë edhe klauzolat e tij, ku parashikohet që një rol qendror do të ketë në zbatimin e tij FSB, shërbimi sekret rus, ose KGB-ja e sotme ruse. Përfshirja e shërbimit sekret në ecurinë dhe mbarëvajtjen e proceseve ekonomike, kontrolli i tij në dinamikën e investimeve të huaja dhe aksionet e kompanive private ruse, i jep drejtimit shtetëror ekonomik një përmbajtje gjithnjë e më të largët nga ekonomia dhe e vendos ekonominë nën një arbitraritet policor.

Ky profil proteksionist dhe nacionalist i drejtimit të ekonomisë ruse, i cili përjashton pjesëmarrjen dhe konkurrencën e kapitalit të huaj, nuk përputhet me trendet e lëvizjes së lirë dhe konkurrencës së lirë të kapitaleve. Ai krijon dhe do të krijojë probleme në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare të Rusisë me qendrat e tjera të rëndësishme të fuqisë ekonomike dhe politike botërore. Bashkimi Europian reagoi që ditën e dekretimit të këtij ligji, nëpërmjet komisionerit të tregjeve të brendshme, Çarli Mekkrivi, i cili kritikoi më 5 maj ligjin e ri rus për kufizimin e hyrjes së investitorëve të huaj në “sektorët strategjikë” të ekonomisë, duke përfshirë naftën dhe gazin, si dhe duke imponuar kontrollin e zyrtarëve të ekonomisë e të shërbimit sekret.

Një nga argumentet kryesore, që ish-presidenti dhe tani kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin ka dhënë dhe jep publikisht dhe në takimet e tij me biznesmenët e huaj, është se ligji dhe kufizimet e tij për kapitalin e huaj, kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Rusisë. Është ky një argument tepër i njohur nga koha e luftës së ftohtë, kur shtetet komuniste përligjnin ndalimin e investimeve të huaja me gjoja, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të sigurisë kombëtare. Rusia është një shtet i madh, i shtati në ekonominë botërore, dhe me një kapacitet ushtarak bërthamor e strategjik, që e mban shumë larg ndonjë kërcënimi nga ky apo ai investim i huaj. Fakti që vendosen kufizime për kapitalin e huaj për gjysmën e ekonomisë ruse, ku përfshihen disa sektorë, që në asnjë manual klasik sigurie nuk klasifikohen si të lidhur me sigurinë kombëtare, dëshmon se interesi i sigurisë kombëtare përdoret thjesht si pretekst. “Lista e të ashtuquajturave aktivitete strategjike shkon shumë përtej konceptit të sigurisë kombëtare, ai nuk dëshiron të favorizojë prurjet e investimeve të huaja direkte, për të cilat, Rusia ka jashtëzakonisht nevojë”, - nënvizon komisioneri i BE-së për tregjet e brendshme, Çarli Mekkrivi.

Është interesant se, proteksionizmi rus në fushën e ekonomisë hartohet strategjikisht si rrugë njëkalimshe, pra që Moska synon të bllokojë futjen e kapitalit të huaj në të ashtuquajturit sektorë strategjikë, por për vete synon që të vërshojë dhe të kontrollojë sa më shumë në ekonomitë dhe sektorët strategjikë të vendeve të tjera. Shembullin tipik e jep politika e saj në fushën e energjisë, ku Gazpromi shtetëror nuk ofron asnjë investim në shtetet e tjera dhe asnjë lloj kontrate, nëse ai nuk kontrollon mbi 51 për qind të paketës së aksioneve në gazsjellësit, në rrjetet e shpërndarjes dhe në depozitat e gazit në shtetet e tjera. Tre vjet zgjatën debatet mes Rusisë dhe Bullgarisë për gazsjellësin rus, që do të transportojë gazin për në Serbi dhe në Greqi, derisa Moska i imponoi Bullgarisë që Gazpromi të kishte mbi 51 për qind të aksioneve. Këtë lloj imponimi të vendosjes së një kontrolli sa më të plotë të aksioneve, e gjen në marrëveshjet e gazit që Rusia ka nënshkruar me Serbinë, me Greqinë, me Bullgarinë, me Hungarinë dhe me shtete të tjera në Ballkan e në Europë. Fakti që Rusia kërkon për vete të marrë mbi 51 për qind në vendet e tjera, dhe kompanive të huaja u vendos kufizime në Rusi, dëshmon për një frymëzim jo nga një qëndrim ekonomik, por nga një qëndrim etatist sovjetik.

Mentaliteti dhe obsesioni proteksionist rus nuk duhet parë i shkëputur nga e gjithë politika dhe strategjia, që ka ndjekur Rusia gjatë 8 vjetëve të udhëheqjes së V.Putinit dhe që duket se do të jetë dhe gjatë viteve të ardhshme nën udhëheqjen e çiftit Medvedev-Putin. Proteksionizmi rus nuk është thjesht një ambicie e Putinit për ta bërë Rusinë, siç u shpreh ai, “ një nga qendrat financiare më të rëndësishme të botës”. Ai duhet parë në funksion të një strategjie politike, ushtarake, ekonomike, financiare, sigurie, religjioze etj, që ka si yll polar ëndrrën e ringjalljes së perandorisë së dikurshme komuniste sovjetike.

Me të drejtë shtrohet një pyetje e karakterit strategjik: Nëse qenka e rrezikshme për sigurinë kombëtare, siç thotë Moska, që një kompani private e huaj të ketë 50 për qind dhe një kompani shtetërore e huaj të ketë 25 për qind aksione në këtë apo atë degë të ekonomisë ruse, si nuk qenka e rrezikshme për interesat e sigurisë kombëtare të shteteve të tjera, që kompani ruse si Gazpromi, të kenë mbi 60 apo 85 për qind të aksioneve në kompanitë apo degë të ekonomisë së shteteve të tjera, p.sh, në Ballkan?

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente »

  1. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 Maj 2008 @ 10:01 pm

    proteksionizmi rus në fushën e ekonomisë hartohet strategjikisht si rrugë njëkalimshe, pra që Moska synon të bllokojë futjen e kapitalit të huaj në të ashtuquajturit sektorë strategjikë, por për vete synon që të vërshojë dhe të kontrollojë sa më shumë në ekonomitë dhe sektorët strategjikë të vendeve të tjera.

    Plani Rus quhet “Southstream”. Eshte tantamount me rrethim energjitik te BE-ut. Anetari me spurdhjak i BE-ut, Grekeria, sapo firmosi pjesemarrjen ne Southstream. Nderkohe senatori Amerikan Richard Lugar i ka propozuar NATOs qe shantazhi energjitik te konsiderohet si sulm dhe te behet shkak per deklarim lufte.

    5 vjetet e ardhshem do te jene vertet interesante per te gjithe pjesemarresit ne kete komedi aspak hyjnore. Roma e Trete duhet djegur!

  2. Cheney thotë:

    11 Maj 2008 @ 10:34 pm

    Ruset spo bejne asgje me pak e asgje me shume se sa po lozin me rregullat e lojes qe ju predikuan me kaq hare lindjes.
    Ne betejen energjitike, Rusia ka pozicion e eperm dhe sperdredhjet e BE-ut do te jene te kota, e vetmja zgjidhje afatgjate tashme ngelet ndertimi i panumert i centraleve berthamore(ashtu sic edhe ka filluar!)

    fusha tjeter e betejes eshte ajo e kazakistanit ku po hidhen 150 bilion dollare investime; kashagani eshte ne te vertete rrubineti i memes toke. Taljonet si partner kryesor te ketij investimi, se bashku me hollandezet dhe anglezet, po bejne te pamundur per te rehatuar Rusine dhe zagaret e saj per te marr aprovimin dhe mbeshtetjen e tyre, flitet se GP mund ti ofrohet nje perqindje aksionesh elitare ne kete projekt supergjigand.

    Po ne fukarejt? ah ne fukarejt.. ngelem duke ngrit spiunet ne kuvend!

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.