“Nuk marrim dot frymë në shtëpitë tona”
Klodiana Lala
Gazeta Shqiptare
Zjarri në fabrikën e polesterolit u fik, por po lemikat dhe frika për jetën e banorëve përreth, kanë shpërthyer më të forta se kurrë. “E kemi fytin copë dhe mezi mbushemi me frymë. Kemi ngritur zërin për këtë problem, por nuk u kujtua njeri. Tani që Fabrika e Polesterolit u shkrumbua, pasojat do të jenë dhe më të rënda për të gjithë ne. Nuk mund të jetojmë dot në këtë zonë. Fëmijët tanë dhe ne vetë rrezikojmë serizisht jetën”. Ende pa kaluar 24 orë nga djegia totale e Fabrikës së Polesterolit në lagjen Kombinat në kryeqytet, banorët i ka zënë paniku. Ata ankohen se bloza e shkaktuar nga djegia e fabrikës, do të ndikojë në përkeqësimin e shëndetit të tyre.
Reagimi
“Ende ndjehet era e rëndë e djegies. Gazrat e dëmshme bëjnë punën e tyre dhe të gjithë ne kemi probleme me frymëmarrjen”, - shprehet Bislim Treshnjeva. Burri rreth të 40-ve ka zbritur në këtë zonë rreth 11 vjet më parë, me shpresën që fëmijët e tij do të kishin mundësinë të jetonin më mirë sesa në qytetin e largët të Tropojës. Por problemet për të nuk kanë pasur të sosur. “Nuk mund të jetohet në një ambient kaq të ndotur. Fabrika dhe më parë ka qenë një shqetësim tejet serioz për shëndetin tonë, sidomos atë të fëmijëve”, - thotë më tej Treshnjeva. Një tjetër banor thekson se Fabrika e Polesterolit nuk duhet të kishte funksionuar asnjëherë në zonë të banuar. Veli Çelia, i cili ka më shumë se 12 vjet që banon bashkë me familjen në zonën përreth fabrikës së djegur, u shpreh se bloza e krijuar pas djegies së Polesterolit, po u krijon shumë probleme. “Fëmijët janë të zbehtë. Gripi na zë shumë lehtë dhe nuk largohet për një kohë të gjatë. Të gjitha këto janë si pasojë e funksionimit të kësaj fabrike. Por djegia e saj e rriti dhe më shumë shkallën e ndotjes së ajrit dhe nuk dimë si të veprojmë”, - tha i moshuari. Banorët e zonës që në këto ditë po jetojnë në smogun e krijuar nga shkrumbimi i fabrikës, tregojnë se jo pak herë kanë ngritur zërin për këtë problem, por askush nuk është kujtuar për ta. “Kemi kontaktuar me drejtuesit e fabrikës dhe na patën premtuar se do të merrnin masa për të ngritur oxhakun që tymi të mos ndoste ajrin. Por nuk bënë asgjë dhe ky është rezultati; ne po jetojmë mes gazrave helmues”, - tha më tej tropojani Treshnjevi, duke shpresuar se dikush do të kujtohet për banorët e shumtë të zonës. “Gazrat helmues do të ndikojnë në shëndetin e të gjithë banorëve edhe më vonë. Ndotja është e rëndë dhe është e vështirë të mund të jetojmë këtu, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk kemi ku të shkojmë”, - u shpreh 70-vjeçari Adem Rexha. Sipas të moshuarit, shkrumbimi i fabrikës erdhi si pasojë e kushteve të këqija teknike. “Ishte jashtë standardeve. Unë jetoj prej vitesh këtu, po në fabrikë kushtet e sigurisë mungonin. Na vjen keq për dëmet që u janë shkaktuar pronarëve të saj, por fati i mirë ishte që nuk u dëmtua ndonjë nga punonjësit e fabrikës dhe banorët”, - thekson 70-vjeçari me origjinë nga veriu i Shqipërisë. Gjithashtu, të tjerë banorë të cilët nuk pranuan të identifikoheshin, thanë se ndotja e ajrit jo vetëm që është e dëmshme për momentin, por do të ketë pasoja të rënda për një kohë të gjatë. Sipas tyre, fëmijët janë më të rrezikuar nga kjo ndotje.
Fabrika e frikës
Fabrika private “Albaterm” e ndërtuar në mjediset e ish-Kombinatit të Tekstileve “Misto Mame” u shkrumbua plotësisht të shtunën, pasi u përfshi nga një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike. Dëmet financiare për drejtuesit e saj kanë qenë të shumta, por ende nuk ka një bilanc përfundimtar të tyre. Nga ndërtesa prej 3.000 metrash katrorë tashmë kanë mbetur vetëm mure të shkatërruara. Edhe pse tymi dhe flakët janë shuar, bloza e krijuar nga djegia e kimikateve është në sasi të mëdha dhe banorët e zonës përreth kanë nisur të ndjejnë shqetësimet e para. Përveç kësaj, “fqinjët” e fabrikës së shkrumbuar vuajnë dhe mungesën e dritave, ujit si dhe ajrit të ndotur edhe nga djegia e mbeturinave të Sharrës, problem ky që duket se do të vazhdojë gjatë.


2 April 2007 @ 12:36 pm
Fabrikat dhe kombinatet e Dulles me shume leke duan ti vesh ne perdorim sesa ti zhdukesh fare.
2 April 2007 @ 5:11 pm
Sot, Ministri I mjediseve, tha se gjate djegjes se fabrikes, ajri ishte i rezikshem per shendetin. Ai nuk theksoi, dhe as nuk tha troc qe tani mbasi zjarri eshte fikur, bloza dhe mbeturinat e tjera jane hazard per njeresit qe jetojn aty. Sipas keti…reziku qenka vetem kur digjet zjarri..Nuk cuditem se ky per Berishen punon po nejse…do ta shikojm ku do dali dhe kjo, dhe cfare ndihme do u jepet banoreve. Cfare studimesh do behen mbi ambjentin..a do kete ndonje grup ekspertesh qe te vertetoje se ajri dhe uji nuk jane ndotur?