Nobeli 2008 në letërsi

Marrë nga Shtëpia e Librit

Jean-Marie Gustave Le Clézio, 68 vjec, fitoi sot cmimin Nobel në Letërsi nga Akademia Suedeze me motivacionin “autor i nisjeve të reja, aventurës poetike dhe ekstazës sensuale, eksplorues i njerëzimit përtej kufijve të qytetërimit”.

Autori do të marrë një cmim prej 10 milionë kronor, (mbi 1 milionë euro), medaljen e artë të cmimit nobel për Letërsi si dhe do të ftohet të japë leksion në selinë qëndrore të akademisë në Qytetin e Vjetër të Stokholmit.

Le Clézio fitoi cmimin letrat francez Prix Renaudot në vitin 1963, për librin Le Proces-Verbal, një studim mbi cmendurinë. Ai ka lindur në Nicë dhe ka shmangur publicitetin përgjatë të gjithë karrierës së vet të gjatë ndërsa ka mbajtur distancë nga elita letrare e Parisit. Ai ka shkruajtur më shumë se 30 libra dhe është shumë popullor në botën frëngjisht-folëse.

Kompania e basteve Ladbrokes doli huq në masë të gjerë kësaj here, pasi e kishte konsideruar Le Clézio-n si autor me shumë pak shanse, duke i dhënë një shans në katërmbëdhjetë për të fituar Nobelin. Për Kadarenë bastet ishin një me njëzet, ndërkohë që për Bob Dylan ato ishin një me njëqindepesëdhjetë.*

Vitin e kaluar, shkrimtarja Britanike Doris Lessing fitoi nobelin dhe deklaroi: “Unë i kam fituar të gjitha cmimet në Europë pra kam bërë Rojal Flosh”.

*shtuar nga postuesi. marrë nga i njejti burim.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

27 Komente

  1. J. thotë:

    9 October 2008 @ 9:05 pm

    Ndonjë foto’? këtë psh:
    http://mots.extraits.free.fr/jmg_le_clezio1.jpg

    Ngjaka si nordik nga fytyri. XYZ, do e bësh si vjet? Duam një pjesë nga ky të përkthyme.

  2. edrus thotë:

    9 October 2008 @ 9:31 pm

    Wikipedia në gjuhën spanjolle thotë që paska vdekur Le Clézio, i goditur nga një infrakt kur paska marrë vesh lajmin e fitimit të Çmimit Nobel.

    E pashë këtu

  3. Perparim Hysi thotë:

    9 October 2008 @ 9:36 pm

    Medemek,na i”vodhi”ky,francezi,cmimin?!Ore ,”duhet pare pak nga biografia ky,se ka qene andej nga Afrika?!”…Do te thoni ju,qe e mori.Aq na bene?Zbrazim dyfeqe pas lufte ne se,si zhurmues,shok nuk na gjendet kund…Urime,o francez-afrikan qe u dukerke si nordik!

  4. censura thotë:

    9 October 2008 @ 9:38 pm

    Ku eshte XYZ? Se ai i ka qef francezet!

  5. edrus thotë:

    9 October 2008 @ 9:42 pm

    Paska qënë kaq i njohur sa as në Francë nuk e njihkan… rrezik njohin më shumë Kadarenë atje :)

  6. Koth thotë:

    9 October 2008 @ 9:45 pm

    Papi,

    kur ta lexosh kete postim me bej nje postim ketu ne peshk :

    para disa kohesh kam mesuar se Avniu, vellai i Myneverit, qe ke pershkruar ke shkrimi Delikatja ka punuar disa kohe si foles ne Radio Tirana ne kohen e dushmanit.

    A te kujton ndonje personazh ai ? Po e motra , nusja e xhaxhait tend ? Po e ema, te kujton gje ndonje personazh qe degjonte gje radion fshehurazi dhe neper filma na e kane paraqitur si neperke ???

    Per kete autor e deshe Nobelin ti ??????

    Pse duhet te me cuditesh kaq shume, pse ????

  7. Nexhi thotë:

    9 October 2008 @ 9:53 pm

    Qyqja, ene per nobelin do ziheni mre :P

    Ai ka lindur në Nicë dhe ka shmangur publicitetin përgjatë të gjithë karrierës së vet të gjatë ndërsa ka mbajtur distancë nga elita letrare e Parisit. Ai ka shkruajtur më shumë se 30 libra dhe është shumë popullor në botën frëngjisht-folëse.

    Gjer ketu me pelqeka ky daja. Na hudhni nai gje te perkthyme po patet per ne qe sjemi alla frenga :-)

  8. ancesori thotë:

    9 October 2008 @ 9:57 pm

    Se kisha degjuar ndonjehere. Ndonje liber te perkthyer ne shqip ka nga ky? Qe ta njohim ca.

  9. AlisaT thotë:

    9 October 2008 @ 10:13 pm

    XYZ ka perkthyer per ju kete fragment te shkurter nga nobelisti i perfolur. Meqe ai duket te kete probleme me postimet, po e transferoj ketu.

    Dielli nuk është ngritur ende mbi lumë. Nga dera e ngushtë e shtëpisë, Juba vështron ujërat e lëmuara që pasqyrojnë tashmë, nga krahu tjetër i fushave gri. Ai ngrihet ndenjur mbi shtrojën e tij, hedh tutje çarçafin që e mbështjell. Ajri i ftohtë i mëngjesit e bën të rrënqethet. Në shtëpinë e errët, ka forma të tjera të mbështjella në çarçafë, trupa të tjerë të përgjumur. Juba njeh babain e tij, nga krahu tjetër i derës, vëllain, dhe, fare në fund, të ëmën bashkë me dy motrat e tij nën të njëjtin çarçaf. Një qen leh gjatë diku, me një zë të çuditshëm që këndon paksa dhe pastaj çirret. Por nuk ka shumë zhurma mbi tokë, as mbi lumë, sepse dielli ende nuk është ngritur. Nata është gri dhe e ftohtë, ajo mbart ajrin e maleve dhe të shkretëtirës, dhe dritën e zbehtë të hënës. Juba vështron natën duke u drithëruar, pa lëvizur nga shtroja e tij. I ftohti i tokës ngjitet përmes kashtës së thurur, dhe mbi pluhur formohen pikla lashte. Përjashtë, fijet e barit shndrisin pak, si tehe të lagësht. Akaciet e mëdha dhe të thata janë të zeza, të palëvizshme në tokën e plasaritur.
    Juba ngrihet pa zhurmë. Palos çarçafin dhe mbështjell shtrojën, pastaj ecën mbi shtegun që përshkon fushat e shkreta. Vështron qiellin, nga ana e lindjes, dhe kupton që dita do të gdhijë së shpejti. Në thellësinë e trupit të tij, ai ndjen ardhjen e dritës ; por këtë e di dhe toka, toka e lëruar e fushave dhe toka me pluhur midis kaçubeve me gjemba dhe trungjeve të akacieve. Është si një shqetësim, si një dyshim që vjen përmes qiellit, përshkon ujin e ngadaltë të lumit, dhe përhapet rrafsh me tokën. Rrjetat e merimangave drithërohen, skalcekët fluturojnë përsipër ujrave të ndenjura, por qielli është i zbrazët, sepse nuk ka lakuriqë nate, dhe ende jo zogj. Nën këmbët e zbathura të Jubës, shtegu është i fortë. Drithërimi i largët ecën njëkohësisht me të, dhe karkalecët e mëdhenj gri fillojnë të kërcejnë përmes barit. Ngadalë, ndërsa Juba largohet nga shtëpia, qielli ndriçohet nga ana e lumit e lumit. Bryma zbret midis brigjeve, me shpejtësinë e një lundre, duke përzgjatur gjymtyrët e saj të bardha.
    Juba ndalet në udhë. Vështron një çast lumin. Mbi brigjet prej rëre, kallamishtet e lagura janë përkulur. Një trung i madh i zi i dalë në breg luhatet në rrjedhë, zhyt dhe nxjerr degët e tij si qafa e një gjarpëri që noton. Hija është ende mbi lumë, uji është i rëndë dhe i dendur, ai rrjedh duke bërë rrudhat e tij të ngadalta. Por përtej lumit, toka e thatë shfaqet tashmë. Pluhuri është i fortë nën këmbët e Jubës, dheu i kuq është çarë si vorbat e vjetra, hullitë bëjnë lakeleqe, të ngjashme me të krisura të vjetra.

    J.M.G. Le Clézio

  10. Perparim Hysi thotë:

    9 October 2008 @ 10:40 pm

    I dashur Koth!Jemi ne te njejten linje,por largesia e madhe dhe ca nga “gjuha e Ezopit”nuk para merremi vesh.Shume mjegulla ende nuk jane “shperndare”,por vjen nje dite dhe pikat vihen mbi i.Xhaxhesha ime,e njdera Mynever,dhe,i vellai,dr.Avni Skrapari kane nderuar jete,por,sadopak,une jam orvatur ta hape”kutine e Pandores”.Po te duash,tek gazeta”kritka.net”shiko:”Delikate,te kujtohet?”dhe Leter per Delikaten.Dhe pyetjes se drejtperdrejte:as qe me shkon mendja per shume e shume arsye qe,kur te takohemi(do ta kohemi,patjeter!) do t’i hapim karterat edhe me mire.

  11. ancesori thotë:

    9 October 2008 @ 10:54 pm

    Kaq pak?

  12. akvll thotë:

    9 October 2008 @ 11:07 pm

    Në shqip qenka botuar “Ylli endacak” nga Albin, me sa kuptova, përkthyer nga anglishtja. (Po Nitçen, ama, e kishin përkthyer nga frëngjishtja…).

    Lajmi i Edrus në 9.31 është një shaka e keqe e ndonjë të apasionuari pas wikipedias.

  13. Blendi Salaj thotë:

    10 October 2008 @ 8:39 am

    me sa kuptova, përkthyer nga anglishtja. (Po Nitçen, ama, e kishin përkthyer nga frëngjishtja…).

    ______

    :D S’e mbajta dot nje te qeshur.

  14. xixa thotë:

    10 October 2008 @ 2:38 pm

    Përshëndetje,
    Dëshiroja t’ju sillja Peshqve dhe Peshkatarëve diçka lidhur me Le Clézio, dhe ç’është më e rëndësishmja, një fragment të pêrkthyer nga romani i tij “Revolucione”. Por, pêr t’i shpëtuar kritikave të llojit: “koment tepêr i gjatê..” që më ndjekin nga pas si murtaja sa herë që çfaqem këtu, mendova t’a botoj në blogun tim nën titullin “Le Clézio-Nobel i Letërsisë 2008“.
    Lexim të mbarë të interesuarve.

  15. akvll thotë:

    10 October 2008 @ 2:46 pm

    mua s’do më ngelej hatri fare nëse postimi im do zëvendësohej me atë të Xixës, ose të dilte më vete fare.

    gjithësesi, për peshqit përtacë ose me lidhje të avashtë, nga Xixa:

    “Le Clézio-Nobel i Letërsisë 2008“

    Pinjoll i një familjeje bretone, britanike dhe mauriciene, Jean-Marie Gustave le Clézio (lindur në 13.04.1940) ka ruajtur nga këto origjina një shije të spikatur ndaj bredhjes. I diplomuar në letërsi, ai boton romanin e tij të parë « Proces-Verbali » në moshën njëzet e tre vjeç. Libri u vlerësua menjëherë dhe fitoi çmimin Renaudot. Ai ripërsërit suksesin dhe në vitin 1980 ai merr çmimin Paul Morand për tërësinë e veprës së tij. Në të njejtin vit ai boton « Shkretëtira », epope sublime i një pinjolleje tuarege, gjithmonë e konsideruar si kryevepra e tij. Le Clézio i ka kushtuar një numër esésh qytetërimeve nomade, të shpërndara dhe nën rrezikun e zhdukjes, me të cilat herë pas here ai ka ndarë jetën e përditshme. (Indianët e Panamasë, Berberët e Marokut…). Në vitin 2006, ai boton « Raga, përqasje e kontinentit të padukshëm » (Editions du Seuil) si edhe « Ourania » (Editions Gallimard).

    Admirator i madh i Stivensonit dhe i Konradit, le Clezio që prej kohësh, është një autor kult në në hapësirën frankofone. Talenti i tij prej tregimtari si edhe stili i tij i ndritshëm e ngrenë këtë autor në rangun e figurave më të rëndësishme të pejzazhit letrar francez. Vepra e tij, e përkthyer gjerësisht në botë, dëshmon për një nostalgji të botëve fillestare. Deri në vitet 80’, ai ruajti një imazh prej shkrimtari novator dhe të revoltuar, që prekte temat e çmëndurisë dhe të të shprehurit. Më tej, erdhën vepra të tjera më të qeta, të kushtuara fëmijërisë, shqetësimit për pakicat, tërheqjes ndaj udhëtimeve, dashurisë ndaj natyrës.

    Ky trumbetues i vllazërimit universal arrin të kqyrë dhe të riprodhojë një univers, simboli më i përsosur i të cilit është ylberi së rolin e një metafore të pambaruar, një botë shumëngjyrëshe ose thjesht pa asnjë ngjyrë dominante që integron dhe implikon të gjitha speciet njerëzore. Vështrimi me të cilin Le Clésio përqafon njeriun përmbledh dilemën e përsiatjeve bashkëkohore mbi identitetet dhe dëshmon njëkohësisht mbi unitetin e llojit, pa mohuar aspak shumllojshmërinë e kulturave. Unitet dhe tjetërsim, ky çift vlerash qëndron në thelb të nyjëzimit socio-politik të autorit, një pasqyrë e përsosur e atij mjedisi origjinal të lindjes, që e ka damkosur përjetë dhe që mbetet parajsa e humbur e shkrimtarit.

    Dashur padashur – dhe meqënëse nuk e humb asnjëherë rastin për t’a përsëritur – ai rikujton paradoksin e shkrimtarit, aq bukur të shprehur nga suedezi Stig Dagerman : « … ai duhet të shkruante pêr njerëzit që vdesin urie, dhe nê tê vêrtetê, ai shkruan pêr njerëzit që kanë të hanë me bollëk ; nga ky paradoks, ai s’ka mundur asnjëherë të shkëputet ».

    .Lexuesi shqiptar e njeh shumë pak, për të mos thënë aspak shkrimtarin dhe veprën e tij. Për të mbushur sadopak këtë boshllëk, për të ngjallur dëshirën ndaj leximit, po sjell këtu një fragment nga romani i tij « Revolucione », botuar në vitin 2003. .

    « Revolucione »

    nga Jean-Marie Gustave le Clézio (Gallimard, 2003)

    [një fragment - shqipëruar nga Xixa ]

    Zemra fillon dhe rreh kur kthehesh pas një mungese të gjatë. Është sikur kthehesh nga lufta. Çvendosesh nëpër rrugë duke nuhatur rreth e qark, duke kërkuar gjurmët. Përgjohen zhurmat aq të njohura, ndiqen pas shtigjet. Rrugët e lagjes së stacionit të trenit, gjithmonë po aq boshe, të kota. Kafeja e Artistëve dhe hajati i saj i shpëlarë, perdja e saj si e shurrosur që fsheh vështrimeve të jashtme sallën e madhe, si zakonisht të zënë nga mbledhjet e këshillave të bashkëpronarëve. Hotel Brigs ku Zhani kish qenë roje nate, hyrjen e tij të rrjepur, të zbukuruar nga Parmenide të ngjallura, kafazin e shkallës prej hekuri të rrahur. Dyqanet, depot e aspiratorëve, fabrikat e kartave të vizitës dhe të menyve të dasmave, shitësin e çikërrimave të zyrës, tregëtarin e bojrave, atë të cohave, shitësin e poçave të llampave. Pjesa më e madhe e tyre janë të mbyllur për shkak të fundverës, të kësaj stine ku edhe hieja është e nxehtë, zifti i rrugës i ngjashëm me detin, deti i rënduar me ngjyrë zifti. Stina që dikur ngjallte në zemrën e Zhanit një ankth të pakapërcyeshëm, si ai në prag të pranverës.

    Ai ecën nëpër këto rrugë, në të vërtetë pa asnjë qëllim, pa kërkuar ndonjë portë, ndonjë numër. Fasada e dyqanit të ushqimeve kaq herë ka ndrruar saqë tashmë nuk dihet në se është një Timmy, një Codec, një Casion apo një Bon Lait. Grila e hekurt është ulur, në të shihet një copë letër e ngjitur shtrembër, por e rrjepur : Mbyllur për shkak inventari. Data e hapjes rishtas është ngrënë nga dielli.

    Dje, duke hyrë në apartamentin e prindërve, Zhani pati një si përzierje. Asgjë s’ka ndryshuar këtu, por asgjë nuk është si më parë. Atmosferë e tejnxehur, erë myky, pluhur. Babai i Zhanit sikur është mpakur, nuk lëviz më. Ai i kalon ditët i ulur në kolltukun me rrota, të kthyer nga dritarja, duke vështruar murin e verdhë të godinës përballë. Ai nuk flet më. Goditja i ka brejtur fjalën, i ka ngurtësuar dejet. Mbi fytyrën e dobët, ka ngrirë një buzëqeshje pa shprehje. Sikundër dallohet lëmueshmëria e ankthit. Zhani mbeti i mahnitur nga bukuria e tij. Tashmë ai ngjan me ushtarin e ushtrisë koloniale, në kokën e luftës së Qenve-Vrapues, kur ai kish kundërshtuar me kryeneçësi komandën e lartë për t’i shpëtuar jetën terroristes kineze Lee Meng. Kjo histori që përbente edhe legjendën e tij, lavdinë si edhe dështimin e tij dhe që e kish kthyer në Evropë, tashmë të dërrmuar dhe të sëmurë. Flokët e tij të bardha ishin rritur dhe zbrisnin mbi shpatulla. Ai ka një mjekërr të keqshkurtuar, me goditje gërshëre, vetullat si kaçube. Sharon u shfajësua : « ai nuk donte, por unë nuk mund t’a rruaja më, më kupton ? ».

    Ajo e puthi gjatë Zhanin. Ajo i kish sytë plot me lot. « Ti nuk do të largohesh më ? » Ajo dukej e drobitur, e lodhur. Zhani u mundua t’a siguronte, t’a argëtonte. Ai ndau me të drekën, orizin e bardhë dhe lakrat me këri. Sharoni i bëri një pyetje : « Ti do t’a rregullosh situatën lidhur me shërbimin ushtarak, apo jo ? ». Ai ju përgjegj si mundi. Tashmë që lufta ka mbaruar, kjo gjë s’kish ndonjë rëndësi të madhe. Ndoshta, e kishin harruar fare. Babain e tij, Zhani e mori ndër krahë, dhe për aq pak kohë ai kuptoi se sa i lehtë ishte tashmë trupi i tij. Ai i dha dorën dhe babai u vjerr i tëri mbi të me të gjitha forcat, sikur nuk do të shkëputej kurrë më. Zhani buzëqeshte, bile edhe tendosi buzët, ai ishte i prekur të mësonte se tashmë e gjitha forca e këtij njeriu ishte mbledhur në duart e tij.

    […]
    Nata bie shpejt në Paris, në nëntor. Ata qëndruan gjatë në dhomën e vogël, thuaj pa folur fare. Aq sa një moment Mariam pati uri, dhe ajo qëroi një mollë. Më tej, ajo cimbisi ca kokrra rushi në një kupë. Zhani hapi një kuti me ananas në rondele. Që prej një kohe, edhe ai s’kish ngrënë diçka aq të mirë.

    Një moment më pas, Mariami tha : « mirë pra,. Jam e lodhur. Po shkoj të shtrihem. A po vjen ? ». Ajo u xhvesh në gjysëmhije. Ndriçimi i lampadarëve hynte nga dritarja e madhe rrëshqitëse. « Kam fat qe asnjeri nuk banon përballë, ka veçse pemë dhe nuk i mbyll asnjëherë grilat ». Zhani qeshi : « Më kujtohet që asnjëherë se ke dashur natën e zezë ». Ajo tha : « Ja vlen të jetosh me dritën që vjen nga jashtë, ditën, natën. Më pëlqen shumë drita e lampadarëve, është e butë pakëz e ftohtë. Në mëngjez më duket si një portë perlash, me ujin që rrjedh mbi xham ».

    Zhani pati përshtypjen që i ndante një mur i padukshëm. Vetë koha e kish krijuar. Nuk mund të ishte aq thjeshtë si dikur. Ai ishte xhveshur, edhe ai, paksa me nervozitet, duke lënë rrobat që të binin përtokë, në këmbë të shtratit. Ai hyri nën çarçaf duke u dridhur por shtrati ishte i butë, jo fort i gjerë, fort i shkurtër dhe menjëherë, ndjeu lëkurën e Mariamit mbi këllk. Muri i padukshëm kish filluar të shkrinte.

    Ndoshta ishte ajo që e preku e para, ajo i përkëdheli trupin nga lart poshtë, duke u vonuar në gropën e barkut, tamam aty ku mbarojnë brinjët, aty ku edhe lëkura njerëzore është shumë e butë, aty ku ndihet se rreh arteri.

    Dhe befas, menjëherë dashuria ribëhet krejt e thjeshtë. Dëshira, trupat që përzihen, një zemër e vetme, një e vetme frymë, një vështrim i vetëm si më parë kur Mariami argëtohej duke parë zmadhimin e bebes të syrit që mbulonte gjithë vështrimin, kur maja e gjuhës së saj prekte një pikë të ndjeshme në tavanin e qiellzës dhe Zhani nuk ishte më në gjendje të kuptonte në se ishte ajo brenda tij apo ai brenda saj. Më tej asgjë tjetër, asgjë rreth e qark, çdo gjë larg kësaj qyteze, duke braktisur gjithka dhe duke shkuar tejet larg, duke pluskuar, fluturuar ose ëndërruar. Bëhej kaq kohë. Ai mendonte se ishte tashmë e pamundur, sikundër thuhet se historia nuk përsëritet më, që asgjë nuk rifillon kurrë. E megjithatë Parmenidesi i Elesë : gjithçka është një aty nga fillohet, pasi po aty rikthehet. Por, a është momenti për të filozofuar ? zemra që rreh, fryma e zënë, një e çarë në vështrim, djersa që rrjedh në lug të shpinës, që ngjit trupat me njeri tjetrin, lëmon gjinjët dhe shpatullat, i bën të ndritshëm si gurët e lumit. Të ndritshëm edhe sekset, seksi i burrit dhe seksi i gruas, të ngarkuar me dritë, të përvëluar nga një zjarr i vetëm, por sytë nuk mund të dallojnë këtë zjarr dhe këtë dritë, hieja brenda dhomës ende nuk është epur, është një zjarr dhe një dritë në të gjitha krahët, pranë origjinës aq pranë sa e ardhur nga larg, nga fillimi i fillimit, nga era primare e ndarjes së parë, celulare, e lindjes së parë. Rrahjet e zemrës në fund të gjoksit, brenda barkut, në grykë, dridhja e saj brenda retinës, goditjet e mbytura në gjendrat.

    Edhe në mendime : gjithçka që zhbëhet, që zgjidhet, që shkrihet, pengesat, zakonet, kujtimet. Jo, ende jo boshllëku vetëm zgjidhja. Një ujë, një ajër, larës, qarkullues. Endrrat gjithëpushtuese. Batica. Atëhere Zhani ndjehet më i çlirët. Lëkurat e rreme, mbilëkurat prej cohe, rrecka që tunden, gjithçka tashmë ka rënë, ai ishte lakuriq, asnjë fije nuk mbahej më tek flokët, ndër gjymtyrë. Ja pra, kjo ishte. Kaq e thjeshtë, në fund të fundit. Një çast, thjesht një çast në këtë jetë për të qenë i lirë. Për të qenë i gjallë, për të ndjerë çdo nerv, të jesh i shpejtë si një kafshë që rend. Të dish të fluturosh. Të bësh dashuri. Të jesh në të tashmen, në realen.

    Më tej, pas daljes nga ekstaza, të zbrazur, të lëshohesh krejt, sytë e mjergulluar, ende të thurur njeri në tjetrin, zemra e dridhur, fryma e shpeshtuar, djersa që avullon dhe mbulon trupat me një re të lehtë të ftohtë. Pa asnjë llaf, pa asnjë mendim.

  16. xhibi thotë:

    14 October 2008 @ 1:31 pm

    Kadareja ka mjaft kritika dhe vleresime (dhe gjithashtu perkthime dhe shitje te librave te vet) nga nderkombetaret/te huajt per veprat e veta. Ca thoni juve peshq, cila eshte arsyeja e ketij disproporcioni te madh vleresimesh nderkombetare per Kadarene ne krahasim me shkrimaret e tjere shqiptare?

    Ja dhe nje kritike e djeshme ne nje media australiane per romanin “The Siege”, qe ma ha mendja behet fjale per “Keshtjella”.

  17. akvll thotë:

    14 October 2008 @ 2:03 pm

    Xhib, peshqit kanë thënë për këtë punë ( ose afërsisht) këtu:
    http://www.peshkupauje.com/%E2%80%9Cle-clezio-nobel-i-letersise-2008%E2%80%9C/2008/10/10/

  18. xhibi thotë:

    14 October 2008 @ 2:14 pm

    aklli, paska shume komente aty, mos me bej te lodhem duke i lexuar te gjitha, po me thuaj me pak fjale cili ka qene verdikti peshkas (peshkataresk, peshkaqenasist, peshkanik, peshkanjos, peshkërimtar, cilen fjale te zgjedhim si ndajfoljen me te pershtatshme, qe ta fusim dhe ne fjalorin Peshku? :P ) per kete ceshtje. :)

  19. akvll thotë:

    14 October 2008 @ 3:14 pm

    verdiktet janë dy, kshu që ti zgjidh e merr:
    - Kadareja është gjeni dhe prandaj u bën hije (ndërkombëtare) të tjerëve.
    - Kadareja ka pasur fatin të përkthehet dhe njihet nga dynjaja që në kohën e qepës 100 vjeçare, ndërkohë që të tjerët jo.

    p.s. peshkanjos dhe peshkërimtar më pëlqyen veçanërisht.:)

  20. xhibi thotë:

    14 October 2008 @ 3:23 pm

    ok pra, e leme peshkanjos si peremer per perdorim te pergjithshem dhe peshkërimtar si vleresim per merita te vecanta ne peshkontriubuese? :P

    - Kadareja ka pasur fatin të përkthehet dhe njihet nga dynjaja që në kohën e qepës 100 vjeçare, ndërkohë që të tjerët jo.

    Kjo eshte pak rrethore si argument, pasi prap lind pyetja, pse u perkethe Kadareja me shume se te tjeret?

  21. emigrant thotë:

    14 October 2008 @ 3:26 pm

    Mu kujtu nje histori nga loja e golfit.
    Thote njeri: Golfi eshte loje me fat.
    Ia kthen tjetri: Ashtu eshte, por ke pa ti qe sa me shume ushtrohem, aq me shume fat kam?

  22. akvll thotë:

    14 October 2008 @ 3:28 pm

    Se ai zotëria që ka përkthyer Kadarenë (s’më vjen emri për qamet) dy duar kishte o vlla, dhe ato, falë Kadaresë nuk ia kishin prerë. Nejse, unë e qepa se sinqerisht nuk kam kohë të diskutoj; ka dal nji dill i papam ktu te ne dhe un e konsideroj si festë.

    p.s. unë them t’ia heqim ë-n peshkërimtarit. :D

  23. akvll thotë:

    14 October 2008 @ 3:29 pm

    për Jusuf Vrionin e kisha, se tani më erdhi.

  24. spiritus thotë:

    14 October 2008 @ 3:33 pm

    Isuf Vrioni akull.

  25. Koth thotë:

    14 October 2008 @ 3:36 pm

    E pse je ba kaq farmak t`i Akell ?

    E mba men qe te kam kerku i here me ma respektu fjalen “gjynaf” ? :D

  26. nejse thotë:

    14 October 2008 @ 3:46 pm

    XYZ thotë:
    14 October 2008 @ 3:34 pm
    Per te saktesuar diçka ne lidhje me Jusuf Vrionin, tek tema e akullit :

    Pa JUSUF VRION, nuk do te kishte kurre Kadare. Kjo te ngulitet mire ne koke. Kadare eshte bere i njohur, me se pari dhe me se shumti, vetem ne France. Vetem tani ka filluar te njihet ne boten anglo-saksone. Por tek lexuesi francez France, Kadare ka shkuar nepermjet Jusuf Vrionit.

    Nuk e di per akullin por, per mua, frengjishtja e Vrionit eshte shume me e sakte sesa shqipja e Kadarese. Perfundimet nxirrini vete.

    xyz, ju perqafon nga tema e vet, se vetem aty arrin te shkruaje! :lol:
    http://www.peshkupauje.com/perqafimi/2008/09/08/#comment-313439

  27. xhibi thotë:

    14 October 2008 @ 3:55 pm

    Aklli, qe mos keqkuptohna, une nuk kam arrit ne konkluzion dhe pyetjen e kisha te sinqerte, pasi dhe nuk i njoh aq shume veprat e letersise shqiptare apo dhe te huaja sa mund ti njihni ju te apasionumit e fushes.

    Po prap pyetja mbas asaj qe thua ti, ose mbas asaj qe thote XYZ tek tema ku e kane burgosur :P qendron; pse u perkthye me shume nga njeri apo tjetri Kadareja dhe pse u promovua ne France apo kudo tjeter vetem ai dhe jo te tjeret?

    P.sh. nje pyetje tjeter, ka ai ndonje stil letrar qe rezonon me shume me stilin apo shijen e kritikeve dhe lexuesve te huaj me shume sesa letraret e tjere shqiptare?

    Emo, verdikti jot cili eshte per kete ceshtje? :)

Komentet jane mbyllur ne te gjitha temat e arkivit.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com