Login



Register

Një shpjegim i domosdoshëm

Selim Belortaja
Gazeta shqiptare

As hedhja në sulm e agjentëve më të zgjedhur mediatikë (për favore të reja a për të shlyer të vjetrat?!), as shpeshtimi i daljeve personale në publik, nuk rezultuan mjete efikase.
Nokdauni politik në të cilin ndodhet klani përgjegjës pas Gërdecit, duket të jetë aq fatal e i pashpresë sa që çdo ri-ngritje duke u mbajtur pas litarësh, s’mund të jetë veçse një mundësi tjetër për …ri-gremisje. Edhe atë pak imazh politik që mund të shpëtohej, ishte vetë kryeministri-kryetar i PD ai që u kujdes të mos e kursejë në ditët që vijuan. Në një pavetëdijë të çuditshme madje edhe në një plan-komunikimi të keq-menduar “post-Gërdec” ai u shfaq i vendosur të mbyllte çdo shans për ta hedhur lumin – në krye të njësitit qeverisës që tërheq mbrapa. Seria tashmë qartësisht e lexueshme e pohim-përgënjeshtrimeve, të bëra krejt vullnetarisht si punë autogoli mazokist - pra pa ndonjë “pressing” real nga askush, po e rëndon gjithnjë e më tepër faturën fillestare të përgjegjësive. As hedhja në sulm e agjentëve më të zgjedhur mediatikë (për favore të reja a për të shlyer të vjetrat?!), as shpeshtimi i daljeve personale në publik, nuk rezultuan mjete efikase për t’ju ikur përgjegjësive, të paktën atyre që percepton publiku. Mendoj se as vetë “tregu i heshtjes” – me të gjithë misterin me të cilin e veshi ish-ministri socialist i mbrojtjes, s’i bën dot derman kësaj pune.

***

Por a mos vallë kjo pamje rënie e vetëdemaskim i klaneve e krerëve qeverisës, në vetvete, është ndonjë arësye për kënaqsi e lumturi në mëndjet e shpirtrat tanë? A mos kjo “shëmbje idhujsh” përbën në vetvete ndonjë lajm gazmor? Kurrsesi jo, në se do të bëhej fjalë për një aksident dhe për autorë të cilëve krejt rastësisht ju ndodhi një gjëmë nga qielli. Në një rast të tillë nuk do të na mbetej veçse të zinim kokën me duar e të luteshim së bashku që “qielli” të mos na dërgonte më gjëma të tilla. Do të shkonim madje vrap e do të qetësonim me sa të mundnim jo vetëm banorët e zonës, por edhe të gjithë funksionarët, biznesmenët, kontrollorët e vendimmarrësit, të cilët do të ndjeheshin po aq të vrarë e të dëmtuar.
Por zhvillimet pas-ngjarjes treguan se s’ishte kjo situata. Dhe se funksionarët-skutha e biznes-krimi i lidhur me ta, nuk ishin as “bashkëvuajtës” e as “viktima” të tragjedisë. Në rradhë të parë ata ishin shkaktarët. Si të tillë ata janë edhe një rrezik i ardhshëm. Pikërisht këtu e ka bazën motivimi i medias dhe faktorëve ende të shëndoshë të shoqërisë për ta ndriçuar deri në fund këtë çështje. Jo aq për ndëshkim se sa për parandalim. Pikërisht në këtë veshtrim dhe vetëm në këtë, “shembja” në fjalë e “idhujve të rremë” merr një dimension pozitiv. Në masën që ajo i hap rrugën një procesi të përcaktimit e mënjanimit të shkaktarëve, qofshin këta brenda apo jashtë qeverisjes. Me apo padashje procesi po ndihmon në leximin e vërtetë të fajit e fajtorëve dhe në mundësitë për parandalim. Ç’ka mund të përbëjë premisën për një pastrim real e aq të shumëpritur të politikës sonë. Në se këtu pra, ka ndopak vend për fjalën “gëzim”, është ky proces ai të cilit “i gëzohet medja e publiku”.
***
Dhe po këtu tani, merr shkas edhe një shqetësim ynë. Referuar një deklarate të beftë e të pakontekst të presidencës së BE, lëshuar në takimin e ministrave të jashtëm të 27-shes, mbajtur dy javë më parë, pikërisht në Brdo të Sllovenisë. Një deklarate që përveç “fluturimit” nga realiteti, në këtë stad ku ndodhet procesi i skanimit të lidershipeve politike në Shqipëri – më shumë dëmton se sa ndreq ndonjë punë. Në rrethanat e pas-Gërdecit ajo sjell në fakt vetëm një shërbim: retushon në mënyrë të sforcuar imazhin e politikës dhe përgjegjësve të diskredituar që prodhojnë katastrofat shqiptare. Ja pse ata e kanë mbërthyer atë aq fort e s’e lëshojnë nga goja e nga dora frazën e vetme por të paçmuar për nga shërbimi që sjell për ta (po për askënd tjetër). Duke e prezantuar gabim madje, si një deklaratë të Ministrave të Jashtëm të BE –gjë që nuk është e vërtetë. Është vetëm një dokument i Presidencës së rradhës së BE, asaj sllovene. “Progresi i bërë së fundmi nga Mali i Zi dhe nga Shqipëria –thotë deklarata – duhet pranuar dhe mund të shërbejë si frymëzim për vendet e tjera të rajonit..”. Kam pasur rastin të shoh me sytë e mi, se si edhe ekspertë nga zyrat e BE kanë ngelur të shtangur nga kjo frazë. I shohim dhe i prekim çdo ditë punët e këtushme. Kemi shkuar përduarsh kaq raporte ndërkombëtare që krahasojnë “shembullin” e qeverisjes shqiptare. Madje me pikë të sakta, me presje dhjetore. Të gjithë e dinë rreshtimin tonë, jo vetëm botëror por edhe rajonal, në korrupsion, në rryshfet, në konkurrueshmëri, në klimë biznesi, në performancë eksporti, në zbatim ligjesh. E megjithatë është fakt që Presidenca sllovene ashtu e ka shkruar: “Mali i Zi e Shqiperia - shembull frymëzues”. Ç’ka me thënë të drejtën, më bën të dyshoj mbi “hallin” e formuluesve dhe inseruesve të asaj fraze. Natyrisht që ky “shpërblim” nuk shfaqet veçse brenda një konteksti përshkrimesh më të plota në deklaratë, ku mosrealizimet nuk mungojnë. Natyrisht që edhe më poshtë shtohen ca detyra të tjera “për zbatimin e Marrveshjes Interim” të cilat “duhen përshpejtuar”, për “përpjekje të reja që kërkohen për forcimin e kapaciteteve institucionale në administratën publike e në gjyqësor”, etj. Ndërsa fraza “Shqipëria –shembull frymëzimi” mbetet atje, plotësisht e çuditshme dhe gati për t’i shërbyer jo shoqërisë shqiptare, jo politikës shqiptare që kishte hyrë në një fazë reflektimi e katarsisi të detyruar, po pikërisht fajtorëve e përgjegjësave për reformat e pakryera dhe “potencialit” për ngecje të ardhme në Shqipëri.

***

E kush nuk i do komplimentat. A ka Shqipëria aspekte që frymëzojnë? Ka patjetër. Por ato sot për sot gjenden jashtë politikës dhe akoma më larg ..qeverisjes. I tillë është fjala vjen, durimi i gjatë popullor. Zemërgjerësia e pakufishme e banorëve të këtij vendi. Ndaj privacioneve dhe bllokimeve të prodhuara prej “elitës” politike, ndaj dredhave të parreshtura elektorale dhe qeverisëse. Ndaj abuzimeve e pasurimit të paligjshëm të eksponentëve nga të dy krahët. E tillë është edhe përpjekja titanike e biznesit të ndershëm për t’u rritur e bërë konkurrues. Me gjithë rrethanat shkurajuese në shumë drejtime. Sa për vullnetin dhe performancën ndaj reformave në këtë vend, ato mbeten sërisht ato që kanë qenë: aspekti më dëshpërues i zhvillimeve tona. Sa larg së qëni frymëzues!.
Ja pse, një frazë e tillë e shkëputur, që “komplimenton” dhe (shpresoj padashur) potencon politikisht, pikërisht ata që kritikohen aq ashpër në dhjetra faqe raportesh, nuk bën mirë. Në politikë e në proceset politike ndërkombëtare nuk është si me kortet që mund t’ju bëhen damave në një ballo me ose pa maska. Këtu një frazë e hedhur kështu pa kontekst, e paargument, qytetarëve të vendit, në stadin ku ndodhet, mund t’i dëmtojë ata e proceset konstruktive në vijim.
Përveç konfuzionit që krijohet nga krahasimi i kësaj fraze me situatën reale në Shqipëri –këtu kemi një mospërputhje të plotë edhe me vetë deklaratat e Komisionit Europian që është qeveria e BE-së. Mjafton te referojmë raportin e fundit të saj mbi “..korrupsionin e përhapur”, që “…mbetet një problem serioz në Shqipëri”. Pa folur për mospërputhjet e tjera të “frazës frymëzuese” me të gjitha raportet e tjera të partnerëve e institucioneve monitoruese ndërkombëtare. Në këtë ballafaqim fraza në fjalë, më shumë se sa të na mbushte mendjen mbi aktet frymëzuese që po ndodhkan këtu, do të kishte probleme me vetvehten. Me integritetin e saj e të formuluesve konkretë.
Por më kryesorja është se një deklaratë e tillë “vetëtimë” huton e trullos ndërgjegjen qytetare. Shtang procesin e porsafilluar të gjykimit real e të pastrimit të politikës. Sapo publiku ve gishtin mbi përgjegjësit dikush u thotë se në fakt aty mund të gjenden “frymëzonjësit”. Procesi anullohet. Në Shqipëri (ndoshta më shumë se kudo nëpër botë), vlerësimet e “notat” që na deklarojnë ndërkombëtarët –marrin peshë tepër të madhe. Për një sërë arësyesh ato janë bërë tashmë referenca kryesore. Ndoshta si në asnjë vend tjetër në botë. Kjo, nga njëra anë është një gjë e mirë sepse bën që vlerësimi publik të ndikohet mjaft nga vlerësime të ekspertizës së ndërkombëtare, që natyrisht duhet të jetë më e lartë dhe serioze. Ai shërben jo vetëm si një orientim thelbësor në preferencën elektorale por edhe si shkollë për edukimin dhe emancipimin e vetëdijes dhe veprimit qytetar përkundrejt politikës.
Por nga ana tjetër gjithshka do të shndrrohej në efektin më të keq, në se mes raportesh lëshohen fraza të tilla të papeshuara. Një shoqëri mund të penalizohet rëndë jo vetëm duke e sharë e denigruar me pa të drejtë. Por edhe kështu: përmes frazash mburrëse që që lustrojnë e mbrojnë po aq pa të drejtë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 April 2008 @ 11:10 pm

    Po pse merzitesh kot o selim

    Keto deklarata jane “per konsum te jashtem”. Si mendon se do te justifikojne shtetet europiane aleancen ushtarake me shqiperine nderkohe qe shqipetaret kane kohe qe i pershkruajne (indirekt kuptohet) si “njerez me bisht”?!

    Per konsum te brendshem lexo deklaratat e ambasadorit amerikan.
    -Kreu i opozites u soll si “burre shteti”.
    -Situata e “post Gerdecit” u administrua KEQ nga qeveria.
    -Drejtesia ka mbeshtetjen tone per te hetuar fajtoret.

  2. Qafir Arnaut thotë:

    19 April 2008 @ 1:55 pm

    ‘Durimi’ i popullit lango te Shqiperis qenka burim frymezimi?

    ka Shqipëria aspekte që frymëzojnë? Ka patjetër. Por ato sot për sot gjenden jashtë politikës dhe akoma më larg ..qeverisjes. I tillë është fjala vjen, durimi i gjatë popullor. Zemërgjerësia e pakufishme e banorëve të këtij vendi. Ndaj privacioneve dhe bllokimeve të prodhuara prej “elitës” politike, ndaj dredhave të parreshtura elektorale dhe qeverisëse. Ndaj abuzimeve e pasurimit të paligjshëm të eksponentëve nga të dy krahët.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.