Një oaz Puke në Tempullin e të internuarve
Ben Andoni (MAPO)
Jakov Milaj endej i vetëm …në këtë vend. Në kokën e tij duhet që të bluante plane, që i merrte tutje shpresa e munguar. Por, në Shtyllas, ku e kishin degdisur për riedukim pas burgut, duket se shpresën e mbyste balta dhe në verë ky diell i tmerrshëm. Dhe, ndaj sytë e ish-ministrit të kohës së fashizmit mbesnin në këtë fushë, pastaj në tjetrën përtej - dhe në të gjithë fushën e paanë. Më mirë në burg, do jetë kujtuar për veten, babai i “Racës shqiptare”. Fatin e keq të familjes Milaj do e ndiqnin dhe familje të tjera shqiptare. Shtyllasi, matanë Levanit, do njihej këtej e tutje si fshati i të këqijve. Po dreqin pse Shtyllas? Dikur ka qenë deti dhe këtu ngarkoheshin anijet- nanuriteshin pleqtë me vete dhe nga inati, që Zoti ua kish dërguar tutje… dhe kështu i mbeti. Por, det nuk kishte, ndërsa Shtylla gjigante, që e zbuloi ndoshta Leon Rei vrojtonte e patrazuar detin dhe matanë Apoloninë… Ajo, edhe i mbajti me një besim të pamundshëm njerëzit e kësaj treve. Në një ditë qershori të vitit 2008, “Shtylla” - tempull shfaqet kur mugëtira e verdhë e pluhurit lejon në hapësirë pak… liri…
Shtyllasi i sotëm
Shtyllasin e sotëm e arrijmë mes njërës prej këtyre reve të pafundme të pluhurit, kur kemi lënë pas manastirin e Shën Marisë në Pojan. Ka dy forma për të arritur atë vend. Njëri prej tyre është që nga Levani, të futesh në thellësi të tij dhe pas pesë kilometrash të mbërrish në vend; tjetri është që nga Pojani… të futesh në një rrugë të keqe dhe të ecësh me kujdes. Në dimër bëhet e vështirë dhe e pakalueshme prej baltës, porse në kohën e verës mund të shkosh vetëm nëse vendos të mbyllësh xhamat e makinës. Ecim në një rrugë që nuk mbaron dhe që merr me vete bashkë me pafundësinë e fushës dhe shkulmin e Myzeqesë prej një vape, që është krejtësisht e padurueshme. Zheg, thatësirë… dhe pluhur. Jo bimësi. Toka, ku dora e njeriut ka firuar. Nëse rastësisht do kesh një makinë - me shpejtësi duhet më parë të mbyllësh vrik xhamat, që mos të marrësh dhe ti shkulmin ose racionin tënd. Por Shtyllasi nuk duket. Jo vetëm se nuk ka tabela, por kudo është njësoj. Kemi mbetur në Myzeqe. Duket se folja vozis, që përdorin kosovarët, i shkon notimit në pluhurin e këtij vendi. Në fakt nuk është shumë larg. Dy gra, të përvuajtura, me një përshtatje të veshjes së Mirditës me atë myzeqare - na e tregojnë pakuptueshëm, me artikulimin e një aksenti të ngatërruar. Të jenë nga veriu?! Dilema do zgjidhet shpejt… kur të shfaqen ndërtesat e para dykatëshe me tullat e kuqe. Fshati i ngjan më shumë një qyteze minatori, sesa një fshati mirëfilli myzeqar…Kemi mbërritur.
Në mesditë në Shtyllas, përveç Vasos, që i bën shërbim klubit të tij modest, të tjerët janë të mbyllur në shtëpi. Shtyllasi ka mbetur me këto pallatet dykatësh të kohës së socializmit dhe me përshtatjen… Si gjithmonë do të përfundosh në qendër të fshatit. Vaso, 50-vjeçar, është njeriu i parë që na tregon për fshatin. Pak nga pak, kuptohet kur biseda duhet të marrë jetë, sepse shqiptarët dyshojnë, gjithmonë- për arsyen e ardhjes… Ai më thotë sesi dikur gëlonte ky vend nga të persekutuarit. Sesi jetonin 1300 banorë dhe sesi ikën pak nga pak, ata- me ardhjen e demokracisë. Si merreshin me bujqësi dhe blegtori dhe si strapacoheshin të gjithë bashkë në fermën e Levanit. Vuajtje kishte, shpëtim- jo. Ditët shkonin dhe ata thurnin mbijetesën në këtë vend. Por ajo nuk vinte. “Ishte aq e vështirë… sa…”, më sqaron. Vetëm se kohët kanë ndryshuar: Ai vetë, tash veç klubit ka dhe toka sipër dhe më konfirmon realisht se Shtyllasi e ka emrin prej atij monumentit, që duket tutje në kodër. Kam kohë që nuk jam ngjitur andej më thotë, por do të ndihmoj të shkosh. Thërret nga përtej një burrë, që nuk i kuptoj asgjë kur afrohet: Në fund, baristi i fshatit- më sqaron sesi të shikoj dhe hallkat ku kapeshin anijet… Nisem.
Në Tempull
Rrugës ndalojmë në një vend, ku burra dhe fëmijë japin e marrin në ish-katin e parë të një pallati. Askush nuk e di nga djemtë e ri se ku është tempulli. Për më tepër dhe aq u bën. Me një energji të pareshtur luajnë dhe janë gati të shprishin gjithçka. Njëri ka bluzën jeshile, një tjetër me një të fortë, ndërsa një tjetër bluzë të kuqe, që nuk mund t’ia identifikoj dot. Burri, që është me mua më harron. Flasin me një aksent të pastër verior dhe të trallisin pak. Sapo dëgjojnë se ka njerëz të ardhur, bëhen të tre pas disa hekurave dhe shikojnë gati për t’u tallur… Në fakt, ky burrë që më qëndron përballë i ka qetësuar të gjitha. I përsëris se dua të ngjitem në tempullin sipër, që ai ma përkthen si një vend, ku dikur vinin anijet. Në fakt, anijet nuk mund të qëndrojnë vetëm në një shtyllë… Burri që ka ardhur nga një fshat i Pukës, më tregon rrugës sesi të gjithë këtu janë të ardhur. Dhe. legjëndën e tij. Befas ndalon. Nga përtej një piskamë gruaje i kërkon llogari: Ç’i duhet me njerëz që nuk i njeh… Të kthehet në shtëpi…. Pukjani trim më shikon në sy. Ia qaj hallin. Harpia vazhdon që andej të këlthasë.
“Ik me këtë djalin…”, më thotë i ngrati. Ky po të çon bash tek vendi. ”Nisna do mbërrime… për 10 minuta”… Burri më duket se e quajnë Mark, urdhëron një djalë, që mua më çudit me bindjen kinezërore. Destinacioni është të kapim atë shtyllën - i them. Në fakt është një kolonë dhe vendi i një tempulli. Nisemi dhe tash kaq pak kilometra nga Pojani hamendësoj se është një kolonë e stilit dorik. Ajo bëhet gjithmonë më e paraqitshme nga larg. I ka humbur pjesa e kapitelit, por aq e madhe sa është duket nga tutje. Në këtë humbëtirë… Me Tanin, kështu marr vesh se quhet djali, fillojmë rrugëtimin prej shtëpive të fundit në Shtyllas.
…
“Ke ken ndonjiherit në Greqi”? Jo. “Ke kenë ndonjiherit në Itali”? Jo, i them sërish. “Ajjj, po ti kenke i pashëtit fare”, ma kthen… ”A e njeh Tom… Asht martu në Angli. Ke ken në Angli?” Po, i them. Fytyra dede e qyqarit qetësohet, edhe pse nuk e njoh Tomin, kushëririn e tij, që është martuar fatmirësisht me një britanike. “Ç’ka don me thanë…: Let..gu…”. Hamendësoj pak, por besoj se duhet të jetë Let’s go. “Le të shkojmë”, i them… ”Ajjj dreç… paske ken me gjithë mend”, më qesh i lumtur… Është dashur që të më dalë gjuha vendit, që të grricem nga duart për të kuptuar se udhërrëfyesin e kam pasur rehat. Rruga me të është dyfish e vështirë, se më fut andej nga nuk futesh dot. Kur i afrohemi tempullit, që duhet jetë të paktën 5-6 metra i lartë-dhe që përfaqësohet tash me vetëm një shtyllë të tipit dorik… mbetemi pak pa gojë. E mrekullueshme, e shprehur me pak fjalë, e bardhë, krenare. Fotografoj, të paktën. Asgjë më shumë. Mbarojnë shpejt hamendësimet e fshatarëve se këtu ka qenë port. Po si mund të ishte vallë? Kaq larg dhe kur shikoj dhe Apoloninë, që duket jo shumë larg në horizont, rebusi ka mbaruar plotësisht… Shikoj kanelatat e shtyllës dhe gjykoj se në këtë vend do ketë pasur dhe shtylla të tjera, por duket se kazma e arkeologut nuk ka mbërritur deri më këtu… Tashmë biseda me Tanin… e kalon absurdin. Mundohem të gjej Shvejkun tek ai, por më duket mundim i tepërt kur mendoj kthimin pas. E pyes për familjen. Më thotë se qepin këpucë… Dhe kështu mbijetojnë. Por, nga andej ku kanë ardhur, këtu është më mirë. Këtë, e kuptoj. Shvejku më duket pragmatist. Ndërsa babai punon dhe po ashtu dhe nëna. Por nuk e kanë të lehtë. Kemi këpucët, më thotë… Hap rrugë mes grurit, që tash ka marrë ngjyrën e tij dhe ka kujdes se mos shkel… ndërsa unë i ruhem gjarpërinjve. “Mos ki dert”… dëgjoj. Me të rruga më bëhet pak si shumë e vështirë…
Pukjanët e Myzeqesë
Si familja e Tanit, i gjithë komuniteti këtu ka marrë pak dynym tokë dhe pak nga pak janë shkrirë me banorët e sotëm. Kur do të kthehem do të sqarohem sërish me Vason, që është banor sedentar këtu. “Në fillim e morën përpjetë”, më thotë Vaso, që ka bërë me shumë mundim një klub në qendër të fshatit. Bënin si të fortë dhe shumë potere. Pak nga pak u shtruan. Dhe, nuk bërtasin më tani si më parë, shton. Ai, simpatik, flet shumë shtruar. Fshatarët e Pukës filluan të tërhiqnin njëri-tjetrin. Nga vendasit morën kujdesin sesi të përkëdhelnin tokën dhe si të punonin pa shumë zhurmë. Erdhën shumë, por nuk kishim çfarë t’u bënim më. Dreqin në këtë vend gjithmonë kanë ardhur, më thotë një tjetër, që nuk ma ka ngenë dhe nget një si zetor të vogël. Se çfarë fjaloset me Vason. Nuk janë as për punë dhe as për dreq, por vetëm për fjalë. Ai i merr tre burra nga këndej, që pinë të patrazuar, sepse u ka gjetur një punë. Këta qeshin dhe argasen me njëri-tjetrin, sikur t’i kenë bash mirë punët. Morën shtëpitë e të internuarve dhe ngritën jetën e tyre. “As nuk krahasohet ky vend me atje ku ishim”, më kanë thënë disa djem të rinj… Në fakt, të ardhur valë-valë nga veriu i Shqipërisë, në këtë vend, njerëzit gjetën mbështetje për jetën e tyre dhe një klimë më të favorshme për mbijetesën. Duke i shtuar dhe afrimin me qendrat e mëdha si Fieri dhe Vlora, atëherë për ta u bë shumë më e thjeshtë. Tash kanë ngritur jetën e tyre dhe mbijetojnë. Tani ka p.sh. nënën, babanë dhe janë dhe dy fëmijë të tjerë. Duhet të jetë pak me shumë probleme mendore, sepse biseda e tij e kalon absurdin në udhëtimin në mes këtij zhegu përvëlues… Të gjithë janë përshtatur dhe duket se u pëlqen kjo kohë dhe ky vend. E duan të gjithë… Shumë kohë përpara kam dëgjuar se në këtë vend qëndronte edhe Sokol Mulosmani, komisari, që mposhti Vlorën- dhe kishte vendosur të merrej me vreshtat e tij… Ka marrë pak tokë këtu, ndërsa shtëpinë ua ka blerë atyre që kanë ikur që këndej. Familja e Tanit, vetë, ka marrë nga dy dynymë më duket për frymë dhe disa rrënjë ullinj. Me këtë sigurojnë mbijetesën e tyre… Në këtë fushë tash punëtorët e rinj duket se janë përshtatur me vendasit. Kanë filluar që të lidhen dhe me martesa. “U zien gjaku”, më thotë Vaso, që nuk mendon se mund të ndryshojë ndonjë gjë prej klubit të tij modest. Ata punojnë dhe tash e shikojnë si një vend të mrekullueshëm për mbijetesën e tyre. Në fakt nuk mund të ndodhë ndryshe…
…
Kanë ikur shumë nga ky vend. Të ndarë në fermë, të internuarit për shumë vite- plotësuan një nga misionet më të zakonshme të diktaturës, atë të jetës në vështirësi… Që të shikosh sesi jetohet në verë në këtë vend, do të kuptosh pse ka qenë një nga vendet e dashura për të persekutuarit. Nga familja Ndreu është shkruar p.sh. se: “Në Shtyllas kanë qenë rreth 300 familje të internuarish, të cilat sipas situatave dhe ‘fushatave’ me largimin e tyre nga qytetet e fshatrat kufitare, të familjeve të persekutuara dhe familjeve që shteti i atëhershëm shqiptar i kishte vënë ‘damkën’ e keqe të armiqve të popullit, reaksionare, shkonte deri në 400 e mos më shumë..”.. Kjo ka marrë fund tani.
Me At Sokratin
Ka marrë fund ajo që mendonin më parë se ky vend nuk ka të ardhme, më thotë dhe ky burrë, që ka veshur rrobën e priftit. Është i paqëm dhe na ka pritur pak orë më parë në hyrje të manastirit. Është shtatlartë dhe i mbushur. Dhe, aq i mbushur sa është, më shumë i ngjan një prifti anglikan sesa të përkorëve të kishës ortodokse. Ka në vetëdije sikur është në një qendër peshkopate. Është shkolluar këtu, ndërsa ca kohë ka qenë dhe në Greqi. At Sokrati është krenar që është në këtë vend. Më shpjegon sesi e kanë dëmtuar në kohë të komunizmit, ndërsa gjen kohë edhe ti këshilloj të rinjtë, që futen të çrregullt në kishë. Është tejet i paqëm. Kisha e manastirit është vërtetë një nga shembujt më të mirë të kishave në formë kryqi me kupolë të variantit të përbërë, ku duhet thënë se veç katër kolonave të bërthamës qendrore të mbuluar me kupolë ka dhe një çift pilastrash, ku mbështetet ikonostasi, që ndan mjedisin e altarit… Naosi paraprihet nga narteksi në anën perëndimore dhe më tek nga eksonarteksi. Këtu në këtë vend, që duket se është shtuar kishës më vonë, kemi dhe fjalosjen e parë me priftin. Në murin ndarës të narteksit me naosin ruhet një fragment pikture murale, që paraqet familjen perandorake të Mihalit VII Paleologut me të birin Andronikun II dhe persona të tjerë. At Sokrati ma tregon me shumë krenari dhe nga kjo thotë mund të kuptosh edhe rëndësinë e këtij manastiri, thjesht një e tillë pikturë tregon rëndësinë e saj për Perandorinë e Bizantit…
At Sokrati më ka treguar se ku ka qenë në të vërtetë Shtyllasi.
Pastaj Shtyllasin e has në almanakët e kohës përmes historisë së 150 persona, nga Korça, familja Bazelli, Kapa, Baruti, nga Puka familja Miraka. Nga Shkodra familja Prenk Marku, e Brahim Hasanit e Kol Kuritit, nga Dibra, familja e Halil Nuzit, familja Papjani nga Fieri, Heqimi, Shani, nga Vlora Servet Peshkepia, Haki Shehu, Rexhep Muka, Ali Birçja, nga Skrapari familja Lamçe e Hoxha, familja Vernozi, e shumë të tjera, që u persekutuan.
…
Në Shqipëri, Jakovi, mik i ngushtë me Migjenin do të rikthehej në vitin 1939, pasi ishte diplomuar shkëlqyeshëm. Nga 12 shkurti deri më 12 prill 1943 punoi si Ministër i Bujqësisë dhe i Pyjeve në qeverinë e Bushatit. Donte reformë shqiptare dhe i kërkuan dorëheqjen. Shpëtoi, por pas Luftës e prisnin andrallat e vërteta. Më vitin 1945 u dënua me 15 vjet burg, prej të cilave disa vjet i kaloi me familjen i internuar në Shtyllas.
Me Tanin kam zbritur prej kohësh nga kodra e lartë…dhe tash i kam shpëtuar dhe përgjigjeve të pyetjeve të tjera trullosëse të tij. Nuk kanë fund… budallallëqet e tij, por tek e fundit Zoti kaq i ka dhënë. As më shumë dhe as më pak… Dhe me Vason ndahem. Qesh me shpirt, kur i tregoj për Tanin. Ke pasur fat, më thotë, askush nuk do të çonte veç tij. Por Tani është rehat mbijeton, ndërsa në fshat njerëzit sorrollaten kot. Banorët e sotëm të Shtyllasit mendojnë sesi do jetë dhe sesi do jetojnë…. Kjo është sfida e vërtetë e tyre…ajo e lëvizjes. Sepse në këtë ditë vere asgjë nuk lëviz këtu. Ikim sërish mbuluar me pluhur… por këtë herë në drejtim të Vlorës.
Shkrimi mbështetur te Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Shqipëria Turistike dhe të dhëna publicistike për familjet e internuara


29 Qershor 2008 @ 12:03 pm
29 Qershor 2008 @ 2:08 pm
Shtyllasi!Me ka cuar puna ne ate fshat(te internuarish!)si ne kohen para demokracise,ashtu dhe pas saj.Shkrimi per Shtyllasin nga autori eshte si”perciptas”jo se dyshoj per penen e tij,perkundrazi:kam respekt per te;por duke permendur Shtyllasin si vend internimi dhe duke nderkallur figuren e nje Intelektuali te Madh si Dr.Jakov Mile,them se me tej duhet te ndalej tek ky Persoanlitet i Madh Shkencor qe diktatura e percudnoi:jo vetem e futi ne burg,por edhe e denigroi duke e lene qe dhe ne moshe te vone,te bridhte me nje biroc sa ne nje sektor te fermes tek tjetri.Them keshtu se kam njohur personalisht te ndjerin Dr.Mile dhe,ndonjehere,tek klubi i Petrit Pukes ne Fier(pas demokracise),pija kafe me te.Ne Shtyllas,vec familjeve te siperme(permendur nga autori!),kane vuajtur kalvarin e mundimeve edhe inteketuale te njohur si Drita Kosturi(e fejuara e Qemal Stafes),dr.Astrit Delvina,nje nga shkrimtaret disidente,agronomi Sami Hysi(s’ka te bej me mua)se ka qene nga Bitincka e Korces e plot e plot te tjere.Sa per Dr.Jakov Milen,per te ka patur respekt nga kushdo,kurse Fieri e ka krenarine e qytetit dhe,kur vdiq,ja se cfare kam shkruar per te:
Jakov Mile-Njeriut,Shkenctarit
“Burimit,pa u thare,s’ia di njeri kimetin.”
Popullore e Lindjes
Eh,Dr.Jakovi,ike dhe na le
Ne nje dite te shenjte;shenjt ishe per ne.
Ku te shkeli kemba,rrezatove drite
Se e “vrisje”kohen neper diturite.
Lodhjen nuk e njihje;qejfet s’i njeh fare
Fryt i lodhjes tende qe”Rraca shqiptare” (1)
Dhe per gjithe mundimet shih se c’paradoks
Prangat neper duar,shkopinjte prapa kokes.
Pas kalvarit te burgut,vazhdoi internimi
Perbuzja e shtetareve per ty qe “shperblimi”
Mediokerit ne zyre,ti permbi biroc
Sec u bije fshatrave perpjete e teposhte
Gjithe qe te njihnin te jipnin urime
E sfidonin shettin me gjithe survejime
tek ecje ngadale,i lodhur nga jeta
Gjithe te pershendesnin:Dr.Tungjatjeta!
Fytyra rruar taze,rrezatonte drite
S’e dinim do ikje,papritur nje dite
Tek ti gjithe Fieri shihte nje Shenjtor
Ndaj doli te tha:Lamtumire,doktor!…
Shenim:Vdiq naten e vitit te ri 1997
1.Rraca Shqiptare-veper qe beri bum ne fushen e Antropologjise.
Shkruar me 2 janar 1997 dhe eshte perfshire ne librin tim”Rektimat e
dashurise”
29 Qershor 2008 @ 5:28 pm
Po more Papi po, por e keqja është se të gjitha kampet e vjetra të burgjeve dhe Shtyllasi dhe Adriatiku janë më të mbipopulluara se një herë e një kohë.
Nëse pranojmë sinqerisht që kanë qënë qëndra të ndrydhjes së lirisë nga më të prapambeturat në kohën e komunizmit…. më thuaj: Ç’i shtyn sot që të shkojnë e të banojnë në ish qelitë e burgjeve?
Jo, nuk e kam që këto pika kanë qënë “yje” atëhere, por e kam me nivelin e mjerimit që ka mbuluar ata njerëz… dhe kjo është për të vënë duart në kokë.
Nganjëherë mi “acaron” nervat Kotherja kur nevrikoset me këta të Mjaftit, por nëse s’do vazhdojnë të shikojnë përpara por do ngelen me “hartimet” e historisë jam i bindur që do ja u shpifin njerëzve më tepër se vetë antikomunizmi i Salës (që duke u përdorur gjithmonë si burim i të gjitha të këqijave nuk ju lënkërka të bëni përpar!!!!)
29 Qershor 2008 @ 5:42 pm
Ed mendoj se minimumi qe mund te behet perballe vuajtjesh e perçudnimesh te tilla komuniste eshte me duket “stare zitto”o no??
29 Qershor 2008 @ 6:38 pm
ZANA, MË DUKET SE NUK TA MOHOVA ATË VUAJTJE… Simbas teje kushtet që kishin të burgosurit e atëhershëm janë ëndërrat e atyre të mjerëve që banojnë sot atje???
PËR SOT MË FOL, dhe për këtë po flisja (se no, potevi anche risparmiare una ca22ata e non scrivevi)
29 Qershor 2008 @ 6:50 pm
Nuk mund ti ndash keshtu gjerat dje edhe sot!Esotmja vjen pas se djeshmes.E djeshmja i ka lene pa alternativa,te drojtur,drobitur e pa force reaguese…..I ka shkaterruar ne thelbin e tyre.Mund te mbijetonte ndonje si puna e Doktorit qe kishte kostitucion moral e kulturor te “llahtarshem”.Te vdekshmit normale ne kushte te tilla violence mbarojne …
29 Qershor 2008 @ 6:55 pm
E djeshmja i ka lene pa alternativa,te drojtur,drobitur e pa force reaguese…
dhe aspetativat e tyre nga demokracia ishin të siguronin një dhomë të mbyllur me batanie tek burgu i vjetër?????
Zana, këta që shkojnë dhe banojnë atje NUK JANË BURGAXHINJTË E VJETËR, dhe pikërisht në vëndin e tmerrit të djeshëm “shijojnë” lumturinë e fruteve të demokracisë… ma mi facia il piacere