Një kimist gjerman shpëton thesarin me foto nga Shqipëria e 1916

Admirina Peçi
MilosaO

Mund të kishte përfunduar në kazanët e plehrave. Një thesar i vërtetë! Një thesar trashëguar nga Maksimilian Lamberc, një ndër albanologët më të mëdhenj të botës gjermanishtfolëse. Një zotëri i moshuar, me profesion kimist, në pragun e fundit të jetës së tij, diku në Gjermaninë Lindore, një vit më parë po mendonte të shiste shtëpinë e tij. Detyrimisht, plaçkat e asaj shtëpie duheshin ngritur një nga një dhe se ai duhej të lirohej nga një pjesë e mirë e tyre. Por zotëria, e dinte se mes tyre kishte dhe një koleksion të pasur, një thesar që atij nuk i vlente për asgjë. Por e dinte se dikujt mund t’i ngjallnin interes. Në këtë rast mendoi albanologun Robert Elsie, i cili e njihte veprën dhe interesohej për gjithë gjurmët e Lambercit.
Elsie thotë se në maj të vitit 2006 u kontaktua nga ky zotëri që nuk e njihte. Ai i tha se në shtëpinë e tij kishte disa sende të trasheguara nga profesori Maksimilian Lamberc. “Më pyeti se kush mund të interesohej për këto sende. Përndyshe ai donte t’i flakte në plehra. Por kur u takuam disa javë më vonë në Bon, më shpjegoi gjithë historinë e atij koleksioni”.
Në fund të viteve dyzet, pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishte qenë djalë i vogël, ai kishte jetuar në një pallat me Lambercin në qytetin e Lajpcigut. Profesori Lamberc vetë nuk kishte fëmijë, kështu që u krijuan marrëdhënie të ngushta miqësore midis profesorit plak dhe këtij djali me familjen e tij. Edhe më vonë kur Lamberci, dekan në Universitetin e Lajpcigut, kishte marrë një vilë të bukur në një lagje të mirë të qytetit, dhe djali kishte ikur me familjen në një qytet tjetër, nuk u shkëputën lidhjet. Pas vdekjes se Lambercit në gusht të vitit 1963, gruaja austriake e profesorit, me të cilën duket se ai nuk kishte marrëdhënie të mira, u kthye në Vjenë, pa u interesuar shumë për trashëgiminë albanologjike të burrit të saj.
Rrethanat erdhën të tilla që djaloshi, dikur fqinji i Lambercit, ndihmoi në zbrazjen e vilës së albanologut dhe mori disa sende për vete. I ruajti për më shumë se dyzet vjet në shtëpi, si një fije që e lidhte me mikun e dikurshëm. Duke qenë se ai kishte punuar kimist dhe nuk kishte shumë njohuri as për Shqipërinë dhe as për albanologjinë, ai nuk u interesua për vlerën shkencore të trashëgimisë se Lambercit. Ai i mbajti sendet më shumë si kujtim për nder të profesorit të dashur, i cili kishte ndërhyrë për atë një herë kur kishte patur probleme me autoritetet komuniste të vendit.
Të dorëzosh një thesar
Tani, pas më shumë se 40 viteve, kimisti i moshuar, ishte në një takim me një tjetër albanolog, Robert Elsienë. Gjatë takimit me të, ai kishte sjellë sendet e mbetura të albanologut të madh, duke e falënderuar Elsienë përzemërsisht për gatishmërinë e tij për t’i pranuar. Po ndahej përgjithmonë nga ato relike që kishin fjetur në shtëpinë e tij prej dekadash të tëra, dhe e kishin shoqëruar përgjatë gjithë ndodhive të ditëve të tij.
Tashmë kërkonte vetëm një burim të sigurt, i cili ti çonte këto relike në “Unë e sigurova se isha tepër mirënjohës, madje i mahnitur për këtë dhuratë të çmuar. Për mua ishte vërtetë një thesar i madh”, thotë Elsie, ndërsa tregon se ndër sendet e ruajtura të Lambercit gjatë dyzet viteve ishin disa libra (botime origjinale të tij dhe disa libra latinisht), disa foto në letër të Lambercit, por në radhë të parë, një kuti e bukur prej druri. Kjo kuti përmbante një koleksion fotografish të vjetra, gjithsej 45 diapozitiva prej xhami.
“Kur u ktheva në shtëpi, e hapa kutinë me shumë kujdes dhe pashë se ishin fotografi origjinale të bëra nga Lamberci gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më herët. Për këtë koleksion kisha dëgjuar një herë para shumë viteve, por me sa di unë, askush nuk e kishte parë gjatë dyzet viteve. Në një anë të kutisë kishte dhjetë diapozitivë të fshatrave arbëreshe nga viti 1913. Dihet se atë vit, mu para fillimit të Luftës se Madhe, Lamberci qëndroi në Italinë e Jugut për studime gjuhësore, kryesisht në Molize dhe në Abrucet”.
Fotot e rralla
Fotografitë tregojnë fshatarë arbëreshë - burra, gra dhe fëmijë - në rrugë të fshatrave dhe para kishave dhe shtëpive të tyre. Disa persona janë veshur me veshje të kohës, por ka edhe disa poza të bukura më veshje tradicionale arbëreshe. Pjesa dërrmuese e diapozitivave janë fotografi origjinale që Lamberci i ka bërë gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në verë të vitit 1916, kryesisht në Mirditë. Janë fotografi të pejsazheve të Mirditës dhe të Shqipërisë se Veriut, të mirditorëve, dhe të fshatrave dhe ndërtesave të tyre në mes të Luftës së Parë Botërore. Elsie thotë se ka edhe një fotografi të bukur të Tiranës dhe se për identifikimin e fotografive të koleksionit, ekziston një raport me shkrim të Lambercit për udhëtimin e tij në Mirditë në atë vit. Ky shkrim, me titullin “Raport mbi studimet e mia gjuhësore në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” u botua gjermanisht në gazetën e Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, po në vitin 1916.
Lamberci në Shqipëri
Në maj dhe qershor të vitit 1916, Maks Lamberc udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike. Gjatë këtij udhëtimi ai kaloi në Grudë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, në luginën e Kirit, Shosh, Shalë, në luginat e Drinit dhe të Valbonës, dhe në veçanti në Mirditë ku qëndroi shumë kohë duke studiuar dialektin dhe duke mbledhur material folklorik. Në dhjetor të vitit 1916 u kthye përsëri në Shqipëri, kësaj radhe me trupat austro-hungareze të cilët kishin pushtuar zona të gjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, dhe u ngarkuar me mbikëqyrjen e shkollave në zonën austro-hungareze. Ishte gjithashtu anëtar i Komisisë Letrare Shqype të ngritur nga autoritetet austro-hungareze për të vendosur një normë letrare dhe një drejtshkrim standard për gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të Shkodër, ai bashkëpunoi më Gjergj Fishtën në redaksinë e gazetës së përdyjavshme Posta e Shqypnies (1916-1918), në të cilën botoi disa artikuj. Materiali i tij folklorik u paraqit gjermanisht për herë të parë në vëllimin Volkspoesie der Albaner: eine einführende Studie (Poezia popullore e shqiptarëve: një studim hyrës), Sarajevë 1917. Lamberci u kthye në Austri pas Luftës së Parë Botërore dhe punoi mësues shkolle deri në vitin 1934. Gjatë asaj kohe ai vazhdoi të shkruante libra dhe artikuj për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht të folklorit. Lamberci e vizitoi sërish Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në 1957. Madje dhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe Paktit të Varshavës, ai refuzoi të shkëpuste lidhjet me Shqipërinë dhe mori pjesë në disa pritje të ambasadës shqiptare në Berlinin Lindor.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Dori thotë:

    8 October 2007 @ 3:35 pm

    Disa nga fotografitë mund të shikohen tek:
    http://lambertz.albanianphotography.net/

    Të tjera koleksione ndodhen këtu:
    http://www.albanianphotography.net/

    Me të vërtetë një thesar për ne. Faleminderit Dr. Elsie!

  2. blete thotë:

    9 October 2007 @ 10:21 pm

    teper interesante. flm dori per lidhjet gjithashtu.

  3. ilirhajdari thotë:

    5 December 2007 @ 8:42 pm

    Fate luftëtarësh që ranë në mbrojte të atdheut

    NJË “LETËR E DJEGUR” PËR LUFTËTARIN E SHQIPËRISË ETNIKE

    Varri i tij mbeti i hapur përplot gjashtëdhjetë vjetë. Ka mbetur peshojë e rëndë, vrragë në shpirtin e nënës Ajne që e kërkoi për tërë jetën birin e saj. ”E kam pasë djalë azgan”, thoshte ajo, ndërsa kur bënte be thoshte: “Pasha bjeshkën ku m’ka metë djali”. Kjo bjeshkë e tmerrshme, si hije e zezë apo si mallkim, athua si do të jetë përfytyruar në shpirtin e sytë e nënës Ajne?!…

    Nga Ilir Hajdari

    Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, solli në pushtet komunistët dhe lavdinë e tyre vëllazërim-bashkimiane, titoiste etj., ndërsa të tjerët, shqiptarë patriotë, që kishin qëllim prej zemre e mendje të shëndoshë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, u lanë në harresë. Dëshmitë për ata njerëz që ranë në altarin e lirisë, kanë ardhur të zbehta pas më shumë se gjashtë dekadash. Vijnë disi të mjegullta ato ngjarje të lavdishme të historisë sonë, të asaj historie, heronjtë e së cilës deshën ta bënin Shqipërinë. Ata u persekutuan, u dënuan e të tjerëve iu mohua sakrifica e bërë për atdhe, thënë shkurt u anatemuan nga sistemi komunist, sistem i cili solli ricopëtimin e krahinave shqiptare.
    Një “epitet” i mohimit për sakrficën ndaj atdheut si “dekoratë”, dekada me radhë iu nda edhe luftëtarit Hajdar Jupë Hajdari nga fshati Bec, komuna e Gjakovës, ku, për plot gjashtëdhjetë vjet u la në harresë, pa titull si dëshmor i kombit, pa merita për sakrificën, ndërsa për familjarët asnjë përgjigje për humbjen e birit të tyre.
    Nga të dhënat e familjarëve, mësojmë se Hajdar Jupa u lind në fshatin Bec në vitin 1915. Si djali më i madh i Jupë Hajdarit dhe i nënës Ajne ai u kalit me traditën dhe idetë përparimtare nga gjiu i kësaj familje. Gjyshi i tij, Hajdar Kameri, ka qenë burrë me zë në këto anë. Kulla e tij është djegur disa herë nga armiqtë e vendit. Bajram Jupa (1930), vëllau më i vogël i Hajdarit, shpalos kujtimet e dëgjuara nga të tjerët për gjyshin e tij. “Babgjyshi, qysh thojke baba, ka liftue kunraj turkijes. Asht kanë i varruem. A kanë trim i madh e s’ju ka trem syni. Kur asht majt ni mledhje n’Junik me udhëheqësat e atëhershëm, asht kanë edhe babgjyshi aty. Gjithkah asht shku për me i nimu vatanit. Emni i tij asht i shkruem n’derë t’Stamollit. Edhe kisha e Becit asht maru prej gurëve që i ka sjellë për ndërtimin e xhamisë, po nuk e di se pse u maru kisha e jo xhamija. Kjo ka ndodhë në kohën e austro-hungarisë”.
    Si fëmijë Hajdari kishte përjetuar rëndë plagët e të jatit nga plumbat e pushtuesve. Babai i Hajdarit, Dërvish Jupa, nga këto përplasje me armikun kishte marrë 36 plagë në trupin e tij. Bajram Jupa kujton momentet se si në odën e burrave vinin njerëz me nam në këto anë si: Qel Shabani, Maxhun Nimani, Mehmet e Adem Aga nga Rashkoci etj. “Ata vishin n’kullen tonë se e nishin veten ma t’sigurt edhe se baba asht kanë trim i madh. Kush nuk ka mujt me ia ba fjalen dysh. Për të njajtën ditë asht ba myhyb edhe dervish, baba. Ksisoji rrallë ka bo vaki naj kund”, rrëfen në mënyrë modeste plaku, Bajrami, i cili mezi mundohet të kujtojë ato ngjarje të shkuara.
    Kulla e familjes së Jupë Hajdarit ishte halë në sy për armikun. Disa herë është bastisur shtëpia dhe janë maltretuar djemtë, me pretekst se në këtë kullë ka kriminel të strehuar dhe në kërkim të armëve. Në masakrën e prillit të vitit 1941, në Bec, ku serbët vranë mbi 20 vetë, gra fëmijë e pleq, dhe ku kishin djegur e plaçkitur mbarë katundin, gjyshja e Hajdarit, Shake Gashja, kishte qënduar në oborr duke e parë shtëpinë tek po digjej, ndësa familjarët e tjerë të kullës kishin braktisur katundin dhe kishin ikur kush kah të munden për t’iu shpëtuar masakrave serbe. Për gjyshën e Hajdarit thonë se ka qenë me nam. “N’shone rrugën se po vjen Shake Gashja”, kujton Zizë Sadikja (bijë e Zhrellës), bashkëshortja e Hajdar Jupës, këtë moment interesant kur ajo shkonte nëpër dasme e konagjeqe e kah mos me kali e me kobure n’shokë.
    Fillim vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjejnë Hajdar Jupën të angazhuar si vepimtar e bashkëpunëtor i organizatës Balli Kombëtar. Në këtë fomacion bënin pjesë edhe burra e trima të tjerë nga Beci: Musë Sadiku, Dërvish Myrta, Din Mehmeti, Fazli Azllani, Dulë Sadiku, Prekë Shabani, Mëhill Ndou, Ukë Sokoli, Rrustem Delia, Ali Binaku, Isuf Musa, Fazli Ahmeti, Dervish Isufi, Rexhep Zeneli, Ramë Isufi, Bajram Musa etj.
    Zizë Sadikja, e cila është martuar në moshën 19 vjeçe me Hajdarin, kujton momentet kur kanë jetuar sëbashku me bashkëshortin e saj. “Kemi jetu vetëm pesë vjetë me burrin. Djalin e kam pasë 4 vjeç kur Hajdari ka marrë rrugën për në luftë. Ai asht kanë SS me uniformë të gjermanëve. Ma s’pari asht kanë n’kazemen e Pejes. Aty ka nejt nja ni gjys viti. Asht ardh nja dy her me na pa n’shpi. Uniforma e tij asht kanë e verdhë. Pushkë e allti i mante me veti. Shoqni ma t’madhe ka pasë me Halil Dulën e Zhdrell’s. Me ta (Halilin) janë kanë n’ kazerm t’Gjakovës. Mas gjasht muajsh që ka nejt n’Pejë ka ardh në kazermën e Gjakovës. Hasani (vëllau i dytë me radhë i Hajdarit) ia qojke bukën mëngjes për mëngjes n’kazerm. Rrugën e bajke herë me kali e herë me kamë. Ni ditë kur Hasani ia qon bukën, nuk e gjeti aty. E kishin pasë qu për në Pej”. Për këtë moment të transfeimit nga kazerma e Gjakovës në atë të Pejës, ka treguar Halil Dula, i cili atë natë kishte ikur nga kazerma dhe, sikurse tregon ai, e kishte lutur Hajdarin që të ikte edhe ai, por ky nuk kishte pranuar të bënte një veprim të tillë. Nëna Zizë rrëfën në vazhdim se si nga kazerma e Pejës e kishin dërguar në kufirin me Malin e Zi. “Prej Pejës e kanë qu në front kah Cërna Gorja, qysh thojshin. Kalun do kohë e na e prunë “letren e djegun””, shpalosë kujtimet e atyre viteve të vështira, plaka e urtë dhe e fortë, e cila jetoi që ta rrisë të vetmin djalë, Selimin, e tani i përkundë fëmijët e nipit e të mbesës.
    Ruke Hajdari (vjeç, 70), motra e Hajdar Jupës, evokon kujtimet e nënës së saj. “Vëllau i jem e ka pasë armën ma të randë e me rrethatore anemanë gjoksit. Nëpër tana luftat që janë ba atë kohë, qysh thojke nana jeme, ai asht kanë në vijën e parë të frontit, sepse asht kanë i zoti. Ka mytë shkije sa ka mujtë derisa ju kanë hargju krejtë fyshekët. Aty ka mbetë i vramë”. Një bashkëluftëtarë i Hajdar Jupës, Zymer Luma nga Cërmjani (tani i ndjerë), i cili kishte qenë në ato beteja të ashpra thotë se: “Kur jemi tërhjekur nga pozicionet tona të frontit e kam parë Hajdarin të vrarë bashkë me shumë të tjerë. Aty i kemi lënë të gjithë të vrarët dhe nuk jemi kthyer kurrë më që ti varrosim”. Në këtë luftë, që u zhvillua në vitin 1943-944 në Shekullar, kanë marrë pjesë tre batalione dhe njësi tjera civile të organizuar për mbrojtjen e kufirit shqiptar nga depërtimi i çetnikëve serbë në Kosovë. Bajram Jupa thotë se batalioni SS gjerman i Gjakovës, në të cilin bënte pjesë Hajdari, ka qenë duke marshuar përgjatë një lugine në mes bjeshkëve. Në ecje e sipër, ky batalion është ra në pritë nga komunistët çetnikë serbë e malazez me ç’rast është gri po thuajse i tëri. Për këtë dhe beteja të tjera të ngjashme, ingjinier Xhafer Deva do të shkruante më vonë: “Mal më bëhej zemra kur shikoja ata shqiptarë që lëshoheshin drejt vekjes me aq dashuri, sikur të shkonin në dasmë”.
    Pas vrasjes së Hajdarit, shtëpia e Jupë Hajdarit ka qenë halë në sytë e komunistëve. Është bastisur disa herë gjatë luftës dhe pas saj. “Cetniktë erdhen edhe i morën djemtë, Hasanin edhe Zymerin dhe nuk e dijë se kah dojshin me i qu. Nana Ajne e n’shoj qenin dhe vrapoj mbas djemve që t’i ndalte. Nga shtëpia e deri mi Vojsa, ka shku pas djemve derisa i ka kthy në shtëpi”, tregon Bajram Jupa, i cili kujton se në atë kohë edhe vëllai tjetër, i treti me radhë, Hyseni, kishte qenë ushtar i patizanëve, në të njëjtën qetë ku bënte pjesë edhe heroina Ganimete Tëbeshi.
    Vrasja e Hajdar Jupës ishte një nga atao vrasjet e shumta që kanë ndodhur ndër shekuj te shqiptarët, për ruajtjen e atdheut, për të mos e koritur bajrakun, familjen dhe vetveten. Ai ra dëshmorë pa e tradhtuar atdheun, shokët, pushkën, betimin që e kishte dhënë para flamurit, ku e kishte veshur unifomën e ushtarakut për t’i shërbyer qoftë edhe një ditë të vetme atdheut e po qe nevoja edhe të vdiset pë të në fushën e nderit, që armiqtë e vendit të mos e zaptojnë tokën arbërore. I frymëzuar deri në dhembje, poeti i madh At Fishta do të shkuante kohë më pëpara: “Më mirë dekun e n’dhe me kja, se pë t’gjallë me mbetë nën shkja”.
    Pra, Hajdar Jupa, tama si në vagjet e Fishtës, pranoi që të vdiste më përpara se të jetonte i gjallë nën robërinë e Serbisë fashiste. Varri i tij mbeti i hapur përplot gjashtëdhjetë vjetë. Ka mbetur peshojë e rëndë, vrragë në shpirtin e nënës Ajne që e kërkoi për tërë jetën birin e saj. ”E kam pasë djalë azgan”, thoshte ajo, ndërsa kur bënte be thoshte: “Pasha bjeshkën ku m’ka metë djali”. Kjo bjeshkë e tmerrshme, si hije e zezë apo si mallkim, athua si do të jetë përfytyruar në shpirtin e sytë e nënës Ajne?!… Deri vonë e kanë pritur se ai do të kthehet. Nuk kanë besuar se është vra. Babai i tij, Dërvish Jupa, e ka kërkuar gjithandej qoftë edhe varrin e tij, por më kot. Mbeti vetëm krenaria bashkë me dhembjen. Te shokët mbeti shembull se si duhet të vdiset për atdheun. Gjaku i tij u bë fryt i vazhdimësisë së luftës për liri, ndërsa varri i tij gjurmë e pashlyer në ndërgjegjen historike.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com