Nga 26 shtatori, prenotim me telefon për vizitat në spital (QSU)

Gazeta Panorama
 
 
Dokumentet për të bërë një vizitë në spital
 
 
 
Zirina Llambro
 
Pas datës 26 shtator, çdo pacient përpara se të kryejë një konsultë, apo vizitë në spitalin “Nënë Tereza” duhet të prenotojë me telefon ditën, orën dhe mjekun me të cilin dëshiron ta kryejë vizitën.

Rregullorja e re që pritet të vihet në zbatim duket se do t’i japë fund amullisë dhe turmave të pacientëve që mësyjnë në QSU, që në orët e para të mëngjesit. Ndonëse është prezantuar rreth tre muaj më parë do të duhen edhe dy javë që gjithçka të jetë gati për këtë mënyrë të re organizimi. Për çdo shërbim të QSU është vënë në dispozicion një numër telefoni, i cili do t’u vijë në ndihmë qytetarëve me të gjithë informacionin e nevojshëm. Madje, në këta numra nëse qytetarët dëshirojnë, mund të lënë orar edhe për konsultat private, të cilat do të kryhen dy herë në javë nga shefat e shërbimit. Konsultat do të zhvillohen nga ora 8:00 deri në 16:00 nga mjekë të caktuar për çdo shërbim, sipas një grafiku të caktuar nga vetë ata. “Kjo do të jetë e përditshme, po natyrisht pa neglizhuar pacientët e shtruar, pasi ata janë primarë për spitalin, domethënë pavarësisht zhvillimit të konsultave në pavijon do të ketë gjithnjë mjekë në dispozicion të të sëmurëve”, tha dje drejtori i QSU, Paskal Cullufi. Lidhur me konsultat private, drejtori sqaroi se ato do të zhvillohen vetëm gjatë orëve të pasdites dhe gjithnjë duke respektuar një raport rigoroz, krahasuar me numrin e konsultave publike.

Dokumentet e nevojshme
Tre dokumentet e nevojshme që çdo pacient duhet të ketë me vete kur paraqitet në spital janë; një dokument i identifikimi, libreza e sigurimeve shëndetësore dhe epikriza (raporti mjekësor i mjekut të rrethit). Nëse do të mungojë qoftë edhe njëri prej këtyre dokumenteve, konsulta do të kryhet me pagesë. Gjithashtu do të paguhet edhe për konsultat e pacientëve që nuk respektojnë sistemin e referimit, pra që u mungon rekomandimi i mjekut të familjes. Konsultat do të organizohen në disa ambiente të veçanta, sipas grupeve të specialiteteve. Pra çdo specialitet do të këtë ambientet përkatëse, që do të jenë të pajisura me gjithçka që duhet për të zhvilluar një aktivitet normal. Sipas drejtorit të spitalit, Paskal Cullufi, ky sistem i ri do të bëjë që pacientët të shpëtojnë nga radhët e gjata torturuese pranë dyerve të mjekëve.

 

Reagon drejtori: Shefat e pezulluar deri në zgjedhjet e reja
“Dekani i Mjekësisë ka shkelur ligjin, jo QSU”

Dekanit të fakultetit të Mjekësisë, Kristo Pano, ka disa muaj që i ka mbaruar mandati dhe deklaratat e tij për pezullimet nga puna të dy shefave janë të pabazuara, madje në emërimin e shefave është ai që ka kryer disa shkelje. Drejtori i qendrës spitalore universitare, Paskal Cullufi, është shprehur dje tepër i indinjuar lidhur me këtë reagime, duke i cilësuar si të pamenduara mirë. “Së pari asnjëherë nuk është folur për shkarkime, por për pezullime deri në zgjedhjet e reja, që do të thotë se shefat e pezulluar mund të jenë sërish kandidatë për postet e lëna, nëse do të plotësojnë kriteret”, tha Cullufi. Sipas tij, nëse do të vazhdonin të ishin shefa shërbimesh, duke qenë edhe posedues të klinikave private, do të ishin shkelës të statutit për të cilin është përgjegjës drejtoria e QSUT-së. Shefat që i kanë zëvendësuar janë të komanduar deri në zgjedhjet e reja, domethënë jo të emëruar. “Së dyti drejtoria e QSUT-së i kërkoi dekanatit disa muaj më parë miratimin e dy shefave të rinj të Nefrologjisë dhe Gastrohepatologjisë, përkatësisht të profesorëve Nestor Thereska dhe Jovan Basho, për të cilët nuk mori miratimin e dekanit, sipas justifikimit të tij se tashmë ndodhej jashtë mandatit (zgjedhjet në fakultete duhet të zhvilloheshin në mars)”, theksoi Cullufi. Ai sqaroi gjithashtu se shefat aktualë të QSUT-së, të emëruar sipas ligjit të vjetër të Arsimit të Lartë, ku emërimet bëheshin nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë me miratim të drejtorit të QSUT-së, nuk janë të miratuar nga ish-drejtori Mihal Tase dhe megjithatë vazhdojnë të jenë shefa shërbimi. “Pra, po t’u referohesh dokumenteve rezulton se është dekani i fakultetit ai që ka shkelur ligjin dhe jo drejtoria”, u shpreh drejtori i QSU. Ai shtoi se në këto raste nuk duhet harruar se bëhet fjalë për emërime definitive dhe jo komandime, si në rastet për të cilat akuzohet drejtoria e QSUT-së.

 

Nr. e telefonit per pacientet

Specialitet Nr. Tel.

Pediatria 349-441 ose 349-436
Patologjia 349-503 ose 349-504 ose 349-523
Kirurgjia 349-352 ose 349-545
Spitali francez 349-293 ose 349-546
Onkologjiku 349-252
Neurokirurgjia 349-246
Neurologjia 349-244
Psikiatria 349-542
Infektivi 349-544

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. eT thotë:

    23 September 2007 @ 11:44 am

    kështu u tha dhe vjet.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com