Ndotja rritet nga viti në vit
Gazeta Shqip
Ministria e Xhuvelit nuk realizon asnjë projekt për përmirësimin e gjendjes
Projektet afatshkurtra për shtimin e sipërfaqes së gjelbër, uljen e ndotjes apo sigurimin e qytetarëve për një shëndet të mirë, nuk kanë bërë asnjë hap përpara, por shumë hapa pas. Ajri gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit jo vetëm që është ndotur edhe më shumë, por është bërë edhe me “imunitet”. Askush, e aq më pak Ministria e Mjedisit, nuk ka arritur të ndërmarrë projekte, strategji, plane afatmesme apo afatgjata për të përmirësuar situatën, apo për t‘i shpallur “luftë” ndotjes. Duke nisur që nga vitet 1990, 1997 e deri në 2007, sasia e pluhurit që thithim, personat që humbin jetën në këto kushte dhe zonat me blozën më të lartë, çdo vit vijnë drejt rritjes, pavarësisht se alarmi i zonave të “kuqe” ka të paktën tri vite që është ndezur. Të gjitha këto përfundime janë dhënë nga Instituti i Shëndetit Publik gjatë raporteve të detajuara çdo vit, vetëm për cilësinë e ajrit në vendin tonë. Sipas tri monitorimeve të fundit të ajrit nga ISHP, vetëm dy qytete rezultojnë në nivele disi normale për sa i takon ndotjes: Korça dhe Vlora. Por edhe këto qytete, po të kalojnë në “lupën” e ekzaminimeve, do të dilnin me probleme të tjera mjedisore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Një prej tyre është edhe problemi i radonit, ose siç quhet ndryshe gazi radioaktiv, i cili i ka rrënjët nëntokë. Në raportin e 2004-ës ISHP-ja ka raportuar se “qyteti i Korçës rezulton me rrezikshmëri të mesme radoni në tokë. Vilat dhe banesat tipike korçare me dysheme dërrase kanë aktivitet të ngritur të përqendrimit të radonit, në raste të caktuara arrijnë deri në nivele të larta”. Por para se të shkohet te përmirësimi dhe marrja e masave për të tilla probleme, specialistët kanë sugjeruar që puna duhet të niste nga fillimi, nga ajri. Vit pas viti rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, apo të specialistëve të Shëndetit Publik, kanë qenë kontrollimi i mjediseve, informimi i publikut, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, kontrolli i materialeve të ndërtimit, apo marrja e masave urgjente për zonat problematike që e kalojnë shkallën e ndotjes disa herë mbi normalen. Konkretisht, në vitin 2004, ISHP thotë se “Tirana vazhdon të jetë në krye për keq, me një tejkalim mesatar prej rreth dy herësh, ku pika e ‘21 Dhjetorit‘ konsiderohet e rrezikshme për shëndetin e njerëzve, me tejkalim të rendit mbi 6-7 herë”. Në vitin 2005 raporti i monitorimit të ajrit thotë se “konstatohet që mbi 80-90 për qind e popullatës urbane në qytetet kryesore të vendit është e ekspozuar ndaj përqendrimeve të grimcave të imta shumë më të larta se normat e lejuara”.
Në vitin 2006 situata rëndohet edhe më shumë, duke kaluar vlerat e 6, 7 apo 8 herë më të ndotura se normalja. Në ekspertizën e OBSH-së në 2006 thuhet: “Shqiptarët vetëm nga pluhuri humbasin nga 1,5 deri në 2 vite jetë”.
Edhe për 2006-ën Tirana vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit, pasi në disa zona niveli i ndotjes të pluhurave është 10 herë mbi normat e BE-së.
Por këtë herë, sipas ISHP-së, nuk rritet vetëm ndotja, por edhe zonat e konsideruara me rrezik shumë të lartë. Sipas monitorimit të ajrit të 2006-ës, nuk është vërejtur asnjë përmirësim i cilësisë së ajrit. Madje specialistët raportuan se zonës së “21 Dhjetorit”, si pika më e ndotur në Tiranë, tashmë i është shtuar edhe zona te “Zogu i Zi”. Pika më e ndotur nga grimcat e imëta (PM10), sipas monitorimit, ka rezultuar te “21 Dhjetori” me 445 mg/m3. Shifër kjo marramendëse dhe tepër shqetësuese, pasi duke ditur që normat e BE-së janë 50 mg/m3, janë kaluar këto norma në 395 mg/m3. Pas “21 Dhjetorit” dhe “Zogut të Zi”, për nivelin e ndotjes radhitet qendra e Tiranës, me 129 mg/m3. Edhe në këtë pikë, gjatë 4 viteve të fundit, niveli i ndotjes sipas monitorimit ka ardhur gjithnjë në rritje. Më pas vjen “Pazari i Ri”, Liceu Artistik, kryqëzimet apo rrugët parësore. Duke “deleguar” përgjegjësinë për sipërfaqet e gjelbra nga Ministria e Mjedisit në bashki, mbetet për t‘u analizuar pjesa tjetër e fajit. Kjo do të thotë se kjo ministri u detyrohet të gjithë taksapaguesve të paktën monitorimin e zbatimit të ligjit për materialet e ndërtimit që vijnë në Shqipëri, për cilësinë e karburanteve që prodhohen dhe importohen, si dhe kontrollin teknik të automjeteve. Çdo vit në vendin tonë vdesin rreth 150 qytetarë, si pasojë e ndotjes së ajrit, ndërkohë që pjesa tjetër thith rreth 40 kilogramë pluhur për 365 ditë të vitit.

9 November 2007 @ 11:08 am
Megjithese eshte tmerresisht shqetesuese te lexosh artikuj te tille, ju pergezoj qe e trajtoni kete problem kaq te rendesishem.