Identifikohu



Regjistrohu

Myslimanët dhe e djathta evropiane

Tim Winter*

Antisemitizmi është një shfytyrim i hershëm evropian, riparimi i të cilit ka hyrë tashmë në një proces. Kështu, temat e “kërcënimit çifut”, apo “ndotjes çifute” nuk janë më të pranueshme në rrethet e kulturuara. Megjithatë Evropa nuk i ka dhënë ende fund një tjetër përmase të shovinizmit të vet historik, i cili vetëm këto kohët e fundit mori një emër: Islamofobi. Me termin islamofobi unë kërkoj të kuptoj kundërshtinë emocionale ndaj Fesë Islame si tërësi, më tepër se thjesht kundërshti të disa shfaqjeve të skajshme (ekstreme) të saj. Apo më dobishëm mund ta përkufizonim islamofobinë si një paragjykim, sipas të cilit ekstremet e fesë kanë një status normativ në të. Nëse ky do të ishte përkufizimi, atëherë Evropa dukshëm vetë, mezi sa ka nisur të pastrojë ndërgjegjen; megjithë ndryshimet e mirëpritura në qëndrimet e të krishterëve ndaj “jobesimtarëve”, nga vetë kishat kanë dalë edhe zëra të intolerancës. Në Itali, peshkopi i Bolonjës bëri thirrje për mbyllje të xhamive të vendit dhe për një ndalim të hyrjes së muslimanëve, të cilët janë, siç ai beson, “janë jashtë (llojit të) njerëzimit tonë.”

Në Kamçatka, në cepin fundor të ngulimeve evropiane, një peshkop ortodoks ka mbështetur zërat për ndalimin e ndërtimit të një xhamie nga bashkësia e madhe e muslimanëve të zonës. Xhamia do të ishte “një fyerje e drejtpërdrejtë e ndjenjave fetare dhe qytetare të popullsisë sllave”, citohet prej kundërshtuesve të vet të ketë thënë peshkopi, si edhe do të nxiste emigrim të mëtejshëm muslimanësh, pas të cilit “ata nuk do të na linin të jetonim normalisht këtu, po të kesh parasysh se çfarë mendje kanë”…

Zëvendësuesi i ri i antisemitizmit është gjithashtu në rritje në ish-rajonet e kulturës naziste. Në Austri, Partia a Lirisë, (deri dje) në pushtet, nuk duket më pak dyshuese përsa i përket pranisë muslimane. “Fundamentalizmi në rritje i Islamit radikal, i cili po depërton Evropën”, shpall kjo parti, “po kërcënon konsensusin e vlerave tona, i cili është në rrezik të humbasë”. Larg të shërbyerit si forcues të fibrit moral të Evropës, pushtuesit e rinj turq bëjnë pjesë në një proces relativizmi, i cili pretendohet se po kërcënon Austrinë e krishterë me konfiskimin e identitetit të saj dhe me një katastrofë sociale. Siç shpjegon Partia e Lirisë, nuk është raca, por kultura, e rrjedhimisht feja ajo që përcakton përkatësi të ligjshme. E prandaj “Partia e Lirisë” e sheh veten si një partner ideal i kishave të krishtera”

Edhe pse shumë prej klerit vendor e kanë denoncuar ashpër, partia tërheq një të tretën e votuesve të kësaj demokracie katolike të qëndrueshme dhe të begatë, dhe me ç’po shihet, kjo mund të përparojë edhe më. Pakicat thjesht mund të shpresojnë se Jorge Haider gabon kur deklaron: “Partia e Lirisë nuk është pasardhësja e Partisë Nacional-socialiste (nazistët). Nëse do të ishte kështu, ne do të fitonim me një shumicë absolute.”

Midis kësaj atmosfere përditë e më të nxehtë ndjenjash antimuslimane, një zë i arsyeshëm konradian formësohet prej prozatorit katolik Jacques Neirynck. Romani i tij “Le Siege de Bruxelles” (“Rrethimi i Brukselit”), përshkruan kryeqytetin belg në vitin 2007. Në këtë ëndërr të keqe për një të ardhme të afërt evropiane, krishterimi zyrtar është shndërruar në një fantazmë, me katedralet e veta të reduktuara në rolin e muzeumeve, ku mesha kremtohet veç për të kënaqur kureshtjen e turistëve nga lindja e argët. Kardinali-kryepeshkop mban llagapin fe-tallës “Absenca e Plotë”, ndërsa teologjia e tij ultraliberale, e ethshme për t’iu bërë qejfin të gjitha palëve, tregohet e pazonja të mobilizojë rezistencën e krishterë ndaj shovinizmit të ri flamand. Në të ardhmen sipas Neirynck-ut, triumfi i të Djathtës së Re ka ligjëruar hapjen e kampeve të përqendrimit dhe përzënien e bashkësive hebreje e muslimane nga vendi, të cilave u është dhënë një afat 24 orësh për t’u mbartur me gjithë plaçka drejt jugut, në rresht për një. Kjo është një përplasje fetare, e po ashtu kulturore, nën parullën kryqtare “Dieu le veut” (Kështu do Zoti), e bekuar nga një “ringritje kulturore dhe fetare”, e cila parapëlqen kryqëtoren (crucifix) janseniste, Jezusi i të cilës është varur kaq poshtë, saqë krahët e tij duken të përqafojnë vetëm një pakicë të zgjedhur. Priftërinj nacionalistë bëjnë thirrje për “goditje kirurgjikale për të këputur tumorin”, dhe kështu bekojnë rrethimin dhe bombardimin e getos muslimane, ndërkaq që Brukseli shndërrohet ngadalë në një Sarajevë të dytë. Drama përfundon me një kundërsulm musliman për të çliruar kampin e përqendrimit, gjë që shkakton edhe arratinë në panik të milicive flamande, e kështu zbulon edhe brishtësinë që fshihet pas axhendës së të djathtës ekstreme. Fabula e Neirynck-ut duket alarmante dhe e ndërkryer. Por është e pamohueshme se e djathta ekstreme po fiton përditë terren në Belgjikë, ku emigrantët turq dhe afrikano-veriorë, të cilëve u bashkohet dhe një komunitet i konsiderueshëm të konvertuarish vendas, përbëjnë një poligon emocional për pasiguritë e belgëve të të gjitha shtresave, të irrituar nga papunësia, globalizimi, korrupsioni politik dhe nga portreti i Tjetrit Jokristian. E përshkruar nga Stefan Fisher i kolegjit Nuffield të Oksfordit si “haptazi më racistja dhe ksenofobja e gjithë partive të ekstremit të djathtë në Evropën perëndimore”, Vlaams-Blok, partia më e spikatur nacionaliste flamande është rritur nga 1.3% elektorat të fituar në zgjedhjet e 1984, në 14.% në 1999, duke u bërë kështu partia më e madhe flamande në Bruksel, dhe gjithashtu në Antverp, ku mban edhe drejtimin e pushtetit vendor. Politikanët e Vlaams-Blok-ut nuk kanë rendur që t’i veçojnë muslimanët si rrezikun e ri. Filip De Winter, ish-udhëheqës i partisë, ka bërë thirrje për “mbyllje hermetike” të kufijve të Belgjikës dhe ka paralajmëruar “rikthimin e të gjithë emigrantëve, pa përjashtim, drejt vendeve të tyre të origjinës”. Kjo do të arrihet me privimin hap pas hapi prej ndihmave shtetërore dhe prej të drejtës së qytetarisë, dhe me krijimin të zonave të posaçme për emigrantët, nëpër qytete që duhet të përmirësonin më tej nivelet e survejimit. Islami vetë do të duhej ndaluar “sepse kjo fe është anti-belge dhe anti-evropiane”, është shprehur ai.

Deri në çastin e vrasjes së tij në maj 2002 prej një fanatiku të të drejtave të kafshëve, popullariteti në rritje i politikanit të së djathtës ekstreme Pim Fortuyn, i çonte mornicat popullsisë së fortë prej gjysëm milioni muslimanësh të Hollandës. Në votimet e marsit, 3% e votuesve në Roterdam, braktisën liberalizmin tradicional hollandez, për të votuar z. Pim Fortuyn, duke e shpënë kështu Hollandën paralel me vende të tjera evropiane ku furtunat anti-muslimane kanë ringjallur flakët e tendencave neo-fashiste, përgjithësisht të fjetura që prej uftës së Dytë Botërore. Pikëpamjet fetare të Fortuyn-it janë detajuar në librin e tij “Kundër islamizimit të kulturës sonë”, botuar më 1997 për të kremtuar ditëlindjen e pesëdhjetë të Izraelit. Ai besonte se Islami, jo si krishterimi, besimin në të cilin e mirëafishonte, ishte një “kulturë e prapambetur”, me një koncept të paarrirë për Zotin dhe një urrejtje të brendashkruar ndaj kulturës evropiane. Ai bënte thirrje për një frenim masiv të emigrimit të muslimanëve dhe për një këmbëngulje më të madhe në traditat e krishtera të Hollandës. Si një aktivist tepër i njohur homoseksual, Fortuyn gjithashtu dënonte kundërshtimin e Islamit për martesat brenda të njëjtës gjini. Popullariteti i Fortuyn mendohej të ishte më i fortë në votues që kanë simpati të fortë për Izraelin, që kundërshtojnë një integrim më të thellë evropian dhe që kërkojnë një rishikim të ligjeve për emigrim dhe strehim, që do të mund të përjashtojë nga përfitimi njerëzit me background kulturor musliman. Eshtë kjo një listë idesh që po studiohet me kujdes nga aparatçikë në partitë më tradicionale, të alarmuar nga fakti se një anketë e kohëve të fundit realizuar midis hollandezëve të moshave 18-30 vjeç, tregon se më se gjysma e tyre dëshiron të shohë “emigrim musliman zero”. Edgar van oken, i Qendrës së Emigrantëve në Amsterdam, beson se edhe partitë “e pranuara si normale” (mainstream), kanë nisur të marrin parasysh adaptimin e formulës së Fortyun-it. “Problemi i vërtetë është se edhe parti të tjera politike kanë nisur ta shohin strategjinë e z. Fortuyn si votë-prurëse dhe kështu mund të fillojnë ta ndjekin atë.” Kriza erdhi në një kohë veçanërisht të ndjeshme për Hollandën. Në 16 prill i gjithë kabineti qeveritar dha dorëheqje pas publikimit të një raporti të Kombeve të Bashkuara lidhur me sjelljen e paqeruajtësve holandezë në enklavën e rrethuar boshnjake të Srebrenicës, verën e vitit 1995. Hetuesit vazhdimisht kishin bërë me dije se trupat holandeze, shumë prej tyre të rekrutuar në zona urbane me prezencë të fortë neofashistësh, ishin ideologjikisht anti-muslimanë. Në Norvegji, zgjedhjet e vitit 1997 njohën du-kjen e papritur të formacionit anti-emigrant Partia e Progresit të Karl Hagen-it, e cila tashmë zë 25 prej 165 vendeve të parlamentit. Ngjashëm me grupin e Hagen-it shfaqet edhe Partia e Popullit të Zvicrës, e cila udhëheq 22.% të votave popullore në atë vend dhe është krahasuar gjerësisht me partinë e Jorge Haider-it, që prej 1999 në koalicionin qeverisës. Në Danimarkë, grupi ultranacionalist DPP, me rritjen e tij tepër të shpejtë, është bërë partia e tretë më popullore, duke përfituar nga përhapja e madhe e mospëlqimit ndaj muslimanëve. Tepër popullorçe, udhëheqësja-amvisë e kësaj partie, Pia Kiaerssgaard, kundërshton hyrjen në Eurozonë, proteston ndaj “spekulimeve me sigurimet shoqërore”, dhe është gjithashtu e famshme për papërmbajtjen e saj kundër Islamit. “Unë mendoj se muslimanët janë një problem”- thotë ajo në një intervistë të këtyre ditëve. “Është problem të kesh kaq shumë muslimanë në një vend të krishterë.” Në Britani, e njëjta prirje mund të hetohet dukshëm në zmadhimin këto kohë të Partisë Kombëtare Britanike. Titulluar “Islami: Një Kërcënim për ne të gjithë”, është një deklaratë e përbashkët e Partisë Kombëtare Britanike, sikhëve dhe hindusëve.” Një kasetë e shpërndarë nga kjo parti, përshkruan qëllimin e vet si “një përpjekje e përbashkët për të denoncuar dhe për t’i bërë ballë agresionit të brendashkruar të ideologjisë imperialiste të Islamit.” Krejt si edhe në rastin e aleatëve të saj kontinentalë, PKB po fiton popullaritet, duke braktisur fjalorin racist, duke u përpjekur kështu të sajojë partneritete tek aziatikët dhe të zinjtë jomuslimanë. Rezultati i kësaj shihet në dokumente të tillë si ai i tetorit 2001, “Suplementi anti-Islam” i buletinit “Identitet” të PKB, i cili përfundonte me thirrjen: “Bashkohuni me kryqëzatën tonë!” Kryetari i partisë, Nik Griffin, çapitet më tej me diskutime të tilla si “Përbindëshi islamik”, apo “Kryqëzata e re për mbijetesën e Perëndimit”.

Në korrik të 2001, Griffin me kokërruarit e vet kapën 16% të votave në West Oldham; kuota më e lartë arritur në votime prej ndonjë force ekstremiste në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë fashizmi britanik mbetet më pak popullori sesa shumica e homologëve të vet evropianë. Një çështje kjo për t’u marrë parasysh pa dyshim, ndërkaq që bashkësitë muslimane përgatisin përgjigjen e tyre ndaj pjesëmarrjes në rritje të Britanisë në skemat e integrimit evropian, në kuadrin e një mundësie afatgjatë për një shtet evropian federal.

Po ofroj si përfundim, një shembull edhe më drastik për të treguar se qëndrime të tilla nuk gjenden më nëpër qoshe, por kanë depërtuar për t’u bërë gjithnjë e më të pranueshme dhe kanë kontribuar kështu për formësimin e një politike të caktuar me rezultate shpesh shkatërrimtare. Me shpërthimin e luftës në Bosnjë, revista gjermane “Der Spiegel” u mësonte lexuesve se “Së shpejti Evropa mund të shohë një shtet teokratik fanatik brenda dyerve të saj.” (Bëhet fjalë për rastin nëse alternativa e Izetbegoviçit do të qeveriste.) Komentatori politik amerikan influent R.D. Kaplan, tepër i admiruar prej Bill Clinton-it, mendonte se “një perde kulturore po zbret mbi Bosnje për të zëvendësuar murin e Berlinit; një perde ndarëse midis botës islame dhe asaj të krishterë.”

E megjithatë, ata që kanë udhëtuar përmes kësaj perdeje, nuk munden vetëm se të dëshmojnë se po ndodhte krejt e kundërta e asaj që u shërbehej. Duke iu larguar klishesë, në këtë rast situatës ku një krishterim paqësor dhe pluralist po përplaset me një Islam totalitarist dhe luftarak, konflikti i Bosnjës, megjithë kompleksitetin, përgjithësisht paraqiti pamjen e një komuniteti musliman paqësor në vetëmbrojtje, që përpiqej për vizionin e një shoqërie multietnike, kundër një agresori të vendosur për të mirëmbajtur higjenën etnike të krishterimit lokal.

Në Bosnjë stereotipet u përkëmbyen kaq saktësisht, sa u duk se nuk do të funksiononin më përveçse në formën e tyre të re. Këtu të krishterët ishin “barbarët orientalë” dhe muslimanët përfaqësonin “idealin evropian” të demokracisë parlamentare dhe të bashkëjetesës.
Po kështu u sfiduan edhe stereotipat sipas të cilave feja ishte një element i papërfillshëm në peizazhin e shekullarizuar të Jugosllavisë pas-titiste. Presidenti boshnjak ishte një musliman xhamie, i burgosur për bindjet e tij gjatë pushtetit të komunistëve. Hierarkia fetare muslimane ishte e vendosur në mbështetjen e vet për një shtet boshnjak të integruar e multietnik. Të rreshtuar kundër, ishin gjithë forcat e të djathtës së krishterë vendore, ndërkaq që Sinodi Ortodoks Grek i akordonte nderimin e vet më të lartë, Urdhrin e Shën Denisit të Ksantës, udhëheqësit radikal serb, Radovan Karaxhiç. Duke anash-hedhur verdiktin e njëzëshëm të agjensive për të drejtat e njeriut, sinodi grek dukshëm nuk provonte ndonjë siklet për ta quajtur me brohori atë si “një nga më të shquarit bij të zotit tonë Jezu Krisht, një punëtor i paqes.” Siç nënvizon edhe historiani Michael Sells: “Dhuna në Bosnjë ishte një gjenocid fetar, parë kjo nga një sërë aspektesh. Kështu njerëzit që u masakruan zgjidheshin sipas identitetit fetar; masakruesit vepronin me bekimin dhe mbështetjen e prijësve të kishave të krishtera. Dhuna i kishte rrënjët në një mitologji fetare, e cila i portretizonte viktimat si tradhtarë të racës dhe e paraqiste shfarosjen e tyre si akt të shenjtë. Ata që e kryen gjithë këtë dhunë, ishin të mbrojtur nga një politikë e hartuar nga politikë-bërës të botës perëndimore, e cila kulturalisht dominohet nga krishterimi.”

Konflikti boshnjak imponoi një rrokullisje kaq të patolerueshme stereotipash, saqë Krishterimi Latin u duk i paralizuar në diskutimet e veta të guximshme përmbi Një Shtëpi të Përbashkët Evropiane. Një Luftë e Shenjtë bizantine figuronte tashmë në hartën e vet kulturore, por sigurisht, nuk bëhej fjalë që të krishterë të mund të pikturoheshin si barbarë orientalë. E së këndejmi
nis edhe retorika e islamofobisë dhe e fantazmës kërcënuese të një Islami të esencializuar, totalitar; retorikë që do të bllokonte gjithë kancelaritë. Ashtu si në vitet ’30, paragjykimet dhe impotenca kulturore po i shtronin rrugën gjenocidit. Poeti skocez Aonghas Macneacail, e ndryu këtë retorikë të heshtur në një metaforë të pamëshirshme, pa doreza.

Megjithëse nje përbindësh gjendet pas teje e të përgjak me goditje (ndërsa ne vrojtojmë). Ndonëse ai do të ta shqisë gruan përmidis ai është përbindëshi ynë. Ndihmë? Sikur të mundnim nuk është gjaky yt, as punërat e tua por zemra jote kun e shohim një ferrë të huaj- e gjitha ç\’nuk deklarojmë.

Macneacail e përshkruan çetnikun si “përbindëshi ynë”, ndërkaq që Islamin, armikun e Evropës, si ”ferrë të huaj” tek “zemra jote”. Kryerabini britanik Jonathan Sacks, jo më pak ashpër do të thoshte: “Gati një gjysëm shekulli pas Holokaustit, në një Evropë e cila ka zëvendësuar fjalën Judenrein (pastruar prej çifutëve) me togfjalëshin njëlloj të neveritshëm “spastrim etnik”, a mundemi vallë të mos pyesim veten: Vallë gabuam kur thamë- Kurrë më? Ka kaq shumë paralele midis atmosferës së sotme në Evropë dhe asaj të para njëqind vjetëve, e ne kemi kaq shumë dije për të mos u shqetësuar dot për fillin që lidh natyrshëm urrejtjet me holokaustin”.

Komentuesi i shquar i Holo-kaustit dhe specialist i shkencave politike Richard Rubinstein, ishte i revoltuar mjaft, kur shkruante artikullin e titulluar ” Partnerë të heshtur të spastrimit etnik: OKB, BE, NATO.” Duke pasur parasysh nivelin e tij të lartë në studimet mbi Holokaustin, e po kështu duke pasur parasysh mospëlqimin e njohur të njerëzve të kësaj disipline për të mos lejuar përfshirjen nën termin Holokaust të ndonjë akti tjetër të dënimit kolektiv, duhet ta marrim me një seriozitet tragjedie cilësimin e këtij specialisti, kur thotë se Islami tashmë ka zënë vendin e pavolitshëm që ka pasur Judaizmi dikur në Evropë.

Edhe vetë fajtorët do ta bëjnë këtë paralelizëm. Ish-komandanti i kampit të përqendrimit në Omarska, ku gjetën vdekjen disa mijëra civilë muslimanë, rikujtonte sa më poshtë:

“Ne e dinim shumë mirë se ç’ndodhi në Aushvic apo Dakau, dhe e dinim shumë mirë si nisi dhe si përfundoi. Ajo ç’ka bëmë ishte e njëjtë me Aushvicin apo Dakaun, por ishte një gabim. Planifikuam të ishte thjesht një kamp, por jo një kamp përqendrimi. Nuk mund ta shpjegoj dot sesi ngjarjet na dolën nga kontrolli.”

Një musliman boshnjak e për-forcon këtë krahasim:

“Tashmë ne jemi hebrenjtë, ne muslimanët e Banja Lukës. I shoh miqtë e mi të rreshtuar në stacionet e autobusëve aty ku flitet për një mundësi ikjeje, dhe mendoj se kështu ishte edhe në vitet ’40. Por pamjet janë me ngjyra tashmë dhe nuk bëhet fjalë për hebrenjtë, po për ne.”

Edhe më shumë mund të thuhej, por dëshiroj ta mbyll me kaq. Eshtë e vështirë të mohosh se pikëpamjet e zakonshme të evropianëve për muslimanët janë goxha më kërcënuese sesa bashkësia që ata përshkruajnë. Kështu je i detyruar të respektosh pesimizmin e shumë muslimanëve evropianë, të kërcënuar siç janë nga ky antisemitizëm i ri, të cilin, për të qenë të sinqertë, mazhoranca e bardhë e krishterë ka dështuar ta vërë re siç duhet. Gjithsesi, përfundimet që unë nxjerr janë të një optimizmi të rezervuar. Romani i Neirynck-ut supozon se zelltarët e tij flamandë gjunjëzohen jo nga një fuqi superiore, por thjesht nga realiteti i një bote multikulturore, logjika e së cilës përfundimisht ia ka ndaluar vetes shpërbërjen. Nëse anglishtja dhe arabishtja do të jenë gjuhët e Brukselit në mijëvjeçarin e ri, aq më mirë. Historia rrallë është e mëshirshme ndaj nostalgjisë. Fashistët e Neirynck-ut ngjajnë me relikte të një epoke arkaike të esencializmit evropian dhe kumari i tyre politik është një hedhje e fundit zarash, ndërsa ata vetë heshturazi pranojnë, bile dhe gjatë çastit jetëshkurtër të lavdisë së tyre, se nuk mund të ketë më rikthim përfundimtar në një demografi njëngjyrëshe në këtë globalizim botëror të pandalshëm, apo se nuk mund të ketë rikthim në një jansenizëm politik, me ekskluzivizmin e vet teologjik të papranueshëm. Kishat e damkosura nga John Cornwell në librin e tij tronditës “Hitler’s Pope” (“Papa i Hitlerit”), tashmë në shumicën e tyre kanë përqafuar qëndrime përfshirëse ndaj feve jo të krishtera.

Muslimanët, jo vetëm prej optimizmit tim për triumfin e pritshëm të ortodoksisë muslimane mbi ekstremizmin, nevojitet ta marrin seriozisht bindjen e Neirynck-ut, se ndërsa një lloj krishterimi është pjesë e problemit, gjendet një lloj tjetër, i cili mund të jetë pjesë e zgjidhjes, për të mbështetur bashkëjetesën në një botë, e cila kurrë më tepër se sot nuk ka pasur nevojë për një tolerancë të bazuar në shenjtërinë.

-*TimWinter eshte kapelan ne fakultetin e Camnbridge ne Angli.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

21 Komente »

  1. Qafir Arnaut thotë:

    11 Nëntor 2007 @ 10:30 pm

    Eshtë e vështirë të mohosh se pikëpamjet e zakonshme të evropianëve për muslimanët janë goxha më kërcënuese sesa bashkësia që ata përshkruajnë.

    Kur europiani mendon ‘mysliman’ ka parasysh njerezit tribale te Indive britanike (Pakistanit), dhe Arabet e Magrebit. Keta njerez, nuk kane qene ne gjendje te krijojne nje identitet lokal (psh si Shqiptaret) dhe keshtu qe u mvishet emri ‘mysliman’. Rrjedhimisht nuk kemi te bejme me ‘anti-islamizem’ per se.

  2. qoftelargu thotë:

    12 Nëntor 2007 @ 5:06 am

    Problemi qendron tek cfare eshte trasheguar nga Jezusi dhe Muhameti,i pari u be profet nga miresite e bera dhe i dyti u be nga shpata

  3. DefensorDeLaPaz Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 Nëntor 2007 @ 9:43 pm

    Në Kamçatka, në cepin fundor të ngulimeve evropiane, një peshkop ortodoks ka mbështetur zërat për ndalimin e ndërtimit të një xhamie nga bashkësia e madhe e muslimanëve të zonës. Xhamia do të ishte “një fyerje e drejtpërdrejtë e ndjenjave fetare dhe qytetare të popullsisë sllave”, citohet prej kundërshtuesve të vet të ketë thënë peshkopi,

    Paj, nuk eshte edhe per tu cuditur; ne radhen e ketyre peshkopeve Sllave kemi edhe Shqiptar te mjer (si keta dy me lart). :)

    E djathta, qoft ajo Evropiane apo Amerikane, nepermjet radiove dhe televizioneve te tyre sherbejn per ta perhapur idene se Zoti e do Izraelin e fuqishem ushtarakisht dhe nuk ka tjeter alternative. Cdo Mysliman, qoft ai Shqiptar me “indentitet” apo Arab i Magrebit, konsiderohet pengese i ketij procesi. Per ate nuk asht cudi kur Pat Robertson-i bashkpunon me gjakpiresin Shqiptar, Popin Artemije, per te xhiruar propagande kunder panvarsise se Kosoves apo sic pretendojne ata, Kalifatit Ballkanik.

    Link

    Link

    Djathtistet fetar jane me fundamentalistet ne bote, ani pse pretendojne t’ia lejn kilen Muslimaneve te Lindjes se Afert. Per fat te keq, neglizhenca qe na ka kapluar neve Shqiptareve nuk na lejon per ta trajtuar kete ringjallje te fundamentalizmit ungjillor sepse per momentin jemi t’zene me “vehabit” apo sic thot nji mik, kalorsine donkishotiane; sepse ne me te vertet luftojm me mullinjte e eres.

    p.s. Keta fundamentalist posedojne miliona dollaresh dhe udhetojne vend’m'vend te kamufluar nen prefiksin “shoqata humanitare”. Lemoshat qe jane dhene per kishen sivjet, per qellime te misonarizmit, kane arritur me shume se 1 miliard; prandaj kujdes Kosovareve pasi qe Shqiperia krodhi ne detin e tyre cysh moti.

  4. Qafir Arnaut thotë:

    12 Nëntor 2007 @ 10:15 pm

    Defensor, ja ke fut kot plako. Une te pakten nuk jam i rradhitur me peshkopet sllave, te cilet i konsideroj po aq te padeshirueshem sa Magrebinet dhe Pakit.

  5. lumidrin thotë:

    12 Nëntor 2007 @ 10:49 pm

    Rast i veçante ai ne Trento.

  6. DefensorDeLaPaz Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 Nëntor 2007 @ 11:53 pm

    Aiii, na fale atehere; ju grindanjozet Mormon te pakten jeni t’dalluar pasi qe vajzat i keni xix te pashme. (:

    Kjo eshte esence e ketij problemi dhe e kesaj ceshtjeje. Bota jone eshte e vjeter dhe e gjere, Shqiptaret jane fare pak dhe cdohere na ngushtohet hapesira. Nuk kemi vend per Mormonet si ju, qe deshironi t’i mbjellni t’gjitha problemet e juaja n’emer tone.

  7. muslim thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 2:37 pm

    Perse nuk mundoheni qe te pakten te lexoni artikullin dhe te kuptoni thelbin e tij.Juve qe nuk e pelqeni ate a nuk po e shikoni se eshte nje artikulli i shkruar nga nje prej kapelaneve te Oksfordit?? Apo kur ju pelqen e shikoni dhe kur sju pelqen i vini vizen?!

  8. truealbo2006 Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 6:34 pm

    Krahasimi i Islamofobise me Antisemitizem eshte mese qesharake sepse hebrenjet dhe arabet jane semite qe te dy grupet. Andaj, fjalimi i njeriut nga Cambridge, gje qe per mua nuk do te thote asgje, eshte nje pershkrim i zbrazet me krahasime margjinale, krejtesisht jologjike te te llojit te saj.
    Nuk mund te krahasosh islamin me hebrenjet, sepse hebrenjet nuk e kercenuan Evropen nga shkaterrimi nga identiteti i saj, po thjeshte ata u bene nje pre ne gracen famekeqe fashiste qe ishte e uritur per pushtet totalitar ndaj popullit evropian.
    Nuk mund te sjellet apo shtrohet shembulli i Bosnjes per te shpjeguar Islamofobine, sepse, muslimanet e bosnjes ishin aty per me shekuj, e krijuan kulturen e tyre, shtetin e tyre, dhe ata u konvertuan ne muslimane gjate shekullit te 14-te.
    Pyetja qe duhet shtruar kesaj tematike eshte: Pse Islami nuk eshte i pranuar ne Evrope? Une e kuptoje shovinizmin e eger serb, por ai nuk ka te beje asgje me punet e fese, por thjeshte, punet e zgjerimit te territorit te tyre- ja edhe nje bire ta mbyllim para sa ti shtjelloje ca gjera per juve e gjitheve.
    Sot, ne evrope e kemi nje islam ekstrem ku e kercenon stabilitetin e shtetit te evropes ne pergjithesi. Dhuna, dhe jo casja e muslimaneve te azise per tu integruar ne evropen e civilizuar i ka sjellur te gjitha keto gjera. Muslimanet Aziatike nuk e kane per qellim te integrohen, por e kane per qellim marrjen dhe shkaterrimin e Evropes.Kjo tregon ne mosrespektimin e ligjit ne France, Angli, Gjermani e te tjera. Nese deshiron te jetosh ne nje vend te huaj, sigurisht qe ti duhet t’i respektosh ligjet e atij vendi. Mysafiri ne shtepine e te zotit nuk vjen per te bere ligje, se aty lufte mund te ndodh. Nje shprehje popullore: ” cdo njeri e ka te drejte ta mbroje pragun e shtepise se tij!”. Prandaj, sot ne e hasim nje shtresim te urrejtjes ndaj individeve te tille qe nuk i pranojne ligjet e vendeve Evropiane, por jetojne sipas ligjeve te Shariatit, dicka qe eshte nje kundershtim jo vetem me ligjet e Evropes, ligjet fetare, por edhe e prish ekuilibrin e cdo bashkejetese me vendasit e atij shteti. Evropa ka punuar shume per ta ndare shtetin nga kisha, dhe si e tille nuk do ta lejoje ne asnje menyre perfshirjen apo inflitrimin e fese Islame ne jeten publike te vendit. Evropianet jane po aq liberale, saqe nuk merziten kot se cfare zoti t’i adhuron. Por, toleranca dhe pajtimi i ka kufijet e tij. Dhe pikerisht islami aziatike i ka shterrur te gjitha keto kufizime, dhe si i tille sot eshte bere nje dukuri banale nder popujt evropiane. Eshte absurde te akuzohet populli evropian, per gjerat qe sot ndodhin nder islamin, sepse evropianet nuk i sollen keto gjera, por vete ideologjia e famekeqe e llojit terrorist nder islamistet radikale, e prishi bashkejetesen dhe paqen nderjmet emigranteve dhe vendaseve evropiane. Nuk eshte e mundur qe 2/3 e nje shteti te njihen si ateiste, dhe ta urrejne islamin ne te njejten kohe. Kjo nuk eshte teorike, por eshte e bazuar ne fakte me botekuptimin e plote te ceshjeve shoqerore qe sot ndodhin nder popujt evropiane.
    Tani behet pyetja, po shqiptaret muhamedane, a pranohen ne vendet evropiane?
    Cili njeri mund te thote se shqiptaret muhamedane sillen si muslimanet aziatike? E pranoj, se ka te tille, por ata jane shume te rralle.
    Une nuk kam asgje kunder fese islame, por ne pergjithesi, si shqiptar, kam konkluduar se feja e tille eshte jo evropiane. E papershtatshme per evropianet, dhe e papershtatshme per popullin shqiptar. Po te jetonim ne azi, atje diku ndermjet Iranit dhe Irakut, atehere ajo do te ishte nje ceshje tjeter, ndoshta me e nderlikuar. Por, sot duke i marrur parasysh te gjitha ndodhite e keqija dhe drejtimin qe e ka marre islami, me te verete, ai nuk do dhe nuk ka vend ne Evrope. Kjo eshte nje arsye shume e logjikshme qe shpjegon pushtimin e territorit shqiptare nga sllavet dhe greket. Dardania ka shumice muslimane, Ilirida ka shumice muslimane, Malcia shumice muslimane, Cameria shumice muslimane qe si rrjedhim tregon se Shqiperia nuk u copetua per t’i mbushur urine bishave sllave dhe greke, por thjesht Shqiperia u be viktime e ketyre bishave te cilat e shfrytezuan arsyetimin me argumentin se nje shqiperi me te gjitha keto territore do jete nje vend me shumice muslimane, nje gje qe Evropa nuk e deshiroi, nuk e deshiron, dhe nuk do ta deshiron.
    Andaj shqiptaret, duhet ta kuptojne se islami do te na sjelle vetem fatkeqesi, dhe liria jone do te mungoje pergjithemone. Mendoni ju se Greqia do te mund ta merrte Camerine, sikur camet te ishin Katolike apo Protestant? Jo. Asnjehere. Camet qene me shumice muslimane dhe nje pakice ishin ortodokse.
    Nderrimi i fese ne te krishtere (duhet te jete joortodoks) eshte mese i nevojshem per ta realizuar enderren tone shumeshekullore per nje shtet te lire etnik Shqiptar.Apo nese iu duket e veshtire atehere behuni ateiste apo agnociste, por ideologjia duhet te jete demokracia kapitaliste, edhe pse prap mendoj se kjo nuk do ta sjelle lirine e popullit shqiptare ne menyren sic deshirojme te gjithe ne.
    Ju faleminderit.

  9. shefi kuadrit Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:16 pm

    E lexova krejt artikullin dhe mi humbi 10 minuta. Problemi me artikuj te tille eshte se jane ta paballancuar, e shohin te keqen vetem ne nje ane dhe duke analizuar ne kete menyre ja humbin kredibilitetin llogjikes se shkrimit. Autori e sheh fajin tek evropianet a thua se evropianet pa arsye fare jane kthyer ne islamofobe, a thua se evropianet u zgjuan intransigjente nje dite te bukur dhe vendosen te jene armiqesore ndaj muslimaneve. Por shkaqet jane me serioze dhe reagimi evropian me duket me shume kunderveprim aktiv ndaj asaj qe evropa e percepton si imponim provincial, qasje e ashper teokratike qe bie ndesh me parimet e saja iluministe, sulm antisekularist dhe zhvendosje mbrapa ne evolucionin e shoqerise se saj demokratike sesa thjesht nje rracizem fetar.

  10. DefensorDeLaPaz Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:21 pm

    FSHIRE NGA ADMIN - Defensor, te lutem, merru me temen, dhe jo me biografine e komentuesve.

  11. truealbo2006 Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:30 pm

    O burre, populli i Ilirides nuk ka te beje asgje me kete teme. Nuk ka te beje asgje me Bordecin.
    Ata jane shqiptare si ne si te gjithe. Po ti, si duket nuk e kupton shqipen.
    Rrofte Populli Shqiptar i Ilirides, lavdi atyre deshmoreve.

  12. DefensorDeLaPaz Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:33 pm

    Faqja e pare ne librin e E.Sulstaroves, Arratisje Nga Lindja:

    Ontologjia ktrike e vetes sone ne asnje menyre nuk duhet konsideruar si teori a doktrine, as si nje trup i qnedrueshem i diturise qe shtohet; ajo duhet konsideruar si pikepamje, etos, jetes filozofike, ne te cilen kritika e asaj cfare jemi eshte njeherazu analiza historike e kufijve qe na jane imponuar dhe nje eksperiment me mundesine e te shkuarit pertej tyre.

    Mishel Fuko

  13. DefensorDeLaPaz Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:47 pm

    Me vie keq bre çunak qe je shume pak i informuar, gjegjesisht shume i keqinformuar. S’ta ze per te madhe. Ka edhe shume me te medhenj se ti qe pohojne keshtu. Kjo s’eshte shume per t’u habitur, sidomos kur posedojme me aq shume media “te pavarura”. Fale ketyre mediave po shihen edhe rezultatet.

    Tezen qe e mbroni ju, perpjeket te rikrijojoni dhe ngurtesoni indentitetin Shqiptare me ane te perdorimit te kundershtise Perendim-Lindje, e cila vetem deshmon ksenofobine e juaj me gjithcka qe levize nga Lindja, gjegjesisht fene Islame. Ju prireni drejt nji modeli shoqnor pa kurrefar ndikimi nga feja Islami, keshtu pohoni simbas shkrimeve, mirepo terreni ore cunak eshte krejt ndryshe nga salloni komod ne D.C. Per ate tentoni ta ndjekni realitetin se na late nam me pordh e piskamen e juaj.

  14. Qafir Arnaut thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:49 pm

    DefensorndelaGuerraFrija, ama me Enis Sulstaroven merresh ti? Arratisu djale dhe ti nga Lindja, se ngele prapa me gjithe mjekrrat e tjera. Nuk te themi te ecesh shume: thjesht bej nje hap qe te gjendesh ne nje territor asnjanes ku gjithekush e vesh fene si qyrk, e perdor per interes, e mjel si lope.

    hajt na ler rehat tani

  15. truealbo2006 Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:50 pm

    DefensorDeLapaz shkruan “shtë ambasador edhe më i keq kur don të na e mbushë mendjen me formulimin e tij të terrorizmit.”

    tani, ku them une se jam ambasador, po permendi ate fjale? Valle, a mund ta gjesh fjale terrorist ne referatin tim te pseudodrejtesise?

  16. Kuqo thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 7:55 pm

    Truealbo2006 thote::….

    Eshte absurde te akuzohet populli evropian, per gjerat qe sot ndodhin nder islamin, sepse evropianet nuk i sollen keto gjera, por vete ideologjia e famekeqe e llojit terrorist nder islamistet radikale, e prishi bashkejetesen dhe paqen nderjmet emigranteve dhe vendaseve evropiane.

    Shqiperia nuk u copetua per t’i mbushur urine bishave sllave dhe greke, por thjesht Shqiperia u be viktime e ketyre bishave te cilat e shfrytezuan arsyetimin me argumentin se nje shqiperi me te gjitha keto territore do jete nje vend me shumice muslimane, nje gje qe Evropa nuk e deshiroi, nuk e deshiron, dhe nuk do ta deshiron.

    a nuk te duket se ka nje kontradikte mes ketyre dy paragrafeve?

    Pergjithesisht une nuk mendoj se ekziston nje masterplan per islamizimin e Europes. Ne pretendime ideja se ekziston nje plan i tille duket pak a shume si Protokollet e te mencurve te Sionit. nje fallsifikim i perdorur nga te gjithe anti-semitet. Ata qe emigrojne sot ne Europe e bejne kete sepse duan nje jete me te mire, dhe jo per te ndryshuar fene e Europes.

    DefenseDeLaPaz…. Mishel Fuko… Nuk mund te diskutohet Fuko ne kete faqe!

  17. Qafir Arnaut thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 8:04 pm

    Kuqo tha:

    Pergjithesisht une nuk mendoj se ekziston nje masterplan per islamizimin e Europes

    Nuk ka masterplan eshte e vertete. Por demografia nuk ka nevoje per masterplan. Europianet , ne menyre qe te mbanin makinen prodhuese ne levizje, u detyruan te pranojne punonjes te huaj. Ne vend qe te ekzekutonin nje plan afat-gjate pergatitje per marrjen e milionave emigrante per te cilet kishin nevoje, elita Evropiane spekulloi duke pranuar pothuaj kedo qe mbiu ne dere. Per shkak te afersise gjeografike, super-pjellorise, dhe vendeve te origjines te gatshme per kriza, “dar-ul-Islami tashme eshte ofruesi kryesor i Evropianeve te rinj”,

    per me tej mund te informohesh per opinionin e Mark Steyn ketu
    http://www.peshkupauje.com/mark-steyn-europa-ka-marre-fund/2006/11/14/

  18. truealbo2006 Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Nëntor 2007 @ 8:06 pm

    Kuqo,
    Shiko, Shqiptaret jane po aq evropiane sa edhe evropiane te tjere. Shqiptaret e ritit musliman jane po aq te civilizuar sa edhe evropianet e tjeter. Por, evropianet nuk i shohen gjerat si ne. Ata i kane syte e tyre.

    Nuk shoh asgje kontraktirore sepse vete fakti qe nje artikull i tille lejohet te botohet ne peshku pa uje, tregon se kjo dicka ka lidhshmeri me popullin shqiptare. Hyrja e ketij blogu tregon se flitet per dicka per shqiptaret? Andaj nuk ka kjo dicka ne lidhje me shqiperine tone?

  19. Pjer Thomas thotë:

    14 Nëntor 2007 @ 10:09 pm

    Artikulli ishte interesant, veç une do te shtoja se europianet seç kane nje frike te pakuptim ndaj myslimanve te Azise dhe Afrikes se veriut. Ndihet ne fakt nje frike, e shprehur kjo dhe ne intervista apo ne bizeda me ne shqiptaret, nga vendasit. Megjithate , ne fund te fundit, europianet , vete i moren dhe i pranuan keta, nderkoh qe shqiptareve iua presin hovin e emigrimit, i diskreminojne dhe u sjellin lloj-lloj pengesash per çdo lloj dokumenti a proçedure.

  20. banago thotë:

    17 Nëntor 2007 @ 3:05 pm

    Z. Admin!

    Komenti i pare i Qafirarrnautit me duket paksa fyes. Ti si mendon?

  21. banago thotë:

    17 Nëntor 2007 @ 5:09 pm

    Me falni, i dyti.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.