Moisiu: Pse i ktheva “Gjobat”

Presidenti: “Ligji bie ndesh me nenin 11 të Kushtetutës”

BLEDAR HOTI
Panorama
Presidenti i vendit, Alfred Moisiu, mori vendimin për të rikthyer sërish në Parlament ligjin “Për gjobat”.

Kreu i shtetit ka bërë të ditur dje qëndrimin e tij për projektligjin aq shumë të debatuar kohët e fundit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8560, datë 22.12.1999 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”. Në një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit, duke iu referuar nenit 43, paragrafi 2 i këtij ligji ku thuhet se bizneset duhet të paguajnë 15% të gjobës para se t’i drejtohen gjykatës, kreu i shtetit vlerëson se ky nen bie ndesh me nenin 11 të Kushtetutës. “Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me disa dispozita kushtetuese. Konkretisht, me nenin 11, që lidhet me parimin se sistemi ekonomik në Republikën e Shqipërisë bazohet në ekonominë e tregut dhe se prona private mbrohet njëlloj me ligj; me nenin 42 që ka të bëjë me garantimin për të mos cenuar liritë dhe të drejtat e njohura në Kushtetutë pa një proces të rregullt ligjor; dhe së fundi, me nenin 81, i cili përcakton ligjet, miratimi i të cilave kërkon një shumicë të cilësuar”, thuhet në letrën që kreu i shtetit i ka drejtuar Kuvendit. Një tjetër arsye që Moisiu argumenton në letrën e tij drejtuar deputetëve është dhe parapagimi i gjobës. “Edhe pse në masën 15 për qind, padrejtësisht do ta vinte subjektin tatimor në vështirësi ekonomike, pasi në varësi të masës së gjobës dhe të fuqisë ekonomike, pagimi paraprak i gjobës mund të ndikojë drejtpërdrejtë dhe në vetë ekzistencën e subjektit tatimor. Kjo do të krijonte për momentin disekuilibër në rregullat e ekonomisë së tregut, duke krijuar situatë të panevojshme negative për subjekte të kësaj ekonomie”, citohet në letrën e Moisiut drejtuar deputetëve. Gjithashtu, arsyeja që kreu i shtetit ktheu këtë ligj lidhet dhe me dispozitën e nenit 43, paragrafi 2 i tij. “Kështu, neni 43, paragrafi 2 i ligjit ka këtë formulim: “Para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi. Shqyrtimi gjyqësor i çështjeve zhvillohet sipas një procedure gjyqësore të përshpejtuar, e cila nuk duhet t’i kalojë 60 ditë”, argumenton Moisiu.

Arsyet e kthimit të ligjit

Arsyeja e mosdekretimit lidhet me dispozitën e nenit 43, paragrafi 2 i tij. Kështu, neni 43, paragrafi 2 i ligjit ka këtë formulim: “Para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi. Shqyrtimi gjyqësor i çështjeve zhvillohet sipas një procedure gjyqësore të përshpejtuar, e cila nuk duhet t’i kalojë 60 ditë”.

Ky rregullim bie ndesh me disa dispozita kushtetuese. Konkretisht, me nenin 11, që lidhet me parimin se sistemi ekonomik në Republikën e Shqipërisë bazohet në ekonominë e tregut dhe se prona private mbrohet njëlloj me ligj.

Bie ndesh me nenin 42 të Kushtetutës, që ka të bëjë me garantimin për të mos cenuar liritë dhe të drejtat e njohura në Kushtetutë pa një proces të rregullt ligjor; dhe së fundi, me nenin 81, i cili përcakton ligjet, miratimi i të cilëve kërkon një shumicë të cilësuar.

Ligji nuk e ka bërë dot mirë dallimin mes detyrimit tatimor dhe dënimit administrativ, që vjen për shkak të shkeljes së ligjit të prezumuar për subjektin tatimor, për sa i përket detyrimit për parapagimin e tyre përpara fillimit të procedurave ankimore.

Gjoba prej 15% parapagim prish parimin e një procesi të rregullt ligjor. Individi detyrohet me ligj që të paguajë pjesërisht dënimin administrativ, i cili nuk është i njëjtë me detyrimin tatimor, përpara se ligjshmëria e këtij dënimi të verifikohet nga gjykata. Nëse do paguhet 15 për qind, 50 për qind apo 100 për qind, kjo është çështje konvencionale dhe vullneti, që mund të ndryshojë në çdo kohë në qoftë se do të pranohej që parapagimi paraprak i gjobës apo një pjese të saj nuk vjen në kundërshtim me Kushtetutën.

Ekzekutimi paraprak i dënimit administrativ, qoftë edhe i pjesshëm, shkel rregullat e një procesi të rregullt ligjor.
Së dyti, shkel rregullat e ekonomisë së tregut. Parapagimi i gjobës, edhe pse në masën 15 për qind, padrejtësisht, do ta vinte subjektin tatimor në vështirësi ekonomike, pasi në varësi të masës së gjobës dhe të fuqisë ekonomike, pagimi paraprak i gjobës mund të ndikojë drejtpërdrejtë dhe në vetë ekzistencën e subjektit tatimor.

Kompetenca
Presidenti kthen ligjin e radhës

Mes maxhorancës dhe presidentit prej kohësh ka pasur konflikte në lidhje me dekretimet e ligjeve, por dhe me vendimin e bujshëm për mosshkarkimin e kryeprokurorit, Theodhori Sollaku. Gjithashtu këtu përfshihet dhe ligji “Për urbanizmin dhe legalizimin e zonave informale”, si dhe ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Gjithashtu këtu përfshihet dhe akti normativ që ka të bëjë me “Urbanistikën”. Këto vendime dhe kthime ligjesh që janë cilësuar si pjesë e reformave acaruan së tepërmi marrëdhëniet mes kryeministrit, Sali Berisha dhe presidentit, Moisiu. Konflikti është shtrirë gjithashtu dhe me përfaqësuesit e tjerë të maxhorancës, si kryeparlamentarja Topalli, ministrat e tjerë të qeverisë.

Maxhorancës i duhen 71 vota të cilësuara për ta miratuar ligjin pas kthimit në Parlament nga Moisiu

Ligji i Gjobave, rrezikohet miratimi
PBDNJ e PDK paralajmërojnë votën kundër. Leskaj: Do votoj kundër

Ligji i Gjobave të biznesit rrezikon të mos miratohet për herë të dytë në Parlament, pas kthimit që i bëri dje presidenti, Alfred Moisiu.

Rrjedhja e vazhdueshme e votave në koalicionin e djathtë e bën të vështirë arritjen e numrit 71 në Kuvend. Sipas Kushtetutës, një ligj pasi rikthehet njëherë nga presidenti duhet të marrë të paktën 71 vota për t’u miratuar dhe për të hyrë në fuqi automatikisht. Aktualisht, Partia Demokratike ka vetëm 53 vota në radhët e grupit të saj parlamentar, pas deklarimit si deputet i pavarur i Gilman Bakallit. Por, edhe këto vota nuk janë të sigurta për demokratët, nëse do të kihet parasysh mënyra se si u diskutua ligji në grupin parlamentar dhe votimi në orët e vona të 16 prillit. Kështu, gjatë diskutimit kundër këtij projektligji doli deputeti i Durrësit, Sami Gjergji, ndërsa deputeti, Preç Zogaj, propozoi ngritjen e një gjykate që do të merret vetëm me trajtimin e çështjeve të biznesit. Ndërkohë në votimin në Parlament kundër ligjit votoi ish-ministri i Turizmit, Bujar Leskaj. I kontaktuar nga gazeta, Leskaj u shpreh se “gjatë rikthimit të ligjit në Parlament do të votoj si herën e parë”. Megjithëse nuk e shprehu hapur, kundër këtij ligji ishte edhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, teksa mungesa e tij gjatë diskutimit të ligjit në Parlament dhe debatet me kryeministrin Berisha e çuan atë deri në dorëheqje të parevokueshme nga posti i shefit të diplomacisë. Por, pas rikthimit të këtij ligji nga ana e kreut të shtetit, kryeministri Berisha duhet të nisë sërish negociatat me aleatët për të mos rrezikuar dështimin e tij në parlament. Kështu demokristianët ende nuk kanë marrë një vendim se si do të votojnë pas rikthimit të ligjit në Parlament. Kryetari i grupit të deputetëve demokristianë, Nikollë Lesi, i kontaktuar dje nga gazeta u shpreh se do të jetë pikërisht grupi parlamentar ai që do të vendosë. Pak ditë më parë, Lesi u shpreh se do të votojë kundër këtij ligji nëse ai do të rikthehej në Kuvend nga ana e kreut të shtetit. Gjatë momentit të diskutimit në prill të këtij ligji, kryeministrit Berisha iu desh të bënte një kompromis në orët e vona me PDK-në për uljen e nivelit të gjobës nga 25 në 10% për të marrë tetë votat e kësaj partie. Ndërkohë, demokratët nuk kanë të sigurta edhe tre votat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të cilët nuk kanë vendosur ende se si do të votojnë në Parlament. Gjatë votimit për herë të parë të projektligjit, tre deputetët e PBDNJ-së votuan kundër tij. Ndërkohë, vota të sigurta për demokratët janë 11 të Partisë Republikane, 2 të Agrares, 2 të Partisë Demokrate të Re dhe 1 votë e Arjan Starovës.

Rusmali: Nuk ka arsye kushtetuese

Pas rikthimit të ligjit në Parlament nga ana e presidentit Moisiu, për maxhorancën reagoi dje ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali. Duke folur gjatë një konference për shtyp, ai u shpreh se me gjithë arsyetimet e kreut të shtetit, nuk ka asnjë motiv kushtetues për ta rikthyer ligjin e Gjobave në Parlament. “Ushtrimi i kompetencës për të vendosur veton ndaj një projektligji është e parashikuar në Kushtetutë, por besoj nga njohja që kam me procedurën nuk ka asnjë lloj motivi kushtetues për ushtrimin e kësaj vetoje. Megjithatë, kjo është zgjedhja e Presidentit të Republikës”, u shpreh Rusmali.

Votat e të djathtëve

Vota pro ligjit
PD 51
PR 11
PDR 2
PAA 2
PBLD 1

Të pavendosur
PDK 8
PBDNJ 3

Kundër ligjit
Spartak Ngjela
Gilman Bakalli
Bujar Leskaj

Szekely : Të ruhet e drejta e ankimimit
Ligji, FMN: Mbështesim iniciativat e qeverisë

Ligji i Gjobave ndaj biznesit ka marrë edhe OK nga ndërkombëtarët. Gjatë një deklarate për mediat, István P. Székely, shef misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë është shprehur se mbështet çdo iniciativë të qeverisë në luftën kundër informalitetit. “Shqipëria ndodhet në një situatë problematike për sa i përket mbledhjes së të ardhurave dhe ky ishte edhe një nga faktorët që ndikoi në ndërmarrjen e këtij hapi nga ana e qeverisë” tha ai. Sipas shefit të misionit të FMN-së, duhet të ruhet e drejta e ankimimit. Deklarata e shefit të misionit të FMN-së vjen një ditë pas mosdekretimit të këtij ligji nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Në këtë pikë, ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh se kjo është një e drejtë e presidentit, që kur gjen arsye ligjore për të kthyer ligje në Parlament, për të verifikuar bazueshmërinë ligjore të akteve të nxjerra, t’ia kthejë dhe t’ia adresojë Kuvendit. “Por në fakt, ky ligj në përmasa të tjera dhe në detyrimin për parapagim 100% deri në 5 fish të gjobës është dekretuar një herë nga presidenti dhe është votuar një herë nga Kuvendi në vitin 1999 dhe ka po ashtu një interpretim të Gjykatës Kushtetuese që e konsideron atë kushtetues dhe në përputhje me Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, ka thënë ministri. Sipas tij, ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 prill 2003. Por sipas ministrit kjo është një çështje që i takon presidentit dhe Kuvendit dhe nuk ka të bëjë me qeverinë. Një tjetër nismë e qeverisë që mori OK nga ndërkombëtarët ishte edhe vendimi i qeverisë “Për përcaktimin e pagës referuese”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Klodi thotë:

    10 May 2007 @ 1:26 am

    anti kushtetues?
    absurde!!!!
    ishte me shum antikushtetuese heqja e kostove rimbushese te telefonave celular ne itali sesa lgji i gjobave ne shqiperi , por ne itali nuk nuk e ngriti zerin njeri sepse kete e donte edhe populli . Pikerisht populli eshte qe fle gjum ne shqiperi!!!
    -Sigurisht qe Opozita do e kundershtonte sepse eshte opozite
    -Sigurisht qe Leskaj nuk do e votonte sepse ju hoq karrikja
    -Sigurisht qe ngjela do e kundershtonte sepse e ka me Berishen
    -Sigurisht qe presidenti do e kthente sepse ka mbeshtetjen e ketyre me lart
    …..ndersa nderkombetaret nuk na duheshin kete radhe , ato na dhen per taksen e sheshte , ketu po qe do ja degjojme zerin.
    ……..sa mbrapa qe do mbetemi!

  2. elbasani thotë:

    10 May 2007 @ 1:51 am

    klodi po si eshte e mundur qe kete ligj nuk e donte njeri dhe juristet mendojne qe ky ligj eshte antikushtetues dhe ketu ka njerez qe mendojne qe e kane me berishen….per te qeshur…..po si thua ti paguaj nje here gjoben qe ta ve une sa dua pastaj bej ricorso per ta hequr…..kjo eshte antikushtetuese dhe se luan topi……si te me bllokosh ti mua parate e biznesit….dmth ti shteti me con ne falimentim….
    marrim nje shembull….une te kam inat ty biznesmen, te ve gjobe te majme edhe pse ti je ne rregull atehere ti je i detyruar te me paguash gjoben, te bllokosh aktivitetin, te humbesh kompetivitetin etj etj dhe pastaj te preses gjer sa te te japin te drejte…..

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com