Mjekët në QSUT: Do marrim bakshishe se kemi paga qesharake

Pagat e mjekëve janë qesharake ndaj dhe ryshfetet do të vazhdojnë të jenë evidente. Kështu, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare nuk kanë ngurruar të pranojnë në mënyrë të hapur se pranojnë bakshishe.

Eglantina Bardhi (Shekulli)

Sat, 12 Jul 2008 08:56:00

Kirurgët e QSUT-së pohojnë se janë viktima të sistemit shëndetësor njësoj si pacientët. Të bëhen reforma të thella

Pagat e mjekëve janë qesharake ndaj dhe ryshfetet do të vazhdojnë të jenë evidente. Kështu, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare nuk kanë ngurruar të pranojnë në mënyrë të hapur se pranojnë bakshishe. Ndërkohë kirurgët më të njohur të këtij spitali theksuan dje se janë viktima të sistemit të kalbur shëndetësor, njësoj si pacientët dhe për këtë nuk ndihen aspak fajtorë. Të ndodhur përballë kësaj situate ata kërkuan dje një reformim të thellë të sistemit shëndetësor, pasi ky sektor funksionon ende me ligjin e vitit 1963.

Ryshfetet

Nuk preferojnë t’i quajnë ryshfete, por bakshishe, dhe këto tashmë i kanë legalizuar pasi e quajnë si një fenomen normal. E megjithëse nuk ndihen aspak mirë me atë situatë ata theksojnë se fakti që pranojnë para nga pacientët, nuk është për faj të tyre, por për faj të pagave qesharake që nuk justifikojnë punën e bluzave të bardha. “Që të jetojmë me paga qesharake, rreth 300 mijë lekë të vjetra në muaj, do të thotë se mjekët nuk duhet të mbajnë celular, duhet të vijnë në punë me biçikleta, pasi nuk mund t’ia lejojnë vetes të kenë një makinë, se për ta është luks dhe duhet të vishen me rroba gabi”,- thekson kirurgu i përgjithshëm në QSUT, Arben Gjata, duke shtuar se indiferentizmi për vlerësimin e bluzave të bardha ka sjellë edhe stimulimin e korrupsionit në këtë sektor. Ndërsa kardiokirurgu, Arben Baboçi pohon se për sa kohë pagat e bluzave të bardha janë qesharake kjo do të stimulojë marrjen e bakshisheve, pasi atyre u duhet të sigurojnë mbijetesën.

Reformimi

Të reformohet gjithë sistemi shëndetësor, në të kundërt, ky sektor do të jetë problematik dhe pacientët nuk do të marrin shërbim korrekt. Ky ka qenë apeli i mjekëve të QSUT-së drejtuar qeverisë, dukë theksuar se shëndetësia nuk duhet të mbahet më peng i politikës. “Jemi njësoj, viktima të sistemit, si ne dhe pacientët. Mjekësia shqiptare funksionon ende me një Ligj të vitit 1963, duke detyruar mjekun të jetë barriera e vetvetes në përballjen me pagat e ulëta dhe dëshirën për të fituar të ardhura të mjaftueshme”,- pohon kirurgu Arben Baboçi duke theksuar se duhet të futen sa më shpejt në lojë Sigurimet Shëndetësore. Duke iu referuar arrestimit pak ditë më parë të kirurgut Kastriot Dautaj, mjekët kanë deklaruar se ndryshimi nuk vjen duke goditur individë të veçantë. Sipas mjekëve, nëse sistemi shëndetësor nuk i nënshtrohet reformave të shpejta brenda disa viteve, figurat më të njohura të tij rrezikojnë të braktisin shërbimin publik, për t’iu drejtuar klinikave private.

Ndoka: Ryshfetet janë të papranueshme

Janë të papranueshme, deklarime dhe pranime publike të fenomenit të dhuratave financiare apo ryshfeteve. Kështu u është përgjigjur deklaratave të kirurgëve të QSUT-së, kreu i Shëndetësisë, Nard Ndoka, duke theksuar se asnjë zyrtar i shtetit, punonjës apo individ që pretendon të bëjë pjesë në elitën e shoqërisë, nuk mund të tolerohet në përpjekjet për të mbajtur gjallë mentalitetin e bakshishit. Ndërkohë ministri Ndoka ka pohuar se do të mbështesë organet e drejtësisë, në hetimet ndaj çdo punonjësi të shëndetësisë që abuzon me profesionin dhe ligjin.

Gjata: Kardiologjia mbyllet 2 herë në vit për shkak të infeksioneve

Infeksionet spitalore ndodhin shpesh dhe kjo nuk është e jashtëzakonshme. Kështu u shpreh kirurgu i përgjithshëm në QSUT, Arben Gjata, i cili shpjegon se vetëm pavioni i Kardiokirurgjisë është mbyllur 40 herë, për 20 vitet e fundit. Ndërkohë, kardiokirurgu Ben Baboçi pohon se në Kardiokirurgji nuk ka virus vdekjeprurës, siç konfirmuan të premten gjatë një konference për shtyp, mjekë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Kardiokirurgjia e QSUT-së është krenari kombëtare dhe sallat e saj janë të përshtatura sipas kushteve të BE-së. Në to punojnë edhe ekipe mjekësh të huaj, që vlerësojnë kualitetin dhe protokollet e mjekimit”,- pohon Baboçi duke theksuar se sallat e Kardiokirurgjisë dezinfektohen çdo javë. Sipas tij, gjatë këtij viti në Kardiokirurgji (QSUT) janë operuar 250 persona dhe vdekshmëria nga infeksionet ka qenë 0.5 për qind. “Të operuarit e këtij viti kanë qenë nga mosha 4-muajsh deri në 80 vjeç, dhe asnjë nuk ka vdekur”,- tha Baboçi.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. zotrules thotë:

    12 July 2008 @ 5:09 pm

    Rryshfet apo bakshishe te pranueshme edhe kur arrijne 400 000 euro?
    Kane luajtur mendsh mjeket andej apo si?
    Atij kirurgut i zune 400 000 euro ne shtepi; dhe e kapen edhe me presh ne duar; cfare mbijetese po kerkonte te bente ai qafir?

  2. Pjer Thomas thotë:

    12 July 2008 @ 5:27 pm

    Rroga prej 300 mij lekesh qe permendet ketu per mjeket, duket vertet pak e vogel per ta, por kjo mund te kompesohet nga bonot, dhe per rastet e operacioneve , kirurget mund te paguhen nga siguracionet shendetesore. Megjithse kam frike se shum mjeke jane infektuar kaq shume nga rryshfeti/bakshishi, sa do te vazhdojne prap te marrin leke nen dore , edhe sikur te permisohet situata financiare zyrtare e tyre.

  3. zotrules thotë:

    12 July 2008 @ 6:06 pm

    Epo sado te marresh, perseri do me shume.
    Kush nuk do te jete i pasur? Edhe i pasuri do te jete edhe me i pasur.
    Po une them, qe doktori qe e quan veten doktor, pra, qe ka mbaruar studimet per qellime dhe aresye se mjekesia i duket profesion human, nuk ka pse te qyrravitet lart e poshte. Te ankohet per rrogen, po, po jo te mbaje peng popullin sepse qeveria nuk i jepka tamam mjekut.
    Nga ana tjeter, mjeku vete fillon e mendon: ata qe jane ne pushtet, nje zyre qelbesire sikur te kene, nje zyre taksash apo gjendjeje civile, i shemben dhe i rropen lart e poshte qytetaret nga leket; pse doktori te mos marre?
    Problemi qendron tek mentaliteti, ndoshta.
    Por, kur Shqiperia te behet me shtet, ndoshta gjerat do ndryshojne.

  4. Adam thotë:

    12 July 2008 @ 7:07 pm

    Te marri pare dok dhe ti japesh atij jane dy gjane te ndryshme.perse ?Nqs shkon tek dok ,vizitohesh dhe ne fund ti ijep atij dicka(sa keni deshire) kur dok nuk e kerkon me duket dicka normale,por nqs dok kerkon perpara lek atehere ai eshte vetem kriminel.Njerezit duhet te denonsojne ata doktore qe kerkojne para,por jo te ankohen kur ata japin para vete mbas vizites apo operacionit.Edhe une kame dhane para mbasi kam kryer pune disa here por nuk ankohem sepse i kam dhane me deshire.

  5. berberi thotë:

    13 July 2008 @ 1:00 pm

    Kur une qethem tek berberi, cmimi i afishuar eshte 200 leke, por une per qejf apo zakon i jap 300 leke. Kur shkoj ne ndonje restorant apo bar-kafe, nqs me pelqen sherbimi dhe sjellja e kamarierit apo kamarjeres bukuroshe i le bakshish sa te ma thote truri. Cfare te keqe ka qe edhe mjekut ti japesh dicka kur ai perpqet per shendetin tend apo te te afermit tend? Pra duhet te ndajme bakshishin vullnetar nga mitmarrja qe eshte kerkese me detyrim per para. Ne rastin e ketij doktori, personi qe i ka dhene parate thote se ja dhashe per qejfin tim dhe jo se doktori ja kishte kerkuar. Megjithate ai u arestua ne menyre te bujshme dhe mgahet ne arest si person me rezikshmerite larte. Oh zot! Atehere duhet te arestohen te gjithe kamarjeret e berberet perfshi dhe mua.
    Sa larg drejtesise qe jemi.

  6. zotrules thotë:

    13 July 2008 @ 1:22 pm

    Po kur kamarjeri qe eshte mesuar me bakshishe nuk te thote “miredita” kur hyn ne klub, por te pyet “sa bakshish ke ndermend te lesh?” para se te te sherbeje, si do ia besh ti berbero?
    Po me e mira, sikur te te pyese sa te futesh ne klub: “ke leke te paguash ti?” si do ia besh? Po sikur te te thote: “po s’pate leke mos hyr fare!”?
    Puna eshte se ai kamarjer eshte, dhe kafja kafe eshte; po jetes se njerezve si do ia besh!
    Puna eshte se ti mund te hysh gjithmone ne nje klub rregullisht dhe te lesh bakshish sa here qe vete; po ka dhe nga ata qe ndoshta nuk kane leke per te lene bakshish… Po ti e ke mesuar keq tashme kamarierin/en me bakshishe dhe ai/ajo do mbaje syte te kuleta e gjithkujt qe hyn ne ate klub. Apo mos do thuash se ai/ajo do te te sherbeje me te njejtin zell si ty edhe nje hallexhiu qe i ra rruga andej? Te jemi te sinqerte tani.
    Pastaj, po ta marresh ashtu si thua ti, kamarieri nuk paguhet 300 000 leke ne muaj! Fundja, une di klube ne Tirane (dikur, se tani nuk ia kam idene ca po behet) ku kamarieret nuk merrnin asnje qindarke rroge, po thjesht ndanin bakshishet.
    Nga ana tjeter, te themi te drejten ka ca vende ku kamariereve u del edhe nje miljon leke ne muaj neto; e ky eshte as me shume, as me pak, ofendim total dhe neperkembje e paguar e profesionit te mjekut, qe pervecse mbaron 12 vjet shkolle mjekesie plus specializime e kurse pasuniversitare, e disa te tjere qe kane dhe nga 10-20 vjet pervoje pune; rroga 300 000 leke eshte qesharake. Kjo sepse krahasohet me dicka: - sa fiton kamarieri, i pashkolle dhe gdhe qe s’di te shkruaje as emrin e vet, ne muaj.(ose me dicka tjeter; cmimet, rroga e filanit apo fistekut; karburantet, qerate….)

  7. shefi kuadrit thotë:

    13 July 2008 @ 5:35 pm

    Mjeke hajdute. Keta e dine qe ne fillim qe rroga per puen qe do bejen do jete ta zeme 300 mije leke, atehere nese su pelqen pse e pranojne ate pune me rroge te ulet? Sepse e dine qe do te kene shume fitim duke zhvatur njerezit dhe rrogen as e llogarisin fare keta rrufjane. Pale na bejen edhe si te zgjuar me deklarata te tilla. Keta duhen te futen te gjith ne burg me.

  8. ujku90 thotë:

    14 July 2008 @ 3:25 am

    Berber - une jam dakord me mendimin qe ‘bakshishi” te ekzistoje ne fushen e mjeksise ashtu sic eksiston ne fusha te tjera, por cdo gje ka nje kufi. Kur bakshishi eshte ne permasa te tilla, i kalon te gjitha normat. Gjithashtu le te mos harrojme qe ketu behet fjale per Spital Shteteror dhe jo nje biznes privat sic mund te jete sherbimi i nje berberi apo kamarjeri.
    E pranoj qe shteti shqiptar nuk po ben sa duhet qe te bej diferencime ne rroga, por kjo nuk i jep te drejten Doktoreve te dalin me deklarata te tilla.

  9. Etrusk thotë:

    14 July 2008 @ 12:52 pm

    Pashe nje shkrim tek Shqip sot per kete, nje Leter e Hapur e nje mjeku te nderuar. Doktori me te drejte ankohet se depukucet tane jane me te pasur se ata, edhe ata marrin vetem 300 USD ne muaj.
    Duket qe ketu qe makuteria e ketyre nuk ka fund, edhe pagen e shprehin ne monedhe te huaj. Profesori ne fjale ankohet se shendetesia eshte ne tatpjete, ska faj kur kemi kryminister nje kirurg edhe i le sallat plot mikrobe dhe Spitalin pa Ilaqe nuk ke cfare te kerkosh me shume.
    Apo kur ka ministrer nje mekanik!!! :(

    Nuk ka vend per tu shqetesuar apo bertitur mendoj une, Gerdeci i vuri kapak gjithshkaje dhe klithi pergjigjet me te mira!

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com