Ministri i “gomuar”
Shqiptarët e njohin si ministrin më jetëgjatë dhe më fjalëpakë, por në të vërtetë, emri i drejtuesit të dikasterit të Mjedisit, z. Lufter Xhuveli, duhet të hyjë në histori si emri i ndotësit më të madh të mjedisit në Shqipëri.
Nga Kristi Pinderi
Ish-ministri i preferuar i Fatos Nanos, i cili i shokoi të gjithë pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 kur lidhi një aleancë të paprecedentë me kryeministrin e sotëm Sali Berisha, për të ripërfituar portofolin e mjedisit, është në fakt, një ndër importuesit më të mëdhenj të gomave të përdorura.
Këto goma, prej disa vjetësh konsiderohen në Kontinentin e Europës si: mbeturina të rrezikshme që sipas specialistëve të mjedisit, duhen trajtuar në mënyrë të posacme. Importimi i tyre në Shqipëri përbën automatikisht një rrezik të paimagjinueshëm jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e mbi 3 milion shqiptarëve.
Deputeti i Partisë Agrare Ambientaliste, Nikollaq Neranxi, deklaroi për “MAPO” se “bashkëshortja e ministrit Xhuveli, znj. Mejtime Xhuveli, është pronarja e një toke prej 6 mijë metrash katrorë në afërsi të Fierit, mbi të cilën është ngritur një impiant për riveshjen e gomave, që në të vërtetë, funksionon vetëm si një pikë shitjeje me shumicë dhe pakicë e gomave të përdorura”.
“Toka mbi të cilën është ngritur e ashtuquajtura fabrikë për riveshjen e gomave të nxjerra me marifet nga territori i BE-së, si dhe vetë fabrika, janë zyrtarisht pronë e znj. Mejtime Xhuveli”. Por, sipas Neranxit, që nga marsi i këtij viti, licenca për riveshjen e gomave, është rregjistruar në emër të vajzës së ciftit Xhuveli, Adriana Xhuvelit.
Të njëjtin fakt e konfirmuan edhe disa persona të tjerë në qytetin e Fierit, të cilët kërkuan të mos identifikohen…
Gomat e përdorura, më toksike se gjarpërinjtë
Me një vendim të Këshillit të Ministrave që datonte vitin 1993, Shqipëria e ndaloi importimin e gomave të përdorura, nga vendet e Bashkimit Europian.
Mirëpo, në kulmin e situatës më problematike të historisë shqiptare gjatë këtij tranzicioni, pra vitin 1997, ky vendim u ndryshua për të lejuar importimin e gomave të përdorura vetëm nga ato subjekte që do të mund të realizonin përmes një licence rigoroze, riveshjen e tyre. Më 3 shkurt të vitit 1997, me propozimin e Ministrisë së Industrisë, Transportit dhe Tregtisë, Këshilli i Ministrave vendosi që të përjashtojë nga ligji i vjetër: “gomat e riveshura, ato që importohen me destinacion riveshjen e tyre nga subjektet e licencuara për këtë veprimtari, si dhe gomat e montuara në mjetet që importohen”. Madje e njëjta ministri që e propozoi këtë ligj duhet të përcaktonte në cdo tre muaj, edhe numrin e gomave të përdorura që cdo subjekt i licensuar duhet të importonte në Shqipëri.
Shumë pak njerëz pyetën me dyshim: cili lob i fuqishëm në Shqipëri mundësoi miratimin e një vendimi të tillë, në kulmin e një coroditje kombëtare, vendim që mbi të gjitha dëmton direct, edhe sot, shëndetin e miliona njerëzve?
Nikollaq Neranxi, deputeti “rebel” i agrarëve, i cili e ka akuzuar së fundmi kryetarin e tij se e ka kërcënuar edhe për jetën, shprehet për revistën se “ishte pikërisht Xhuveli ai që mundësoi me gjithcka, atë vendim”.
Ky vendim i mbetur ende në fuqi, u kundërshtua ashpër në vitin 2003 nga reformatorët e Genc Pollos, të cilët ishin “armiq politikë” me Xhuvelin. Nëpërmjet një projektligji të depozituar pranë Kuvendit si dhe një projektrezolute, deputeti i PDR-së, Ilirjan Berzani, kërkoi atëherë që të merren masa kundër ndotjes së ambjentit. Duke u bërë thirrje grupeve parlamentare që të mbështesin amendamentet e tij, Berzani kërkoi të ndalohej importimi i gomave të konsumuara si dhe i automjeteve që janë të përdorura më shumë se 6 vjet.
Por importi i tyre ishte shndërruar ndërkohë në një monopol fitimprurës jo vetëm për pak njerëz në Shqipëri, por edhe për të tjera subjekte jashtë vendit tonë, të cilat mund të përfitonin shumë nëse “i hiqnin qafe” gomat e përdorura, nga territori i vendeve të tyre.
Ato janë të tejmbushura me dioksinat dhe furane, elementë kimikë këto tepër të rrezikshme për shëndetin e njerëzve, shkaktare të disa llojeve të kancerit te njeriu. Komuniteti Europian, i shqetësuar, ka marrë masa të ashpra kundër kësaj përbërjeje kimike. Nëse nuk digjet (dhe procesi i djegjes kushton shumë) por thjesht depozitohen në ambient, këto produkte konsiderohen si depozitime të rrezikshme, të pashpërbëshme, që mund të shndërrohen në fole të insekteve të ndryshme. Këtë fakt e konfirmojnë burimë pranë Ministrisë së Mjedisit, të cilat për shkak të punës së tyre direkte me ministrin Xhuveli, kërkuan gjithashtu të mos identifikohen.
Sipas ligjeve në fuqi të cdo vendi europian, gomat e përdorura duhet të digjen në disa impiante të posacme, tepër të kushtueshme të cilat jo vetëm që i eliminojnë ato krejtësisht por nga ana tjetër, përmes filtrave të vecantë nuk shkarkojnë në ajër asnjë substancë vdekjeprurëse. Sigurisht, kjo djegje kushton shumë, ndaj biznese të ndryshme në BE janë jashtëzakonisht të interesuara që në vend të djegjes, t’i eksportojnë këto goma në vende ku ligji ka shumë më pak fuqi… si në Shqipëri… Ndonëse ato konsiderohen nga specialistët si më toksike edhe se gjarpërinjtë më helmues që rriten në territorin e Shqipërisë edhe pse efektin helmues e japin në mënyrë të ngadalshme…
Cfarë ndodh me “trafikun” e gomave?
Një specialist i mjedisit, i cili është i angazhuar, përmes punës së tij direkte me ministrin Xhuveli kërkoi të mos identifikohej, teksa sqaroi se: “Kushdo që zotëron goma të tilla të përdorura, në vend që të paguajë miliona për t’i djegur ato, i paguan në dorë, vetëm 0.5 dollarë, ndonjë importuesi të tyre. Që do të thotë se importuesi shqiptar, në këtë rast, merr në dorë 0.5 dollarë për cdo copë gomë të përdorur në Greqi apo Itali, e importon atë në Shqipëri dhe menjëherë e shet me pakicë ose me shumicë duke përfituar shumë më tepër”. Ndërkohë që në “fabrikën” e zotit Xhuveli, një cift gomash të tilla të përdorura kushton 35 mijë lekë të vjetra!
Dëmi në mjedis është minimal nëse gomat e importuara shërbejnë sërish si goma për makinat, pronarët e të cilëve mendojnë se do të kursejnë më pak nëse blejnë me cmim tepër të ulët goma të tilla të përdorura. Por në një plan strategjik, kuptohet se në këtë mënyrë, Shqipëria shndërrohet në një vend depozitimi të gomave të përdorura (që ‘vdesin’ shumë më herët se gomat e reja). Ndaj edhe ato emërtohen si edhe më lart: “mbeturina të rrezikshme eliminimi i të cilave i kushton shumë shoqërisë”… Automatikisht vendi shndërrohet në një “superdepozitë” e kimikateve të rrezikshme, eliminimin e të cilave në një të ardhme do t’i kushtojë direkt, xhepit të cdo qytetari!
Në vitin 1997, atëherë kur hyri në fuqi vendimi i errët i qeverisë së kryesuar atëherë nga Aleksandër Meksi, në Shqipëri u shënua edhe kulmi i këtij biznesi! Sipas një raporti të “Qendrës Mjedisore për Administrimin dhe Teknologjinë, Tiranë”, rezulton se në fund të vitit 1997, viti i mungesës absolute të shtetit dhe të ligjit, në Shqipëri kanë hyrë mbi 120 mijë copë goma të përdorura…
Familja Xhuveli…
Ministri aktual i Mjedisit, z. Lufter Xhuveli rezulton të jetë shkelësi i parë dhe me i madh, i atij vendimi.
Ndonëse familja e tij është e pajisur me një licencë për riveshjen e gomave, ky proces nuk ndodh më në “fabrikën” e pozicionuar 5 km në hyrje të Fierit.
Qytetarë të Fierit, të interesuar direkt për blerjen e gomave thonë se “në këtë fabrikë është bërë dikur riveshja e gomave, por tashmë nuk bëhet më!”.
Deputeti Neranxi dëshmon të kundërtën: ai thotë për “MAPO”-n, se në këtë “fabrikë”, nuk është bërë asnjëherë riveshja e gomave, madje në brendësi të saj nuk ka as edhe instalim elektrik!
Revista disponon foto ekskluzive të ambienteve të brendshme të kësaj fabrike, që në të vërtetë duket më shumë një magazinë gomash sesa një fabrikë e mirëfilltë!
Faktin që fabrika nuk bën më riveshje të gomave, por ama, nga ana tjetër vazhdon të shesë goma të përdorura e konfirmojnë edhe punonjës te saj.
Ata konfirmojnë edhe faktin që atje shiten goma me shumicë, të cilat padyshim blihen nga subjekte të cilat i blejnë ato për të proceduar me djegjen e gëlqerës, duke qenë se gomat janë një lëndë djegëse e përkryer për këtë qëllim.
Xhuveli ka nxjerrë para pak kohësh një urdhër formal për ndalimin e furrave të gëlqerës në Shqipëri, e sidomos atyre në Krujë të cilat përdorin si lëndë djegëse gomat e përdorura, por pas një inspetimi që bëmë në këtë zonë, konstatuam se djegja e tyre vazhdon. Tymi i zi qe clirohet nga kjo djegje, eshte i papërballueshëm për mushkëritë njerëzore nderkohe qe vazhdon ta sfumojë qiellin e kaltër të zonës së Krujës, tmerrësisht afër kryeqytetit ku mendohet se jeton 1/3 e popullsisë shqiptare…
Fabrika…
Pak pas mesditës, fabrika në rrugën nacionale, 5 km përpara se të hysh në qytetin e Fierit, duket e shkretuar…
E ndërtuar me një material të bardhë parafabrikat, që ngrihet mbi themele të zakonshme, kjo ndërtesë, e ngjashme më shumë me një magazinë se me një fabrikë, shtrihet në një sipërfaqe jo më të madhe se 500 metra katrorë. Në pjesën e mbrapme të saj, disa shkallë prej hekuri të cojnë në një derë të vogël, në një verandë ku duket edhe një dritare. Ngjan me një ambient që nuk mund të jetë vecse një zyrë, ndërkohë që është shumë më komod se pjesa e përparme e fabrikës, e cila mund t’i duket kujtdo që kalon me makinë si një pikë e zakonshme për shitjen e gomave.
Në anën veriore të saj, kufizohet me fabrikën e miellit “Mulliri i artë”, i ndërtuar atje që nga viti 1994.
Nje dryn i madh mbyll një derë të gjatë prej hekuri, fare pak metra larg derës ballore të nderteses, ku leh një qen i rritur pastor gjerman, që duket racë e pastër.
Buzë rrugës, si edhe në brendësi të oborrit, ndodhen dhjetëra goma të përdorura, të paveshura, të cilat reklamohen si “goma për t’u shitur”, në një tabelë të madhe në fund të së cilës shkruhet një numër kontakti, me konkratë, që përfundon me shifrat …879.
Pranë nesh afrohet një person që duhet të jetë roja. Biseda është shumë e shkurtër. E pyesim nëse shet goma të përdorura. Përgjigjet “Po, por tani e kemi të mbyllur”. Kërkojmë të dimë cmimin, duke iu drejtuar me një ton të qetë dhe, ndërsa presim përgjigjen, kalon një pauzë vetëm disa sekonda gjatë të cilave na shikon me dyshim. “35 mijë lek të vjetra, cift”, përgjigjet. “Po me shumicë, a shisni?”, e pyesim. “Po, edhe me shumicë, por nuk e di cmimin”. Biseda vazhdon si më poshte:
- Janë goma të përdorura të gjitha, apo shisni edhe goma të reja?
- Jo jo, janë vetëm të përdorura!
- Po rikoperton (riveshjen e gomave me gominë te re), e bëni?
- Jo
- Po neve na thanë se e bënit, prandaj erdhëm këtu…
- Po, e bënim por tani nuk e bëjmë më.
- Po sa ka?
- Ka tre ditë që është bllokuar puna fare se patëm ca probleme…
- Aha, qartë. Po vazhdoni të shisni?
- Po, po, por hajdeni nesër më mirë se unë nuk kam asnjë informacion…
Djaloshi, banor me siguri i ndonjë fshati përreth, duket shumë jashtë qenies së tij të thjeshtë dhe madje shumë formal për moshën që ka, teksa artikulon me mundim fjalinë mediatike: “nuk kam asnjë informacion”. Duket qartë se dikush mund ta ketë instruktuar të përgjigjet ashtu…
Teksa i afrohemi qytetit të Fierit, dallojmë buzë rrugës tre pika të tjera shumë të vogla ku shiten goma të përdorura. Edhe ato, janë të mbyllura, ndonëse është ditë dhe orar i zakonshëm pune!
Në hyrje të qytetit të Fierit telefonoj personin e kontaktit numri i të cilit shkruhej në tabelën e fabrikës. Zilja bie disa herë por nuk ka përgjigje.
Vetëm pak minuta më vonë, marr telefonatë nga numri në fjalë. “Cfarë kishit?”, dëgjoj të më pyesë një zë me dialekt fierak. “Më falni që ju shqetësova, por kalova rrugës dhe doja të dija nëse shisni goma me shumicë, pashë numrin tuaj në tabelë dhe meqë nuk kishte asnjë njeri ju telefonova”, përgjigjem. “Po, nga jeni ju?”, më pyet personi. “Unë jam nga Tirana”. “Aha, kaq kishit?”, thotë ai. “Po”, i përgjigjem dhe menjëherë ndjej se e mbyll telefonin pa më dhënë asnjë shpjegim tjetër.
Tre orë më vonë, teksa ndodhem në Tiranë, marr një telefonatë nga një numër i zakonshëm celulari që përfundon me …002. dëgjoj një zë mashkulli, me dialekt veror që prezantohet si punonjës i Ministrisë së Brendshme dhe më pyet: ‘Dëgjo, kam këto numrat e gazetarëve këtu, ti për cilën gazetë punon?”… E pyes për identitetin e tij dhe më përgjigjet duke artikuluar një emër mëse të zakonshëm verior…
Xhuveli prononcohet…
Mbrëmje! Akrepi ndodhet shumë afër orës 22.00… Vonë për një ministër, megjithatë vendos të formoj numrin. Më përgjigjet pas ziles së dytë, ministri Lufter Xhuveli, dora vetë! Pasi i parashtroj të gjitha faktet dhe detajet, të cilat i dëgjon me një durim mbresëlënës, më përgjigjet: “Dëgjo djalë: nuk kam asnjë dëshirë të merrem me akuza! Ka ligje në këtë vend, ka edhe sanksione ligjore për këtë gjë”. Dëgjoj përnjëherë nga ana tjetër telefonin të mbyllet…
“Sigurisht”, mendoj, “se në këtë vend ka ligje por ato nuk respektohen as edhe nga personi që me aq shumë mundim, i ka miratuar”…
Dal nga redaksia. Eshtë vonë dhe një shi i imët, ka lagur rrugët të cilat nuk ngrejnë më pluhurin e tyre të zakonshëm. Mendoj se për fare pak orë, do të flemë pa pluhur, ndërkohë që të nesërmen historia fillon nga e para…
Tirane, tetor 2006

14 October 2006 @ 5:07 pm
e ka kot ky miku, ne ketu te peshku e zgjodhem xhuvelin si ministrin me puntor..
14 October 2006 @ 6:18 pm
Nga eshte marre ky artikulli??
14 October 2006 @ 6:40 pm
Eshte marre nga MAPO, reviste e perjavshme, numri i pare i se ciles doli sot ne treg.
Ndonje mendim per shkrimin????
14 October 2006 @ 6:43 pm
klas..
14 October 2006 @ 6:57 pm
Artikull vertet i qelluar nga ky djali i mjaft-it (ose ministeri i propagandes se mjaft-it, shaka).
Po nje gje do shtoja une se shokun xhuvel ska top mjedisor qe e leviz nga kolltuku, se eshte qengj qe pi 2 nena ai, (ai ka qen qengj qe ka pire dhe sigurimin e shtetit dhe si ka hyre asnje gjemb ne kembe).
Une mendoj se xhuveleria e ka mare ate post me bekimin dhe te Nanos,eh sa e thell, piset, eshte politika shqiptare.
14 October 2006 @ 7:00 pm
klajdevour———-komplimenti ,ju lumte dhe zoti ja u befte mbare nese vazhdoni me kete fryme kritike ndaj atyre qe po e kethejne shqiperine ne nje kosh plehersh te europes.
ju lumte.edi
14 October 2006 @ 7:08 pm
po e dija une, qe respekti fitohet me pune dhe jo me llafe
e drejte Vlonjat, shume e piset kjo politika jone!
14 October 2006 @ 7:58 pm
Ku jeni o avni rustema…
14 October 2006 @ 8:32 pm
Qingji i mire pin dy nena, servili gjithe tufen.E jo vetem Nanon e Salen;por me larg akoma.Harruat se ka qene kuader i devotshem.
Kush e voton xhanem?
14 October 2006 @ 9:01 pm
90% e njerezve gjykojne ne baze te pershtypjeve, 10% ne baze te fakteve. Kur ju z.Pinderi shkruani
“Sigurishtâ€, mendoj, “se në këtë vend ka ligje por ato nuk respektohen as edhe nga personi që me aq shumë mundim, i ka miratuarâ€â€¦
a ka mundesi te me shpjegoni mua te paditurit se cfare ligji nuk ka respektuar z.Xhuveli? A jane apo jo te drejta dhe/ose te moralshme veprimet e ministrit eshte nje ceshtje qe ka te beje me ndergjegjen e tij dhe me gjykimin e votuesve te tij. Ju beni shume mire qe e vini ne dukje. Keshtu populli te gjykoje me drejt heren tjeter. Natyrisht nqs don.
Ndersa une qe shpresoj qe Atdheu im te kete nje shtet ligjor, jam i interesuar per ate shprehjen tuaj qe citova me lart. Kini miresine te me njoftoni se cfare ligji nuk respekton Ministri yne i nderuar (ose jo, simbas gjykimit te cdonjerit)? Faleminderit paraprakisht.
14 October 2006 @ 9:18 pm
po ti e lexove shkrimin apo lexove fjaline e fundit?
14 October 2006 @ 11:29 pm
a eshte e vertete kjo apo po boni gallate?!
15 October 2006 @ 11:06 am
Ne fshatin tim, kur njerzit i pyesin, ata zakonisgt PERGJIGJEN. Pergjigja e pyetjes tuaj eshte “Po,e lexova shkrimin”.
Vazhdoj te besoj se do e merrni mundimin te me pergjigjeni se ke ligj te Republikes Shqiptare ka shkelur ky Minister.
Nqs perton ose nuk ke c’te thuash, nuk ka nevoje te me pergjigjesh perseri me pyetje.
Faleminderit.
15 October 2006 @ 3:37 pm
Xhuveli eshte nje nga “mrekullite “e politikes shqipetare,qe edhe per kete nuk duhet te cuditemi.Chenei thote qe po ti kapesh me duart te lyera me mjalte,kurse une do te thosha edhe po ti kapesh te zhytur ne kazanin me mjalte,ata nuk do ta pranojne dhe nuk japin doreheqje.Ata udhehiqen nga thenie e vjeter komuniste:”komunistet vdesin dhe nuk dorezohen” qe duhet perkthyer ne situaten e sotme diskreditohen por nuk japin doreheqjen .Para disa ditesh po lexoja nje artikull qe bente fjale per hedhjen e mbeturinave toxike ne vendet e varfera ,dhe merej si shembull Bregu i Fildishte ku mbi 700 mije njerez ishin te infektuar nga semundjet kanceroze,dhe mu kujtua edhe Shqiperia qe eshte bere me te vertete hambari i vjetersirave dhe e plehrave te vendeve te zhvilluara qe perfitojne nga varferia dhe politika qorre e jona, ku njerezit nisen nga interesat e castit, per te mbushur xhepat e tyre dhe nuk mendojne per te ardhmen e ambjentit dhe te njerezve.
16 October 2006 @ 3:59 am
Nuk e di sepse figura e Xhuvelit me ngjason me Nastradinin…
Ishte nje here xhuveli dhe i kishte humb gomari… edhe ecen ecen e kerkon po spo e gjente dot… vazhdimin plotesoje vete…
16 October 2006 @ 4:03 am
klajdevur - “e rregullove biografine” dhe me mua
….keep it up!
16 October 2006 @ 4:18 am
kjo eshte per bariun:
bari,para ca kohesh,nje shok nga shqiperia ishte me mua,dhe kur pa qe hyra ne nje ambient ku kishte elektrodomestike te vjeter,me tha:a eshte e mundur qe t’ju marr motorret frigorifereve dhe grupet e programimit lavatriceve??
C’i do?- e pyeta,s’ja vlen as qe te humbasesh kohe qe t’i c’montosh.
Ne shqiperi i arrin cmimi deri ne 100 euro-me tha
PO ,po te vish me mua ,150 euro ben i gjithe frigoriferi i thashe(meqe punoja ne ate ambjent ne ate kohe)
-eh me tha,eshte veshtire qe te fusesh gje sot ne shqiperi.
(dhe me pas po me spiegonte qe s’e kishte llafin se s’te linte ligji ose dogana qe te importoje,por ATA qe e kishin bllokuar tregun)
Pra ,monopoli i nje aktiviteti,ne duart e nje te forti(qofte ky hajdut ose politikan),jo vetem i mbyll dyert te tjereve ne ate fushe,por dhe ben qe shqiperia te kthehet gjithnje dhe me teper ne “kosh pleherash”
16 October 2006 @ 8:11 am
klajdevour thotë:
14 Tetor 2006 @ 6:40 pm
Eshte marre nga MAPO, reviste e perjavshme, numri i pare i se ciles doli sot ne treg.
Ndonje mendim per shkrimin????
Artikull serioz.
Koka e artikullit e”modes”. Sensasion!:”z. Lufter Xhuveli, duhet të hyjë në histori si emri i ndotësit më të madh të mjedisit në Shqipëri”
Le te kuptoj qe eshte bere mje klasifikim i ndotesve ne Shqiperi.
Me vjen e vetvetishme pergjigja:”mos i jepni fasule”
Ky arikull nuk ka nevoje per “britma”,”artifica”,”sensasonializem” si nentitull.
Flet vete.
Te lumte!
16 October 2006 @ 10:07 am
Per ate qe tha Edrus do shtoja nje rast konkret.
Para disa vitesh, u hap ne Fier nje fabrike moderne e prodhimit te sfyngjerit nga nje emigrant. Investimi ishte i rendesishem dhe aty punesoheshin shume njerez. Nje muaj pas hapjes, fabrika gjate nates u dogj shkrumb e hi, dhe zjarrin ja kishin vene konkurrentet e vete nga Tirana qe sillnin sfyngjer nga Greqia. Nje rast tjeter i njejte ishte me nje prodhues lengjesh frutash ne Shkoder. Kjo gje vazhdon rregullisht, dhe po nuk u ndertua nje shtet i fuqishem qe i ndeshkon njerezit nuk mund te kete investime serioze ne Shqiperi.
16 October 2006 @ 11:54 am
Liri di edhe se c’pesuan keta zjarrvenesit. Ne u hetuan nga prokuroria apo u liruan nga gjykata? Se nga c’shkruan, duket se jane shendoshe si molla. (kerkon vendosjen e shtetit te fuqishem)
16 October 2006 @ 12:36 pm
Normal qe jane shendosh si molla, pse kush do i prekte? Ketu as behet fjale qe te vihet drejtesia ne vend.
16 October 2006 @ 10:03 pm
Po sikur te fillojme nje peticion per doreheqjen e Xhuvelit bazuar ne faktet e permendura ne kete artikull?
17 October 2006 @ 4:48 am
perse ?
ka nevoje per nje peticion?!
ne nje shtet ku funksionon ligji,per shume shume me pak,prokuroria do ta kishte marre ne dore kete ceshtje qe me pare se te botohej artikulli
17 October 2006 @ 3:25 pm
Ne nga anet tona fjales Xhuvel i themi kur te behet njeri havale “Mu bere xhuvel” keshtu na eshte bere edhe Xhuveli ne Shqiptareve. Prandaj ecen “kaq mire” punet dhe politika ne shqiperi sa na drejtojne Xhuvelet me Doktorr Adhamudhin……
Xhuveli ka vene kaq shume para neper bankat e huaja sa asnje nuk mund ta imagjinoje….. vetem ne Golem te Durresit ka nje kompleks turistik qe edhe Donald Trump do ta kishte zili…..kam shkuar vete te ai kompleks 4 vite te shkuara kur Xhuveli ishte minister bujqesie….te gjithe e dine qe eshte kompleksi i xhuvelit. Keshtu qe Xhuveli ka bere dhe ben pune te shkelqyer ne ministrine e tij, vetem si te mbushi thaset me para per vete te tij.
19 October 2006 @ 5:21 pm
lexova shkrimet tuaja dhe nuk me vjen mire qe te hedhesh aq lehte balte mbi personalite kaq te shquara me te cilat vendi yne duhet te nderohet. eshte e vertete qe ka abuzime, po kush politikan nuk abuzon, nuk ka toka, nuk eshte pronar i dickaje.????????
pse duhet te vihet ne shenjester vetem xhuveli, perse mos te flitet per te gjithe? u them te gjithe atyre qe tallen me emrin e tij, qe e perdorin si barcoleta, qe e krahasojne me nastradinin qe me pare te informohen. per t’ju ndihmuar gjeta biografine e tij e po ju dergoj pjesen me interesante, e po ju them qe mos te beheni pre e propagandave politike.
ÇMIME DHE VLERESIME NDERKOMBETARE:
” Njeriu Nderkombetar i Vitit” per vitin 1992-1993 nga Qendra Nderkombetare e Biografive, Cambridge, Angli
” Njeriu i Vitit” per vitin 1995, nga Instituti Nderkombetar Amerikan i Biografive, Raleigh, USA
Fitues i Çmimit “Nje ne Nje Milion”, IBC, Cambridge, Angli, 1993
Fitues i çmimit “Top 100 scientists”, IBC, Cambridge, Angli, 2005
-Biografia eshte botuar ne me shume se 15 Fjalore Enciklopedike dhe Libra Biografike Nderkombetare si :
Fjalori Nderkombetar i Biografive, 1992, Angli
Intelektualet Boterore, 1993, Angli
500 njerezit me Influence, 1994, 1995, USA
Njerezit e shquar nderkombetare, 1995, USA
Njerezit e arritjeve te shekullit te XX, Angli, 1994
Europianet e Shquar te Shekullit 21, Angli 2002
19 October 2006 @ 8:14 pm
O ti Sofia, me ke duhet te nderohet vendi yne se se kuptova???!!!! Me njeriun qe prezantohet jashte si i vetmi person publik ne Shqiperi qe kujdeset per mjedisin e qe ne fakt, rezulton te jete nje prej ndotesve me problematike te tij?
Sigurisht qe do tregohen barcaleta per nje njeri qe nuk respekton asnje vlere morale por edhe asnje vlere politike, nje njeri qe ben gjithcka per te mbajtur portofolin e nje prej dikastereve “me te pasur”, qe ka ne vetvete gjithe pyjet, kullotat, lendinat, me pak fjale gjithe Shqiperine!
Te jete i vertete mendimi yt apo ishte “gallate” ajo qe shkruan me lart????
19 October 2006 @ 8:22 pm
se ne fakt sofia, me ty e kam serish, s’po mundem te kuptoj se si njerezit mund te jene kaq naive, apo kaq te papergjegjshem si ti e po me vjen shume inat. Ndjese qe po merrem me ty personalisht, por verej qe ky lloj te menduari si ti, nuk eshte ne fakt vetem nje mjerim per ty, por per shume e shume shqiptare, qe per fatin tone te keq jane shtuar shume!
Se hic mendjen: jo moj e dashur, ste kerkoj fare ndjese, se ti mos u shqeteso shume andej nga je, po ama, une qe jetoj ketu, shqetesohem sigurisht per shendetin tim, dakort?
Keshtuqe, kur behet fjale per shendetin, shpirt, harroji argumentet idiote, e me mire mendoju pak para se te shkruash dhe vendos mos shkruash fare, dakort? Se na kursen nga budallalleqet.
19 October 2006 @ 8:45 pm
E cuditsheme ,ÇMIME DHE VLERESIME NDERKOMBETARE per XHyvelin, po vecoj disa qe me bejne vertet pershtypje :
1-Njeriu Nderkombetar i Vitit” per vitin 1992-1993 Angli.
2- Njeriu i Vitit” per vitin 1995 Amerike .
Qenka bere i njohur ne Angi dhe Amerike si “Njeriu i viteve dhe nuk njihet i tille ne shqiperi , !!!!???
19 October 2006 @ 9:20 pm
Ato cmime Xhuvel Trimi mbase i ka marre atje ku i ka marre por per Shqiperine dhe Shqiptaret nuk ka bere asnje gje prej gjeje. Keshtu qe ato cmimet e tij nuk vlejne as ne WC.
21 October 2006 @ 5:04 am
Cmimet e Xhuvelit jane si ai cmimi nderkombetar qe mori Shqiperia nga fundi i viteve ‘80-te per ushqimin, ne nje kohe kur per nje liter qumesht zihej rradhe ne 2 te nates.
Lufter Xhuveli eshte nje nga pjellat me tipike te rregjimit komunist. Profesor nga ata te pompuarit, me pozita kyce edhe ne forumet partiake te partise se punes. Profesore qe nuk zgjidhin asgje, qe nuk japin asgje per te merituar emrin, por qe shkruanin libra me te perkthyer dhe shfrytezonin punen e pedagogeve vartes dhe servile duke vene ermin e tyre te parin mbi botimet “e perbashketa”. Cmimet dhe vleresimet nderkombetare te dhena per Xhuvon tregojne se as ato nuk jane te imunizuara nga skematizmat dhe konjukturat. Xhuveli ka njohuri profesionale mbi mesataren ne fushen e tij - seleksionimi gjenetik i bimeve - por kurrsesi per te qene Profesor e as Docent (Profesor me kursin e vjeter, sic ishte te themi Cabej, jo me kursin e sotem, ku si ka ardhur puna, eshte me veshtire te gjesh nje kuader qe nuk eshte profesor me titull). Po te gjitha keto edhe falen. Shqiperi hesapi. Ajo qe nuk durohet eshte mungesa totale e skrupujve morale qe demonstron ky njeri, aq sa eshte per tu treguar me gisht edhe ne nje ambjent germadhash morale si eshte Shqiperia sot. Ai frymezon gjithe maskarenjte e sotem dhe te ardhshem qe me pandershmeri dhe pa asnje skrupull ju mund te arrini majat dhe te mos luani kurre qe andej!
31 October 2006 @ 5:55 pm
PDK: TE SHKARKOHET MINISTRI XHUVELI (31/10/2006)
Partia Demokristiane kerkon shkarkimin e ministrit te Mjedisit Lufter Xhuveli, duke hapur nje tjeter polemike qe rrezikon te kthehet ne krize ne gjirin e shumices qeverisese. Sipas demokristianeve Xhuveli, ka nen pronesine e tij nje fabrike per riveshjen e gomave te perdorura ne qytetin e Fierit qe me pas u shiten prodhuesve te gelqeres ne Kruje te cilet shkaktojne nje ndotje te madhe te mjedisit ne zonat perreth. “PDK kerkon shkarkimin e Xhuvelit, pasi pezullimi nga detyra do te ishte nje luks per kete minister”, thuhet nga zyrtaret e PDK-se. Pas afrimit ne Partine Demokristiane te deputetit agrar Ymer Tola, duket se tashme ka nisur nje lufte e hapur mes dy partive te mazhorances. Ne deklaraten e tij disa dite me pare kryetari i PDK-se, Nard Ndoka ka lene deren e hapur edhe per deputete te tjere te kesaj force politike qe duan t’i shtohen radheve te demokristianeve.
Burimi i lajmit: Televizioni TopChannel / Interneti.eu
1 November 2006 @ 8:33 pm
Kristi, se ku lexova a dje a pardje ne shtyp permes internetit, qe Xhuveli ka pergenjeshtruar pronesine e tij mbi ate biznesin e gomave.
Jo se i besoj Xhuvelit (qendrimin tim personal ndaj kesaj krijese mbase e ke marre vesh me kohe) - por thashe te te kujtoj, meqe i perket bash kesaj teme qe ti hape para do kohe.
1 November 2006 @ 10:50 pm
emigrant, me paska shpetuar ky detaj. Megjithate, logjikisht, nese kjo qe thote Xhuveli eshte e vertete (te siguroj se nuk eshte), atehere ai do e kishte bere problem kombetar. Thjesht ka dashur te luaje me gura te veckel: thuaj ketu dicka, hidh atje dicka tjeter e keshtu me rradhe!
Jo vetem qe eshte pronar i fabrikes ne Fier, por mund te jete edhe i nje fabrike tjeter ne Kavaje, ku ne nuk mundem ta vertetonim me fakte te besueshme, ngaqe nuk kishim shume kohe (revista MAPO eshte e perjavshme)!
Se fundi ka fakte qe ai eshte autori i shitjes se Ishullit te Dajlanit, shitje qe ka shkelur disa konkrata te ligjshme dhe qe hedh dyshimin e frikshem se shume nga pasurite kombetare te Shqiperise, te pakten ato qe duhet te administrohen nga dikasteri i tij, jane shitur gjithashtu per dy lek!!!!
1 November 2006 @ 10:54 pm
meqe ra fjala, ju kerkoj ndjese per egoizmin, por t’ju them te verteten ndihem shume mire qe kam qene i pari qe kam kerkuar dhe shkruar per kete gje
(serish ndjese
per modestine e munguar…
1 November 2006 @ 10:55 pm
klajdevour, e gjeta se ku e kisha pare; e ke tek Koha Jone e dt. 1 nentor, me titullin “PDK: Xhuveli të japë dorëheqjen”, nga Eglantina Nasi
- nentitulli “Fabrika”.
1 November 2006 @ 10:57 pm
po! kur une e mora ne tel Xhuvelin, mu pergjigj tek zilja e dyte pasi ishte kurioz te dinte se per cileb gazete apo revista punoja qe te mund te bllokonte botimin ne kohe… Tani qe u be problem vertet i madh, gjen gazeta si Koha Jone, qe nuk e kalojne tirazhin e 1 mije kopjeve ne dite, per te dhene ndonje deklarate qe edhe nese nuk eshte e vertete, nuk i prish fort pune!
1 November 2006 @ 11:09 pm
Xhuvel hesapi…s’e ka as te paren, as te fundit….rrofshim e (mos) degjofshim te tjera Xhuvo-hynere…