Mendime të vogëla


Disa këshilla një djali në Misir qi dëshëron të botojë një gazetë shqipe

I dashur mik,

Në e bëfsh gazetën me fleta të mbëdha, Shqipëtarët do të thonë se s’mpshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypësh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vënt. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për të gjithë Shqipëtarët; në shkrofsh gegnisht, prap’ashtu; në shkrofsh një gjuhë të përzjerë me të dyja, do të thonë se s’di shqip; në shkrofsh gjysmën gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letrëturë kur vëndi ndodhet në rezik; në shkrofsh për politikë, do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Sulltanit; në shkrofsh rrept kundrë Turqisë, kërkon të të japë Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që t’a mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qënë që aqë njerëz duan zgjimin e kombit shqipëtar; në gjefsh të holla, je intrigan a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thonë je djalë e kërkon gjëra qi duheshin gatitur një qint vjet më parë; në folsh për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën edhe kombësinë t’onë duke vënë vëndin nënë hie të një Fuqisë së madhe, s’qënke Shqipëtar i vërtetë. Në folsh mirë për Shqipëtarët të krishterë, hidhërohen Shqipëtarët muhamedanë, në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët qi janë Shqipëtarë të mirë, e liksh për të ligët, ahere do të hidhërohen të gjithë. Aqë për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

Faik Konica

“Albania”, 15 shtator 1901

 

Marre nga “Njeriu i cuditshem” 

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

13 Komente

  1. Cheney thotë:

    20 July 2008 @ 9:08 pm

    “Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thonë je djalë e kërkon gjëra qi duheshin gatitur një qint vjet më parë;”

    Spaskemi ndryshuar hic???!!

  2. Dori thotë:

    20 July 2008 @ 9:42 pm

    Fantastike, sikur ta ketë shkruajtur sot, në vend numëro

  3. edi thotë:

    20 July 2008 @ 9:51 pm

    Po ti shtojmë edhe këto 100 vjet vëndnumro, atëhere bëhen fix 617 vjet mbrapa botës neve :P

  4. Zana thotë:

    20 July 2008 @ 9:54 pm

    Kete s’e kisha lexuar.Per mua ehe sot mbetet njohesi me i mire i Shqiptareve.Thjesht fantastike.

  5. strangeMAN thotë:

    20 July 2008 @ 10:49 pm

    Alisa, mendoj që ky artikull mund të shërbejë, ndër të tjera, edhe si “manifesto” i PPUjë. Sa herë që administratorët akuzohen për të gjitha gjërat që janë akuzuar e vazhdojnë të akuzohen herë pas here, mund t’i bëhet “copy/paste” ky shkrimi i Konicës atyre që zgjasin gishtin tregues.

    Përshëndetje!

  6. Blendi Salaj thotë:

    20 July 2008 @ 10:53 pm

    :) Fol Faik te mos flasim ne.

  7. Peshku Fluturues thotë:

    20 July 2008 @ 11:28 pm

    Eh more Faik qe na ndjek pas e s’na ndahesh, i vertete si brerje ndergjegjeje!

  8. scutari_2400 thotë:

    21 July 2008 @ 11:49 am

    ne vazhdojme te mos ecim perpara

  9. xhenius thotë:

    21 July 2008 @ 1:13 pm

    Valle ka egzistuar atehere “peshku pa uje”?!

  10. Idris thotë:

    21 July 2008 @ 1:46 pm

    Pertej se djathtes dhe se majtes….
    Te Peshku! Te Peshku! Ti hedhim qelbesirat! :) :) :)

  11. Pjer Thomas thotë:

    21 July 2008 @ 4:52 pm

    :-)

  12. t_red thotë:

    21 July 2008 @ 5:55 pm

    Eshte po kaq real edhe fjalimi i Nolit ne Parlament ne 1924-en. Sikur e ka shkruar sot. Sot mor sot, tamam per keta bukuranet qe ligj-vendosin per ne:

    “C’fare e ka pushtuar politiken shqiptare?E para. Anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
    E dyta. Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë (të lartë) bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të
    bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.
    E treta. Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
    E katërta. Anarkia patriotike: Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.
    E pesta. Anarkia e idealeve: Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund t’i copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë.

    Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ia prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin.

  13. bela thotë:

    21 July 2008 @ 6:05 pm

    “Te lidhim besa besen, te leftojme per te drejtat e per nderin e Shqiperise dhe t’u refejme te huajve se rojme e duam te rojme me nder ne vendin tone”

    E ka thene dhe kete sikur te ishte nostradamus per Shqiperine e viteve sot!

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com