Mbresa pushimesh – pjesa e parë

riviera4.JPGShkrimet mbi pushimet në Shqipëri gjatë verës janë të shumta e të shpeshta këto ditë vere kështu që fillimisht s’isha krejt i bindur në ja vlente të flisja për 6 ditët që sapo kalova në Dhërmi e në Sarandë. Megjithatë duke pasur parasysh rëndësinë që ka turizmi për vendin tonë them se shkrime të këtilla janë gjithnjë të nevojshme që të jemi realistë; të mos hedhim poshtë gjithshka por as të mos mbyllim sytë para problemeve që duhen ndrequr. Ky është edhe qëllimi i këtyre rrjeshtave.

vlore1.JPGE hënë, 13 Gusht. Pushimet fillojnë me nisjen në mëngjes drejt Dhërmiut për të kaluar atje dy netë. Pas një udhëtimi relativisht të shpejtë deri në Lushnje, kalimit me të shara të asaj pjese të rrugës ku vazhdohet të punohet me një shpejtësi që të bën të kesh zili edhe breshkat arrij në ullishtat e Vlorës. Kjo pjesë e rrugës që këtu më ka pëlqyer gjithnjë, paçka se deti shfaqet që pasi kalon Novoselën për mua bukurinë më të madhe e ka duke filluar nga ullishtat para qytetit e tutje pastaj për në Jug. Veçse këtë herë përveç bukurisë së detit, e mërzitjes së zakonshme të plehrave që nuk të ndahen gjatë gjithë rrugës, përveçse në zona të pabanuara, udhëtari shoqërohet edhe nga dëmi i zjarreve në ullishta. Nuk ka më flakë aktive, këto janë shuar por mbi ullishta kanë ngelur pulla pulla të shëmtuara, pemë të gjunjëzuara nga flakët mënjanë rrugës, që të mbushin më trishtim.

llogora1.JPG

Vlora është plot me pushues, paçka se është e hënë. Shumica e targave janë të huaja, Italiane e Greke,drere1.JPG tek tuk ndonjë Gjermane. Lë pas Vlorën e vazhdojmë për në Dukat. Herën e fundit para tre javëve që isha këndej nuk dukej Karaburuni nga bregu i detit sepse e kishin mbuluar retë e tymrave të zjarreve. Këtë herë ajri është i pastër veçse mbi male kanë ngelur pulla të zeza, shenjat e zjarreve që s’dihet akoma si lindën. Llogoraja është përpara, e freskët si gjithnjë. Ndalem për një copë herë tek Fshati Turistik Llogora, kënaqem me kaprojt, shaj pak ushqimin e vazhdoj më tutje.

Dhërmiu është ca më tutje dhe është plot me pushues. Udhëtimi deri këtu ka zgjatur afërsisht 7 orë por këtu duhen llogaritur edhe nja dy ndalesa për kafe e drekë sipas stilit Shqiptar të udhëtimit. Në ShBA më ka qëlluar të udhëtoj për 5-6 pa udhëtuar ndërsa në vendin tonë duket se s’mund të udhëtosh më shumë se 3 orë pa ndaluar gjëkundi për të pirë a ngrënë diçka. Çmimet e dhomave të hoteleve në Dhërmi janë tek 5.000 Lek nata, ka ca më shtrenjtë, ka ca më pak por gjithsesi s’ka shumë dhoma të lira. Zë vend në një hotel ku kam qënë edhe më parë, bëj ca sherr me hotelxheshën sepse do të më japë një dhomë me ballkon por me pamje nga mali. E pyes ç’të shijoj në këtë dhomë po dola në ballkon kur poshtë dritares, e gjysëm metri larg murit rrethues të hotelit janë një pirg plehrash.

-Ç’të bëj unë thotë, të marr eskavator e ti heq?

dhermi1.JPGBëhem gati ti them PO, por ja që s’ka dhoma të lira në hotelet e tjera kështu që pranoj një dhomë me pamje nga deti por pa ballkon. Gjithsesi, hotelxhesha është e këndshme me mënyrën e vet dhe përpiqet të ndihmojë sa mundet. Në oborr ka nja dy rrënjë rrushi me erë që të bëjnë të të lëshojë goja lëng e kur këputa nja 4-5 bistakë nuk më la kurrsesi t’ja paguaja. Lë plaçkat e zbres në plazh. Bukuria e vendit është mahnitëse si gjithnjë, e si mund të mos jetë? Një fshat i mbërthyer pas malit, rrugë me ullinj e pemë, plazh të bardhë të gjatë disa kilometra e një kishë të vjetër në majë fare. E po s’u pëlqeu Dhërmiu me guriçkat e tij merrni kthesën e veni në Drimadhe, do të gjeni rërë që është pak më e ashpër se ajo e Durrësit por shumë herë më e pastër. Fatkeqsisht bukuria e fshatit të ndërtuar me gurë ka filluar të prishet nga shtëpi të ndërtuara me beton e me ngjyra të ndryshme nga e bardha e shtëpive të vjetra ndërsa plehrat, sidomos qeset plastike bojëqielli i gjen në çdo hap e edhe në cepat e largëta. Bukuria dhe pastërtia e plazhit sfidohet nga ca ndërtime gjysmake, me pirgje materialesh ndërtimi rreth e rrotull, dhe nga karakatina e djegur e ish-kampit të punëtorëve i cili është marrë në shfrytëzim nga dikush nga Tirana por i cili ka konflikt me pronarin e tokës e prandaj s’e ka shfrytëzuar atë ndërtesë me pozicion të lakmueshëm që është kthyer në një WC publike.

Eh sikur të hiqeshin plehrat, të rregulloheshin ca rrugë (sidomos ajo për në Drimadhe por edhe ajo brenda fshatit), të punohej me pronarët e hoteleve, të ndihmoheshin me hua e me njohuri, e të reklamohej më shumë zona sa i ëmbël do të ishte qëndrimi këtu. Nuk është e vështirë për tu bërë, shikoni përshembull faqen http://www.drymades.com , por çuditërisht asgjë nuk zhvillohet, asgjë nuk lëviz. I zoti i hotelit thotë që zona lakmohet nga politikanë nga Tirana të cilët përpiqen të zvarrisin gjithshka e pastaj ti marrin parcelat pranë bregut falas. Ankohet që s’gjen dot njerëz të punojnë në hotel sepse fshati ka ngelur bosh, qesh kur e pyes nëse ka patur ndonjë ndihmë nga Ministria e Turizmit dhe më thotë që s’i zë besë bankave për hua. Jo, të gjithë hotelin e ka ngritur me para të kursyera, asnjë financim.

kishadhermi.JPGE mërkurë, 15 Gusht. Në Dhërmi nuk mund të mos të të vrasë veshin gërqishtja që përdoret lirshëm nga banorët e fshatit dhe nga emigrantët pushues që kanë zbarkuar nga greqia. Shumë fëmijë të vegjël që kanë ardhur me pushime nuk flasin Shqip. Në mëngjes herët futem në varrezat që ndodhen pak hapa larg nga hoteli. Kisha e vogël në hyrje është e mbyllur veçse mbishkrimi mbi murin e saj është gërqisht.varreza15.JPG Brenda shumica dërrmuese e varreve janë me gërma latine, Shqiptarë si Mëhilli, Leka, Duni, Biça, Bifsha, Gjikuria, Beja, por ka edhe pak me gërma greke. Përdorimi i greqishtes i duket normal pronarit të hotelit paçka se i përket fisit Shqiptar që mbush 20% të varrezës. Greqia s’i duket si kërcënim, është më i shqetësuar me mbarëvajtjen e punëve të përditshme. Ndërkohë në dhomë e në makinë vë re se stacionet Shqiptare të radios e të televizionit duken se kanë ngelur në Llogora ndërsa ato greke janë me shumicë.

riviere1.JPGLë Dhërmiun e marr rrugën drejt Sarandës. Male të larta të pjekura në diell, herë shpate ngjyrë ari, herë grupe pemësh. Deti përposhtë vezullon blu, blu, blu. Himara është vendndalimi tjetër. Pamja që të del përpara është e bukur si në të gjithë bregdetin, një qytet i ndërtuar në fund të një gjiri të bukur, njëfestefetarehimare1.JPG shkëmb i madh që bie thikë mbi det. Veçse këtu sapo futesh në qytet ndesh një festë fetare ku buçet muzika grek e ku valviten flamujt e Kishës Ortodokse Greke dhe ngjyrat e Greqisë. Ndalem veçse një çast për të blerë diçka freskuese në një dyqan e dal që aty duke buzëqeshur sepse në duar kam një shishe dhallë Erzeni.

portopalermo1.JPGVazhdoj rrugën më tutje për në Porto Palermo. Fiks përballë kështjellës së Ali Pashait, që zotëron gadishullin dhe gjirin, një zjarr i është qepur shpatit të malit. I bie 129ës, numrit të policisë.

-Alo policia?portopalermo2.JPG
-Po (tingëllon si qendra e policisë në Vlorë, kam folur me të edhe njëherë tjetër kur rastisa të shikoja një aksident në rrugë)
-Ka rënë një zjarr përballë Porto Palermos
-Porto Palermo? Ku është kjo?
-Hë? 2 minuta larg Himarës, ka rënë një zjarr në mal.
-Hë….. dëgjo, merr pak 128-ën.
-….. Mirë

I bie 128ës. Nga ana tjetër e linjës vjen përgjigja standarde

-Albtelekom, shërbimi i kërkuar nuk ofrohet…………

I dëshpëruar ngre sytë nga qielli. Bashkëudhëtarët e mi këmbëngulin që s’kemi ç’ti bëjmë më; e para e punës zjarri po djeg thjesht shkurre sepse shpati është i zhveshur; e dyta, edhe sikur policia e zjarrfikësit të vinin s’do të kishin ç’të bënin sepse terreni është tepër i thepisur. Duhet helicopter për ta fikur zjarrin.

Injorojmë zjarrin që vlon përballë dhe drejtohemi nga kështjella. Para hyrjes së saj gëlojnë plehrat, plehra, plehra. Mbi ndërtesat e rrënuara të ndërtuara vite më parë dikush ka vizatuar ca gjëra të shëmtuara ngjyrë rozë e bizele që të acarojnë nervat pothuajse po aq shumë sa plehrat. Futemi në kështjellë e ciceroni i punësuar nga Ministria e Kulturës pasi merr portopalermo3.JPGpagesën prej 100 Lekësh bën një paraqitje të shkurtër të historisë të saj e na lë të lirë të shëtisim nga të duam. Kështjella ëshë e vogël por në gjendje të mirë nga brenda, veçse pak pis sepse një natë më parë ka pasur një program kulturor pjesmarrsit e të cilit fatkeqsisht s’kanë qënë fare të kulturuar. Ca drita rreth e rrotull, ca pastrim, e një rregullim i territorit rrethues do ta kthenin në një pikë që do të kënaqte çdokënd. Jashtë është vapë qamet ndërsa brenda saj është një fresk mjaft i këndshëm që të bën të dalësh me keqardhje.

vazhdon..

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

38 Komente

  1. eT thotë:

    19 August 2007 @ 10:03 pm

    na ç’malle Lukan :( Ps:varrezat kane emrat ne shqip se jane provizore. pas ca kohesh eshtrat do i marre greqi per ti bere ushtare…

  2. gene thotë:

    19 August 2007 @ 10:33 pm

    nuk paske lene gje pa share o llukan

  3. alb thotë:

    19 August 2007 @ 10:49 pm

    O Llukan… po ato targat Greke qe jane si “onomatopea” a i pe? (YYP, YYY, YZK, YYK, mungon ndonje “GELLDUP”)

    Jane si targa me kende. Apo jo plako? Une qesh gjate gjithe kohes plako.

  4. Vesa thotë:

    19 August 2007 @ 10:59 pm

    /mezi pret vazhdimin :P

  5. gene thotë:

    19 August 2007 @ 11:00 pm

    Kujdes ti alb kur sheh ato targat se jane kamikaze fare. Ndonjehere me duket sikur kane hipur direkt nga gomari ne makine apo sikur kane ardhur nga ndonje planet ku sapo eshte zbuluar koncepti “trafik”

  6. gene thotë:

    19 August 2007 @ 11:17 pm

    http://www.guardian.co.uk/travel/2007/aug/11/saturday.albania

    versionin shqip tek shekulli

  7. alb thotë:

    19 August 2007 @ 11:19 pm

    Gene… Harrove edhe dicka tjeter pa shtur… muzika ne maje, makina te elaboruara (trukuara), kendon Poni dhe nje Poni tjeter nga Gerqia. Sapo degjon ndonje muzik me ze te larte qe vjen nga ndonje makine, i sigurt thua… “Targa greke.”

    PS. Jam i sigurt qe me ato lloj targash mund te shkruash ndonje version te ri te poezise “The Bells” te “Poe”. Do ishte goxha sfide.

  8. LlTako thotë:

    19 August 2007 @ 11:43 pm

    e.T.,

    Fotot me te mira jane per pjesen e dyte :)
    Gene

    Kush te rreh te do…

    Alb,

    Me e lezetshmja ishte Yyp, me kujtonte “yp xhixhi” :D

  9. Blendi thotë:

    20 August 2007 @ 12:24 am

    Llukan faleminderit, pres vazhdimin. Koha te ka mbajtur e mire dhe ndjej qe je kenaqur sido qe ato plehrat gjithandej na bezdisen edhe ne shkrim, dhe te heq kapelen per kete. Edhe te mite kane pushuar pergjate bregut te njejten jave si ti dhe me thone se jane kenaqur me shume ne Piqeras, me 2500 nata ne shtepi/hotel.

    Te ato varret ku ke shkaur ti, une kur isha i vogel shkova nja dy here per kuriozitet dhe lexoja emrat dhe kur kishin vdekur keta njerez, ishin varre te vjeter, mbi 100 vjet, po emrat ishin shqiptare dhe germat latine se une greqisht nuk lexoj dot.

    Naten kur Pirro Dhima ka bere ate prononcimin e famshem live nga lojrat ne Atlanta (qe se mbaj mend se c’tha tamam), une kam qene duke e pare me dhermijotet ne nje “taverne” ne plazh. U cuan ne kembe nga nervat dhe zune ta shajne, nga familja, ne greqisht. Shume ironike, ata denonin tradhetine ndaj gjakut shqiptar, po gjithkohen e denonconin greqisht! Mua mu desh te nderhyj per te marre perkthimin qe te merrja vesh se Pirrua na paskesh tradhetuar Atdheun. :D
    PS. I duhet cuar fjale Edison Ypit qe u gjet dhalli i shqiperise se mesme, ne Himare.

  10. Dajoshi thotë:

    20 August 2007 @ 1:53 am

    Asgje e re nga fronti i perendimit. Llumi qe provova vjet qenka degjeneruar me keq sivjet. Hera e pare qe nuk ndjehem pishman qe nuk shkoj per pushime ne shqiperi. :(

  11. eT thotë:

    20 August 2007 @ 8:05 am

    Jo Llukan, nuk e kisha fjalen per fotografite,madje ky shkrim s’ka nevoje per ato.
    shijen e hidhur qe le ky shkrim ta le sepse realitei eshte i tille :( njesoj siç e pashe vet vjet dhe si bukur e pershkroi Dajoshi shtatorin e kaluar.
    Ps: Per te mashtruar te huajt s’ka nevoje per fotografi, mjafton google map , mjafton tu thuash pozicionin gjeografik…..
    Por vetem kur te vine ne Shqiperi do te shohin punen e njeriut….njeriut tone te ri

  12. Danieli thotë:

    20 August 2007 @ 2:55 pm

    Kjo nuk ka nevoje per vazhdim……. jemi kenaq me keto qe lexuam.

    Eshte e vertete qe gjendja eshte e mjerueshme dhe jo se duam te shajme vendin tone por kur shikon vendet e tjera qe i kushtojne nje rendesi te madhe dhe te vecante turizmit, me keqardhje shikon Shqiperine qe nuk po ben asgje per te…..mund te them ka ecur mbrapa keto vitet e fundit.
    Une per vete e kam te fresket panoramen se para 3 javesh jam kthyer nga nje vizite 2 javeshe ne Shqiperi dhe ishte momenti kur zjarret kishin nje perhapje te madhe ne territorin e shqiperise.
    Vetem tym shikoje dhe merrje ere, asnje nuk e vriste mendjen per ndonje perpjekje per ti shuar apo fundja te bente dicka.
    Sherbimi neper restorante mund te them me plot gojen eshte skandaloz…..Plehrat kishin arritur pothuaj ne kat te dyte………dhe askush nuk e vriste mendjen se mund te perhapej ndonje epidemi….
    Cmund te mendojne te huajt qe shkojne ne Shqiperi per qejf dhe te harxhojne para…………?!

  13. dea thotë:

    20 August 2007 @ 3:40 pm

    as uji ,as dritat as pluhri dhe vapa -po gjeneratoret ishin perbindesha te vertet. :( nuk i duroja dotttttttttttttt!

  14. Naimi thotë:

    20 August 2007 @ 3:45 pm

    Postoni shkrimin e Berat Buzhales ne “Express”. Me erdhi turp kur e lexova.

  15. ilir thotë:

    20 August 2007 @ 4:27 pm

    ajo puna e zjarreve e misterrshme ne ato zona

  16. Cheney thotë:

    20 August 2007 @ 4:55 pm

    Peshku qenka thate sot.. kjo eshte e vetmja tem qe ja vlen ta lexosh e ta komentosh.. Eh Llukan c’me bere..

  17. lolagaz thotë:

    20 August 2007 @ 7:03 pm

    Jo vetem teme qe ia vlen ta lexosh, por eshte bere nje pershkrim, sa dhe ai qe nuk ka qene, I pozicionon pak a shume veten, ne nje situate sikur e ka pamjen para syve te tij. Une isha vete andej, dmth, sapo jam kthyer. Uf, sa u lodha…

  18. tiranalb thotë:

    20 August 2007 @ 8:44 pm

    …i zoti i hotelit thotë që zona lakmohet nga politikanë nga Tirana të cilët përpiqen të zvarrisin gjithshka e pastaj ti marrin parcelat pranë bregut falas…

    Llukan, pershkrimi eshte shume i mire, por qendroju larg klisheve se na lodhen. Nuk kane nevoje ti marrin falas keta, se ata qe bejne nga keto pune te thyejne koken me leke, keshtu qe po te mundte ta merrte me pare do ta merrte njesoj si me pare. Fundja lehte i ka fituar ato para dhe njesoj eshte per te.
    Tek ajo pjesa e gerqishtes ke shume te drejte. Po se mos vetem gerqisht.. Une isha ne Rradhime nja 10 dite. Vend shume i mire, sherbimi shume, shume me i mire nga ce prisja. Por ne plazh ndiheshe i mjere. Kalamaj qe laheshin dhe qe i therrisnin njeri tjetrit, greqisht fliste njeri, italisht ia kthente tjetri.. Mjerim i madh! Prinder qe cohehsin nga cadrat dhe u therrisnin: “Marko vjeni qua, - nga njera ane. Vasilika, ella dho, - nga ana tjeter. Cuni im nga dita e trete pasi u lodh te merrej vesh me ta, erdhi tek mua dhe me tha: Babi, pse flasin keshtu keta..? Cti thosha une, ai eshte 5 vjec. vari leshte, popull i mbaruar, keta jemi

  19. Pjer Thomas thotë:

    20 August 2007 @ 9:52 pm

    Pershkrimi i pushimeve ishte terheqes, shkruar shkurt dhe me kujdes, e aspak i lodhshem. Per ne emigrantet qe kemi vite pa vajtur nga Bregu i Detit , kishte shum gjera interesante. Ai çmimi i dhomes do ishte mire te jepej dhe ne euro , per tu kuptuar se a eshte ne leke te reja apo te vjetra. Megjithse kam pershtypjen se Llukan djali , i permbahet rregullit gramatikor ku leket duhet te shkruhen ne te reja.
    Po presim pjesen e dyte, e po perfitoj nga rasti ti them Llukanit dhe dy drejtuesve te tjere te Peshkut se dhe vete po shkruaj nje pershtypje nga Shqiperia, ku jam afer mbarimit.

  20. Darien thotë:

    20 August 2007 @ 11:07 pm

    Ai pershkrimi i flamujve greke dhe e folura greqisht ne bregdetin tone me solli nje perzierje ne stomak. :(

  21. LlTako thotë:

    20 August 2007 @ 11:49 pm

    Blendi,

    Edhe mua me beri shume pershtypje sjellja e Dhermioteve. Presupozoj qe Greqishtja eshte futur si gjuhe tregtie dhe nevoje e faji si gjithnje i ngelet … shtetit tone duarthare.

    Dajosh,

    Jo, jo e ke gabim. Une per vete do te kisha ngelur pishman po te mos kisha ikur. Kushtet mund te mos jene te perkryera por njeriu i pranon ca mangesi ne shkembim te “fitimeve” te tjera.

    e.T.,

    Realiteti eshte i hidhur por une per vete shpresoj qe te jete duke u ndrequr, sado ngadale.

    Daniel,

    Te them te drejten une i perjetova te dyja; edhe sherbimin e keq, edhe te mirin e ndarja ishte pak a shume 50%-50%. Ajo hotelxhesha me siper s’e shihte problemin e plehrave por ama njekohesisht nuk pranoi kurrsesi asnje lek per gjysmen e bistakeve te pjekur te rrushit qe zgrapa nga pjergulla.

    Dea,

    Te drejte ke, por per qytetet jo bregdetare. Ato zona kane uje e drita sepse jane zona turistike.

    Iliri,

    Jo dhe aq e mistershme, thjesht duhet pyetur se kush perfiton prej zjarreve e rremujes ne Shqiperi.

    Cheney,

    Rruga per ne Palase eshte e mire, fshati i paster, e mbishkrimet per PDI-ne mbytin ato per LBDNj-ne. Bereqaves :)

    Lola

    Faleminderit :)

    tiranalb,

    E drejte, mbase eshte klishe e sterperseritur por keto ishin fjalet e tij. Sa per Italishten, edhe une e ndesha ne Ksamil, kryefamiljari kish veshur edhe rroba banje me flamur Italinan…..

    Pjer,

    Te reja, te reja gjithnje.

    ***********

    Do te me falni per vonesen e vazhdimit por sot ka qene dite e gjate pune. Po vendos ca foto ne vend te tekstit.

    detblu.JPG

    anijegji.JPG

    butrint.JPG

  22. Dajoshi thotë:

    21 August 2007 @ 4:27 am

    @Llukan. Edhe une pishman e kisha derisa nuk pata qene andej nga ato ane, por vec natyres asgje tjeter te mire nuk ka. Nje turme bukeshkalesh te pagdhendur ose picderrash qe nuk dine nga kane prejardhjen duan te bejne turizmin shqiptar. Sic thote tiranalb popull i mbaruar, vari leshte.

  23. detijon thotë:

    21 August 2007 @ 6:31 am

    O njerez, nqs u perzihet stomaku kur degjoni greqisht ne dhermi apo himare mund ti anashkaloni keto fshatra ne udhetimet tuaja dhe te ndaloni vetem aty ku flitet shqip. Ose mund te zgjidhni nje vend tjeter ku gjuha mund t’ju pelqej disi me shume, italisht, spanjisht, anglisht apo ndonje tjeter. Apo mund te merrni ndonje ilac me vete, si ta keni.

    Sa per ato femijet qe flasin vetem greqisht, te pakten vetem keta te kesaj zone kane nje arsye te forte: prindrit, gjysherit e stergjysherit u flisnin po ate gjuhe. Cfare tu besh italianeve e amerikaneve e gjermaneve e grekerve te vegjel me te dy prinderit shqiptar qe flasin te dy cope-cope gjuhen e re dhe femijve sesi u vjen per me lehte tu flasin vetem ne te.

  24. Pjer Thomas thotë:

    21 August 2007 @ 8:13 pm

    Detijon, gjysherit dhe baballaret , u kane folur femijve ne shqip. Une jam nga Bregu i Detit dhe gjyshi me ghyshen me flisnin shqip. Gjyshi/papu dinte ca fjale greqisht , se kish bere para socializmit ca tregti me greket, siç kishin bere te gjithe banoret e atyre aneve.

  25. detijon thotë:

    21 August 2007 @ 8:26 pm

    Pjer Thomas, jo te gjithe. Gjysherit e fqinjeve te mi nuk dinin nje llaf shqip. Njerez te mrekullueshem. Cfare tu thuash atyre, flisni shqip ju se nuk me pelqen mua kur degjoj greqisht? Sikur nuk ka kuptim kjo llogjike. Kete historine e tregtise e kam degjuar prap dhe si pak e cuditshme degjohet, qe njerezit nderruan gjuhen se benin tregti me grekerit. Popullsia e ketyre aneve nuk eshte homogjene, ka fise me prejardhje greke, ka fise me prejardhje shqiptare. Gjithsesi aty tani flitet greqisht, ky eshte realiteti, me force nuk ndryshohen gjerat se krijon reagimin e kundert te asaj qe do te realizosh.

  26. Zana thotë:

    22 August 2007 @ 9:10 pm

    Llukan ,ishe me i kenaqur e optimist kur shkoje fund jave ne ato ane….S’paska ndryshuar asgje per mire nga koha qe ka qene dajoshi.Te bukura fotot….E kalofsh mire megjithate nese je akoma aty

  27. tnerual thotë:

    22 August 2007 @ 9:23 pm

    detijon thotë:
    21 Gusht 2007 @ 8:26 pm
    ….Gjithsesi aty tani flitet greqisht, ky eshte realiteti….

    Bravo grekeve e kolonizuan ne 15 vjet dhermiun e himaren.

  28. Zana thotë:

    22 August 2007 @ 9:31 pm

    Lor;me thone qe ne piace ne Shkoder keto dite ndihej ma shume italisht…..Ku me e marre me na “kolonizu”.Kokrra qe qeshin

  29. tnerual thotë:

    22 August 2007 @ 9:38 pm

    Zana ule pak zerin e mos i thuaj ato gjera se po na degjon armiku :D
    PS.ai ”konolizimi” italian eshte 15 ditesh,me 1 shtator ne Shkdoder ne Piace degjon vetem shkodranshe.

  30. klodi thotë:

    22 August 2007 @ 10:23 pm

    tnerual dhe Zana , desha tju terheq pak vemendje per kontradiktat dhe atentatet qe i bene shqieprise dhe gjuhes shqipe . fjala “piace” ne shqip nuk ka asnje kuptim , neve kemi fjalen tone “shesh”. …..e kemi shum te qarte qe dini ta flisni italishten …..por ketu , mesa di un , behet fjale per diskutime ne shqip.

    PS: do ishte me e ndershme qe ate fjalen “piace” ta shkruanit ashtu si shkruhet “piazza” !!!!

  31. Zana thotë:

    22 August 2007 @ 10:33 pm

    Klod ti nuk je shkodran nuk ke si ta dish qe ne Shkoder qe kur te pakten ka lind gjyshja ime ,baba e nana e une ka pase nje piace qe lexohet e shkruhet si e kam shkruajtur une pa i bere asnje atentat askujt.Ne ne Shkoder kemi piace e jo shesh; shesh eshte. sheshi e flamurit.

  32. tnerual thotë:

    22 August 2007 @ 10:50 pm

    Klodi flm per terheqjen e vemendjes,do e kem parasysh, po fjala piace ka hy ne fjalorin shkodran kur te tjeret kane kene shesh.

    ps.fjalet ”kondradiktat” e ”atentate” mi shqipero pak.

  33. LlTako thotë:

    22 August 2007 @ 11:34 pm

    ….O njerez, nqs u perzihet stomaku kur degjoni greqisht ne dhermi apo himare mund ti anashkaloni keto fshatra ne udhetimet tuaja dhe te ndaloni vetem aty ku flitet shqip….

    Ndersa une keshilloj qe kush nuk e ndjen veten Shqiptar te sikteriset nga syte kembet. Si thua ti “detijon”?

    Ore njerez qe hiqeni sikur s’kuptoni (po te drejtohem ty si perfaqsues i gjithe ketij grupi). Ky eshte vendi i Shqiptareve. Shqiptaret mund te jene brekegrisur tani per tani, vendi mund te jete cope cope por kjo eshte toke Shqiptare. Kujt s’i pelqen le te shporret!

  34. alb thotë:

    22 August 2007 @ 11:37 pm

    Llukan, te shoh te irritur…

  35. LlTako thotë:

    22 August 2007 @ 11:55 pm

    E kam nga mosrregullimi i gjerave te vogla, pas te cilave vijne gjerat e medha :)

  36. LlTako thotë:

    22 August 2007 @ 11:59 pm

    Zana, une optimist jam, thjesht s’kenaqem lehte e dua ndryshime te shpejta, sa me te shpejta….

  37. Zana thotë:

    23 August 2007 @ 12:07 am

    More qe je optimist e mora vesh qe kur le Ameriken e u ktheve ne Shqiperi.Me optimist se keshtu ku ka ,bile hyn nder kulmet e optimizmit…E lexova edhe pjesen e dyte..Syri eshte vertet sy te magjeps dhe ti e pershkruan shume bukur shishen plastike te hedhur ne gemushe e Syri aty qe shkelqen.

  38. detijon thotë:

    23 August 2007 @ 5:48 pm

    LlTako, shume i ashper komenti jot. Une reagova ndaj Darien te cilit
    “e folura greqisht ne bregdetin tone i solli nje perzierje ne stomak”. Ti ke mendimin tend, por nuk e shikoj te drejt qe njerezit te shporren nga vendi i tyre meqe nuk kane te njejtin mendim si ty. Sa per shpiptarizmin, ne cilen pjese te komentit tim kuptove qe une nuk ndihem shqiptar?

    Ne himare e dhermi greqishtja NUK filloi te flitej 17 vitet e fundit. Filloi si filloi, mund te debatojme me ore. Une nuk besoj se tani flitet me shume greqisht sesa me perpara, po te marrim parasysh faktin se tani njerezit jane te lire te flasin si te duan. Me perpara shqipja ishte e detyruar ne jeten publike. Influenca e emigracionit sigurisht qe eshte e madhe, por ky nuk eshte fenomen vetem i kesaj zone, dhe kjo vihet re ne cdo pjese tjeter te shqiperise.

    Pershtypja ime eshte kjo: pavaresisht me politikat e cdo pale, perfshire edhe ato te bollanos, me popullin c’keni? Cfare te keqe i ka bere pjeses tjeter te shqiperise qe meriton nje perbuzje te tille pse flet gjuhen qe i foli edhe nena?

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com