Mbresa pushimesh – pjesa e dytë
(pjesa e parë këtu)
Nga Porto Palermo rruga të çon për në Qeparo, Borsh, Lukovë, Nivicë Bubar e më në fund Sarandë. Ka vërtetë plot rrugë e pamje të bukura në botë e s’jam aq i verbër sa të them që vetëm Shqipëria ekziston në këtë planet por ama këto vendet tona janë të bukura edhe në mungesë të rrugëve, edhe në mungesë të investimeve, edhe përballë dorës shpesh të rëndë të viteve të fundit që ka përjetuar Shqipëria.
E mërkurë: Pas një rrugë që s’është as shumë e keqe, as shumë e mirë arrij në Qeparo e në Borsh. I përmend të dy njëherësh se ngjajnë shumë, ndryshe nga zonat e tjera të bregdetit kanë një pjesë fushe
e malet nuk zbresin drejt e në det. Pamja këtu është mjaft e bukur e ka jeshilllëk plot falë plantacioneve të agrumeve që rrethojnë rrugën. Në Borsh ndaloj tek një lokal i këndshëm me një përrua në mes që të freskon paçka se është mesi i ditës. Uji i përroit është i ftohtë akull; një i huaj fut këmbët
për ta parë sa do ta duronte e s’qëndron dot më shumë se një minutë, ndërsa anash lokalit ka akoma limona e portokaj në degë. Fatkeqsisht duke qënë se është orar dreke lokali është plot, jo vetëm me njerëz por edhe me miza. Zhurmë, rrëmujë, njerëz që kalojnë fare pranë tryezave. Një mrekulli e vogël që mund të të falë mjaft kënaqësi në një orë më të qetë është prishur nga mbipërdorimi dhe nga mospasja e ca shiritave kundra mizave që mund të shpëtonin klientët nga të paktën kjo bezdi. Megjithatë, shumica nuk duken se shqetësohen, ndërsa unë për vetë vendos të ha drekën në Sarandë që është më pak se një orë larg.
Mes Borshit e Sarandës është Lukova e Nivicë Bubari. Brezaret janë rralluar ca por ka akoma plot për ta çlodhur syrin e kjo çlodhje e ka mbase fajin për tronditjen që pëson kur hyn në Sarandë. Për rreth 2-3 minuta në krah të rrugës që të çon në këtë perlë të turizmit Shqiptar ka vetëm pirgje 1 metroshe plehrash nga më të ndryshmet. Ka aty materiale ndërtimi, sende përdorimi të përditshëm e lloj lloj të tjerash të cilat të bëjnë të mendosh se po shkon në Sharrë të Tiranës e jo në Sarandë. Vetë qyteti duket se po përjeton një bum ndërtimesh të ngjashëm, e mbase më të madh se Tirana. Të gjitha duken si hotele; brenda në qytet, në breg të detit, në shpatin e kodrës, në drejtim të Ksamilit, kudo, kudo. Rehatohem në një hotel pranë bregut 1 minutë larg qytetit ku dhoma kushton 5.000 Lek, çmim mjaft i ulët duke pasur parasysh që kaq ishte edhe në Dhërmi. Para se të futem në hotel vë re që fare pranë është një disko e quajtur Mango Beach dhe e pyes recepsionistin nëse dëgjohet muzika gjatë natës. Hiç fare- thotë, - s’kemi pasur kurrë ankesa. Duket i sinqertë, dhoma është e këndëshme e unë i lodhur kështu që s’e zgjas.
Në darkë ngjitem në Kalanë e Lëkursit në kodrat mbi Sarandën. Kalaja është kthyer në një restorant të stërmadh me tre shkallë (bar, restorant i plotë e pizeri) por duket mjaft e pastër dhe e këndshme. Më kujton pak Kalanë e Elbasanit dhe të Petrelës që janë kthyer edhe ato në lokale, me ç’duket vetëm kjo mund ti tërheqë njerzit në kalatë tona. Megjithatë mjedisi është mjaft i këndshëm e nga ora 9 një këngëtar fillon të këndojë këngë të muzikës të lehtë Shqiptare. Poshtë Saranda vezullon me dritat e saj. Kthehem në hotel mjaft i kënaqur nga dita dhe nga udhëtimi.
E Enjte, ora 3 e mëngjesit. Një këngë që buçet nga diku afër hotelit më zgjon nga gjumi. Një e dalë në ballkon më kujton menjëherë për Mango Beach-in. Futem në dhomë, muzika vazhdon të buçasë. Çudi si s’më kishte zgjuar deri atëherë se s’kishte mur, dritare, perde apo jastëk që e bllokonte. Vazhdon kështu nja një orë gjatë të cilës shaj me rradhë pronarët e diskos, pronarët e hotelit, dhe recepsionistin. Marr në telefon recepsionistin gati për sherr:
- Ore po ç’është kjo muzikë kështu në këtë orë?
- Pse ju shqetëson? (zëri tingëllon i sinqertë, ishte i njëti si në orën 4 të mbasdites).
- Si ore a më shqetëson. Doemos që më shqetëson.
- Po s’kemi pasur ndonjëherë ndonjë të ankohet më parë.
- S’ka mundësi!!!! Nejse, unë nesër do të iki. Lekët që kam parapaguar i dua mbrapsht.
- Të na falni, natyrisht që lekët do ti merrni mbrapsht, fundja jeni me pushime.
Kthehem në shtrat. Recepsionisti tingëllonte i sinqertë kështu që e heq nga lista e sharjeve. Vazhdoj me pronarët e diskos dhe me pronarët e hotelit. Diskoja vazhdon të buçasë me muzikë house, latine dhe Shqiptare……
E Enjte, ora 8 e mëngjesit: Filloj kërkimin për një hotel tjetër. Fatmirsisht gjej shpejt brenda në qytet një hotel që ka një dhomë më të madhe e më të këndëshme s’ka asnjë lokal pranë dhe kushton vetëm 3.000 Lek nata. Pasi shaj veten që s’kërkova më shumë një ditë më parë dal të ha mëngjesin në një lokaleve përgjatë shëtitores. Kamarierja sjell bukën, gjalpin e reçelin dhe një gotë qumësht që ndjehet në erë që ishte qumësht kutie. Të njëjtën gjë e kisha vënë re edhë në Dhërmi kështu që e pyes se si shpjegohet që s’kanë bulmet vendi. Përgjigja më çudit fillimisht, “s’ka leverdi, s’na del” por pastaj kujtohem që qumështi i importit mbështetet nga shtetet e tjera, ndërsa qumështi i blegtorit Shqiptar s’ka as mbrojtje e as ndihmë.
Pas mëngjesit nisem për në Ksamil. Rruga të çon përgjatë Liqenit të Butrintit e më bëhet qejfi që shikoj mjaft struktura për kultivimin e midhjeve. Të paktën ka një veprimtari ekonomike të suksesshme përveç turizmit e emigrimit në Greqi. Nga ana tjetër e malit përgjatë bregdetit ka vaska (rezervate) për rritjen e peshkut ku rritet Kocë e Levrek.
Vetë Ksamili ngjan si një qytet që po ndërtohet shpejt e shpejt, pa një plan, e pa një drejtim pas shkatërrimit të plotë nga një ushtri barbarësh. Pemë të prera, karabina shtëpish të ngritura përgjysëm, plehra gjithandej. Ky fshat ka të gjitha mundësitë që të kthehet në një minigeto nqs nuk vihet dorë nga
dikush për të drejtuar zhvillimin në të. Rastësisht ngatërroj rrugën e gjendem përballë ndërtesës së komunës. Në oborr janë 4 kosha plehrash të boshatisur e të rinj fringo, dy prej tyre të rrëzuar përtokë. Me ç’duket plehrat jashtë oborrit s’e bezdisnin fare qeverisjen vendore.
Megjithatë, e gjithë shija e keqe e fshatit/qytezës tretet menjëherë sapo zbres në breg përballë ishujve të Ksamilit. Nja dy sipërmarrës të shkathët kanë ndërtuar një restorant/barake të thjeshtë druri në ishullin e madh dhe të përshendesin menjëherë duket të ftuar të të transportojnë për aty falas. Një udhëtim 2 minutësh me varkë të mes një uji më të pastër sesa kristali të çon në një ishull ku kaloj orët më çlodhëse të të gjithë verës në një shezlong nën hijen e pemëve duke shijuar një fllad që nuk pushoi që nga ora 10 e mëngjesit e deri në orën 5 të mbasdites. Restoranti/barake shërben pije freskuese e kafe të cilat ti sjellin tek shezloni ndërsa dreka haet po aty, vetëm pak centimetra larg detit. Në ju rëntë rruga ju këshilloj të provoni oktapodin, jo sepse koca e pjekur me një fletë dafine e një fetë limoni nga brenda s’është e shijshme por sepse vetë oktapodi ishte mjaft i goditur. Shërbimi ishte i shkëlqyer, e çmimet ndryshe nga ç’e prisja janë të barabarta, ose pak më të ulta se në pjesën tjetër të Rivierës.
Lë Ksamilin dhe pas një pushimi të shkurtër në dhomë drejtohem në Butrint. Këtu kanë bërë punë të paqme, hyrja kushton vetëm 200 Lek për Shqiptarët, dhe ka harta e pastërti. Mushkonjat, për të cilat më
kanë paralajmëruar aq shpesh, s’duken shumë rreth e rrotull e gadishulli është i mbushur me gërmime e rrënoja historike. Ngjitem sipër në kodër, muzeu është i hapur për publikun, i këndshëm e me ajër të kondicionuar. E gjithë zona të lë një përshtypje të këndshme që prishet pakëz vetëm nga një kryq i madh i bardhë që vezullon në majë të një kodre në jug të Butrintit, në drejtim të kufirit grek. Simbole të këtilla fetare në një shtet laik si ky i yni janë gjithnjë problematike, aq më tepër me një fqinj fanatik e fetar si ky i yni.
E premte: Një ditë tjetër qetësie dhe çlodhjeje në ishujt e Ksamilit. Deti është i cekët si në pak vende përgjatë bregdetit të Jonit, uji është i pastër e freskia është njësoj si një ditë më parë. Në ishullin e dytë shoh të nxjerrë në spirancë “Mikaelën”, barkën prej druri pronarin e të cilës e ndaluan të transportonte turistë përgjatë bregdetit për shkak të ligjit kundra skafeve.
E shtunë: Lë me keqardhje pas Sarandën dhe nisem për në Tiranë duke kaluar nga Gjirokastra. Rruga për në qytetin e gurtë është e shtruar mirë dhe pa probleme. Ndaloj pak tek Syri i Kaltër ku fillojnë të më bëhen përsëri nervat kaçurrel. E para e punës, rruga që të çon nga rruga kryesore deri tek Syri i Kaltër është e prishur. E dyta, e gjithë zona e Syrit të Kaltër është e mbuluar nga plehrat. Plehra, plehra, plehra. Vetë burimi shkëlqen me kaltërsinë dhe pastërtinë e tij por sa para bën nqs s’e shijon dot se s’të lë shishja bosh plastike që dikush e ka flakur paturpësisht në gëmushat ngjitur.
Midis Syrit të Kaltër dhe Gjirokastrës vë re mjaft tabela me emrat e vendeve në Shqip dhe në Gërqisht. Shikoj me kënaqësi që pjesa më e madhe e emrave në gërqisht janë zhgarravitur me të zezë. E para prishje e pronës publike për të cilën s’po më vjen keq.
Gjirokastra është si gjithnjë mbresëlënëse. Futem në një dyqan suveniresh e blej si dhuratë për dikë një punim bakri që po ta blesh në Rinas kushton dy herë më tepër. Duke ecur rrugëve dëgjoj një këngë labe që buçet nga një kafene e vockël. Fus kokën duke pritur të shoh një manjetofon dhe vë re i habitur që janë një grup burrash tek të 30-tat që këndojnë me po aq shpirt sa një grup i mirëfilltë artistik. Rri e i dëgjoj në heshtje.
Falë rrugës së re, udhëtimi nga Gjirokastra deri në Ujin e Ftohtë në Tepelenë është shkurtuar në rreth 30 minuta. Hiçgjë. Në rrugë po kryhen punime por duket se po ecet mjaft më shpejt se në rrugën Lushnjë-Fier. Ndalemi njëcopë herë tëk Uji i Ftohtë por këtu pluhuri i punimeve, papastërtia dhe mizat janë të padurueshme. Njëhrë e një kohë kam pas mbushur ujë për të pirë nga ai burim por sot s’do të guxoja më të bëja të njëjtën gjë.
Mbërrij në Tiranë. Fundi i pushimeve!
*******************************
Nuk mund të them që pushimet në Dhërmi e Sarandë ishin të përkryera por nuk mund të them kurrsesi që s’u kënaqa. Ka nevojë për punë, ka nevojë për shumë, shumë punë dhe është e pafalshme lënia pas dore e kësaj mrekullie natyrore deri më tani. Vitin tjetër kam ndërmend të kthehem e të shoh se ç’ka ndryshuar ndërkohë.
Llukan Tako
22 Gusht 2007


22 Gusht 2007 @ 11:15 pm
Bravo Llukan, por vitin tjetër pres një video dokumentar të udhëtimit
22 Gusht 2007 @ 11:28 pm
Me nje llaf mos te rente rruga andej kur shkon ne Budva dhe ben pushime si njeri.
22 Gusht 2007 @ 11:40 pm
E po kot nuk thone ofsh, ofsh, ofsh, per nje pale pyje, kur i kisha i zoti s’isha, kur s’i kam i zoti jam! A nuk eshte ai ishulli i kalase nga fotografia ajrore e eee s’mekujtohet. Po atje c’fare eshte, syri i kalter apo ndonje buzedeti e thelle? Po ajo pamja me ngjyra pishkashi?
Nje dite do te rregullohen te gjitha. Faleminderit Llukan!
22 Gusht 2007 @ 11:44 pm
syri i kalter
22 Gusht 2007 @ 11:49 pm
Plehrat do na marrin ne qafe.. e kam thene une..
me keq se India apo Bangladeshi do perfundojme
23 Gusht 2007 @ 1:59 am
mjaft i sinqerte me historine e plerave vetem me ato komentet e fese , shtetit fqinj , dhe germave te teyre ishte i tepruar. jemi shume me fat qe kemi greqine ne kufi dhe jo israelin ose lebanon ose f..turket. (opinion personal)
23 Gusht 2007 @ 7:20 am
O llukan, nje keshille.
Mos e vrit mendjen me per plehrat se do te te vije ndonje ulcer ne shqiperi.
Mua me doli shpirti me komshinjte ne tirane e nuk duan te marrin vesh.
Te gjitha i provova, me te lutur, me kercenime, me dhune fizike (po po) po sa mbaron me njerin fillon tjetri dhe ai i pari te sheh si me thene: E SHEH, KISHA TE DREJTE UNE!
Nje dite shkruajta nje leter me titull PARALAJMERIM PER GJOBE, e firmosa ALI DHUNA drejtor i pergjithshem i policise bashkiake Tirane dhe e shperndava naten dere me dere me kercenimin se do te gjobiteshin te gjithe (dyqanet me teper). Funksionoi ca kohe po pastaj filluan si me pare dhe me keq.
Komshiu im ka nje vit qe vjen verdalle neper zyra bashkie, bashkizash e firmash pastrimi po nuk na e vene qe nuk na e vene nje kazan plehrash aty afer (se barbarise se banoreve i shtohet edhe ajo e bashkise).
Kjo ndodh ne mes te tiranes.
Leri plehrat llukan dhe shijo shqiperine sa me shume qe te mundesh se kur te behen rruget e te qyteterohen njerezit nuk do gjesh me grupe labesh qe kendojne per qef ne lokale.
23 Gusht 2007 @ 8:13 am
Bukur Llukan! I lexova me endje te dyja pjeset e reportazhit tend.
Shume plehra? Ke bere mire qe i permende plehrat, sepse eshte nje nga turpet e medha te atdheut tone.
Lam nam me plehra e mushkonja. Dhe nuk eshte aspak e veshtire te pastrosh.
Bukuria shqiptare duhet pastruar, sepse eshte njelloj si te kalosh naten me nje femer te bukur por qe qelbet era. S’ka lezet!
23 Gusht 2007 @ 8:29 am
kjo puna e plehrave eshte me te vertete turp i madh…sikur kanalet e tv lokale dhe kombetare te xhironin video 5-10 minuteshe per pleherat ne zona te tilla dhe ta transmetonin disa here ne dite duke theksuar emrin e qytetit/fshatit/lagjes/komunitetit ku behet fjale, besoj se do i gervishte sadopak ndergjegjen a atyre komuniteteve per te ndryshuar sjellje…gjithashtu gjoba te renda por qe zbatohen do te ishin nje zgjidhje tjeter…besoj se kaq e gje nuk eshte e veshtire per dicka qe nuk ka kurrfare justifikimi…
23 Gusht 2007 @ 10:19 am
BBC ka nje raport shume interesant te para 3 ditesh mbi plehrat ne Shqiperi dhe ca njerez te mire qe po mundohen te bejne dicka per kete:
http://news.bbc.co.uk/2/hi/programmes/from_our_own_correspondent/6951725.stm
23 Gusht 2007 @ 10:52 am
“There is a distinctly steely edge to Miranda. Any man daring to cross her might, I think, end up in the crusher along with the rest of the rubbish.”
hahaha
23 Gusht 2007 @ 11:25 am
Blendo,
Revista High Life e Brit.Air., javen e kaluar, ekspozonte Tiranen si Destinacion te Muajit.
Pershkrimi ishte tragjiko-komik por gjithsesi ishte nje reklame falas qe arriti qindra mijra njerez..
23 Gusht 2007 @ 4:42 pm
Pershkrim realist tragjiko-komik qe te lendon kur lexon qe asnjeriu nuk i prishet pune nese plehrat kuterbojne ere ne rreze te dritares……
Gjynah i madh qe po ecin punet keshtu ne Shqipeine tone!!!
23 Gusht 2007 @ 5:24 pm
Ne Fjalor:
Shqiperia - (shiko) i vetmi vend pa asnjelloj kushtesh per te pushuar, dhe ne te njejten kohe i vetmi vend ku njerezit te cajne koken dhe thone “hadje, se do kalosh pushime te mira!”
23 Gusht 2007 @ 6:44 pm
Ca keni me plerat ju? Jane pjese e jetes tone ato. Qe te vegjel kemi lujt te plerat ose me plerat. Ose te Lana, ose te rifuxho me qenin e lagjes Lordin. Ose neper pellgjet pis me varka ne zhul. Ose me plera te tipit letra cumcakizi qe i koleksiononim si pullat. Pa plera neve jemi pa identitet.
23 Gusht 2007 @ 8:58 pm
Reale e dhimbshme dhe e bukur… ditar interesant pushimesh… Une pervete e perjeyova shume mire..
PS Llukan Qafiri eshte duke te kerkuar me qiri neper tirane, nuk e di a ke kontaktuar me te…
23 Gusht 2007 @ 9:24 pm
Llukan shkrim shume i bukur, me nxorre mallin e gjithe asaj zones se pershkruar.
Vec si nuk vajte ne qytetin tone ore? Ishe dhe kaq afer…
p.s Gene je i madh plako. Sa kam qesh..Ali Dhuna ahaahahahaha.
Mesim per demokracine liberale te Blendit ajo.
23 Gusht 2007 @ 9:41 pm
Llukan, perfekte, dhe nuk ke “dramatizuar” absolutisht asgje per ti dhene shkrimit ndonje note me teper. I lexova te dyja pjeset. Me ate muziken dhe “sherrin” me recepsionisten qesha pak. I kuptoj fare mire ata qe xhindosen nga muzika kur i zgjon nga gjumi. Mua personalisht me iken truri nese me del gjumi nga muzika apo ndonje zhurme e ngjashme qe eshte produkt i elektronikes.
Per pushime te gjata (15 ditore) per here te fundit ne jug kam qene para tre vitesh. Pastaj kam qene vetem me dite keto vitet e tjera. Isha pak dite me pare, por vetem dy dite kisha leje. Ne fakt, kur po beja krahasimet me tre vite me pare, mu duk goxha me mire, qe nga sherbimi, pastertia por edhe komunikimi me njerezine me i sjellshem.
PS. gene, vertet kam qeshur me te madhe me Ali Dhunen. hahahhahahah
23 Gusht 2007 @ 9:44 pm
Bukur Llukan djali, veç per banoret , do te doja me shume pershkrim.
ku ne kalamajt e Tirones se re (kam kaluar femijerine tek shkolla Vasil Shanto), kishim nje qen Lordi qe e ushqenim me gjerat e shtepise dhe e çonim nga Selita te zihej me qente e tjere. Dhe per çudi, Lordi (konja jone) dilte fitimtar gjithmon.
Momli, me ate qenin Lordi, me kujtove femijerine
23 Gusht 2007 @ 11:03 pm
C’demokrate jeni ju more? Kaloni 20 here para pallateve tuaja nepermes bajgave dhe asnjeri nuk ulet per te pastruar! Keshtu me duket se thoshte Diktatori Hoxha.
23 Gusht 2007 @ 11:09 pm
Gene, grupe leberish do te kete gjithnje se kendojne bukur qerratallaret
Shqiperine e shijoj, me pelqen e s’ngopem me te por e dua akoma me te mire.
Krasta fola ne telefon me te, e kemi lene se shpejti. Po te dergoj numrin e celit ne e-mail se kemi nje birre bashke
Julius, qejfi ma kishte por s’pata mundesi se udhetoja me te tjere
Lola faleminderit
24 Gusht 2007 @ 5:48 pm
Nuk e di ku e ka bukurine i ashtuquajturi “Syri i Kalter” apo ajo e ashtuquajtura “Perla e Shqiperise” Saranda. Ne Shqiperi cdo gje mund te kete vetem bukuri nuk gjej. Te tilla ka kudo ne bote dhe per te pare ato vende as me shkon aspak ndermend, me mjaftojne apo pamje pellgjesh te rrethuara me plehra. Me vjen keq per kete konkluzion, por mjafton te hysh nga Korfuzi ne Sarande dhe te besh vetem nje krahasim te shkurter dhe pastaj hajde te flasim per perlerat a, me falni per plehrat apo per sy te kaltert apo kafe!!
24 Gusht 2007 @ 8:45 pm
po Ardi dhe une kete se kuptoj dot.ca bukuri thone keta.une i kam pare te tera keto qe thote ky turisti dhe gjithashtu kam pare dhe niagara falls.ca sy blu dhe i bardhe leshi ai vend eshte cope cope
27 Gusht 2007 @ 2:06 pm
fcuk saranda dhe riviera.
BORACAY.COM baby … big time!
13 Shtator 2007 @ 8:42 pm
nji pushim ne adriatik ipa pritur vendosem me dy shok franqez te shkojna ne mal te zi ne pushime verore .mritem ne kufi . sa mir me erdhi kur epash me shkrojna te mdhaja shkrunte te luftojmi zbashku korrupcionin .por ne kufi policija ata na korruptuan na kerkojshin para dhe udasht tju dhami 20ero
perndryshe na humbshin koh , berem edhe 60klm prap policija ne rrug korrupcion 15ero , keshtu qe malazezet duan te futen ne europ me ket mantalitet ,qe te bejn korrupcion mbi turistat europian .kjo vetem asht e pa drejt .ata fituan 35ero por humben shum turista keshtu qe pushimet herave tjera doti kalojna ne shqipri besoj qe atje ka mar fund gjdo gja e pa drejt rrespektojn ligjin shtetror .per shembull ballkanik progres drejt europes zbashku per nji jet ma te bukur edhe te qet. pershendetje.sm,paris