Marshimi

Artan Lame

Të gjithë erdhëm nga lindja. Kush më parë e kush më pas, të gjithë që andej kemi ardhur. U shpërndamë lart e poshtë kontinentit, derisa e zumë të gjithin. Neve na ra në pjesë e zumë vend në krahun Adriatik të Ballkanit. Ishin kohët e fillimit të historisë.

Pastaj sërish si mijëra vjet më parë, nga lindja filluan të vijnë popuj të tjerë. Barbarë, gotë, hunë, vandalë, avarë, e plot të tjerë. Pas tyre arriti dallga e fundit dhe më e madhja, ajo që gati i fshiu të gjithë, dallga sllave. Lart, andej nga tokat e veriut, kjo dallgë arriti deri në tokat e Gjermanisë së sotme dhe në veri të Italisë, ndërsa poshtë në jug, këndej nga qemë ne, valët sllave u përhapën në fillim matanë Danubit, e pastaj të papërmbajtshme fushave të Maqedonisë e ultësirave të Ilirikumit. Në ato kohë të egra, ata, vendësit u rezistonin të ardhurve, e të ardhurit shtyheshin prej të tjerësh të tjerë popuj e fise edhe më të ashpër e të egër të gjendur matanë tyre. Superdallga sllave u hap ngado, derisa e ndali deti. Këtu qe maksimumi i kësaj lëvizjeje që kish filluar nga qendra e Azisë dhe që u ndal në brigjet e Adriatikut buzë mureve të Durrësit. Ishte viti 548.

Në njëmijë vjet që atëherë, sllavët u bënë pjesë e kontinentit të vjetër, duke u përhapur e duke zënë rrënjë, duke luftuar me vendasit e duke ngritur mbretërira, duke shembur shtete, e duke formuar edhe ata vetë perandorira, Perandorinë Bullgare, Perandorinë Serbe, Perandorinë Ruse më pas, e plot të tjera më të vogla. Batica dhe zbatica luftërash, e shoqëruan këtë proces për mbi njëmijëvjeçar, deri në fillimin e kohëve të shteteve kombëtare. Ishte fillim shekulli i nëntëmbëdhjetë.

Në kohët moderne, njëfarësoji Evropa e ndali marshimin sllav në veri të kontinentit nëpërmjet Perandorisë Gjermane, që u vendos si një bllok i madh midis dy botëve. Por jo e njëjta gjë ndodhte në jug të kontinentit, ku blloku tjetër i madh Perandoria Osmane, kishte aq shumë të çara sa nuk qe më në gjendje të ndalte këtë avancim. Pasoja qe një dyndje brenda dyndjes, që solli krijimin e shteteve sllave lart e poshtë Ballkanit, proces që vazhdoi deri në daljen tjetër të sllavëve në Adriatik. Ishte viti 1912.

Në shekullin e ideologjive edhe avancimi i sllavëve drejt Perëndimit pati një moment të ri hovi, jo më religjioz apo nacionalist, por ideologjik. Rusia, tashmë sovjetike, i çoi sërish kufijtë e botës sllave në zemër të Evropës, në shtrirjen më të madhe të kohëve, që vazhdoi e pandryshuar deri pranë fundit të shekullit të XX, kur me një shpejtësi të paparë rënia e ideologjive solli edhe fillimin e zbaticës së sllavëve sërish drejt Lindjes. Ishte viti 1990.

Në këtë përplasje valësh, popujsh, ideologjish e qytetërimesh, Kosova mbeti deri në momentin e fundit si simbol dhe kujtimi më i madh sllav i avancimit nga kontinenti në kontinent. Kosova mbeti maja e pykës që nuk arriti asnjëherë t‘i bënte sllavët të çanin deri në detin Adriatik, e nëpërmjet tij në Detin e Mesit të Dheut. Kjo qe ajo që i bëri të gjithë sllavët deri në fund të kapeshin pas kësaj ganxhe të fundit të shpresës së fundit. Ditën që Kosova u shpall e pavarur, u mbyll problemi i fundit i madh euro-sllav dhe marshimi i popujve sllavë në histori, pas mijëra vjetësh, ndërroi përfundimisht kahjen. Ishte data 17 shkurt 2008.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

10 Komente

  1. shefi kuadrit thotë:

    21 February 2008 @ 4:01 am

    Nuk e kuptoj qellimin e ketyre shkrimeve si ky ketu me siper. Cfare duan te provojne..qe ne jemi kala buze adriatikut? Qe me shqiptaret nuk e gerric njeri? Qe dyndja sllave nga gjithe dydnjet qe erdhen prej Lindjes qe me e ndyra? A duan te na ngjizin brumin per mitet e reja identite-formuese qe ti kemi si vaksine per nja 1 mije vite te tjera? Apo neve shkruajme vetem per ate qe i dhemb kurrizit tone dhe harrojme qe historia e botes eshte e mbushur me te tilla dyndje e marshime pafund ne kurriz te cdo populli? Me kete patetizem mjeran behemi te dukemi me keq se cfare jemi me te vertete. (dhe nje sqarim gjeografik per autorin qe pretendon se sllavet nuk kane dalje ne det..montenegrinet e kroatet cfare jane??).
    Mos i sillni keto pacavure artikuj ketu se i bie niveli forumit.

  2. Qafir Arnaut thotë:

    21 February 2008 @ 4:15 am

    Eshte opinion i Tan Lames, deri tani nje nga shqiptaret me te mireinformuar per ceshtje historike. Po te lidhesh njohurite e tij me c’po ndodh ne global, dhe me sjelljen e shteteve sllave atehere konkluzioni i tij del i mire argumentuar.

    perndryshe, thirrjet per pa-patetizem, na jane bere boze. Askush nuk eshte patetik ketu

  3. Aiglon thotë:

    21 February 2008 @ 4:47 am

    O shef, sic e sheh, re vete ne gracken e Lames : “nje sqarim gjeografik per autorin qe pretendon se sllavet nuk kane dalje ne det..montenegrinet e kroatet cfare jane??).”

    Ketu eshte lezeti, ai jep disa data madhore, fillim historie, mesjete, 1912, 1990 e 2008. Konflikti lindje perendim e ka patur zemren gjithmone ne Ballkan. Mbase, me kete qe sapo ndodhi kete te diele, dyndja sllave (kutpo influencen Ruse) perfundoi me kaq… te pakten historikisht …. shpresoj ;-)

  4. Qafir Arnaut thotë:

    21 February 2008 @ 4:22 pm

    Dyndja sllave mori fund ne Kosove. Pike! Nuk eshte aspak rracizem nje pohim i tille..(metroseksualet mund te flene te qete)

  5. losttext thotë:

    21 February 2008 @ 4:36 pm

    ahhaha, Kafir

    Dyndja sllave mori fund ne Kosove. Pike! Nuk eshte aspak rracizem nje pohim i tille..(metroseksualet mund te flene te qete)

  6. Qafir Arnaut thotë:

    21 February 2008 @ 7:19 pm

    epo cti thuash ketyre mer daj? tjetri hedh mendimin e vet dhe akuzohet per ‘patetizem mjeran’ ne nje kohe kur ‘pathos’-i eshte i justifikueshem

  7. lulian kodra thotë:

    21 February 2008 @ 7:32 pm

    Justifikoje!

  8. Qafir Arnaut thotë:

    21 February 2008 @ 7:41 pm

    Lexo lajmet!

  9. lulian kodra thotë:

    21 February 2008 @ 7:50 pm

    I lexova, por serish nuk po e kuptoj se si mund te justifikohet pathosi ne nje kohe kur nuk eshte i justifikueshem? 17 shkurti i cili e justifikonte eshte ne te kaluaren historike, si dhe thote Lame.

  10. lulian kodra thotë:

    21 February 2008 @ 7:51 pm

    Apo akoma po pret Daullen?

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com