Ligji i duhanit, lajmërimi i fundit për bizneset
Gazeta Shqiptare
Esmeralda Keta
Nis fushata e promocionit për zbatimin e ligjit antiduhan dhe pijeve alkoolike. Inspektorët e Shëndetit Publik që do të merren me monitorimin e zbatimit të ligjit do të dalin në terren, për të sensibilizuar bizneset për masat ndëshkimore që parashikohen nëse konstatohen shkelje. Ndërkohë që brenda muajit mars “do të zhduken” nga vendet publike dhe mediat të gjitha reklamat e cigareve, ndërsa për sa i përket pijeve alkoolike, kontrolli do të përqendrohet në lokalet e natës, kryesisht për të rinjtë e moshës nën 18-vjeç.
Promocioni
“Nuk mund të presim që të hyjë në fuqi ligji dhe pastaj të marrim masat, - shprehen specialistët e shëndetit publik. – Ky promocion ka si qëllim të sensibilizojë të gjitha bizneset që do të jenë të detyruar të zbatojnë ligjin që t’i marrin masat që më përpara”. Kështu, gjatë javës së ardhshme, specialistët e shëndetit publik në të gjitha rrethet, që iu është besuar edhe zbatimi i ligjit antiduhan, do të dalin në terren për të paralajmëruar bizneset. “Do të jenë drejtoritë e higjienës ato që do të monitorojnë lokalet në çdo qytet, - janë shprehur përfaqësuesit e drejtorisë së promocionit në ISHP. – Do të jetë një inspektor dhe një ndihmës inspektor që do të shëtisin në të gjitha lokalet dhe nëse konstatohet që klientët tymosin cigare, atëherë pronari i lokalit është i detyruar të paguajnë gjobën që nis nga 50 deri në 300 mijë lekë të reja”. E njëjta procedurë pune do të aplikohet edhe për ndalimin e pijeve alkoolike për të rinjtë nën moshën 18-vjeç. “Për këtë pikë të ligjit, vëmendja do të përqendrohet te Pub-et dhe lokalet e natës”, - shpjegojnë inspektorët. Në të gjithë Shqipërinë, do të jenë 350 inspektorë që do të monitorojnë zbatueshmërinë e ligjit antiduhan, që pritet të hyjë në fuqi nga mesi i muajit maj. Fushata e promocionit për luftën kundër duhanit nis këtë muaj në të gjithë vendin dhe kryesisht nëpër bare, lokale dhe institucione publike. “Gjatë këtij muaji ne do të përpiqemi të sensibilizojmë komunitetin për rëndësinë që ka zbatimi i këtij ligji, sidomos në ambiente të tilla, siç janë shkollat, institucionet shëndetësore dhe ato publike, por edhe nëpër lokale dhe ambiente të tjera private”, - shpjegojnë specialistit, duke garantuar zbatim pikë për pikë.
Ligji
Ligji për luftën kundër duhanit synon të frenojë shitjen e cigareve të fëmijëve nën moshën 18-vjeç dhe të kufizojë sipërfaqen ku do të lejohet të tymoset një cigare, jo vetëm në ndërtesa publike, por edhe në ato private. Ligji parashikon që në të gjitha baret dhe restorantet ekzistuese të merren masa brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit, në mënyrë që sipërfaqja ku pihet duhan të mos e kalojë 35% të sipërfaqes së lokalit. Madje kjo pikë në të ardhmen do të jetë dhe një nga kërkesat kryesore para licencimit të një bari apo restoranti, ku do të kërkohet të ketë ambiente të veçanta dhe të ndara për ata që pinë duhan. Të gjitha pikat e shitjes së duhanit janë të detyruara të afishojnë tabela të dukshme dhe të lexueshme ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç”. Gjithashtu, ligji ndalon shitjen e produkteve të duhanit në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe jo publike, institucione arsimore publike jopublike si dhe në institucionet sportive. Ndërsa në median e shkruar dhe atë elektronike dhe institucionet publike, nuk do të ketë më reklama, përveç asaj; “Duhani dëmton rëndë shëndetin”.

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.