Login



Register

Laraman(izmi):Fenomen para-Osman?

Prof.Dr. Gazmend SHPUZA
Revista Univers

DUKURI TË BASHKËJETESËS NDËRFETARE

Laramania lidhet me fillimet e procesit të islamizimit dhe me lënien e tij në gjysmë të rrugës. Është konsideruar një islamizim i sipërfaqshëm, jo i plotë apo dhe një islamizim fiktiv. Megjithëse kemi të bëjmë me një dukuri sinkretike-religjioze, një përzierje të besimeve, as i krishterë e as mysliman, vështirë se mund të bëhet fjalë për lindjen e një “religjioni të ri”. Tashmë nuk është i paktë numri i njerëzve që janë marrë me trajtimin e kësaj dukurie.

Ky i ashtuquajtur krishterim i fshehtë (kriptokristianizëm) përfaqësonte një gjendje kalimtare dybesimi, gjatë së cilës individë të krishterë (katolikë apo ortodoksë), e përqafuan islamin vetëm formalisht që t’i shpëtonin pagesës së xhizjes (detyrim specifik vetëm për të krishterët në Perandorinë Osmane), si edhe të gëzonin barazinë me myslimanët në jetën shoqërore.

Shkallën e vet më të lartë bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve e arrin, për mendimin tonë, me laramanizimin e tyre. Në literaturën shkencore kjo dukuri është trajtuar, përgjithësisht, që prej kohësh në studime të autorëve të huaj dhe të atyre shqiptarë, së bashku me shfaqjet e tjera të bashkëjetesës fetare, pra është vlerësuar si shfaqje e kësaj tolerance. Sot vërehen prirje për ta paraqitur këtë dukuri si shprehje e qëndresës ndaj islamizimit, duke lënë të nënkuptohet që kalimi në islam është bërë me dhunë. Arrihet deri atje sa të karakterizohet laramanizmi si produkt tipik i intolerancës fetare të sundimtarëve osmanë ndaj të krishterëve, rezultat i një trysnie të paimagjinueshme apo e një dhune të egër. Përkundrejt këtyre pohimeve, vetë autorët e këtyre pikëpamjeve, kur u referohen dokumenteve faktikisht flasin për rolin që ka luajtur në procesin e islamizimit vetëm detyrimi ekonomik dhe, në fund të fundit, dobësitë e kishës së krishterë.

Si rrjedhim, besohet se nuk është pa interes rimarrja e trajtimit të kësaj teme për të sqaruar edhe një herë shkaqet, ecurinë historike dhe, sidomos, përmasat e saj dhe, në mënyrë të veçantë, për të ndriçuar rolin e madh që ajo luajti në masivizimin e kalimit të shqiptarëve në islam.

Vlen të theksohet që në krye të kësaj trajtese se laramania fetare ndër shqiptarët, e cila ka lulëzuar dhe mbijetuar gjatë sundimit osman në Shqipëri, rrënjët e veta i ka pasur qysh në periudhën paraosmane. Ajo nuk është një dukuri specifike e shoqërisë osmane dhe, madje dhe as e botës shqiptare, sado që këtu ajo mbijetoi në shekuj e shekuj, duke i bërë ballë sfidave intolerante nga shumë anë.

Që laramanizmi është një dukuri paraosmane e vërteton historia kishtare jo vetëm në mesin e shqiptarëve, por edhe në vise të tjera të Ballkanit. Më 1308 banorët e Kunavisë, Stefanaikës, Pultit e të Dibrit, sipas dokumenteve, nuk ishin as “thjesht katolikë, as thjesht skizmatikë”. Dëshmi të tilla nuk janë të rralla. Përkundrejt intolerancave të theksuara të ushtruar nga pushtete teokratike si ato që përmendëm më sipër në viset shqiptare ne ndeshim në dokumente të bashkëjetesës së besimeve dhe të kulturave të ndryshme. Mbishkrimi tregjuhësh në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit më 1381, sikurse përdorimi më pas i këtyre tri gjuhëve në kancelarinë e Skënderbeut, janë dëshmi shprehëse të pakontestueshme në këtë drejtim.

Dëshmi masive e kësaj bashkëjetese e laramanie fetare, të quajtur kriptokatolike dhe kriptokristiane, nën sundimet e krishtera, në Shqipërinë paraosmane janë emrat e mbiemrat fetarisht laramanë, si në veri e veri-lindje, ashtu dhe në jug të viseve të Shqipërisë. Laramania antroponimike është jo vetëm dëshmi e autoktonisë së të parëve tanë në trojet e veta gjatë sundimeve të huaja dhe nën pushtetin e kishave të shteteve fqinje, por dhe dëshmi shprehëse e bashkëjetesës ndërfetare midis tyre.

Që laramania ndërfetare te shqiptarët është një dukuri paraosmane e ka pohuar dhe T. Ipeni, sipas të cilit laramanizmi i Shpatit vinte që nga kohët që nuk mbahen mend, qysh nga koha e rivaliteteve katoliko-ortodokse. Pra, kemi të bëjmë me një dukuri e cila nuk ka nisur, siç mendohet, nga koha e Skënderbeut. Është pranuar, përgjithësisht, se shkaqet e kësaj dukurie sa interesante aq dhe komplekse në periudhën osmane, siç ishte laramania fetare, janë po ato që kanë diktuar edhe përhapjen dhe zgjerimin e islamit në trojet shqiptare. Arsyet e islamizimit, siç e ka pranuar dhe dr. Don Sh. Zefi, janë, në fund të fundit, juridiko-administrative dhe përmblidhen te tatimet, konkretisht haraçi. Gjithsesi, lehtësisht, mund të arrihet në përfundimin e pranuar dhe nga autorë të tjerë, të cilët janë marrë më herët me këtë problem, çka ia vlen të theksohet, që arsye thjesht fetare në zhvillimin e këtij procesi ka fare pak.

Nuk mund të vihet shenja e barazisë midis laramanizmit dhe bektashizmit. Madje, vështirë të flitet për ngjashmëri midis tyre edhe pse bektashizmi është përhapur në territoret ku lulëzoi laramanizmi.

Keqtrajtimi i egër i të krishterëve, për të cilin bëjnë fjalë në mënyrë të përsëritur në relacionet e tyre klerikët katolikë, si shkak për laramanizimin e besimtarëve të vet, mbështetet, në të vërtetë, në të dhëna të varfra, sporadike. Megjithatë, pohimeve të relatorëve katolikë u bëhet jehonë dhe nga autorë të veçantë, që janë marrë me këtë tematikë. Megjithatë, edhe pas pohimesh mjaft këmbëngulëse se veçanërisht gjatë luftërave, “përndjekjet ndaj shqiptarëve bëheshin tejet të tmerrshme”, pretendime të tilla reduktohen, në fund të fundit, kryesisht te detyrimet ekonomike.

Pas luftës austro-osmane (1737-1738) si rrjedhim i ndjekjeve dhe i dënimeve që pësuan kryengritësit dhe simpatizantët e tyre, të cilët në këtë kohë të gjithë ishin të krishterë katolikë, shumica e tyre u deklaruan myslimanë dhe njëkohësisht kërkonin t’u shërbeheshin sakramentet e shenjta. Prandaj, numri i laramanëve, qoftë edhe sipas të dhënave të pjesshme, u rrit deri në tetë herë.

Studiuesja angleze Edit Durham, e cila i ka njohur dhe studiuar për së afërmi shqiptarët gjatë shumë vjetëve, shkruan: ”Njeriu i fisit në Shqipërinë e Veriut është së pari shqiptar. … Krishti dhe Muhamedi janë për të dy “zogj magjikë”, të mbinatyrshëm, secili në gjendje, i marrë me dashamirësi, të bëjë mrekullira…Ai nuk i kushton vëmendje hoxhës së tij nga ç’i kushton priftit të tij. Me përjashtim të rasteve kur është në xhami, unë s’e kam parë kurrë atë të thotë lutje ose të bëjë faljet.”

Fillimisht islamizimi në shek. XV ishte sipërfaqësor, i përciptë, bile-bile ishte vetëm një shtirje (simulim) e vërtetë ose një kompromis politik. Vetë organizatori i Kuvendit të Arbënit V. Zmajeviç pranon në fjalën e hapjes të këtij tubimi klerikësh, se shkaku i islamizimit dhe i laramanizimit qëndronte te puna e pamjaftueshme e klerit:

“Kishat mbetur shkret, lëterët përlyer, meshtarët, shërbëtorët e Zotit, barinjtë e shpirtrave kanë rënë në dhunë e në mëni të Tenzot, jo aq për punë të zeza të kohës sa për fajin tonë (nënvizimi im-G.Sh.) …” Siç rezulton nga sa pranon vetë Zmajeviçi, presioni fiskal-tatimor sado i rëndë që ishte së bashku me të gjitha diskriminimet e mundshme administrative që ushtroheshin mbi popullatën e krishterë, nuk përligjnin gjithë këtë shndërrim. Ata kishin dalë në rrafsh të dytë si faktorë të përshpejtimit të kalimit të shqiptarëve në islam. Vijohet të flitet se procesi i islamizimit ishte proces i pakthyeshëm. Sipas këtij rregulli, në rast se një person dëshironte të rikthehej në fenë e krishterë, ai pësonte dënime të rënda, burg ose dënim me vdekje. Por asnjëherë nuk është sjellë ndonjë shembull sidomos në kohët e reja (me ndonjë përjashtim shumë të rrallë), që ky rregull të ketë gjetur zbatim, kur dihen dhe janë të dokumentuar mjaft raste të rikthimit, madje, në masë të laramanëve në besimin e të parëve.

Te laramanët duheshin disa breza që një gjini ose familje të kalonin nga pranimi formal i besimit kuranik, në vënien në praktikë të parimeve themelore të fesë së re. Ndërkaq ishte normale që besimet dhe praktikat e fesë së mëparshme të mos braktiseshin, por të vijonin të bashkëjetonin.

Në një fshat, në afërsi të Gjakovës, Fra Kerubino dhe shoqëruesi i tij, u pritën në një shtëpi me përzemërsi, me fjalët: “Urdhëroni etër! Në shtëpinë tonë kemi katolicizëm, islamizëm dhe ortodoksizëm”. Frati Kerubino u trondit nga fakti se mikpritësit e tij, siç raportonte ai, për më tepër lavdëroheshin “me këtë diversitet të feve”, me ekzistencën e kësaj laramanie të trefishtë në të njëjtën familje. Tipike në drejtim të praktikimit të laramanisë së trefishtë paraqitet treva e Lurës.

Bashkëjetesa ndërfetare e praktikuar në përmasa të gjera dhe në format nga më të ndryshme ka hyrë thellë në të gjitha indet e shoqërisë shqiptare që nga kohë të hershme. M. Milani arrinte në përfundimin: “Është për t’u habitur sa mirë pajtohen në një shtëpi, në një familje e në një fshat dy besime, njeri tjetrin nuk e pengojnë fare” Duke u thelluar në shkaqet e kësaj laramanie ndërfetare të shqiptarëve, Ernest Koliqi arrinte me të drejtë në përfundimin se domosdoshmëria e bashkëjetesës, nevoja për të qenë të bashkuar përballë trysnisë sllave dhe greke, i ka shtyrë shqiptarët të forcojnë lidhjet e përbashkëta të gjakut e t’i zbutin dallimet fetare. Siç shihet, autori nuk ka parasysh momentalisht nevojën që duhej të ndienin shqiptarët për t’iu kundërvënë sundimtarëve myslimanë. Bashkëjetesa ndërfetare kishte krijuar një pamje shumëngjyrëshe, laramanie, në përmasa dhe forma të ndryshme. Mbijetonin jo vetëm çifte laramane, por ekzistonin dhe familje laramane, ku njëri vëlla ishte i krishterë dhe tjetri mysliman. Ata jetonin nën një çati dhe çdo gjë e kishin të përbashkët, edhe krevatin bashkëshortor, përveç fesë. Njëri e kishte çuar të birin të studionte për hoxhë dhe tjetri për prift. Laramania, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, merrte përmasa të gjera e shtrihej nëpër fshatra, bajraqe e fise, pa bërë fjalë për krahinat dhe më gjerë. Mbi këtë bazë ka lulëzuar laramania në kuptimin e ngushtë të saj për të cilën diskutohet zakonisht. Në fillim, përgjithësisht, shumica e të kthyerve në islam ishin burrat. Gratë e martuara me ta si dhe ato që më pas do të martoheshin me burra myslimanë, zakonisht, e ruanin fenë e tyre të krishterë. Laramanët kërkonin që t’u shkonte prifti për rrëfim dhe t’i kungonte. Katolikët e islamizuar martoheshin me të krishtera dhe jo me vajza myslimane, duke deklaruar se nuk donin që emri i krishterë të zhdukej prej shtëpive të tyre.

Laramanët, ndërsa në jetën e tyre të përditshme tregoheshin myslimanë, madje, dhe praktikantë, se merrnin pjesë në ritet që zhvilloheshin në xhami, si falje, bëheshin synet (rrethpriteshin) dhe, natyrisht, nëse pyeteshin, deklaronin atë që e kishin konfirmuar vetë me vullnet të plotë para autoriteteve, se ishin myslimanë, madje edhe kur vdisnin trajtoheshin si të tillë duke u varrosur në varrezat e myslimanëve, por, nga ana tjetër, në shtëpitë e tyre pagëzonin fëmijët, rrëfeheshin dhe krezmoheshin dhe natyrshëm kremtonin krahas festave myslimane dhe ato kristiane e tjerë. Gjithë ky qëndrim diktohej thjeshtë nga interesi për të ruajtur pozitat ekonomike dhe shoqërore të siguruara pas deklarimit zyrtar të pranimit të besimit islam.

Laramanët të premten shkojnë në xhami dhe të dielën në kishë, duke nxjerrë si pretekst se në ditën e gjykimit do të kenë mbrojtjen e profetit të vërtetë, mirëpo se kush na qenka ky profet, nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë. Një misionar katolik kishte vënë re se, sipas botëkuptimit të malësorëve “t’tana fenat i ka qitë (krijuar) Zoti ». Ky realitet, dukuria aq e përhapur e laramanisë, nuk ka qenë dhe nuk mund të mbetej i panjohur për autoritetet osmane. Më 1568, sanxhakbeu i Dukagjinit, Kasëm beu, raportonte se në juridiksionin e tij banorët kur u lindnin fëmijë i çonin më parë në kishë dhe i pagëzonin te prifti, pastaj u venin emra myslimanësh duke përdorur kështu një emër mysliman dhe një emër të krishterë. Përveç konstatimit raporti i funksionarit të lartë osman nuk shpreh kurrfarë shqetësimi. Aq më pak nuk bëhet fjalë për marrjen e masave kundër laramanëve. Në këto rrethana është e vështirë të pranohet që këto laramanë të konsiderohen të krishterë të fshehtë. Termi kriptokristianë, që është përdorur nga autorët e huaj dhe ka hyrë dhe në literaturën tonë, nuk përfaqëson një pasqyrim të saktë të gjendjes së tyre reale nën sundimin osman. Fjala është për një term që ka hyrë në qarkullim shkencor, me sa vërehet, pas Luftës së Dytë Botërore, tek autorët perëndimorë. Edhe nga literatura shumë e pasur që shoqëron botimet kushtuar kësaj tematike, të vëna në qarkullim vitet e fundit, tepër rrallë ndeshet përdorimi i tij.

Edhe te popujt e tjerë të Ballkanit kjo kategori e dyzuar besimtarësh emërtoheshin sikurse në shqip laramanë: serbisht shareni, greqisht pacali. Ata quheshin, ashtu siç ishin në të vërtetë dhe siç njiheshin, midis popujve në mesin e të cilëve lulëzoi kjo formë dybesimi: laramanë dhe jo kriptokristianë apo të krishterë të fshehtë. Ata e fshihnin besimin e tyre vetëm përballë, nëse shprehemi me termat e sotshëm, tatimorëve dhe nëpunësve të rekrutimit. Situata, që pasqyron raporti i mesit të shekullit XVI, i cituar më sipër, jo vetëm që nuk ishte e panjohur, por dhe nuk i shqetësonte, përgjithësisht, autoritetet e pushtetit sa që ata të angazhoheshin seriozisht, për ndryshimin e saj. Ata viheshin në lëvizje vetëm kur këta laramanë nuk u përgjigjeshin pagesave fiskale ose detyrimeve të tjera, siç ishte shërbimi ushtarak. Atëherë gjendja e tyre e dyzuar në rrafsh fetar, e diktuar nga interesi për t’i shpëtuar detyrimeve shtetërore, me sa duket, bëhej e pamundur. Në shekujt e parë të sundimit osman në Shqipëri ekzistonte një masë shumë e gjerë laramanësh, të cilët mbijetuan që nga koha e ardhjes së osmanëve e deri në shek. XVII.

Shtytjen për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje të dyzuar të laramanëve e dhanë luftërat austro-turke. Pas tyre vërehet kalimi i popullsisë katolike në islam me ritme shumë të shpejta dhe përmasa shumë të gjera. Vetëm ekzistenca masive e laramanëve mund të shpjegojë këto ritme dhe këto përmasa. Kështu, brenda disa dhjetëvjeçarëve, u realizua kalimi në masë i shqiptarëve në islam, çka nuk kishte mundur të kryhej në ato përmasa për dy shekuj e sa. Pra, ky proces është zhvilluar në një trajtë dukshëm aritmike, jopërpjesëtimore. Masa e gjerë e laramanëve mbeti e tillë, gjysmë e islamizuar, deri në mesin e shek. XVII me shpresë se në aleancë me shtetet perëndimore, do të mund të shkëputej nga sundimi i huaj dhe t’i kthente plotësisht shpinën besimit islam. Në gjysmën e parë të shek. XVII kjo perspektivë u shua pothuajse plotësisht. Shqiptarët e krishterë mbetën krejtësisht të zhgënjyer nga qëndrimi, pak të thuhet, indiferent i shteteve evropiane ndaj fatit të Perandorisë Osmane dhe sidomos ndaj luftës së tyre për liri. Tipike në këtë drejtim u tregua politika levantine e Venedikut me qëndrimet e tij konjukturore ndaj Stambollit, në varësi të interesave të veta tregtare në pellgun e Mesdheut Lindor. Në këto rrethana, të mbetur pa ndonjë shpresë, shumica e laramanëve i shkuan deri në fund procesit të konvertimit të tyre, të nisur disa dhjetëra vjeçarë më parë.

Dukuria e laramanëve, nuk ishte aspak një gjë e jashtëzakonshme, sidomos në zonat ku islami dhe kisha katolike dhe ajo ortodokse, ishin në kontakt dhe ishin shkëmbyer me njëra-tjetrën. Pranohej islami për shkak të përfitimeve që vinin prej tij ose për konformizëm në një shoqëri, ku shtrihesh mbizotërimi islam, por fshehurazi mbeteshin të krishterë. Laramanët, ndërsa publikisht pohonin Islamin, kënaqnin ndërgjegjen e tyre duke praktikuar krishterimin ortodoks ose katolik privatisht. Një dukuri kësisoji si laramanizmi, siç pranohet tashmë, rrjedh nga përpjekjet e besimtarëve të krishterë për të siguruar, në kuadër të sistemit politiko-fetar osman, kushte më të mira jetese. Mbajtjen e qëndrimeve të tilla elastike laramanëve ua mundësuan, nga njëra anë, mungesa e intolerancës në radhët e pushtetarëve osmanë dhe sidomos toleranca e myslimanëve shqiptarë, vëllezërve të tyre të një gjaku, nga ana tjetër. Në fund të fundit, ajo është dëshmi e mungesës së fanatizmit fetar midis vetë atyre, që e pranonin një gjendje të tillë të dyzuar. Më tepër se sa shprehje e indiferencës së shqiptarëve në rrafsh fetar, ajo mund të merret si dëshmi e qëndrimit të tyre liberal ndaj besimeve.

Ekzistenca e laramanizmit, e të ashtuquajturve të krishterëve të fshehtë, e kriptokristianëve, dëshmon se bashkëjetesa në mes të besimeve fetare të ndryshme shtrihet tashmë jo vetëm brenda për brenda një familjeje dhe të një çifti, por zë vend edhe te një person. Që të realizohej kjo, duhej, së parit, që personi vetë të ishte i zhveshur nga fanatizmi fetar si dhe nga komplekset e inferioritetit të njërit besim ndaj tjetrit. Gjithashtu, duhej që masa mbizotëruese e besimtarëve islamë, nga ana e saj, të ishte e zhveshur nga kompleksi i superioritetit të besimit të vet. Laramanët janë dëshmi e gjallë masive e faktit që, verdikti i deklaruar se atë që e lëshonte besimin islam pas konvertimit e priste vdekja, nuk ka gjetur zbatim. Në të mirë të këtij pretendimi nuk dëshmon asnjë dokument. Këtë mangësi të dukshme të bazës burimore nuk mund ta mbushin deklaratat e përsëritura në mënyrë të hiperbolizuar rreth karakterit të egër të sundimit osman. Nuk ka dyshim, që kjo dukuri e laramanizmit është formë e përpjekjeve të shqiptarëve të krishterë për t’iu shmangur si detyrimeve fiskale ashtu dhe atyre ushtarake. Nuk është fjala për qëndresë ndaj islamizimit. Ndaj kërkesave të autoriteteve osmane për pagimin e detyrimeve financiare shtetërore specifike për të krishterë, laramanët, e ashtuquajtur kriptokristianë, refuzonin, duke u paraqitur para autoriteteve si myslimanë. Ndërsa përballë kërkesës të po këtyre autoriteteve për t’i mobilizuar ushtarakisht, ata paraqiteshin të krishterë. Pra, për hir të këtyre interesave ata shndërroheshin aty për aty, mund të thuhet, jo vetëm në kriptokristianë, por edhe në kriptomyslimanë. Nuk ka dyshim që këtë qëndrim eklektik, të dyfaqshëm, e favorizonte terreni malor i vendbanimeve të tyre, mungesa e kontrollit të vijueshëm administrativ dhe policor mbi këto terrene. Sigurisht, që përballë përpjekjesh të tilla për t’i bishtnuar detyrimeve shtetërore, ka pasur dhe qëndrime të rrepta të autoriteteve osmane. Në gjirin e tyre nuk kanë munguar shqiptarët, për të mos thënë se ato kanë qenë të shumtë. Porse, këto veprime administrative e policore tepër të rralla kundër atyre, të cilët në vazhdimësi nuk zbatonin ligjin, kurrsesi nuk mund të vlerësohen si qëndrime jotolerante të rrafshit fetar nga ana e autoriteteve osmane dhe sidomos nga ana e nëpunësve shqiptarë. Laramanizmi mund të ndeshet vetëm në kushtet e ekzistencës së bashkëjetesës ndërfetare. Është pikërisht kjo bashkëjetese laramane e cila u bë shtrat për lindjen, lulëzimin dhe mbijetesën e kësaj dukurie ndër shekuj në gjirin e shqiptarëve. Përpjekjet e koncileve kishtare të mbajtura në Shqipëri, që me koncilin e parë të kryesuar nga kryepeshkopi Zmajeviç, më 1703, për të frenuar kalimin e të krishterëve në islam kanë dhënë përfundime të kundërta nga ato që synonin të arrinin organizatorët e tyre. Po ashtu mund të thuhet dhe për enciklikën e papa Benediktit XIV (1754).

Kuvendi i Arbënit laramanët i quajti renegatë. Prej tyre kërkohej në mënyrë kategorike të shkëputeshin publikisht nga feja islame dhe të praktikonin hapur krishterimin. Pra, koncili u muar thjesht me probleme që i takonin grigjës së besimtarëve katolikë. Gjatë punimeve të tij ai nuk u muar me ndonjë çështje që i takonte marrëdhënieve të tyre me autoritetet osmane, për përballimin e të ashtuquajturës dhunë të ushtruar nga ana e tyre. Koncili i parë i Arbënit nuk mund të organizohej, pak së pakut, pa dijeninë e autoriteteve osmane. Nga ana e tyre, nuk pati asnjë kundërshtim apo ndërhyrje në punimet e tij. Kuvendi u mbajt nën hijen e kalasë së Lezhës, ku qëndronte garnizoni osman. Punime te tij nuk ngjallën kurrfarë kundërshtimi apo dhe alergjie as te vëllezërit e tyre myslimanë. Edhe segmente fanatike të cilët nuk mungonin në mjediset e asaj kohe nuk reaguan ndaj tij. Pra, vetë mbajtja e këtij tubimi pa pengesa është dëshmi bindëse e tolerancës së autoriteteve osmane dhe e qëndrimit, pak së paku, luajal, të besimtarëve myslimanë ndaj organizimeve të bashkëpatriotëve të tyre të krishterë.

Masat e ndërmarra në Kuvendin e Parë të Arbënit u impononin autoriteteve kishtare në trevat shqiptare marrjen e masave të tilla, të cilat synonin të ndërprisnin procesin e kalimit në islam të banorëve të tyre, kryesisht, përmes laramanizimit. Jo vetëm kaq, synohej dhe kthimi i laramanëve në besimin e parë. Porse, në kundërshtim me synimet e tyre, mund të thuhet, se me masat e parashikuara në koncilin e parë u përshpejtua përfundimi i procesit të islamizimit të këtyre elementëve. Pra, koncilet kishtare e çuan drejt fundit një proces, i cili deri më atëherë kishte mbetur në gjysmë të rrugës. Ritmet e larta të ecurisë së këtij procesi në mesin e shek. XVII e më pas, për mendimin tonë, jo vetëm duhet të jenë lehtësuar, por dhe janë siguruar nga ekzistenca e një mase shumë të madhe laramanësh.

Laramanizmi i shqiptarëve u thellua dhe më tej me lëvizjen unite në gjirin e popullsisë kriptoortodokse të Shpatit. Kjo lëvizje e udhëhequr nga Papa Jorgji, tashmë nuk diktohej nga motive fetare apo edhe ekonomiko-shoqërore, aq më pak nga dhuna e autoriteteve osmane. Ajo nisi dhe u përvijua nga interesa të mirëfillta të çështjes kombëtare për t’i bërë ballë politikës shkombëtarizuese, asimiluese, greqizuese të kishës ortodokse me anë të liturgjive në gjuhën greke dhe, sidomos, të shkollave greqishte, në kushtet, kur shqiptarëve nuk u lejohej nga ana e autoriteteve osmane arsimimi i tyre në gjuhën amtare.

Shembulli i Shpatit është kuptimplotë. Laramanizimi aty, mund të thuhet pa ndrojtje, mori përmasa të trefishta. Të kriptokrishterët e kësaj treve, të cilët deri më atëherë hiqeshin si myslimanë dhe në shtëpi ndiqnin besimin kristian të ritit grek, tani kërkuan të lejoheshin, që të njihnin për të parë feje Papën e Romës. Që kjo lëvizje nuk nisej nga motive thjesht fetare as nga ato ekonomike, por nga interesat e mirëfillta kombëtare e dëshmon katërçipërisht, veç të tjerash, dhe fakti që ajo pushoi fill pas Shpalljes së Pavarësisë. Po për këto arsye ajo nuk arriti të gjallërohej në vitet e Luftës së Dytë Botërore, me gjithë përpjekjet këmbëngulëse të kishës katolike, që kërkonte të përfitonte nga pushtimi fashist i vendit.

Zhvillimi i dukurisë së laramanizmit, ka pa dyshim, si kusht të parë, sine qua non, mungesën e fanatizmit fetar, në shkallë të tillë që lejonte dukuri të këtij lloji të bashkëjetesës së të tri besimeve në të njëjtën trevë, brenda të së njëjtës familje, madje dhe në mendjen dhe në zemrën e të njëjtit person.

Laramanët, bartës të këtij besimi të ndërmjetëm apo të dyfishtë, në Shqipëri gjatë periudhës osmane si në të gjithë perandorinë e turqve, nuk u ndodhën në mes të jetës dhe të vdekjes, para një alternative pa rrugëdalje, sikurse myslimanët në Spanjë, sikurse sllavët apo grekët e islamizuar në Pashallëkun e Beogradit apo në Kretë, pas rivendosjes së sundimit të krishterë në këto vende. Për shkak të intolerancës së sundimtarëve të rinj të krishterë ndaj moriskëve dhe turkushëve si dhe grekëve të islamizuar nuk ndeshet një dukuri analoge si laramanizmi i quajtur kriptokristianizëm, ajo e kriptomyslimanizmit. Nën sundimtarët e rinj të krishterë nuk pati vend për një kategori të tillë sado të diskriminuar të myslimanëve. Ata i priste ose vdekja ose dëbimi masiv, rrugë të mesme “kriptomyslimane” nuk pati për ta. Imponimi i pushtetit të krishterë nuk la shteg për një mundësi të tillë, ai shkoi përtej asaj. Gjithë kjo përfaqëson një tregues mjaft shprehës të ekzistencës së tolerancës, nga njëra anë, dhe të ushtrimit të një intolerance ekstreme, nga ana tjetër.

Në një gjendje gjeofetare, e cila zgjati me shekuj, të ndodhur, nga vetë rrjedhat historike, midis dy kishave Perëndimore dhe Lindore, në gjuhën latine dhe greke, edhe pse ruajtën vetëdijen e njësuar etnike, siç e quan Skënderbeu, epirote, gjegjësisht shqiptare, paraardhësit tanë nuk arritën të krijonin një kishë të vetme kombëtare në gjuhën amtare. Një kishë apo një xhami e tillë gjithëpërfshirëse u bë, mund të thuhet, pa e tepruar, bashkëjetesa ndërfetare. Te kjo “kishë” u falën kombëtarisht shqiptarët islamë, ortodoksë dhe katolikë. Përkundrejt këtij fakti, nuk duhet harruar që shqiptarët, megjithëse të ndodhur në kushte të tilla tejet negative, të cilat mund ta shndërronin këtë ndarje fetare në përçarje, e ruajtën bashkimin, njëjtësimin kombëtar. Kjo përbën një meritë të madhe historike për paraardhësit tanë. Përkundrejt këtij fakti madhor, nuk mund të harrohet se çfarë ndodhi me fqinjët tanë sllavë. Ato ndarja fetare i çoi në përçarje kombëtare e shtetërore, jo vetëm me boshnjakët islamë, por dhe midis, ortodoksëve dhe katolikëve. Kjo përçarje i çoi ato dhe deri në luftë me njeri tjetrin. Ndërsa shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë mbetën shqiptarë dhe sot e kësaj dite, duke kapërcyer se çfarë i ndante njeri nga tjetri fetarisht, duke lënë më një anë çfarë i ndante vëllezërit në Krisht nga vëllezërit e dinit. Ata mbetën të bashkuar, pavarësisht nga feja, me vëllezërit e një gjaku. Nisur edhe nga këto krahasime me fqinjët, besohet se nuk teprohet në vlerësimin e mësipërm të kësaj fitoreje, të cilën, mund ta quajmë pa frikë, historike.

Nuk duhet harruar, që të gjitha format e bashkëjetesës ndërfetare në mesin e shqiptarëve, kanë mbijetuar dhe, mund të thuhet, edhe kanë lulëzuar gjatë shekujve të sundimit osman, sundim me ngjyresa teokratike. Teza kuranike se Zoti nuk është vetëm i myslimanëve (rab yl myslimin), por i të gjithë njerëzimit (rab yl alemin) gjente zbatim përgjithësisht, me gjithë përjashtimet që vërehen, në praktikën osmane.

Intoleranca midis shqiptarëve nuk zuri vend edhe pse nuk munguan forca të interesuara për ta provokuar atë. Gjithë kjo për meritë të shqiptarëve, bartës të besimit të mëparshëm të krishterë, ortodoks dhe katolik, dhe të besimit të ri islam, të cilët duke mos harruar prejardhjen e tyre të përbashkët etnike, shpalosën ndërgjegjen e tyre kombëtare mbi ndjenjat fetare dhe vunë mbi gjithçka interesat e kombit.

Laramania fetare ndër shqiptarët mbijetoi dhe lulëzoi në kushtet e ekzistencës së një identiteti kulturor dhe kombëtar mbifetar të ngjizur prej kohësh.

Literatura:

- Th. W. Arnold, “Historia e përhapjes së Islamit”, Prishtinë, 2004;

- T. A. Ippen, Die Landschaft mit mittleren Albanien, in “Mitteilungen der Geogr. Gesellschaft in Wien”, nr. 59 (1916);

- S. Skendi, “The millet sistem and its contribution to the blurring of Orthodoks National Identity in Albania” (Sistemi i miletit dhe kontributi i tij në zbehjen e identitetit kombëtar ortodoks në Shqipëri”), në “Balkan Cultural Studies”, Neë York, 1980;

- P. Bartl, Die Albanischen muslime zur zeit der nationalen unhabhangsëigkeits Bewegung (1878-1912), Wiesbaden, 1968; Nikolaidhu, Kriptokristiani tis Spathias (arhes 18ái 1912), Janinë, 1979;

- B. Graceni, Laramania fetare e shqiptarëve (Fundi i shek. XIX deri në vitin 1908), në “Studime historike”, nr. 4, 1968;

- F. Duka , Kriptokristianizmi (Krishterimi i fshehtë) dhe Kuvendi i Arbnit, në “Studime historike”, nr. 3-4, 2003;

- Ali M. Basha, “Nëpër gjurmët e Islamit”, Tiranë, 2005;

- G. Shpuza, Bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve, në “Kumtesat e Simpoziumit Toleranca në aktet administrative osmane-Osmanlı idari yazışmalarında hoşgúrú Smpozyum bildirileri:, TIKA Yayını, Tiranë, 2005;

- D.Sh.Zefi,”Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve (XV-XX) Arsyet e islamizimit dhe qëndrimi i Kishës ndaj kësaj dukurie”, Prizren, 2000;

- A. Zheljazkova, “Razprostranienie na islame v zapodno balkanske zelmi pod osmanskoj vllasti (XV-XVIII vek;” Sofija, 1990.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

20 Komente

  1. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 September 2007 @ 7:20 pm

    Që laramanizmi është një dukuri paraosmane e vërteton historia kishtare jo vetëm në mesin e shqiptarëve, por edhe në vise të tjera të Ballkanit. Më 1308 banorët e Kunavisë, Stefanaikës, Pultit e të Dibrit, sipas dokumenteve, nuk ishin as “thjesht katolikë, as thjesht skizmatikë”.

    kam fol per ‘laramanizmin’ si virtyt ne artikullin tim “Nje pale breke per shpirtin tim”.

    http://qafirarnaut.wordpress.com/2007/08/09/nje-pale-breke-per-shpirtin-tim/

  2. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 September 2007 @ 7:21 pm

    FYI: skizmatike (shkije) eshte ortodoksi per katolikun, e katoliku per Ortodoksin

  3. anonymus thotë:

    28 September 2007 @ 10:59 pm

    Qafir.
    Faleminderit shume, per shpjegimin etimologjik te fjales “shkije”!!!
    Eshte e pabesueshme qe gjithe keto vjet nuk me ka shkuar ne mendje! Kaq e dukshme! Kaq e thjeshte!
    Rrofsh plako, se ma bone diten sot!

  4. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    29 September 2007 @ 12:09 am

    Ndaj kërkesave të autoriteteve osmane për pagimin e detyrimeve financiare shtetërore specifike për të krishterë, laramanët, e ashtuquajtur kriptokristianë, refuzonin, duke u paraqitur para autoriteteve si myslimanë. Ndërsa përballë kërkesës të po këtyre autoriteteve për t’i mobilizuar ushtarakisht, ata paraqiteshin të krishterë. Pra, për hir të këtyre interesave ata shndërroheshin aty për aty, mund të thuhet, jo vetëm në kriptokristianë, por edhe në kriptomyslimanë

    Hehhehe, ne cdo shtepi qe vizitova ne Tirane e Shkoder kete vere pashe nje Kura’n, nje Bibel, dhe ne disa raste nje Liber Mormoni.

  5. InfraRed thotë:

    29 September 2007 @ 1:58 am

    “Shkije” eshte numri shumes per fjalen “Shkja” (me perkedheli “shkavello” :D). Kjo e fundit ka me sh. gjasa se vjen prej termit romano-bizantin “Sclavinae”, i cili sipas ligjeve te shqipes do te reduktohej ne “S(h)kjav”. Krahaso me Gluhe=Gjuhe, Klaj=Qaj etj.

    Fjala duhet te jete sh. e vjeter dhe ma ha mendja se i paraprin Skizmes se Madhe te dy Kishave (dyndjet bullgare ne trojet shqiptare i perkasin Shek te 8te).

  6. anonymus thotë:

    29 September 2007 @ 4:46 pm

    InfraRed. Nuk mendoj qe shkije vjen nga “sllav” por nga skizmatik (ortodoks) sic thote QA me lart. Termi “shkije” nuk aplikohet per kroatet (katolike) apo per boshnjaket (muslimane). Kete e kam nga kosovaret d.v.
    Ne librin e Pllumit, “Rrno…” ka nje fragment ku nje fshatar i thote dikujt tjeter: “ishte zverdhur dhe ishte bere si shenjt shkije”. Fjala eshte per ikone ortodokse.
    Me te mira.

  7. rual thotë:

    29 September 2007 @ 4:50 pm

    Termi Shkie Shkja perdoret vetem per Malazezt me sa di une.

  8. anonymus thotë:

    29 September 2007 @ 5:08 pm

    rural.
    Shkije perdoret (masivisht) per serbet gjithashtu. Sidomos nga kosovaret. Bile ka raste (extreme) kur kosovaret i referohen Serbise si “Shkini”. Kjo nuk ndodh per Malin e Zi. Ketij te fundit, shpesh kosovaret i referohen si “Cernagore” ne te foluren e perditshme. Megjithate edhe malazezeve i vishet ky term, “shkije”. Edhe shqiparet e Maqedonise perdorin termin shkije per maqedonasit.
    P.S.
    Ne Kosove, ka pasur nje levizje qe termi “shkije” te perdorej vetem per “serbo-malazezet” e Kosoves, si analogji e “shiptar-albanac” qe serbet perdornin per te na dalluar ne nga ato te Kosoves. Por meqenese “shkije” ka dimension fetar, kjo pune nuk ngjiti.
    Me te mira

  9. rual thotë:

    29 September 2007 @ 5:19 pm

    Pershendetje anonim.
    Mqs nuk jam shqiptar kosove apo maqedonie nuk i di keto gjana mund te jene edhe te vertea,po une shkie i kam thane vetem malazezve.
    ps.Ne Lahuten e Malcis me shkie nenkuptohen vetem malazezet.

  10. anonymus thotë:

    29 September 2007 @ 5:32 pm

    rural. Me shnet qofsh!
    Gjergj Fishta, ne “Lahute” NUK i referohet si “shkije” vetem malazezeve. Lexo te lutem kete pasazh nga Kongresi i Berlinit ku “shkije” nenkupton Rusine, gje qe con uje ne elementin ortodoks te ketij termi.
    Me te mira

    Por kjene topat e Rusis,
    Kjene havanet e Turkis
    Q* bumbulluen fushes s’ Rumelis,
    Nate e ditë tue rrahe pa da,
    Rumelin t’tanë n’ gjak tue e la
    Kah na u pre Turku me Shkja,
    Me Miskov Turku ka’ u pre.
    Rremej gjaku shkulm mbi dhe:
    Si mjerë Zemra e atyne nanave,
    Q* i pa’n djelmt atyne aneve,
    Përse kryet nën gryke t’ havanave,
    Kur te rrahin këta batare,
    S’ i ban nierit, jo nji pare.
    Bre ma zi’ dhe pat për t’ ndolle,
    Pse tue u rrase kje Shkjau n’Stambolle,

  11. rual thotë:

    29 September 2007 @ 6:02 pm

    Spo du me e zgjate se te thashe mund te jete e vertete ajo qe thu.
    Une e di keshtu se shkja asht malazezi e sa me te pru uje ne elementin ordodoks po te dal ne shteg e po te kujtoj se edhe malazezet jane ortodoks.

  12. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 October 2007 @ 9:47 pm

    Kete shkrim bejne mire ta lexojne Orthodhokset

  13. Julius Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 October 2007 @ 10:24 pm

    Kete shkrim bejne mire ta lexojne Orthodhokset
    ===========
    E kane lexuar dhe te jane madje pergjigjur disa.
    Po per cfare (na) ben mire, per kockat, kycet apo..?

  14. Cajupi_junior Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 October 2007 @ 2:57 pm

    Zoti i madh e i vertete
    bere ti cfare deshe vete
    …………………………
    …………………………
    …………………………etj
    …………………………etj
    bere derrin e arine
    po cdeshe qe bere kafsherine!

  15. artan thotë:

    28 October 2007 @ 3:43 pm

    Nuk kisha lexuar shkrim me te sakte, me profesional ,me te vertete se sa ky i Gazmend Shpuzes,per problemin e bashkejeteses nderfetare ,cdo kush mund te jap shembuj,nga jeta hisotria e vet se kjo eshte e vertet,Cudia e kesaj eshte se Shqiptaret kane mbijetuar,dhe nuk kane patur interes ,qe perkatsia fetare,te dominoje ne ndarjen e vendit,dihet thenia e Pashko Vasa,nje e vertete si drita e djellit se” Feja e shqiptarit eshte shqiptaria “:
    po theksoj nje pjese nga ky studim,i thelle qe i ka bere G,ShPUZA:

    …..një xhami e tillë gjithëpërfshirëse u bë, mund të thuhet, pa e tepruar, bashkëjetesa ndërfetare.

    Te kjo “kishë” u falën kombëtarisht shqiptarët islamë, ortodoksë dhe katolikë.

    Përkundrejt këtij fakti, nuk duhet harruar që shqiptarët, megjithëse të ndodhur në kushte të tilla tejet negative, të cilat mund ta shndërronin këtë ndarje fetare në përçarje, e ruajtën bashkimin, njëjtësimin kombëtar.

    Kjo përbën një meritë të madhe historike për paraardhësit tanë.

    SHume e sakte,ja vlen te vazhdohet.. edhe nga pasardhesit.

  16. Reshat mustafa thotë:

    3 November 2007 @ 10:22 am

    mirdita mu me vjen shum mir dhe shum interesant asht historija e jon un kisha patur qef me pas do libreza apo ndonji faqe qe na tregojn kur ja nisem na me mar ket fe te te msheft un kam pak informata qe kishat kam fillu te ndahen ne vitin 1953. kishat katolike dhe ortodokse un quhem reshat mustafa jam prej katundit trnovc afer bujanocic lugines se presheves jetoj ne suedi ce 43 vjet ju pershendes mir u ndidjofshim
    Tung

  17. Reshat mustafa thotë:

    3 November 2007 @ 10:26 am

    me falni se gabim e kam shkrua sa i perget vitit . e ndarjeve te kishave viti asht 1053. faliminderit per mir kuptim

  18. Qafir Arnaut thotë:

    4 November 2007 @ 6:21 am

    un kisha patur qef me pas do libreza apo ndonji faqe qe na tregojn kur ja nisem na me mar ket fe te te msheft un kam pak informata qe kishat kam fillu te ndahen ne vitin 1953. kishat katolike dhe ortodokse

    Kur nisem me marr cilen fe Reshat? Myslimanen apo Kristianen?

  19. arbi thotë:

    16 November 2007 @ 3:59 pm

    Kur nisem me marr cilen fe Reshat? Myslimanen apo Kristianen?
    kjo eshte pyetje pa kuptim i nderuar “qafir arnaut” nje njeri smun te pyes askend per fene
    ajo eshte qetesi qe e gjen ne vetevete ok islami ta ofron ket sinqeritet se islami i perfshin te gjitha fte hyjnore monoteiste si hebraizmin edhje katolicizmin

  20. horus thotë:

    1 January 2008 @ 1:13 pm

    Me sa kam degjuar serbet e sotem, jane pasardhes te fiseve sllave te ardhura ne ballkan. Keto fise shtriheshin me perpara diku mes ukraines dhe rusise. Ne lashtesi keto zona banoheshin prej fisesh barbare si prsh Skythet apo skithet. Une nuk jam linguist as historjan por kam mendimin mbase fjala shki rrjeth prej fjale skyth(skith). C´fare mendoni ju te tjeret.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.