Identifikohu



Regjistrohu

Ku është “Duka i krimit”?!

Eduard Zaloshnja
Gazeta Panorama
25/04/2008

Në emisionin televiziv  “Pesë pyetje nga Babaramo”, z. Astrit Patozi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, tha se partia e tij nuk mund të akuzohet edhe kur bën luftën, edhe kur bën paqen.  Këto fjalë z. Patozi i tha në përgjigje të përmendjes nga z. Babaramo të kritikave mbi paktin e PD-së me PS-në për amendimin e Kushtetutës. Ndërkohë që ky argument i z. Patozi bën mjaft kuptim sot, kur kemi një detantë midis dy elefantëve të politikës shqiptare (metafora e elefantëve është e huajtur nga vetë z. Patozi), pyetja që të lind vetiu është: “Po për gabimet që u bënë gjatë ‘luftës’, a do kërkohet falje?”.

Në kohën kur PD-ja luftonte për të ardhur në pushtet, balta që ajo hidhte ndaj kundërshtarëve mbushte ekranet televizive dhe faqet e gazetave shqiptare. Ishte e pamundur për z. Berisha në atë kohë që të kalonte një ditë pa akuzuar dikë për vrasje, vjedhje, trafik apo evazion fiskal. Dhe në majën e listës së njerëzve që bombardoheshin me baltën e tij, ishte edhe z. Agron Duka, ministër Bujqësie dhe deputet i Shijakut në atë kohë. “Duka i Krimit”, “Kreu i klanit të Zemunit” e quante z. Berisha çdo ditë z. Duka atëherë, dhe akuzat më të rënda të karakterit penal lëshonte ndaj tij. Dhe pyetja që vetiu tani të vjen në mendje është: “A është duke u kalbur në burg z. Duka sot?”.

I intriguar nga kjo pyetje, bëra një kërkim në internet për të gjetur ndonjë lajm për arrestimin apo dënimin e z. Duka, por s’pata fat - më dilnin vetëm lajme të vjetra nga koha kur Berisha, Olldashi etj., e akuzonin për evazion fiskal, kontrabandë, krime etj. Dhe meqë nuk gjeta ndonjë lajm të freskët për të, u interesova të takohem me z. Duka për një intervistë, të cilën ai ma dha me kënaqësi.

Gjatë intervistës, z. Duka më tregoi se pas ardhjes në fuqi të PD-së, gjithfarë tatimorësh e inspektorësh i ishin turrur kompanisë së tij AIBA, por asnjë shkelje penale apo administrative nuk kishin gjetur në të. Që jeta i ishte bërë më e vështirë nga kontrollet dhe inspektimet e vazhdueshme, z. Duka nuk e mohonte, por sidoqoftë, ato i jepnin edhe kënaqësi. Ikja e inspektorëve e tatimorëve me duar bosh nga kompania e tij, përbënte për të rivendikimin më të mirë moral për emrin aq të njollosur nga balta e dikurshme PD-iste.

Rasti i z. Duka, ndërkohë që përbën një fitore morale për vetë personin, duhet parë më gjerë si një fenomen që nuk duhet përsëritur pas detantës së vendosur kohët e fundit midis dy partive të mëdha. Zgjedhjet e reja parlamentare janë vetëm një kilometër larg tashmë, dhe siç ndodh zakonisht para tyre, temperatura politike vetvetiu do rritet. Por ajo nuk duhet lejuar të ngrihet aq shumë sa kundërshtarët politikë të lëshojnë fjalë kundër njeri-tjetrit në gjendje zjarrmie. Akuzat monstruoze që ndotin ekranet dhe faqet e gazetave, pa çuar njeri në burg, e kanë lodhur tashmë publikun shqiptar. Votuesit e thjeshtë, në radhë të parë, duan të dëgjojnë sesi do zgjidhen problemet e pronave, pensioneve, rrugëve, dritave, shkollave, çmimeve të larta etj., etj.

Të kuptohemi, votuesit e thjeshtë shqiptarë do duan të dëgjojnë edhe për politikanë që kanë ngjyer këmbët e duart në baltën e korrupsionit dhe krimit. Por po dëgjuan për të tillë politikanë, ata do duan të dëgjojnë edhe për padi serioze penale ndaj tyre, e jo thjesht për pallavra që kurrë nuk vërtetohen në sallat e gjyqit…

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente »

  1. toko thotë:

    25 Prill 2008 @ 8:56 pm

    Problemi qendron
    Eshte Agroni Duka i Krimit, Kreu i klanit të Zemunit, dhe Berisha per arsye te tjera nuk e denon?
    Apo Duka eshte i pafajshem dhe emrin i tij pa te drejte eshte njollosur nga balta e dikurshme PD-iste.?
    ————————–

  2. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 Prill 2008 @ 3:34 am

    sido qe te pergjigjesh tomi, (me nder) berisha …

  3. Blendi Salaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 Prill 2008 @ 4:16 pm

    Po edhe ky Zaloshnja, qe edhe qenka takuar me Duken vetem nje paragraf qullosi nga “intervista”. Mund te na e kishte pershkruar pak Duken, si dukej? Cfare ndjesie i dha, sinqeritet apo mafioz? Ku qendron vezhgimi ne kete shkrim. Mua mu duk sikur lexova “Erdhi Duka per kafe, kshu-kshu me tha”.

  4. Tao thotë:

    28 Prill 2008 @ 4:27 pm

    O ti mik, per ty e kam B.S, ketu nuk behet fjale te kenaqim tekat personale qe mund te kesh ti per Duken…:)
    Ky eshte nje nga shkrimet me kuptimplote qe kam lexuar, qe ne aq pak fjale e rreshta e prek fund e krye fenomenin e ardhjes se Berishes ne pushtet dhe rrugen qe ai beri nepermjet perbaltjeve. ka shume pak rendesi se si dukej Duka, ka me shume rendesi se cfare ndjente Duka kur i vinin Tatimoret.I thjeshte i sakte dhe per me teper jo lodhes, asht sikunder bejne te tere qe mbushin faqe formati per te shprehur mendimet e tyre(ngaqe s di te shkruaj shkurt po shkruaj gjate), ku eshte nje nga shkrimet per tu marre shembull se si duhet te shkruhet ne faqet e pacavureve mediatike ne Shqiperi.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.