Kryeministri: Do votojmë ligjin për Gjobat
“Jam i detyruar të përmbush standardet e Bashkimit Evropian”
Adi Shkëmbi
Gazeta Panorama
Maxhoranca është e vendosur për të votuar në seancën e sotme parlamentare projektligjin “Për gjobat”.
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje në një konferencë për shtyp se ky projektligj është sipas standardeve dhe detyrimeve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Kreu i qeverisë tha se pas miratimit të tij në Parlament është i hapur të bashkëpunojë me biznesin për të gjetur rrugët, në mënyrë që asnjë biznes, që fiton në gjykatë të mos dëmshpërblehet. “Ftoj biznesmenët shqiptarë të punojmë së bashku, të sjellim propozimet e mundshme për përmirësimin e ligjeve ndaj biznesit. Por unë jam i detyruar të përmbush standardet e Bashkimit Evropian. Ne duhet të pranojmë standardet edhe kur ato na cenojnë. Jam i gatshëm dhe i ftoj biznesmenët të propozojnë çdo sanksion ndaj qeverisë dhe organeve tatimore ndaj dëmit që u bëhet në mënyrë të padrejtë. Unë nuk nxjerr asnjë nga teoria e gabimit. Ne po punojmë për një seri masash për t’i dhënë garanci maksimale për të gjetur mënyrën për t’i dëmshpërblyer”, u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i qeverisë pranoi faktin se gjatë hartimit të këtij projektligji qeveria nuk është konsultuar me biznesin, por shtoi se pas miratimit të tij është i hapur për çdo nismë tjetër në shërbim të klimës ndaj biznesit. “Mosdiskutimi paraprak me biznesin ka qenë një defekt dhe ky veprim është korrigjuar gjatë këtyre ditëve ku biznesi pati mundësi që të jepte mendimin e tij”, theksoi Berisha. Megjithëse ditët e fundit aleatët kryesorë të demokratëve janë shprehur se qeveria duhet të ulet në negociata me biznesin para se të miratojë projektligjin “Për gjobat”, kryeministri Berisha tha se ka kontaktuar me ta dhe ka marrë miratimin për ta votuar këtë ligj në Parlament. I pyetur se sa i sigurt duhet të jetë biznesi për t’u dëmshpërblyer nëse fiton në gjykatë, kreu i qeverisë u shpreh se administrata aktuale ka dhënë prova se mund ta bëjë një gjë të tillë, teksa kujtoi se në vitin 2005 ishin 12500 vendime të gjykatës të pazbatuara nga Përmbarimi, ndërsa aktualisht janë më pak se 500 vendime të pazbatuara. “Unë këtu dua të sjell në vëmendje se kur erdhëm në pushtet kam gjetur 12500 vendime të pazbatuara dhe sot janë zbritur në më pak se 500 vendime. Financat kanë urdhër të prerë të dëmshpërblejnë çdo person. Unë jam gati të ulemi me biznesin dhe të përcaktojmë rregullat. Unë jam në krah të biznesit”, tha Berisha. Duke u shprehur i vendosur për miratimin në Parlament të projektligjit të Gjobave, kryeministri tha se në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe në shumë shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës aplikohet një praktikë e tillë. Sipas kryeministrit, gjobat nuk synojnë falimentimin e biznesit, por parandalimin e mashtrimit. “Gjoba të ëmbla nuk ka dhe s’mund të ketë. Gjobat nuk kanë si qëllim ndëshkimin, ato synojnë parandalimin e mashtrimit, synojnë të mbrojnë nga falimentimi biznesin e ndershëm. Kjo nuk është shpikje shqiptare, por zbatohet në Greqi, Itali, Suedi, Gjermani. Gjoba paguhet para, pavarësisht nga apelimi në zyrat e administratës tatimore. Në vendet e BE niveli i gjobës që paguhet para apelimit është mbi 25%. Ligji zbatohet edhe në shumë shtete të SHBA-së, ku gjoba paguhet 100%”, u shpreh kryeministri Berisha.


17 Prill 2007 @ 1:38 am
Sot u ankuan kompanite greke. Te shohim!
17 Prill 2007 @ 2:34 am
Kreu i qeverisë tha se pas miratimit të tij në Parlament është i hapur të bashkëpunojë me biznesin për të gjetur rrugët, në mënyrë që asnjë biznes, që fiton në gjykatë të mos dëmshpërblehet.
:D
17 Prill 2007 @ 5:37 pm
Blendi, ku eshte ai artikulli i djeshem, intervista e Kryeministrit.
17 Prill 2007 @ 5:41 pm
http://www.peshkupauje.com/konference-per-shtyp-e-kryeministrit/2007/04/16/