Identifikohu



Regjistrohu

Krijohet Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës

http://www.lsi.al
08.05.08

Krijohet Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. Në Komitet marrin pjesë disa parti politike dhe shoqëria civile. Partitë politike që marrin pjesë janë LSI, PSD, PAD, PDS, LZHK dhe Lëvizja e Petro Koçit. Në Komitet janë përfshirë edhe analistë të mirënjohur, si Artur Zheji, Andrea Stefani, Henri Çili dhe Blendi Kajsiu dhe të tjerë analistë dhe veprimtarë të shoqërisë civile. Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës u zgjodh, Artur Zheji.

Më poshtë ndodhen deklaratat e Konferencës së Shtypit

Deklaratat:

Andrea Stefani

E organizojmë këtë konferencë për shtyp sot që të shpallim krijimin e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, një bashkim qytetarësh, gazetarësh, politikanësh, juristësh, njerëz të profesioneve të ndryshme, të gjithë në pozicionin qytetar dhe me shqetësimin qytetar për rrezikimin e demokracisë nga një ndryshim i beftë, jo transparent dhe i errët i dokumentit më të shenjtë të qytetarëve dhe demokracisë, Kushtetutës së Republikës.
Sot janë publikuar rezultatet e një vëzhgimi të USAID për korrupsionin në Shqipëri. Përqindjet galopante në rritje të korrupsionit të zbuluara nuk janë të shkëputura nga qeverisja autoritariste e Kryeministrit Berisha, sepse sikundër është stërthënë në këto vite, autoritarizmi nuk e lufton, por e ushqen korrupsionin. Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Kjo po faktohet. Edhe ndryshimi i beftë i Kushtetutës është një korrupsion në këtë mbretëri të korrupsionit. Ai është i lidhur ngushtë me presionet dhe shantazhet që pushtetit autoritarist i Berishës ushtron mbi politikën dhe Kuvendin për të grabitur edhe më shumë pushtet, për të akumuluar edhe më shumë pasuri korruptive. Me ndryshimet e bëra Kushtetutës, i hiqet zemra e saj dhe i transplatohet një zemër tjetër, që imponon një puls autoritarist mbi gjithë sistemin. Pas kësaj, Kushtetuta nuk do të jetë më zemra e publikut, e vullnetit publik, e demokracisë, por zemra e autoritarizmit. Nënshtrimi i një pjesë të deputetëve të opozitës dhe asistimi prej tyre në këto transplante të doktorit kryeministër na bëjnë më të vendosur të reagojmë fort për të mbrojtur Kushtetutën. Amendamentet e bëra janë shumë të rrezikshme. Ato janë qartësisht përtej interesave të së majtës e të së djathtës demokratike, përtej interesave të demokracisë. Por edhe më e rrezikshme do të ishte heshtja, pranimi kokëulur i këtij atentati tiranik.
Ne besojmë se me ndryshimin regresiv të Kushtetutës është tejkaluar kufiri i mandatit që populli i ka dhënë përfaqësuesve të tij, kufi që përcaktohej qartë nga Kushtetuta e sapo dhunuar. Një pushtet autoritarist dhe i korruptuar ka arritur të korruptojë frymën e sistemit duke i grabitur sovranit sovranitetin. Prandja, i bëjmë thirrje popullit të ushtrojë veton e tij supreme në mbrojtje të vullnetit të tij të shprehur me votë në referendumin për Kushtetutën në vitin 1998. Jemi besimplotë se askush nuk do të mund të privojë popullin shqiptar nga kjo e drejtë mbi të cilën themelohet dhe liria e tij.

Artur Zheji

Unë do të bëja një koment fare të shkurtër personal. Ne realisht mendojmë që jemi në një situatë shumë të rëndë, jemi në fillimet e frymës së një kaste trasvesale, e cila për interesa të ruajtjes së përjetshme të froneve apo të kolltuqeve të politikës nga njëra anë, dhe të monopoleve ekonomike nga ana tjetër, po krijon një aleancë trasvesale, pa parim, pa moral dhe vetëm me një objektiv, objektivi i ruajtjes në mënyrë artificiale, të shkëputur nga populli, të pushtetit.
Prandaj duam që të drejtën për tu shprehur t’ia rikthejmë drejtpërsëdrejti opinionit publik dhe popullit. Referendumi është një nocion politik dhe një shprehje politike i demokracisë direkte, është një moment emancipues i mirëpritur në Shqipëri dhe në momente dramtike, kur rrezikohej e drejta themelore e lirisë së shqiptarëve, ju kujtoj referendumin për Kushtetutën në vitin1994, populli shqiptar diti të shprehet dhe ti thoshte ndal tendencës autoritariste të qeverisjes së asaj kohe. Ky është një apel i memories. Dhe, së fundi, ftesë për pjesëmarrje në këtë Komitet është e hapur dhe e gjerë transversalisht për të gjithë dhe madje, ftojmë këto qoftë liderin aktual të mazhorancës, zotin Berisha të firmosë po të dojë, qoftë liderin e opozitës, që opozitë nuk po bën për fat të keq, zotin Rama. Le ta firmosin dhe le ta çojnë popullin në konsultim të drejtpërdrejtë popullor dhe aty të tentojnë nëse këto amendamenim që sjellin zhvlerësimin e rolit të presidentit kryesisht dhe mboiforcimin e rolit të kryeministrit nga ana tjetër, populli i do dhe i mbështet. Pra, t’i pyesin shqiptarët dhe të mos kenë frikë nga shqiptarë, nëse ata duan një, pothuajse regjim, apo duan një demokraci me gjithë problemet që ka, por sidoqoftë ku predominon demokracia. Ne si gazetarët, si kolegët tuaj, nuk kemi asnjë lloj kompeksi që të jemi të angazhuar për Kushtetutën, për ftesën ndaj popullit shqiptar që të shprehet drejtpërsëdrejti për këtë atentat ndaj demokracisë që po bëhet në këto momente nga kjo shumicë e sforcuar, e cila zhvlerëson rolin e Presidentit dhe mbiforcon rolin e kryeministrit të republikës.

Ilir Meta, LSI

Së pari, unë dua të shpreh kënaqësinë time të parë që pas datës 21 prill, ku edhe unë jam tronditur për arsye se nuk e kam menduar që ai lloj kompromisi do të shkonte përtej interesave të ngushta të dy partive për reformën zgjedhore dhe do të kryente atë shkatërrim të thelbit të Kushtetutës, të cilën jo parlamenti, por në radhë të parë populli shqiptar e kishte vendosur me votën e vet 10 vjet më parë. Dhe dua të shpreh kënaqësinë sepse sot krijohet, shpallet ose bëhet publik një forum kaq i rëndësishëm, kaq i gjerë dhe që jam i bindur që do të shndërrohet vërtetë në një front demokratik dhe vërtet të tillë, i cili do të garantojë vërtet mundësinë që sovrani të shprehet për sovranitetin e vet përsëri, pasi është cënuar ai sovranitet për të cilin është shprehur në vitin 1998, ai sovranitet që është i përcaktuar aq qartë në nenin 2 të Kushtetutës dhe shpreh kënaqësinë, sepse shoqëria civile merr një rol drejtues dhe kalon edhe ajo përtej reagimeve individuale të personaliteve të shquara në një organizim kaq jetik për demokracinë në vendin tonë.
Përsa i takon çështjes së firmave, ju e dini që Lëvizjes Socialiste për Integrim kishte nisur prej kohësh nismat e saj. Që në mbrëmjen e 21 prillit ne e deklaruam se nuk do të pajtohemi kurrë me atë që ndodhi, përderisa të verifikohet nëse ajo përputhet me vullnetin e popullit shqiptar. Kështu që, iniciativat e LSI tani do të jenë pjesë, sikurse çdo forcë politike, sikurse gjithë faktorët e tjerë dhe të shoqërisë civile, apo faktorë të rëndësishëm të atyre që konsiderohet faktorë socialë, pjesë e vendimmarrjes së këtij Komiteti. Çështjet e tjera do të diskutohen në të ardhmen.

Pyetje-përgjigje:

Si do t’ia dilni në këtë nismë kur keni përballë një mur institucional për referendumin dhe a keni marrë konktate me zotin Nano për këtë nismë?

Artur Zheji:

Ju falënderoj për termin mur institucional. Vërtet ekziston tendenca për të ndërtuar një mur institucional, por mendoj se kjo është më tepër alibi institucionale, e cila do që këtë iniciativë ta trembë apo ta demotivojë. Normalisht, ky mur institucional që thatë ju rrëzohet përmes sovraniteti që i kthehet sovranit. Pra, përmes ftesës së drejtpërdrejtë që u bëhet juve, neve, popullit për tu shprehur përmes formës së demokracisë direkte. Unë mendoj që do të ketë gjithmonë mure institucionale, të cilat do të pengojnë dhe kanë tendencën për të penguar shprehjen e demokracisë direkte, instrument i së cilës është referendumi popullor. Përsa i përket pjesëmarrjes apo jo të zotit Nano, deri tani nuk ka njoftime dhe nuk ka konktakte në lidhje me këtë gjë. Kemi mjaft lista, sepse firmëtarët janë aq shumë, sa do ta na duhet të shtypim mjaft lista për ta.

Pyetje: Jeni fokusuar te ndryshimet kushtetuese, por jo tek sistemi zgjedhor. Pse?

Ilir Meta, LSI

Meqenëse Lëvizja Socialiste për Integrim për dy arsye ka qenë në krye të debatit prej tre vitesh për një reformë zgjedhore që eviton çështjet e manipulimeve dhe trafikimeve të votës, që vjen së pari për shkak të mosbërjes palë në procesin e megadushkut në 2005 dhe së dyti për paraqitjen për herë të parë të një platforme për reformën zgjedhore që në tetor të vitit 2005, unë mund t’ju them se ne nuk pajtohemi me atë reformë që është realizuar në parlament, për arsye se ajo sjell probleme të rëndësishme me funksionimin e pluralizimit politik, respektimin e barazisë së votës dhe cënon seriozisht delegimin e sovranitetit të popullit shqiptar, i cili nuk ka mundësi që të shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë për deputetët që do ta përfaqësojnënë Kuvendin e Shqipërisë. Por përse ne si forcë politike që pas 21 prillit nuk po merremi me çështjen e reformës zgjedhore. Për arsye sepse pavarësisht nga defektet e saj, pavarësisht nga problemet që ajo ka, në fund të fundit, problemi i përmbysjes së Kushtetutë është shumë herë më i madh dhe nuk është çështja thjesht e kompetencave të Presidentit, këtu bëhet fjala për ndarjen e pushteteve që është parim i shenjtë në çdo vend demokratik dhe është një parim i sanksiuonuar aq qartë edhe në nenin 7 të Kushtetutës. Bëhet fjalë për pavarësinë e gjyqësorit, e cila cënohet kaq shumë dhe do të jetë një problem serioz, dhe ju e dini shumë mirë që kosolidimi i pavarësisë së gjyqësorit tani është një kryetemë për vetë procesin e stabilizim asocimit të Shqipërisë. Këtu bëhet fjalë për përmbusjen e repyblikës parlamentare në republikë kryeministrore, bëhet fjalë për moskontrollin më të qeverisë nga parlamenti dhe nga vetë sovrani, që do të thotë shumë më tepër korrupsion se edhe ai që u deklaruar nga USAID.
Natyrisht që ka dhe një qëndrim taktik, por qëndrimi taktik ka të bëjë me këtë gjë. Jam shumë dakord që dhe reforma zgjedhore është pjesë e gjithë sistemit qeverisës dhe gjithë modelit qeverisës të një vendi. Por, përderisa ka dalë një problem shumë më i madh në plan të parë, ne do të përqendrohemi te kjo çështje.
Pse qëndrimi ynë është po kështu taktik? Sepse reforma zgjedhore, duhet të kemi parasysh që ka dhe një kod për përgatitjen e zgjedhjeve dhe në fund të fundit, çdo bashkim në këtë referendum, edhe çështje të reformës zgjedhore, mund të na cënojë standardet e zgjedhjeve të ardhshme dhe shumë përgatitje me karakter teknik. Kështu që, në një farë mënyrë ky është dhe një lloj kompromisi që është bërë, nëmënyrë që të mos shpërndahet as vëmendja dhe as energjitë, jo vetëm tonat por të gjithë faktorëve që ndjehen të rrezikuar në liritë dhe të drejtat e tyre, dhe të gjitha shqiptarëv që ndihen të cnëuar në sovranitetin e tyre, tek një çështje shumë e madhe që është ajo e përmbysjes së Kushtetutës.

Paskal Milo, PDS

Shqetësimi që u ngrit për çështjen e mospërfshirjes së amendamentet për reformën zgjedhore është shumë i drejtë, por dëshiron të nënvizoj edhe një herë tjetër që, duke u përqendruar në çështjet themelore të ndryshimeve kushtetuese, që kanë të bëjnë me ekuilibrin e pushteteve, në dëshirojmë të japim një mesazh në opinionin publik, që të përfshijë një numër sa më të madh qytetarësh, të cilët janë përtej interesave të ngushta politike të reformës zgjedhore. Pra, të kapim thelbin e asaj që mund të përfshijë shumë qytetarë pa bindje të caktuara politike, të majta apo të djathta, për një çështje kaq të rëndësishme sa është ekuilbri i pushteteve e që ndryshon pastaj thelbin e Kushtetutës dhe të republikës parlamentare.

Pyetje:
Si e konsideroni faktin se kërkesa për referendum po kundërshtohet nga PS e jo nga PD?

Artur Zheji

Mendoj se PS është në fazë refleksion. Këta që kanë dalë tani do ti konsideroja disa kërpudha në ngutura folëse që bëjnë pjesë në atë murin institucinal që tremben nga referendumi. Unë mendoj që PS dhe vlera dhe forca shumë progresiste që nuk kanë frikë nga vota e popullit. Prandaj presim që të shprehet thelbi i vërtetë i Partisë Socialiste. Jam shumë optimist se do të ketë aderime shumë të mëdha nga PS për këtë referendum. Nuk dua ta paragjikoj, si PS ashtu dhe PD, sepse do të kemi firmëtarë dhe nga PD. Kjo është një lëvizje trasverale.

Petro Koçi

Mendoj se është vendi për të reaguar lidhur me qëndrimin zyrtar të PS. Dua të sqaroj që, i gjithë procesi përsa i përket pozicionit dhe alternativës së kësaj partie për çështjen e ndryshimeve kushtetuese nuk ka qenë institucional. Ju e diniqë tashmë në statusin e PS pretendohet se parimi i funksionimit dhe vendimarrjes është “një anëtar, një votë”. Në rastin konkret konsultimi me anëtarësinë ka munguar tërësisht. Madje mund tu them se Asambleja Kombëtare e PS ka vendosur për të miratuar paketën e ndryshimeve kushtetuese vetëm pasi kishte kaluar një muaj kur kreu i grupit parlamentar kishte depozituar draftet në Kuvend. Imagjinoni çfarë katrahure instituvionale ka ndodhur me këtë rast në PS. Kështu që, unë mendoj se socialistët ë vërtetë duhet të konsultohen dhe referendumi, pra vota popullore, është momenti i vërtetë që edhe socialistët të japinm pozicionin e tyre përsa i përket këtyre ndryshimeve që e kanë deformuar demokracinë shqiptare nga republikë parlamentare në një republikë kryeministrore.

Paskal Milo, PDS

Mendoj se ka një ndarje rolesh midis lidershipeve të PS dhe PD. PD, duke qenë se ka iniciuar këto ndryshime kushtetuese për të cilat ne bëjmë thirrje për referendum, nuk ka shumë letra me vlerë për ta mbrojtur këtë ide, ndëkrohë që beteja zhvendoset tek elektorati i majtë për fitoren ose jo të referendumit, dhe kështu investimi i PS është i drejtpërdrejtë për të frenuar atë pjesë të elektoratit të majtë që të mos vijë dhe dhe të mbështesë referendumin që kemi iniciuar ne, sepse rreziku më i madh vjen pikërisht nga fakti që kjo lëvizje do të përcaktohet nga mënyra se si do të lëvizë në shumicë elektorati i majtë ndaj thirrjes që ne po bëjmë.

Ilir Meta

Dua të shpreh kënaqësinë që në këtë tryezë është dhe Petro Koçi, si përfaqësues i të gjithë atyre socialistëve që janë koherentë me atë vendim të madh të marrë 10 vjet më parë, kur Kushtetuta u bë në një proces gjithëpërfshirës dhe ku kryetarët, bashkëkryetarët për komitetin për kushtetin ishin dy përafqësues nga e djathta, Imami e Godo, dhe pikërisht Zoti Koçi përfaqëson atë forcë politike këtu në tryezë, e cila në mënyrën më dmeokratike ftoi dhe popullin shqiptar të shprehet. Reagimet nervoze të ditëve të fundit nga përfaqësues të caktuar të PS, të cilët janë bërë anëtarë dhe përfaqësues të saj pasviteteve ’98 e 2000 mendojk se do të rishikohen shumë shpejt, sepse nuk ka koherencë me vetë historinë dhe qëndrimet e kësaj force politike. Dhe, unë jam optimist se shumë shpejt edhe Edi Rama do të jetë së bashku me ne, së bashku me petron Koçin. Unë do të dëshiroja që këtu të vinte vetë edhe zoti Berisha, në rast se ai nuk e ka kuptuar akoma që në Bruksel nuk i përtypin dot pseudoreformat që shkatërrojnë shtetin, demokracinë, ndarjen e pushteteve dhe që shkatërrojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Deklarata

Neritan Ceka,PAD

Unë dua të përshëndes pjesëmarrjen e autoriteteve të opinionit publik. Edhe fakti që janë në krye të tryezës sonë është një dëshmi që kjo është një lëvizje qytetare, që do të vërë qytetarët në qendër të politikës. Kjo është lufta jonë. Është në radhë të parë lufta për qytetarët. Fakti që marrin pjesë partitë politike, të cilat janë dalluar deri më sot në luftën për mbrojtjen e Kushtetutës dhe për nenet e tjera, është një mbështetje e madhe e strukturave tona. Por, fuqia e kësaj lëvizjeje është fuqia e qytetarëve, gjithëpërfshirja.

Dashamir Shehi, LZHK

Të gjithë esencën e kësaj unë e shoh që për herë të parë po mblidhemi të reagojmë në mënyrë demokratike ndaj një të keqe. U mësuam të pranojmë të keqen, po bashkëjetojnë. Nuk po reagojnë shumica e qytetarëve. Një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare i është turrur një pragmatizmi ekstrem, ku do jem vitin tjetër që do të bëhen zgjedhjen, ku do jenë bizneset e mia. Ka ardhur dita që, më mirë të dorëzohemi, të biem duke luftuar se sa të vdesim pa bërë luftë fare. Kështu që nga kjo pikëpamje, sikur ku referendum të jetë i humbur që ditën e parë, esenca e referendumit është politike. Do dalim të mbledhim ato 200-300 mijë firma atje. Bëjnë apo sbëjnë referendum burokratët e politikës së sotme nuk ka ndonjë vlerë. Lëvizja ka një esencë. Zore zotërin, ndaloni se nuk mund të bëni çorap librin kryesor që ka shteti shqiptar. Këtë sinjal i duhet thënë njerëzve që të fillojnë të mendojnë. Unë jam për ndryshime kushtetuese. Do mjaftonte të ngrihej një komisioni transparent, e jo mblidhen tre matrapazë brenda një nate e shkojnë e ndryshojnë gjithë esencën e shtetit.

Ëngjëll Bejtaj, PSD

Prezenca këtu është në vijim të qëndrimeve që PSD ka mbajtur në mbrojtje të Kushtetutës. Kushtetuta nuk u shkel vetëm ditën që ajo u ndryshua. Kushtetuta është shkelur në vazhdimësi në këto tre vite në parlament. Shkelje e kushtetutës është dhe miratimi i ligjeve që bien ndesh me të. Pra ne kemi pasur një qëndrim konstant në këtë drejtim. Prandaj jemi dhe këtu. Do të japim gjithë kontributin tonë që ky Komitet dhe ky aksion i nisur të shkojë deri në fund. Ky është nocioni i çdo qytetari dhe ne radhë të parë i partive politike që e ndiejnë përgjegjësinë e misionit që kanë.

Blendi Kajsiu

Do i bashkëngjitesha parafolësve duke i ftuar të gjithë ti bashkëjgiten kësaj nisme që synon të mbrojë atë që quhet streha jonë e përbashkët, që është Kushtetuta, pa të cilën dallimet majtas-djathta apo politike do të ishin të pamundur. Unë thjesht doja të vija në vëmendjen tuaj dy fakte. Fakti i parë, përballë gjithë korit institucionalist të institucioneve për pamundësinë e bërjes së Kushtetutës, një parafolës tha se sa e thjeshtë është që të ndryshohet kur ekziston vullneti i mbrapshtë politik, fryma e Kushtetutës brenda natës. Dhe, po këta zotërin dhe individë, që janë në gjendje të ndryshojnë frymën, themelin e Kushtetutës, thonë që është e pamundur të bëhet një referendum për hir të procedurave apo teknikaliteve që janë si rrjedhojë e kësaj fryme që këta lehtësisht e ndryshojnë kur është në interesa t tyre. Prandaj mendoj që pengesat e murit institucional janë pretekse më shumë se sa pretendime serioze. Së dyti, më 20 vjet tranzion janë bërë gjithsesj vetëm dy referendume dhe kjo është shumë pak për një periudhë kur po formatohet sistemi ynë politik. Kështu që, të mos kemi frikë nga referendumet si një moment demokratik.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente »

  1. Qafir Arnaut thotë:

    8 Maj 2008 @ 11:26 pm

    une jom Kajsiun!

  2. shefi kuadrit thotë:

    9 Maj 2008 @ 12:10 am

    Shkruani shpejt sa pa ardh lefteri me policin se pastaj ka per tu dhi tema.

  3. Lexuesi thotë:

    9 Maj 2008 @ 12:49 am

    Te them te drejten per disa emra te vecante qe ka ky KKMK-ja kam krijuar nje respekt te vecante per veprimtarine e tyre civile por…dicka sikur nuk shkon mire.

    Ne parim me gjen dakort fakti qe nuk ka patur nje debat te gjere publik rreth ndryshimeve kushtetuese (me perjashtim rreth sistemit zgjedhor) po edhe kur eshte ndermarre nje iniciative e tille,fale Lsi-se ky debat eshte fokusuar rreth 90% mbi percaktimin e sistemit zgjedhor,cka nuk krijoi permisat per nje debat me te gjere e konstruktiv.

    Konkretisht,paketa e ndryshimeve nuk eshte kaq e zymte sa eshte reklamuar ne media,me se fundi dhe ne ate vizive.Me perjashtim te nenit 87 (ku edhe ketu perplasen mendimet-sa pro e sa kunder) them se ne pergjithsi nderhyrjet ishin mese te domosdoshme.

    Por gjithsesi nuk e kuptoj gjithe kete shamata ne nje kohe kur viti elektoral po afron dhe opozita eshte bere fertele.Kur i referohem opozites i referohem vetem Lsi-se se parti fantoma si e Cekes apo e Milos vetem me Dushkun hyjne ne parlament.Pra,them se Lsi-ja duhet te reflektoje (vura re se Gjinushi mungonte nga ky eveniment) dhe te ndjeke interesat reale te Lsi-se.Duhet te distancohet nga parti-vemje qe vetem fale rivalitetit Meta-Rama dalin ne skenen politike.

    Tjeter gje qe me beri pershtypje se keto ndryshime kundershtohen…..por thjesht me pasionin per tu kundershtuar.Asnje nga pjesmarresit as sot e as deri me sot ska dale te komentoje konkretisht aspektet e diskutueshme dhe ne vend te saj te jape alternativen e formacionit qe perfaqson.Pra del qe eshte kundershtim politik jokonstruktiv qe nga momenti qe nuk jipet asnje propozim mbi pikat e diskutueshme qe supozohesh qe do cojne vendin drejt nje stabiliteti politik.

    Dhe e fundit.Nuk kuptoj se sa shpejt i gjeti fondet ky KKMK-ja qe te shfaqe ne nje ore te maksimum audience spot “informues” dhe thirrje per proteste ne nje nga Tv me te ndjekur ne Shqiperi (top-channel)?

  4. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 Maj 2008 @ 8:32 pm

    Tjeter gje qe me beri pershtypje se keto ndryshime kundershtohen…..por thjesht me pasionin per tu kundershtuar.Asnje nga pjesmarresit as sot e as deri me sot ska dale te komentoje konkretisht aspektet e diskutueshme dhe ne vend te saj te jape alternativen e formacionit qe perfaqson.Pra del qe eshte kundershtim politik jokonstruktiv qe nga momenti qe nuk jipet asnje propozim mbi pikat e diskutueshme qe supozohesh qe do cojne vendin drejt nje stabiliteti politik.

    Thank you…

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.